Author

Admin - page 69

Admin has 1899 articles published.

Letër poetëve-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Letër poetëve-Shpëtim Selmani

 

Mbushni xhepat e pantollonave me
vjershat e bëra shuk dhe gjuani çdo
ndërtesë qeveritare.
Sulmoni
me vargun e lirë
ndërtesen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara; poshtërojeni me fjalët më të ndyra,
nuk ka kombe të bashkuara;
ka poetë të bashkuar,
ëndërrimtarë të bashkuar që nuk i duhen askujt,
futini vjershat tuaja të mjera brenda
ndërtesës së Nato-s, në Bruksel,
rrini të hidhëruar para Carit të tërbuar,
çdo hidhërim është i nevojshëm,
digjini të gjithë traktatet që gjeni
dhe me pas lexoni Holderlin-in
si një kor antik dhe deklaroni
atë që është,
nga lashtësia e deri tash;
sall lakmi, barbarizëm dhe gjak
gjelash, kudo në sheshet e botës.
Poetë, bashkohuni
para Shtëpise së Bardhë
ju jeni rusë,
para Kremlinit
jeni amerikanë,
para amerikanëve dhe rusëve
jeni poetë,
para identiteteve kombëtare
jeni njerëz,
para njerëzve jeni fëmijë,
luftoni me biberonët tuaj
të përgjakur dhe akuzojeni
me zë të lartë, atë që ka
krijuar mendjen.

Në foto një fëmijë ukrainas, duke parë nga dritarja e trenit, që po e evakuon prej qytetit të tij të bombarduar.

Teatri Kombëtar i Tiranës, pavarësisht se është teatër publik dhe i financuar me fonde publike, më tepër i ngjason një teatri privat që, duke prodhuar komedi të shpifura komerciale, synon ta mbushë medoemos sallën me publik/Bisedë me dramaturgun Jeton Neziraj

in Biseda/Teatër by

Bisedë me dramaturgun Jeton Neziraj. Ai është autor i shumë pjesëve teatrale të suksesshme, vënë në skenë në Kosovë, në shumë shtete europiane, në Amerikë, etj. Dramat e tij janë të ndërtuara së shumti mbi tema aktuale, politike; pika nevralgjike të Ballkanit.

Ai është edhe drejtues i Qendrës Multimedia në Kosovë, me një veprimtari kulturore prej njëzet vitesh.

Nga të të gjitha përgjigjet e tij të drejtpërdrejta, vlen të veçohet ajo ndaj një pyetjeje në lidhje me Teatrin Kombëtar të Tiranës. Ai thotë midis të tjerash:

Repertori i atij teatri është një lloj varianti teatror i “Big Brother Albania”, pa shije, pa vizion, pa, pa, pa… Po mendoj, mjafton të shihni mënyrën se si u bëjnë reklamë shfaqjeve, si të ishin seriale turke apo latino-amerikane: “Ejani në teatër të shihni se çfarë i tha Lori të bijës para se t’i rruante këmbët”, “A do t’bjerë Xhuliano pre e pasionit të dashurisë për Marian?”, “A e hëngër maca përsheshin, apo fjeti e uritur!

   Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Ju jeni një dramaturg që trajtoni së shumti tema të angazhuara, aktuale. Por ndodh ndonjëherë që autorët e angazhuar, jo gjithmonë arrijnë të realizojnë art të mirë. Dua të them se jo gjithmonë cilësia e ideve të tyre ecën në të njëjtin hap me cilësinë e artit që krijojnë. Çfarë mekanizmash përdorni ju për t’i mbajtur të dyja këto në të njëjtat lartësi? Apo gjithçka është instiktive?

Jeton Neziraj: Them se po, është më shumë çështje instikti. Elementi i theksuar “aktivist”, e krijimtaria që angazhohet për kauza të caktura, të çfardo natyre qofshin ato, po, shpesh di ta mbysë anën artistike të një drame. Megjithatë, them se dramaturgu i mirë është i tillë, sepse, ndër të tjera, ai di si t’u shmanget edhe këtyre “kurtheve”. Në teatrin politik ekziston një teh i hollë që e ndan krijuesin teatror nga aktivisti. Shumë krijues e kalojnë atë teh, disa me vetëdije e disa pa vetëdije. Por pak nga ata ia dalin të krijojnë vepra teatrore që janë politike, që kanë tema, të themi, të angazhuara, por të cilat, përtej kësaj, janë edhe vepra të fuqishme artistike.

Arlinda Guma: Pjesët teatrore që ju shkruani janë mjaft të suksesshme në Europë. Çfarë i bën ato të suksesshme? Sa rol luajnë në këtë sukses kontaktet dhe përkhyesit e duhur?

Jeton Neziraj: Unë dua të besoj që dramat e mia janë të suksesshme ndërkombëtarisht sepse janë të shkruara mirë (them se më falet pak jo-modesti), janë origjinale në qasje, por edhe sepse trajtojnë tema e probleme të freskëta. Por, kjo natyrisht nuk është e vërteta e plotë. Hyjnë në këtë mes, natyrisht, edhe kontaktet që i kam ndërtuar përgjatë këtyre viteve pune në teatër dhe, natyrisht, rol jo pak të vogël kanë edhe përkthyesit. Kur jemi te përkthyesit, besoj se të gjithë e kemi të qartë se përkthyesit nga shqipja në gjuhë të tjera janë të paktë. Po, ka disa përkthyes cilësorë, që nga shqipja përkthejnë në frëngjisht, në anglisht, gjermanisht, serbisht, greqisht e italisht, ndërkohë që për plot gjuhë të tjera ka ndoshta nga një-dy përkthyes, në rastin më të mirë e në rastin më të keq, letërsia shqipe në ato gjuhë përkthehet nga anglishtja ose nga ndonjë gjuhë tjetër e dytë. Ta zëmë, rreth 15 drama të miat që janë përkthyer e botuar në gjuhën turke, janë përkthyer nga anglishtja. Natyrisht, përkthyesja turke gjen gjithnjë mundësinë ta krahasojë përkthimin edhe me një përkthim tjetër të dramës në gjermanisht, serbisht apo frengjisht, megjithatë, përkthimi në turqisht bëhet nga anglishtja. Le të themi, ky është një kompromis i domosdoshëm. Por, si i tillë, ai është i rëndësishëm. Ta zëmë, në Turqi ka pasur mbi 10 inskenime të dramave të mia. Dhe më duhet ta them, shumica, për shkak të punës dhe angazhimit të përkthyeses Senem Cevher.

Arlinda Guma: Sa spikatin në dramat tuaja çështjet e feminizmit? Mendoni se personazhet femërorë kanë marre vendin që u takon në dramën shqipe, apo janë thjesht një sfond plotësues i personazhit kryesor burrë?

Jeton Neziraj: Nuk është se jam shumë kompetent që t’flas për prezencën dhe rolin e personazheve gra në dramaturgjinë shqipe, sepse nuk është se kam bërë ndonjë studim apo analizë në këtë drejtim. Por ajo që mund të them (përmendësh, siç thuhet) është se nuk besoj që gruaja ka ndonjë rol e pozicion më të avancuar në dramaturgjinë shqipe nga ai që ka në jetën shoqërore e politike në realitet. Dramat shqipe absorbojnë (për aq sa të jetë e mundur) realitetin të cilin jetojmë, e ku gruaja, fatkeqësisht, po, shpesh është në margjina të ngjarjeve, e papeshë në vendimarrje, dekor praktikisht. Natyrisht, si shkrimtar unë jam i vetëdijshëm për këto defekte shoqërore dhe përpiqem t’i korrigjoj përmes krijimtarisë sime dramaturgjike, për aq sa mundem dhe për aq sa këtë gjë e lejojnë temat që trajtoj. Me fjalë të tjera: përpiqem të jem shkrimtar i përgjegjshëm. Ta zëmë, në dy dramat e mia të fundit, dominojnë personazhet gra. Në dramën “King Lori”, dy personazhet e vetme të dramës janë gra, kurse në dramën “Babai dhe Babai”, nga tre personazhe, dy janë gra. Sado që unë nuk mendoj që beteja për avancimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri duhet të reduktohet në numra e në aso “tick-a” të bajatshëm të formularëve. Madje, përpjekjet e sinqerta për barazi gjinore shpesh degradohen e devalvohen duke u reduktuar në këso elemente teknicistë.

Arlinda Guma: Cili është mendimi juaj për teatrin në Shqipëri? (Edhe pse, tashmë, as një ndërtesë të tij nuk e kemi më.) Ku mendoni se ka më shumë skematizëm në trajtesën që u bëhet temave të ndryshme; në Shqipëri apo në Kosovë?

Jeton Neziraj: Jeta teatrore në Shqipëri është degraduar tërësisht. Gjithçka ka dalë nga binarët normalë dhe prandaj atje vetëm për një teatër normal nuk mund të flitet. Është teatri më i keq që njoh, edhe si estetikë, edhe si mënyrë organizimi, edhe s’i planifikim programor, edhe si vizion e preokupim. Pra, krejt ato që mund të quhen si “politika teatrore” më duken që funksionojnë mbrapsht. Dhe më e keqja është se nuk shoh që dikush të jetë duke bërë përpjekje të ndreqë diçka. Nuk dua t’i fyej disa krijues të zellshëm atje, që si kalorës të vetmuar përpiqen ta ruajnë dinjitetin e vet artistik, por vërtet nuk kam shumë shpresë. Ai peizazh teatror atje është mbytës. Mund ta quajmë me çfarëdo termi teatrin që krijohet atje; skematizues, demode… por unë do ta definoja si ‘teatër që ta shpif’. Nuk po sugjeroj që teatri në Kosovë është shumë më mirë, por më mirë sesa ky në Shqipëri është. Dhe për mua gjëja më e frikshme në Shqipëri është mungesa totale e skenës teatrore të pavarur.

Arlinda Guma: Në Shqipëri ndodh rrallë të vihen në skenë drama shqip; mbizotërojnë pjesët e përkthyera, të cilat shpesh kanë mangësi të mëdha në përshtatje dhe redaktim. Kosova dhe qendra juaj duken më përpara në këtë drejtim. Mos ndoshta në Kosovë ka më shumë organizma ndërkombetarë financues që e stimulojnë artin?

Jeton Neziraj: Fakti që Teatri Kombëtar në Tiranë ka vite që nuk ka vënë ndonjë dramë shqipe është fenomen interesant. Ai, pavarësisht se është teatër publik dhe i financuar me fonde publike, më tepër i ngjason një teatri privat që, duke prodhuar komedi të shpifura komerciale, synon ta mbushë medoemos sallën me publik. Vërtet nuk i kuptoj kur krekosen për “sallën e mbushur”, ndërkohë që ajo çfarë shfaqet në skenë është mut. Pra, cka nëse është mbushur salla? Politikë më idioteske të repertorit vështirë se mund të gjendet kund. Repertori i atij teatri është njëlloj varianti teatror i “Big Brother Albania”, pa shije, pa vizion, pa, pa, pa… Po mendoj, mjafton të shihni mënyrën se si u bëjnë reklamë shfaqjeve, si të ishin seriale turke apo latino-amerikane: “Ejani në teatër të shihni se çfarë i tha Lori të bijës para se t’i rruante këmbët”, “A do t’bjerë Xhuliano pre e pasionit të dashurisë për Marian?”, “A e hëngër maca përsheshin, apo fjeti e uritur!”
Në Kosovë teatri është pak më aktiv, më energjik, trajtohen tema më të freskëta dhe më politike dhe ka një lloj impakti më të madh social e politik. Megjithatë, teatri në Kosovë është i kurthuruar në burokratizim dhe administrarivisht është tepër jostabël. Organizimi teatror në Kosovë është një lëmsh kompetencash, ligjesh, nenesh, rregulloresh, ministrish, nivelesh qëndrore e lokale… Megjithatë, në anën tjetër, skena e pavarur në Kosovë është mjaft vitale dhe ofron një alternativë teatrore solide. Përpos Qendrës Multimedia, ka edhe disa teatro e shoqata të tjera që realizojnë shfaqje teatrore në vazhdimësi. Dhe po, ka në Kosovë akoma fonde ndërkombëtare që financojnë projekte artistike. Këto fonde gjatë viteve kanë ardhur duke u pakësuar, megjithatë, kanë qenë dhe ngelen “infuzioni” kryesor financiar për skenën e pavarur artistike.

Arlinda Guma: Si e themeluat Qendrën Multimedia? (Shpesh në jetë shtysën për të bërë gjëra të mëdha e marrim nga disfatat. Ndodhi kështu me ju?) Sa i vështirë ka qenë për ju konsolidimi i kësaj qendre?

Jeton Neziraj: Sivjet bëhen 20 vite që kur është themeluar Qendra Multimedia. Dhe nuk janë vetëm vite të thata, numra, por janë vite punë aktive dhe angazhim në një terren jo fort të kollajshëm. Qendra ka qenë një platformë që na ka mundësuar të rritemi plot ne artistëve të teatrit në Kosovë dhe në të njëjtën kohë, ka qenë (dhe ngelet akoma) njëlloj hapësire “eksterritoriale” e lirisë artistike; e asaj lirisë që ka munguar në institucionet publike, që ka munguar, praktikisht, gjithkund tjetër në sferën publike. Por gjërat ndërkohë kanë ndryshuar për të mirë. Këto “hapësira lirie”, përgjatë këtyre viteve, kanë ardhur duke u zgjeruar në Kosovë dhe ato tashmë janë shtrirë edhe në institucionet publike.
Qendra Multimedia sot është padyshim njëra prej organizatave kulturore më kredibël në Ballkan. Ajo ka prapa vetes dhjetëra organizime letrare. Ndërkohë që, shfaqjet teatrore që ka prodhuar janë parë në dhjetëra festivale e teatro me emër në Evropë e Amerikë.
Por, rritja dhe fuqizimi i saj ka ardhur ngadalë, me punë e përkushtim. Dhe natyrisht, me bashkëpunëtorë seriozë, të cilët kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontribut të pashoq.

Arlinda Guma: Sa ndërhyn puna juaj si drejtues i Qendrës Multimedia në punën tuaj të mirëfilltë si krijues?

Jeton Neziraj: Paj, ka periudha kur aktiviteti në Qendrën Multimedia është shumë i dendur dhe kërkues, e në ato raste, krjimtaria ime si dramaturg ngelet në plan të dytë. Por megjithatë, kur jam duke shkruar, kur dua të shkruaj, atëherë, e vjedh kohën, e gjej edhe kur ajo kohë nuk ekziston. Por në anën tjetër, këto dy aspekte edhe e “fuzionojnë” njëra-tjetrën. Një pjesë e dramave që shkruaj realizohen nga Qendra Multimedia dhe prandaj, shpesh ka “shkrirje kufijsh” mes asaj që quhet “punë në zyre” dhe “punë individuale si krijues”.

Arlinda Guma: Qendra Multimedia funksionon edhe si shtëpi botuese. Si i përzgjidhni autorët që botoni? Sa të angazhuar (nëse mund t’i quajmë kështu) janë këta autorë?

Jeton Neziraj: Aktivitetin botues e kemi pasur mjaft të reduktuar, ndoshta në vit kemi botuar nga 5-10 tituj librash. Së voni e kemi reduktuar edhe më shumë dhe synojmë ta reduktojmë akoma. Kryesisht kemi botuar drama, por kohë pas kohe edhe libra me poezi të autorëve të rinj dhe ndonjëherë në të rrallë, edhe kemi përkthyer e botuar ndonjë libër të ndonjë autori të huaj. Shkrimtarët nga Kosova që kemi botuar janë kryesisht; ose autorë të rinj, ose autorë që ua çmojmë krijimet, ose të tjerë, të cilët hezitojnë të kenë të bëjnë me botues që i financon Ministria e Kulturës. Ndër autorët që kemi botuar janë: Arben Idrizi, Shpetim Selmani, Ervina Halili, Dhurata Hoti, Halil Matoshi, Bekim Lumi, Ballsor Hoxha, Doruntina Basha, Sibel Halimi, etj.

Arlinda Guma: Ç’rol ka luajtur në projektet tuaja Ministria e Kulturës së Kosovës? Apo mos ndoshta edhe aty ndodh e njëjta gjë si në Tiranë, që grantet i fitojnë vetëm autorët konformistë pro qeverisë?

Jeton Neziraj: Mbështetja financiare që marrim nga Ministria e Kulturës është simbolike. Dhe fakti që financiarisht nuk kemi qenë dhe nuk jemi të varur nga fondet publike, na ka mundësuar ta ruajmë pavarësinë dhe po ashtu, të jemi kritikë. Sepse, kam frikë që institucionet publike te ne nuk janë aq të edukuar që ta kuptojnë se financimi i skenës së pavarur kulturore nuk nënkupton edhe kontroll të asaj skene. Prandaj, përgjatë këtyre viteve të shkuara, ka qenë shumë më i shëndetshëm funksionimi ynë pa ua pasur nevojën fondeve publike. Këto vitet e fundit gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë, edhe për sa i përket përceptimit që shteti i bën skenës së pavarur kulturore. Por në anën tjetër, kjo gjendje optimizmi mund të përmbyset shpejt. Sepse, gjithmonë mund të vijnë në pushtet garnituara politikanësh, të cilët, i shohin artistët e shkrimtarët si agjentë të “fotoshopeve nacionale” që duhet të përmirësojnë “defektet” dhe “shkarjet e shoqërisë”.

Arlinda Guma: Cilët janë ata personazhe historikë, apo dramaturgët, që ju kanë frymëzuar nëpër vite? Nëse do t’i takonit, çfarë pyetjesh do t’u bënit?

Jeton Neziraj: Paj, më kanë frymëzuar shumë shkrimtarë, ndër ta më së shumti Jonesko, Dino Buxati, Markezi, Kafka, Kadare, etj. Kadarenë e kam takuar disa herë dhe në secilin rast kam qenë dëgjues i mirë. E, besoj që do t’isha dëgjues i mirë edhe me këta të tjerët po t’i takoja.

Arlinda Guma: Si është një ditë e zakonshme juaja?

Jeton Neziraj: Kafe. Lexim. Punë në zyrë. Takim. Verë (ose uiski). Lexim. Shkrim. Aeroport. Fluturim. Kafe. Tren. Shfaqje. Birrë. Shkrim.

Arlinda Guma: Çfarë ju frymëzon dhe çfarë ju nervozon kur jeni në Prishtinë? Po në Tiranë?

Jeton Neziraj: Ka shumë gjëra që më bëjnë nervoz në Prishtinë, trafiku i ngarkuar është një prej tyre. Por edhe njëlloj kapadaillëku i njerëzve. Pra, nuk po flas për parqet, për drurët, rrugët… nuk po flas për pamjen e jashtme. E kam fjalën për një lloj bezdie që ka nisur t’i japë formë jetës në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Dhe kjo bezdi vjen nga fakti që në qytet nuk ndodh asgjë. Kryeqytetet tona janë konvertuar në do qendra tregtare të mëdha, ku vetëm jetë normale nuk ka. Ka imitim, ka plastikë, ka makiato që pihen, ka fast-food-e, ka butiqe… por kaq. Dhe natyrisht, ka ca politikanë që kontrollojnë “shkallët e këtyre qendrave tregtare”, ku ne hipim një kat më lart, pastaj edhe një kat më lart, pastaj zbresim poshtë, pastaj hyjmë e dalim nga një butik në tjetrin, pa cak, pa kërkesa e pa ambicje…
Tani, krejt këto, natyrisht që janë inspiruese për një shkrimtar. Inspirimi i një shkrimtari, më shumë sesa nga lulet, kam përshtypjen që vjen nga pisllëku e muti në të cilin zhytet një shoqëri.

Arlinda Guma: Keni ndonjë vend të caktuar në qytetin tuaj ku uleni edhe shkruani? Një vend ku ndiheni tërësisht krijues dhe aspak drejtues?

Jeton Neziraj: Zakonisht shkruaj në shtëpi. Por nëse më duhet dhe, nëse më kapin “dallditë e shkrimit”, atëherë mund të shkruaj kudo tjetër, në kafene (mjafton të jem i ulur vetëm në tavolinë), në aeroplan, tren apo kudo.

___

Foto: © Slavica Ziener

Rreshpja, njeriu që e donte poezia/Shpëtim Kelmendi

in Letërsi/Tirana Review by

Shpëtim Kelmendi

Nga tërë ajo hordhi poetësh që dolën nga këneta e realizmit socialist dhe zbarkuan në brigjet e viteve ’90, vetëm Frederik Rreshpja qe në gjendje ta dëlirte poezinë e tij nga ato pak stërkala balte të realsocit, vetëm ai qe në gjendje të shndërrohej në urë lidhëse midis poezisë së mirë të traditës dhe poezisë moderne shqipe të viteve ’90, vetëm ai qe në gjendje të rikonfirmohej si poet klasi me dy vëllimet e tij poetike: “Lirika të zgjedhura” dhe “Erdhi ora të vdes përsëri, duke u vendosur kështu në majën më të lartë të hierarkisë së vlerave poetike, vetëm ai u pranua nga brezi i ri i poetëve që shkruanin në liri, duke u shndërruar kështu në një qendër reference estetike, arsye për të cilat meriton të quhet: “il miglior fabro”.
Mendoj ka dy lloj poetësh: poetë që e duan poezinë dhe poetë që i do poezia. Poetë që e duan poezinë ka aq shumë, sa poezia është mërzitur me ta dhe bën çmos të rrijë sa më larg tyre, poetë që i do poezia ka aq pak, sa poezia ndjehet pothuajse e vetmuar. Poetët që e duan poezinë s’po i përmend, thjesht për efekt kohe, meqë lista e tyre është tepër e gjatë, ndërsa ndër poetët që i do poezia mjafton të përmendim burrin me emër mbreti: Frederikun e Madh të Poezisë. Nga ky këndvështrim, nuk është Rreshpja ai që zgjedh të shkruajë poezi, por është poezia ajo që zgjedh të shkruhet prej tij.
Duhet theksuar fort fakti se Rreshpja nuk është së pari poet e pastaj njeri, por ai është së pari njeri, e më pas poet. Me këtë dua të them se mbi gjithçka, ai donte jetën, e për rrjedhojë, kur jeta nuk funksiononte siç duhej, poezia i shfaqej si llambë e ndezur në mes të errësirë, si bastun te i cili mbështetej për t’u mbajtur në këmbë, si portë që hapej mes mureve të forta të ekzistencës, si ishull i kaltër mes reve të errëta të kohës në të cilën jetoi, si dorë e zgjatur që i tregonte rrugëdaljen prej labirintit të të jetës së tij të koklavitur.
Pra, kur jeta vonohej, në vend të saj vinte poezia, të cilën ai e pranonte si diçka të pashmangshme, thjesht për të mos u ndjerë vetëm. Sepse Fred Rreshpja ishte vetëm. Ai nuk e donte vetminë, por vetmia i vinte si formë ndëshkimi për shkak të të qenit krijesë e veçantë, mendje e veçantë, shpirt i veçantë. Vetmia i dha shumë vuajtje e po aq poezi. Nevoja për t’i ikur vetmisë e nxit të shpirtëzojë sendet, të flasë me drurët e me kafshët, të shquajë në qiell vazhdat e fluturimit të zogjve, të ledhatojë gjurmët e kalimit të engjëjve, të bisedojë me të vdekurit, të ngjitet në apogjeun e poezisë shqipee të bisedojë me de Radën, Seremben, Mjedën, Asllanin, Lagushin, të shtyjë portat kohore e të rikthehet fëmijë, të dëgjojë tingujt e lirave të aedëve. Atë që jeta nuk ia jepte në rrafshin tokësor, ai arrinte nëpërmjet imagjinatës së tij inkandeshente.
Fredi i ngjante një udhëtari kozmik, i cili kish ardhur thjesht për vizitë në Tokën tonë, por që s’u lejua të largohej më kurrë për t’u kthyer në atdheun e tij ndëryjor, Duket sikur është pikërisht malli për atë atdhe të humbur ndëryjor, ai që e mvesh me një aurë trishtimi pothuajse tërë poezinë e tij. Kjo është arsyeja që trishtimi i tij nuk nuk është demokratik e popullor, por trishtim i shpallur prej një shpirti të ndjeshëm aristokratik; nuk është trishtimi çastnor i nji derri të kënaqur, por trishtimi i një individi që e di mirë se diku tjetër ekziston një botë më e mirë se kjo, trishtimi i njeriut që mezi pret të rikthehet te ai realitetit i lartë, aq sa në ndonji rast të krijohet ideja sikur ai flet pikërisht prej atij realiteti, siç mund të vërehet në vargjet: “O Zot,/ ç’qe ai vrapim i çmendur në atë planet të largët!”
Për rrjedhojë, mund të themi se poezia e Fredit është ngushtësisht e lidhur me kujtesën. Mjerisht, shumica dërrmuese e poetëve bashkëkohës të Fredit janë tokësorë, tmerrësisht tokësorë, arsye për të cilën, e vetmja trajtë kujtese që njohin është ajo që përthekohet nga trajektorja e ekzistencës së tyre fizike në këtë planet. Por Fredi ishte tjetër gjë. Ai kishte aftësinë të rrëmonte në hapësirën e një tjetër kujtesë, tipar ky i mjeshtrave të mëdhenj. Për të qenë më i saktë, tipar i gjenive.
E kam fjalën për kujtesën transhendentale, kujtesën e matanshme, kujtesën e përtejme, ku njeriu ndjehet i përfshirë brenda një atmosfere të lartë shpirtërore, një realitet i epërm ku poezia nuk ka nevojë as të kërkohet e as të flitet për të, sepse e tërë qenia njerëzore është shndërruar tashmë në poezi. Në këtë rast, poezia është e lirë dhe jetike si ajri që njeriu thith.
Nuk dua të them se poeti ynë banonte në këtë realitet të lartë, siç banonte për shembull Rumiu, Dante e disa të tjerë. Dua të them se herë pas here, me apo pa dashje, Rreshpja e shtynte portën e kësaj kujtese të epërme, mbushej me ajër, domethënë me poezi, dhe rikthehej sërish në realitetin e padurueshëm të kësaj bote, ku vishet me petkun e një kronikani ngjarjesh spirituale dhe shkruan gjithë çfarë ka parë e ndjerë.
Realiteti i matanshëm është hallka e parë. Mandej, po, jemi krejt dakord me Frostin, kur thotë: “Poezia fillon në çastin kur emocioni gjen mendimin dhe mendimi gjen fjalët”, veçse fjalën “fillon” do ta kisha zëvendësuar me “vijon”, thjesht duke dashur të theksoj faktin se në rastin e Fredit, hallka e parë e krijimit nuk është emocioni tokësor, por përjetimi transhendetal.
Këtë gjendje dhe përjetim transhendental, Rreshpja e ka jetuar që në gjallje, sidomos vitet e fundit, sepse si shpirtërisht ashtu edhe mendërisht, ai jetonte më shumë andej se sa këndej murit gri të perceptimit tokësor. Kjo gjendje e bënte të shfaqej i çuditshëm dhe i pakuptuar në ato që thoshte, në ato që bënte, në ato që shkruante.
Kam pasur fatin ta ndjek vizualisht në procesin e të shkruarit të të paktën njëzet poezive. Proces është fjalë e madhe. Në fakt nuk kishte fare proces. Ose, për të qenë i saktë fare, procesi nuk dallohej. Shihja një njeri të kërrusur që shkruante mbi fletën e bardhë, me atë kaligrafinë e tij dekadente, pa u ndalur pothuajse fare, derisa vinte pikën në fund. Dukej sikur një zë i brendshëm ia diktonte atë që kishte për të shkruar. Ishte saktësisht diktim. Dikush fliste dhe ai shkruante. Kur zëri që diktonte heshtte, ai flakte letrat në dysheme dhe fillonte e fliste për gjëra që s’kishin lidhje fare me poezine. E kam parë të shkruante katër poezi rresht pa u ndalur fare. Ishte pamje e mahnitshme, që jo kujtdo mund t’i rastisë ta shohë.
Dua të them: në kuptimin simbolik të fjalës, Fred Rreshpja ishte instrument, një instrument i rrallë artistik, siç mund të jetë një piano, një violinë, një kitarë. Kohë më kohë, kur një dorë e fshehtë prekte tastet apo kordat e shpirtit të tij, fillonte muzika, pra ndodhte poezia.
Gjatë viteve ’90, por sidomos në periudhën e fundit të jetës tokësore, në vitet 2000 – 2005, Poezia e Fredit merr trajtë testamentare, që do të thotë se pothuajse çdo poezi që shkruan ka ngjyresa të theksuara testamentare. Jo thjesht për faktin se fjala “vdekje” është shumë e pranishme, jo thjesht për shkak të të atmosferës së ngrysur, për shkak se çdo poezi tingëllon si një lamtumirë.
Këto “lamtumira” kaq të shpeshta shkaktohen për shkak të pasigurisë së jetës dhe parandjenjës se mund të largohej nga dita në ditë, që përveç tjerash nxiteshin nga problemet e rënda shëndetësore. Si rrjedhojë, duke jetuar në pasiguri dhe duke e ndjerë se çdo ditë mund të ishte e fundmja e jetës së tij, çdo poezi që shkruante ishte po ashtu e fundit. Veçanësia e një poezie të fundit është se detyrimisht përmban sinqeritet drithërues, realitet tronditës dhe liri, liri të pafundme. Autori i poezisë së fundit nuk ka kohë të shkruajë për t’i bërë përshtypje ndokujt, nuk shkruan fare për lexuesin, nuk shkruan që emri t’i thadrohet në panteonin e artistëve të mëdhenj, nuk shkruan i shtyrë nga egoja apo mendimi i shkëlqyer për veten, nuk shkruan për garë, nuk shkruan për të qenë i pari. Shkruan, sepse ajo është e vetmja gjë që di të bëjë, shkruan sepse është i vetmi gjest që vërteton se ende është gjallë, se ende merr frymë, por mbi të gjitha shkruan sepse nuk mund të mos i bindet zërit të brendshëm që ia dikton vargjet. Sepse ai thjesht shkruan, nuk krijon. Në vitet e fundit të jetës Rreshpja ishte shndërruar në skriba, por në një skriba hyjnor, i cili hidhte në letër vargje “të gatshme”, të cilat ia diktonte zëri i brendshëm, ose i kopjonte në gjethet e pemëve, në frymëmarrjen e sendeve, në frushullimën e erërave, në statuetat e reve, në trajtat e fluturimit të zogjve.
Fatmirësisht, me dashjen e Zotit, Rreshpja e shkroi jo pak herë poezinë e tij të fundit, duke na lënë kështu një trashëgimi lirike të pashoqe.
Mund të përmendim disa nga këto poezi: “Kthim në vendlindje”, “Dita e gjahtarëve”, ”Elegji”, “Dimër”, “Dashuri e humbur”, “Vdekja e Lorës”, “Përgjithmonë”, “Testament” etj.
Poezia e Rreshpjes shquhet për imazhin e saj të fortë e të gjallë, aq të gjallë, sa lexuesit i duket se mund ta prekë me dorë, mund të jetojë me të dhe brenda tij. Imazhet e tij poetike shkaktojnë empati të menjëherëshme te lexuesi, aq sa ky i fundit ndjehet pjesëmarrës aktiv në krijimin e tyre. Nëse Rreshpja nuk do të kishte qenë poet, por piktor, jam i bindur se do të na kishte ofruar imazhe të jashtëzakonshme realitetesh të jashtëzakonshme:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt/ Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj/ në çdo dru./ Era si ketër brente degët.” (Testament).
Rreshpja ka mjeshtërinë e shenjtërimit të fjalëve të zakonshme, të cilat, pasi i pastron nga pluhuri, nga vulgariteti dhe nga keqpërdorimi, i vendos në kontekste të reja, duke na bërë të besojmë se ato tashmë janë fjalë të reja.
Vargu: “Po kthehen barinjtë, por hënën e harruan ndezur në mal” (Eklogë), është e përbërë prej fjalësh të zakonshme, por të cilat kombinohen magjishëm në sfondin e një realiteti që përshkohet nga një naivitet gjenial. Fjala “barinjtë” ka reshtur së qeni fjalë e zakonshme, sepse këta nuk janë barinj dosido, por që zotërojnë fuqi hyjnore, barinj që mund ta fikin e ndezin hënën kur të duan.
Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar./ Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,”. (Sidoqoftë)
Nëse ka një fjalë të përdorur e të stërpërdorur deri në vulgaritet në të folmen e përditshme, të cilën poezia nuk e duron fare, kjo është fjala “Sidoqoftë”. Fredi guxon ta marrë këtë fjalë, e dëlir nga balta e përdorimit të përditshëm, e vë në një kontekst të ri dhe i jep një frymëmarrje të re.
Sodis demokracinë e zogjve,/Të drejtën e qëndrimin në çdo pemë e kudo/
Nëpër korridoret e ajrit,/ (Soditje).
Po kështu edhe fjala “demokraci” nuk është fare poetike si në tingull ashtu edhe në përmbajtje, por poeti ynë e vë në një kontekst krejt befasues, duke e ripagëzuar atë.
Vështirë të ketë në historinë e poezisë shqipe një poet si Frederik Rreshpja, i cili, ndonëse është imituar e plagjiatuar nga një ushtri e tërë poetësh, ka mbetur prapëseprapë i pacenuar. Mund ta vjedhësh Fredin, por duke qenë se vargu i tij është autentik, vjedhja bie në sy menjëherë, sepse është njëlloj si t’i vjdhësh Venecias Luanin e San Markos e ta vendosësh në murin e shtëpisë sate.
Frederik Rreshpja vezullon si një nga yjet më të ndritshëm në konstelacionin e vogël të poezisë shqipe. Zoti e mori në Parajsën e Poetëve të mëdhenj. Bukur që e njohëm. Bukur që e patëm midis nesh. Bukur që vazhdojmë ta kemi të pranishëm nëpërmjet testamentit që na la: një buqetë lirikash të mrekullueshme që kundërmojnë amëshim.

Fortesa e ëndrrave-Flurans Ilia

in Letërsi/Tharm by

Flurans Ilia

Ka rënë një vesë shi dhe i ka lagur muret. Halat e pishave buzë fortesës janë shndërruar në një qilim magjik që mbulon tokën e ashpër rreth e qark saj. Boçe të panumërta prej pishe shfaqen përmes sythit dhe syrit vëzhgues të rojës së natës. I ulur mbi bedena ai ndez një cigare duke vëzhguar paguren e tij të shtypur. Kjo enë mbajtëse e ka shoqëruar përgjatë një kohe të gjatë. E mban si faqore në xhepin e brendëshëm të kapotës së vjetër, të mbushur me shokë e shoqe, kur arratiset atje tej nën ndikimin e etjes. Në asnjë vend të botës nuk mund të dehesh si këtu. Të shuash etjen rrugicave të këtij qyteti është njësoj si një arrati brenda mureve të kësaj fortese të rrethuar dikur nga kodrat me ullinj. Te Shëndëllia, për shembull, bëheshin ca ullinj shekullorë kokërrmëdhenj mbretërorë – ullinj buke, i quanin – të cilët mbretëronin tavolinat e shtëpive tona gjer aty nga fundi i viteve tetëdhjetë, në të njëjtën kohë kur dyqanet ushqimorë ishin drangull dhe nuk gjeje gjë prej gjëje për të ngrënë. Te ushqimorja edhe miu të binte në banak thyente turinjtë dhe ngelej barkthatë. Kështuqë u rritëm të kapur pas kokrrave të ullirit. I shkundëm ato degë duke soditur borërat e përjetshme të Tomorrit si të ishin dëborat e Kilimanxharos. Ato kokrra të zeza, të mbushura me vaj, janë ajo çka jemi edhe sot përgjatë kësaj rrëfenje. Ca germa të arratisura nga alfabeti.
F. e mban mend mirë atë ditë. Jo vetëm ngaqë është ditëlindja e tij. Por ngaqë qëllon të jetë një e mërkurë e vitit. Një ditë jo si të tjerat. E vendosur në mesin e javës – e mërkura ngjan me një ishull në detin e ditëve.
Me shokët dhe shoqet e gjimnazit janë ngjitur në kalanë e qytetit dhe po pinë ponç portokalli rreth një tryeze me mbulesë të bardhë. F. sapo ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet dhe … ishte aq e pastër ajo mbulesë sa edhe sot i lëkundet si një çarçaf, si një fletë e bardhë, ende e panjollosur nga fjalët. E mori guximin dhe e rrëshkiti dorën nën mbulesë midis gjunjëve të Rinës. Lëkura e këmbëve të saj, e mbuluar me pantallona kadiféje. Ajo ia largoi dorën me gishtat që i dridheshin. Ai këmbënguli. Ajo u dorëzua. Ishte bërë guximtar papritur nga përzierja e pijeve. Asnjëherë nuk do të kishte guxuar ta kapërcente atë kufi esëll. Ndjesi e kadifenjtë të prekurit me mollëzat e gishtave nën atë mbulesë të bardhë të ushqimit social, kur dielli nis e perëndon mbi Shpirag.
Me rënien e mbrëmjes çamarrokët filluan të zbritnin të tatëpjetën e kalasë, të bërë çakërqejf nga pija. U shmangën nga njeri tjetri, gjasme pa rënë në sy, gjithsecili i kapur për dore me shoqen e vet, në kërkim të një vendi të fshehtë përmes pemëve. Për disa prej tyre kjo do të ishte skena finale e kësaj ëndrre që zgjati plot katër vjet. Maturantë “mustaqe padirsur”, të dehur me ponç portokalli, këndojnë tatëpjetës marramendëse të fortesës, këngë për udhën e shtruar me hala të thara ndër vite.
Sa breza kanë bërë dashuri mbi këtë qilim magjik?
Të shtrirë mbi të, putheshin e putheshin, aq sa qyteti fillon e hapet i gjithi nën këmbët e tyre. Kjo është ndoshta puthja e parë e herës së fundit, e fundit herë që bënin dashuri rrëzë atyre mureve.
Disa prej tyre do të fluturonin larg, shumë larg. E disa të tjerë nuk do të fluturonin askund më tej. Si Rina, për shembull; disa vite më vonë, ajo do të hidhej nga muret e fortesës së ëndrrave. Askush nuk e mori vesh arsyen përse… As ai. Edhe pse ishte germa më e afërt në rendin alfabetik të emrave në regjistër. E kush mund t’i shpjegojë arsyet e largësive midis nesh? Midis dy shkronjave që krijojnë lidhëza. Midis dy ëndrrave që krijojnë dy realitete. Midis meje dhe këtij paguri të shtypur. Askush. Asnjë njeri nuk e di nëse Rina fle si rrënjë mbi këto kodra me ullinj të prerë poshtë këmbëve tona apo nëse zgjohet atje te dega më sipërane e vështrimit, si syth i një bote krejt tjetër, pa u diktuar nga syri i rojeve të natës.

Bijat, Bijat-Danielle Pieratti

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Bijat, Bijat-Danielle Pieratti

 

Fëmijа s’është аtje ku duhet të jetë.

Fëmijа është mjegull.
Fëmijа është vend veror,

një vegim eksodi

pas një shtаtzënie të gjаtë dhe të errët.
Fëmijа është një аnije skаjore,

një dhomë për tа përshkuаr, një lloj rreziku.
Fëmijа kërcente mbi krаhun e аvionit,
mu atje lаrg syve.

 

Përktheu: Viktoras Iliopoulos

Dashuria e parë-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dashuria e parë-Wislawa Szymborska

 

Thonë se
dashuria e parë është ajo më e rëndësishmja.
Kjo është shumë romantike
por nuk është rasti im.

Kishte dhe nuk kishte diçka mes nesh.
Lindi dhe u shua.

Nuk më dridhen duart
kur përplasem me kujtime të vogla,
ose me një pirg letrash të mbështjella me spango
– as edhe me një fjongo.

Takimi ynë i vetëm pas gjithë këtyre viteve është një bisedë mes dy karrigeve në një tavolinë të ftohtë.

Dashuritë e tjera
ende marrin frymë thellë brenda meje.
Kurse kësaj i mungon fryma për të psherëtirë.

Por megjithatë, mu ashtu siç është,
mund të bëjë atë që pjesa tjetër nuk arrin ende ta bëjë:
ashtu e pakujtuar,
madje, as e ëndërruar,
më mëson me vdekjen.

Përktheu: Arlinda Guma

Skulptura: Chistopher M. Bednansk

Ato të Diela Dimri-Robert Hayden

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ato të Diela Dimri-Robert Hayden

 

Edhe të dielave babai im ngrihej herët,
Vishej në errësirën e ftohtë mavi,
Pastaj me duar të plasaritura që i dhembnin
Nga puna jashtë në motin e përditshem
I bënte zjarret e mbuluar në vatra të flakëronin.
Kurrë, askush s’e falënderoi.

Unë zgjohesha dhe dëgjoja si ciflosej, çahej i ftohti.
Kur dhomat ngroheshin, më thërriste.
Ngadalë ngrihesha dhe vishesha,
Druaja zemëratat kronike të shtëpisë.

I flisja mospërfillshëm atij,
Që kishte përzënë të ftohtin
E lustruar këpucët e mia të mira.
Çfarë dija, çfarë dija unë,
Për zyrat strikte e të vetmuara të dashurisë?

 

Përktheu: Shpresa Ymeraj

Ç’ËSHTË TË SHKRUARIT E LETËRSISË – ese spartane/Ernest Marku

in Letërsi by

Ernest Marku

Kur dikush ndihet i tejmbushur shpirtërisht, kur shëmbëllimi i të përsosurës i lëviz në mendje e në gjak, kur përfytyrimi artistik pushton arsyen dhe realitetin; atëherë ai kërkon ta ndajë me të tjerët këtë përvojë, mënyrën si e sheh botën, ndjenjat dhe mendimet rreth saj. Teksa mendimet ziejnë si vullkan, shpirti të është bërë balonë e po fluturon… pikërisht ky është çasti kur të lind dëshira për të shkruar; edhe për një arsye tjetër, pse është e vështirë të gjendet një dëgjues, për fjalët që mezi presin të vërshojnë si lumë nga goja.
Pyetja që del në këtë rast, është: Fakti që ti ke përjetuar përsosmërinë, a mjafton që ti të bëhesh krijues?! Nëse ti nuk e gjen mënyrën e duhur për t’ua transmetuar edhe të tjerëve, ndjesitë që përjetove; përsa i përket krijimit, pak rëndësi ka se sa e mrekullueshme ishte ajo që ti ke përjetuar. Këtu është hendeku ku “thyejnë qafën” të gjithë ata që nuk bëhen dot krijues. Ai që kërkon të ketë sukses, duhet të bëjë hopin e madh, të kapërcejë “ylberin”; i talentuari duhet të zbulojë enigmën e ngjizjes së parë, për të rilindur si krijues.
“Para së gjithash, duhet të ndërtosh një botë – thotë Umberto Eko, – të zgjedhësh kohën dhe hapësirën për të. Pastaj duhet të krijosh personazhet. Së treti, duhet të zgjedhësh gjuhën. E fundit është, të shkruash fjalën e parë. Këtu ka përfunduar krijimi dhe të duhet vetëm që ta hedhësh në letër.”
Faik Konica, na jep disa këshilla për artin e shkrimit:
1- Pikësëpari, duhet ta keni të qartë në kokën tuaj atë që doni të thoni.
2- Së dyti, duhet të kërkoni mënyrën se si ta thoni. Këtu fle lepuri, pasi lexuesi rrezikon ta kthejë fletën pa e lexuar plotësisht; apo me keq akoma, ta hedhë librin fare.
3- Pas hyrjes, nisni ta shfaqni mendimin tuaj thela-thela, që të gëlltitet më lehtë dhe të kuptohet më thellë. Frazat, duhet të jenë të lidhura me njëra tjetrën, një frazë duhet të pjellë një tjetër më poshtë, në mënyrë që lexuesi të duket sikur po hipën në një shkallë, e cila e afron drejt majës, për të kuptuar atë që ti ke dashur të thuash.
4- Epilogu duhet të përsëritë në mënyrë të ngjeshur e të fortë gjithçfarë ke trajtuar më parë.
5- Një gjë që është shumë e qartë, nuk është nevoja ta thuash përsëri. Gjuha, të jetë e qëruar dhe e pangarkuar me fjalë të huaja… Në fund, lexojeni dhe ndreqeni shumë herë, derisa t’ju bjerë në vesh, çdo tok shkronjash, si një copë muzike.
Zhan Pol Sartri, në veprën e vet “Ç’është Letërsia”, thoshte: “Marrim një njeri të zakonshëm që flet, nga njëra anë dhe poetin, nga ana tjetër. Për të parin fjalët janë shërbëtore, kurse për të dytin ato qëndrojnë në gjendje të egër. Për të parin fjalët janë marrëveshje të nevojshme, vegla që përdoren pak e nga pak dhe që mund t’i largosh kur nuk janë më të nevojshme; kurse për të dytin janë gjëra natyrore, që ndërthuren në mënyrë të natyrshme mbi tokë, ashtu si bari me pemën.”
“Një poet i pakonsoliduar, dallohet thjesht nga fjalët e panatyrshme, të ngulura në poezi.”
“Prozatori, – thotë ai, – është një njeri që ka zgjedhur të kryejë një lloj veprimi sekondar, i cili mund të quhet veprim nëpërmjet zbulimit. Ai e di se të zbulosh do të thotë të ndryshosh dhe nuk mund të zbulosh, veçse duke projektuar një ndryshim. Nuk je shkrimtar sepse ke zgjedhur të thuash diçka, por sepse ke zgjedhur ta thuash këtë diçka në një mënyrë tjetër”.
“Poezia është një imitim, – thotë Aristoteli, – por jo të gjithë imituesit janë poetë.”
Frojdi shprehet: “…Të gjithë jemi të joshur të dimë se nga e merr lëndën ky personalitet i çuditshëm krijuesi; … dhe si arrin kjo lëndë të na prekë, si na shkakton emocione të tilla, të cilat ne, ndoshta, asnjëherë s’do t’i pranonim”. Duke kërkuar këto përgjigje ai shton: “…Krijuesi bën të njëjtën gjë si fëmija kur luan,… ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht,… domethënë, e trajton me një pasion shumë të madh, duke e ndarë nga realiteti dhe duke krijuar burime kënaqësie për lexuesin”.
“Në këtë kuptim, krijuesi është një fëmijë që refuzon të rritet; si dhe një sfidues i krijuesit të gjithësisë në të njëjtën kohë. Shpesh rritja, përditshmëria, nevojat, ambicjet; na bëjnë të humbasim lidhjet me thelbin tonë, me origjinën e dëshirave tona; është pikërisht krijuesi ai që na i rivendos lidhjet me to.”
Një nga motivet kryesore të krijimit është nevoja per t’u ndjerë të rëndësishëm në raport me botën. “Ka vetëm një gjë që shkruhet për vete, – thotë Eco, – dhe kjo është lista e harxheve.”
“Një shkrimtar nuk ka nevojë të jetë origjinal, – thotë Elias Caneti; ai, ose është origjinal ose nuk është shkrimtar. Dhe ky origjinalitet ruhet prej shkrimtarit, edhe pse ka plotësuar “kushtin” paraprak për botimin e një libri, duke pasë lexuar të paktën një mijë të tilllë.
Mbi formën: Një nxënës pyet mjeshtrin e tij: Kur mund të them se tabloja ime ka përfunduar? Mjeshtri përgjigjet: Vetëm atëherë kur ta shohësh me çudi e të thuash: “Pse, unë e kam bërë këtë?”
“Gjysma më e mirë e poezisë dramatike, – thotë Taine tek “Filozofia e Artit”, – i gjithë teatri klasik grek dhe ai francez, shumica e dramave spanjolle e angleze; larg nga kopjimi i bisedave të përditshme, tjetërsojnë me qëllim të hapur fjalët e njerëzve. Secili nga këta poetë dramatikë, i bën personazhet të flasin në vargje; u dikton bisedave të tyre një ritëm dhe shpeshherë një rimë. “Pikërisht, ky lloj falsifikimi i realitetit prodhon letërsi.” Procesi i të shkruarit, implikon edhe atë të leximit, si lidhjen e saj dialektike. Dhe këtyre dy akteve u përgjigjen dy veprues të ndarë; edhe nëse po lexon veprën tënde, sepse nuk je më i njëjti në raport me kohën. “Leximi në vetvete, është një rikrijim; sa herë e lexon një vepër, aq herë ajo rikrijohet”.
Një pyetje e rëndësishme është se: “Për kë shkruajmë?” Pasi t’i përgjigjesh kësaj pyetje, ke zgjidhur gjysmën e problemit; gjysma tjetër është: “Si të shkuajmë?” Krijuesi, nuk ka kuptim pa lexuesin e tij, vetëm një raport i tillë nëpërmjet rikrijimit i jep vlerë krijimit. Besoj se e keni dëgjuar atë shprehjen: “Shkrimtari ka dashur të thotë që …”, por në fakt, po të kishim mundësi ta pyesnim këtë shkrimtar, ai nuk besoj se do të na thoshte të njëjtën gjë; madje, sa herë që ta pyesni, ka mundësi që të thotë gjëra krejt të ndryshme, në funksion të momentit krijues që ai po kalon.
“Nëse çdo gjë të duket se po ecën shumë mirë, – thotë Ernest Hemingueji; – atëherë ndërprite krijimin se po mbush faqe kot. “Nëse krijuesi, nuk e ndjen shqetësimin në gishtat që i dridhen, ndërsa shtyp butonat në makinën e shkrimit, do të thotë që e ka braktisur muza krijuese”.
“- E vramë Vinçens Prendushin!” – do t’i thoshte Lasgushi, Ismail Kadaresë. “- E vranë, jo e vramë!” – do të korrigjonte Kadareja, ndërsa Lasgushi i kthehet: “E vramë! E vramë! Pasi poeti mban pëgjegjësi për gjithçka!”
Një shkrimtar i paemër la këtë shënim më 23 Gusht 1939: “… Por gjithçka mori fund. Po të isha vërtet shkrimtar, duhet të tregohesha i aftë për të penguar luftën”. Kush ia ka dhënë këtë mision shkrimtarit?! Askush! Askush veç vetes së tij! Shkrimtari grumbullon pafund kaos brenda vetes; sa më shumë që të mbledhë, aq më shumë i ngjan botës; ai e urren këtë kaos dhe përpiqet që ta mposhtë, ai për asnjë çast, nuk heq dorë nga shpresa se po ta fitojë këtë luftë do ta shpëtojë botën.
Nga ana tjetër, Emil Cioran shprehet: “Të prodhosh letërsi është një lehtësim i jashtëzakomshëm. Të botosh, jo më pak. Një libër që botohet është jeta juaj, ose të paktën një pjesë e jetës suaj që bëhet diçka e huaj, që s’ju përket më ju, që nuk ju rraskapit më. Të shprehurit ju bën më të lehtë, ju varfëron, ju shkarkon nga barra e vetvetes; ai është humbje e substancës dhe… liri. Ai ju kullon, ju shpëton; pra, përlan me vete një pengesë të madhe. Kur dikush ju ngjall krupën, aq shumë saqë doni ta zhdukni fare; më e mira do të ishte që të merrnit një fije letër dhe të shkruanit në të shumë herë se X person është një qelbanik, një batakçi, një monstër; dhe do të vëreni se e urreni më pak, se nuk mendoni pothuajse fare më për hakmarrje. Pak a shumë, kjo është ajo që kam bërë ndaj vetes dhe botës… (duke shkruar)”

Duke përfunduar, do të thosha se krijimi i ngjan ngjitjes së një mali; sa më i lartë mali, aq më i thellë krijimi. Shumë njerëz ngjiten tek kështjella e Lezhës, jo pak dalin edhe në majë të Velës… por shumë më pak ngjiten në Kilimanxharo apo në Everest.
Në fund të fundit, një shkrimtar është një krijues dhe si i tillë, në kuptimin e krijimit, është i njëjtë me Krijuesin; prandaj, ai duhet të ndihet i plotësuar brenda vetes, pavarësisht nga raporti me lexuesin, pasi edhe Krijuesi është një dhe i vetëm.
Dhe tani, harrojini të gjitha dhe prisni muzën e krijimit!

Natyrë e Qetë me Pulë-Danielle Pieratti

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Natyrë e Qetë me Pulë-Danielle Pieratti

 

Ti e do mekanikun që jeton
në kodër, meremetuesin e gropаve. Tërë mëngjesin
i çojmë kuаjt përgjаtë gаrdhit prej teli

në bаltë. Jа dhe Glendа
me një pulë në qese. E kа kаpur ngа këmbët.
Pаsdite vonë shkojmë në kodër

të numërojmë lopët. Kullotа është e lаgësht,
dhe e zorshme. Mekaniku u lаrguа
me kаmionin e tij, me një vаjzë.

 

Përktheu: Viktoras Iliopoulos

DITËS SË FLOKËVE TË HUMBUR-Brikena Qama

in Letërsi/Tharm by

DITËS SË FLOKËVE TË HUMBUR-Brikena Qama

 

4 shkurt

Si dje,
ndoshta dje,
ishte kur ime më m’i preu sërish flokët shkurt.
Sipas saj, fytyra ime është shumë e imët për të patur një shtëllungë kaq të madhe të leshtë sipër vetes.
Ç’i do, thoshte sa herë e përsëriste ritualin,
sa më shpesh t’i presim aq më të bukura bëhen, dhe vazhdonte të priste, duke hapur e mbyllur gojën sa herë hapej e mbyllej gërshëra.
Unë asnjëherë nuk kundërshtova, edhe pse i ndieja si copa shpirti ato onde që më binin rrotull vetes.
Ashtu është, thosha se brendshmi, do të bëhen më të bukura,
deri vitin tjetër kur të jenë prehur mirë e mirë gërshërët.
Sot para pasqyrës i kujtova të gjitha.
Nuk arrita të thinjem,
të bëja prova se cila ngjyrë do të dukej bukur, veshur ondeve të mia.
Flokët e mi janë një shuk sintetik në kokën e një kukulle bujare, që çuditërisht më ngjan
e që m’i jep sa herë dua të mbuloj mungesën e ondeve të mia.

_______

Kushtuar ditës ndërkombëtare kundër kancerit.

1 67 68 69 70 71 190
Go to Top