Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.
Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Eli Kanina.
Vijon më poshtë.
Pse shkruaj?-Eli Kanina
Shkruaj sepse kam patur aftësi shumë më të pakta të këndoja, të pikturoja, të vallëzoja, edhe pse i pëlqej këngët, pikturat, vallet, dhe gjithçka që frymëzohet nga e bukura. Ndërkohë që inkurajimet për të shkruar i kam ndier e përjetuar drithshëm që në hartimet e para letrare, që më diferenconin dukshëm dhe ku përpëlitesha nga dëshirat e panumërta, për të komunikuar me botën, për të qenë pjesë e saj, për të ndikuar tek ajo, për të përfituar prej saj, për të lënë gjurmën time në të dhe vetëm duke i shkruar të gjitha, bota do më njihte e do më jepte meritat…
Shkruaj sepse më mungon fëmijëria, më mungojnë njerëzit që më kanë ndikuar në çaste të ndryshme të rritjes sime, më mungojnë vende dhe kohë, peizazhe dhe ngjarje, data dhe rrethana, që më kanë përmbushur ëndrra, më mungojnë sidomos ëndrra që nuk më janë realizuar prej mungesave. Por më mundon shumë edhe e nesërmja e ditëve të mia, e fëmijëve të mi, e vendit tim, e njerëzve të mi, e kauzave të mia, që më vjen si një kuriozitet apo mister, një padurim për ta ditur, që ngutem ta parashikoj apo ta sistemoj në mendje siç dua unë, duke e parathënë në ato që shkruaj.
Shkruaj sepse, duke u rritur gjendem përpara një bote më të madhe e më të ndërlikuar se mua, që nuk më kupton, që nuk më pranon, që më kufizon, që më deformon pa mundur të më zhbëjë, ndaj përpiqem ta shpjegoj veten nëpër shkrimet e mia dhe përmes tyre të mirëkuptohem për ç’jam e ç’dua, ta josh e t’i pëlqej kësaj bote, aq sa mundem.
Shkruaj sepse, kur nuk më pëlqen bota gri plot klithma e kthetra, me realitetin që më rrethon dhe nuk mund ta ndryshoj dot, atëherë për ta shmangur presionin e një përditshmërie të tillë krijoj një botë siç e dëshiroj unë, me nuanca të ëmbla dhe tinguj të butë e të ngrohtë, edhe si një pellush ngushëllues për vete, edhe si strehë shpirtrash për ata që më përngjajnë.
Shkruaj sepse, kam lexuar kaq shumë histori dhe rrëfime, kam njohur e jam shoqëruar nga shumë personazhe e vende, që i përdor nga fëmijëria e në vazhdim, u rikthehem dhe përpiqem të identifikohem me cilësi të tyre, jam mrekulluar nga udhëtimet imagjinare dhe kam përjetuar kaq ngjarje nëpër libra, sa më duket sikur kam qenë edhe atje ku nuk kam shkelur kurrë. Fillimisht i kam bërë pjesë të bisedave të mia, derisa më janë ngulitur si pjesë e ndërgjegjes sime, e më pas si përmbushje emocionale. Vetëm duke i shkruar e përndarë me të tjerët emocionet dhe gjithçka mbart si shprehje e citate, më duket sikur ua zgjas disi jetën, pa i murosur brenda vetes, herë duke iu referuar si një vazhdimësi, e herë duke i përpunuar si një tharm, i përjetësoj në librat e mia sipas stilit tim të të shkruarit.
Shkruaj sepse eksperiencat e mia personale e profesionale përgjatë viteve të shkollës dhe të punës, më kanë pjekur me shumë njerëz, me të cilët kam dhënë e kam marrë. Jam lumturuar, jam lënduar, por edhe kam m(p)ësuar prej tyre. Teksa shpjegohem, mirkuptohem, përmirësohem, marr e dhuroj më tepër dashuri, nëse përçohem tek lexuesit, shumfishohem nga energjia e tyre për të vazhduar. Nga një masë e ngurtë, ndihem plastelinë që marr formën më të bukur, shndërrohem në një rrjedhë që thellon shtratin dhe përmbyt lugina teksa shkruaj.
Shkruaj sepse dëshiroj shumë që fëmijët e mi, si një amanet, përmes atyre që kam shkruar, të më duan, të më falin, të më dinë edhe më tepër sesa rrobat e lara në komo e dollap, si dhe pjata që u vë përpara mbi tryezë… Dua të më gjejnë nëpër libra dhe të më plotësojnë përmes shkrimeve si një pazëll (puzzle) dashurie. Kur të mos u jem më pranë që t’i këshilloj, duke komunikuar ndryshe nën dritën e atyre që s’ua kam thënë si vogëlushë, por ua kam lënë të shkruara, të kthehen tek mua si pasionantë librash, të më nënkuptojnë mes rreshtash, heshturazi, në një kohë tjetër…
Shkruaj sepse u detyrohem të gjithë atyre njerëzve që më deshën në jetën time, më ndihmuan e vlerësuan, u jam mirënjohëse dhe si një hajmali u lë të shkruara ndjesitë e mia nëpër libra. Sa herë t’i marrin në dorë, të krenohen se nuk u shkoi dëm fjala dhe përqafimi që më dhanë, pse jo, edhe të ndihen të shpërblyer. Por edhe për ata që më penguan apo nuk ditën të më donin siç i desha, që nuk ndalën një herë të më pyesin apo nuk ma hodhën njëherë dorën në qafë, librat e mi vijnë si një formë ndjese e pendese, që nuk dita t’ua zbuloj vetveten më të mirë apo si një mundësi a shans i dytë për të më patur gjithsesi pranë.
DUKE SHKRUAR…
Duke shkruar, shpalos veten në të gjithë dimensionet, siç kam synuar tek libri im i parë me poezi “Gruaja dhe muret prej pasqyrash” ku unë qëndroj përballë mureve që më rrethojnë, që nga familja (prindërit, vëllai, motrat, fëmijët, bashkëshorti), kolegët, miqësia, të njohurit, etj. Shpalosem përmes gjithë grupimeve sociale ku përfshihem, që prej krahinës nga vij, prej profesionit e trajnimeve të mia, si dhe prej pasioneve të mia. Unë duke shkruar jam pasqyruar dhe njëkohësisht i reflektoj, këto mure prej pasqyrash.
Duke shkruar shpreh ëndrrat dhe dëshirat e mia me fisnikërinë e një mjelme, ashtu siç vij në botimin e dytë me poezi “Ëndrra mjelmash, të purpurta”, ku dashuria është filli i purpurt që përshkon gjithë librin. Të duash, duke dashur e respektuar veten, por edhe sipas mënyrës tënde, kjo është sfida ime. Si në të jetuar, edhe në të shkruar, unë komunikoj me shpirt e me mendje, duke gjetur një harmoni mes të dyjave, për të qenë unike dhe që lexuesi ta ndiejë e vlerësojë po kështu. Përzgjedh ide e gjetje, nisem nga detaje të padukshme apo pres të pakapshmen që nga të tjerët mbetet e pakapshme, herë me syrin e një mjekeje, herë me shpirtin e një fëmije, i jepem dashurisë, e gjitha, ashtu siç shkruante Rita Levi-Montalcini se “janë të rrallë ata që përdorin trurin, të paktë ata që përdorin zemrën, unikë ata që i përdorin të dyja.”
Duke shkruar, unë vazhdoj të “Ndez qirinj pengjesh”, siç e kam titulluar librin e tretë me poezi. Sepse jeta nuk m’i ka kursyer edhe çastet e trishta, edhe mungesat, edhe dështimet, edhe ulje ngritjet, edhe zhgënjimet, edhe humbjet, prej të cilave jam motivuar për të vazhduar përpara. Pa rënë në pesimizëm, duke menduar pozitivisht, motoja ime mbetet shprehja e Marc Aurelius-it “Lumturia e jetës tënde varet nga cilësia e mendimeve që ke”.
Duke shkruar, meqenëse jam tepër e ndjeshme dhe e vëmendshme deri në detaj, për ato që më ndodhin rrëfehem për gjithçka përmes ndjenjës, mbetem e vërtetë aq sa ndjeshmërisë i jap gjithçka me gjithsej, por sidomos mbartjen e mendimit e qëndrimit tim tek lexuesit. E mbarsur me mendime, ndjenja ime, duke e shkruar, shkon tek lexuesit dhe lind ndjesitë e tyre, ripërtërihet nga ato. Këmbimi i ndjesive, në të shkruar e lexuar na zhvillon e mençuron ndër vite. Sipas OSHO-s “Ndjeshmëria është rroba më elegante dhe më e çmuar që inteligjenca mund të veshë”. Dhe ky ka qenë meraku, si betim apo bekim, që përcjell tek botimi im i katërt me poezi, për atë që më do dhe e dua, unë jepem e gjitha dhe ia dua “Krejtin Krejt”.
Duke shkruar, si qenie e papërsosur, që vjen nga mëkati dhe mëkaton njerëzisht, që jeton me mëkatin si pasion, si nevojë, si rebelim, si aventurë apo si domosdoshmëri, unë di të përballem më së miri me veten, ta pranoj dhe të mos e paragjykoj veten, ta marr me të mirë edhe kur jam fajtore apo notoj kundër rrymës. Përsa unë lumturohem prej vetes, edhe “Vetja ma shkel syrin”, duke më dashur e duke më surprizuar me eksperienca e ndjesi magjike, që m’i zbulon çdo herë, duke shkruar. Ky është edhe titulli i librit tim me tregime, ku unë rrëfehem duke e falur veten, të dashuruar dhe në paqe.
Duke shkruar, si një grua në prag të gjysmë shekullit, ndihem aq fëmijë sa ende kam dëshirë të sprovohem dhe aq e rritur sa të vendos për jetën time. Jam në fund të rinisë, dhe në fillim të pleqërisë dhe eksperiencat e deritanishme, më kanë sjellë në një moshë të artë, ku më duhet më tepër të korr ç’kam mbjellë dhe jo të mbjell që të korrem për të tjerët, e prej të tjerëve. Pra, dua të shijoj jetën, ndaj ia parapërcaktoj fatin vetes, me prioritetet, që përzgjedh të shkruaj, me besimin se Zoti do më dëgjojë lutjen e do më ndihë dëshirat. Për ata që nuk më kuptojnë, që më quajnë idiote apo të marrë, u përgjigjem me librin tim me poezi “Fallxhore e fatit tim”, shkruar për të thënë e bërë atë që dua. Tek e fundit, Josh Billings shkruan se “Mënyra më e mirë për ta bindur idiotin që e ka gabim, është ta lejosh të bëjë sipas mendjes së vet”.
Duke shkruar unë ndihem një grua e lirë. “Një grua e lirë është e kundërta e një gruaje të lehtë” shkruan Simone de Beauvoir. Nuk e kam privuar veten në ato që kam shkruar, pavarësisht paragjykimeve, nuk e kam marrë veten lehtë, por ia kam bërë më të lehtë gjërat. Gjithsesi erdhi një çast, që u sfidova përtej paragjykimeve të letërsisë femërore, kur liria mori një tjetër kuptim, si mungesë fizike e lëvizjes, veprimtarisë, jetës aktive, deri në asfiksi sociale. Pikërisht atëherë kur ndodhi e paimagjinueshmja, izolimi për shkak të pandemisë covidiane, unë i dhurova vetes një qiell vargjesh e rrëfimesh, dhe u vetëshpalla “Pronare qiejsh” me librin tim të karantinës me poezi dhe tregime.
Duke shkruar, përpiqem të përfshij lexuesit në mrekullimin që unë kam ndier nga leximi i librave ndër vite, fillimisht në bibiotekën e shkollës e asaj të qytetit dhe me kohë duke krijuar edhe biblotekën e shtëpisë sime. Bashkëjetesa me librat është ajo që sjell në librin “Fly with me ❤️”, libri me esé, ku unë udhëtoj me libra e autorë, si një ftesë bashkëbisedimi të gjithë dashamirësve të librit, por edhe si një joshje për të palexuarit. Duke përzgjedhur një mori librash të dashur për mua, rrëfej këndvështrimin tim për secilin, përmes rrethanave të jetës, kur dhe si i kam lexuar. Në ditët e sotme është e vështirë të bashkëbisedosh për librat e lexuar, ndaj duhet të gjesh mënyra interesante për t’i joshur, si ata që nuk i kanë lexuar titujt e tu, edhe ata që nuk kanë fare libra në shtëpi. Emilia Clarke thotë që “të mos i besosh askujt që e ka televizorin më të madh se raftin e librave” dhe fatkeqësisht rafti i librave sa vjen e humbet në shtëpitë moderne, ç’ka e kthen të shkruarin në një sfidë…
Unë si ëndërrimtare e pandreqshme, vazhdoj të lexoj, sepse besoj se libri mbetet magji, që jo vetëm e shijoj si thesar, por edhe e zgjedh si një dhuratë të vyer për të tjerët.
Ndaj unë vazhdoj të shkruaj, të shkruaj, pa ia gjetur kurrë fundin, emocioneve, mendimeve, motiveve që shkruaj, duke ia lënë kohës gjykimin e librave të mi për gjurmët e lëna prej meje. Është koha ajo që i jep të shkruarit vlerën dhe vendin që i takon, duke e përjetësuar apo zhdukur një libër. Koha i vendos të gjithë në vendin e vet:
Çdo mbretëreshë e ul në fronin e saj!
Çdo klloun në cirkun e tij!
Great!