Author

Admin - page 71

Admin has 1899 articles published.

VETËM TI KISHE VDEKUR PËRNJËMEND -Xhevdet Bajraj

in Letërsi/Tharm by

VETËM TI KISHE VDEKUR PËRNJËMEND -Xhevdet Bajraj

 

Një prostitutë me fytyrë si të fëmisë
me vath yjesh të arta në vesh
qeth qengjat
në brigjet e lumit të të gjitha përrallave.

Një ylber kuqezi stolis peizazhin shqiptar,
një budalla
me kallash në dorë
merr diellin në shenjë:
BAM,
ngordh ditën.

Ylberi dridhet
dhe zbret në sytë e vashës,
dy yje shkëlqejnë,
hëna lind mes gjinjve të saj
po askush nuk e sheh
pos teje.

Të gjithë janë “dekën” në gjumë,
vetëm ti kishe vdekur përnjëmend.

_______

Nga libri” Copa ime e qiellit”, KOHA, 2015

Ç’të bëjmë me kapitalizmin? I – Erik Olin Wright

in A(rt)ktivizëm by

Erik Olin Wright

Pesë strategji të ndryshme – të cilat do t’i quaj “logjika strategjike” – kanë pasur rëndësi të veçantë historike në përpjekjet antikapitaliste: shkatërrimi i kapitalizmit, çmontimi i kapitalizmit, zbutja e kapitalizmit, rezistenca ndaj kapitalizmit dhe arratisja nga kapitalizmi. Ndonëse këto strategji ndërthuren praktikisht, secila syresh përbën një mënyrë të veçantë për t’iu përgjigjur dëmeve që shkakton kapitalizmi. Do t’ia nisim nga ekzaminimi i secilës me radhë. Paskëtaj do të paraqes një hartë konceptuale të këtyre strategjive, çka do të na e lehtësojë kuptimin e mënyrës si kombinohen ato në mënyra specifike. Do të argumentoj se një mënyrë e kombinimit të tyre – që do ta quaj gërryerja e kapitalizmit – përbën vizionin strategjik më të mundshëm për tejkalimin e kapitalizmit në shekullin e njëzetë.

Shkatërrimi i kapitalizmit

Kjo është logjika strategjike klasike e revolucionarëve. Baza e saj logjike është si vijon:

Sistemi është i kalbur. Të gjitha orvatjet për ta bërë të pranueshme jetën brenda kapitalizmit do të dështojnë. Hera-herës, kur forcat popullore janë të fuqishme, janë të mundshme reforma të vogla që përmirësojnë jetën e njerëzve, por këto përmirësime do të mbeten gjithnjë të brishta, të sulmueshme dhe të prapësueshme. Mbramësisht, është iluzore të besosh se kapitalizmi mund të shndërrohet në një sistem shoqëror të padëmshëm, ku njerëzit e zakonshëm mund të kenë jetë të begatë e kuptimplote. Në thelb, kapitalizmi është i pareformueshëm. E vetmja shpresë gjendet te shkatërrimi i tij, pastrimi i rrënojave dhe ndërtimi i një shoqërie alternative. Siç thonë fjalët përmbyllëse të këngës së fillimshekullit të njëzetë “Solidarity Forever”: “Do ta lindim botën e re nga hiri i së vjetrës.” Realizimi i plotë i alternativës emancipuese mund të jetë gradual, por kusht i domosdoshëm i këtij tranzicioni gradual është thyerja vendimtare e sistemit pushtetor ekzistues.

Si ta realizojmë këtë? Si mundet që forcat antikapitaliste të kenë pushtet të mjaftueshëm për ta shkatërruar kapitalizmin dhe për të ndërtuar në vend të tij një shoqëri më të mirë? Kjo është një detyrë vërtet e vështirë pasi pushteti i klasave sunduese, që i shndërron reformat në iluzion, bllokon edhe qëllimin revolucionar të thyerjes së sistemit. Teoria revolucionare antikapitaliste, e ndikuar nga shkrimet e Marksit dhe Leninit e Gramsci-t me shokë, ofronte një argument tërheqës mbi mënyrën si mund të ndodhte diçka e tillë:

Ndonëse është e vërtetë se në pjesën më të madhe të kohës kapitalizmi duket i pagoditshëm, ai është gjithashtu një sistem thellësisht kontradiktor, me ngulfatje e kriza. Nganjëherë këto kriza kapin një intensitet që e bën të brishtë e të goditshëm sistemin në tërësi. Sipas versionit më të fortë të kësaj teorie, ka edhe prirje të nëndheshme në “ligjet e lëvizjes” së kapitalizmit që çojnë kah rritja në kohë e intensitetit të krizave që dobësojnë sistemin. Kësisoj kapitalizmi bëhet i paqëndrueshëm në afatgjatë; ai shkatërron kushtet e ekzistencës së vet. Po edhe nëse nuk ka prirje sistematike kah përkeqësimi i krizave, çka mund të parashikohet është që hera-herës do të ketë kriza ekonomike kapitaliste intensive, gjatë të cilave sistemi bëhet i goditshëm, mundësohen thyerje dhe klasa sunduese mund të përmbyset. Prandaj problemi i një partie revolucionare është si të jetë në pozitën e përfitimit nga mundësia e krijuar prej krizave sistemore për të udhëhequr mobilizimin masiv drejt marrjes së pushtetit ose përmes zgjedhjeve, ose përmes përmbysjes kryengritëse të regjimit ekzistues. Me të marrë kontrollin e shtetit, detyra e saj e parë është rimodelimi i shpejtë i shtetit, duke e shndërruar atë në armë të përshtatshme për transformime radikale, si dhe përdorimi i pushtetit për të shtypur kundërshtinë e klasave sunduese dhe aleatëve të tyre, për të shkatërruar strukturat pushtetore bazë të kapitalizmit dhe ndërtuar institucionet e domosdoshme të zhvillimit afatgjatë të një sistemi ekonomik alternativ.

Në shekullin e njëzetë versione të ndryshme të kësaj linje arsyetimi frymëzuan imagjinatën e revolucionarëve anekënd botës. Marksizmi revolucionar i mbushi përpjekjet me shpresë e optimizëm pasi jo vetëm që ngriti një akuzë të fuqishme kundër botës ekzistuese, por edhe paraqiti një skenar të mundshëm të mënyrës si mund të realizohej një alternativë emancipuese. Kjo u dha njerëzve kurajë, duke ushqyer besimin se historia ishte në anën e tyre dhe përkushtimi e sakrificat e jashtëzakonshme që priteshin prej tyre në luftën kundër kapitalizmit kishin vërtet mundësi të ngadhënjenin. Ngandonjëherë, ndonëse rrallë, këto luftëra kulmuan me marrjen revolucionare të pushtetit.

Sidoqoftë rezultatet e marrjeve revolucionare të pushtetit nuk kanë qenë në asnjë rast krijimi i një alternative demokratike, barazimtare e emancipuese ndaj kapitalizmit. Ndërsa revolucionet në emër të socializmit dhe komunizmit provuan se ishte e mundshme “të ndërtoje një botë të re nga hiri i të vjetrës” dhe në mënyra të caktuara ato mund t’i kenë përmirësuar kushtet materiale të jetesës së shumicës së njerëzve për njëfarë kohe, rezultatet faktike të përpjekjeve heroike për të thyer kapitalizmin në shekullin e njëzetë tregojnë se ato nuk prodhuan botën e re të ideologjisë revolucionare. Djegia dhe shkatërrimi i institucioneve dhe strukturave shoqërore të vjetra nuk sjell ndërtimin nga hiri të institucioneve të reja emancipuese.

Arsyeja pse revolucionet e shekullit të njëzetë nuk rezultuan asnjëherë në emancipim njerëzor të qëndrueshëm është, sigurisht, një çështje e fortdebatuar. Disa argumentojnë se kjo ndodhi për shkak të rrethanave historike specifike të pafavorshme ku u tentuan thyerjet sistemore. Revolucionet ndodhën në shoqëri të prapambetura ekonomikisht, të rrethuara nga armiq të fuqishëm. Disa të tjerë e gjejnë shkakun te gabimet strategjike të udhëheqësve gjatë revolucioneve. Të tjerë fajësojnë motivet e udhëheqësve, duke thënë se ata që triumfuan përgjatë këtyre revolucioneve dëshironin status e pushtet dhe jo fuqizimin dhe mirëqenien e masave. Ka të tjerë që argumentojnë se dështimi është rezultati i domosdoshëm i çdo përpjekjeje për thyerje radikale në një sistem shoqëror. Ka shumë pjesë lëvizëse, kompleksitet të madh dhe shumë pasoja të pasynuara. Për pasojë përpjekjet për thyerje të sistemit do të priren pashmangshmërisht kah degjenerimi në të tillë kaos ku elitat revolucionare, pavarësisht motiveve të tyre, do të shtrëngohen të përdorin dhunë dhe shtypje të gjithanshme për të mbajtur rendin shoqëror. Kjo dhunë, nga ana e saj, zhbën mundësinë e një procesi demokratik e pjesëmarrës në ndërtimin e një shoqërie të re.

Pavarësisht se cila (nëse ndonjëra) prej këtyre shpjegimeve është e saktë, rezultati faktik i tragjedive revolucionare të shekullit të njëzetë është se thyerja sistemore nuk funksionon si strategji për emancipim shoqëror. Kjo nuk nënkupton refuzimin e idesë së një alternative emancipuese ndaj kapitalizmit, të organizuar me të tjera parime, si qëllim themelor i transformimit shoqëror; çka vë në dyshim janë gjasat e një strategjie që përpiqet të shkatërrojë përmes thyerjes mbisundimin e kapitalizmit.

Sidoqoftë ideja e një thyerjeje revolucionare të kapitalizmit nuk është zhdukur tërësisht. Ndonëse thyerja nuk është më strategji koherente e ndonjë force politike domethënëse, ajo tregon frustrimin dhe mllefin ndaj të jetuarit në një botë me pabarazi të theksuara dhe potenciale të parealizuara për lulëzimin njerëzor dhe në një sistem politik që duket gjithnjë e më jodemokratik dhe i papërgjegjshëm. Megjithatë, nëse duam ta transformojmë vërtet kapitalizmin në një kah emancipues, nuk mjaftojnë vizionet që rrezatojnë mllef; nevojitet një logjikë strategjike që ka gjasa të funksionojë në praktikë.

Çmontimi i kapitalizmit

Qysh prej fillimit të lëvizjeve antikapitaliste ka pasur njerëz që binin dakord me kritikën ndaj kapitalizmit dhe qëllimet themelore të revolucionarëve, por nuk besonin se ishte e mundur thyerja e kapitalizmit. Sidoqoftë ky skepticizëm mbi mundësinë e përmbysjes revolucionare të kapitalizmit nuk nënkuptonte braktisjen e idesë së socializmit.

Ndërsa përmbysja e rrufeshme e kapitalizmit nuk do të krijonte, së paku në vendet e pjekura kapitaliste, kushtet që do të jetësonin një alternativë demokratike e barazimtare, tranzicioni në socializmin demokratik do të të arrihej përmes reformave të udhëhequra nga shteti, të cilat do të shtinin nga lart dalëngadalë elementë të një alternative socialiste. Diçka e tillë nënkupton një periudhë të gjatë në të cilën marrëdhëniet kapitaliste e socialiste do të bashkekzistonin në një ekonomi të përzier: do të kishte banka kapitaliste private krahas bankave shtetërore; firma kapitaliste private krahas sipërmarrjeve shtetërore, sidomos në sektorët e transportit, punëve publike, shëndetësisë dhe disa degëve të industrisë së rëndë; do të kishte tregje kapitaliste pune krahas punësimit shtetëror; planifikim shtetëror për shpërndarjen e investimeve krahas investimeve private fitimprurëse. Sipas këtij skenari, nuk do të kishte një moment të thjeshtë thyerjeje kur një sistem do të zëvendësonte tjetrin. Do të kishim një çmontim gradual të kapitalizmit dhe ndërtimin e një alternative përmes veprimeve të mbështetura nga shteti.

Parakushtet kritike të funksionimit të kësaj strategjie janë, së pari, një demokraci zgjedhore e qëndrueshme dhe, së dyti, një parti socialiste e gjerë e masive që mund të fitojë zgjedhjet dhe të qëndrojë në pushtet për një kohë mjaftueshëm të gjatë që këto struktura ekonomike shtetërore të mund të institucionalizohen siç duhet. Sigurisht që do të kishte kundërshti dhe rezistencë, por besohej se këto institucione ekonomike socialiste të organizuara nga shteti do ta tregonin vlerën e tyre dhe kësisoj do të korrnin mbështetje popullore.

Ideja e shtënies gradualisht të socializmit nga lart përmes reformave shtetërore ka korrur mbështetje të konsiderueshme mes antikapitalistëve të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, kjo strategji dukej se po fitonte terren në disa vende me shtetëzimin e hekurudhave në Britani, krijimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor të shoqërizuar në një sërë vendesh, zgjerimin e sektorëve të punëve publike në shumë vende, madje edhe me pronësinë shtetërore të disa industrive në ca vende të zhvilluara kapitaliste. Asokohe debatohej shumë mbi potencialet e “ekonomisë së përzier” dhe disa antikapitalistë besonin se kjo do të përbënte bërthamën mbi të cilën mund të ndërtohej një sektor socialist dinamik.

Po nuk ndodhi kështu. Dinamizmi i kapitalizmit në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, krahas ofensivës ideologjike kundër idesë së socializmit në shumë vende, sidomos në SHBA, e nxori nga agjenda shtrirjen e shtetëzimeve në ekonomitë e përziera. Përmbysja ushtarake e qeverisë socialiste të zgjedhur demokratikisht në Kilin e 1973, krahas të tjera prapakthimeve në përpjekjet për socializëm demokratik, e shuan tërësisht besimin se zgjedhjet demokratike mund të ofronin një shteg reformist drejt çmontimit të kapitalizmit. Në çerekun e fundit të shekullit të njëzetë, sektorët shtetërore të ekonomisë socialiste jo vetëm që nuk u bënë pararoja e një ekonomie të re, por u goditën edhe më fort. Nën flamurin e neoliberalizmit, në qendër të agjendës politike u vu privatizimi dhe jo shtetëzimi, edhe nga disa parti politike të rëndësishme që ishin identifikuar tradicionalisht me të majtën.

Zbutja e kapitalizmit

Si shkatërrimi, ashtu edhe çmontimi i kapitalizmit përfytyrojnë mundësinë e mbrame të zëvendësimit të kapitalizmit me një strukturë ekonomike rrënjësisht të ndryshme, socializmin. Në këtë kuptim, të dyja këto strategji kanë aspirata revolucionare, pavarësisht se dallojnë në mënyrën se si i kuptojnë mjetet e domosdoshme për arritjen e qëllimeve.

Sidoqoftë kapitalizmin mund ta konsiderojmë burim dëmesh sistematike në shoqëri pa u përpjekur për ta zëvendësuar atë. Qëllim mund të jetë neutralizimi i këtyre dëmeve. Kjo u bë ideja strategjike mbisunduese e partive socialdemokrate në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ja argumenti i tyre bazik:

Kur nuk trazohet, kapitalizmi krijon dëme të mëdha. Sjell nivele të larta pabarazish që janë shkatërrimtare për kohezionin shoqëror; zhduk vende pune tradicionale dhe i lë njerëzit pa asnjë përkrahje; krijon pasiguri dhe rrezik në jetën e individëve dhe bashkësive; dëmton mjedisin. Të gjitha këto janë pasoja të dinamikës së brendshme të një ekonomie kapitaliste. Sidoqoftë është e mundshme të ndërtohen institucione kundërpeshuese që mund t’i neutralizojnë në mënyrë domethënëse këto dëme. Kapitalizmi nuk ka pse lihet i patrazuar; ai mund të zbutet nga politika të mirëmenduara shtetërore. Afërmendsh që diçka e tillë mund të kërkojë beteja të forta përderisa synon të reduktojë autonominë dhe pushtetin e klasës kapitaliste, si dhe nuk ka garanci për sukses. Klasa kapitaliste dhe aleatët e saj do të pretendojnë se rregullimet dhe rishpërndarja që kanë për synim neutralizimin e këtyre “të ashtuquajturave” dëme të kapitalizmit, do të shkatërrojnë dinamikën e tij, gjymtojnë konkurrueshmërinë dhe zhbëjnë nxitjet ekonomike. Sidoqoftë këto argumente janë thjesht racionalizime vetëshërbyese në mbrojtje të privilegjit dhe pushtetit. Kapitalizmi mund t’u nënshtrohet rregullimit dhe rishpërndarjes domethënëse që synojnë kundërpeshimin e dëmeve të tij dhe prapëseprapë të sigurojë fitime të përshtatshme për funksionimin e vet. Arritja e këtij rezultati kërkon mobilizim popullor dhe vullnet politik; nuk mund të mbështetemi asnjëherë në dashamirësinë e ndriçuar të elitave. Po në rrethanat e duhura, ekziston mundësia e fitores në këto beteja dhe imponimit të kufizimeve të duhura për një formë më beninje kapitalizmi. Për pasojë do të kishim një kapitalizëm me rregulla loje të modifikuara seriozisht.

Ideja e zbutjes së kapitalizmit nuk e eliminon prirjen e domosdoshme të kapitalizmit për të sjellë dëme; thjesht u kundërvihet pasojave – ngjashëm me një ilaç që kuron efektivisht simptomat në vend të shkaqeve rrënjësore të një problemi shëndetësor. Ndonjëherë diçka e tillë është e mjaftueshme. Prindërit e fëmijëve të porsalindur vuajnë shpesh nga pagjumësia dhe dhimbjet e kokës. Një zgjidhje do të ishte aspirina; një tjetër heqja qafe e fëmijës. Nganjëherë neutralizimi i simptomës është më i përshtatshëm se heqja qafe e shkakut rrënjësor.

Sigurisht, jo çdo reformim i rregullave të kapitalizmit, edhe i atyre që kanë për synim të neutralizojnë disa prej dëmeve të tij, mund të përfytyrohet si antikapitalist. Rregullimi bankar që synon parandalimin e rreziqeve spekulative që prishin sistemin dhe rregullimi i tregut të aksioneve për të shmangur tregtinë ilegale mund të përfytyrohen thjesht si ndihmëse në stabilizimin e kapitalizmit, çka e mbron kapitalizmin nga prirjet e veta vetëshkatërruese. Rregullimi i peshkimit me synim parandalimin e shterjes së peshqve thjesht zgjidh një problem të veprimit kolektiv që lind prej peshkimit kapitalist në shkallë të gjerë. Reformat antikapitaliste shquhen për faktin se në një mënyrë apo një tjetër fusin vlera dhe parime barazimtare, demokratike e solidare në logjikën kapitaliste të veprimit. Këto reforma mund edhe të ndihmojnë në stabilizimin e kapitalizmit – në të vërtetë ky faktor ndikon pjesërisht në realizimin e tyre – por specifika e tyre është se e bëjnë sistemin kapitalist të veprojë në mënyrë më pak kapitaliste.

Në të ashtuquajturën “periudhë e artë e kapitalizmit” – pak a shumë tri dekadat pas Luftës së Dytë Botërore – politikat socialdemokrate kryen punë të paqme – sidomos në vendet ku u zbatuan më tërësisht – në drejtim të një sistemi ekonomik më human. Më saktësisht, tri grupe politikash shtetërore përftuan rregulla të reja që kundërpeshuan disa prej dëmeve të kapitalizmit dhe mishëruan në shkallë të ndryshme vlera barazimtare, demokratike e solidare:

Disa prej rreziqeve më serioze në jetën e njerëzve – sidomos ato që kanë të bëjnë me shëndetin, punësimin dhe të ardhurat – u reduktuan nëpërmjet një sistemi pak a shumë gjithëpërfshirës të sigurimeve shoqërore të financuara dhe mbështetura nga shteti.

Shtetet morën përgjegjësinë e sigurimit të një grupi në rritje të mirash publike që financoheshin përmes një sistemi të fortë taksash relativisht të larta. Këto të mira publike përfshinin arsimin bazik dhe të lartë, formimin profesional, transportin publik, veprimtaritë kulturore, qendrat e argëtimit, kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Nga disa prej tyre përfituan më shumë kapitalistët, por shumë syresh shkuan në të mirë të publikut të gjerë.

Shtetet krijuan edhe regjime rregullatore që kishin për synim përballimin e eksternaliteteve më negative të sjelljes së investitorëve dhe firmave në tregjet kapitaliste: ndotja, rreziqet në produkte dhe vendin e punës, sjellja grabitqare në treg, luhatja e aseteve të tregut e kështu me radhë. Edhe në këtë rast disa prej këtyre rregullimeve u shërbenin vetëm interesave të kapitalistëve, por disa syresh mbrojtën edhe mirëqenien e punëtorëve dhe të popullsisë së gjerë.

Domethënia e këtyre politikave nuk është se ekonomia reshti së qeni kapitaliste: kapitalistët vazhdonin të kishin lirinë për ta orientuar kapitalin mbi bazën e mundësive fitimprurëse në treg dhe, hiq taksat, ata përvetësonin fitimet e ardhura prej këtyre investimeve për t’i përdorur sipas qejfit. Ndryshimi kishte të bënte me faktin që shteti mori përgjegjësinë e korrektimit të pjesshëm të tri dështimeve kryesore të tregjeve kapitaliste: ekspozimi individual ndaj rreziqeve, nënsigurimi i të mirave publike dhe eksternalitetet negative të veprimtarisë ekonomike private fitimprurëse. Për pasojë erdhi një formë pak a shumë mirëfunksionuese kapitalizmi, ku pabarazitë dhe konfliktet zbuteshin. Kapitalistëve mund të mos u ketë ardhur për mbarë, por ky sistem funksiononte boll mirë. Kapitalizmi u zbut në dimensione të rëndësishme. Vazhdonte të ekzistonte, por në formë më pak grabitqare.

Kjo ishte periudha e artë. Bota e dekadave të para të shekullit të njëzetenjë duket shumë e ndryshme. Gjithkund, edhe në fortesat socialdemokrate të Evropës veriore, janë bërë thirrje për prapësimin e “tagrave” që lidhen me sigurimin shoqëror, reduktimin e taksave dhe sigurimin e të mirave publike, çrregullimin e shumë aspekteve të prodhimit e tregjeve kapitaliste, si dhe privatizimin e shumë shërbimeve shtetërore. Në tërësi këto transformime lidhen me ermin e “neoliberalizmit”.

Në vullnetin dhe kapacitetin e dukshëm të shtetit për të neutralizuar dëmet e kapitalizmit kanë ndikuar një sërë forcash. Globalizimi i kapitalizmit ua ka lehtësuar shumë punën firmave kapitaliste për t’i zhvendosur investimet në ato vende të botës që kanë më pak rregullime dhe fuqi punëtore më të lirë. Kërcënimi i zhvendosjes së kapitalit, krahas një sërë ndryshimesh teknologjike e demografike, e ka fragmentuar dhe dobësuar lëvizjen punëtore, duke e bërë më pak të aftë për të rezistuar dhe mobilizuar politikisht. I kombinuar me globalizmin, financiarizimi i kapitalit ka sjellë rritje masive të pabarazisë në pasuri e të ardhura, të cilat nga ana e tyre kanë forcuar pushtetin politik të kundërshtarëve të shtetit socialdemokrat. Në vend se të zbutej, kapitalizmi ka dalë nga binarët.

Ndoshta tre dekada e ca të periudhës së artë kanë qenë thjesht anomali historike, një periudhë e shkurtër në të cilën kushtet strukturore të favorshme dhe pushteti popullor i qenësishëm çelën mundësinë e modelit socialdemokratik relativisht barazimtar. Më parë kapitalizmi ishte një sistem grabitqar dhe në neoliberalizëm është ribërë i tillë, duke rikthyer situatën normale për sistemet kapitaliste. Ndoshta në afatgjatë kapitalizmi është i pazbutshëm. Mbrojtësit e idesë së thyerjeve revolucionare të kapitalizmit kanë mëtuar gjithnjë se zbutja e kapitalizmit ishte iluzion, një lloj shpërqendrimi nga detyra e ndërtimit të një lëvizjeje politike që do ta përmbyste atë.

Po ndoshta punët nuk janë kaq keq. Pretendimi se globalizmi u vë kufij të fortë shteteve për të rritur taksat, rregulluar kapitalizmin dhe rishpërndarë të ardhurat është efektiv politikisht pjesërisht sepse njerëzit besojnë në të, jo për shkak se kufizimet janë vërtet kaq të forta. Në fund të fundit, një pjesë e rëndësishme e kapacitetit të shtetit për të taksuar buron nga gatishmëria e njerëzve për të pranuar taksimin e të ardhurave të tyre – jo nga vullneti i kapitalistëve për ta zhvendosur kapitalin që të shmangin taksimin – dhe vullneti i njerëzve për të pranuar taksimin varet në masë të madhe nga niveli i solidaritetit të tyre kolektiv. Në politikë kufijtë e mundësisë krijohen gjithnjë nga besimi në këta kufij. Neoliberalizmi është ideologji, e cila mbështetet nga forca politike të pushtetshme dhe jo ndonjë farë shpjegimi i saktë shkencor i kufijve të vërtetë me të cilët përballemi kur orvatemi ta përmirësojmë botën. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që politika të caktuara që përbënin menynë e socialdemokracisë në epokën e artë mund të jenë bërë më pak efektive dhe kanë nevojë të rimendohen, zbutja e kapitalizmit përmes rregullave që neutralizojnë ca prej dëmeve më të këqija të tij mbetet një shprehje praktike e antikapitalizmit. Pengesat politike ndaj rivitalizimit të socialdemokracisë përparimtare mund të jenë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se natyra e kapitalizmit nuk mundëson më ndreqjen e këtyre dëmeve përmes veprimit shtetëror.

Vijon

Përktheu: Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “How to be an Anticapitalist in the Twenty-First Century”.

Imazhi: Thomas Peck

Publikuar në Teza 11

TË VARFRIT-EDUARDO GALEANO

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

TË VARFRIT-EDUARDO GALEANO

 

Ekspertët, varfologët,
i studiojnë dhe na japin të dhëna të përditësuara.
Çfarë nuk hanë,
ku nuk punojnë,
sa janë,
sa nuk peshojnë,
sa nuk janë të gjatë,
çfarë nuk kanë,
çfarë nuk mendojnë,
çfarë nuk votojnë,
në çfarë nuk besojnë.
Na ngelet të dimë vetëm përse të varfrit janë të varfër,
pa tokë, pa shtëpi, pa rrugë.
Mos ndoshta të varfrit janë të varfër
sepse uria e tyre na ushqen
dhe lakuriqësia e tyre na vesh?
E ç’do të ishim ne pa të varfrit?

______

Nga libri: “Askushët

Përktheu: Bajram Karabolli

Ribashkim i Pashpresuar -Johann Peter Hebel

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

 Johann Peter Hebel

Pesëdhjetë vite më parë, në qytezën Falun të Suedisë, një i ri, minator, puthej me të fejuarën e tij rioshe e të hijshme dhe diç i pëshpëriste: “Në ditën e Shën Luçisë, e jona dashuri do t’bekohet nga famulltari, kësisoj, ne do të bëhemi burrë e grua dhe do të ndërtojmë një fole krejt tonën”. “Paqe e dashuri paçim përherë me vete!”, vazhdoi e fejuara gojëmbël, duke buzëqeshur e lumtur, “pse, për mua, ti je i vetmi, je gjithçka kam e pa ty më mirë të isha në varr se kudo tjeter”.

Por, pak para festës së Shën Luçisë, teksa famulltari, për të dytën herë, pat’ thirrur: “Nëse, dikush ka dijeni për ndonjë pengesë që këta dy shpirtra nuk mund të bashkohen në të shenjtën martesë”, vdekja kumboi me ogurin e saj të zi. Se, mëngjesin e shkuar, kur i riu me veshjen e zezë të minatorit (një minator e mbath çdo ditë vdekjen si lëkurë) në parmakun e saj ia behu, duke trokitur edhe një herë të fundit në dritare, për t’i uruar asaj mëngjesin e mirë, porse, në mbrëmje, ai nuk u kthye më. Ai nuk u kthye më asnjëherë nga miniera, teksa, ajo, më kot, qëndiste në të kuq konturet e mëndafshta të një shamie të zezë, dhuratë për të dashurin e zemrës në ditën e tyre të martesës. Qëkur ai më nuk erdh’, ajo e kyçi shaminë dhe e vajtoi dhe nuk e harroi kurrë.

Ndërkohë, qyteti i Lisbonës në Portugali u shkatërrua thuajse i tëri nga tërmeti i madh, Lufta 7-Vjeçare mbaroi, perandori Franz I vdiq dhe Jezuitët u shpërbënë dhe Polonia u copëtua dhe perandoresha Maria Tereza vdiq dhe J. F. Struensee u dënua me vdekje e u ekzekutua dhe Amerika shpalli pavarësinë dhe unioni Franko-Spanjoll nuk e pushtoi dot Gjibraltarin. Turqit dënuan gjeneralin Stein në Shpellën e Veteranëve në Hungari dhe perandori Josif, gjithashtu, vdiq. Mbreti Gustav i Suedisë pushtoi Finlandën-Ruse dhe Revolucioni Francez nisi dhe lufta e gjatë mori udhë dhe perandori Leopold II u varros. Napoleoni mposhti Prusinë dhe anglezët bombarduan Kopenhagenin dhe fshatarët mbollën e korrën dhe mullixhiu bluante dhe farkëtari godiste me çekiç dhe minatorët vazhdonin të dërrmuar të çukisnin damarët nëntokësorë në kërkim të mineraleve.

Por, kur në vitin 1809, dy apo tri ditë para festës së Shën Gjonit, teksa minatorët në Falun gërmonin treqind metra nën tokë për të krijuar një rrugëkalim mes dy puseve, nga një gropë mbytur në pluhur e ujë acidik nxorën kufomën e një të riu. Anipse i tejngopur në sulfat hekuri, trupi nuk kish ndryshuar asfare. Mund t’ia dalloje tiparet e fytyrës, deri edhe moshën mund t’ia përcaktoje, a thua se kish vdekur veç një orë më parë, ose, më mirë me thënë, sapo e kish këputur një gjum’ i thellë duke punuar.
Kur drita pa trupin e tij, babë e nënë, miq e të afërm kishin kohë që i ishin ndarë kësaj bote. Kurrkush nuk e njihte djaloshin që flinte gjumin e vdekjes, kurrkush nuk dinte të fliste një fjalë mbi fatkeqësinë e tij, deri kur, e fejuara e minatorit, i cili kishte ikur në turnin e radhës, por nuk qe kthyer më, ia behu.
Me flokët gri, e kërrusur, tek mezi mbahej mbi bastunin e saj, ajo mbërriti aty ku qëndronte trupi i tij dhe e njohu menjëherë të fejuarin e saj. Me një lumturi të beftë, e cila mposhti në çast dhimbjen, ajo u përul përpara trupit të tij dhe qëndroi ashtu gjatë, derisa u përmend prej tronditjes. “Është i fejuari im”, tha ajo më së fundmi, “kam pesëdhjetë vjet që e vajtoj, por, Zoti ma pruri sërish, për ta takuar, edhe një herë, para fundit tim. Një ditë para martesës sonë, ai shkoi në minierë dhe nuk u kthye më”.
Në çast, shpirti i dëshmitarëve u drodh dhe sytë e tyre gufuan në lot, tek shikonin nusen e mpakur në siluetën e vyshkur e të pafuqishme të moshës, ndërkohë që dhëndri ende ruante at’ freski e bukuri rinore; dhe, se si në gjoksin e saj, edhe pse, pesëdhjetë vite patën shkuar, u rindez flaka e dashurisë së dikurshme; porse, ai nuk i buzëqeshte më, as syte nuk i hapi për ta parë të shtrenjtën e zemrës. Më në fund, si e vetmja e afërme e tij në këtë botë, ajo ua besoi trupin e pajetë minatorëve, që ta përcillnin në shtëpinë e saj, derisa, varri i tij në oborrin e kishës të gatitej.

Ditën tjetër, kur varri ishte gati dhe minatorët erdhën sërish për të përcjellë trupin në banesën e fundit, ajo hapi kutinë ku ruante shaminë e zezë të mëndafshtë me konture të kuqta e ia lidhi atij përreth qafës dhe e shoqeroi drejt kishës veshur në teshat e së dielës, sikur të ish dita e tyre e dasmës dhe, jo, dita e varrimit të tij dhe, teksa trupi i tij rrëshkiste në gropën e errët, ajo tha: “Pusho në paqe tani, një ditë, një javë, ose më gjatë, në shtratin e ftohtë të martesës, pesh’ e kohës mos t’u bëftë barrë! Unë kam edhe fare pak rrugë për të bërë dhe do të të vij pranë shumë shpejt dhe dita do të çelet sërish”.
“Çka toka e riktheu një herë, nuk mundet assesi ta fshehë sërish në gjirin e saj, deri kur dita e gjykimit të vijë”, tha ajo, teksa largohej e pëlotur me kryet rrëzuar mbi sup.

Përktheu: Helidon Keku

Testamenti i Skëndebeut-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Testamenti i Skëndebeut-Frederik Rreshpja

 

Merreni shpatën time! Vëreni
mbi drurin më madhështor të bregdetit.
Le të vërtitet ajo nga duart e stuhisë!
E kam fjalën këtu: duhet
të armatosim çdo gjë. Edhe erërat.

Ja dhe stapi im prej ulliri, mbilleni!
Mbi degët e tij mund të varni armët.
Duke vështruar kurmet plot plagë të ullinjve,
gjithmonë kam memduar se ata janë drurët e luftës.

Ç’kisha ua dhashë.
Tani trupin tim ta zbrisni thellë në tokë.
Që kur të vijē vjeshta, nga sytë e mi të mbijë grurë.

GËZIMI I TË SHKRUARIT-WISLAWA SZYMBORSKA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GËZIMI I TË SHKRUARIT-WISLAWA SZYMBORSKA

 

Pse kjo sorkadhe e shkruar u përket këtyre pyjeve të shkruar?
Për një gllënjkë ujë nga një burim
që pasqyron turirin e saj të butë?
Pse e ngre kokën? Çfarë dëgjon?
Mbështetur mbi katër këmbë të holla marrë hua nga e vërteta,
ajo i ngre veshët nën gishtat e mi.
Heshtje – edhe kjo fjalë shushurin nëpër faqe
dhe përkëdhel degët
që kanë mbirë nga fjala “pyje”.

Shtrirë në pritje, gati të kërcejnë në faqen bosh,
germat presin, të pabesa,
kthetra të bindura rregullash,
që kurrë s’do ta lënë të ikë.

Çdo pikë bojë sjell një tjetër grup
gjahtarësh që, me sy picërruar vështrimesh,
gati të mbushin penën e pjerrët në çdo çast,
e rrethojnë sorkadhen duke e marrë shenjë, ngadalë.
Harrojnë se kjo nuk është veçse fantazi,
këtu sundojnë të tjera ligje, të zeza në të bardhë.
Çdo shkëndijë syri zgjat aq sa vendos unë
dhe nëse dua, kohën e ndaj në grimca të vogla përjetësie
e plumbat i ngrij në fluturim e sipër.

Asnjë gjë nuk do të ndodhë pa urdhrin tim.
Pa bekimin tim, as edhe një gjethe nuk do bjerë
dhe asnjë teh bari nuk do përkulet nën atë thundër të vogël.

A ka pra një botë
ku fatin mund ta sundoj plotësisht?
Të cilën e lidh me zinxhirë shenjash?
Një qenie, të cilës mund t’i jap përjetësinë?

Gëzimi i të shkruarit.
Fuqia e ruajtjes.
Hakmarrja e një dore të vdekshme.

 

Përktheu: Ajkuna Dakli

Poezi nga Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Shpëtim Selmani

 

*

Bie borë.
Nga ballkoni shoh një burrë
që heq bredhin,
(nuk e di a ka veprim më tragjik.)
Ne heqim vitet,
vitet një ditë, heqin secilin prej nesh.
Burri më sheh dhe largohet,
unë rri aty,
me çdo kusht dua të di se çfarë do të ndodhë
me të, por ai ndal dritën.
Tek unë ndizet drita e trishtimit,
një zog agresiv brenda meje
cicëron ashpër.
Burri nuk kthehet,
drita e tij nuk ndizet.
Tek unë ndizet drita e trishtimit.
I lumtur gjithmonë
me brengën si lëkurë,
i lumtur si një këngë,
pa shtegdalje e Radiohead,
largohem andej
dhe shtrihem si diçka
mes djallit dhe detit të thellë,
ngjyrë blu.*

_______

*sipas Martin Amis.

Shija e bukës-Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll

Tek hyrja e qilarit e priti era mbytëse dhe e thartë e ajrit. Ai ecte ngadalë, me hapat që rreshqitnin, duke kërkuar rrugën kuturu me duar, në errësirën e zverdhemtë: nga diku po pikonte ujë, duhej të kishte ndonjë plasë në çati ose duhej të ishte çarë ndonjë tub. Uji përzihej me pluhurin dhe çakullën dhe i bënte hapat të rrëshqitshëm sikur të ishe në fundin e një akuariumi.
Ai ecte përpara. Nga një derë nga mbrapa vinte pakëz dritë; në gjysmëerrësirë mund të shihte një shenjë në të djathtë të tij që thoshte: “Dhomë me rreze X. Mos hyr.” Ai ecte kundrejt dritës; ajo ishte e verdhë dhe e butë; nga mënyra sesi dridhej bënte të kuptohej se duhej të ishte qiri. Ndërsa ecte, shihte në dhomat e errëta, ku mund të dallonte një grumbull karrigesh, divanë lëkure, dollapë të përmbysur. Dera nga e cila hynte drita ishte e hapur tej për tej. Pranë qiririt të madh të altarit ishte një murgeshë me petk blu, që po hidhte pak sallatë në njê tas të emaluar; mbi grumbullin e gjetheve të vogla të gjelbra kishte një shtresë të bardhë dhe ai arrinte të dëgjonte salcën që rrotullohej butësisht në fund të tasit. Dora e gjerë e përskuqur e murgeshës bënte që gjethet të rrotulloheshin e të rrotulloheshin, dhe kur ndonjëherë disa binin jashtë buzës së enës, ajo do t’i ngrinte qetësisht dhe do t’i hidhte sërish atje. Pranë shandanit ishte një tenxhere në formë kubike, që lëshonte një aromë supe bajate – me ujë të nxehtë, qepë dhe diçka si tip bulioni.
Ai tha me zë të lartë: “Mirëmbrëma!”
Murgesha u kthye, disi e alarmuar në fytyrën e gjerë rozë, dhe tha butësisht: – Oh Zot – çfarë doni? Duart e saj pikonin salcë qumështi dhe ca copa gjethe maruleje ishin ngjitur në krahet e saj të butë fëminorë.
– Oh Zot, – tha ajo, – më trembët! Doni ndonjë gjë?
– Jam i uritur, – tha ai me zë të ulët.
Por ai nuk po shihte më nga murgesha. Vështrimi i tij u ngjit në të djathtë, tek një dollap i hapur, dera e të cilit ishte shqyer nga presioni i ajrit, tek mbetjet dhëmbë-dhëmbë të derës prej kompensate ende varur në mentesha dhe në dyshemenë e mbuluar nga leskra të shkërmoqura boje. Dollapi kishte bukë, shumë bukë; ato rrinin pirg të hedhura pakujdes, më shumë se një duzinë buke e tharë. Goja e tij menjëherë filloi të lëshonte lëng, duke gëlltitir poshtë valën e pështymës, ai mendoi: – Unë do ha bukë, sido që të ndodhë, unë do ha bukë…
Ai pa nga murgesha; sytë e saj fëminorë tregonin dhembshuri dhe frikë.
– Jeni i uritur? – tha ajo. – A jeni i uritur? Dhe pa me vetullat ngritur nga tasi i sallatës, nga tenxherja e supës dhe pirgu i bukës.
– Bukë, – tha ai. – Pak bukë, ju lutem!
Ajo shkoi tek dollapi, mori një copë, e vuri në tavolinë dhe nisi të shihte në sirtar për një thikë.
– Faleminderit, – tha ai butësisht. – Mos u shqetësoni, buka edhe mund të copëtohet…
Murgesha e futi tasin e sallatës nën krah, mori tenxheren e supës dhe i shkoi pranë. Ai ndau me nxitim një copë buke; mjekra po i dridhej dhe mund t’i ndjente muskujt e gojës dhe të grykës nën një tik nervoz. Pastaj nguli dhëmbët në sipërfaqen e butë me kodrinëza të bukës që kishte copëtuar. Ai po hante bukë. Buka ishte e ndenjur, duhej të kishte atje një javë, bukë e thatë thekre, me një etiketë të kuqe të ndonjë furre buke apo diçka e tillë. Ai vazhdonte t’ia ngulte dhëmbët, po e mbaronte edhe koren e kaftë si prej lëkure, pastai e kapi bukën me të dyja duart dhe ndau një copë tjetër.
Hante me dorën e djathtë, mbërthente copën e bukës me të majtën, vazhdonte të përtypej, ashtu i ulur në buzë të një arke, e sa herë që ndante një copë, kafshonte në mesin e butë dhe ndjente përreth gojës prekjen e bukës, si një përkëdhelje e thatë, ndërsa dhëmbët e tij vazhdonin të kafshonin.

Përktheu: Arlinda Guma

Fundi i luftës-Dahlia Ravikovitch

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Fundi i luftës-Dahlia Ravikovitch

 

Ai erdhi në mesnatë, këmbët të prera,
plagët e vjetra të përthara prej kohësh.
Ai erdhi nga dritarja e katit të tretë,
ç’mrekulli që mundi të hynte.
Jetonim kohë hidhërimesh të mëdha;
shumë kishin humbur të afërmit.
Rrugët ishin të shtruara me karta të grisura,
mbushur me jetimë që ktheheshin.

Isha e akullt si kristali kur erdhi
dhe u shkriva porsi dylli.
Ai më shndërroi si shndërrohet
një vello nateje në butësi agimi.
Guximi i tij ishte i tejdukshëm si avulli
që derdhet nga retë në mëngjes.

 

Përktheu: Leda Kushova

NJË BOTË E PËRSOSUR-Xhevdet Bajraj

in Letërsi/Tharm by

NJË BOTË E PËRSOSUR-Xhevdet Bajraj

 

Një shqiponjë
fluturon në qiell në mënyrë të përsosur
dhe klith.
Një lepur vrapon në mënyrë të përsosur,
fshihet në një ferrë të vogël
të përsosur
dhe hesht.
Një ujk,
në mënyrë të përsosur ndjek një qengj,
e kafshon në fyt
dhe qengji, i cili në mënyrë të përsosur
është qengj,
vdes.
Një gomar, në mënyrë të përsosur
ec
dhe pëllet si gomar,
vetëm njeriu që vete pas tij
duket i humbur në rrugën e vet
dhe fatkeqësisht,
jo vetëm që duket,
por ai është i humbur
në mënyrë të përsosur.

______

Shkëputur nga libri: “Me zemër në qese najloni“, Sh. B. “Armagedoni“, 2021

1 69 70 71 72 73 190
Go to Top