“Game of Thrones” preku thelbin e frikërave nga revolucioni dhe gratë në politikë, por nuk na la më mirë se ç’ishim më pare/Slavoj Zizek

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se skenari është shkruar nga dy burra. Daenerys-i si Mad Queen është fund e krye fantazi mashkullore, kështu që kritikët kishin të drejtë kur theksuan se katandisja në çmenduri nuk u arsyetua psikologjikisht. Pamja e tërbuar dhe çmendurake e Daenerys-it që fluturonte mbi dragua duke djegur shtëpi dhe njerëz, shpreh ideologjinë patriarkale, e cila mbart frikën e një gruaje të fortë politike.

     Slavoj Zizek

Sezoni i fundit i serialit televiziv “Game of Thrones” (Froni i shpatave) nxiti protestë publike dhe kulmoi me një peticion të nënshkruar nga pothuajse 1 milion shikues të zemëruar për ta anuluar të gjithë sezonin dhe për të xhiruar nga fillimi një seri të re. Ashpërsia e madhe e debatit është në vetvete provë se rreziqet ideologjike duhet të jenë të mëdha.

Pakënaqësia kishte të bënte me disa pika; skenar i keq nën presionin për ta përfunduar shpejt serialin,  thjeshtëzimi i rrëfimit tejet të ndërlikuar, motivim i dobët psikologjik e i keq, kthimi i Daenerys-it  në “Mad Queen”  nuk përligjej nga mënyra si u zhvillua ky personazh), etj.

Një nga pak zërat inteligjentë në debat ishte ai i autorit Stephen King, i cili vuri në dukje se pakënaqësia nuk u krijua nga fundi i keq, por nga përfundimi i serialit. Në epokën tonë të serialieve që në parim mund të vazhdojnë pafundësisht, ideja e përfundimit të rrëfimit bëhet e patolerueshme.

Është e vërtetë se në zgjidhjen e shpejtë të serialit ka logjikë të çuditshme në zhvillimin e ngjarjeve, logjikë që nuk cenon psikologjinë e personazheve, por më tepër pritshmëritë e hamendësuara rrëfimore që krijohen për një serial televiziv. Në sezonin e fundit, thjesht përgatitja për një betejë, zija dhe shkatërrimi pas betejës dhe vetë beteja në të gjitha kuptimet e saj, për mua është shumë më realiste sesa subjektet e zakonshme gotike melodramatike.

Sezoni i tetë paraqet tri luftëra të njëpasnjëshme. E para është midis njerëzimit dhe “Të tjerëve” “çnjerëzorë” (Ushtria e Natës nga veriu i udhëhequr nga Mbreti i Natës); e dyta midis dy grupeve kryesore njerëzorë (Lannisters i keq dhe koalicioni kundër tyre i udhëhequr nga Daenerys dhe Starks); dhe i treti, konflikti i brendshëm midis Daenerys dhe Starks.

Kjo është arsyeja pse betejat në sezonin e tetë ndjekin një vijimësi logjike nga konflikti i jashtëm në konfliktin e brendshëm; mposhtjen e Ushtrisë çnjerëzore të Natës, mposhtjen e Lannisters dhe shkatërrimin e Kings Landing; lufta e fundit midis Starks dhe Daenerys-it, në të vërtetë midis fisnikërisë tradicionale “të mirë” (Starks), i cili mbron besnikërisht njerëzit e tyre nga tiranët e këqinj, dhe Daenerys-it, tipi i ri i udhëheqësit të fortë, një lloj Bonapartisti përparimtar që vepron në emër të të paprivilegjuarve.

Rreziqet në konfliktin përfundimtar janë të kësaj natyre; a duhet që revolta kundër tiranisë të jetë vetëm një luftë për kthimin e versionit të vjetër të të njëjtit rend hierarkik, apo  duhet të shndërrohet në kërkim të një rendi të ri të nevojshëm?

Përfundimi kombinon refuzimin e ndryshimit rrënjësor me një motiv të vjetër anti-feminist të cilin e përdor kineasti Fabian Wagner. Për Wagner-in, nuk ka gjë më të neveritshme se një grua që ndërhyn në jetën politike, e nxitur nga dëshira për pushtet. Në dallim nga ambicia e meshkujve, një grua dëshiron fuqi për të nxitur interesat e saj të ngushta familjare ose, edhe më keq, kapriçion e saj personale, sepse është e paaftë për të perceptuar dimensionin universal të politikës shtetërore.

I njëjti feminitet, i cili brenda rrethit të ngushtë të jetës familjare është fuqia mbrojtëse e dashurisë, kthehet në sjellje të tërbuar, arrogante, kur shfaqet në nivelin e veprimeve publike dhe shtetërore. Kujtoni pikën më të ulët në dialogun e “Game of Thrones”, kur Daenerys i thotë Jon-it se nëse ai nuk mund ta dashurojë atë si mbretëreshë atëherë frika duhet të sundojë – motivi i skiletshëm, vulgar, i një gruaje të pakënaqur seksualisht që shpërthen në tërbim shkatërrues.

Por, le të vijmë tek thelbi tani, ç’të themi për shpërthimet vrastare të Daenerys? A mund të justifikohen vrasjet e pamëshirshme të mijëra njerëzve të zakonshëm në Kings’ Landing si veprim i domosdoshëm për lirinë universale? Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se skenari është shkruar nga dy burra.

Daenerys-i si Mad Queen është fund e krye fantazi mashkullore, kështu që kritikët kishin të drejtë kur theksuan se katandisja në çmenduri nuk u arsyetua psikologjikisht. Pamja e tërbuar dhe çmendurake e Daenerys-it që fluturonte mbi dragua duke djegur shtëpi dhe njerëz, shpreh ideologjinë patriarkale, e cila mbart frikën e një gruaje të fortë politike.

Fati përfundimtar i grave udhëheqëse në “Game of Thrones” i përshtatet këtyre koordinatave. Edhe nëse Daenerys-i i mirë fiton dhe shkatërron Cersei-n e keq, pushteti e korrupton atë. Arya (e cila i shpëtoi të gjithë duke vrarë me një dorë Mbretin e Natës) zhduket gjithashtu duke lundruar në Perëndim të Perëndimit (sikur po kolonizonte Amerikën).

Ajo që mbetet (si mbretëresha e mbretërisë autonome të Veriut) është Sansa, lloji i grave që e do kapitalizmi i sotëm; ajo  kombinon butësinë dhe mirëkuptimin femëror me një dozë të mirë intrigash duke iu përshtatur plotësisht marrëdhënieve të reja të pushtetit. Ky margjinalizim i grave është një moment i rëndësishëm i mësimit të përgjithshëm liberal-konservator të mbylljes së serialit; revolucionet duhet të përfundojnë keq, ato sjellin tirani, ose, ashtu siç Jon i tha Daenerys-it: “Njerëzit që të ndjekin ty e dinë se ke bërë të ndodhë diçka të pamundur. Ndoshta kjo i ndihmon ata të besojnë se mund të bëni gjëra të tjera të pamundura; të ndërtojë një botë që është ndryshe nga kjo botë e kotë që e dinë mirë si është. Por nëse ti përdor dragonjtë për të shkrirë kështjellat dhe për të djegur qytetet, ti nuk je ndryshe nga ata.”

Rrjedhimisht, Jon vret për shkak të dashurisë (duke e shpëtuar gruan e mallkuar nga vetja, siç thotë formulari i vjetër mashkullor-shovinist), i vetmi agjent shoqëror në seritë që me të vërtetë luftojnë për diçka të re, për një botë të re që do t’i jepte fund padrejtësive të vjetra .

Kështu, drejtësia triumfoi, por çfarë drejtësie? Mbreti i ri është Bran; i gjymtuar, i gjithëdijshëm, i cili nuk dëshiron asgjë, duke i kujtuar mençurisë së zbrazët që sunduesit më të mirë janë ata që nuk duan pushtet. E qeshura përçmuese që ngjall propozimi i njërës nga elitat e reja për përzgjedhje më demokratike të mbretit i tregon të gjitha.

Dhe nuk mund të mos theksojmë se ata që janë besnikë ndaj Daenerys deri në fund, janë më të ndryshëm,  komandanti i saj ushtarak është i zi,  ndërsa sundimtarët e rinj janë dukshëm Nordikë të bardhë. Mbretëresha radikale që donte më shumë liri për të gjithë, pa marrë parasysh pikëpamjet dhe racën e tyre shoqërore, eliminohet dhe gjërat kthehen në normalitet.

Përktheu: Granit Zela

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top