LOFT STORY OSE KONFORMIZMI I POSHTËRIMIT/Ignacio Ramonet

in A(rt)ktivizëm by

Ignacio Ramonet

Kurrë më parë, në historinë mediatike të Francës, një emision televiziv nuk kishte pasionuar, joshur, shkundur, tronditur, trazuar, nervozuar, acaruar kaq shumë vendin sesa emisioni i telerealitetit Loft Story, i transmetuar, nga 26 prilli deri më 5 korrik 2001, nga kanali televiziv M6 e që kapi, në momente të caktuara, një shifër audience prej më shumë se dhjetë milionë telespektatorësh… Thjesht, nuk ka asnjë rast të tillë të mëparshëm. Është një situatë që mirëfilli ndodh për herë të parë, një situatë përuruese. E dimë që imazhet na informojnë më shumë për shoqërinë që i shikon, sesa për ato vetë, por domethënia e tyre në këtë rast është krejt e paqartë.

Gjerësia e këtij fenomeni ishte e tillë, saqë Festivali i Kanës dhe faza finale e Ligës së Kampionëve të Futbollit u mbuluan thuajse krejtësisht nga frenezia Loft Story. Kjo mori përmasa kaq të jashtëzakonta, saqë shtypi i mirënjohur ndërkombëtar, duke lënë pas dore probleme të tjerë politikë, ekonomikë apo socialë, nuk ngurroi aspak t’i kushtojë reportazhe të shumta kësaj “France të mbërthyer nga marrëzia Loft Story [i].”

Të përditshme kombëtare të rëndësishme (Le Monde, Le Figaro, Libération, Le Parisien, France-Soir, Le Journal du Dimanche, etj.), dhe të përjavshme me tirazh të madh (L’Express, Le Point, Le Nouvel Observateur, Marianne, VSD, Télérama, etj.), të udhëhequr nga një mimetizëm mediatik, i kushtuan shumë shpejt faqen e parë, disa herë, këtij fenomeni mediatiko-sociologjik, duke regjistruar rekorde shitjesh dhe duke ndihmuar kësisoj në zgjerimin e valës përhapëse të suksesit të Loft Story-t.

Psikodramë kombëtare, tronditje e plotë mediatike, në të gjitha mediat, polemikat dhe debatet, pro dhe kundër këtij emisioni, erdhën duke u shtuar. “Loft Story nuk përbën më një ngjarje në programacion, por një çështje të vërtetë shtetërore!” deklaroi, për shembull, Z. Hervé Bourges, ish-president i Këshillit të Lartë të Audiovizuales. “Ky tip emisioni ndihmon në vendosjen e një fashizmi poshtërues”, pohoi Z. Jérôme Clément, president i kanalit Arte France. “Loft Story, vlerësoi Konferenca e Peshkopëve të Francës, është një ilustrim i bukur i aventurimeve drejt të cilave mund të shpjerë kërkimi i shfrenuar i përfitimit. Të rinjtë e vënë në skenë trajtohen si kavie të një shkencëtari të çmendur që ka rrasur ca minj në një kuti këpucësh, pa u shqetësuar aspak për të ardhmen e tyre.”

Rrënjësisht armiqësorë ndaj emisionit, shoqata dhe grupe qytetarësh – si “Buzëqeshni, jeni filmuar”, Zalea TV, “Agjitatorë të rinj për një rrjet rezistence globale”, Solidarloft, etj. – të mbështetur, ndër të tjerë, nga Liga Komuniste Revolucionare, Rinia Komuniste, sindikata anarkiste CNT, shoqata Attac dhe Forumi i Të Rinjve të Gjelbër, dolën gjer edhe në manifestime në Paris, Nantes, Rennes, Toulouse dhe Marseille përpara ndërtesave të televizionit M6, duke vënë përtokë thasë me plehra e duke u përballur egërsisht me forcat e rendit… Tridhjetë e tre vjet pas majit të 1968-s, Franca u gjend papritmas e ndarë më dysh dhe e zhytur në një lloj “Maj Loft Story” parodik.

Një fiksion real ndërveprues

Në çfarë konsiston saktësisht ky emision? I paraqitur nga M6 si “një fiksion real ndërveprues”, Loft Story[ii] është një lloj loje kolektive, dinamika e së cilës bazohet në eliminimin e njëpasnjëshëm – likuidim simbolik – të pjesëmarrësve, nëpërmjet vetë lojtarëve dhe votave të telespektatorëve. Të mbyllur përgjatë dhjetë javëve, shtatëdhjetë ditë, në një shtëpi të madhe 225 m², me një kopsht dhe një pishinë, të veçuar nga bota, pa televizor, as telefon, as shtyp, as radio, as internet dhe të filmuar praktikisht 24 orë rresht në të gjitha dhomat (përveç banjave), njëmbëdhjetë beqarë – gjashtë djem e pesë vajza – më pak se 35 vjeç (të zgjedhur ndërmjet 38 000 kandidatëve…), duhej të integroheshin në jetën e grupit, të zbulonin personalitetet e njëri-tjetrit, duke mbetur në fund vetëm një çift ideal. Ky çift – i përbërë në përfundim nga Loana dhe Kristofi, fitues të lojës – fitoi një shtëpi me një vlerë prej 3 milionë frangash… ku duhej të jetonin edhe gjashtë muaj të tjerë së bashku – gjithmonë të filmuar! – që më në fund kjo shtëpi të bëhej pronë e tyre (por kjo pjesë e konkursit u anulua dhe çifti fitues u vendos në një vilë të marrë me qira, në Saint-Tropez, për muajt e verës së vitit 2001).

Jo më pak se 26 kamera, nga të cilat 3 me rreze infra-të-kuqe, dhe 50 mikrofonë pajisnin apartamentin, nën kontrollin e më tepër se 100 teknikëve e realizatorëve, të mobilizuar natë e ditë për të siguruar këtë teatër televiziv në mënyrë të pandërprerë. Emisioni u transmetua falas (por i mbytur me spote publicitare), në formën e sintezave të përditshme prej 52 minutash, nga kanali M6, dhe, duke paguar shumën e një abonimi, në vazhdimësi të plotë (por me shkurtime të pamjeve apo skenave të konsideruara si tronditëse), nga grupi numerik TPS, si dhe nga interneti (loftstory.com).

Big Brother

Me emrin Big Brother[iii], ky koncept emisioni u ripunua në Holandë qysh nga shtatori 1999 nga Shoqëria Endemol (nga emri i themeluesve të saj Joop Van den Ende dhe John de Mol). I transmetuar nga një kanal i vogël privat, “Veronica”, emsioni pati menjëherë një audiencë të jashtëzakonshme.

Bëhet fjalë për një “lojë krize”, siç e kishim parë të lulëzonte me rastin e krizës së madhe të 1929-ës – maratonat e vallëzimit, për shembull, të përshkruara nga romancieri Horace MecCoy tek A nuk vdesin edhe kuajt kështu (1935).

Ky model emisioni – filmim në mënyrë të pandërprerë vullnetarësh të sjellshëm që lëvizin brenda një hapësire të mbyllur – filloi të eksportohej, me variante ku më shumë e ku më pak të neveritshëm, në rreth njëzet vende, nga Brazili në Poloni, nga Shtetet e Bashkuara në Spanjë, nga Argjentina në Suedi apo Australi. Thuajse gjithkund, ashtu si në Francë (ku TF1 transmetoi, gjatë verës 2001, Aventurierët e Koh-Lantas, pastaj, në vjeshtë, Star Academy-në, dhe kanali M6 Popstar-in), ai njohu një sukses të paparë teleshikuesish – në Shtetet e Bashkuara, Survivor u ndoq nga më tepër se 50 milionë telespektatorë! -, deri në atë pikë sa disa kanale televizive nxorën në ankand çarçafët e shtretërve dhe të tjera sende personale të përdorura nga personazhet[iv]. A thua se ishte globalizuar ajo çka Annie Le Brun e emërton: “një proces idiotizimi i përgjithshëm që bashkon të përkushtuarit e të gjitha vendeve, klasave dhe moshave”.

I filmuar me anën e kamerave mbikëqyrëse apo përmes pasqyrash të tejdukshme, Loft Story riprodhon një mekanizëm tipik kontrolli (policor, burgor, ushtarak), të përforcuar nga eliminimi i këndeve të padukshëm në ekran, shumëfishimi i filmimeve nga lart poshtë, kamerat me infra-të-kuq… që i jep shikuesit një ndjesi fuqie, zotërimi, dominimi (shpesh shihet nga sipër) dhe, në të njëjtën kohë, përforcon ndjesinë dominuese dhe mbrojtëse (paternaliste) ndaj të ngujuarve vullnetarë.

Kjo ndjesi plotfuqie, e theksuar edhe nga fakti që personazhet kanë përgjithësisht një psikologji të thjeshtë, të lehtë për t’u lexuar, (e për më tepër që vijnë në “rrëfyestore” duke dorëzuar çelësat e sjelljes së tyre) i bën teleshikuesit të lidhen me heronjtë e serisë. Dhe sigurisht shpjegon mrekullimin kolektiv para kaq skenash të thjeshta, të zbrazëta, banale, të gërryera, kaq dialogësh të pavlerë, e kaq situatash zero.

Gjithkund, gjithashtu, emisioni nxiti polemika e debate të mëdha haluçinante, shpeshherë të ekzagjeruara (në Itali, vetë papa Gjon Pali II ndërhyri shprehimisht për ta dënuar).

Duke u dhënë pas një arkeologjie të shpejtë televizuale, kupton me lehtësi se një tufë shenjash dhe simptomash paralajmëronin qysh prej disa kohësh mbërritjen e pashmangshme të këtij tipi emisionesh ku gërshetohen në mënyrë të ndërlikuar vuajërizmi[v] dhe ekzibicionizmi, mbikëqyrja dhe nënshtrimi.

Të gjithë përgjues?

Matrica e largët e këtij tipi emisionesh gjendet, ndoshta, në një film të njohur të Alfred Hitchcock-ut, Rear Window, i vitit 1954, në të cilin një fotoreporter (James Stewart), i gozhduar në shtëpinë e vet, me një këmbë në allçi, vëzhgon për nge se ç’bëjnë fqinjët e tij përkarshi. Në një dialog me François Truffaut-në, Hitchcock-u pranonte: “Po, njeriu është përgjues, por a nuk jemi të gjithë të tillë?” Truffaut e pranon: “Jemi të gjithë përgjues, të paktën kur shohim ndonjë film me skena intime. Nga ana tjetër, James Stewart, në dritaren e tij, gjendet në situatën e një shikuesi që po ndjek një film.” Dhe Hitchcock-u vërteton: “Vë bast se në çdo dhjetë vetë, nëse shohin në anën tjetër të oborrit një grua që zhvishet para se të shkojë në shtrat, apo thjesht një burrë që rregullon dhomën e tij, nëntë syresh nuk do rrinin dot pa vështruar. Ata do mund ta heqin vështrimin prej andej duke thënë: “Kjo gjë s’ka ç’më duhet”, do mund të mbyllnin kanatet, por nuk kanë për ta bërë dhe do t’i nxjerrin vetes një mijë e një vonesa që si e si të vazhdojnë të shohin[vi].”

Me këtë pulsion skopik të të shikuarit, të vëzhguarit, të squllurit, përkon si të thuash e kundërta e tij: shija e paturpshme e të shfaqurit të vetes. Dhe kjo, qysh nga zhvillimi i internetit, ka njohur një lloj shpërthimi me anën e webcams-ve[vii], këto kamera të vogla që transmetojnë në rrjet imazhe, gjatë ndërkohësh të rregullta. Që nga viti 1996, fenomeni webcam i ka pasionuar nga pak të gjithë, duke bërë që mijëra njerëz të shfaqin sheshit jetën e tyre intime dhe t’ia tregojnë atë vështrimit kureshtar të miliona internautëve. Për shembull, prej shumë vitesh, pesë studentë, djem e vajza, nga Oberlini, në Ohajo (SHBA), shfaqen në linjë www.hereandnow.net, çdo ditë, 24 orë rresht, nëpër të dy katet e shtëpisë së tyre. Ata jetojnë nën mbikëqyrjen e dyzet kamerave (më shumë se te Loft Story) të vëna ngado nëpër banesë. Si ata, mijëra vetë, beqarë, çifte, familje ftojnë kështu, pa më të voglin siklet, internautët e botës të ndajnë së bashku intimitetin e tyre dhe t’i vështrojnë si rrojnë praktikisht pa iu ndaluar kurrgjë.

Por edhe pa internet, njerëzit ngurrojnë gjithnjë e më pak t’i ofrohen pa tabu vështrimit të të tjerëve. Kështu, për shembull, te “Maison radieuse”, një ngrehinë e arkitektit Le Corbusier e ndërtuar në Rezé, pranë Nantes, banorë të ndryshëm janë dhënë pas një loje të çuditshme: të vëzhgohen në shtëpinë e tyre nga njerëz të panjohur. Ata kanë pranuar ta kthejnë mbrapsht syrin magjik dhe t’ia dorëzojnë intimitetin e tyre gjithë kalimtarëve që vënë atje syrin…

Një tjetër ngjarje që bie ndesh me idenë e mbrojtjes së jetës private është shtimi i ditarëve intimë në internet. Gjer më sot sekrete dhe krejt personale, autobiografitë dhe fletoret intime qarkullojnë tani lirshëm në rrjet. Autorë gjithnjë e më të shumtë pa asnjë censurë i ofrojnë mendimet e tyre më vetjake, ndjenjat e tyre më të fshehta, masës së internautëve dhe kërkojnë të ndajnë bashkë me ta intimitetin e tyre.

Madje u pa, para një viti, se si kinezi Lu Ju Çing nxori në rrjet Ditarin e tij të vdekjes që u bë një fenomen i vërtetë i letërsisë elektronike. Ky i ri, agjent pasurish të patundshme në Shanghai, vendosi të ndante me bashkëkohësit e tij luftën që bënte kundër kancerit të stomakut që e gërryente gjer në çastin e tij të fundmë, gjer në vdekje: “Po pres tubin e frymëmarrjes. Ju dua të gjithëve.”

Teleskupirë

Veç kësaj, në programet televizive, janë shtuar emisionet e quajtura “Trash TV”, të teleskupirës, që paraqesin njerëz që evokojnë, pa pikën e turpit, problemet e tyre më personale apo pasionet e tyre më të fshehta. Më i famshmi ndër ta është Jerry Springer Show, ku të ftuarit vijnë të tregojnë, mbi skenë, para një salle të pushtuar nga deliri, të fshehta skandaloze apo zbulime të pabesueshme rreth jetës së tyre private – temat janë shumë edukative: “Shpirti, unë dal ke semafori”, “Mama, do martohesh me mua?”, “Motrën e vogël e kam prostitutë” – në prani të partnerit apo të familjes, që përfundojnë shpeshherë me fyerje të rënda, sherre, rrahje. Ka edhe më. Vitin që shkoi, urrejtja e grumbulluar gjatë një emisioni të Jerry Springer-it, i titulluar “Dashnoret rivale përballë njëra-tjetrës”, e shtyu një çift të vrasë ish-gruan e burrit…

Në Francë, një koncept i ngjashëm me këtë, “me njerëz të vërtetë që flasin me të vërtetë për jetën e tyre të vërtetë”, u përshtat, me titullin Është zgjedhja ime, nga kanali publik FR3 që njohu një triumf teleshikuesish (7 milionë idhtarë) dhe nxiti, në vjeshtë të vitit 2000, një polemikë të madhe. Temat s’bien aspak më poshtë se ato të Jerry Springer Show-t: “Më pëlqen të tregoj trupin”, “Unë ha një farmaci”, “S’i duroj dot më flokët dhe qimet”, “S’kam qejf të rri veshur”, “Tregoj jetën private në internet”…

Suksesi në rritje i të neveritshmes në hapësirën televizive ka shtuar shijen për forma edhe më të dukshme të vuajërizmit. Kështu, kanali kabllor amerikan Court TV është specializuar në transmetimin e proceseve të regjistruara gjyqësore. Ai njohu kohën e lavdisë së tij gjatë procesit të O. J. Simpson-it (një lojtar i mirënjohur i futbollit amerikan i akuzuar për vrasjen e gruas), në fund të viteve 1990.

I konkurruar tanimë nga kanalet që transmetojnë Survivor-in, versionin amerikan të Big Brother-it, Court TV vendosi të shkojë më larg në kërkimin e së bujshmes. Ai transmeton rrëfime kriminelësh. Me një realizëm që të rrëngjeth mishin, ai nuk ngurroi të paraqesë, për shembull, “pohimet e Steven Smith-it që tregon përdhunimin dhe vrasjen e një mjekeje në një spital të New-York-ut në vitin 1989, ato të Daniel Rakowitz-it, që vrau një mikeshë para se t’i copëtonte trupin e ta vinte për ta zier po në 1989-n, dhe ato të David Garcia-s, një prostitutë-mashkull që përshkruan vrasjen e një klienti të paralizuar mbi një karrige me rrota në vitin 1995…

Suksesi popullor hutues i këtij tipi emisionesh të zymtë shpjegon arsyen përse, në pranverën e vitit 2001, më shumë se 3400 gazetarë (më tepër se gjysma e atyre që qenë të pranishëm në Sidney gjatë Lojërave Olimpike…) ishin akredituar për të mbuluar ekzekutimin e Timothy McVeight-it, autor i një atentati në prill 1995 në qytetin e Oklahomas që kish shkaktuar 168 të vdekur. E gjithashtu edhe arsyen se përse vetë McVeight-i donte që ekzekutimi i tij me injeksion të transmetohej drejtpërsëdrejti nga televizioni… Çka duket se vërteton më së miri këtë përsiatje të bërë nga Paul Virilio: “Pas publicitetit dhe propagandës politike, pornografia dhe hiperdhuna mediatike i kanë hapur udhën konformizmit të poshtërimit.”

Jeta reale

Këto emisione bënë që, pak nga pak, të sprapsen kufijtë e të tregueshmes dhe theksuan konfuzionin midis dokumentit dhe fiksionit, jetës reale dhe krijimit fiktiv. Nga kjo pikëpamje, paraardhësi më i drejtpërdrejtë i Loft Story-t është pa dyshim The Real Life, një seri e krijuar nga kanali kabllor amerikan MTV. Çdo stinë, shtatë të rinj, “të dalë nga jeta reale”, të zgjedhur ndërmjet mijëra vullnetarësh, ftohen të jetojnë së bashku në një shtëpi apo një banesë ku filmohen pa ndërprerje. Ata nuk janë aty të mbyllur dhe bëjnë, nëse mund të themi, një jetë normale, shkojnë në fakultet, në punë, etj. Kjo ndodh çdo vit në nga një qytet të ndryshëm: New York, Miami, Seattle, Boston… Por tipologjia e të rinjve (burra e gra) është thuajse përherë e njëjta: djaloshi cool, vajza seksi, rioshi gay, rioshja provinciale, maniaku seksual, etj.

Qysh prej dhjetë vjetësh, çdo ditë, përgjatë 26 javëve, MTV-ja paraqet një episod me montazhin e dramatizuar të çasteve më të bujshme të ditës paraardhëse. Nga gjithë të transmetuarit në kabëll, ky emision është më i shikuari, veçanërisht nga 12-34 vjeçarët. “Një nga zbulimet e këtij emisioni për ata që e shohin, ka deklaruar Jonathan Murray, produktori i serisë, është të shikosh se si të rinj kaq të ndryshëm arrijnë të merren vesh me njëri-tjetrin dhe përfundojnë duke vendosur mes tyre lidhje shumë emocionale.”

Ky sukses ka frymëzuar seritë e tjera fiksionale (Sex and the City, Ally Mc Beal), dhe në veçanti serinë kult Friends, të prodhuar nga NBC, ku gjashtë miqtë njujorkezë (Xhoi, Rosi, Rakela, Febi, Çendleri dhe Monika) janë kopjuar direkt nga The Real World. I themeluar mbi idenë se, për të rinjtë qytetas në prag të moshës së pjekurisë, që kanë lënë familjen por që ende s’kanë krijuar një të re, miqësia është më e fotë se gjithçka, Friends kap, mesatarisht, një audiencë prej 23 milionë telespektatorësh… “Në kafene a në apartamentin e përbashkët, shkruan Marc-Olivier Padis, analist i këtyre serive, rreth kanapesë së madhe që është emblema e serisë Friends, shpresat dhe zhgënjimet sentimentale organizojnë dialogun. Katër mikeshat e Sex and the City-it janë më të lëvizura: ato përshkojnë vendet në modë të New York-ut dhe diskutojnë brenda suazave më të larmishme, nganjëherë edhe përjashta. Tek Ally Mc Beal, zyra e avokatit, salla e pritjes dhe bari muzikor janë vendet kryesore të një aksioni që konsiston, edhe në këtë rast, thelbësisht në një dialog midis miqsh dhe kolegësh pune rreth jetës private apo proceseve gjyqësore (divorce, birësime, përndjekje…) që kanë të bëjnë me intimitetin.”

Në mënyrë të pashmangshme, kjo temë intimiteti e dhënë si ushqim për publikun e gjerë, jeta private e mbikëqyrur nga kamera televizive, duhej t’i frymëzonte prodhuesit e kinemasë. Dy filma sidomos e trajtojnë ballas: The Truman Show (1998), i Peter Weir-it, dhe Drejtpërdrejt në Ed TV (1999) i Ron Howard-it.

I pari, interpretuar nga Jim Carrey, tregon historinë që vijon: një kanal dokumentar, True TV, i San Francisco-s, që po humbet audiencë, vendos të transmetojë drejtpërsëdrejti jetën e një njeriu të zakonshëm, 24 orë rresht. Ed Pekërni (interpretuar nga Matthew McConaughey), shitës në një videoklub, është kandidati ideal. Ndjekur këmba-këmbës nga dy ekipe, djaloshi bëhet i përkëdheluri i teleshikuesve. Por gjithçka përmbyset kur Edi zbulon te vetja se kishte rënë në dashuri me të fejuarën e të vëllait…

Këta dy filma – The Truman Show dhe Drejtpërdrejt në Ed TV – janë parabola rreth mbikëqyrjes së përhershme dhe lirisë individuale, si dhe rreth marrëdhënieve midis dukjeve dhe realitetit, midis jetës private dhe spektaklit publik. Të gjithë këta precedentë, thuajse në mënyrë të pashmangshme, duhej të çonin drejt një emisioni të tipit Loft Story.

Post-televizioni

Umberto Eco e ndante historinë e televizionit në dy etapa: arkeotelevizioni, para viteve 1980, kur, për t’u shfaqur në ekranin e vogël, duhej të kishe merita të rëndësishme (të ishte një kampion, ose një krijues i madh, ose një njeri i shquar, etj.), të shkoje atje i veshur si për të diel, i kollarisur, dhe duhej të shpreheshe në mënyrë tepër korrekte. Ky ishte “televizioni podium”, ku vetëm më të mirët lejosheshin të dilnin.

Pastaj erdhi neotelevizioni (Kanali 5 i Z. Silvio Berlusconi…) ku, me shtimin e lojërave dhe emisioneve skenike, publiku, pa asnjë meritë të veçantë, dilte direkt në ekran, dhe ku mjaftonte të ishe i natyrshëm, ndonëse i veshur pa kujdes, e të flisje me shprehje zhargoni, për t’u bërë heroi çastor i një emisioni popullor (shiko tani: Ça se discute, C’est mon choix, Voulez-vous gagner des millions? apo, versioni sado-mazokist, Le Maillon faible). Ky ishte “televizioni pasqyrë” që mbahet se i tregon njerëzit ashtu siç janë.

Me emisionet e tipit Big Brother, si Loft Story, kalohet në një etapë të re. Në etapën e post-televizionit. Kësaj here, publiku (i përfaqësuar nga të burgosur vullnetarë) del drejtpërdrejt jo në një emision të zakonshëm, të vetëm e jetëshkurtër, por në një seri televizive, do me thënë në atë që ka gjithë dukjet e fiksionit të filmuar. Shpërblimi simbolik nuk është vetëm kënaqësia personale, narcizike e të dalës në televizor, e të bërit një kalim të shkurtër e të vetëm (gjatë një loje, një konkursi, një dëshmie), por është kënaqësia e të qenit personazhi i një tregimi.

Ajo që e pasionon tanimë publikun, duke mos qenë detyrimisht i vetëdijshëm, është metamorfoza që serialiteti operon para syve të tij e që i shndërron disa persona krejt ordinerë, të marrë nga jeta reale, në personazhe të një historie, të një tregimi, të një skenari që i ngjan një fejtoni, një fiksioni. Këta personazhe dhe të tjerë si punë e tyre janë ata vetë dhe njëhohësisht jo më ata vetë, meqë, duke u dhënë ditë pas dite në spektakël, ata përfundojnë duke u bërë personazhet e një sage, protagonistët e një fiksioni të filmuar. Dhe aura e fiksionit lehtëson ecjen drejt famës.

Yje për t’u flakur tej

Në shoqëritë tona të karakterizuara gjithnjë e më shumë nga mungesa e solidaritetit, të shndërruara në republika të vetmisë, të shohësh si bëhesh i famshëm para syve të tu, me një lehtësi dukjeje kaq të madhe, e josh (apo e skandalizon) publikun, sidomos më të rinjtë, të cilët nuk e kuptojnë medoemos se në të vërtetë ky është një mashtrim. Sepse, në mes të luftës konkurruese, sistemi mediatik bëhet i harbuar për yje. Ai kërkon t’i prodhojë ata me shpejtësi, siç bën Loft Story, dhe t’i shfrytëzojë në kulm.

Pasi çlirohet prej tyre, vendin e tyre ua lë yjeve të tjerë më të freskët, për t’i flakur tej po njëlloj e me të njëjtën shpejtësi, më pas. Meqenëse, në këtë fazë kanibale të kulturës masive dhe në kohën kur, siç thoshte Guy Debord-i, progreset e nënshtrimit ecin me një shpejtësi të pabesueshme, i bie të fabrikohen yje jetëshkurtër. Yje të flakshëm në plehra.

Përktheu: Alket Çani

[i] Cf., për shembull, artikulli i botuar në faqen e parë të International Herald Tribune, 21 maj 2001.

[ii] Titulli i emisionit frymëzohet haptazi nga ai i një romani të famshëm të shkrimtarit amerikan Erich Segal, Love Story, dalë më 1970, që mbetet një nga sukseset më përrallorë të shekullit XX me më shumë se 21 milionë kopje të shitura në anglisht dhe i përkthyer në 23 gjuhë… Ai tregon historinë e dy studentëve – Oliverit dhe Xhenit – që, megjithë kundërshtimin e prindërve, martohen, por që marrin vesh, kur gjithçka dukej se u buzëqeshte, se Xheni është e sëmurë me kancer… Përshtatja e tij thuajse e menjëhershme në kinema nga Arthur Hiller-i, me aktorët Ryan O’Neal dhe Ali Mc Graw në rolet kryesorë, njohu të njëjtin sukses botëror.

[iii] Duke aluduar me romanin e George Orwell-it, 1984, botuar në 1949-ën, personazhet e të cilit jetojnë nën mbikëqyrjen e vazhduar të kamerave dhe mikrofonëve, brenda suazës së një regjimi diktatorial, shefi i të cilit është quajtur Big Brother.

[iv] Në Australi, ku u xhirua Survivor II, agjenci të ndryshme turistike propozonin vizita të organizuara në vendet e xhirimit të kësaj serie…

[v] Vuajërizëm quhet ai devijim seksual në të cilin kënaqësia merret duke parë tinëz skena erotike. Për lehtësi përdorimi termin vuajërist po e quajmë këtu përgjues. (shën. i përkth.)

[vi] François Truffaut, Le cinéma selon Hitchcock, Robert Laffont, Paris, 1966.

[vii] www.webcamvideo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top