Mbi një budallallëk të lashtë. Pse shkruaj?-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Pse shkruaj?/Tharm by

Mbi një budallallëk të lashtë. Pse shkruaj?-Shpëtim Selmani

 

Unë shkruaj ngase kam lindur më 16 Maj, 1986,
viti kur mori fund lufta më e gjatë në histori.
Të merremi vesh. Nuk pati asnjë viktimë.
Unë shkruaj ngase kur isha njëvjeçar, ushtria
siriane ishte futur në Bejrut. Ushtritë ende
marshojnë nëpër kapilarët e gjakut të botës.
Unë shkruaj ngase kur isha dyvjeçar, për herë të parë
në krye të një shteti islamik ishte një grua.
Burrat janë armë të kalbura.
Unë shkruaj ngase kur isha trevjeçar, shteti federal,
Florida, ekzekutoi në karrigen elektrike vrasësin më
të përfolur amerikan, Ted Bundy. Mbase edhe amerikanët
shkruajnë për këtë shkak.
Unë shkruaj
ngase nuk jam amerikan dhe vrasësit jetojnë kudo.
Unë shkruaj ngase kur isha katërvjeçar, u dha
premiera e filmit që quhej “Kumbara III”. Unë nuk isha aty.
Ende nuk e kam parë.
Unë shkruaj ngase kur isha pesëvjeçar,
Gorbaçovi braktisi Bashkimin Sovjetik.
Gjithmonë braktise një komb dhe jo një grua.
Unë shkruaj ngase kur isha gjashtëvjeçar,
Evropa kishte nisur të bashkohej.
Unë jam jashtë saj. Dhe jashtë çdo Evrope tjetër.
Atëbotë, Anglia kishte pjellë prifëreshat.
Unë shkruaj ngase kur isha shtatëvjeçar,
duket se më ra dhëmbi i parë. E pata hedhur
mbi çatinë e shtëpisë së vjetër.
Unë shkruaj ngase kur u bëra tetëvjeçar, Izraeli
dhe Jordania kishin nënshkruar një traktat paqeje.
Raketat bërthamore po rrezikojnë çdo mutsihane të tillë.
Unë shkruaj ngase kur isha nëntëvjeçar,
në një metro të Tokios dhjetëra njerëz humbën jetën
dhe mijëra të tjerë u plagosën rëndë. Arsyeja. Gaz nervor.
Sekt fetar. Kah nuk shkon mendja e njeriut?
Unë shkruaj ngase kur isha dhjetëvjeçar, Gjermania
për herë të parë disi pendohet për Holokaustin.
Unë shkruaj ngase kur isha njëmbëdhjetëvjeçar,
në një aksident automobilistik humb jetën Princesha Diana.
Princeshat vdesin në rrugë. Titull i bukur libri.
Atëbotë lexoja veprat periferike të Dostojevskit.
E kishin përmendur të rriturit.
Unë shkruaj ngase kur isha dymbëdhjetëvjeçar,
çoja dashuri me një biçikletë në hijen e pemës së luftës.
Në gojën e babait tim gjendej tyta e një pushke.
Unë shkruaj ngase kur isha trembëdhjetëvjeçar, kuptova
se qeni im bredharak ishte sëmurë. Vuante nga trauma.
Unë shkruaj ngase kur isha katërmbëdhjetëvjeçar, kishte
dështuar parashikimi i fisit Maya. Bota nuk kishte marrë fund.
Gjatë tërë vitit kam parë qiellin. Prisja të ndodhte diçka.
Por ajo që ndodh nuk vjen kur e presim.
Unë shkruaj ngase kur isha pesëmbëdhjetëvjeçar, Kullat Binjake
u bënë pluhur. Kofi Anan fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
Unë shkruaj ngase kur isha gjashtëmbëdhjetëvjeçar, kisha
nisur të pija me të madhe. Dhe Koreja e Veriut
po merrej me laboratorin e plutoniumit.
Unë shkruaj ngase kur isha shtatëmbëdhjetëvjeçar, vija
në krahë thëniet e njerëzve të mençur.
Të gjitha më janë fshirë.
Unë shkruaj ngase kur isha tetëmbëdhjetëvjeçar,
udhëtova për herë të parë me aeroplan.
Atëbotë një grua kishte mbyllur perdet e dhomës.
Binte shi i madh. Ajo ra mbi mua.
Unë shkruaj ngase kur isha nëntëmbëdhjetëvjeçar,
u hodh sateliti i parë për navigim, “Galilelo”.
Indianët autoktonë në Amerikë ende mallkojnë
Kolombin dhe shpurën e tij.
Unë shkruaj ngase kur isha njëzëtvjeçar,
ekzekutohet prijësi në Irak. Një anije
kozmike kishte pushtuar Marsin.
Unë shkruaj ngase kur mbusha njëzet e një vjet,
në Algjeri u hodhën bomba. Doris Lessing-u, kur
mori vesh që kishte marrë çmimin më të madh
letrar, klithi; – Oh, Jesus! Dukej e pakënaqur.
Unë shkruaj sepse kur u bëra njëzet e dyvjeçar,
vendi ku rastisi të lindja ishte bërë i pavarur.
Mbaj mend fishekzjarret, të ftohtin dhe entuziazmin njerëzor,
që tani ka vdekur.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njëzet e tre vite,
kisha nisur të ëndërroja për një parajsë të ngjashme
me bibliotekën e Eco-s. Apo të Borges-it.
Kisha nisur të habitesha me esencën e gjërave.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njezët e katër vite,
toka e Kilit u drodh. Unë u drodha nga lumturia
diku në Grykën e Rugovës. Vjeshtë fantastike.
Turpi njerëzor është i pamatshëm.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njëzet e pesë vite,
mora vesh se zhgënjimi është i vetmi religjion dhe
kështu kisha nisur të argëtohesha në emër të atit,
të birit dhe të dëshpërimit.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njëzet e gjashtë vite,
në Oslo po gjykohej një fashist. Në Mbretërinë e Bashkuar
ndodhi një seri plaçkitjesh çamçakëzash.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njëzet e shtatë vite,
kisha frikë se do të futesha në klubin 27. Një veturë
më goditi në një rrugicë. Në emergjencë kisha kaluar
dy orë të mira. Mjeku ishte njeri i qejfit.
Unë shkruaj sepse kur mbusha njëzet e tetë vite,
kisha një shqetësim të pashpjegueshëm. Më duhet t’i jap
kuptim kësaj gjëje. Nëse mundem. Ende po përpiqem.
Unë shkruaj sepse kur mbusha të njëzet e nëntat, mora vesh
se koha është një njollë në shpinën e pëllumbit.
Unë shkruaj për shokët. Për veten. Për hajvanët.
Dhe për fërkimin e gjinjëve sipër rrobave të tua.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top