Ardhja e Hyut-Erlind Sulko
I
Ky është njeriu.
Me një palë gërshërë do të presë botën.
E pasi ta ketë ndarë gjithësinë
në cifla të vogla letre
do ta rindërtojë në një shfaqje
të përkohshme të përjetësisë.
Çdo gjë do ta bëjë të tijën.
E çrrënjos çdo gjë
për hir të veprës së tij.
Edhe mbi gurin e varrit
do të vendosë emrin.
Ky është njeriu.
Nuk di ta shijojë erëmimin e trëndafilit.
Do t’i marrë petalet, t’i ziejë, t’i shtrydhë
dhe lotët t’i mbyllë në një shishe qelqi
për një të ardhme të paarritshme.
Ky është njeriu.
Mbrapa buzëqeshjes së zgjatur
fshihet një përbindësh i verbër.
Dhe brenda dashurisë
lulëzon një urrejtje e pafund.
Asnjëherë nuk shfaq. Vetëm fsheh.
Ky është njeriu.
Kush nuk dehet
vdes nga mërzia dhe vuajtja.
Nuhat, pi, ha, vështron
që të humbasë në pamjen e paanë.
Ecën që të harrojë.
Padashje shkel në një pellg të cekët
dhe e mbysin kujtimet.
Kthehet në banesë i tmerruar,
mundohet të mbushet me frymë
dhe kërkon të rikrijojë një të pamundur.
I skllavëruar nga e shkuara,
i frikësuar nga e ardhmja,
ecën drejt humnerës i vetëkënaqur.
Ky është njeriu.
Zot, mos ki mëshirë për ne.
Tashmë ka ardhur koha jote.
E jona ka përfunduar
që në çastin kur filloi.
Lutem për ardhjen tënde të shpejtë
Dhe shkatërrimin e njeriut.
Për veprat e Artan Hajrullahut- Erlind Sulko
Erlind Sulko Shqyrtimi i veprave të artit është përherë një hulumtim mbi mënyrën e shprehjes: një