NJË PRITJE E GJATË-MAX AUB

in Letërsi/Tharm by

MAX AUB

Meksikë, 1903 – 1972

Bënte një i ftohtë i lemerishëm. Kishim lënë të takoheshim në shtatë e një çerek, tek kryqëzohet Rruga Ventusiano Karranca me Huan de Letran. Nuk jam nga ata njerëzit e palogjikshëm që e respektojnë me përpikëri orarin, duke e përnderuar si të qenkësh një perëndi e pazakontë. E kuptoj se koha nuk është e ngurtë dhe se, kur i thonë dikujt në shtatë e një çerek, mund të jetë edhe në shtatë e gjysmë. Unë kam parimin për të mirëkuptuar çdo gjë. Përherë kam qenë tolerant: një liberal me një edukatë të shëndoshë. Ama ka gjëra që nuk mund të durohen, sado liberal të jesh. Duke qenë vetë i përpiktë në takime, nuk i detyroj të tjerët që të jenë edhe ata ashtu, ama ka një kufi; dhe ju do të më jepni të drejtë që ky kufi ekziston. Siç ju thashë, bënte një i ftohtë i tmerrshëm. Dhe atë kryqëzim të mallkuar e rrihnin erërat nga të katër anët. Shtatë e gjysmë, tetë pa njëzet, tetë pa dhjetë. Tetë. Është e natyrshme që ju të pyesni: pse nuk ike? Por çështja është shumë e thjeshtë: unë jam një person që i qëndroj fjalës së dhënë, quajeni po deshët se jam i brumit të vjetër; pra, kur e marr përsipër një gjë, do ta kryej medoemos. Hektori më kishte lënë takim në shtatë e një çerek dhe as që më shkonte ndërmend të mos shkoja në atë takim. Tetë e një çerek, tetë e njëzet, tetë e njëzet e pesë, tetë e gjysmë, ndërsa Hektori nuk po dukej. Kisha ngrirë së ftohti plotësisht: më thernin këmbët, më sëmbonin duart, më shponte gjoksi, më dhembnin deri edhe flokët. Ç’është e vërteta, po të kisha veshur pallton time ngjyrë kafe, me siguri asgjë nga këto nuk do të më kishte ndodhur. Por kjo është çështje fati, sepse në tre pasdite, kur dola nga shtëpia, në të vërtetë, nuk frynte pikë ere. Nëntë pa njëzet e pesë, nëntë pa njëzet, nëntë pa një çerek. I mavijosur, i ngrirë deri në palcë. Në nëntë pa dhjetë, mbërriti ai: i qetë, i qeshur, i kënaqur. Me pallton e madhe, të trashë, me dorashka me gëzof nga brenda:
– Ç´kemi, vëllaçko!
Aty m´u sos durimi. Nuk u përmbajta dot më: i dhashë një të shtyrë dhe e hodha nën rrotat e trenit që po kalonte aty.

Përktheu Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.
Go to Top