E vërteta e pakëndshme në lidhje me dashurinë dhe divorcin/Meli Ajazi

in Meqë ra fjala by

Meli Ajazi

Ne sot e mendojmë martesën moderne si një institucion dashurie – po ç’ndodh kur dashuria mbaron?
Një pjesë e jona fiksohet pas historive të kohëve të vjetra, të evokuara këto edhe nga librat rozë apo filmat dhe telenovelat, shpesh duke psherëtirë për faktin, që për paraardhësit tanë ajo ka qenë më e thjeshtë dhe se njerëzit dikur ishin më të mirë e më të sinqertë, gjë që s’është aspak e vërtetë, po është thjesht perceptim i gabuar i krijuar nga fantazia jonë.

Dihet tashmë nga të gjithë që dorëheqja nga një marrëdhënie afatgjatë, është shumë e trishtuar, dhe ndryshimet në strukturën e familjes janë shumë të vështira për të gjithë ata që përfshihen në këtë histori, po sidomos për fëmijët. Pra në thelb divorci është i vështirë dhe besimet e qëndrimet tona kulturore e bëjnë atë edhe më të vështirë nga ç’duhet.
Faji, turpi dhe ndjenja e dështimit, dukshëm rritin koston emocionale të divorcit. Edhe pse kjo kosto shtesë është krijuar nga morali shoqëror dhe, edhe pse një shumicë njerëzish të edukuar dhe arsimuar mirë, janë në dijeni të kësaj bashkëfajësie të krijuar nga shoqëria, prapë se prapë divorci përjetohet si eksperiencë shumë e keqe, pasi të gjithë ne kemi qenë në një moshë të pavetëdijshme, në fëmijëri, kur kemi ‘thithur’ mesazhin e shoqërisë në lidhje divorcin.

Pyesni veten në vetmi për këtë: A jeni ju tipi i personit që divorcohet? Pa marrë parasysh se në çfarë statusi martesor jeni, unë vë bast se ju i jeni pëgjigjur kësaj pyetje me: “JO!” kategorike.

Kjo është ajo që të gjithë pa përjashtim mendojnë para se të divorcohen nga partnerët e tyre të mëparshëm. Ne të gjithë mendojmë se jemi më të mirë se personat që divorcohen, dhe me këtë JO ne i pohojmë vetes se: “Unë jam besnik, jam i përgjegjshëm, kam moral të lartë, jam person që tregoj kujdes për partnerin dhe jam person që i mbaj premtimet e zotimet e dhëna.” Deri tek ky pohim nuk ka asgjë të keqe, pasi është i sinqertë.

Njerëzit që mendojnë rreth divorcit apo kryejnë divorc, përgjithësisht ndihen thellësisht të pakënaqur nga jeta e tyre, të vetmuar e të mjerë. Para martesës të gjthë ne mendojmë rreth dashurisë dhe lumturisë të cialt realizohen vetëm nëpërmjet martesës, por pas shkëmbimit të unazave, çdonjëri kërkon në një farë mënyre atë modën e vjetër të martesës, atë të sakrifikimit dhe vetëflijimit, besnikërisë, përgjegjësisë, mundimit dhe vështirësive. Këto qëndrime, i kanë rrënjët në të kaluarën e largët, kur martesa ishte thjesht një institucion ekonomik i projektuar për të stabilizuar mirëqënien dhe pasurinë, si dhe për të rritur trashëgimtarët e kësaj pasurie.

Sigurisht që edhe në ato kohëra, kishte njerëz që dashuronin si dhe shumë njerëz që vuanin nga mosrealizimi i dashurisë, shumë më shumë se tani, po në ndryshim nga ditët e sotme, ata nuk kishin pritshmëri që ndjenjat e tyre të kurorëzoheshin me martesë. Ndjekja e dashurisë dhe lumturisë nuk konsiderohej një arsye e mjaftueshme për t’u martuar dhe kjo sigurisht nuk ishin as arsye për divorc.

Po tani, kur Amerika i ka mësuar gjithë globit, në të gjitha mënyrat, me ligj kushtetues, filma, muzikë e art, se – Kërkimi i lumturisë është një e drejtë themelore e njeriut, – a nuk po ndjehet lumturia e kërcënuar nga divorci, pasi koncepti i zgjidhjes së martesës, nuk perceptohet aspak si një gjë e lumtur?

Pikërisht në ditët e sotme, në të kundërt nga kohët e shkuara, sot kur shumica e njerëzve martohen me dashuri, pasi kanë premtuar në altar se do ta duan njëri-tjetrin derisa vdekja t’i ndajë, pa pyetur asnjëherë veten mbi faktin se çfarë do të thotë ky premtim, pasi në të vërtetë nuk duan ta dinë përgjigjen, sipas statistikave shumica ndihen të zhgënjyer nga martesa.

Si mundet vallë që dikush të angazhohet se do ndjehet njëlloj si në ditët e para, me të njëjtin emocion dhe intensitet me tjetrin, deri në përjetësi? Jo sigurisht që kjo nuk bën sens llogjik, prandaj ne premtojmë pa menduar, ose më keq, duke shpresuar se do ta ‘ndreqim’ partnerin që të na përshtatet.

Ne realisht mund ta detyrojmë veten tonë të jemi besnik, të vetë-sakrifikohemi, por nuk mund t’a detyrojmë dot atë, veten pra, për të qenë të dashuruar, pasi ne njerëzit, kemi fare pak kontroll mbi ndjenjat tona, apo siç shprehemi përgjithësisht mbi zemrat tona. Dhe nuk kalon shumë kohë dhe fillojnë e na lindin kontraditat midis asaj që ndjejmë dhe asaj që kemi pritur të ndjejmë.

Kjo e vërtetë është kaq pakëndshme sa që mundohemi ti tregojmë vetes histori se si dashuria mund të krijohet edhe nëpërmjet vendosmërisë apo karakterit të pastër, punës së mundimshme dhe të vështirë, etj, po shumë shpesh as ne vet si besojmë këto brroçkulla. Nëse do t’i besonim, do të vazhdonim akoma me martesat me shkuesi, po ja që këto lloj martesash na duken shumë paradoksale sot, të papranueshme dhe prapanike.

Në të vërtetë, ka disa çifte, mbase të rrallë, që arrijnë ta mbajnë të pashuar pasionin e fortë të dashurisë, por për shumicën e çifteve, dashuria zbehet, tjetërsohet duke lënë pas pyetje të mëdha ekzistenciale. Një nga pyetjet më të zakonshme që njerëzit i bëjnë vetes është:
Nëse u martuam sepse u dashuruam, çfarë do të thotë, të vazhdosh të rrish në një martesë pa dashuri?

Nëse si shoqëri do të ishim të ndershëm me veten, do të pranonim që të presësh nga njerëzit që martohen me dashuri të mos ndahen, kur dashuria mbaron apo fillon e mungon, është totalisht e paarsyeshme dhe hipokrizi. Po fatkeqsisht, jemi një shoqëri hipokrite dhe për rrjedhojë kthimi tek moda e vjetër e martesës azuar në interesin ekonomik – pra shkëmbim interesash, ka filluar të na duket opsion jo vetëm i papranueshëm, po i domosdoshëm prandaj vazhdojmë predikojmë dashurinë si idealin më kuptimplotë të njeriut.

Dhe po ashtu vazhdojmë ta ushqejmë shoqërinë me hipokrizi mbi martesën, pasi t’u deklarojmë fëmijëve tanë se martesa më shumë sesa lumturi, është përgjegjësi, sakrificë, besnikëri dhe durim, gjëra që partnerët e martuar shpesh i harrojnë dhe, fëmijët nuk ndodh t’i shohin shpesh në familjet e tyre.

Nënat dhe baballarët i shtyjnë fëmijët të martohen që sapo mësojnë se ata mund të jenë dashuruar me dikë, sidomos vajzat, dhe janë shumë të lumtur në ditën e dasmës së tyre dhe me të vërtetë që shumë prej tyre shpresojnë tek ëndrra e lumturisë martesore pa ‘i shqetësuar’ fëmijët me leksionin se ndoshta një ditë mund të zbulojnë që ndoshta nuk ndihen më të dashuruar… Të shpeshta janë rastet kur prindërit zemërohen me fëmijët e tyre që duan të divorcohen …

Po le të mendojmë vetëm për pak – se ndoshta divorci përfaqëson shansin më të mirë të një çifti, mbi ardhmërinë e dashurisë dhe lumturisë së tyre si individë – le të imagjinojmë vetëm për pak një botë ku empathia, përkrahja dhe toleranca kanë më shumë përparësi sesa konceptet tona ndoshta të vjetëruara mbi çiftimin e martesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Meqë ra fjala

Go to Top