Po të ishte bota për së mbari-Nuhi Sadiku
Po të ishte bota për së mbari
nuk do të isha ky që jam
Bie fjala:
Kurrë nuk do të bija në gjumë në orën 3,
as do të zgjohesha në orën 6
Do të urreja shiun,
do të dashuroja diellin
tmerrësisht,
por më pak sesa e dashurova atë.
Do të më pëlqente të flisja me njerëz
dhe nuk do të mendoja se njerëzit
në parim janë krijesa të këqija
që vrapojnë të shërojnë egon e vet.
As njerëzit nuk do të mendonin për mua
se jam arrogant dhe mendjemadh,
por do të më njihnin vërtet siç jam:
një vetmitar i pashërueshëm
një vdekatar i zakonshëm që e adhuron
vetminë.
Mbase po të mos ishte bota kaq e përçudshme:
do t’i besoja një Zoti,
do t’i bashkohesha një turme,
do të isha kapitalist,
do të besoja në demokraci,
do të isha nacionalist,
edhe më keq, do të isha shovinist,
nuk do të dëgjoja kurrë muzikë,
do të urreja Pink Floyd,
nuk do të lexoja asnjëherë një varg,
as që më vjen në mendje se do të shkruaja
ndonjëherë poezi,
nuk do të bleja libra si i marrë,
nuk do ta doja filozofinë,
nuk do të rrezikoja të lexoja
librat e Michel Houellebecq-ut
dhe të Emil Cioran-it.
Mbi të gjitha,
po të ishte bota për së mbari,
unë s’do të isha i burgosur
brenda kësaj lirie që më privon të shkoj te Ajo.Po të ishte bota për së mbari,
kurrë nuk do të isha ky që jam.Këtë e kuptova sot,
më 6 janar,
kur pasi e përpiva një espresso,
me një sandwich të ftohtë në dorë,
m’u desh të kthehem në zyrë,
duke i numëruar hapat e mi të ngadaltë,
e duke shikuar lart në qiell.Meqë ra fjala,
dita duket sikur do t’ia krisë vajit.
![](http://defekt-teknik.com/wp-content/uploads/2021/06/196655524_919643042150878_4852685343012608590_n-480x384.jpg)
Pse shkruaj?/Nuhi Sadiku
Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.