Author

Admin - page 143

Admin has 1813 articles published.

MACJA NË APARTAMENTIN E ZBRAZËT- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MACJA NË APARTAMENTIN E ZBRAZËT- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Të vdesësh. Këtë nuk duhet t’ia bësh një maceje.

Ç’mund të bëjë ajo në një apartament të zbrazët?

T’u qepet mureve?

Të fërkohet mbas moblave?

Në dukje asgjë s’ka ndryshuar

e megjithatë asgjë s’është si më parë.

Asgjë nuk ka luajtur nga vendi

e megjithatë asgjë s’është në vendin e vet.

Dhe, në mbrëmje, llamba nuk ndizet më.

 

Dëgjohen hapa nëpër shkallë,

por nuk janë hapat e duhur.

Dhe dora që vë peshkun në pjatë

nuk është ajo që ishte më parë.

 

Diçka nuk fillon më

në orën kur duhej të fillonte.

Diçka nuk bëhet

siç do të duhej të bëhej.

Dikush kish qenë atje gjithmonë

dhe, befas, nuk është më,

duke këmbëngulur të mos jetë.

 

Rrëmuam nëpër gjithë dollapët,

Kontrolluam etazherët.

Rrëshkitëm poshtë qilimit, se ku i dihej.

Guxuam madje të paguxueshmen

duke ia bërë lëmsh shkresurinat.

 

Ç’mbetet tani për të bërë?

Të flesh dhe të presësh.

 

Por veç në ardhtë, ama, veç në u shfaqtë sakaq.

Do t’i bëjmë të ditur                                     

që nuk i bëhet kjo një maceje.

Do ecim drejt tij

gjasme pa dëshirë, me pamje shpërfillëse,

dalëngadalë,

me putra krenare e të mëritura.

Dhe as që bëhet fjalë për ndonjë hedhkë a mjaullimë,

të paktën në fillim.

 

Përktheu: Alket Çani

Në foto: Ernest Hemingway dhe macja e tij

Fshati norvegjez, i cili ka më shumë libra se sa banorë

in Meqë ra fjala by

Mundal: Fshati norvegjez, i cili ka më shumë libra se sa banorë.

Mundal në Norvegji nuk është rajoni më i populluar në vend, por në qoftë se jeni mik i librit, gjëja e vetme e sigurt është që kurrë nuk do të mërziteni aty.

Sipas Travel + Leisure, Mundal është shtëpia e më shumë librave se sa banorëve, një tipar që e dallon nga të gjitha rajonet e tjera të vendit (dhe jo vetëm). Madje, ka fituar titullin “Fshati norvegjez i librave”.

Mundal është i vogël, ka vetëm 280 banorë, por ka një koleksion mbresëlënës librash të përdorur, me pothuajse 150.000 tituj të shpërndarë nëpër rrugët dhe dyqanet e fshatit. Pra, librat nuk kufizohen vetëm në libraritë e shumta; mund t’i gjeni në stacione të braktisura, dyqane ushqimesh, në postë madje dhe në skelë, ku presin anijen.

Mundal filloi të mbushë raftet me libra në vitin 1995. Nëse do mund të vendosnim në një rresht të gjitha bibliotekat që disponon në total zona, do të mbulonin mbi 2.5 milje distancë.

I arritshëm vetëm nga deti deri në mesin e viteve ’90, Mundal është një nga vendet më të izoluara libërdashës në Tokë. Edhe pse është shumë e vështirë për të gjetur një suvenir nga zona, pasi të tillë dyqane janë të hapura për vizitorët vetëm gjatë muajve të ngrohtë të Majit deri në Shtator.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Ardhja e Hyut-Erlind Sulko

in Letërsi/Tharm by

Ardhja e Hyut-Erlind Sulko

 I

Ky është njeriu.

Me një palë gërshërë do të presë botën.

E pasi ta ketë ndarë gjithësinë

në cifla të vogla letre

do ta rindërtojë në një shfaqje 

të përkohshme të përjetësisë.

Çdo gjë do ta bëjë të tijën. 

E çrrënjos çdo gjë

për hir të veprës së tij.

Edhe mbi gurin e varrit 

do të vendosë emrin.

Ky është njeriu.

 

Nuk di ta shijojë erëmimin e trëndafilit.

Do t’i marrë petalet, t’i ziejë, t’i shtrydhë

dhe lotët t’i mbyllë në një shishe qelqi

për një të ardhme të paarritshme.

Ky është njeriu.

 

Mbrapa buzëqeshjes së zgjatur

fshihet një përbindësh i verbër.

Dhe brenda dashurisë 

lulëzon një urrejtje e pafund.

Asnjëherë nuk shfaq. Vetëm fsheh.

Ky është njeriu.

 

Kush nuk dehet

vdes nga mërzia dhe vuajtja.

Nuhat, pi, ha, vështron

që të humbasë në pamjen e paanë.

Ecën që të harrojë. 

Padashje shkel në një pellg të cekët

dhe e mbysin kujtimet.

Kthehet në banesë i tmerruar, 

mundohet të mbushet me frymë

dhe kërkon të rikrijojë një të pamundur.

I skllavëruar nga e shkuara,

i frikësuar nga e ardhmja,

ecën drejt humnerës i vetëkënaqur.

Ky është njeriu.

 

Zot, mos ki mëshirë për ne.

Tashmë ka ardhur koha jote.

E jona ka përfunduar

që në çastin kur filloi.

Lutem për ardhjen tënde të shpejtë

Dhe shkatërrimin e njeriut.

Erotikat marramendëse të Roden-it dhe jeta e kapur fluturimthi-Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Viti 1900. Skulptori i famshëm Ogyst Roden (Auguste Rodin), ishte në kulmin e artit të tij kur llava e vullkanit të tij shpërthyes derdhej e ngurtësohej për të na dhënë veprat më të mira të krijuara nga ai. Padyshim që skulptori i fuqishëm botëror me kohë u kthye në një referencë të padiskutueshme të artit botëror dhe mbetet i tillë edhe sot për modernitetin e tij. Ishte pikërisht moderniteti çka dalloi një Rimbaud, një Baudelaire, një Modigliani apo Chagall, etj., nga bashkëkohësit e tyre artistë. Moderniteti ishte tek e reja që ata sillnin në konceptimin e figurës, peizazhit, imazhit jetësor të linjës e ngjyrës, larg akademizmit të dikurshëm.

Shumë vite më parë kisha gjetur një libër me vizatimet dhe guashet e skulptorit Roden (Rodin) dhe që atëherë rikthimi në figurat e tij është gjithnjë frymëzues, ajror, poetik, jo pse në fillim isha habitur që një skulptor të ishte njëkohësisht një piktor kaq i fuqishëm dhe vizatues fin, por sepse, dalëngadalë kuptova se në të gjitha krijimet skulpturale të tij, themelor ishte vizatimi. Pikërisht aty, përmes vizatimeve të hedhura me shpejtësi, me një “të rënë” të lapsit apo guashit, të hedhura mbi letër dhe të pakorrigjuara, por të kapura nga imagjinata në një frekuencë të sekondës, pra jeta e kapur fluturimthi, ishte arti i tij i vërtetë, ishte lëvizja, një dinamikë që i jepte jetë figurës, që e bënte atë të vibronte para syve të publikut. “Arti nuk ekziston pa jetën, – thoshte Roden-i në një intervistë të kësaj kohe, – iluzioni i jetës arrihet nga një model i mirë dhe nga lëvizja. Këto dy cilësi janë si gjaku dhe fryma e të gjitha veprave të bukura”.

Roden-i i shikonte figurat dhe vizatimet e tij si vizione “fugitive”, siç i quante ai, pra që iknin shpejt, me tipare «frenetike», ku siç shtonte ai, «nuk është as linja, as ngjyra, por është vetë lëvizja, jetaVeçanërisht atyre që nuk e njohin pikturën, u pëlqen së pari përpikmëria dhe saktësia e vizatimit, lëvizja gjoja “fisnike”. I padituri nuk kupton asgjë nga kapja e thelbit në mënyrë të guximshme, pa u kapur pas detajeve të panevojshme, por duke kapur vërtetësinë e së tërës. Nganjëherë të duket se vizatimi është i bukur. Por ai është i tillë nga e vërteta dhe ndjesia që na përcjell. Realisht nuk ka “stil të bukur”, as vizatim të bukur, as ngjyrë të bukur; ka veç një bukuri, ajo e vërtetësisë që piktura na përcjell. Dhe kur një e vërtetë tillë, një ide e thellë dhe një ndjesi e fuqishme shpërthen në një vepër, padyshim që stili, ngjyra dhe vizatimi janë të përsosura. Por kjo cilësi vjen veç nga të vërtetat që ato reflektojnë… Tek Rafaeli, nuk është thjesht stili apo vizatimi i përsosur në vetvete, por është ajo ndjesi e paqtë që zhvendoset nga shpirti tek sytë dhe që shprehet pastaj përmes dorës së tij, është dashuria që shtrihet nga shpirti i tij mbi gjithë natyrën…”

Erotikat dhe marramendja…

Në vizatimet e Roden-it, ashtu si dhe në gjithë veprën e tij skulpturale, në themel është trupi njerëzor, ashtu siç është ajo në vizatimet e Refaelos, Mikelanxhelos apo të një Leonardo da Vinçi të paarritshëm… Ёshtë gjesti i kapur fluturimthi, sipër të cilit artisti Roden ka shtuar me gishtat e tij njolla ngjyrash në okër, në të kuqe, apo në blu a në të verdhë, për ta nxjerrë vizatimin në dritë. Ndër veprat që vlerësohen veçanërisht nga krijimet e tij skulpturale këto pesëdhjetë vitet e fundit janë erotikat e tij, ato trupa femërorë që “klithin” në vërtetësinë dhe ndjesinë e tyre, erotika skulpturale që janë vendosur në “Musée Rodin” në Paris në një ekspozim të përhershëm, për çka krenohet dhe ky muze, edhe pse vepra monumentale e Rodenit është e madhërishme. Por në erotikat e tij, Rodin-i ka shprehur të tjera ndjesi, ka bërë të flasë femrën, seksin e saj, jo si një Courbet me realizmin e tij në një vepër mitike tashmë si Origjina e botës, por në një lëvizje e dinamikë të habitshme, çka të rrëmben sapo i shikon. Duke qenë se dikur banoja në Rue de Grenelle pranë muzeut “Rodin”, këto erotika u bënë mjaft familjare për mua, ku gjithnjë zbuloja aspekte të tjera, pasi midis veprës dhe publikut vendosej një dialog i heshtur, pa zë, dhe çdo rivendosje para skulpturës të shfaqte diçka të re nga trupi femëror. Padyshim erotika të mrekullueshme që askush tjetër në skulpturë nuk i ka krijuar si ai, në atë vërtetësi e forcë. Por kur shikon pikturat e tij, “erotikat në letër”, e kupton sërrish se në themel të veprës skulpturale paraprin vizatimi. Janë pikërisht ato vizatime dhe guashe që kanë kapur atë lëvizje që i duhet një skulpturë për të shkaktuar emocion dhe për të mos qëndruar i ftohtë ballë saj. A nuk e kishte thënë dhe vetë ai se “vizatimet e mia janë çelësi i artit tim”?… Eshtë tepër e thjeshtë, këmbëngulte Roden-i, duke nënkuptuar si të thuash se ai nuk bënte skulpturë, por vizatonte me materiale të ngurta, në mermer, bronx, gur… “Skulptura ime është veçse vizatim në të gjitha dimensionet”, shkruante ai. Pra për mjeshtrin e madh, skulptura ishte një tjetër praktikë, që fillonte me vizatimin, me një refleksion artistik, të cilin ai e ushtronte para se të zbulonte skulpturën…

Jam rikthyer sërish në “Musée Rodin” dhe jam rigjetur përsëri para erotikave të tij në skulpturë e në pikturë dhe menjëherë e kuptoj vlerën e madhe të vizatimit në krijimin e një artisti të telajos apo të skulpturës… Të kapësh jetën fluturimthi është padyshim një art i madh! Kur del nga muzeumi, në krah të majtë qëndron figura madhështore “Mendimtari”, në të djathtë “Qytetarët e Calais” apo relievet e mëdha. Poshtë muzeut në metro, përsëri një kopje e “Mendimtarit”… dhe pak stacione më tutje, në daljen e metrosë “Vavin”, ti ndalon ballë figurës në bronx të Balzakut, që dhe ajo është thjesht një imazh i kapur vetëtimthi i figurës së shkrimtarit të madh që fillimthi nuk u pranua të vendosej në një nga sheshet e Parisit. Shtatorja e famshme u vendos 40 vjet më vonë, kur Roden-i kishte kohë që kishte vdekur…

SODITJE II-Alket Çani

in Letërsi by

SODITJE II-Alket Çani

 

Na duhet të mësohemi me mungesën e vetmisë.

Pamje e pambaruar, mendim i dalë papritmas

Nga pamundësia e mendimit; dhe afet e mërzisë

Vijnë e ikin pa e prekur praninë e vdekjes.

Ç’hapësirë e pandjeshme na mban jashtë hapësirës?

Zgjimi na lë çdo ditë shijen e hidhur të dobisë

Dhe rrënojat e akteve të pritshëm dhe tiparet

E kotësisë së dëshirave të ngulmëta.

Hiatus ëndrre, tepri ligjërimi, shterpësi e zhguallit të botës

Dynden në gjumin tonë pa e kapur dot kuptimin

E shenjave që bën ahti dhe agori i trupit.

Kumbim i mbytur i kujtimit të gjërave, harresë e brishtë,

Tinguj të zbrazët – gjurmë të palënda. Vetmia

Priret të na largojë nga ajthi i vetmisë.

 

Fashizmi është fytyra e vërtetë e kapitalizmit/Bertold Brecht

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Bertold Brecht

E vërteta duhet thënë duke pasur parasysh rezultatet që do të prodhojë në fushën e veprimit. Si shembull të një të vërtete prej të cilës nuk del asnjë rezultat, ose dalin rezultate të gabuara, mund të përmendim pikëpamjen e përhapur se kushtet e këqija të një vendi vijnë si rezultat i barbarizmit. Sipas kësaj pikëpamjeje, fashizmi është një valë barbarie që i ka goditur disa vende me forcën e një fenomeni natyror. Sipas saj, fashizmi është një pushtet i ri, i tretë, krahas (dhe mbi) kapitalizmit dhe socializmit; jo vetëm lëvizja socialiste, por edhe kapitalizmi mund të kishte mbijetuar pa ndërhyrjen e fashizmit. E kështu me radhë. Sigurisht që bëhet fjalë për një pretendim fashist; pranimi i tij nënkupton kapitullim përpara fashizmit.
Fashizmi është një fazë historike e kapitalizmit; në këtë kuptim, është diçka e re dhe e vjetër njëkohësisht. Në vendet fashiste kapitalizmi vazhdon të ekzistojë; dhe fashizmi mund të luftohet vetëm si kapitalizëm, si forma më e lakuriqtë, e paturp, shtypëse dhe e pabesë e kapitalizmit.
Po si mund të thuhet e vërteta mbi fashizmin nëse nuk jemi të gatshëm të flasim kundër kapitalizmit i cili e prodhon atë?! Cilat do të ishin rezultatet praktike të kësaj të vërtete?
Kush është kundër fashizmit pa qenë kundër kapitalizmit, kush qahet për barbarinë që lind prej barbarisë, u ngjan atyre që duan të hanë mish pa therur viçin. Janë gati ta hanë viçin, por nuk durojnë dot gjakun. E vënë shpirtin në paqe nëse kasapi lan duart përpara se të peshojë mishin. Ata nuk janë kundër marrëdhënieve pronësore që prodhojnë barbarinë; janë thjesht kundër barbarisë. Ngrenë zërin kundër barbarisë dhe e bëjnë në ato vende ku mbizotërojnë pikërisht të njëjtat marrëdhënie prodhimi, po ku kasapët i lajnë duart përpara se të peshojnë mishin.
Thirrjet kundër masave barbare mund të jenë efektive për aq kohë sa dëgjuesit besojnë se të tilla masa nuk mund të merren në vendin e tyre. Vende të caktuara ende kanë mundësi të ruajnë marrëdhëniet e tyre pronësore përmes metodave që duken më pak të dhunshme se gjetiu.
Në këto vende demokracia shërben ende për të arritur të njëjtat rezultate që dhuna arrin tjetërkund – me një fjalë, garantimin e pronësisë private mbi mjetet e prodhimit. Monopoli privat i fabrikave, minierave dhe tokës krijon kudo kushte barbare, po në disa vende këto kushte nuk ta vrasin syrin aq fort. Barbaria ta vret syrin vetëm kur ndodh që monopoli të mbrohet vetëm prej dhunës së hapur.
Disa vende – të cilave ende nuk iu duket e nevojshme t’i mbrojnë monopolet e tyre barbare duke hequr dorë nga garancitë formale të shtetit kushtetues, apo nga arti, filozofia dhe letërsia – janë të gatshme t’ua vënë veshin vizitorëve që ankohen për vendet e tyre sepse të mirat e mësipërme mohohen. Ata dëgjojnë me qejf sepse shpresojnë të përfitojnë prej tyre avantazhe në luftërat e ardhshme. A mund të themi se të vërtetën e kanë kuptuar vetëm ata që, për shembull, kërkojnë me zë të lartë një luftë të paepur kundër Gjermanisë “për shkak se në ditët tona ky vend është bërë vatra e mirëfilltë e të keqes, partneri i ferrit, shtëpia e Antikrishtit”? Në fakt të tillë njerëz janë budallenj dhe të rrezikshëm. Përfundimi që del ky budallallëk është se, përderisa gazi helmues dhe bombat nuk prekin vetëm fajtorët, Gjermania duhet shuar nga faqja e dheut – i gjithë vendi dhe krejt populli.
Njeriu që nuk e njeh të vërtetën shprehet me fjalë të mëdha, të përgjithshme dhe të pasakta. Ai çirret kundër “gjermanëve”, ankohet për të keqen në përgjithësi dhe kush e dëgjon nuk di çfarë të bëjë. Mos duhet të vendosë të mos jetë më gjerman?! Do të zhdukej ferri sikur ai vetë të ishte i mirë?! Dokrrat mbi barbarinë që lind prej barbarisë janë të kësaj natyre. Burimi i barbarisë është barbaria, kjo e fundit luftohet nga kultura dhe kultura vjen prej arsimimit. Gjithë sa më lart thuhen me fjalë të përgjithshme; nuk kanë për qëllim të kthehen në plan veprimi dhe në të vërtetë nuk i drejtohen askujt.
Të tilla përshkrime të vagullta vetëm sa tregojnë disa hallka të zinxhirit të shkaqeve. Obskurantizmi i tyre fsheh forcat reale që shkaktojnë katastrofën. Nëse hedhim dritë mbi këtë çështje, duket sheshit se katastrofat shkaktohen nga njerëz të caktuar. Ne jetojmë në kohën kur fatet e njeriut vendosen nga njerëzit.
Fashizmi nuk është një katastrofë natyrore e cila duhet kuptuar thjesht në termat e “natyrës njerëzore”. Po edhe kur merremi me katastrofat natyrore, ka mënyra të shpjegimit të tyre që i shkojnë për shtat njeriut, pasi ato i bëjnë thirrje shpirtit luftarak të njeriut. Pas një tërmeti të madh që shkatërroi Jokohomën, shumë revista amerikane publikuan fotografi të rrënojave. Diçiturat: ÇELIKU NUK U THYE. Dhe, me thënë të drejtën, ndonëse syri në fillim të shkon vetëm te rrënojat, me të lexuar diçiturën, shikimi kap faktin se disa ndërtesa të larta kishin mbetur në këmbë. Midis sa e sa përshkrimeve për tërmetin, më të rëndësishmet janë ato të inxhinierëve të ndërtimit që merren me lëvizjet e tokës, forcën e lëkundjeve etj. sepse ato na tregojnë ndërtesat e ardhshme që do t’u qëndrojnë tërmeteve.
Kush do të përshkruajë fashizmin dhe luftën – katastrofa të mëdha, por jo natyrore – duhet ta bëjë në sensin e një të vërtete praktike. Duhet të tregojë se këto katastrofa shkaktohen nga klasat pronësuese për të kontrolluar punëtorët e panumërt të cilët nuk i zotërojnë mjetet e prodhimit. Kush do të shkruajë siç duhet të vërtetën mbi kushtet e këqija, duhet të shkruajë duke nxjerrë në pah shkaqet e tyre të evitueshme. Nëse identifikohen shkaqet e parandalueshme, mund të luftohen kushtet e këqija.

Përktheu: Arlind Qori

Marrë nga: Teza 11

Një mbrëmje me shi në Tiranë-Arlinda Guma

in Letërsi/Tharm by

Një mbrëmje me shi në Tiranë-Arlinda Guma

 

Një mbrëmje me shi në Tiranë,

është moti i duhur

për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura…

 

Nëpër strehët e shtëpive që pikojnë ëmbëlsisht,

në fytyrat e neonëve që pulisin sytë dhimbsurisht,

në kuvertën e ngrohtë prej gjethesh,

që vjeshta ta hedh krahëve si mushama shiu…

 

Një mbrëmje me shi në Tiranë,

është moti i duhur

për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura,

të pikasësh nëpër rrëkeza uji ndonjë gjurmë të vagullt të tyre,

t’i ndjekësh pas derisa të bëhen hije,

e pastaj të veshësh sytë me natë,

 

ndërsa retë, si kirurge me përvojë,

nxjerrin prej sirtarëve arsenalin e tyre të murrmë të bisturive,

dhe nxitojnë të t’i mjekojnë drithmëzat e melankolisë.

– Ca cifla të vockla në kraharor…

– Asgjë e jashtëzakonshme!- të thonë ato me zë të sigurt,

si profesionistët pas një operacioni.

Një mbrëmje me shi në Tiranë,

është moti i duhur

për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura…

për të fortifikuar butë muret e zemrës,

e për të mashtruar dhimbjet…

 

©Arlinda Guma

Tiranë, 4 Shkurt, 2019

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

 

Kolonët e bardhë dhe “Gjenocidi Selknam”/Vendasit që europianët e civilizuar transportuan dhe mbyllën në një kopsht zoologjik

in Në kohërat e kolerës by

Kolonët e bardhë dhe “Gjenocidi i Selknam”

Familja në foto vjen nga fisi Selkman, ose ndryshe indigjenët e Patagonisë, ose, Tierra del Fuego ( Toka e Zjarrit).

Transportohen në Europë për t’u ekspozuar në muze dhe kopshte zoologjikë. Ndoshta mund të kishin dhe tabelë para kafazit të tyre, që shkruante: “Mos ushqeni kafshët.”

Selskam ishte një nga fiset e fundit indigjene që erdhën në kontakt me perëndimorët në shekullin e 19-të. Befasuan “të bardhët”, sepse vishnin pak rroba pavarësisht temperaturave shumë të ulëta të Patagonisë.

Kolonizatorët e Bardhë dëshironin të përdornin tokat e indigjenëve për të rritur bagëti. Natyrisht, grabitën çfarë deshën, pa kërkuar lejen e banorëve të mëparshëm. Në fund, Selskam-ët u detyrua të gjuanin dhe të hanin delet e të bardhëve.

Selknam-ët ishin nga fiset indigjene të fundit që erdhën në kontakt me perëndimorët në shekullin e 19-të. Por kjo nuk duhej të ndodhte. U përballën me “bujarinë” e njohur të gjithë pushtuesve kolonizatorë. Kolonët ekzekutonin këdo vendas që u afrohej bagëtive. Jepnin 1 lirë për këdo që vriste një vendas dhe sillte pas veshin e tij të prerë si dëshmi. Kur vunë re se qarkullonin shumë vendas pa veshë, dhanë urdhër të sillnin të gjithë kokën si dëshmi.

Popullsia e Selknam-ëve. Në 1896 ishin 3.000. Në vitin 1918, kishte vetëm 279 vendas. Rënia e shpejtë e popullsisë u quajt “gjenocidi i Selknam-ëve”.

Në Maj, 1974, vdiq Angela Lloyd, e fundit e fisit të saj. Jetonte në Britaninë e Madhe, ku po e “shqyrtonte” antropologu Anne Chapman.

Përktheu: Shpendi Shakaj

E vetmja poezi-Leonard Cohen

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

E vetmja poezi-Leonard Cohen

Kjo është e vetmja poezi
që mundet të lexoj
Jam i vetmi që e shkroi
Nuk e vrava veten
kur gjërat shkonin keq e më keq
Nuk kërkova shpëtim
te droga apo leksione, për dreq
U përpoqa të fle
por kur gjumi s’më zinte
Mësova të shkruaj
çfarë mundet të lexohet
Të shkruaj mësova, mos harro
nga një tjetër si unë
në të tilla net si kjo

Përktheu: Flurans Ilia

 

E vërteta e pakëndshme në lidhje me dashurinë dhe divorcin/Meli Ajazi

in Meqë ra fjala by

Meli Ajazi

Ne sot e mendojmë martesën moderne si një institucion dashurie – po ç’ndodh kur dashuria mbaron?
Një pjesë e jona fiksohet pas historive të kohëve të vjetra, të evokuara këto edhe nga librat rozë apo filmat dhe telenovelat, shpesh duke psherëtirë për faktin, që për paraardhësit tanë ajo ka qenë më e thjeshtë dhe se njerëzit dikur ishin më të mirë e më të sinqertë, gjë që s’është aspak e vërtetë, po është thjesht perceptim i gabuar i krijuar nga fantazia jonë.

Dihet tashmë nga të gjithë që dorëheqja nga një marrëdhënie afatgjatë, është shumë e trishtuar, dhe ndryshimet në strukturën e familjes janë shumë të vështira për të gjithë ata që përfshihen në këtë histori, po sidomos për fëmijët. Pra në thelb divorci është i vështirë dhe besimet e qëndrimet tona kulturore e bëjnë atë edhe më të vështirë nga ç’duhet.
Faji, turpi dhe ndjenja e dështimit, dukshëm rritin koston emocionale të divorcit. Edhe pse kjo kosto shtesë është krijuar nga morali shoqëror dhe, edhe pse një shumicë njerëzish të edukuar dhe arsimuar mirë, janë në dijeni të kësaj bashkëfajësie të krijuar nga shoqëria, prapë se prapë divorci përjetohet si eksperiencë shumë e keqe, pasi të gjithë ne kemi qenë në një moshë të pavetëdijshme, në fëmijëri, kur kemi ‘thithur’ mesazhin e shoqërisë në lidhje divorcin.

Pyesni veten në vetmi për këtë: A jeni ju tipi i personit që divorcohet? Pa marrë parasysh se në çfarë statusi martesor jeni, unë vë bast se ju i jeni pëgjigjur kësaj pyetje me: “JO!” kategorike.

Kjo është ajo që të gjithë pa përjashtim mendojnë para se të divorcohen nga partnerët e tyre të mëparshëm. Ne të gjithë mendojmë se jemi më të mirë se personat që divorcohen, dhe me këtë JO ne i pohojmë vetes se: “Unë jam besnik, jam i përgjegjshëm, kam moral të lartë, jam person që tregoj kujdes për partnerin dhe jam person që i mbaj premtimet e zotimet e dhëna.” Deri tek ky pohim nuk ka asgjë të keqe, pasi është i sinqertë.

Njerëzit që mendojnë rreth divorcit apo kryejnë divorc, përgjithësisht ndihen thellësisht të pakënaqur nga jeta e tyre, të vetmuar e të mjerë. Para martesës të gjthë ne mendojmë rreth dashurisë dhe lumturisë të cialt realizohen vetëm nëpërmjet martesës, por pas shkëmbimit të unazave, çdonjëri kërkon në një farë mënyre atë modën e vjetër të martesës, atë të sakrifikimit dhe vetëflijimit, besnikërisë, përgjegjësisë, mundimit dhe vështirësive. Këto qëndrime, i kanë rrënjët në të kaluarën e largët, kur martesa ishte thjesht një institucion ekonomik i projektuar për të stabilizuar mirëqënien dhe pasurinë, si dhe për të rritur trashëgimtarët e kësaj pasurie.

Sigurisht që edhe në ato kohëra, kishte njerëz që dashuronin si dhe shumë njerëz që vuanin nga mosrealizimi i dashurisë, shumë më shumë se tani, po në ndryshim nga ditët e sotme, ata nuk kishin pritshmëri që ndjenjat e tyre të kurorëzoheshin me martesë. Ndjekja e dashurisë dhe lumturisë nuk konsiderohej një arsye e mjaftueshme për t’u martuar dhe kjo sigurisht nuk ishin as arsye për divorc.

Po tani, kur Amerika i ka mësuar gjithë globit, në të gjitha mënyrat, me ligj kushtetues, filma, muzikë e art, se – Kërkimi i lumturisë është një e drejtë themelore e njeriut, – a nuk po ndjehet lumturia e kërcënuar nga divorci, pasi koncepti i zgjidhjes së martesës, nuk perceptohet aspak si një gjë e lumtur?

Pikërisht në ditët e sotme, në të kundërt nga kohët e shkuara, sot kur shumica e njerëzve martohen me dashuri, pasi kanë premtuar në altar se do ta duan njëri-tjetrin derisa vdekja t’i ndajë, pa pyetur asnjëherë veten mbi faktin se çfarë do të thotë ky premtim, pasi në të vërtetë nuk duan ta dinë përgjigjen, sipas statistikave shumica ndihen të zhgënjyer nga martesa.

Si mundet vallë që dikush të angazhohet se do ndjehet njëlloj si në ditët e para, me të njëjtin emocion dhe intensitet me tjetrin, deri në përjetësi? Jo sigurisht që kjo nuk bën sens llogjik, prandaj ne premtojmë pa menduar, ose më keq, duke shpresuar se do ta ‘ndreqim’ partnerin që të na përshtatet.

Ne realisht mund ta detyrojmë veten tonë të jemi besnik, të vetë-sakrifikohemi, por nuk mund t’a detyrojmë dot atë, veten pra, për të qenë të dashuruar, pasi ne njerëzit, kemi fare pak kontroll mbi ndjenjat tona, apo siç shprehemi përgjithësisht mbi zemrat tona. Dhe nuk kalon shumë kohë dhe fillojnë e na lindin kontraditat midis asaj që ndjejmë dhe asaj që kemi pritur të ndjejmë.

Kjo e vërtetë është kaq pakëndshme sa që mundohemi ti tregojmë vetes histori se si dashuria mund të krijohet edhe nëpërmjet vendosmërisë apo karakterit të pastër, punës së mundimshme dhe të vështirë, etj, po shumë shpesh as ne vet si besojmë këto brroçkulla. Nëse do t’i besonim, do të vazhdonim akoma me martesat me shkuesi, po ja që këto lloj martesash na duken shumë paradoksale sot, të papranueshme dhe prapanike.

Në të vërtetë, ka disa çifte, mbase të rrallë, që arrijnë ta mbajnë të pashuar pasionin e fortë të dashurisë, por për shumicën e çifteve, dashuria zbehet, tjetërsohet duke lënë pas pyetje të mëdha ekzistenciale. Një nga pyetjet më të zakonshme që njerëzit i bëjnë vetes është:
Nëse u martuam sepse u dashuruam, çfarë do të thotë, të vazhdosh të rrish në një martesë pa dashuri?

Nëse si shoqëri do të ishim të ndershëm me veten, do të pranonim që të presësh nga njerëzit që martohen me dashuri të mos ndahen, kur dashuria mbaron apo fillon e mungon, është totalisht e paarsyeshme dhe hipokrizi. Po fatkeqsisht, jemi një shoqëri hipokrite dhe për rrjedhojë kthimi tek moda e vjetër e martesës azuar në interesin ekonomik – pra shkëmbim interesash, ka filluar të na duket opsion jo vetëm i papranueshëm, po i domosdoshëm prandaj vazhdojmë predikojmë dashurinë si idealin më kuptimplotë të njeriut.

Dhe po ashtu vazhdojmë ta ushqejmë shoqërinë me hipokrizi mbi martesën, pasi t’u deklarojmë fëmijëve tanë se martesa më shumë sesa lumturi, është përgjegjësi, sakrificë, besnikëri dhe durim, gjëra që partnerët e martuar shpesh i harrojnë dhe, fëmijët nuk ndodh t’i shohin shpesh në familjet e tyre.

Nënat dhe baballarët i shtyjnë fëmijët të martohen që sapo mësojnë se ata mund të jenë dashuruar me dikë, sidomos vajzat, dhe janë shumë të lumtur në ditën e dasmës së tyre dhe me të vërtetë që shumë prej tyre shpresojnë tek ëndrra e lumturisë martesore pa ‘i shqetësuar’ fëmijët me leksionin se ndoshta një ditë mund të zbulojnë që ndoshta nuk ndihen më të dashuruar… Të shpeshta janë rastet kur prindërit zemërohen me fëmijët e tyre që duan të divorcohen …

Po le të mendojmë vetëm për pak – se ndoshta divorci përfaqëson shansin më të mirë të një çifti, mbi ardhmërinë e dashurisë dhe lumturisë së tyre si individë – le të imagjinojmë vetëm për pak një botë ku empathia, përkrahja dhe toleranca kanë më shumë përparësi sesa konceptet tona ndoshta të vjetëruara mbi çiftimin e martesën.

1 141 142 143 144 145 182
Go to Top