Pse shkruaj?/Nuhi Sadiku

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Nuhi Sadiku.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Nuhi Sadiku

Më duhet ta nis me një ngjarje. Duhet të ketë qenë viti 2016, kur konkurrova në një konkurs letrar. Isha 17 vjeçar, më i riu ndër konkurrentë. Të tjerët ishin emra të njohur të letërsisë. Teksa ata (shkrimtarët e dëshmuar) kishin zgjedhur të shkruajnë për gjëra që s’i duronte letërsia, unë (gjimnazist) kisha një poezi për diktatorët që flasin gjuhën tonë. Kur i lexuam poezitë, për çudinë time, e gjithë audienca tha: ti je fitues. Por, me t’u kthyer komisioni, ndonëse një anëtar i tij kishte këmbëngulur për emrin tim, fitues u shpall dikush tjetër, që kishte rastisur të jetë i afërm i kryetares së komisionit. Epo, rasti është mbret i botës thonë. Në një rast tjetër nuk më shpallën fitues, sepse kur e kisha nisur poezinë me postë, në zarf e paskam shkruar emrin tim. Aty i thashë vetes: s’ke pse shkruan. Por, kurrë s’arrita ta bind veten të ndalem.

Nuk e di pse shkruaj, ndonëse shpesh orvatem ta gjej këtë përgjigje. Madje, nuk e di as nga ku më rrjedhin gjithë këto gjëra që presin për t’u shkruar, e që shumica nga to mbesin thjesht ide, sepse unë nuk ndalem t’i shkruaj. Krejt çka më duhet është pak qetësi dhe mund të nxij grumbuj letrash të bardha. Por, nuk e bëj. Nuk bëj pjesë te poetët ambiciozë, nuk bëj pjesë as te poetët me ambicie mesatare. Në fakt, dyshoj që jam poet. Të jesh poet nuk ka mundësi të jetë kaq e thjeshtë! Unë gjithmonë i kam paramenduar të tillët pranë një gote me verë, në një kafene në qosh të qytetit, duke tymosur duhan, duke menduar, duke shkruar. Duke e sharë çdo autoritet. E, unë ku ta gjej kafenenë? Mbi të gjitha, ku ta gjej qytetin? Qyteti im ka shkëputur çdo lidhje me kulturën. Asgjë nuk ndodh. Askush nuk lexon. Të gjithë shkruajnë. Kështu, nuk më mbetet zgjidhje tjetër, pos ta trajtoj me shpërfillje letërsinë. Nuk dua të jem shkrimtar në një vend ku çdo i dyti është i tillë. Mbi të gjitha, nuk dua të jem shkrimtar në një vend ku nuk ka klimë për letërsi. Nuk dua as të shkruaj, por siç e thashë, e kam të pamundur. Nuk e di pse më ndodh kështu. Por, ka gjëra që i di. E di që më pëlqen shiu, sidomos në ditët e vdekura, ku pos semaforëve nuk punon asgjë tjetër. E di që më pëlqen nata. Dikur isha fëmijë i saj, kënaqesha kur e përqafoja. Por, tash më duhet të zgjohem herët dhe nata nuk më ngjan si më përpara. E di që më pëlqen leximi, librat. Jam i obsesionuar pas fjalës, tekstit. Kam një lidhje të jashtëzakontë me librat. Lexoj çkado që gjej poshtë e lart. Ky është pendimi më i madh në jetën time: teksa mund të dehesha në mbretërinë e injorancës, unë zgjodha të mbaj libra në duar. Teksa, mund t’i shkoja pas një politikani idiot, unë zgjodha të mbyllem në bibliotekë. Që ta dini, biblioteka ime nuk ka shumë libra. Ato që janë m’i kanë falur. Disa edhe i kam blerë. Ky fakt ma shkakton vuajtjen më të madhe: unë do të duhej të kisha më shumë libra. Nuk e di se si, të m’i sillte dikush, të m’i blente dikush, t’i trashëgoja nga dikush, t’i bleja vetë. Nuk e di dhe nuk më intereson. Thjesht, unë do të duhej të kisha më shumë libra. Por, nuk kam. Do t’i kem! Ky është i vetmi premtim që ia kam bërë vetes. Sidoqoftë, edhe pse nuk e di pse, unë vazhdoj të shkruaj. Ndonëse, çdo ditë kam dyshime nëse këto që po i shkruaj mbartin ndonjë vlerë letrare apo janë thjesht shkarravina – si librat e 90% të shkrimtarëve shqiptarë. Çdo ditë e më tepër më kaplon dyshimi, për vlerën e shkrimeve të mia, edhe pse më thonë vazhdimisht që shkruaj mirë. Prandaj, nuk ngarend të botoj prapë. Kam zgjedhur të pres. Nuk e di sa e gjatë mund të jetë pritja, por e di një gjë: unë nuk jam Franz Kafka që të lë porosi për djegien e shkrimeve të mia. Ato, kurdoherë, do t’i botoj vet.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top