Përsëri ngrihem-Maya Angelou (1928 – 2014)
Mund të thuash ç’të duash kudo lart e poshtë
Gënjeshtra me bisht që nuk kapërdihen
Me këmbë mund t’më shkelësh mbi tokën e fortë
Por unë përsëri si pluhuri ngrihem
Kur kryet lart e mbaj pse të kap mërzia?
Të shoh si ngadalë mbytesh në trishtim
Mos vallë ngaqë jetoj sikur të kem tek shtëpia
Puse me naftë që janë pronat e mia?
Porsi rreze dielli, ashtu si shndrin hëna
Kur me detin në paqe më në fund bien
Porsi ajo shpresa që krahë merr nga ëndrra
Përsëri ngrihem
Mos doje të më shihje të ulur në gjunjë?
Me kryet mënjanë, sytë shkrehur në vaj?
Mos doje e ligështuar, e rrëzuar të mbesë unë
Grua që nuk ngrihet më kurrë dot pastaj?
Mos vallë të lëndoka krenaria ime
Se dukesh si ai që i janë mbytur gjemitë
Apo s’e duron të qeshurën buçitëse
Sikur e kam gjetur qypin me flori?
Fjalët mund t’i kthesh në plumba kundër meje
Vështrimin tënd të sertë në thikën ku unë pritem
Jetën mund t’ma marrësh me gjithë atë urrejtje
Por unë përsëri mu si ajri ngrihem
Mos vallë ti mërzitesh se jam e lakmuar
Madje të kaplon pa masë habia
Kur vallzoj sikur kam perlën e çmuar
Aty ku takohen kofshët e mia
Mbi ato kasolle turp i historisë
Unë ngrihem
Me rrënjë në të shkuarën e zisë
Unë ngrihem
Oqean i errët që vërshon me rrëmbim
Jam ujnajë e pamatë që s’ndalet n’vërshim
Pas meje unë lë net frikësuese e tmerruese
Unë ngrihem
Për të dalë në agimin me rreze verbuese
Unë ngrihem
Përmbush unë amanetin e të parëve të mi
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem
Unë ngrihem
Përktheu: Granit Zela

I vetëm-Maya Angelou
I vetëm-Maya Angelou I shtrirë, bluaja në mendje Natën mbrëma Një strehë për shpirtin kërkoj qëkuri