Kumt i një të ardhmjeje të vonuar-Mbi poezinë dhe tingullin e Jericho-s/Nuhi Sadiku

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

Jericho janë ajo çfarë ne nuk guxojmë të jemi!

     Nuhi Sadiku

Akti më i lartë i lirisë është refuzimi. Vetëm aty ku lind ndjenja e refuzimit, ka liri. Por, thirrja për liri, në një realitet të turbullt, mund të na mbërrijë në vesh nëpërmjet formave të ndryshme. E tëra varet nga thirrësi.
Një formë tejet e mirë e shfaqjes së rebelimit individual për kauzat kolektive është muzika, specifikisht rock-u, së bashku me nënzhanret e tij.
Kështu, mjafton një motiv i qartë që ngacmon nervin krijues të artistit, një kitarë dhe një penë që di të shkruajë. Pjesa tjetër i takon historisë! Dhe për të dëshmuar këtë, nuk ka shembull më të mirë sesa rock grupi Jericho.
I formuar në fundshekullin e kaluar, pjesëtarët e Jericho-s në vazhdimësi kanë guxuar të thërrasin në atë se çfarë na mungon. Ata, sot e kësaj dite, këmbëngulin në një emancipim intelektual dhe zgjim të shoqërisë.
Për Jericho-n akti më i lartë i lirisë është refuzimi. Refuzimi për t’u nënshtruar.

***

Vargjet e këtij grupi nuk janë të zakonshme. Në to vërehet njëfarë force burimore që i bën më të arrira.
Ato nuk kanë konture stilistike, sepse shpesh janë me motive të huazuara nga populli. Mirëpo, ato janë autentike. Është pikërisht ky autenticitet që e ngre tekstin e Jericho-s më lart në sistemin vleror të poezisë.
Tek e fundit, ajo çka i duhet poezisë është pikërsht mënyra autentike e ndijimit të një motivi.
Për vetminë, ta zëmë, kanë shkruar qindra poetë para nesh, por kjo nuk do të thotë që dikush prej nesh të mos ta trajtojë vetminë nëpërmjet qasjes së tij autentike.
Poezia e Jericho-s, sa është realiste, aq është edhe imazhiste. Gjatë leximit të saj si tekst, të pashoqëruar me akorde muzikore, lexuesi e vëren qartë mjeshtërinë poetike të tekstshkruesit.
Ajo çka e karakterizon poezinë e Jericho-s është thjeshtësia në të shprehur. Me një gegërishte të kuptueshme, me raste edhe me përdorimin e fjalëve me origjinë orientale, tekstshkruesi e shenjon oazën poetike se ku do të notojë.
Poeti assesi nuk rresht së kultivuari teknika të reja në tekstin e tij. Ajo herë vjen në formë revolte, herë në formë lutjeje.

Falë i kofsha këtij rahmeti oj farë e dashnisë
Bone Zot o zemrën teme, venin e lumnisë
[Jericho – Kënga e ashikëve]

Në distikun e mësipërm tekstshkruesi shpërfaq butësinë e tij. Atë e mundon palumturia kolektive dhe lutet për ditë më të mira.
Lutjen e tij, zë dhe e vazhdon kështu:

O Zot na kthe nerën e shpisë
Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë
[Jericho – Kënga jonë]

Poezia e Jericho-s ka një strukturë konstante. Ajo kryesisht është e sistemuar në katrena dhe distikë. Të gjithë vargjet nisin si vegime të konstruktuara në atë mënyrë që të depërtojnë lehtësisht nëpër çdo barrierë.
Gjatë leximit të poezisë së Jericho-s vërejmë që jo rrallë ajo përbëhet edhe nga tone të elegjisë. Kryesisht elegji për gjendjen politike dhe morale të shoqërisë.
Shembulli më i mirë se si vargut të tyre i rrinë bukur konotacionet e vajit, është kjo strofë:

Nana po vet: Ku i kam djemtë, o ku m’kanë mbetë
N’pragun e shpisë, marre e madhe na ka prekë
Gur o për gur kullën tonë janë tuj e rrëzu’
Kthehmuni djem’, nanën qysh ban me harru
[Jericho – Kënga jonë]

Atë që Jericho e personifikon si nënë, assesi nuk është nënë biologjike. Ajo është nënë ideologjike.
Rreth saj mvishet e gjithë prapavija historike kolektive e jona si popull dhe ajo tenton të ruajë vijën historike të ngjarjeve.
Ajo bën përpjekje gjithmonë që të kaluarën ta ketë në mbamendje dhe është kumt i një të ardhmeje të vonuar.
Zaten, shumica e teksteve të Jericho-s janë të kësaj natyre; me thjeshtësi në të shkruar, me gjuhë figurativisht të pasur dhe me mesazh tepër të qartë.

***
Tingulli është fillesa për një tërësi muzikore.
Dhe përjashto poezinë, ajo që e dallon tej mase Jericho-n dhe i jep veçantinë është tingulli muzikor që ky grup nxjerr.
Nuk mund të jetë i krahasueshëm me ndonjë tingull tjetër!
Është rock. Ka motive të melosit popullor. Folklor. Ka edhe diçka të pashpjegueshme. Kur je duke i dëgjuar këngët e Jericho-s, mjafton t’i mbyllësh sytë dhe ato si një ‘vrimë e zezë’ do të të përpijnë brenda habitatit që e krijojnë.
Tingulli i tyre është art që e brren palcën e kujtesës. Gjatë dëgjimit të tij në prapavijë do të dalë e tërë rrjedha historike e këtij populli.
Mirëpo, me raste ajo ashpërsohet dhe me këtë rrotacion del në pah gjenialiteti i tyre krijues.
Pra, edhe ai që njihet si “hard rock”-u i tyre është tepër i fuqishëm. Kjo është shpërfaqur në këngën “Albanian rhapsody”. Ja dy vargje të asaj kënge:

Here we go we’re takin’ it over, guns up for albanian rhapsody
Here we go we’re takin’ it over, hands up for albanian century
[Jericho – Albanian rhapsody]

Te kënga Albanian rhapsody, që është in memoriam për dëshmorët e Gjakovës, vërehet neveria dhe revolta e Jericho-s.
Kjo këngë te dëgjuesi transmeton ndjesi të posaçme, sepse e trajton realitetin prej një këndi tejet interesant dhe të paprekur më parë.
Gjithçka nis me tingujt e çiftelisë/sharkisë dhe vazhdon vrullshëm ashtu, që secili akord sikur e godet një problem që karakterizon ditët tona.
Jericho, kështu këngë pas kënge, kanë krijuar identitetin e tyre artistik që i mban sigurt në piedestal.

***
Sipas meje, kënga më e arrirë deri tash nga grupi Jericho është “Nëntori i ftohtë”. Zakonisht, kur e kemi përpara produktin artistik, nuk na intereson prapavija e krijimit të atij produkti.
Mirëpo, janë disa raste të rralla, si ky i yni, që bëjnë përjashtim.
Nëntor 2012. Njëqind vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. I gjithë populli ynë në trans nga festimet e shumta.
Pikërisht, në këtë përvjetor të nxehtë për nga emocionet, Jericho na sjell një kumt të hidhur: Nëntori është i ftohtë. Le ta përsërisim veten:; Jericho janë ajo çfarë ne nuk guxojmë të jemi!
Kjo këngë është pikëtakimi i forcës së tekstit dhe fuqisë së interpretimit. Është ndër lidhjet më të mira të poezisë me muzikën.
Teksti i kësaj kënge ndonëse është i shkruar me një pedantizëm -ndër tekstet e rralla jo në dialektin geg – jep të kuptojmë katrahurën ku na kanë katandisur dhe e kemi katandisur veten.
Është këngë e skëterrtë, por një mesazh i ndritur. Këngë nga humnera, mirëpo gjithmonë duke bërë thirrje për daljen në dritë dhe arritjen e zenitit shoqëror.

A ka një kujtim të më ngrohë në këtë ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthej kokën t’shikoj?
A ka një kujtim, të na japë një kuptim, a s’më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndoj?

Akoma të freskët e kam at’ shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskët edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pashë

Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Jeton në mot

Kaluam një shekull në ecje por prapë u rrëzuam
Kaluam një shekull por prapë s’mund të qëndrojmë në këmbë
Kaluam një shekull mësim e si asgjë s’mësuam?
O i paditur, syri i pangopur një popull e shemb.

Sa gjatë do të shkojë derisa do ta duam vetveten
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vet ta ndryshojmë
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ja çmojmë jetën
A më tregoni, ku ta gjejmë forcën sot të këndojmë?

***
Më shanë e më ranë, i pabesë do të bëhesh më thanë
Më zhveshën e veshën, as veten s’e njoh më kush jam

Vellon që ma kanë qepur, sa krenar sot e mbaj
Valles që ia kanë hedhur, sikur një nuse sa bukur hapin që e mbaj.

***

Arti është mënyra më e mirë për ta shijuar lirinë dhe liria është kushti i pakompromis i artistit. Një artist që nuk e ka lirinë, e ka të domosdoshme të revoltohet. Të revoltuarit përmes artit është akt sublim i një vetëdijeje intelektuale. Pikërisht këtë gjë, siç edhe e kuptuam, bën Jericho.
Ata bëjnë art të mirëfilltë! Ata thërrasin në mirësi! Ata thërrasin në bashkim!
Ata revoltohen! Ata e ngrenë zërin!

Marrë nga: Virtual Sophists

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top