Për veprat e Artan Hajrullahut- Erlind Sulko

in A(rt)ktivizëm/Pikturë by

Erlind Sulko

Shqyrtimi i veprave të artit është përherë një hulumtim mbi mënyrën e shprehjes: një vëzhgim se si një pikturë shpreh diçka nëpërmjet ngjyrave, se si një kompozicion shprehet nëpërmjet tingujve apo mënyra se si një poezi zhvillohet nëpërmjet fjalëve. Çdo vepër artistike dallohet nga ajo që shpreh dhe trajta se si ajo e shpreh atë. Përmbajtja dhe trajta janë të dallueshme, por jo të ndara nga njëra-tjetra. Përmbajtja është e pafundme. Ndërkohë, trajtat e shprehjes përsëriten.

Trajtat e shprehjes artistike janë një lavjerrës që kalon tutje e tëhu nga thjeshtësia fillestare tek ndërlikimi i lodhshëm. Rrymat artistike përherë i rikthehen një llojë thjeshtësie të shprehjes të një kohë të kaluar e më pas, të lodhur nga thjeshtësia, kthehen sërish tek ndërlikimi i mundimshëm bashkëkohor. Historia e shprehjes artistike është në një dialektikë të vazhdueshme midis thjeshtësisë dhe ndërlikimit. Përmbushja përfundimtare e kësaj dialektike të shprehjes artistike është bashkimi i thjeshtësisë së pastër në trajtën e shprehjes me ndërlikimin e pafundëm në përmbajtje. Pikërisht këtë bashkim të thjeshtësisë fëminore të shprehjes, me ndërlikimin filozofik të përmbajtjes, shikoj tek punimet e Artan Hajrullahut.

Ku qendron thjeshtësia joshëse e shprehjes në veprat e Artanit? Fillon mu tek vetë mënyra se si veprat na shfaqen. Shumica e veprave të tij janë punuar mbi kartona të ndryshëm që ai i gjen rrugëve, nëpër kartona të panevojshëm që të tjerët do t’i hidhnin në plehra. Kur e takova, ai u shpreh se disa nga punimet e tij ishin edhe mbi kartona të vjetër që ai i kishte që nga koha e studimeve.  Kartonat kanë lloj-lloj trajtash, ashtu siç i gjen. Kartonin nuk e pret, pasi ka punuar diçka mbi të, por pikturon mbi vetë trajtën që kartoni ka që kur e ka gjetur. E lë kartonin vetë të flasë. Dhe mbi punimin në kartonë, tashmë Artani, ka filluar të vendosë edhe një kornizë të bardhë: si për t’ia shtuar edhe më shumë sasinë e naivitetit fëminor. Në këtë kuptim, vetë mediumi i veprave të tij janë si disa vizatime të rastësishme që një fëmijë do t’i kryente poshtë pallatit: pa ndonjë qëllim përfundimtar, pa ndonjë shpresë se ky punim do të përfundojë një ditë nën një kornizë hijerëndë.

Thjeshtësia e shprehjes në punimet e Artanit shfaqet edhe në një minimalizëm të përgjithshëm që përshkon shfaqjen: shpesh kemi një njeri, apo vetë Artanin, bashkë dy a tre sende që lundrojnë në zbrazëtinë e kartonit. Veprat nuk kanë një minimalizëm të egër, bardh e zi: i ngjan më shumë një minimalizmi fëminor, një minimalizmi të përhumbur në ëndrra të përkohshme. Punimet e Artanit shpesh më ngjajnë si ëndrrat e pafajshme të një fëmije, që në vetë sinqeritetin naiv të trajtës shpreh frymën e përbashkët.

(Punim i Artan Hajrullahut ku shfaqet djali i tij bashkë me lodra të shumëta të kafshëve.)

Por, kjo thjeshtësi në trajtën e shprehjes nuk duhet të ngatarrohet me ndërlikimin e përmbajtjes. Përmbajtja në veprat e Artanit shfaqet nëpërmjet dykuptimësive të vazhdueshme, nëpërmjet simboleve dhe metaforave që ripërsëriten. Shohim pikërisht një rimarrje të sendeve që kanë lënë gjurmë në kujtesën e përbashkët për të shprehur metaforikisht frymën e përgjithshme.

Një nga simbolet kryesore në veprën e Artanit, ku shfaqet kjo dykuptimësi, është simboli i pasqyrës. Shumë punime të Artanit më ngjajnë shpesh me përsiatje të gjata poetike të pasqyrës.  Ky simbol futet vazhdimishit si një mënyrë për të shprehur atë që fshihet mbrapa asaj që na shfaqet, ose për të bërë të kundërtën: për të fshehur tërësinë e shfaqjes.

 

Në punimin e mësipërm kemi vetë Artanin në trajtën e një mësuesi të shenjtë, me kurorën e shenjtërisë dhe shenjën e gishtave. Në dorën e majtë ai mban librin e mësimdhënies. Këtu pasqyra na shfaq diçka që vetë njeriu përpara nuk mundet: pasqyra na shfaq pjesën e tij të mbrame. Ky mësues i shenjtë është po ashtu një njeri si gjithë të tjerët, me flokë të rëna dhe një kurriz të zhveshur. Në këtë punim kemi një ballafaqim midis të shenjtës dhe njerëzores: mbas çdo shfaqje të së shenjtës fshihet diçka njerëzore. Është pikërisht simboli i pasqyrës që arrin ta bashkojë njeriun dhe të hyjnishmen në një punim të vetëm.

 

 

Në punimin e mësipërm, shohim sërish se si pasqyra na shfaq diçka tjetër: pasqyrimi i fshehtë e përplotëson shfaqjen. Përballë kemi një grua të zhveshur që po krihet anash një luleje. Nëse pasqyra nuk do ishte aty, ne do ta shikonim këtë grua si të vetëkënaqur me lakuriqisinë e saj. Por, si të thuash, pasqyra në mënyrë të pafajshme duket sikur na shfaq vetë dëshirën e përbrendshme të asaj gruaje: ajo kërkon ngrohtësinë e sobës. Lakuriqësia e saj është një vuajtje dhe durim i të ftohtit, jo një gëzim epshor i trupit. Por është pikërisht pasqyra ajo që na shfaq atë që vetë njeriu nuk na e rrëfen dot.

Ndërkohë, në dy punimet e mësipërme kemi të kundërtën: pasqyra nuk na shfaq, por na mbulon nga shfaqja e plotë. Tek punimi i parë, pasqyra shfaq vetëm fytyrën e gruas, ndërkohë që trupi i saj i lakuriqtë fshihet. Të duket sikur ajo do të shfaqet në tërësinë e trupit të saj, por pasqyra nuk e lejon: ajo është e kufizuar, e burgosur nga kufijtë e pasqyrës. Në punimin e dytë, pasqyra po ashtu na gënjen me kufizimin e saj: në pasqyrë e shohim Artanin të fryrë dhe me muskuj e me një fytyrë hijerëndë, por shohim se mbrapa pasqyrës fshihet një njeri i zakonshëm, me veshmbathje të bardha.

Një simbol tjetër që rishfaqet vazhdimisht në punimet e Artanit është çentroja. Çentroja kthehet në një metaforë për zbukurimin e panevojshëm të jetës.

Në punimin e mësipërm, shohim se çentrot janë vënë gjithkund, duke mbuluar thelbin e çdo gjëje. Çentroja shfaq metaforikisht teprimin e kuptimit estetik të jetës: zbukurimin që mbulon gjërat e që nuk i lënë ato të shfaqen.

Në këtë punim shohim sërish, çentron e vendosur gjithkund: mbi tavolinat, mbi mur, mbi kokën e krevatit dhe mbi dollap. Por, këtu çentroja nuk na lejon jo vetëm të shikojmë gjërat ashtu siç janë: ajo ka mbuluar edhe vetë kënaqësinë erotike të njeriut. Është pikërisht estetizimi i tepruar i jetës që e ka rrëmbyer jetën nga kënqësitë e thjeshta e të qënurit i bashkuar me dikë. Këtu çentroja është një mbulonjëse estetike dhe shpirtërore e vetë dëshirave trupore të njeriut. Çifti është i zhveshur, por i pamundur për ta shijuar vetveten.

Një simbol që e shohim të ripërsëritet tek veprat e Artanit është soba. Në një mënyrë apo një tjetër, njerëzit në botën e veprave të Artanit janë përherë të ftohur, duke u dridhur, lakuriq, në nevojë të diçkaje që t’i ngrohë. Soba këtu shërben si një metaforë e një lloj përmbushje shpirtërore që rimerret nga kujtesa jonë e përbashkët.

Siç, edhe shohim tek punimi i mësipërm: vetë i ftohti nuk i lë njerëzit të kryejnë gjëra të tjera. Një grua po mundohet t’iu shërbejë, por burrat janë duke ngrohur duart.

Këtu shohim një burrë që po ngroh këmbët tek soba.

Këtu një grua që po than flokët tek soba.

Ndërkohë, këtu kemi një burrë të zhveshur duke u ngrohur tek kaloriferi. Zhveshja dhe i ftohti këtu shprehin vetë vetminë: i ftohti është shfaqur në kuptim metaforik. Vetmia e këtij burri shfaqet jo vetëm nga i ftohti, por edhe nga një foto në mur, ku ai qendron në krah të dikujt tjetër, ndërkohë që tani qendron vetëm.

Në tërësi, veprat e Artanit përshkrohet nga një lloj absurditeti i shfaqur në mënyrë fëminore. Një nga këto absurde është fshehja e marrdhënies që ne kemi me dëshirat tona epshore.

Në punimin e mësipërm shikojmë disa nga ata burrat e kanunit, ata burra që kanë pikëpamje shumë të ngushta për rolin e gruas në shoqëri, ata burra që e mbështjellin gruan me detyra morale të shumëllojshme, pikërisht ata burra janë bashkuar për të parë filma porno. Shumë të përqendruar, duke harruar krejtësisht pikëpamjet e tyre të ngushta të jetës së përditshme.

Në këtë punim, shohim të njëjtën gjë: burra duke parë porno. Por vetëm me një ndryshim: këtu edhe vetë fëmijët po duan të ndjekin shembullin e baballarëve.

Një absurd tjetër është absurdi ekonomik dhe mënyra se si ai ndikon në marrëdhëniet që ne kemi me njëri-tjetrin.

Këtu shohim absurdin e shitjes së veprave të artit me kile. Kapitalizmi bashkëkohor e ka shndërruar çdo vlerë të barazvlefshme me vlerën ekonomike: prandaj edhe këtu shohim se si vetë artisti është shndërruar në tregtar.

 

Këtu kemi sërish një rast të absurditetit ekonomik tek veprat e Artanit. Kemi dikë që duket si pronari i fushës së futbollit. Fusha është e braktisur. Ndërkohë, jashtë fushës, kemi një grup njerëzish që duan ta lozin. Pronari nuk është duke bërë ndonjë përfitim, pasi fusha është e boshatisur gjithsesi. Ndërkohë, njerëzit presin jashtë gardhit me dëshirën për të luajtur.

Mënyra më e mirë për ta kapur artistikisht absurdin e madh që na rrethon është duke e shprehur atë me një çiltërsi fëminore, me një naivitet që e shpreh tërësisht atë. Absurdi shprehet plotësisht me anë të një gënjeshtre: ti shfaqesh sikur beson vetë në të.  Por besimi yt tek absurdi është si i një fëmije që përsërit fjalët e prindërve pa i kuptuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top