Si ndryshojnë ëndrrat në autoritarizëm/Mireille Juchau

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Kur nazistët erdhën në pushtet, shkrimtarja Charlotte Beradt filloi të mblidhte ëndrra. Çfarë mësoi ajo?
Ëndrrat që shihnin gjermanët në kohën kur nazistët ishin në pushtet, zbulonin efektet që regjimi linte në pavetëdijen kolektive.

    Mireille Juchau

Jo shumë kohë pasi Hitleri erdhi në pushtet, në vitin 1933, një grua tridhjetë vjeçare në Berlin pa një seri ëndrrash të çuditshme. Në njërën prej tyre, lagjes së saj i ishin hequr shenjat treguese të zakonshme, të cilat ishin zëvendësuar me postera që rendisnin njëzet fjalë të ndaluara: E para ishte “Zot” dhe e fundit ishte: “Unë”. Në një tjetër, gruaja u gjend e rrethuar nga punëtorë; një mjelës, një punonjës karburanti, një gazetar dhe një hidraulik. Ajo u ndje e qetë, derisa pikasi midis tyre një pastrues oxhakësh. (Në familjen e saj, fjala gjermane “pastrim oxhaku” ishte kod për S.S., ‘eses’.) Burrat treguan faturat dhe bënë një përshëndetje naziste. Pastaj kënduan këngën: “Faji juaj nuk mund të vihet në dyshim”. Këto janë dy nga rreth shtatëdhjetë e pesë ëndrrat e mbledhura në librin: “Rajhu i Tretë i Ëndrrave”, një libër i çuditshëm, magjepsës, i shkrimtares Charlotte Beradt. As studim shkencor dhe as tekst psikanalitik, “Rajhu i Tretë i Ëndrrave” nuk është një ditar kolektiv, një rrëfim i dëshmitarëve, ardhur nga muzgu i një kombi nën dritën e kriminalistikës. Libri u botua, në Gjermani, në vitin 1966; një përkthim në anglisht, nga Adriane Gottwald, u botua dy vjet më vonë, por që atëherë nuk ka patur më ribotime. (Pavarësisht nga interesi i vazhdueshëm i botuesve, askush nuk ka mundur ta gjejë trashëgimtarin e Beradt-it, i cili mban të drejtat e autorit.) Por libri meriton të rishqyrtohet, jo vetëm sepse ne shohim jehonën e populizmit, racizmit dhe shijes së mbikëqyrjes, që ishin pjesë e kohës së Beradt-it, por sepse nuk ka asgjë tjetër si ai në letërsinë e Holokaustit.
“Këto ëndrra – këta ditarë të natës – u konceptuan në mënyrë të pavarur nga vullneti i vetëdijshëm i autorëve të tyre”, shkruan Beradt-i. “Ata ishin, si të thuash, të diktuar nga diktatura.”
Beradt – e cila lindi si Charlotte Aron, në Forst, një qytet pranë kufirit gjermano-polak – ishte gazetare hebreje. Ajo ishte vendosur në Berlin në kohën kur Hitleri u bë Kancelar, në vitin 1933. Atë vit ajo u ndalua ta botonte punën e saj; ajo dhe burri i saj, Heinz Pol, u arrestuan gjatë tubimeve masive të komunistëve që filluan pas miratimit e Dekretit të Djegies së Reichstag-ut.. Pas lirimit, ajo filloi të regjistronte fshehurazi ëndrrat e bashkë-gjermanëve të saj. Për gjashtë vjet, ndërsa hebrenjtë gjermanë humbën shtëpitë, punën dhe të drejtat e tyre, Beradt-i vazhdoi të mbante shënime. Deri në vitin 1939, ajo kishte mbledhur treqind ëndrra. Projekti ishte i rrezikshëm, jo ​​vetëm ngaqë ajo ishte e njohur për regjimin. Pol, i cili dikur kishte punuar për Vossische Zeitung, gazeta kryesore gjermane liberale, shumë shpejt iku në Pragë, dhe Beradt-i përfundimisht iu bashkua burrit të saj të ardhshëm, shkrimtarit dhe avokatit Martin Beradt.
Beradtët jetonin në Charlottenburg – një periferi kryesisht hebraike e Berlinit, e cila ishte shtëpia e figurave të tilla si Walter Benjamin dhe Charlotte Salomon – dhe ëndrrat që Beradt-i mblodhi, pasqyrojnë mjedisin laik të klasës së mesme të zonës. “Entuziastët”, “burrat-pro” apo njerëzit që patën favore nga regjimi nuk ishin të arritshëm për mua”, shkruan Beradt-i. “Unë pyesja rrobaqepësen, fqinjën, tezen, mjelësen, miken – përgjithësisht pa e zbuluar qëllimin tim, sepse doja përgjigjet më të sinqerta dhe më të paprekura të mundshme.” Në rrethin e miqve të saj përfshihej një mjek, i cili “pa vërejtje” mund të anketonte pacientë në praktikën e tij të punës.
Për të mbrojtur veten dhe ata që intervistonte, Beradt-i i fshehu transkriptimet e saj brenda librave dhe më pas i vendosi në bibliotekën e saj private. Ajo i maskoi figurat politike, duke i kthyer ëndrrat me Hitlerin, Göring-un dhe Goebbels-in në “anekdota familjare” për xhaxhallarët Hans, Gustav dhe Gerhard. Sapo djegiet e librave dhe bastisjet e shtëpive u bënë elemente të kontrollit të shtetit, Beradt-i ua dërgoi me postë shënimet e saj miqve jashtë shtetit. Në vitin 1939, ajo dhe Martin-i u larguan nga Gjermania dhe përfundimisht mbërritën në New York si refugjatë. Ata u vendosën në West End Avenue dhe banesa e tyre u bë vend mbledhjesh për kolegët e tyre, të tillë si: Hannah Arendt (për të cilën Beradt-i përktheu pesë esé politike), Heinrich Blücher dhe piktori Carl Heidenreich. Në vitin 1966, pasi nxori transkriptet e saj, Beradt-i më në fund i botoi ëndrrat në Gjermani, me titull: “Das Dritte Reich des Traums”.
“Rajhu i Tretë i Ëndrrave” shpaloset në njëmbëdhjetë kapituj, të renditur me simbole dhe shqetësime të vazhdueshme. Epigrafët e Arendt-it, Himmler-it, Brecht-it dhe Kafka-s, e ushqejnë materialin surreal që pason dhe kapitujt titullohen me figura emblematike – “The Non-Hero”(Joheroi), “Those Who Act” “Ata që veprojnë” – dhe citate gnomike si “Asgjë nuk më jep më kënaqësi”. Këta tituj përforcojnë tezën e librit: se lidhjet midis jetës zgjuar dhe asaj të ëndrrave janë të padiskutueshme, madje edhe se mund të provohen. Në një pasthënie, psikologu i lindur në Austri, Bruno Bettelheim, vëren shumë ëndrra profetike të koleksionit, në të cilat, që në vitin 1933, “personi që i sheh këto ëndrra mund të dallojë thellë-thellë sesi është sistemi.”
Ashtu si historitë gojore të Svetlana Alexievich-it për qytetarët sovjetikë të pasluftës, puna e Beradt-it zbulon efektet e regjimeve autoritare në pavetëdijen kolektive. Në vitin 1933, një grua sheh në ëndërr një makinë të leximit të mendjes; “një labirint telash” që zbulon se ajo e quan Hitlerin me fjalën “djall”. Beradt-i hasi disa ëndrra për kontrollin e mendimit, disa prej të cilave parashikonin absurditetet burokratike të përdorura nga nazistët për të terrorizuar qytetarët. Në një ëndërr, një grua njëzet e dy vjeçare që beson se hunda e saj e lakuar do bëhet shkak që ajo të regjistrohet si hebreje, merr pjesë në “Byronë e Verifikimit të Prejardhjes Ariane” – jo një agjensi e vërtetë, por mjaft afër atyre të kohës. Në një seri “përrallash burokratike” që evokojnë propagandën e jetës reale të regjimit, një burrë ëndërron pankarta, postera dhe zëra nga oborri i kazermave që shqiptojnë një “Rregullore që Ndalon Tendencat e Mbetura Borgjeze”. Në vitin 1936, një grua sheh në ëndërr një rrugë me dëborë plot me orë dhe stoli. E tunduar për të marrë një pjesë prej tyre, ajo ndjen një sinjal të ardhur nga “Zyra për Testimin e Ndershmërisë së të Huajve”.
Këto ëndrra zbulojnë sesi hebrenjtë dhe johebrenjtë gjermanë u përplasën me bashkëpunimin dhe pajtueshmërinë, paranojën dhe neveritjen ndaj vetes, edhe pse, gjatë jetës që bënin kur ishin zgjuar, ata i fshihnin këto beteja; nga të tjerët dhe nga vetja. Ato janë të ndërthurura me komentin e mprehtë dhe të pazbukuruar të Beradt-it, i cili thellohet nga përvoja e saj me nazizmin dhe emigracionin. Duke vënë në plan të parë ëndrrat, në vend që t’i zbresë ato në materiale dytësore shumëngjyrëshe në një histori më konvencionale, Beradt-i lejon që detajet fantastike të flasin më fort se çdo interpretim. Libri i saj kujton fotomontazhet e Hannah Höch-it, në të cilat objektet, teksti dhe imazhet copëtohen nga media gjermane dhe vendosen në skenë, duke prodhuar skenarë të papritur, që duken edhe më të sinqertë për shkak të çuditshmërisë së tyre. Disa herë, “Rajhu i Tretë i Ëndrrave” i bën jehonë edhe Hannah Arendt-it, e cila e pa sundimin totalitar si “me të vërtetë total në çastin që e mbyll darën e hekurt të terrorit në jetën private shoqërore të subjekteve të tij”.
Beradt-i duket se pajtohet me këtë tezë – ajo i kuptonte ëndrrat në vazhdimësi me kulturën në të cilën ato ndodhnin – por ajo gjithashtu i paraqet ëndrrat si një sferë të shprehjes së lirë që reziston atëherë kur jeta private bie nën kontrollin e shtetit. Në kushte të tilla, personi që sheh ëndrrën mund të sqarojë atë që mund të jetë shumë e rrezikshme për t’u përshkruar gjatë jetës që bën zgjuar. Beradt-i tregon ëndrrën e pronarit të një fabrike, Herr S., i cili nuk arrin dot të bëjë një përshëndetje naziste gjatë një vizite të Goebbels-it. Pasi ai lufton rreth gjysmë ore për të ngritur krahun, shtylla kurrizore i dëmtohet. Ëndrra ka nevojë për pak shtjellim, shkruan Beradt-i; është shkatërrueshmërisht e qartë dhe pothuajse vulgare”. Në një periudhë gjatë së cilës individi u reduktua në një parazit apo në një anëtar të një turme pa fytyrë (“Unë pashë në ëndërr që nuk isha më në gjendje të flisja përveçse në kor me grupin tim”), ëndrrat ofruan një mundësi të rrallë për të rikthyer ndjenjën e reagimit.
Libri i Beradt-it nuk përfshin ndonjë ëndërr me përmbajtje fetare dhe nuk ka asnjë ëndërr prej hebrenjve të Evropës Lindore që jetonin përtej qytetit, në Grenadierstrasse dhe Wiesenstrasse – domethënë hebrenjtë që tashmë u kishin mbijetuar masakrave. Por këto mungesa nuk i heqin detajet e gjalla e të pashlyeshme të Beradt-it, të cilat e thellojnë kuptimin tonë të jetës gjatë viteve të para të nazizmit – një periudhë ende e lënë në hije në letërsi nga tregimet e vrasjeve masive dhe luftës. Në veçanti romani është studim i Beradt-it për shumë gra urbane – hebreje dhe johebreje – të cilat rrëfejnë jetën e tyre (gjatë ëndrrave). Këtu është Göring-u duke u përpjekur të kërkojë kuturu në filma një shitëse; atje është Hitleri, me rroba mbrëmjeje, në Kurfürstendamm, duke përkëdhelur një grua me njërën dorë dhe duke shpërndarë propagandë me tjetrën. “Nuk mund të ketë përshkrim më të hollësishëm të ndikimit të Hitlerit në sektorin e madh të popullsisë femërore të Gjermanisë”, shkruan Beradt-i.
Por ëndrrat përshkruajnë edhe gra – të katandisura në gra të bindura dhe bartëse fëmijësh, në propagandën naziste – të cilat kërkojnë një autoritet më të madh shoqëror. Në një rast, një grua sapo është klasifikuar nga ligjet racore si çerek hebreje. E megjithatë, në një ëndërr, ajo drejtohet nga Hitleri poshtë një shkallë të madhe. “Kishte një turmë njerëzish atje poshtë dhe një bandë po luante, e unë isha krenare dhe e lumtur,” i tha ajo Beradt-it. “Kjo nuk e shqetësoi aspak Fyhrer-in tonë, që të shfaqej në publik me mua.”
Kapitulli i fundit i “Rajhut të Tretë të Ëndrrave” është rezervuar për ata që – të paktën në ëndrrat e tyre – i rezistuan regjimit (“Unë pashë në ëndërr se ishte e ndaluar të ëndërroja, por megjithatë e bëra.”) dhe për ata që ishin hebrenj. Beradt-i shkruan se ëndrra të tilla “përbëjnë një kategori të veçantë, ashtu siç vetë hebrenjtë ishin një kategori e veçantë në regjimin nazist” dhe ishin në qendër të “terrorizmit të drejtpërdrejtë, jo indirekt”. Një mjek hebre sheh në ëndërr se ai është i vetmi mjek në Rajh që mund ta shërojë Hitlerin. Kur ai ofron të dhurojë shërbimet e tij, një riosh biond prej shoqëruesve të Hitlerit bërtet: “Çfarë! Ti hebre gërmuq – pa një krunde në xhep? ” Më vonë, një avokat hebre ëndërron të udhëtojë nëpër Lapland-in e akullt për të prekur “vendin e fundit në Tokë ku hebrenjtë tolerohen ende” – por një zyrtar doganor, “i përskuqur si një derrkuc i vockël marzipan”, e hedh pasaportën e burrit mbi akull. Përpara, e paarritshme, toka e premtuar vezullon «e gjelbërt në diell». Ishte viti 1935. Gjashtë vjet më vonë, do të fillonin dëbimet masive… Në Gjermani, “Rajhu i Tretë i Ëndrrave” u rishikua si “provë befasuese dhe mbërthyese” dhe si një “dokument i rëndësishëm historik”. Siç ka vërejtur psikanalistja Frances Lang, është e çuditshme, pra, që libri i Beradt-it ka shkuar “në të vërtetë i panjohur” në Amerikë. Ndoshta ishte e vështirë për një histori të tillë idiosinkratike, që të konkurronte me çështjet më urgjente e të drejtpërdrejta që u shfaqën në ato vite.
Libri është bashkëkohës me librat “Eichmann-i në Jeruzalem” i Arendt-it, ashtu si edhe me “Shkatërrimi i Hebrenjve Evropianë” të Raul Hilberg-ut. E megjithatë ka ende kohë që koleksioni të hyjë në standardet e letërsisë së Rajhut të Tretë dhe që ndoshta të përhapet më shumë.
Lang-u, e cila bënte praktikën në Boston, mësoi për punën e Beradt-it përmes shënimit të Frojdit në një fusnotë tek “Interpretimi i Ëndrrave” dhe shkroi për këtë në Journal of the American Psychoanalytic Association. Në praktikën e saj ajo ka vërejtur një shqetësim të shtuar pas zgjedhjes së Trump-it. Ajo u ka kërkuar miqve dhe kolegëve të saj që të fillonin t’i mbanin shënim ëndrrat.
______

Mireille Juchau, romanciere, eseiste dhe kritike, është autore e veprave “The World Without Us ” dhe “Burning In”.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top