Për mua Tirana në vjeshtë ka qenë gjithmonë një lloj Valsi Sentimental i Tchaikovsky-it/Bisedë me violinistin Klaidi Sahatçi

in Biseda/Muzikë by

Bisedë me violinistin Klaidi Sahatçi, mbi muzikën dhe jetën e tij ndarë midis Milanos, Lionit dhe së fundmi Zyrihut.

Ai është modest kur flet për arritjet, ndërsa thekson se: Të luash muzikën e vendit tënd në radhë të parë është një mision dhe detyrë përpara se të jetë kënaqësi.

I pyetur se me kë prej personaliteteve historike muzikore do të donte të bisedonte duke pirë një gotë verë, ai thotë:

Në fakt kur ne luajmë bëjmë njëfarë bisede me çdonjërin nga ata. Besoj se po të jem i detyruar të zgjedh do thosha Beethoven, Brahms, Robert dhe Clara Schumann. Në vend që t’i bëja pyetje, do ngelesha në një cep si një djalë i vogël kur dëgjon bisedimet që bëjnë të rriturit, të cilat, për mua do ishin thesar frymëzimi. Brahms-i për shembull më është dukur gjithnjë si një xhaxha i dashur, i cili të rri pranë e të jep këshilla në momentet e vështira. Ndihet mirësi në muzikën e tij

 Bisedoi: Arlinda Guma

 Arlinda Guma: Ju jeni diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Konservatorin Giuseppe Verdi në Milano, Itali, madje edhe me një përmendje honorifike të veçantë. E megjithatë në ato vite në Itali ka patur paragjykime nga më aluçinantet për shqiptarët, të cilave s’mund t’u shpëtonte as një violinist… Ç’kujtoni prej vështirësive të atyre kohëve?

Klaidi Sahatçi: Kujtoj që përshtypja ime si sjellje apo trajtim nga ana e disa studentëve apo dhe e ndonjë profesori të Konservatorit të Milanos ishte e përzier midis një ndjenje superioriteti dhe njëfarë zilie dhe vështirësie pranimi të faktit që disa të rinj, të ardhur befasisht nga një vend i vogël dhe i prapambetur, po tregonin më tepër energji, talent dhe etje për dije dhe arritje sociale, në një vend ku ato kohë mbretëronte përgjithësisht rehatia dhe zbavitja. Këtë e kam ndier edhe në ambjente të jashtme të Konservatorit, jo vetëm në muzikë, dhe në jetën e përditshme gjithashtu. Gjërat u përkeqësuan më tepër në vitet 1996/97, dhe ishte kryesisht e lidhur me disa ngjarje vrasjeje apo grabitjeje, të cilave shtypi u dha shumë jehonë. Me kujtohen shkrime në metro:“Albanesi fuori!”, apo një intervistë në një revistë të njohur me njerëz të spektaklit italian, ku dikush deklaronte se:“Shqiptarët si popull janë të shëmtuar dhe të këqinj”. Megjithatë për fat, siç është edhe normale, ekziston edhe pjesa e tjetër më e madhe, e cila çmon njeriun me kapacitetin dhe sjelljen e  tij, duke lënë mënjanë paragjykime të çdo lloji. Mund të them se sot situata është krejt tjeter dhe për këtë ka kontribuar edhe integrimi i plotë i shqiptarëve në Itali në mënyrë pozitive.

Arlinda Guma: Midis muzikës klasike, letërsisë, pikturës, cilën nga këto e shihni më afër Zotit? Cilën nga këto të treja do ta konsideronit violinë të parë të Tij?

Klaidi Sahatci: Megjithëse jam muzikant, sinqerisht nuk mundem të vë një hierarki në art, për mua secila lloj shprehije ka vendin dhe vlerën e saj. Për mendimin tim, është sikur të thuash cila ngjyrë e ylberit është më e bukura.

Arlinda Guma: E meqë jemi te ky term, ju keni qenë violinë e parë në orkestrën e Lionit për disa vjet. Si ishte ajo eksperiencë?

Klaidi Sahatci: Ka qenë eksperienca e parë pas studimeve në Itali, në një orkestër profesioniste me një nivel shumë të lartë, dhe në një vend krejt të ri për kulturë dhe mentalitet për mua në moshën e re 23 vjeçare. Isha në atë kohë pjesëtari më i ri i asaj orkestre. Kam mësuar jashtëzakonisht në atë periudhë, më kujtohet për shembull, që disa nga kolegët e mi, të cilët ishin 50, 60 vjeçarë më tregonin anekdota dhe këshilla të vyera nga njerëz të shquar, për të cilët unë deri në atë kohë vetëm kisha dëgjuar dhe lexuar, kurse ata i kishin njohur personalisht si për shembull: Messiaen, Rostropovich, Boulez, etj. Më tej m’u paraqit ky fat edhe mua. Ndër të tjerë, u njoha drejtpërdrejt edhe në bashkëpunim, duke interpretuar veprat e tyre me  kompozitorë francezë bashkohorë si për shembull: Philip Hersant, Pascal Dusapin, Florent Schmitt , Gilbert Amy, etj. Për mua ishte një botë e re që hapej. Në përgjithësi i hyra thellë interpretimit të muzikës franceze, duke jetuar në një vend me tradita të mëdha, ndjeva një lloj lirie edhe në mënyrën e të menduarit, duke kuptuar se sa paragjykime dhe provincializëm përmbante kultura ime personale deri në atë moment.

Arlinda Guma: Ju ka qëlluar ndonjëherë që kur pasi keni mbaruar një interpretim nuk ju kane mbajtur më këmbët dhe i keni thënë vetes: – Pse dreqin zgjodha këtë profesion?

Klaidi Sahatci: Po, më ka ndodhur, sidomos kur ndjen një lloj frustrimi, meqë ke punuar shumë për diçka dhe të lë në baltë për një sekondë; mund të jetë një gisht që rrëshqet nga djersa apo lodhja, ose e pyet veten kur ke një stres të jashtëzakonshëm duke vajtur në një sallë koncerti dhe në të njëjtën kohë sheh që shumë njerëz të tjerë po pinë të qetë kafe ose bëjnë një piknik në park me miqtë ose me familjen. Por në fund të fundit, kur çdo gjë ka kaluar mirë në skenë dhe ke përjetuar një moment të veçantë, e mbase të paharrueshëm, kupton që për këto çaste ia vlen barra qiranë të sakrifikosh, sepse të japin një ndjenjë të veçantë përmbushjeje.

Nuk diskutohet që për një jetë sa më të ekuilibruar duhet krijuar një alternim i dobishëm midis punës dhe pushimit, edhe pse është gjë e vështirë kur je shumë i dhënë pas profesionit.

Arlinda Guma: Ç’ndjesi ju japin disa shprehje të gazetarëve shqiptarë, si:“Klaidi Sahatçi-violinisti me famë botërore!Si reagoni kur i dëgjoni? Buzëqeshni në mënyrë mirëkuptuese? Nervozoheni? Apo shpotisni veten?

Klaidi Sahatci: T’ju them të drejtën më vjen pak bezdi, por nga ana tjetër vërej që tashmë ky lloj titulli është një praktikë shumë e përdorur me tepër lehtësi dhe sipërfaqësi gati për këdo që vjen nga jashtë dhe performon në Shqipëri. Por të jemi vërtet realistë, vetëm për artistë si Pavarotti, Domingo, Kavakos apo Zubin Mehta ose Barenboim midis të tjerëve, mund të vlente vërtet kjo lloj shprehjeje. Nga ana e gazetarëve edhe përfitohet pak në këtë drejtim, sepse mosnjohja pjesore ose tërësore nga një pjesë e madhe e publikut të gjerë ndaj ambjentit të muzikës klasike e lejon një “abuzim” të tillë dhe nga ana tjetër bën që titulli i koncertit ose i artikullit të jetë më i bujshëm. Meqë ra fjala, ju lutem të shkruani thjesht “violinisti” për mua në këtë artikull. (Buzëqesh.)

Arlinda Guma: Si do të ishte për ju spektatori ideal?

Klaidi Sahatci: Për mua do ishte thjesht një njeri, i cili vjen në një koncert me një frymë pozitive dhe i kushton vëmendje dhe respekt punës së artistit ose artistëve. Nga ana tjetër në interpretët duhet të përpiqemi të jemi të ndershëm, profesionalë dhe të përgatitur sa më mirë në lojën tonë. Personalisht mundohem të jem i ekuilibruar në gjykimin e një loje të një kolegu apo kolegeje në një koncert, jam kurioz dhe mësoj me kënaqësi nëse ka ide apo elemente të cilët mund të më përmirësojnë. Vlerësoj faktin kur tek interpretuesi shihet kërkimi i thellë i veprës dhe përgatitja, e veçanërisht një përqasje besnike, e përputhur me idenë fillestare të kompozitorit.

Arlinda Guma: Një numër i konsiderueshëm muzikantësh shqiptarë shohim të shkëlqejë nëpër botë. Janë vërtet kaq të forta shkollat shqiptare të muzikës? Cilët janë ata kompozitorë shqiptarë që vlerësoni më shumë? Ç’mendoni se do të kishte ndodhur me krijimtarinë e tyre sikur Shqipëria të mos kishte qenë një vend i izoluar?

Klaidi Sahatci: Arritjet në lidhje me shkollën shqiptare, nga ajo që është demostruar deri tani, besoj se bazohen tek përpekjet e mësuesve dhe nxënësve që në krijimin e kësaj shkolle dhe në bashkëpunimin e tyre me përkushtim dhe motivacion për artin. Disa nga mësuesit kanë pasur, edhe një metodikë të fortë, por besoj se më tepër, pikërisht  motivimi i fortë i studentëve për studim e arritje, si dhe forcimi i karakterit nëpërmjet një disipline të rreptë pune, duke pasur edhe mbështetjen tërësore të familjes në përgjithësi, ka qenë kyçi kryesor për mendimin tim për arritjen me sukses në kushte të vështira, edhe në shkolla të forta si ato europiane. Më tej duhet shtuar dhe materiali njerëzor me talent dhe diçka që mund ta quaj uri për arritje, po ashtu edhe një nevojë mbijetese që ishte krijuar nga rrethanat dhe i përket veçanërisht brezit tim dhe atyre pranë nga hapja e vendit tonë pas vitit 1991.

Mendoj se krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë ka qenë gjithmonë aktive dhe do vazhdojë të jetë dhe në të ardhmen. Personalisht nuk mundem të shprehem me preferencë për kompozitorë të veçantë, edhe për respekt për punën e tyre, por ajo që mund të them është se për mua të luash muzikën e vendit tënd në radhë të parë është një mision dhe detyrë përpara se të jetë kënaqësi. Ne që jemi një vend i vogël, kemi një nevojë të jashtëzakonshme që të përdorim të gjitha forcat njerëzore dhe mënyrat për të shpërndarë këtë kulturë dhe këtë thesar folklorik që kemi. Konkretisht për shembull; në CD-në “Albanian Memories”, që kemi realizuar me pianisten Dhurata Lazo, isha i ndërgjegjshëm që jo të gjitha pjesët ishin në lartësinë e duhur, por mendoja se ky inçizim do kishte në radhë të parë një vlerë më tepër historike dhe informative se sa muzikore. Edhe vetë, disa nga ata kompozitorë me të cilët kam folur, më kanë thënë që ai rezultat ishte thjesht rrjedhues, me një periudhë të caktuar dhe me kushte rrethanore që i përkisnin asaj periudhe.

Ndër koncertet e dhjetë viteve të fundit kam pasur kënaqësi të luaj vepra nga kompozitorë bashkohorë si: Thoma Simaku, Rafet Rudi, Gerti Druga, Eriona Rushiti dhe Aleksander Peçi – disa vepra të të cilit i kemi inçizuar kohët e fundit me pianisten e mirënjohur Merita Rexha Tershana.

Natyrisht, nëse veprat do jenë gjithmonë e më të mira dhe me vlerë, nuk diskutohet që kjo do të jepte një kontribut për një interesim më të madh për imazhin e muzikës dhe vendit tonë në botë. Në këtë pikë, edhe Ministria e Kulturës do të kishte një rol të madh për të nxitur nëpërmjet konkursesh apo promovimesh për krijimtari të re dhe cilësore.

Arlinda Guma: Cilat janë fjalët më të bukura që ju kanë thënë pas një koncerti? Po ato më pak të bukura?

Klaidi Sahatci: Një nga të cilat kam çmuar ka qenë komenti i një dëgjuesi zviceran, i cili pas një koncerti me sonatën “Pranvera” të Beethoven-it, më tha:“Kam shume CD në makinë dhe e dëgjoj shpesh këtë sonatë, por asnjëherë nuk e kam dëgjuar kështu siç e luan ti.”

Për mua interpretimi duhet të jetë me një identitet të fortë nga artisti, jam munduar duke u pjekur profesionalisht të frymëzohem, por të mos jem kopje e dikujt.

Një vërejtje, nga e cila edhe kam mësuar, ka qenë në një artikull në Lyon, pas një koncerti me muzikë dhome:

“Violinisti K.S. luan ëmbël dhe bukur, por vetëm kaq”.

Në fillim u nervozova, sepse mendova: – Çfarë kritike është kjo? Por me kalimin e kohës kuptova që në muzikë, si në të gjitha artet, nuk mund të shprehësh vetëm një anë të ndjenjave apo estetikës. Si një aktor i mirë duhet të dish të luash, si role të personazheve pozitivë, po ashtu dhe negativë. Siç është dhe jeta vetë në tërësinë e saj, me momentet e bukura dhe ato të veshtira.

Arlinda Guma: Ju keni jetuar midis Milanos, Lionit dhe Zyrihut. Me syrin e një njeriu të baraslarguar mjaftueshëm, por edhe me ndjeshmërinë e një muzikanti, mendoni se këto kohë moderne globaliste po sjellin edhe njëfarë atomizimi të shoqërisë? Një lloj standardizimi të ftohtë, që rrafshon dhe njëtrajtëson çdo tipar autentik që dallon kulturat mes tyre.

Klaidi Sahatci: Po, mendoj se është e vërtetë. Këtë e shoh dhe nëpër orkestra, të cilat janë në njëfarë mënyre një termometër i shoqërisë, janë bërë multikombëtare dhe demokratike, por nga ana tjetër edhe kanë humbur identitetin e fortë nën hijen e një kërkese të efiçencës gati maniakale dhe nganjëherë dhe sterile.

Arlinda Guma: Cili është ai personalitet muzikor historik, që do të kishit dashur ta takonit me një gotë verë përpara? Çfarë pyetjesh do të kishit dashur t’i bënit?

Klaidi Sahatci: Do të doja të kisha jo vetëm një, por një tavolinë me disa nga ata, për të përfituar nga ai moment sa më tepër. Në fakt kur ne luajmë bëjmë njëfarë bisede me çdonjërin nga ata. Besoj se po të jem i detyruar të zgjedh do thosha Beethoven, Brahms, Robert dhe Clara Schumann. Në vend që t’i bëja pyetje, do ngelesha në një cep si një djalë i vogël kur dëgjon bisedimet që bëjnë të rriturit, të cilat, për mua do ishin thesar frymëzimi. Brahms-i për shembull më është dukur gjithnjë si një xhaxha i dashur, i cili të rri pranë e të jep këshilla në momentet e vështira. Ndihet mirësi në muzikën e tij.

Arlinda Guma: I ndiqni zhillimet politike në Shqipëri? Çfarë ju nervozon dhe çfarë ju magjeps kur vini këtu?

Klaidi Sahatci: Për fat të mirë e të keq i ndjek shumë pak. Më nervozon mënyra e të bërit politikë si mjet pasurimi në kurriz të të tjerëve dhe trajtimi i popullit nga ana e disave prej tyre si i mangët.(defiçient)

Më magjeps shumë ajo vetia e popullit tonë, i cili ka një sens adaptimi të jashtëzakonshëm në situata të komplikuara dhe arrin dosido të kalojë çdo peripeci që i shpaloset me njëfarë filozofie krejt shqiptare, nuk di si ta shpjegoj.

Arlinda Guma: Muzikën e kujt kompozitori ju kujton Tirana në vjeshtë? Cilat janë ato ngjyra dhe aroma të Tiranës, të cilat nuk ua zëvendëson dot Zyrihu ku jetoni? Po Zyrihu në vjeshtë me ç’muzikë përkon?

Klaidi Sahatci: Për mua Tirana në vjeshtë ka qenë gjithmonë një lloj “Valsi Sentimental i Tchaikovsky-it ose “Valse Triste Sibelius”, por këtu i referohem më tepër kujtimeve të mia në Tiranën e viteve 80-90-të.

Zyrihu mund të them se i përshtatet më tepër kohës së parë të Sonatës n.1 për  violinë dhe piano të J.Brahms .

Më mungojnë për shembull në Zyrih,; dielli ngrohtë pranveror i pasdites në Tiranë, më mungon kontakti me miqtë, familjen dhe të afërmit, atmosfera e relaksuar e kafeve, erërat dhe shijet e  kuzhinës mesdhetare të qytetit tim të lindjes. Ndihem mirë kur kthehem në Tiranë. Do të jetë gjithmonë qyteti im.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.