MACJA NË APARTAMENTIN E ZBRAZËT- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MACJA NË APARTAMENTIN E ZBRAZËT- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Të vdesësh. Këtë nuk duhet t’ia bësh një maceje.

Ç’mund të bëjë ajo në një apartament të zbrazët?

T’u qepet mureve?

Të fërkohet mbas moblave?

Në dukje asgjë s’ka ndryshuar

e megjithatë asgjë s’është si më parë.

Asgjë nuk ka luajtur nga vendi

e megjithatë asgjë s’është në vendin e vet.

Dhe, në mbrëmje, llamba nuk ndizet më.

 

Dëgjohen hapa nëpër shkallë,

por nuk janë hapat e duhur.

Dhe dora që vë peshkun në pjatë

nuk është ajo që ishte më parë.

 

Diçka nuk fillon më

në orën kur duhej të fillonte.

Diçka nuk bëhet

siç do të duhej të bëhej.

Dikush kish qenë atje gjithmonë

dhe, befas, nuk është më,

duke këmbëngulur të mos jetë.

 

Rrëmuam nëpër gjithë dollapët,

Kontrolluam etazherët.

Rrëshkitëm poshtë qilimit, se ku i dihej.

Guxuam madje të paguxueshmen

duke ia bërë lëmsh shkresurinat.

 

Ç’mbetet tani për të bërë?

Të flesh dhe të presësh.

 

Por veç në ardhtë, ama, veç në u shfaqtë sakaq.

Do t’i bëjmë të ditur                                     

që nuk i bëhet kjo një maceje.

Do ecim drejt tij

gjasme pa dëshirë, me pamje shpërfillëse,

dalëngadalë,

me putra krenare e të mëritura.

Dhe as që bëhet fjalë për ndonjë hedhkë a mjaullimë,

të paktën në fillim.

 

Përktheu: Alket Çani

Në foto: Ernest Hemingway dhe macja e tij

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top