Një mbrëmje me shi në Tiranë-Arlinda Guma
Një mbrëmje me shi në Tiranë,
është moti i duhur
për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura…
Nëpër strehët e shtëpive që pikojnë ëmbëlsisht,
në fytyrat e neonëve që pulisin sytë dhimbsurisht,
në kuvertën e ngrohtë prej gjethesh,
që vjeshta ta hedh krahëve si mushama shiu…
Një mbrëmje me shi në Tiranë,
është moti i duhur
për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura,
të pikasësh nëpër rrëkeza uji ndonjë gjurmë të vagullt të tyre,
t’i ndjekësh pas derisa të bëhen hije,
e pastaj të veshësh sytë me natë,
ndërsa retë, si kirurge me përvojë,
nxjerrin prej sirtarëve arsenalin e tyre të murrmë të bisturive,
dhe nxitojnë të t’i mjekojnë dridhmëzat e melankolisë.
– Ca cifla të vockla në kraharor…
– Asgjë e jashtëzakonshme!- të thonë ato me zë të sigurt,
si profesionistët pas një operacioni.
…
Një mbrëmje me shi në Tiranë,
është moti i duhur
për të kërkuar rrugëve humbjet e tua të bukura…
për të fortifikuar butë muret e zemrës,
e për të mashtruar dhimbjet…
©Arlinda Guma
Tiranë, 4 Shkurt, 2019

“Bob Legjenda”-Një roman i ri nga Arlinda Guma
Një pasthënie e shkurtër nga autorja Arlinda Guma “Bobi është një shkrimtar i ri, i