Kushtuar Adelina Sejdinit-Arlinda Guma
Qielli i hapi kanatat tej për tej.
Për të të pritur ty, Adelinë!Shenjtorët ulën kokën të turpëruar.
Në gjunjë përpara teje, Adelinë!Në gazeta sot ishe lajm i parë.
Të quajtën “ish-prostitutë”…
Ty; më të dëlirën e të gjithë qiejve, Adelinë!Fluturove edhe ti nga një urë,
si gjithë heroinat e denja në romane…
Por bota nuk i do ngjarjet e tyre t’i zhvillohen live përpara syve…
Ajo i preferon ato në letër, mes germash estetike,
duke i lexuar pranë oxhakut në shtëpinë luksoze,
e duke rrufitur kafen, shoqëruar me ëmbëlsira të vogla dietike…Boja e kuqe e dizajnerit në kopertinë,
është gjithmonë më higjenike se gjaku…Sa i lehtë trupi yt tek vërtitet qiellit, Adelinë!
Fytyra jote ëngjëllore,
që hedh edhe një vështrim të fundit, të hutuar, këtu poshtë;
në tokën që të mohoi…
në tokën që s’të deshi…Ishim të gjitha në fluturimin tënd nga ajo urë, Adelinë!
Shko dhe rrëfe gjithçka atje lart!
Edhe pse kjo nuk do t’i ndryshojë asgjë shëmtisë së kësaj bote,
kredhur kokë e këmbë në “gjumin e thellë të bukurisë”…Drejtueset e organizatave të grave
do të vazhdojnë të shëtitin,
si zakonisht,
me xhipat luksozë…
do të porositin në restorantin e kushtueshëm
ushqimin me “kalori të mirëllogaritura”…
pastaj do të dalin në konferenca,
ku do të flasin, e flasin, e flasin… gjithë pasion,
për sukseset e arritura
dhe, për “fuqizimin e gruas”…Sa “i fuqizuar” trupi yt tek vërtitet qiellit, Adelinë!
Shën Adelinë!…
Mbrojtësja e të gjitha bijave të dhimbjes.11 Nëntor, 2021
©Arlinda Guma
Si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duartrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit/Arlinda Guma
Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!