I dashuri im i karantinës humbi gjithçka (por më gjeti mua)/Sarah Rutledge

in Meqë ra fjala by

Sarah Rutledge

Modern Love

Nëse kjo do të ishte jeta e vërtetë, do t’i kisha dhënë fund. Por kjo nuk ishte më jeta e vërtetë.

E takova të dashurin tim të karantinës në fillim të marsit, pikërisht pak para se gjithçka të mbyllej në New York City. Ose ndoshta jemi takuar edhe vite më parë, kur fëmijët tanë shkonin në të njëjtën kopsht dhe luanin bashkë të gëzuar ose ndoshta dhe jo aq shumë me njëri-tjetrin, siç ndodh rëndom me fëmijët e vegjël.

Kisha biseduar disa herë me gruan e tij të atëhershme, kur merrnim fëmijët nga kopshti, gjatë kohës që ata vishnin xhupat e këpucët dhe nga bisedat e vogla kisha mësuar që ajo njësoj si unë, ishte martuar vonë në jetë dhe ishte bërë menjëherë me një fëmijë, dhe që përpiqej shumë të menazhonte edhe karrierën edhe familjen.

“Çfarë pune bën yt shoq?” E kisha pyetar.

“Është muzikant dhe është pothuaj gjithë kohën nëpër turnera,” më kishte thënë ajo me krenari.

Në ditët e mia të rinisë kisha takuar shumë muzikantë, ndaj tani i ndihesha mirënjohëse profesionit me orar fiks 9 – 5 të bashkëshortit tim, por asaj i buzëqesha me miratim.

Pas dy vjetësh u takuam sërish në klasën e notit. Fëmija i saj zhytej pa pikë frike deri në fund të pishinës, ndërsa imi ngrinte në majë të trampolinës, duke shtrënguar hekurat fort me të dy durët. Ajo i thoshte fjalë inkurajuese, ndërsa unë mendoja se ishte gjë e kotë dhe se çdo minutë më shumë aty ishte veçse humbje parash.

Nuk mbaj mend të jemi prezantuar zyrtarisht në ato vite, po unë gjithsesi kam një kujtim të mjegullt të të dashurit tim të karantinës, duke u vërdallisur me një xhaketë të zezë në ca ambiente të përbashkëta, por mund të jetë edhe kujtim i fabrikuar i mendjes sime. Shumë vite më pas, pas dy martesash të dështuara, kur e kaloja kohën duke parë profilet e meshkujve në Tinder, u ndesha në të tijin. Emri, po edhe fytyra mu dukën të njohura, prandaj ia studiova profilin. Dukej person i zgjuar dhe me humor, kështu që i dërgova një mesazh.

Takimi ynë i parë ishte në një kafene dhe zgjati më pak se një orë. Bëmë goxha muhabet, por patëm vështirësi në kontaktin me sy. Kur ia thashë këtë shoqes sime Rakelës, ajo fajësoi nervat dhe më sugjeroi t’i jepja një shans tjetër.

Të nesërmen ai më dërgoi një mesazh, ku më pyeste nëse do të takoheshim përsëri. U takuam për një pije dhe këtë herë ai ishte më i qetë. Më tregoi histori interesante, më bëri të qeshja dhe kur mbërritëm tek dera e apartamentin tim më vështroi ngultazi. Heshtja u zgjat ca si shumë dhe unë u përkula drejt tij.

“U bë vonë,” i thashë. “Nuk dua t’ju mbaj më. Po një pjesë e imja nuk do që të ikni.”

Ai u skuq dhe pas pak minutash ne po putheshim me pasion.

Përgjatë fundjavës, ndërsa ai kujdesej për fëmijën e tij dhe unë përgatitesha për një udhëtim në perëndim, shkëmbyem mesazhe të shurtra, po gjithë kohës. Kur njerëzit në New York filluan të sëmuren, gjendja jonë ishte akoma statukuo, e pandryshueshme. Pasi avioni im zbarkoi, hapa telefonin dhe pashë që ai akoma ishte zgjuar edhe pse atje ora ishte 1 e mëngjesit.

“Si shkoi dita sot? Mirë?” I shkrova.

“Jo dhe aq,” mu përgjigj. “Po nuk kemi pse të flasim për këtë tani.”

Ai kishte më pak se një vit që ishte ndarë dhe akoma ishte i lënduar e i hutuar. Vazhdonte të përdorte përemrin “ne” dhe pse vazhdonte të ishte shumë i zemëruar me ish-in.

Përgjatë javës shkëmbyem shumë mesazhe. Mesazhe seksi, mesazhe me humor apo edhe thjesht informacion. Po që natën e dytë, ngaqë ishte i zemëruar me ish-gruan më pyeti nëse mund të më telefononte. Biseduam për gati një orë dhe unë i dhashë gjithë këshillat që mundesha, shumica e të cilave fillonte me: “Nuk do të jetë gjithmonë kështu.”

Të nesërmen më falënderoi që e dëgjova duke më thënë që ishte e lehtë të bisedoje me mua.

Shkëmbyem mesazhe, biseduam, i treguam njëri-tjetrit historitë e fëmijëve tanë. Ai shkoi në Boston për t’i ikur virusit, unë u ktheva në shtëpinë time pak më herët, por u takuam shpejt dhe ishim si të trallisur nga gjithë ato mesazhe spekulative, pasi e dimin që jeta reale, si gjithmonë, është shumë më e vështirë.

Kur mes nesh ra heshtja, ai tha: “Dalim, bëjmë diçka.” I kaluam 7 orët e ardhshme duke ecur, duke folur dhe duke ngrënë ushqim italian goxha të shijshëm.

Pastaj qyteti dhe bota u mbyll, dhe i dashuri im i karantinës humbi gjithçka.

Humbja filloi me ish-gruan e tij që e njoftoi se do qëndronte në Boston, derisa të ndihej e sigurt që të kthehej. Ai u xhindos se donte të shihte fëmijën e tij, por nuk mund të bënte asgjë, pasi avokati i tha që asnjë gjyqtar nuk do të vendoste në favor të kthimit të fëmijës në epiqendrën e virusit. Pas kësaj puna e tij me regjistrimet u shty, koncertet e pranverës dhe verës u anuluan, madje edhe një turne i madh në vjeshtë zor se mund të ndodhte. Si shumë muzikantë të tjerë, papritmas ai u gjend pa pará dhe pa perspektivë se mund të kishte shpejt, po kohë kishte plot.

Plus këtyre, atij nuk i lejohej më të vizitonte mamanë e tij dhe shëndeti i saj filloi të ligështohej. Po ashtu një shok i bandës, pati ethe dhe u shtrua në spital. I dashuri im i karantinës bëri parashikime të zymta për humbjen e mamasë dhe shokut në të njëjtën kohë. U përpoq shumë ta zinte veten me punë, po duke parë pakësimin e kursimeve, kohën e kalonte duke u shqetësuar se mund të humbte apartamentin e tij dhe duke u grindur me ish-gruan pasi e digjte malli të shihte fëmijën.

Si rezultat i gjithë këtyre, ai nuk ishte në formën e tij më mirë për të qenë i dashuri im. Ishte i tronditur dhe i frikësuar. Po unë kisha një rreth të vogël të sigurt, ku përfshihej fëmija im, ishi im dhe i dashuri im i karantinës dhe, duke qenë sa më të kujdesshëm që ishte e mundur, dy herë në javë shkoja në shtëpinë e tij, ku të ulur gju më gju në tryezën e kuzhinës, bisedonim duke ngrënë dhe duke pirë,  kryesisht ai fliste, ndërsa unë dëgjoja.

Pak javë në këtë situate dhe një mbasdite, veçanërisht të trishtueshme, ai më tha se ishte në dijeni të kufizimeve të tij dhe se i vinte keq që nuk mund të ishte më i disponueshëm emocionalisht. Më tha se në kushte normale marrëdhënia jonë do të shkonte ndryshe, por ai nuk mund ta lejonte veten ta bënte këtë, kur gjithçka ishte aq e tensionuar dhe e pasigurt.

“Nëse do të ishim në jetën reale, unë do të thosha se ne thjesht po takoheshim,” i thashë.” Ti nuk do ishe i dashuri im.”

Ai ra dakord.

“Pra meqë ne po takohemi,” i thashë. “Le të shohim se çfarë do ndodhë. Nuk ka pse të jetë kaq dramatike.”

Në brendësi, ndihesha pa shpresa, ndoshta edhe e lënduar. Nëse kjo do të ndodhte në jetën e vërtetë, do t’i kisha dhënë fund kësaj lidhjeje dhe më e pakta do filloja direkt të kërkoja dikë tjetër. Por vendosa të provoj diçka të re; do të bëhesha e durueshme dhe do të prisja të shihja se çfarë do të ndodhte. Nëse kohët ishin të pashembullta, ashtu do të bëhesha edhe unë.

I dashuri im i karantinës dhe unë jemi karaktere shumë të ndryshëm. Ai i shpenzon paratë për mallra cilësorë dhe unë jam e kënaqur me miksimin e mobiljeve të përdorura antike me ato prej tallashi. Ai dëshiron ushqime dhe pije të shtrenjta, ndërsa baza kryesore e dietës sime janë biskotat e lira. Shtëpia e tij është plot me tone të qeta dhe enë porcelani të bardha, e imja është një përzierje marramendëse ngjyrash dhe modelesh. Ai sheh televizor, ndërsa unë e lashë timin në divorc dhe nuk bleva më një të ri. Unë nuk pi alkool prej gati 7 vjetësh, ai shijon një apo dy kokteje çdo natë.

Po ne e bëjmë njëri-tjetrin të qeshë. Ai më luan muzikë dhe unë i huazoj libra. Unë i ofroj këshilla gatimi, i bleva edhe një gërshërë të mirë kuzhine, ndërsa ai më përgatit mezera të vogla dhe më mbush gotën me ujë të gazuar me shije frutash. Të dy jemi prindër paksa pedantë, por të dashur. Puthemi shumë dhe ma përkëdhel fytyrën kur e bëjmë. Më thotë se është shumë falënderues që më takoi, që më pëlqen shumë dhe që unë e bëj të lumtur.

Pavarësisht insistimit të tij që ka pak për të dhënë, i dashuri im i karantinës dhe unë sa vjen e po lidhemi më shumë. Edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar, ai po mësohet me rrethanat e tij të padëshiruara dhe ankthi po i lehtësohet. Shkoj në shtëpinë e tij rreth dy herë në javë dhe të ulur gju më gju në tryezën e kuzhinës, hamë, pimë, flasim e dëgjojmë. Puthemi dhe ndiej flutura në stomak. Më pas, ai luan disa akorde ndërsa unë shikoj duart e tij. Të dy i mbajmë sytë dhe i buzëqeshim njëri-tjetrit. Kemi filluar të duhemi.

E nesërmja nuk premtohet dhe nuk kam asnjë ide se çfarë do të sjellë. Kjo kurrë nuk ka ndodhur më parë, por pandemia më ka hequr çdo iluzion të mbetur rreth kontrollit dhe stabilitetit. I dashuri im i karantinës dhe unë mund të mos vazhdojmë për shumë gjatë ose mund të ndahemi sapo të na lejohet të dalim përsëri lirisht në botë.

Po ashtu, logjistika mund të ndërhyjë, oraret e punës dhe prindërimit mund të mos na përputhen ose ndoshta ai do të vazdojë të jetë i dashuri im edhe përtej kësaj krize. Por ndoshta ai dhe unë do të jemi veçse bashkëudhëtarë për pandeminë. Po çfarëdo qoftë kjo, do kemi shumë për të treguar; ushqimet dhe pijet e përbashkëta, puthjet dhe shoqërinë, mirëkuptimin dhe të qeshurat.

Dua që i dashuri im i karantinës t’i kthehet jetës së mëparshme apo të jetë në gjendje ta fillojë atë përsëri. Po bëhet vonë. Nuk dua ta mbaj më, por një pjesë e imja do që ta mbajë.

Përktheu: Meli Ajazi

Marrë nga: The New York Times

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Meqë ra fjala

Go to Top