Grua e hatashme-Maya Angelou
Gra të pashme duan ta dinë ndërsa bëjnë çudi
Kur s’jam topmodele pse josh si me magji?
Nis t’u tregoj por s’besojnë, kujtojnë se i mashtroj
U them
Shihni si i hap krahët
Vithet që marrosin
Shihni si i hedh hapat
Buzët që të joshin
Di të jem e hatashme
Grua e hatashme
Kjo jam unë
Mu për qejfin tim, krejt e patrazuar,
Hyj në dhomë me burra
I afrohem njërit
Të tjerët të shtanguar
Ose bien në gjunjë
Ose mësyjnë drejt meje
Si një koshere gumëzhitëse bletësh
U them
Sytë i kam të zjarrtë
Dhëmbët vezullojnë
Belin e kam të afshtë
Këmbët të hutojnë
Jam grua
Di të jem e hatashme
Femër e hatashme
Kjo jam unë.
Edhe burrat çuditen
Pse vetiu mahniten…
Rreken e rreken më kot
Por s’arrijnë ta shpjegojnë dot
Misterin që ndryj
Dhe pse ua shfaq përherë
Për ta mbetet mister
U them
Shihni shpinën që harkohetBuzëqeshjen e shndritshme
Gjoksin që gufohet
Gjestet e hijshme
Jam grua
Di të jem e hatashme
Femër e hatshme
Kjo jam unë.
Tani e morët vesh
Pse kokën s’e mbaj ulur
S’bërtas as bëj rrëmujë
S’ngre zërin t’i flas ndokujt
Në udhë kaloj përherë
Magjepsuni nga ky mister
Ju them,
Ja takat si kërcasin
Si flokët hapen n’ajrí
Pëllëmbët e dy duarve
Kësaj bote i jap magji
Se jam grua
Grua e hatashme
Kjo jam unë
Përktheu: Granit Zela
I vetëm-Maya Angelou
I vetëm-Maya Angelou I shtrirë, bluaja në mendje Natën mbrëma Një strehë për shpirtin kërkoj qëkuri