Author

Admin - page 139

Admin has 1899 articles published.

Milan Šimečka (1930-1990)

in Letërsi by

Milan Šimečka (1930-1990)

Milan Šimečka (1930-1990) është shkrimtar i njohur sllovak. Pas pushtimit sovjetik në vitin 1968 ai u kthye në një disident dhe autor aktiv artikujsh politikë, të cilët u botuan në Gjermani (1970) dhe më pas në gjuhën angleze me titullin “Rivendosja e rendit: normalizimi i Çekosllovakisë, 1969-1976”. I botuar në anglisht në vitin 1984, libri bën një analizë të “normalizimit” të imponuar në Çekosllovaki pas shtypjes së Pranverës së Pragës (1968) dhe rivendosjen faktike të politikës dhe kontrollit kulturor sovjetik. Botimi jashtë vendit shihej si akt subversiv nga autoritet dhe ai iu nënshtrua paraburgimit. Në gjyq u dënua me dhjetë vjet burg dhe u burgos në 6 Maj, 1981, në burgun Ruzyne të Pragës. I njohur tashmë në nivel ndërkombëtar, ai u lirua në 27 Maj, 1982, pasi qëndroi trembëdhjetë muaj në qeli.

“Letra nga burgu” e botuar në fillim në Bratisllavë (1989), shihet si një nga librat më të mirë të kësaj gjinie, ku shpërfaqet mendimtari dhe njeriu. Ndryshe nga kushtet e skajshme të qelisë, proza e tij karakterizohet nga butësia, dashuria e palëkundur për të shoqen dhe fëmijët, dhe solidariteti për bashkëvuajtësitë. Letrat nuk mendohej se do të botoheshin ndonjëherë dhe sot na kujtojnë barrën e rëndë të vetmisë, pasojat e izolimit dhe përgjimit. Ai ishte dëshmitar i rënies së komunizmit, por vdiq papritur në vitin 1990, në moshën 60 vjeçare. Në atë kohë shërbente si këshilltar i presidenti Vaclav Havel, disidentit dhe mikut të tij.

Letra nga burgu

 Mbi natyrën e realitetit

Mund të të siguroj se nuk i kam diskutuar kurrë këto gjëra me askënd tjetër, por përkundrazi kam dëgjuar me ëndje se si i parashtronin të tjerët me stil dhe entuziazëm. Dhe ishte një kohë kur duhej ta fshihja pëlqimin tim për përsitajet elegante të Platonit mbi ekzistencën e një mbretërie të ideve të kulluara si një paraformësim të botës sonë. Më tërhoqi shumë si një koncept tejet poetik, i cili gjithashtu ushtronte një lloj trysnie psikologjike tek unë. E kush nuk është ndier si banor i shpellës gjatë përpjekjes për të depërtuar në misteret e realitetit? Platoni largon ankthin që ndiejmë si banorë të shpellës me anë të bindjes së tij qetësuese se çdo gjë është e bukur, se dielli i së vërtetës po ndriçon jashtë, dhe gjithë çfarë nevojitet të bëjmë është të ecim drejt tij. Në fund të fundit, ne kemi një lloj ideje të vakët për llojin e trysnisë që ideja e Zotit ushtron tek njerëzit, sepse u largon barrën e dyshimit. Zoti përfshin të gjithë misterin dhe pasigurinë dhe në mënyrë ideale tejkalon të gjitha kontradiktat. Ai u heq sipërfaqen absurde shumë gjërave. Ai na ndihmon për ta kuptuar kohën, pasi Ai ka qenë gjithmonë dhe gjithmonë do të jetë. Ai krijoi gjithçka, dhe pse në këtë mënyrë dhe jo në një tjetër, nuk është shqetësimi ynë. Epo, dhe pse nuk u dashka që Zoti ta krijojë botën duke përdorur atë kombinim të veçantë të elementëve kimikë të tabelës së Mendelejevit, të cilët ne i njohim mirë? Zoti ishte  i detyruar të besonte para së gjithash në mundësitë e materies, përderisa ai e krijoi atë. Nëse nuk do të kishte vlerë, nuk do ta kishte krijuar.

Jam i bindur që njerëzit gjithmonë i kanë krijuar bindjet dhe konceptet e tyre nën një lloj të tillë forme të trysnisë psikologjike. Dhe për këtë arsye, idetë moniste kanë të njëjtën vlerë. Është një koncept dhe i njëjti për realitetin. Nga ky këndvështrim, tani vetëm mund të shprehim keqardhjen për gjithë energjinë që është harxhuar në debatet mes interpretimeve kryesore moniste të botës. Materializmi dhe idealizmi janë përpjekur gjithmonë të tërheqin kundërshtarët në fushën e lojës ku skuadra pritëse ka përparësi. Vetëm në terma filozofikë, duke lënë mënjanë interpretimet ideologjike, është e pamundur madje të shpjegohet pse kjo mosmarrëveshje ishte kaq e ashpër. Mosmarrëveshja mes nominalistëve dhe realistëve kishte të paktën një logjikë të brendshme, ndërsa mosmarrëveshjet mes idealizmit dhe materializmit ishin më së shumti pasojë e luftës për pushtet dhe antagonizma shoqërorë. Në të vërtetë, gjithçka që na mbetet nga kjo mosmarrëveshje është një trekëndësh i ngatërruar. Kryeneçësia dhe militantizmi i vjetër mbijetojnë vetëm në ideologjinë e sferës sovjetike.

Përktheu: Granit Zela

KUTIA POSTARE-Agota Kristof

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

 Agota Kristof

Kutinë postare e kontrolloj dy herë në ditë. Në orën 11 të paradites dhe në 5 të pasdites. Postieri përgjithësisht kalon më herët, paradite midis orës 9 dhe 11, nuk është shumë i rregullt, ndërsa pasdite rreth orës 4. Shkoj ta kontrolloj sa më vonë të jetë e mundur, për të qenë i sigurt që ai ka kaluar, kalim pa të cilin kutia e zbrazët do më jepte një shpresë të rreme, do thosha me vete: “Ndoshta s’ka ardhur akoma”, dhe do detyrohesha të zbrisja sërish më vonë.

Keni hapur ndonjëherë një kuti postare të zbrazët?

Sigurisht. Kjo i ndodh gjithkujt. Por juve as që ju bëhet vonë, për ju është njëlloj, si të jetë e zbrazët si të jetë e mbushur; ndonjë letër nga vjehrra, ndonjë ftesë për ekspozitë, ndonjë kartolinë e miqve nga pushimet.

Unë nuk kam vjehrrë, nuk mund të kem përderisa s’kam grua.

Nuk kam as prindër, vëllezër e motra.

Sidoqoftë, këtë nuk mund ta di.

Kam lindur në një jetimore. Jo se kam lindur në jetimore, kuptohet, por aty gjendesha kur kuptova se ekzistoja në këtë botë.

Në fillim, kjo gjë më dukej e natyrshme, pandehja se jeta kjo ishte, një grup fëmijësh, ca më të vegjël e ca më të mëdhenj, ca më pak e ca më shumë të këqinj, dhe disa të rritur që ishin aty për të na mbrojtur nga më të mëdhenjtë. Nuk e dija që tjetërkund kishte fëmijë të tjerë, me baba, me nënë, me motra, me vëllezër, një familje siç e quajnë.

Më vonë, ata fëmijë të një bote tjetër që kishin prindër, vëllezër e motra, i takova.

Atëherë, zura ta përfytyroja veten me prindër, detyrimisht që kisha patur, fëmijët nuk i sjell lejleku, si dhe me vëllezër e motra, ose, së paku me një vëlla e një motër.

E vara shpresën te kutia postare.

Prisja një mrekulli, një letër të llojit: “Zhak, më në fund të gjeta. Jam vëllai yt, Fransua.”

Ç’është e vërteta, më tepër do preferoja:

“Zhak, më në fund të gjeta. Jam motra jote, Anë-Maria.”

Por as Fransuaja, as Anë-Maria nuk po më gjenin.

Dhe as unë nuk po i gjeja.

Do kënaqesha shumë edhe nga një letër e nënës ose babait. I përfytyroj ende gjallë, meqenëse vetë jam ende i ri. Sikur të më shkruanin, për shembull, kështu:

Nëna:

“I dashur Zhak, mora vesh që je në gjendje të mirë. Të përgëzoj që ke arritur aty ku je. Unë, ashtu si në kohën kur të linda, vazhdoj të jetoj në mjerim e varfëri. Por jam e kënaqur kur kujtoj që ti je për bukuri. Që nuk munda të të mbaj e të të rrit ashtu siç do kisha dashur, është për faj të tët ati që më braktisi, megjithë dëshirën e madhe që kisha për të të shtrënguar në gjirin tim përgjithmonë.

Tani që u plaka, ti ndoshta mund të më dërgosh ndonjë lek, meqë ndodhem në këtë mjerim e që askush s’më jep më punë për shkak të moshës. Nëna jote që të do e që të mendon gjithnjë.”

Babai:

“Bir i dashur. Gjithmonë kam dashur të kem një djalë dhe jam krenar për ty që ia ke dalë kaq mirë. Nuk di si ia ke bërë për t’ia dalë, sepse unë dështova në gjithçka, ndonëse punova tërë jetën si skllav.

Kur jot ëmë më tha që të kishte në gji, unë ika me anije, jetova nëpër porte e pijetore, i gërryer nga mendimi që kisha diku një grua dhe një fëmijë por që s’kisha mundësi t’ju kisha pranë vetes, për shkak të atyre pak parave që fitoja e që i harxhoja duke pirë për të mbytur dhimbjen që kisha brenda vetes kur mendoja për ju të dy. Tani, kështu të dobësuar nga alkooli dhe hallet, nuk duan më të më marrin në anije. Bëj ç’punë të dalë në ndonjë port, por pako gjë ngaqë jam plak. Atëherë, nëse mund të më dërgosh ndonjë lek, do ta mirëpres. Babai yt që të do në jetë të jetëve.”

Ky ishte lloji i letrave që prisja dhe me sa gëzim do t’i kisha ndihmuar, me ç’lumturi do t’i përgjigjesha thirrjes së tyre.

Por s’kishte asgjë, asgjë të tillë në kutinë postare, asgjë, deri sot në mëngjes.

Sot mora një letër. Ajo vinte nga njëri prej sipërmarrësve më të mëdhenj të qytetit. Një emër shumë i njohur. Mendova mos ishte fjala për ndonjë letër zyrtare, për ndonjë ofertë pune. Meqenëse jam dekorator. Por letra fillonte kështu:

“Biri im,

Ti ishe një gabim i rinisë sime.

Por unë nuk i lashë pa marrë përsipër përgjegjësitë e mia. Nënës sate i krijova të gjitha kushtet e duhura të jetesës; ajo mund të të rriste pa punuar, por ajo thjesht përfitoi nga paratë e mia, duke të lënë ty në jetimore, për të vazhduar jetën e saj të çrregullt. (Mora vesh që kish vdekur para dhjetë vjetësh.)

Unë, për shkak se kam qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes publike, nuk munda të merrem me ty drejtpërdrejt, sepse kisha ndërkohë një familje me kurorë.

Por do doja që ta dije se nuk të kam harruar kurrë dhe se, tërthorazi, jam kujdesur gjithmonë për ty. (Shpenzimet e studimeve, bursa për artet e bukura të vinin prej meje.)

Duhet ta pranoj, ama, që edhe ti ia ke dalë shumë mirë dhe për këtë të përgëzoj. Duhet të më kesh ngjarë mua, sepse edhe unë jam nisur nga hiçi.

Për fat të keq, nuk pata djem të tjerë. Vetëm vajza dhe dhëndurët më qëlluan të paaftë.

Tani jam në perëndim të jetës dhe s’pyes më se ç’do thonë bota. Kam vendosur të të besoj drejtimin e aferave të mia, sepse ndihem i lodhur dhe dua të pushoj.

Prandaj të lutem të vish të më takosh në zyrë, në adresën e shënuar në krye të kësaj letre, në datën 2 maj, ora 15.

Yt atë.”

Më poshtë nënshkrimi i tij.

Kjo ishte letra që mora nga im atë pas tridhjetë vjet pritje.

Dhe, për më tepër, është i sigurt që do t’i vete në zyrë më 2 maj, ora 15, i mbushur me gëzim.

Data 2 maj është pas dhjetë ditësh.

Sonte ndodhem në një aeroport, duke pritur avionin për në Indi.

Po përse në Indi?

Mund të kish qenë kudo tjetër, mjaft që im “atë” të mos më gjejë dot.

Përktheu: Alket Çani

Vetvrasja e trumcakut-Homazh për Migjenin/Zija Vukaj

in Letërsi/Tirana Review by

Kapërcim logjik nga vetvrasja te “kanga” e trumcakut

Zija Vukaj 

Në skicën “Vetvrasja e trumcakut’ ndeshemi për herë të parë në letërsinë shqiptare me surrealizmin. Brenda hapësirave të vogla të këtij etydi autori ka marrë pozicionin e krijesës dhe të Krijuesit. Drama e trumcakut është tragjedi. Tragjedi moderne ekzistenciale. Procedimi artistik është sa surreal, aq edhe i guximshëm. Vetë autorit i duket e parakohshme për nivelin e lexuesit shqiptar, sepse fut fenomenin e kapërcimit logjik, që me sa duket është togfjalëshi më i saktë dhe i përshtatshëm për të shpjeguar fjalën surrealizëm, i pabindur mirë nëse do të kuptohet dhe ndërgjegjja e tij prej krijuesi tejpamës zbret në nivelin e shpjegimit të tekstit të vet: (Çka janë këto kapërcime logjike? Ka me bërtitë ndokush.)  Mos pyesni si e tek u gjet trumcaku n’at vend dhe si e tek u gjet njeriu në këtë pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… t’bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A e shifni? Një fjalë magjike! Hokus- pokus! Sa bukur! Dhe unë thashë: të lindet trumcaku në një vend, ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një kafshe prehistorike.” Këto dy nivele krijimi: Zoti krijoi Migjenin dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një pikë e çdo të kozmosit, ky krijoi trumcakun dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një antibotë, që nuk ofron asgjë, madje as aq sa i duhet një trumcaku për të jetuar; që të dyja arbitrare (sipas autorit), realizuar nga Zoti i madh dhe zoti i vogël, shprehin edhe kredon filozofike, thelbin dhe vijën ndarëse mes dy degëve të ekzistencializmit dhe unisonin e autorit me bashkëkohësit e vet evropianë, përfaqësues të ekzistencializmit ateist, që krijuan realitete artistike, si ai i “Procesit”, “Metamorfozës” “Murtajës” dhe personazhe si Jozef K, Merso, Gregor Zamza etj., të zhytur në qerthullin fatal e pa rrugëdalje të jetës. Fatalitet ose ironi e fatit, që paralajmërohet edhe nga mbititulli “Rrota e jetës”. Antimaterien artistike autori e ka vizatuar me dy penelata, që janë të mjaftueshme për të dhënë të plota dimensionet e ferrit social (natyra që nuk mund të quhet natyrë): qimet e derrit dhe brinat e një kafshe prehistorike, sepse kjo prehistoria është torturuese për autorin futurist në të gjitha kuptimet, kurse trumcaku jepet që në fillim i humanizuar, pra një qenie sociale (bëhet melankolik). Në këtë habitat infernal, të denjë për vegimin dantesk, luhet drama e individit që nuk ka asnjë shpëtim dhe robinsonada e tij është e paralajmëruar të dështojë pa nisur. Loja simbolike është tepër e thjeshtë, gati pa nëntekst, sepse gjithkush e di se cili është trumcaku dhe vendi apo fati i tij (thuajse autobiografi), por edhe këtu kemi Migjenin çmitizues. Pse trumcaku? Një zog pa simbolikë, pa romancë, pa lavdinë e shqiponjës apo të albatrosit, pa zymtësinë e korbit apo kotësinë e sorrës, pa muzikën e bilbilit apo të laureshës, pa misterin dhe bukurinë e pëllumbit, pa krekosjen e gjelit. Pa ngjyra të ndezura. Pa asgjë mitike. E zakonshmja dhe e përditshmja vetë, por më konkretja, më e besueshmja, individi mesatar. Mimetizmi, si dukuri biologjike, bëhet aleati i autorit. Ambienti të jep ngjyrën e vet të murrme, aspak romantike. Por trumcaku është gjëja më e vërtetë, ajo që të bind më shumë, tipikja, e përgjithshmja, e zakonshmja, modestja. Kësisoj është drama e vërtetë sociale. Ndërsa vetëvrasja, përveç revoltës, ka ndër të tjera dy aspekte: së pari, është një vetëvrasje që kufizon me heroizmin, me respektin e individit ndaj vetes. Reagim ekstrem dhe fatal. Si e tillë kthehet në tragjedi: cicrroi një herë, cicrroi dy herë, cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimbave të tij. Mos vallë cicrrimat e tij janë akoma çastet dilematike para vetvrasjes; apo piskamat dhe klithjet alarmuese që vajtojnë dhe akuzojnë këtë realitet dhe që duhen transmetuar diku. Mbase edhe një lloj egoizmi për të mos ikur pa u vënë re dhe njëlloj përmallimi për jetën e humbur. Klithma e fundit, e gjatë, me jehona kozmike, që del nga shpirti i autorit, kumbon thekshëm në çdo shpirt, si një testament tragjik. Aspekti i dytë, prapë çmitizues, ka të bëjë me kundrimin e kësaj vdekjeje si diçka cinike. Më së shumti një hara-kiri. Një bjerrje e heroizmit, që jepet nga pamja e erës që luan me puplat e trumcakut të ngulur në heshtën- qime derri, që sillet si gjeli metalik sipër oxhaqeve tona. Ja sa vlen heroizmi. Këtu, duket sikur na thotë autori, s’ke si të rrosh dhe s’ke si të bësh as edhe një veprim të denjë edhe po sakrifikove jetën. Në finalen e këtij teksti Migjeni duket sikur ndihet i shqetësuar nga ashpërsia me të cilën ia përplas lexuesit këtë absurd dramatik deri në grotesk dhe në mënyrë empatike tenton ta zbusë impaktin që krijon realiteti artistik, por edhe procedimi i tij surreal. Pra gjakon ta fusë edhe lexuesin e nivelit mesatar në zonën e double coding-ut të tekstit, për ta “miqësuar” me kapërcimin logjik: “Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike aspak damsjellse?” Dhe siç duket, këto kapërcime logjike janë logjika e vetme dhe më efikase për të kumtuar përmasat e vërteta të skenës dhe të personazhit. Ç’mund t’i themi këtij teksti? Fillim i një vepre të gjatë e të madhe? Thjesht, skicë?Kapriçio? Pikturë?Apo shpalosje sintetike e një pjese të kredos filozofike të autorit?Sepse motivi i trumcakut është rimarrë në një tjetër kohë, me gjykime më të zgjeruara dhe alternative e mbase edhe më të thelluara, te dorëshkrimi “Kanga e trumcakut”. Megjithëse dorëshkrimit i mungon faqja e parë, nuk është e vështirë të merret me mend ajo çfarë mund të jetë trajtuar në tekstin e munguar. Këtu kemi evoluimin e personazhit, që nuk e merr vetëvrasjen si të vetmen alternativë. Në rastin e vetvrasjes konflikti është me botën që e rrethon, me natyrën që s’është natyrë dhe jeta është e pamundur. Por tek “Kanga e trumcakut” jepet apo sprovohet alternativa e jetës. Dhe konflikti më së shumti është me veten. Në tekstin e munguar autori duket se e ka quajtur trumcakun e vetvrarë pa fat, sepse në fillim të dorëshkrimit të mbetur autori shprehet: “… i lodhun dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndron mbi degë. Me urrejtje shikon natyrën që s’e krijoi ma artistikisht. Me përbuzje vërente bilbilin. “Në ballafaqimin me fatin apo fatalitetin e vet, (pse trumcaku asht trumcak e nuk mund ta thotë kangën e bilbilit), trumcaku i “kangës” është shndërruar në një filozof jete. Por në një filozof dinak e pragmatist, cinik e faqezi. Sokrati i vuajtur është bërë gati një derr i kënaqur: “…trumcaku filozof e mundi trumcakun harbut.” Në këtë zhvendosje ontologjike, nga vetvrasja tekanga, Migjeni ruan kohezionin e një gjykimi në zhvillim, duke na shfaqur metamorfozën e individit të kushtëzuar nga nevoja për mbijetesë, përballjen e fatalitetit duke bjerrë me vetëdije idealizmin e tij dhe vlera të tjera, pra duke “kënduar” këngën banale të jetës së vet dhe duke iu nënshtruar paktit me djallin. Por këtu vjen paradoksi: për t’ia arritur kësaj duhet edhe një milion vjet. Një e ardhme e largët. Ndërkohë që ne e mendojmë të ardhmen si shpresë drejt përsosjes së individit, ajo na projektohet si stërmundim i gjatë drejt shpërbërjes së modelit nëpërmes një evolucioni që ecën së prapthi. Pra, nëse duam të jetojmë në natyrën që s’është natyrë, të mos vetëvritemi dhe të mos ua kemi zili njerëzve që na rrethojnë, duhet të mësohemi të këndojmë këngën e shpërfytyrimit.

ËSHTË DIKUSH TJETËR- Alfred Mehmeti

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ËSHTË DIKUSH TJETËR- Alfred Mehmeti

 

Është dikush tjetër që udhëton

në udhëtimin tonë.

 

Në rrugën e tij… jetët tona janë hapa,

në kohën e tij… jetët tona janë sekonda,

e shumta-e shumta… minuta,

minuta gëzimi, habije, lotësh e dhembjeje.

 

Skeletet tona janë gurë,

gurë që tejzgjaten në ujdhesën e kohës,

gurë ku dikush tjetër vendos shputat,

nga njëri breg për të kaluar në bregun tjetër. 

Të dalim të presim Migjenin-Mitrush Kuteli

in Letërsi by

 

Po vjen midis nesh, poeti vetë mbi krahët e fjalës së tij.

T’i dalim përpara ta presim.

-Mirë se vjen vëlla!

Mitrush Kuteli

Një lajm i mirë për lëçitësin shqiptar: Komisjoni për shqyrtimin e librave, që vepëron pranë Ministrisë së Kulturës Popullore, dha pëlqimin e vet për qarkullimin e Vargjeve të lira të Migjenit.

Vargjet e lira! Një histori më vete kjo e Millosh Gjok Nikollës. Mburoi nga një shpirt i bardhë, sulmin e të cilit për drejtësi e liri nuk ja pat ndalur as dogmatika e theologjive, as statika e trajtave të fjetura dhe as balta e sëmurë që i përbënte trupin e tij.Bota shqiptare i njihte këto vjersha, sepse ishin shtypur edhe rishtypur në revistat e kohës. Po bota desh më shumë. Desh një përmbledhje të plotë.

Paradoksale kjo botë shqiptare! Asohere nuk kish blojtur édhe (édhe as sot!) edicionin prej 500 copë të Valles së Yjve të Lasgush Poradecit, dhe kërkonte një përmbledhje tjatër vjershash.

Edhe Migjeni iu përul këtij vullneti: Vuri në shtyp Vargjet e lira. Asohere s’kish dalë në botë editori shqipëtar. Sidoqoftë, për Migjenin, jo. Duhej pra që vetë autori të jepte paratë e shtypjes. Edhe këtë e bëri poeti. Ish asohere mësonjës në Pukë. Pra nëpunës, me rrogë të ultë që e merrte, si pas mënyrave të ahershme, në dy-tre muaj një herë. Së këndejmi këputi paradhënien e dërguar me dorë miku shtypëshkronjës. Të hollat e tija: kursimet e bukës e të ilaçeve që i duheshin aqe fort një trupi të sëmurë!

Kjo ngjiste më 1936.

Lëftohej asohere në Spanjë, për të provuar armët e reja; bërtitej në Piazza Vemezia, sa dridhej gjithë bota; kurse shtypit shqiptar (ku jini gazetaxhinj ku jini?) i binte zalija dyke lëvduar Aleaten e madhe dhe shpirtimadhërinë e Konti Ciano…Në Shqipëri kishte ardhur asohere në Shqipëri qeverija e Mehdi Frashërit. Ministër i Brendëshmë ish Et’hem Totua. Frynte një fllad liberalizmi dhe lirije. Rriheshin në shtyp mendime të mëdha. Kish rilindur lirija e fjalës dhe e shkrimit. Ndër këto rrethana i vuri Migjeni në shtyp Vargjet e tija. Vetë caktoi formatin e librës, vetë zgjodhi kartën, vetë i bëri korrekturat. Ay në Shkodër, libra në Tiranë-po edhe kësilloj puna mbarohej. Ish i nxituar fort me nxjerrjen e kësaj libre, sepse ndjesija e tij, e hollë parashihte ré të zeza. Mbase munt të parashihte edhe Torre Pellice-n e Italisë, ku duhej të shuhej në Gushtin e vitit nëntë qint e tridhjet e tetë. Të lutem fort nxitoju të më dalë libra, i pat dërguar fjalë shtypëshkronjës. Ja, po të çoj edhe një pjesë të çmimit. Paratë e siringave këto të Milloshit që duhej të bëheshin kartë e shtypur për të përhapur fjalën e tija.Dhe përpara se të mbarohej libra (i mungonte kolla e fundit dhe kopertina!) ra nga fuqija qeveria e Mehdi Frashërit edhe vazhduan ngjarjet e Gjirokastrës. Iku lirija e shtypit si ik rrezja e djellit, kur i del përpara reja e zezë.

Dhe kësilloj nuk u dëgjua kënga e fundit e Mjellmës shqipëtare.

Vargjet e lira, të pambaruara, hynë në burgun e qilareve, ku marimangat edhe këmbë-shumjet iu bënë miq e shokë.Vetë Millosh Gjok Nikolla u nis për nj’atë rrugë të gjatë ku kemi për të vajtur-shpejt a von-ne të gjithë.Kjo pat ngjarë, më 26 të Gushtit 1938, në Torre Pellice, ku kish vajtur për një rreze djelli e për një fije erë më të pastër për nj’ato mushkërit e tija të lodhura fort. Nuk kish asohere as njëzet e shtatë vjet…Po ç’janë vjetët përpara talentit? Ç’janë vjetët përpara zjarrit që rreh së brendëshmi? Ç’janë vjetët përpara një shpirt të math?

Asgjë!

Dhe pikërisht kjo asgjë nuk e ndaloi Migjenin të jetë poet me gjith se ish i ri fort.Poet sepse e njomi pendën jo në trajtat konvencionale të një arti konvencional, po në nj’atë mellanin e dhembjes së vërtetë, të dhembjes të të gjithëve, për të mjerë e të mjeruarit, me një gjenerozitet e sulm të pa shoq. Kësaj dhembje për të cilën kërkonte jo mëshirë, po liri, Migjeni i gjeti edhe trajtën buçitëse të vargut të lirë.Sikur se një esencë e lartë fort s’ka se qysh të mbahet për gjithmonë nënë tokë, ashtu edhe fjala e Migjenit nuk u ndal të dalë nga t’errtit e qilareve. U kopjua e u shumua me dorë-si bëhej edhe me vjershat e Fan. S. Nolit-edhe u përhap kudo.

Dhe tani në këtë fillim parvere ku rin bari mbi varrin e Torre Pellice-s, po derdhet, e lirë, fjala e të vdekurit në botën shqiptare.

…dhe pranvera erdhi…

Nëpër ftyra t’ona rrëshqiti një gëzim dhe ndër zëmra t’ona ngrehi një folé e një jetë e bukur,

e një jetë e ré me dëshira të shumta po buzqeshë në lulëzim.…

dhe dallndyshja erdhi…

Po vjen midis nesh, poeti vetë mbi krahët e fjalës së tij.

T’i dalim përpara ta presim.

-Mirë se vjen vëlla!

15 Mars, 1944

Rrëfim i një gjuetari qensh/Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll 

Nuk e pohoj pa njëfarë rezerve zanatin me të cilin jetoj, pa dyshim, por duke më shtrënguar të veproj në një mënyrë që ndërgjegjja ime nuk e aprovon gjithmonë. I caktuar në detyrën e vjeljes së taksave mbi qentë, përshkoj vëra e guxhuvëra të qytetit tonë në kërkim qensh të padeklaruar. Me pamjen e shëtitësit të paqtë, trupvogël e rondokop, me një puro dylekëshe në gojë, eci përmes kopshtesh publike e rrugësh të qeta për të hyrë në muhabet me ata që kanë nxjerrë shëtitje qenin. Atëherë mbaj shënim emrat dhe adresat e tyre gjithë duke përkëdhelur me dashuri kafshën, nga e cila e di se së shpejti shteti do përfitojë pesëdhjetë marka.
Qentë e rregullt i njoh. I dalloj menjëherë falë shpengimit me të cilin përmjerrin rrëzë ndonjë peme: duket qartazi që e kanë ndërgjegjen të qetë. Vëmendja ime përqendrohet veçanërisht mbi bushtrat me barrë që janë duke lindur kontribues të ardhshëm: i gjurmoj gjithë kujdes, shënoj ditën kur pjellin, diktoj vendin ku i strehojnë këlyshët e rinj dhe i lë këta të rriten qetësisht deri në çastin kur askush s’do guxojë më t’i mbysë… vetëm atëherë ia dorëzoj ligjit. Ndoshta do kisha bërë mirë të kisha zgjedhur një zanat tjetër, kaq shumë dashuria për qentë më shkakton një brerje të pandërprerë ndërgjegjeje. Detyra dhe dashuria zhvillojnë brenda meje një betejë të pamëshirshme dhe jam i shtrënguar të pohoj se ndonjëherë është dashuria ajo që del fitimtare. Ka qen të cilët nuk kam as më të voglën kurajë t’i denoncoj. Atëherë, siç thuhet, i mbyll sytë. Ndjenjën e përdëllimit ma shton edhe fakti që qenin tim bastard nuk e kam deklaruar. Ime shoqe përkujdeset dhembshurisht për këtë lodër të preferuar të fëmijëve të mi dhe këta as që e vënë në dyshim paligjshmërinë e asaj krijese që i falin dashurinë e tyre.
Ekzistenca, vërtet, gëluaka nga rreziqet. Ndoshta duhet të veproj me më tepër kujdes. Por fakti i të qenit deri në njëfarë pike mbrojtës i ligjit ma forcon bindjen e shkeljes së tij pa u ndëshkuar. Kam zanat të vështirë: kaloj orë të tëra i strukur nëpër gëmushat gjembaçe të periferive duke pritur që një lehje të dalë nga ndonjë barakë ku dyshoj praninë e një qeni të dyshimtë. Apo, ulem në bisht mbrapa ndonjë muri gërmadhë për të përgjuar ndonjë qen për të cilin e di që s’ka as kartelë as numër llogarie. Pastaj kthehem në shtëpi, i ndotur e i këputur, dhe tymos puron time pranë stufës ku Plutoja ynë që tund bishtin nën përkëdheljet e mia më kujton sakaq paradoksin e situatës ku ndodhem.
Prandaj është e kuptueshme që unë di t’i çmoj shumë shëtitjet e gjata të të dielave me gruan, fëmijët dhe Pluton, shëtitje gjatë së cilave interesi im për qentë mbetet në njëfarë mënyre krejtësisht platonik, sepse të dielave, të deklaruar ose jo, qentë nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje.
Në të ardhmen do më duhet thjesht që për shëtitjet tona të zgjedh një trajektore tjetër, sepse u bënë dy të diela rresht që takojmë shefin tim të shërbimit. Të dyja herët ai ndaloi për të përshëndetur time shoqe dhe fëmijët, si dhe për të përkëdhelur Pluton. Mirëpo, gjë e habitshme, Plutoja nuk para e do, hungëron e kruspullohet, gati për t’u sulur. I përpirë nga shqetësimi, detyrohem t’i ngut përshëndoshjet, duke zgjuar sakaq dyshimin e shefit, i cili, duke mrrudhur vetullat, vëzhgon pikat e djersës që më shkëlqejnë në ballë.
Ndoshta duhet ta kisha deklaruar Pluton, por rroga ime është e vogël… Ndoshta duhet të kisha ndërruar profesion, por në të pesëdhjetat s’ta ka më qejfi ndryshimin. Sidoqoftë, rreziku po bëhet vërtet shumë shtypës dhe jam i sigurt se do ta deklaroja Pluton nëse kjo do ishte ende e mundshme. Por është tepër vonë. Me mendimin se duhej të sillej sa më njerëzishëm, ime shoqe i tregoi shefit që qenin e kishim qysh prej tre vjetësh, që ky mik i pandashëm i fëmijëve ishte tashmë pjesë e familjes… dhe plot pallavra të tjera që më pengojnë tani të deklaroj qenin.
Më kot sforcohem për ta qetësuar ndërgjegjen duke dyfishuar zellin në ushtrimin e funksioneve të mia, më kot… Jam zhytur në një situatë shumë të ndërlikuar. Sigurisht që nuk duhet “t’i vësh gojëz demit kur shin grurin”, por nuk e di nëse shefi është aq mendjemprehtë sa për të pranuar në këto rrethana vlerën e një reference nga tekstet biblike. S’e kam nisur hiç mirë. Dikush mund të më trajtojë si cinik, por si të mos jesh i tillë kur s’pushon së marruri me qentë…

Përktheu: Alket Çani

Reagimi i George Orwell-it pas dhënies së një çmimi poetit fashist Ezra Pound

in Letërsi by

Në vitin 1949, Ezra Pound mori Çmimin “Bollingen” për poezinë, ndërkohë që mbahej në një spital psikiatrik në SHBA pasi ishte deklaruar i çmendur në një gjyq për tradhëti ndaj Amerikës për veprimtarinë e tij propaganduese në mbështetje të Musolinit. Këtu më poshtë po japim fragmente nga reagimi i George Orwell-it ndaj dhënies së këtij çmimi.

Dhënia e një çmimi është një akt publik që zakonisht shoqërohet me shumë vështirësi. Kur çmimi është letrar, vështirësitë nuk lidhen vetëm me gjykimin letrar, por çështja komplikohet më tej, sepse gjyqtarët, për shkak të natyrës publike të çmimit, veprojnë njëkohësisht si qytetarë dhe si kritikë letrarë.

Fondacioni “Bollingen” ka njoftuar së fundmi se Çmimi Bollingen për Poezinë, i pari i një serie vjetore, i është dhënë Ezra Paund-it, për Kantot Pizane, si libri më i mirë me poezi i publikuar gjatë vitit 1948. Gjyqtarët ishin Anëtarë të Letrave Amerikane të Librarisë së Kongresit, mes të cilëve, T.S. Eliot, W.H.Auden, Allen Tate, Robert Penn Warren, Katherine Anne Porter dhe Robert Lowell. Në deklaratën publike që shoqëroi dhënien e çmimit, gjyqtarët na thonë ne se ata janë të vetëdijshëm se zgjedhja e Pound-it do të provokonte kundërshti dhe deklarata e tyre e shkurtër nënkupton se ata ia kanë dhënë vëmëndjen e duhur këtyre kundërshtive dhe kanë dalë në një lloj konfirmimi të një parimi të përgjithshëm:

“Nëse lejojmë që konsiderata të tjera përveç arritjes poetike të zhbëjnë vendimin, kjo shkatërron rëndësinë e çmimit dhe hedh poshtë parimin se percetimi objektiv i vlerës është baza mbi të cilën duhet të mbështetet çdo shoqëri e civilizuar.”

Ndjenjat pas kësaj deklarate duket se janë të admirueshme. Interesi ynë i vetëm është që të këmbëngulim në aplikimin e këtij parimi…

Shumë shkrimtarëve, njëri prej të cilëve ishte George Orwell, iu kërkua të diskutojnë problemet e lidhura me këtë çmim. Kjo është përgjigjja e Orwell-it:

“Unë mendoj se Fondacioni “Bollingen” ka shumë të drejtë që t’i japë çmimin Pound-it, nëse ata besojnë se poemat e tij janë më të mirat e vitit, por unë mendoj se dikush duhet të mbajë parasysh edhe karrierën e Pound-it dhe të mos ndjejë që idetë e tij janë bërë të respektueshme vetëm prej faktit të fitimit të një çmimi letrar. Për shkak të neverisë së përgjithshme ndaj propagandës së luftës të Aleatëve, ka pasur – madje edhe para se lufta të përfundonte – një tendencë për të pretenduar se Pound “nuk ishte me të vërtetë” një fashist dhe një antisemit, dhe ai kundërshtoi luftën për arsye pacifiste dhe se në çdo rast aktivitetet e tij politike i përkisnin vetëm viteve të luftës. Disa kohë më parë e pashë këtë të deklaruar në një revistë amerikane se Pound fliste në Radion e Romës vetëm kur “balanca e mendjes së tij ishte e trazuar,” dhe më vonë (mendoj në të njëjtën revistë) sugjerohej se qeveria italiane e kishte shantazhuar atë për të propaganduar në radio përmes kërcënimit të të afërmve të tij. E gjitha kjo është falsitet. Pound ishte një ndjekës besnik i Musolinit që nga vitet 1920 dhe nuk e fshehu kurrë këtë. Ai ishte kontribuues në revistën e Mosley British Union Quaterly[1] dhe pranoi postin e profesorit nga qeveria e Romës para se të fillonte lufta. Unë duhet të them se entuziazmi i tij ishte në thelb për formën italiane të Fashizmit. Ai nuk duket të ketë qenë shumë pro-nazist, ose anti-Rus, motivi kryesor i tij ishte urrejtja për Britaninë, për Amerikën dhe për “çifutët”. Transmetimet e tij në radio ishin të neveritshme. Unë mbaj mend së paku një të tillë në të cilën ai miratoi masakrimin e hebrenjve të Europës Lindore dhe “paralajmëroi” hebrenjtë e Amerikës se po u vinte radha. Këto transmetime – unë nuk i kam dëgjuar, por i kam lexuar në raportet e monitorimit të BBC-së – nuk jepnin përshtypjen se ato ishin punë të një të çmenduri. Mua më kanë thënë gjithashtu se gjatë leximit të tyre, Pound përdorte një aksent të theksuar amerikan, të cilin ai zakonisht nuk e kishte, pa dyshim për të joshur rrymën izolacioniste dhe për të ngacmuar ndjenjat anti-britanike.

Asnjë prej këtyre nuk është arsye për të mos i dhënë atij çmimin “Bollingen”. Ka raste kur gjëra të tilla mund të jenë të padëshirueshme – kjo mund të ishte e padëshirueshme kur hebrenjtë ishin duke u vrarë në dhoma gazi, për shembull – por nuk mendoj se ky rast është i vlefshëm tani. Por për shkak se gjyqtarët kanë marrë një pozicion të llojit “art për hatër të artit”, që do të thotë që, integriteti estetik dhe sjellja prej njeriu të mirë janë dy gjëra shumë të ndryshme, atëhere së paku ne të tjerët duhet të lejohemi gjithashtu t’i mbajmë këto gjëra të ndara dhe të mos justifikojmë karrierën politike të Pound-it me argumentin se ai ishte shkrimtar i mirë. Ai mundet të jetë shkrimtar i mirë (unë duhet të pranoj se personalisht e kam konsideruar atë gjithmonë shkrimtar fals), por opinionet që ai është përpjekur tëpërhapë përmes punës së tij janë djallëzore dhe unë mendoj se gjyqtarët duhet ta kishin thënë këtë më me forcë kur i dhanë çmimin.

[1] Revista e partisë fashiste britanike

Marrë nga Shtëpia e Librit.com 

Reagimi i George Orwell ndaj dhënies së një çmimi për poetin fashist Ezra Pound

Vdekja e dyshimtë e poetit Pablo Neruda

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Iku” në spital, 12 ditë pas grushtit të shtetit të Pinoche-it në rrethana të çuditshme. U zhvarros që të hetoheshin shkaqet.

Më 23 Shtator të vitit 1973, në moshën 69 vjeç, Pablo Neruda la frymën e tij të fundit në klinikën Santa Maria në Santiago, Kili. Raporti zyrtar i vdekjes së tij i referohet kancerit të prostatës. Por shumë flasin për një atentat nga agjentët e regjimit diktatorial të Pinochet-it. Vdiq një ditë përpara se të shpëtonte nga Pinochet-i.

Më 11 Shtator të vitit 1973, gjenerali Augusto Pinochet rrëzoi qeverinë e socialistit Salvador Allende dhe mori pushtetin përmes një grushti shteti ushtarak. Pablo Neruda, militant dhe luftëtar i lirisë, vendos të largohet nga Kili me gruan e tij përpara se të ndiqej penalisht, ai dhe miqtë e tij, dhe të përballej me dënimin me vdekje.

Një ditë përpara nisjes së planifikuar, u transportua me ambulancë në një klinikë, ku më parë i ishte dhënë ndihma e parë për kancerin e prostatës, me të cilin ballafaqohej. Gjashtë orë e tridhjetë minuta pas shtrimit të tij, vdes.

Zhvarrosja e trupit dhe hetime të vazhdueshme

Një hetim zyrtar për vdekjen e poetit Pablo Neruda filloi në vitin 2011. Në atë kohë shumë kilianë kishin shprehur dyshime për vdekjen e tij. Në të vërtetë, mendonin se ishte shkaktuar nga injektim helmi në trupin e tij. Qeveria kiliane deklaroi se është “qartësisht dhe jashtëzakonisht e mundur që një faktor i tretë” të jetë përgjegjës për vdekjen e poetit dhe shkrimtarit.

Manuel Araya, shofer i Nerudës për shumë vite, argumentoi se poeti fitues i çmimit Nobel nuk vdiq nga shkaqe natyrale, por se ushtria e helmoi atë. Gjykatësi, i cili ishte përgjegjës për hetimin, kërkoi zhvarrosjen e trupit të poetit Pablo Neruda në 2013. Ekzaminimet e kryera në trup nuk treguan asnjë shenjë që shkrimtari ishte helmuar. Rezultatet nuk plotësuan pritjet e familjes së Nerudës, të cilët kërkuan prova të mëtejshme.

Më 25 Mars të vitit 2015, një dokument zyrtar qeveritar, i botuar në gazetën El Pais shkruante ndër të tjera se “Nerudës iu bë injeksion i qetësues që mund të ketë shkaktuar sulm në zemër”. Një numër parregullsish u identifikuan gjatë qëndrimit të Nerudës në klinikë. Injeksioni nuk ishte intravenoz, siç ishte zakonisht, por në bark. Po ashtu, asnjëherë nuk u bë e njohur saktësisht se çfarë përmbante injeksioni kundër dhimbjes dhe kush e bëri.

Në të njëjtin vit, gjykatësi Karosa kërkoi që trupi i Nerudës të rivarrosej. Sidoqoftë, hetimet  vazhduan, pasi baktere të pazakonta u zbuluan në kockat e poetit.

“Jeta ime ishte vetë poezia ime dhe poezia ime ka qenë shtylla kurrizore e të gjitha luftërave të mia“.

Neftalí Reyes Basoalto u lind më 1904 në qytetin Paral të Kilit. Humbi nënën e tij në moshë të re dhe gjeti ngushëllim në librat letrarë.

Në moshën 13 vjeç, tërheqja e tij për letërsinë dhe poezinë u bë e dukshme kur botoi për herë të parë poezitë e tij në gazetën e përditshme La Mañana.

Në moshën 16 vjeç u njoh me pseudonimin letrar Pablo Neruda. E përdori si gjest nderi për poetin çek Jan Neruda. I njohur edhe për bindjet e tij komuniste, shëtiti botën si diplomat. Ishte një nga shumë studiuesit që regjistruan mizoritë e Luftës Civile Spanjolle, përfshirë ekzekutimin e mikut të tij të mirë, Federico Garcia Lorca.

Në vitin 1945 u bashkua me Partinë Komuniste të Kilit. Shkrimtari kolumbian Gabriel Garcia Marquez, duke iu referuar Nerudës, tha se ishte poeti më i mirë i shekullit të 20-të. Dy vite përpara vdekjes së tij, Pablo Nerudës iu dha çmimi Nobel për Letërsi, gjë që shkaktoi një stuhi reagimesh për zgjedhjen e Akademisë Suedeze. Sidoqoftë, përpara talentit të poetit, asnjë ngjyrim partie nuk mund të përshtatej. Një luftëtar, por edhe një poet thellësisht romantik, Neruda u nderua shumë herë. Në vitin 1950 iu dha çmimi Ndërkombëtar i Paqes. Deri në vitin 1990, puna e tij ishte ndaluar nga regjimi diktatorial i Pinochet-it.

Diktatori i ekstremit të djathtë ndaloi të bëhej publik funerali i poetit luftëtar. Por populli i shtypur kilian refuzoi kërkesën e Pinochet-it dhe funerali i Pablo Nerudës u shndërrua në një nga protestat e para kundër regjimit totalitar të Kilit.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Çkrijimi i botës-Granit Zela

in Letërsi/Tharm by

Granit Zela

E para ditë

U nisëm nga Bregu Ynë më shtatëmbëdhjetë Nëntor. Qe ora nëntë e darkës. Në Arkë bëheshin njëzetë e nëntë njerëz, nga të cilët tetë femra dhe një fëmijë gjashtë vjeç. Pas rreth dy orësh rrugë, deti ngriti dallgë. Dikur, një dallgë e fortë na goditi dhe u ça krahu i djathtë i Arkës. Ajo filloi të mbushej me ujë dhe gjysma e njerëzve ra në det. Me njërin nga motorët që nuk na u fik, filluam të manovrojmë për të mbledhur njerëzit. Ramë dakord që të hidhnim në det gjithçka, me qëllim që të lehtësohej pesha e Arkës. Flakëm bidonat me benzol, çantat, si dhe një pjesë të rrobave të trupit që do t’i vishnim kur të mbërrinim në Bregun e Huaj. Pas pak minutash kur ende nuk kishim mbledhur njerëzit që na kishte marrë deti, u fik dhe motori i dytë dhe na humbën shpresat për të mbledhur ndonjë tjetër. Tetë të vdekurit e parë nuk i pashë kur dhanë shpirt. As fytyrat nuk ua mbaj mend, as emrat, as zërin. Arka po mbushej me ujë i cili po vinte deri në brez. Duhej të prisnim me ankth mëngjesin, ndërkohë që pas mesnate dallgët na nxorën në një zonë më të qetë.

E dyta ditë

U munduam të ndiznim motorët, por helika e të vetmit motor që mund të ndizej, kishte marrë një fustan gruaje dhe ishte bllokuar. Në drekë hoqëm dorë nga ndezja. Bateritë kishin rënë, kurse ndezja me litar nuk bëri punë. Mbetëm vetëm në horizontin e paanë të mbushur me frikë. Së largu shquanim anije të mëdha që kalonin. U binin edhe borive por askurrnjëra prej tyre nuk ndryshoi drejtim apo të ndalonte të na jepte ndihmë. Vdekja e parë që pashë me sytë e mi ndodhi rreth orës pesëmbëdhjetë të ditës së dytë. Quhej Ardit P. Ishte vëllai i një mikut tim. U dorëzua  syzbardhur siç ishte në ujë duke thirrur përçart emrin e vet. “O Ardit, nuk më njeh, jam vëllai i mikut tënd” Më hutoi fakti se ai më drejtohej mua me emrin e tij  por, për më tepër, edhe emrin e vet se si e shqiptonte si “Ardht’ dritë..”. Natën e asaj të marte nisi një shi i imët që nuk pushoi për asnjë çast. Unë kisha frikë se mos më humbte kufoma e tij të cilën e kisha lidhur me litar. Dallgët dhe rrymat na shtynin drejt Bregut të Huaj. Së largu shihnim dritat e qytetit. Dëgjonim zhurma avionësh mbi kryet tanë.

Dita e tretë

Nuk qe dita e tretë e krijimit të botës, por e çkrijimit të saj. Të parën ditë Antizoti zhbëri tetë nga jetët e banorëve të Arkës sonë pasi çau krahun e djathtë të saj. Ditën e dytë mori jetën e Ardit P-së kufoma e të cilit tani përplasej nëpër dallgë, e lidhur me litarë. Rreth orës tre të mëngjesit na u afrua një peshkarexhë e huaj. Kishim një elektrik në gjendje pune. Ndezëm disa lecka duke i lyer me benzolin e serbatorëve të motorëve. Peshkarexha na vuri re. U afrua në largësinë pesëdhjetë metra. Të gjithë thirrëm “ndihmë!” Nga anija na ndriçuan për disa çaste me prozhektorë dhe u kthyen mbrapsht, pa na thënë asgjë. Ikën. Ne vazhduam të endeshim të pashpresë në horizontin e mbushur me tmerr. Shiu vazhdoi të binte pa ndërprerë ndërkohë që njerëzit në arkë filloi t’i rrëzonte moralisht uria dhe etja. Të gjitha ushqimet ishin hedhur në det në çastin kur u ça Arka, ndërkohë që ujë deti nuk mund të pinim pasi ai në raste të tilla të çmend. Mblodha pak ujë shiu për të lagur buzët. Në mes të ditës Antizoti mori jetën e një djali tetëmbëdhjetë – nëntëmbëdhjetë vjeç. Dha shpirt para syve të mi. Pas vdekjes së dytë, më hyri frika, por me kohë kjo u kishte ndodhur të gjithëve. Filluam të bëheshim llafazanë duke mbajtur njëri – tjetrin me muhabet, duke thënë se do të vinin të na shpëtonin nga çasti në çast, do të vinin patjetër. Pas dreke kaluan disa tragetë pas nesh, por nuk na pikasën.

Natën vdiq Joni, një i njohuri im. I hodhi rrobat në ujë sepse kishte filluar të çmendej. Në çastet e fundit të jetës m’u drejtua: – Shko te parku i makinave, gjej makinën me targë tremijë e shtatëqind e tridhjetë e tre dhe merr disa rroba. Më pas nisi të na akuzojë se nuk e ndihmonim e se nuk i jepnim rroba. I dhashë një bluzë . Dikush tjetër i dha një pelerinë por ai i hodhi në det edhe ato. Ishte fare lakuriq. Në një çast i tha një gruaje me vajzën gjashtë vjeçe se donte të martohej me të. U hodh në det duke na sharë. Unë e pashë shumë mirë tek fundosej. Pas tij dha shpirt edhe një pesëdhjetëvjeçar që nuk e njihja. Sikur të zgjohej papritmas na akuzoi se po pinim ujë fshehtas tij dhe nuk po i jepnim. – Kush po pi ujë dhe s’më jep? Kush po pi cigare dhe s’më jep? – pyeste. Dha shpirt pak më vonë duke thënë në kllapi: – Erdhi im bir, më solli cigare, ujë e bukë… xhiroi gomat e Volvo-s dhe iku. Si duket i biri e kishte zakon ta ngiste makinën në këtë mënyrë.

E katërta ditë

Ditën e tretë Antizoti pasi zhbëri një djalë tetë-nëntëmbëdhjetë vjeç, natën i mori shpirtin Jonit. Mandej, i pakënaqur me çkrijimin e tij, zhduku dhe një të moshuar pesëdhjetëvjeçar. Çkrijimi vazhdonte ndërkohë që ishim të gjithë të zalisur. Nuk po respektonim atë që thoshte logjika. Nuk duhej të flinim, pasi po të na zinte gjumi nuk do të zgjoheshim kurrë më. Mundoheshim të ndihmonim njëri – tjetrin që të mos mbyllnim sytë. Ndërkohë, me sytë hapur shihja ëndrra të çuditshme. M’u duk sikur shkova në shtëpi. U lava në dush dhe u shtriva i qetë në shtrat pasi halli im kishte mbaruar. Në shtëpi fatmirësisht takova Nata L-në. Ishim fejuar para dy vjetësh, por ende nuk kishim kryer marrëdhënie seksuale. Atë ditë më rrëfeu se përse nuk kishte lejuar për dy vjet rresht që të mos e prekja trupin e saj. Tha se i dilnin shumë qime rreth kokrrës së gjirit, të cilat më vonë u shumuan aq shumë sa ajo kishte turp të zhvishej para meje. Kishte ndjerë vazhdimisht dhimbje në gjoks dhe e kishte kapluar frika e të paturit kancer në gji. Pas bërjes së analizave hormonale mjeku i kishte sugjeruar të operohej. Tha se tanimë kishte marrë fund problemi i saj. Ne mund të bënim dashuri. I tregova se ndieja një dëshirë të pafundme për ta patur timen, por disa lot dhe zëri i një vajze më përmendi.

Për do kohë nuk munda të ftillohesha e të kuptoja se ku ndodhesha. Dy djem kishin vdekur sepse pinë ujë deti. Kjo i kishte çmendur. Pasdite shiu pushoi dhe vajza gjashtë vjeç me të ëmën u shuan njëra pas tjetrës. Vajza kishte ngrënë ca biskota, i vetmi ushqim i mbetur në Arkë prandaj mbijetoi deri të ejnjten. Ato vdiqën pa zhurmë, nga i ftohti, uria dhe etja. Për të mos patur kontakt me ujin, e kishim futur në një thes plastik. Na lutej: – O xhaxhi, na ço në shtëpi të lutem. Dy vajza të tjera rrinin pa lëvizur pranë njëra – tjetrës në cep të Arkës pa thënë asnjë fjalë. Njëra sosh i ngjante Nata L-së, pikërisht ajo që kishte parë të fejuarin të përpihej nga dallgët kur Arka ishte çarë. E shoqëroi me ulërima largimin e përgjithmonshëm të tij. Humbjen mes dallgës. Qau për gjashtë ditë rresht. Unë nuk e besoja se  nuk pushoi për asnjë çast shiu i lotëve të saj.

E pesta ditë

Ilirian Xh një miku im nga Tirana kishte disa orë që ankohej se po e linte zemra. Kërkonte vazhdimisht cigare. Siç duket e ndjente vdekjen pasi përsëriste pa pushim – Po vdes, po vdes – e teksa jepte shpirt, tha: – Amanet kalamajtë.  Kishte tre fëmijë në qytetin S, dy djem dhe një vajzë. Vajta përsëri në shtëpi. Nata L-në e gjeta të zhveshur në divan. Gjoksin e kishte shumë të bukur dhe bëmë dashuri. Nuk zgjati shumë pasi më përmendën britmat e asaj vajzës që  tashmë po më vajtonte mua sepse kujtonte se kisha vdekur.

E gjashta ditë

E hëna i tha të martës t’i thotë të mërkurës ku e di e ejntja se e premtja i tha të shtunës që e diela është pushim? Doja t’i thosha këtë lojë fjalësh vogëlushes së gjorë, por shpirti i saj tani pushonte në parajsë. Me aq fuqi sa na kishte mbetur, vazhduam t’i jepnim me radhë tombolares së Arkës derisa pompa u thye. Rreth orës dymbëdhjetë pranë nesh kaluan peshkaqenë. Ndodheshim rreth njëzet milje larg Bregut të Huaj në një zonë ku gjendeshin dy platforma nafte mbi det. Dikur, dallgët na afruan pranë njërës platformë. Hoqëm rrobat. Filluam t’i valëvisnim si flamuj. Një anije na vuri re. Filloi të afrohej. Dalluam një flamur të Bashkimit Evropian që valëvitej në erë. Nuk ishim të sigurt nëse do të na merrnin. Nëse jo, ne të gjithë do të vdisnim njëherësh. Gremion Q. dhe unë kapëm litarët që na hodhën nga anija. Ngadalë Arka iu afrua asaj. Të parët hipën dy vajzat. Pas tyrë nëntë të tjerët. Në kuvertë, me të na dhënë bidona me ujë filluam të grindeshim se kush do të pinte i pari. Disa prej nesh nuk mbaheshin në këmbë. Na futën në një mensë të ngrohtë ku hëngrëm bukë. Sollën disa rroba. Bëmë dush e veshëm kominoshe marinarësh. Në mensë njëra nga vajzat tha se ajo ishte Nata L dhe se kishim bërë dashuri bashkë në Arkë ndërkohë që unë përmendja emrin e saj. Nga porti na shpunë në spital ku policëve u deklarova se unë isha Noe, drejtuesi i Arkës, e se pranoja të dënohesha sipas ligjeve. Nuk më çuan në burg, por në një spital psikiatrik. Nata L më vizitonte herë pas here por gjithmonë vetëm sa rrinte përballë meje, sikurse në Arkë, dhe nuk fliste. Herën e fundit që u takuam qau një copë herë e tha se kishte rënë në dashuri me mua dhe donte të martohej këtu në Itali. Çkrijimi i botës ishte ndalur.

Nuk ia vlen të shpenzosh për të blerë vjershat e një autori bashkëkohor që nuk del në TV, që nuk pranon të reklamohet dhe që nuk bën poezi patriotike që qarkullojnë në internet e që recitohen nga aktorë të njohur/Bisedë me përkthyesin dhe poetin Alket Çani

in Biseda/Letërsi by

Ose do jesh, ose do dukesh, thotë përkthyesi dhe poeti Alket Çani në këtë bisedë mbi letërsinë dhe kreshtat sociale ku ajo rritet, mbivendoset, kundërshtohet apo zhvillohet. Ai jeton dhe punon në Francë, është autor i tre librave me poezi: “Metrika e dritës” (1997), “Shtrati i Prokrustit” (2004), “Memento mori” (2016), si dhe ka përkthyer në shqip autorë si: Paul Valéry, Arthur Rimbaud, Janis Ricos, Henri Michaux, Charles Baudelaire, Saint-John Perse, Samuel Beckett, Jean Genet, André Gide, Georges Bataille, Agota Kristof.

I pyetur mbi përkthimet me rimë të poezive, ai thekson midis të tjerash:

Dy fjalë që rimojnë mund të gjenerojnë, veç të tjerash, edhe ide apo asociacione idesh e përfytyrimesh, madje edhe të tilla që mund të mos kenë qenë në synimet fillestare të poetit, çka bën që rima të jetë edhe element i qenësishëm i përmbajtjes. Pra, në poezi, forma është përmbajtje;  e anasjellta mund të jetë por edhe të mos jetë gjithmonë e vlefshme. Nga ana tjetër, poezitë me varg të matur, me ritëm, me rimë, duke qenë të kufizuara nga aspekti formal, mund t’i japin poetit një mundësi gjetjesh dhe përdorimesh gjuhësore të pazakonta e tejet të arrira artistikisht.

       Bisedoi: Arlinda Guma  

 Arlinda Guma: Nëse do të më duhej të përdorja një fjalë për përkthimet tuaja, ajo që do t’ia qëllonte do të ishte: “të përkora”. Por, nga ana tjetër, dalloj se ju jeni shumë i tërhequr nga jeta publike (tipar i shumicës së njerëzve që bëjnë gjëra të vlefshme në këtë vend.) A nuk është paksa shqetësues ky fakt? Tërhiqu njëri e tërhiqu tjetri dhe ndërkohë jetën publike shqiptare e kanë pushtuar idiotët që japin modele të gabuara te fëmijët dhe adoleshentët…

Alket Çani: Nëse është kështu mund ta konsiderojmë, ndër të tjera, edhe shqetësues. Megjithatë mendoj se jo të gjithë ata që bëjnë gjëra të vlefshme rrinë mënjanë jetës publike, sikundër jo të gjithë të tërhequrit bëjnë gjëra të vlefshme. Duhet thënë se nuk është shumë e lehtë që edhe të bësh gjëra me vlerë, edhe të shfaqesh në publik. Ose do jesh, ose do dukesh. (Emily Dickinson ka një poezi të famshme me temën e njeriut publik.) Duhet thënë gjithashtu se shfaqja në publik kërkon sakrifica të mëdha që jo të gjithë duan apo munden t’i bëjnë. Le të marrim një shembull: duhet të takosh njerëz, nga të cilët edhe të tillë që, në rrethana të tjera, nuk do doje t’i takoje, duhet të flasësh, shpeshherë duhet të thuash gjëra me të cilat ti vetë nuk pajtohesh, për të cilat beson të kundërtën, por që u pëlqejnë të tjerëve t’i dëgjojnë, duhet të dalësh në TV, shkurt, duhet të kalosh nëpër një proces të gjatë tjetërsimi, derisa kufiri midis thelbit dhe dukjes bëhet i paqartë. Por ka shumë njerëz që këtë gjë e pëlqejnë, sepse, ta zëmë, janë ekzibicionistë; të tjerë e bëjnë për të përballuar vetminë; të tjerë, sepse nuk kanë gjetur diçka më të mirë se kjo; të tjerë, sepse dalja në publik shndërrohet për ta në të ardhura materiale, në lehtësira jetësore, në famë. Të tjerë, për të gjitha këto të marra së bashku. Pra, u bëhet i domosdoshëm ky tjetërsim, u bëhet mjet jetese dhe, që nga ky moment, mund të jetë për ta lehtësisht i justifikueshëm. Nga ana tjetër, këta marrin përsipër edhe rrezikun për të pësuar të kundërtën e asaj për të cilën janë investuar. Në vend që të marrin simpatinë e publikut, pas njëfarë kohe ata marrin antipatinë e tij, bëhen të padëgjueshëm, të pashikueshëm, të palexueshëm, të mërzitshëm, të padurueshëm. Prandaj kjo është një sakrificë e madhe.

Ndërkohë që të jesh i tërhequr, të rrish mënjanë është shumë më komode, apo jo. Veç kësaj, duke mos u shfaqur, je i veshur me një lloj misteri; dhe gjërat e mistershme janë gjithmonë joshëse, kanë kohëzgjatje më të madhe dhe janë më të qëndrueshme. Sa më pak të njohim dikë apo diçka, aq më shumë jemi të tunduar ta zbulojmë. Por këto janë sidomos fenomene individuale dhe sociale që kërkojnë analiza më të specializuara, të cilat nuk jam në gjendje t’i bëj. Sidoqoftë, këto që thashë nuk i kisha për vete, fola në përgjithësi. Për sa më përket, nuk mendoj se kam bërë ndonjë gjë me vlerë të madhe, por edhe nëse do kisha bërë, nuk më takon mua ta pohoj. (Edhe unë, tani që po ju përgjigjem, jam deri diku i tjetërsuar, sepse nuk po i them të gjitha që do dëshiroja të thoja dhe as krejtësisht në atë mënyrë që do dëshiroja. Marrëdhëniet midis qenies dhe dukjes janë shumë të ndërlikuara.)

Arlinda Guma: Jeni autor i tre librave me poezi, si dhe përkthyes i autorëve: Valéry, Rimbaud, Ricos, Michaux, Baudelaire, Saint-John Perse, Beckett, Seferis, Gide, Bataille, Kristof, Genet. A gjenden nëpër librari përkthimet tuaja të hershme? E them këtë sepse çdo herë që kërkoj një libër me poezi në ndonjë librari, shitësit ma kthejnë vrazhdë se poezia nuk shitet. Në të vërtetë ato pak përkthime të poezisë franceze që kam hasur kanë qenë jocilësore. A ekziston një antologji e poezisë franceze e përkthyer në shqip?

Alket Çani: Bataille, Gide, Seferis besoj se gjenden nëpër libraritë ku i kanë shpënë shtëpitë botuese përkatëse. Rimbaud dhe Genet kanë dalë që në vitin 2001 dhe duhet të jenë shteruar, nuk besoj të jenë hedhur më në qarkullim. Ndërsa të tjerët, që i kam botuar vetë, deri para ca kohësh kanë qenë në ndonjë librari. Tani nuk janë më, përveçse te Galeria Zenit dhe te bukinist.al. Por ata që i duan, i gjejnë. Më kontaktojnë mua dhe unë ua bëj dhuratë. Sidomos librat e mi poetikë. Nuk ia vlen të shpenzosh për të blerë vjershat e një autori bashkëkohor që nuk del në TV, që nuk pranon të reklamohet dhe që nuk bën poezi patriotike që qarkullojnë në internet e që recitohen nga aktorë të njohur. Ç’është ky? Kush e njeh? Kështu që, atyre që m’i kërkojnë, ua bëj dhuratë.

Edhe librarët mirë e kanë, ç’t’i duan librat që nuk shiten. Sistemi ku jetojmë bazohet te paraja. Është e natyrshme që të mos i pranojnë gjërat që nuk u sjellin të ardhura. Fundja, njerëzit mund të jetojnë edhe pa poezi, apo jo? Ata pak vetë që e duan poezinë, arrijnë ta gjejnë me mënyra të tjera, jashtë rrjetit të librarive. Nga këta pak vetë, ka syresh që edhe po s’e gjetën, ta zëmë, një autor që kërkojnë, e lënë fare dhe lexojnë ndonjë tjetër. Punë e madhe! Ja dhe s’e lexuan, ç’humbën?! Jeta vazhdon.

Që të jem i sinqertë, nuk arrij dot t’i ndjek të gjitha botimet që dalin aktualisht, e, për rrjedhojë, nuk mund të flas për cilësinë e përkthimeve, por besoj se duhet të ketë disa antologji të poezisë frënge, përkthime nga Vedat Kokona, Mihal Hanxhari, Anton Papleka, e me siguri edhe të tjerë. Ndërsa përpara vitit 1990, në mos gaboj, është botuar një Antologji e poezisë franceze, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, me përkthime nga grup përkthyesish, por ku mungojnë, natyrisht për shkak të censurës shtetërore, shumë poetë të dorës së parë, sidomos Baudelaire, Verlaine, Mallarmé, Rimbaud, Claudel, Valéry, e në vijim pothuaj gjithë poetët e rëndësishëm të shekullit XX; boshllëk që është plotësuar pjesërisht pas rënies së sistemit të kaluar.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për përkthimet me rimë? A e vrasin ato origjinalin? Po për përkthimet e Nolit, ç’mendim keni? Mendoni se Noli ka abuzuar paksa me përkthimet e tij, duke e kapërcyer statusin e përkthyesit dhe duke u bërë në njëfarë mënyre disi bashkëautor?

Alket Çani: Mendoj se poezia është, para së gjithash, art. Dhe si çdo formë tjetër e artit, edhe ajo është e kushtëzuar të shprehet, ndër të tjera, nëpërmjet artificeve. Rima, atëherë kur përdoret nga poetët e vërtetë, është element shumë i rëndësishëm i formës dhe e pasuron poezinë me muzikë. Por jo vetëm kaq, dy fjalë që rimojnë mund të gjenerojnë, veç të tjerash, edhe ide apo asociacione idesh e përfytyrimesh, madje edhe të tilla që mund të mos kenë qenë në synimet fillestare të poetit, çka bën që rima të jetë edhe element i qenësishëm i përmbajtjes. Pra, në poezi, forma është përmbajtje;  e anasjellta mund të jetë por edhe të mos jetë gjithmonë e vlefshme. Nga ana tjetër, poezitë me varg të matur, me ritëm, me rimë, duke qenë të kufizuara nga aspekti formal, mund t’i japin poetit një mundësi gjetjesh dhe përdorimesh gjuhësore të pazakonta e tejet të arrira artistikisht. Sa më e madhe shtrëngesa, aq më të mëdha përpjekjet dhe kërkimi i krijuesit për t’ia dalë. Po kështu edhe me përkthimin. Unë, poezitë që në gjuhët origjinale janë me rimë, i përkthej në shqip me rimë. Ose, të paktën, me asonancë. Ndonjëherë asonanca më duket më e bukur dhe enigmatike se rima.

Nuk mendoj se Noli ka abuzuar me përkthimet. Në qoftë se mund të ketë në përkthimet e tij gjëra që neve na duken të tepruara, mendoj se kjo ka të bëjë me faktin e ndryshimit të stadit të gjuhës dhe të kulturës së një vendi dhe njerëzve të këtij vendi në kohë. Imagjinojeni Nolin përpara tekstit të huaj që ka zgjedhur të përkthejë. Imagjinojeni duke thënë me vete: “si do ta bënte ky poet këtë vjershë, nëse do ta kish shkruar në gjuhën shqipe?” Dhe e përkthente. Imagjinojeni kështu dhe do ta kuptoni që nuk ka abuzuar. Përkundrazi. Jam dakord me ju që vende-vende ai bëhet bashkautor i veprës që përkthen. Por kjo është e pashmangshme. Nuk mund të përkthesh pa lënë gjurmët e tua. Përkthyesi ka qëndrimin e tij ndaj fjalëve, ndaj strukturave gjuhësore, ka një qëndrim psikolinguistik. Nuk mund të kryejë thjesht një punë robotike duke gjetur gjegjësat përkatës të fjalëve. Të mos harrojmë që Noli ka qenë poet, ka qenë krijues. Një poet nuk mund të mjaftohet duke bërë përkthim literal. Ai nuk merr asnjë kënaqësi, asnjë ekstazë krijimi, nëse bën thjesht një përkthim literal. Noli, sipas meje, nuk ka bërë përkthime për t’u përdorur si tekste studimi nga specialisët universitarë, por ka dashur të bëjë vepra arti.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për deklaratën e para disa muajve të kryetarit të shoqatës së botuesve se përkthyesit nuk i takon e drejtë autori?

Alket Çani: Nuk e kam lexuar këtë deklaratë, por nëse është kështu siç thoni ju, më duket e natyrshme që botuesit të kenë këtë qëndrim, duke qenë se i shkon përshtat interesit të tyre financiar. Pse, budallenj janë ata që të paguajnë përkthyesit sa herë ribotojnë librat? Jeta është luftë dhe lufta shtrihet në të gjitha fushat e jetës. Meqë botuesit paskan shoqatë, edhe përkthyesit duhet të bëjnë një shoqatë dhe t’u imponojnë botuesve kushtet e tyre.

Arlinda Guma: Cilët janë poetet tuaj të preferuar? Nëse do të ishit përballë tyre me një gotë verë përpara, ç’pyetje do t’u bënit?

Alket Çani: Poetët e mi të preferuar janë të ndryshëm në kohë të ndryshme. Por nëse do të donit të dinit emrat e atyre që u rikthehem vazhdimisht, ata janë: Dante, Villon, poetët kinezë të dinastisë Tang, Mallarmé, Kavafis, Valéry, Eliot, Lasgush, Michaux, Borges. Siç e shikoni, janë të gjithë të vdekur. Dhe më mirë që është kështu, sepse nuk do kisha asnjë pyetje për t’u bërë.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për letërsinë shqipe të pas 90-ës? Cila është pika më e fortë dhe më e dobët e saj? (Mua më duket se ka shumë poetë dhe fare pak prozatorë…)

Alket Çani: Me thënë të vërtetën, nuk është se kam ndonjë mendim të qartë. Në prozë nuk kam lexuar ndonjë gjë të madhe nga prodhimi letrar i kësaj periudhe. Kam lexuar, sidoqoftë, disa libra të mirë, por edhe disa të tjerë të dobët e të shkruar keq. Sigurisht që ka autorë të spikatur që tashmë kanë krijuar emrin e tyre, por që nuk u kam lexuar pothuajse asgjë. Ndoshta mund t’i lexoj më vonë. Në vija të përgjithshme, di që prurja letrare ka qenë e madhe dhe kaotike dhe shpesh nuk është e mundur të bësh diferencën midis veprave, ngaqë nuk arrin të kesh një vështrim të plotë mbi të tërën, si dhe për shkak të mungesës së shanseve të barabarta të autorëve përballë lexuesit.

Në fillim të viteve ’90 (e kam fjalën kryesisht për situatën e poezisë, meqë e njoh pak më mirë), me lirinë e shprehjes dhe hapjen e vendit, u krijua mundësia për njohje më të gjerë të letërsive të gjuhëve të tjera, gjë që çoi në imitim autorësh të këtyre letërsive. Në disa raste deri në epigonizëm. Kjo mendoj se ka qenë pika më e dobët. Por mendoj që kjo ka qenë njëkohësisht pika më e fortë, sepse pas një kohe të caktuar imitimi, ka patur nga ata, ose të tjerë që kanë ardhur apo do vijnë më pas, që kanë gjetur apo do gjejnë më në fund zërin e tyre vetjak. Dhe kjo është më e rëndësishmja. Por nuk do dija të thoshja se cilët autorë do mbeten dhe cilët do treten. Kjo është diçka që vendoset nga një mori rrethanash, shpeshherë jashtëletrare.

Arlinda Guma: Philip Roth thotë se njerëzimi e ka të humbur betejën për romanin. Për mua frika është e një natyre tjetër. Unë nuk mendoj se romani do të zhduket me kalimin e kohës. Por mendoj se me kalimin e kohës roman do të quhen një sërë vëzhgimesh të thata sociologjike, esésh, të rrasura si kumtesa në një konferencë të mërzitshme teknicienësh. Pra, druhem se në roman do të gjejmë gjithmonë e më pak ose aspak art. Si e mendoni ju këtë?

Alket Çani: Nuk e mendoj këtë gjë, sepse nuk mund të parashikoj asgjë. Por edhe nëse do kishim aftësi parashikuese, nuk është se do mund të ndryshonim ndonjë gjë. Mund të ndodhë ashtu siç thoni ju, por uroj të mos ndodhë. Ndërsa frazën e Roth-it nuk e kuptoj. Ndoshta ngaqë nuk njoh kontekstin nga i cili është shkëputur. Ç’do të thotë “betejën për romanin”? Nuk di që njerëzimi të bëjë ndonjë betejë për romanin. Por ndoshta mund të ma shpjegoni ju.

Arlinda Guma: Roth thotë se në një të ardhme nuk do të ketë më roman. (“Beteja” ishte vetëm një mënyrë figurative të shprehuri… Nuk e kisha fjalën që njerëzimi po lufton për romanin me shpatë apo me kundërajror…)

Alket Çani: Nuk e di nga ishte nisur Roth-i që pat arritur në këtë përfundim, por nuk besoj se do të ndodhë kështu. Njëri thotë fundi i romanit; tjetri, fundi i kinemasë; një tjetër, fundi i historisë; ca të tjerë shpallin data të fundit të botës… Dhe, në fakt, asgjëje nuk i vjen fundi. Mendoj se për sa kohë që do të ketë njerëz mbi tokë, do të ketë nga të gjitha dhe asgjëje nuk do t’i vijë fundi. E kuptoj që Roth mund ta ketë fjalën për romanin ashtu siç e njohim deri më sot, por askush nuk mund ta dijë nëse zhanret apo format e reja të shkrimit, nëse do ketë të tilla në të ardhmen, nuk do të jenë po aq e ndoshta edhe më interesante se ato me të cilat jemi mësuar.

Arlinda Guma: A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur?

Alket Çani: Nuk e kam shumë të qartë se ç’quhet “njeri i lumtur”. Nocioni i lumturisë, ashtu si shumë nocione të tjera të kësaj natyre, është i paqartë, të paktën për mua, dhe e kam të pamundur ta përkufizoj. Sidoqoftë, mendoj se botën nuk mund ta ndryshojë një njeri i vetëm, i lumtur qoftë apo i palumtur. Bota ndryshon vetvetiu. Gjithçka rrjedh, thoshte Herakliti, d.m.th. gjithçka ndryshon.

Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon dhe çfarë adhuroni kur jeni në Shqipëri. Po në Francë?

Alket Çani: Më nervozon zhurma. Adhuroj qetësinë.

Arlinda Guma: Nga poezitë që keni shkruar, cila është e preferuara juaj? Mund të citoni disa vargje?

Alket Çani: Përveç shumicës së poezive të librit të parë “Metrika e dritës”, botim i vitit 1997, e që jam penduar që e kam botuar, poezitë e dy librave të tjerë “Shtrati i Prokrustit” dhe “Memento mori” nuk më duken keq. Do t’ju citoj një sonet, nga libri im i dytë, 14 vargje me rimë, meqenëse ju nuk e keni shumë për zemër, se mbase, kushedi, ndryshoni mendim:

Dhe ritmi i ëndrrës e mbuloi me vel

Yllin e fjalës së kulluar, nata

Ç’pritje përftoi pas gjurmëve të gjata

Të gjumit që pa syri kur u çel?

 

I shtrenjti trup e ngjalli prap dëshirën

E fshehur në hapësirat e mungesës;

Dhe syri si një hiatus i kujtesës

U rrek më kot t’i lërë lamtumirën

 

Ritmit të ëndrrës, gjurmëve të gjata

Të gjumit dhe të pritjes së përkorë;

Gjithçka që don të vdesë rilind te nata;

 

 

Flijohet fjala prej kuptimit kapur;

Gjithçka dremit, dremit dhe mendja, por

Trupi nuk fle dhe syri është i hapur.

 

Arlinda Guma: Keni djegur ndonjëherë një libër tuajin?

Alket Çani: Duhet të kisha djegur librin tim të parë, por nuk e bëra. Tani është tepër vonë.

Arlinda Guma: Keni ndonjë bar të preferuar në Tiranë ku do të kishit dëshirë të shkruanit? Po në Paris?

Alket Çani: Deri më sot, asnjë.

1 137 138 139 140 141 190
Go to Top