Author

Admin - page 132

Admin has 1899 articles published.

YJET DHE LULET-Ko Un

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

YJET DHE LULET-Ko Un

 

Edhe pse flasim për yjet

Kaq e kaq herë që prej kaq e kaq kohësh

Ata s’na afrohen kurrë

Dhe atje tej

S’bëjnë tjetër veçse dërgojnë dritën e tyre

Që nga disa qindra milionë vite dritë

 

Edhe pse u këndojmë luleve

Edhe pse u këndojmë me nostalgji

Luleve të kajsisë së fëmijërisë

Ato nuk rrinë më të çelura qëllimisht më gjatë

Nuk reagojnë as ndryshe

Dhe atje tej

Ato vyshken si zakonisht pas disa ditësh lulëzimi

Vyshken të gjitha pas shkulmit të parë të erës

 

Në këtë botë të pasigurt

Duke folur për yjet

Duke folur për lulet

Duke thënë yjt e mi e duke thënë lulet e tua

E lëmë zemrën të na rrahë nga gëzimi

Ç’naivitet i vjetër kalamajsh të papjekur!

Përktheu: Alket Çani

Eva Kantûrková

in Letërsi by

Eva Kantûrková (1930-)

Romanciere, tregimtare dhe eseiste, Eva Kantûrková u lind në Pragë. Në vitin 1956 u diplomua në filozofi dhe histori në Charles University dhe filloi karrierën si shkrimtare në gazetë Mladá fronta. Romani i saj i parë Ceremoni mortore (Smuteĉvi Slavnost,1967) u pasua nga dy romane shtesë: Pas përmbytjes (Po potope, 1969) dhe Trashëgimia e zotit Abel (Pozustalost pana Abela, 1971). Të dy u ndaluan në Çekosllovaki. Në vitin 1981, Kantûrková u arrestua me akuzën e rebelimit dhe u dënua me një vit burgim në burgun e Ruzynês. Kaloi njëmbëdhjetë muaj në izolim para se të lirohej për mungesë provash. Libri i saj i ndaluar i asaj periudhe Shoqet e mia në shtëpinë e zymtë (Přitelkynĕ z domu smutku, 1984, botimi në anglisht, 1987), u shqua para së gjithash për vëmendjen ndaj bashkëvuajtësve femra. Libri fitoi çmimin e njohur “Tom Stoppard”. Para katër vjetësh, ajo kishte botuar intervista me dymbëdhjetë gra të burgosura për arsye politike, Dymbëdhjetë biseda (Dvanáct rozhovaru, 1989). Kanturkova ishte bashkëthemeluese e Forumit Qytetar në vitin 1989, u zgjodh në Kuvend në vitin 1990 dhe drejtoi Këshillin e Shkrimtarëve në vitin 1994-1996.

Shoqet e mia në shtëpinë e zymtë-Tregim

Dy roje gra na urdhëruan të hiqnim rrobat dhe kërkuan imtësisht me duar nëpër rrobat që hoqëm. Çdo sekret i çmuar i fshehur në gjimbajtëse ose në pantollona të shkurtra u zbulua në mënyrë të pamëshirshme. Mikja ime kishte fshehur letra të të dashurit të saj (madje as mua nuk ma kishte dhënë privilegjin të dëgjoja çfarë shkruante), kurse tani roja që ne e quanim Marena filloi t’i lexonte letrat me zë të lartë në zërin e saj të dehur. – Epo, s’më kishte shkuar mendja! – bërtiti ajo.  Kjo qenka çfarë qenka! E sigurt që është letër dashurie po çfarë letre se! Ajo na buzëqeshi paturpësisht gjithë vetëkënaqësi. Një bjonde e fryrë si thes, ajo ishte nga ata tipat sentimentalë që i llastonte nipërit e mbesat dhe i jepte të birit pará për të blerë makinë të re. – S’keni ndonjë gjë më të mirë për të bërë? – plotësoi roja tjetër. Fytyrëpatatja ishte emri që i kishim vënë. – Janë si kurva që digjen, kështu janë. Mikës sime iu desh të provonte që letra kishte ardhur nëpërmjet postës zyrtare dhe ishte censuruar nga autoritetet e burgut, edhe pse kjo ishte e dukshme, dhe prova që nuk ishte futur fshehurazi. Ndërkohë, e vëzhguar nga një oficer i burgut, një roje tjetër kishte shkuar nëpër qelinë tonë duke shkalafitur gjithçka si një derr i egër që rrëmon dheun. Ne i mbanim dollapët e vegjël, të pastër dhe tani letrat tona, gjërat e tualetit, ushqimi nga shtëpia ishin flakur të gjitha në dyshemenë e qelisë, dhe me gishtat e pistë ajo kishte rrëmuar nëpër biskotat e Krishtlindjeve që shoqet e mia kishin gatuar që unë t’ia dërgoja tim shoqi. Shtretërit u vunë mbi njëri-tjetrin, ndërsa dyshekët, çarçafët, batanijet dhe jastëkët u hodhën kuturu. S’mund të thoshe se cilat gjëra ishin të njërit dhe cilat të tjetrit, tryezat, stolat ishin kthyer përmbys mbi sheqerin, lëmshat e pambukut, sapunët, librat dhe letrat. Nuk ishte një kontroll qelie, por ishte dikush që ishte pushtuar nga tërbimi i një vullneti të mbrapshtë…

Marrëdhëniet dashurore në burg janë të kufizuara tek fjala e shkruar, e folur ose fjalët e thëna me zë të lartë, me përjashtim të atyre pak shpirtrave të guximshëm që provonin të zhvisheshin në oborrin e stërvitjes, ndërsa i dashuri këqyrte nga qelia. Pas një skene të tillë dashurie na dënonin të gjithëve duke na detyruar të veshim vetëm këmisha, por edhe kominoshe të pista në ditët më të nxehta të verës. Puritanizmi ekstrem i autoriteteve shkoi aq larg sa një roje e re që po më shoqëronte korridoreve të burgut për tek qelia e marrjes në pyetje në një ditë me vapë mbytëse më nxori jashtë sepse e kisha përveshur këmishën mbi bërryl. I dashuri i Majss i kërkonte me ngul që ajo të zhvishej për të por ajo nuk pranonte. Nuk është gjë “e bukur” dhe “Si do të mund të të shihja në fytyrë më pas?” – I shkruajti ajo me fjalë të ndjera, duke qeshur gjatë gjithë kohës.

Ishte një vajzë në korridorin tonë e cila tha se kishte arritur ta bënte me të shpejtë në ashensor me një të besuar të kuzhinës që po sillte ushqimin në qelitë tona. Askush nuk e besoi, por nga ana tjetër, rojet e shërbimit të natës dihej se merrnin një vajzë të re dhe të bukur, e çonin në një qeli të zbrazët, për ta paguar me cigare. Kjo nuk shihej si dashuri, por si një marrëdhënie e pastër përfitimi. Për shkak se ishte aq e kufizuar, dashuria u përhap në mënyrë të papërmbajtshme. Veronika, në qelinë ngjitur me tonën, ishte arrestuar me të dashurin, e cila ishte tani në një qeli në anën e kundërt të oborrit. Sapo zgjohej, ajo ngjitej në dritare, siç e kërkonte rituali i dashurisë dhe bërtiste: “Zdenĕčk i dashur, i dashuri im i shtrenjtë, mirëmëngjes, unë të dua, si fjete mbrëmë?….

Përktheu: Granit Zela

Kur mendoj për ferrin-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kur mendoj për ferrin-Bertolt Brecht

 

Kur mendoj për ferrin më kujtohet

Se vëllai im Shelley kujtonte se ky qe një vend

Shumë i ngjashëm me qytetin e Londrës. Unë

Që jetoj në Los Anxheles dhe jo në Londër

Kam kuptuar, duke menduar për ferrin, se prapë se prapë

Duhet të ngjasojë më shumë me Los Anxhelesin.

 

Edhe në ferr

Ka, dhe s’kam dyshim, kopshte të tilla luksoze

Me lule të mëdhaja sa një dru, të cilat sigurisht që vyshken

Atypëraty nëse nuk ujiten me ujë shumë të shtrenjtë. Dhe ka

Tregje pemësh

Me pirgje të mëdha pemësh, edhe pse ato s’kanë

As erë as shije. Dhe varganë të pambarimtë makinash

Më të lehta se vetë hijet e tyre, më të shpejta

Se mendimet çmendurake, vetura të shndritshme në të cilat

Njerëz që duken plot gaz vijnë prej kurrkundit dhe shkojnë

Kurrkund.

Dhe shtëpi, të ndërtuara për njerëz të lumtur, të cilat pra rrinë bosh

Edhe kur dikush banon në to.

 

Shtëpitë në ferr, po ashtu, nuk janë të gjitha të shëmtuara.

Por frika se mund të të flakin në rrugë

I ronit banorët e vilave hiç më pak se

Banorët e barakave në geto.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Štefan Sandtner

in Letërsi by

Štefan Sandtner (1916-2006)

Štefan Sandtner studio për teologji në Universitetin Gregorian të Romës. Së bashku me një grup arriti të arratisej në perëndim nëpërmjet kufirit Çek. Ndërsa po mjekohej në një spital në Bratislavë, u arrestua dhe u akuzua për tradhti. Gjykata e dënoi me pesëmbëdhjetë vjet burg. Pasi i gjetën disa poezi të poetit Vaclav Renč, një poet dhe dramaturg i njohur katolik që kishte shkruar poezi shpirtërore dhe ishte përkthyes i Shekspirit, u dënua me dhjetë ditë në izolim të plotë. U lirua nga burgu pas amnistisë së vitit 1960 duke punuar si punëtor ndërtimi derisa doli në pension si invalid në vitin 1968. U angazhua si botues, përkthyes dhe poet duke botuar dymbëdhjetë libra. Poezia e tij u dallua për natyrën shpirtërore dhe cilësitë e saj formaliste. Përmbledhja e tij me poezi “Burgu, psalti im”, nga e cila është shkëputur poezia e mëposhtme, e botuar në Sllovaki në vitin 1998, u krijua në burg.

Himn

Nata atje lart flakëron, shkëndija të ndritshme

bien në rrugët me yje,

Shkoj të lutem me poezitë e mia,

 

Zemëroj rojet e rrepta në faltore,

Dy dritare në natë picërrohen,

një palë sytë mezi shquajnë lartësitë,

deri në mëngjes Toka rrotullohet.

 

Dhe kështu psalmet e mëngjesit jehojnë

jehojnë plagë,

pse më kujton  gjithçka,

jehona e humbur e parajsës?

 

Lëvduar qofsh, o Perëndi e gjallë! I freskët

Unë të këndoj ty me gëzim,

Dhe  rrezatoj te ti

Dritë nga hekurat

Dje, sot dhe përgjithmonë.

Amin.

 1.

Paqja përhapet përmes qiellit

Yje fatalë, të lumtur.

Shndrisin pa fund

Ndihesh si pus i mbushur.

 

Shpirti rri pakëz për fat të mirë

Në një fushë të gjerë me bukuri natore.

Vështrimi rrok dhembshurisht:

Këtu është natë, kur vjen dita?

 2.

Krenaria olimpike, çfarë jemi?

një hije vogëlane në rrugë.

vjen vdekja – mbretëresha e hapësirës

rrotullohet lehtas në pluhurin e yjshëm.

 

Vdekja na bën të gjithë të barabartë,

të paktën le të bëhemi një qivur.

Ajo që jemi në hapësirë, le të bëhemi një, le të adhurojmë

Hije, pluhur dhe frikën nga jeta.

 

Përktheu: Granit Zela  

Lavdi dialektikës/Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Lavdi dialektikës/Bertolt Brecht

 

Sot padrejtësia përparon me vrull,

shtypësit rendin me mijëra vite dritë. 

Dhuna është ulur këmbëkryq: e nuk tutet këndejmi. 

Zë tjetër nuk dëgjohet veç atij të shtypësve. 

 

Dhe pazarit shfrytëzimi klith:

Ky është veç fillimi. 

 

Nga ana tjetër, prej të shtypurve ndihet:

Dita jonë nuk ka për të ardhur kurrë. 

 

Cilido që është ende gjallë, kurrë të mos thotë “kurrë”!

Bindja nuk është bindëse assesi. 

Se gjërat nuk do të mbesin siç janë. 

 

Pasi sundimtarët ta kenë thënë të tyren,

do të vijë radha e të shtypurve.

Kush guxon pastaj të thotë “kurrë”?

 

I kujt është faji nëse shtypja s’rresht? Yni është. 

Kush mund t’ia këpusë vargonjtë? Ne mundemi. 

 

Kushdo që është dërrmuar, të ngrihet!

Kushdo që ka humbur, t’i kthehet luftës!

Kushdo që është i vetëdijshëm për kushtet në të cilat dergjet – kush mundet ta ndalojë?

Se të mundurit e sotëm do të jenë nesër fitimtarë

dhe një “kurrë” do të bëhet shpejt “që sot”. 

1930-1931

Përktheu: Edon Qesari

A mund të bësh një dramë pa fjalë? (Video)

in Teatër by

Një numër shumë i madh personazhesh mund të krijohen përmes një gjuhe të ndryshme nga ajo e folura.

Në vitin 1992, shkrimtari Peter Handke, bëri një dramë me një akt në të cilën asnjë nga aktorët nuk flet asnjë fjalë. Drama Ora kur ne nuk dinim asgjë mbi njëri-tjetrin, (Die Stunde, da wir nichts voneinander wußten,) shtyu kufijtë e letërsisë në shumë drejtime.

Handke e shpjegoi idenë pas dramës në një intervistë në vitin 1992:

“Ideja më lindi shumë vite më parë një pasdreke. Unë pëlqeja të kaloja një ditë të tërë në sheshin e vogël të fshatit Muggia pranë Triestes. Unë ulesha në tarracën e një kafeneje dhe shikoja jetën që kalonte aty. Unë hyra në një gjendje të vërtetë vrojtimi, ndoshta ndihmuar pak edhe nga vera. Çdo gjë e vockël u bë e rëndësishme (pa pasur simbolikë). Procedurat më të vogla dukeshin të rëndësishme për botën. Pas tri apo katër orësh, një makinë funerali ndaloi para një shtëpie, disa burra hynë dhe dolën me një arkivol, kalimtarët u grumbulluan dhe u shpërndanë, makina e funeralit iku tutje. Pas kësaj rrëmuja vijoi – duke ngatërruar turistët me vendësit dhe punëtorët. Ata që erdhën pas kësaj ngjarjeje nuk dinin gjë çfarë kishte ndodhur më herët. Por për mua, që e kisha parë, çdo gjë që ndodhi pas incidentit me makinën e funeralit dukej në një farë mënyre e ngjyrosur prej saj. Të gjithë njerëzit në shesh nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin – rrjedhimisht ky ishte titulli.”

Që kur u vu për herë të parë në skenë, drama e Handkes është përkthyer në anglisht dy herë dhe është vënë në skenë në vende të ndryshme të botës. Në disa raste, aktorët e ftuar në skenë janë joprofesionistë, njerëz të zakonshëm që ftohen për të luajtur pak a shumë jetët e tyre.

Shkrimtari austriak Peter Handke fitoi çmimin Nobel duke shkaktuar protesta ndaj komitetit të Nobelit nga e gjithë bota. Handke është një shkrimtar që në mënyrë të përsëritur ka mohuar gjenocidin e forcave serbe në Bosnjë dhe ka lavdëruar diktatorin serb Slobodan Milosheviç, i mbiquajtur Kasapi i Ballkanit, i cili vdiq në Hagë ndërsa përballej në gjyk për akuzën e gjenocidit.

PEN America, organizata e shkrimtarëve, poetëve dhe eseistëve të Shteteve të Bashkuara, iu bashkua valës së protestave ndaj vendimit të Nobelit duke e quajtur lajmin “tronditës”.

“Ne jemi të tronditur nga zgjedhja e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publik për të sulmuar të vërtetën historike dhe për të ofruar ndihmë publike për kryesit e gjenocidit,” shkroi ajo në një deklaratë për shtyp.

Handke është sjellë në shqip në vitin 2019 me librin Mëngjarashja.

Ju mund të ndiqni në këtë video në YouTube vënien në skenë të dramës pa fjalë.

Marrë nga: Shtëpia e Librit  https://www.shtepiaelibrit.com/blog/a-mund-te-besh-nje-drame-pa-fjale-video/

Që të ndahesh për ca kohë-Nizar Kabani

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Që të ndahesh për ca kohë- Nizar Kabani

 

E dashur le të ndahemi për ca kohë

Për të mirën e dashurisë sonë por dhe të mirën tonë

Le të ndahemi për ca kohë

Në dobi të kujtimeve tona të shtrenjta

Që ne bashkë i kemi përshkuar

Në emër të një dashurie përrallore

Që ende mbetet shkruar në buzët tona

Në emër të gjithë letrave

Që ti më ke dërguar

Në emër të kujtimeve që kemi

Në emër të dashurisë tonë me të bukur

Të kërkoj të më lesh

Le të ndahemi si miq të mirë

A s’i lenë zogjte për çdo stinë 

                                             Kodrinat e tyre

A s’është dielli më i bukur 

                                             Bash kur perëndon e dashur

Vuajtje dhe ngurrim qofsh në jetën time

Veç një herë ti qofsh trillim

                                             Një vegim

Një pikëpyetje gjatë gjithë qenies sime 

Pa kurrfarë përgjigjeje

Në emër të një dashurie përrallore

Që ka vatër zemrat tona dhe dritë sytë tanë

Të kërkoj që të nisesh

Le të ndahemi ndërkaq që ende duhemi

Le të ndahemi për hatër të gjithë dashurisë

Gjithë mirësisë që ne kemi brenda nesh

Do desha e dashur që të më shihje përmes lotëve tanë

E dashur le të ndahemi në vaj e sipër

U bë kohë që më s’dimë ç’është butësi e lotëve

Le të ndahemi për sa kohë kjo dashuria jonë

S’është bërë e rëndomtë

Para se zjarri ynë të bëhet hi

Para se lulet të vyshken në vazo

 

Në emër të një dashurie përrallore

Që ka mbirë brenda nesh si pranverë

Që ka ndritur sytë tanë si diell

Në emër të dashurisë më të bukur të jetës sonë

Të kërkoj që të nisesh

Kështuqë dashuria jonë të mbetet një dashuri e vërtetë

Që dashuria jonë të vazhdojë të jetojë

Të kërkoj që të nisesh

 

Përktheu: Edon Qesari

 

Meriton një dashuri-Frida Kahlo

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Meriton një dashuri-Frida Kahlo

 

Meriton një dashuri që të do edhe të pakrehur,

Me të gjitha arsyet që të bëjnë të ngrihesh nxitimthi,

Me të gjithë djajtë që nuk të lënë të flesh.

Meriton një dashuri që të bën të ndihesh e sigurt,

Që është në gjendje të tresë botën kur është me ty,

Që ndjen që përqafimet e tua janë të përsosura për lëkurën e tij.

 Meriton një dashuri që do të vallëzojë me ty,

Që gjen parajsën sa herë që sheh sytë e tu

E nuk lodhet kurrë së lexuari shprehitë e tua.

Meriton një dashuri që të dëgjon tek këndon,

Që qesh me ty edhe kur bëhesh qesharake,

Që respekton qënien tënde të lirë,

Që të shoqëron në fluturim,

Që nuk ka frikë të heqë dorë.

Meriton një dashuri që të pastron nga çdo gënjeshtër,

Që të sjell iluzione,

Të sjell kafen

Dhe poezinë…

Përktheu: Blerina Berberi

Tiranën e bën poetike jeta që kapet për thonjsh/Bisedë me aktivisten Arbjona Çubuku

in A(rt)ktivizëm by

Mua nuk më frymëzojnë gazetarët e suksesshëm të ekranit, të cilët paguhen miliona lekë, vetëm se flasin 30 minuta në ekran

Arlinda Guma: Ju punoni si gazetare dhe njëkohësisht jeni aktiviste e Organizatës Politike. A përplasen shpesh këto të dyja? Si i menaxhoni?

Arbjona Çibuku: Nëse flasim në rrafshin kohor po, ndodh që të ketë përplasje oraresh. Nëse e shtrijmë përtej menaxhimit të kohës atëherë aspak, përkundrazi. Të qënurit aktiviste e Organizatës Politike është një vlerë e shtuar do të thosha në punën si gazetare. Pse e them këtë? Sepse duke qënë e angazhuar në një subjekt politik të tillë të jep lentet e duhura për të lexuar panoramën e plotë të realitetit. Kështu, nuk sheh vetëm ngjarjet që ndodhin, shkon përtej kësaj, je në gjëndje të analizosh shkaqet dhe pasojat, pra të bësh një analizë të mirëfilltë. E një gazetare e mirë pikërisht këtë duhet të jetë në gjëndje të bëjë, siç unë e shoh, të shkojë përtej leximit të lajmit, të arrijë të sintetizojë gjithë faktorët që ndikojnë për të bërë një punë të mirë. Të kuptohemi, me këtë nuk po aludoj që unë jam një gazetare e mirë, (qesh), por kjo është pika ku do doja të arrija.

Menaxhimi pastaj është diskutim më vete. Shpesh e gjej veten duke vrapuar sa andej-këndej pa u fokusuar dot diku ashtu siç do të doja. Shumë gjëra më shpëtojnë, ndërkohë për shumë gjëra të tjera më duhet të shpenzoj më tepër kohë nga sa do të doja. Por më duhet të sqaroj që këtë e konsideroj si diçka pozitive, në pikën ku jam tani më duhet të jem ne kontakt me sa më shumë ngjarje e situata, të mbledh sa më tepër eksperienca,  për të bërë më vonë një zgjedhje sa më të mirëpeshuar duke u fokusuar vetëm diku.

Arlinda Guma: Si e hasët Organizatën Politike? Çfare ju tërhoqi më shumë në atë bashkësi?

Arbjona Çibuku: Në vitin e parë në fakultet u njoha me Lëvizjen për Universitetin, me betejat dhe punën e tyre për një arsim publik e cilësor. E gjeta veten aty. Prej Lëvizjes u njoha rrjedhimisht edhe me Organizatën Politike, kjo pasi një pjesë e aktivistëve të lëvizjes janë po ashtu pjesë e Organizatës Politike. Integrimi pastaj erdhi tejet natyrshëm. Vizioni i Organizatës Politike plotësonte tablonë e asaj si unë e mendoja shoqërinë “ideale”. Pra Lëvizja është e fokusuar thelbësisht në përmirësimin e jetës universitare dhe Organizata Politike shkon përtej, në kritikën e shoqërisë aktuale dhe në ndryshimin rrënjësor në të gjithë sferat. Dhe kjo i jep një qasje të plotë, të dyja mbushin njëra-tjetrën.

E pikërisht kjo ishte ajo që më tërhoqi fillimisht. Për herë të parë kisha një kritikë të mirëfilltë që i përgjigjej gjithë problematikave dhe po ashtu një vizion sesi realiteti mund të jetë ndryshe, më i mirë. E përpos të mësipërmeve, ndikim të fortë pati dhe njohja nga afër me ata që e përbëjnë atë bashkësi. Aty takova të rinj e të reja me një etje të papërshkrueshme për dijen, me plot dashuri për jetën, për njëri-tjetrin, për botën. Njerëz me ëndrra dhe dëshira, me ide të reja. Njerëz që shkëmbenin libra me njëri-tjetrin, njerëz që bënin biseda, të cilat shkonin përtej gossip-eve ca bëri x apo y celebrity, përtej jetës së Instagramit. Si mund të mos tërhiqesha nga ajo bashkësi?

Arlinda Guma: Një gjë që më bën përshtypje në shkollën tuaj të gazetarisë është fakti se shpesh u sugjerohet studentëve të ndjekin (apo në rastin më të keq; të imitojnë) disa modele të vjetra të gazetarisë shqiptare; jo domosdoshmërisht cilësore, u kërkohet një lloj gazetarie pa impuls, pa nerv, disi anakronike. Pra, në këtë shkollë nuk duket të ketë hapësirë për risitë, nismat e lira dhe individualitetin krijues…  Si e mendoni ju këtë?

Arbjona Çibuku: Hapësira për risitë ekziston për këdo që ka dëshirë të sjellë të tilla. Ne tani jetojmë në kohën e digjitalizimit, ku studenti i gazetarisë do duhej të ishte i mbushur me ide dhe të ishte ai që krijonte modele të reja për t’u ndjekur. Arsyeja pse gazetarët e rinj, apo studentët e gazetarisë shtyhen drejt ndjekjes së këtyre modeleve të cilat ju i quajtët të vjetër, është sepse ata vijnë në gazetari për shkak të këtyre personazheve, ata vijnë me idhuj por shkolla ua përforcon edhe më tepër. Pasi jo rallë herë këto modele merren si shembuj. Ama eksizton diçka, të cilën nuk do mund ta mohojmë, gazetaria në të cilën këto modele të vjetra kanë ushtruar profesinon e gazetarit nuk do të mund të krahasohej me gazetarinë e sotshme. Kësisoj studentët vijojnë t’i kenë si idhuj ato modele, pa kuptuar që ajo që kërkojnë është gazetaria cilësore e jo personazhet. Personazhet absolutisht që kanë dhënë kontributin e tyre, ama është në dorën e të rinjve që nëse duan t’i japin një formë tjetër gazetarisë së sotme, ta bëjnë. Unë e përmenda edhe më sipër që mundësia për risi eksizton dhe madje është e madhe. Gazetari sot ka më shumë se një funksion, gazetari sot është multimedial. Hapësirat dhe mundësitë e dhënies së informacionit janë të larmishme, në epokën e automatizimit gazetari mund prodhojë produkte mediatike që me parë për shkak të pamundësisë së mjeteve të komunikimit, nuk bëheshin dot.

Arlinda Guma: Ç’pasoja ka sjellë në jetën tuaj personale aktivizmi politik? Jeni penduar ndonjëherë që e ndërmorët këtë rrugë?

Arbjona Çibuku: Ajo çka mund të them me plot gojën është që aktivizmi më ka rritur, më ka pjekur, ka ndihmur në formësimin tim politik. Më ka bërë të kuptoj që çdo njeri është i nevojshëm, çdokush mundet të kontribuojë, sadopak, që askush nuk është i pazëndësueshëm. Më ka bërë të kuptoj që realiteti është i ndryshueshëm, nuk është një gjë e dhënë dhe statike. Të gjithë ndikojmë në shoqëri me veprimet apo mos-veprimet tona, edhe pse shpesh mund të na duket sikur një person i vetëm nuk ka asnjë peshë. E mbi të gjitha më ka bërë të jem e vetëdijshme për forcën që kemi duke qënë të bashkuar.

Nga çka thashë më sipër besoj është e kuptueshme dhe përgjigjia ime për nënpyetjen e dytë.

Arlinda Guma: E shihni në të ardhmen Organizatën Politike si një forcë politike me përfaqësi në Parlament?

Arbjona Çibuku: Organizatën Politike në të ardhmen e shoh si një forcë katalizatore të ndryshimeve të madhe në shoqërinë tonë. Një forcë që përfaqëson të papërfaqësuarit deri më tash, krah shtresave më të shtypura të shoqërisë dhe me vizion e alternativa për një shoqëri më të mirë.

Arlinda Guma: Cilët janë ato personalitete të gazetarisë nëpër botë e nëpër kohëra që ju frymëzojnë? Nëse do të kalonit një mbrëmjë me ta me një gotë verë përpara, çfarë pyetjesh do t’u bënit?

Arbjona Çibuku: Mua nuk më frymëzojnë gazetarët e suksesshëm të ekranit, të cilët paguhen miliona lekë, vetëm se flasin 30 minuta në ekran. Për mua këta nuk janë gazetarë. Aq më tepër nuk do doja që të takoja ndonjërin prej tyre të kollarisur e me një gotë vere para. Ernest Hemingway ka punuar një pjesë të mirë të jetës së tij si reporter, e mbase do dëshiroja ta kisha takuar gjatë kohës që ai ishte një Spanjë dhe mbulonte ngjarjet e luftës civile atje. Do doja të kisha bërë një bisedë me të, për të kuptuar më shumë në lidhje me gazetarinë, atë që bëhet aty mes sheshit dhe luftës, e jo gazetarinë e ekraneve dhe pallavrave që kemi sot. Të kisha bërë një bisedë për romanin e tij “Për kë bie kambana”, i cili po ashtu bazohet në përjetimet e tij gjatë luftës, kur ai punonte si gazetar. Nuk e di se si do kishte reaguar ai nëse do t’i rrëfeja se në cilat nivele ndodhet gazetaria sot, t’i tregoja për mediat online e degradimin e tyre, t’i rrëfeja për përpunues fjalësh, të cilët shprehen se janë gazetarë. Do isha kurioze të dija mendimin e tij për mbulimin mediatik që i bëhet ngjarjeve sot. Po, po, do isha kurioze të shihja se çfarë do mendonte ai si gazetar, por edhe shkrimtar, që “kolegët” e tij sot në vitin 2019 nuk raportojnë një protestë siç është ajo e minatorëve të Bulqizës.

Arlinda Guma: Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar në letërsinë shqipe? Ç’mendim keni për atë të pas 90-ës?

Arbjona Çibuku: Hah, shkrimtarët e preferuar. Përgjigja ime mund të konsiderohet shume cliche, por që pak rëndësi ka si gjykohet. Për mua piedestali i takon treshes Migjeni, Kuteli dhe Marko. Sa të ndryshëm aq edhe të ngjashëm. Shkrimtarë që ‘flasin’ gjuhën e popullit, që i këndojnë lumturisë edhe kur janë thellësisht në dhimbje. Njerëz që realitetin e epokës ku kanë jetuar e gdhëndën mjeshtërisht në historinë e shoqërisë tonë. Vuajtjet e Migjenit, përkatësia në rrënjët e popullit e Kutelit dhe etja për jetë e Markos shënojnë padyshim zenitin e letërsisë shqipe.

Autorët e pas 90-ës, hmm, inspirohem shumë nga Elhajd Cufi dhe Albatros Rexhaj. Ok kjo ishte shaka, ndoshta pa kripë, ama nga kjo kuptohet që disi i kam snobuar autorët e pas 90′. Kam lexuar sigurisht veprat e Kadaresë post diktaturë dhe mund të them që si shkrimtar e admiroj, përshtypje sidomos nga veprat e kësaj periudhe më ka lënë diptiku Vajza e Agamemnonit dhe Pasardhësi. Kam tentuar me Ben Blushin por që, nuk më ka ‘ngjitur’. Jam treguar, siç e thashë më sipër, pak skeptike me autorët e kësaj periudhe, por kjo nisur edhe nga fakti që jam ende larg së ezauruari shumë nga gjërat që do të doja të lexoja dhe i kam kushtuar pak rëndësi autorëvë të këtyre tre dekadave.

Arlinda Guma: Në rubrikën “Biseda” këtu në Defekt-Teknik, kam qenë gjithmonë e prirur të ftoj vajza dhe gra të guximshme në idetë e tyre, por më ndodh ndonjëherë kur drejtoj ndonjë pyetje mbi pabarazitë gjinore, që ato të nxitojnë të deklarojnë se nuk janë feministe, me një fjalë e kuptojnë feminizmin si një lëvizje që kërkon t’u hyjë burrave me dru. Dhe është vërtet dëshpëruese kur sheh se ky reagim vjen pikërisht prej gjinisë së shtypur. Si mendoni ju, përse jane kaq të painformuara gratë shqiptare ndaj ideve feministe?  Pse tremben ato prej feminizmit? Mos është ky një lloj fetishi ndaj represionit si koncept?

Arbjona Çibuku: Nuk e di se çfarë koncepti kanë pasur mbi feminizmin, pasi nga gra e vajza të ndryshme mund të konceptohet ndryshe, por për mua feminizëm është të luftosh  për të drejtat e grave në shoqëri, ku këto të drejta pikësëpari janë klasore. Ajo që unë dua është që gratë të kenë paga të barabarta me burrat, të mos diskriminohen sepse janë gra, të mos lejojnë që burrat t’i dhunojnë vetëm e vetëm se janë burra. Ama nuk dua të hyj në ato trajta feminzimi, ku diskutohet vetëm në të drejtat e grave në parim, pasi për mua nuk mund të flasim njësoj si për gratë e fasonerive ashtu edhe për një grua që është shefe apo pronare. Në këto kushte s’mund të flasim për feminizëm, andaj për mua pikësëpari është çështja klasore e  më pas feminizmi. Nuk më duket aspak ashtu siç keni thënë ju “t’i hyjmë burrave me dru”, pasi feminizmi nuk është ky. Ama nuk mund të heshtim përballe realitetit të frikshëm, ku virten gra çdo ditë, ku abuzohet seksualisht me vajza, jo rallë këto të fundit janë të mitura. Shifrat e dhunës ndaj grave janë alarmante, e në këto kushte feminizmi nuk është ai që të tremb. Ama ka diçka të cilën nuk mund ta lë diçka pa përmendur, që në fakt është feminizmi ai që është kthyer në fetish. Mbase kjo mund të ketë qenë e stepja e disave që nuk duan ta konsiderojnë veten si feministe, në kushte ku vajza të cilat as që e ka përjetuar shtypjen, dhe flasin  nga pozicione te rehatshme, me rrogë të kenaqëshmë, dalin e  bërtasin se janë feministe dhe feminizmi për to do të kufizohet vetëm tek “jam e lirë të bëj ç’të dua me trupin tim”, të tjerat do të stepen pasi nuk u pëlqen ky lloj feminizmi. Në kushtet kur kemi larmishmëri feministesh, do të ketë dhe stepje, por jo frikë. Feminizmi liberal që përdor figurën e grave për të arritur një qëllim, psh Partia Socialiste me slogane feministe të tipit “rritja e peshës së gruas në parti”, është vetëm një mjet propagande, ky lloj feminizmi është ai që të bën të stepesh.

Arlinda Guma: Çfarë e bën poetike dhe cfarë e bën mbytëse Tiranën?

Arbjona Çibuku: Tiranën e bën mbytëse mungesa e shpresës, mungesë që e sheh pothuaj në cilëndo fytyrë që has në rrugë. E bën varfëria. E bën mungesa e alternativave. E bën shtypja. E bën diskriminimi. E bën mosfunksionimi i institucioneve. E bën fasada e Tiranës evropiane. E bën mungesa e një transporti publik cilësor. E bën mungesa e ujit në pikun e vapës. E bën mungesa e kanalizimeve gjatë dimrit. E bëjnë qeratë të nivelit zvicerian dhe kushtet pakistaneze. E bën mungesa e hapësirave të mirëfillta kulturore. Etj, etj.

Çfarë e bën Tiranën poetike? Të gjitha të mësipërmet. E bën jeta që kapet për thonjsh. E bën solidariteti i të ndarit 2 mijë lekshin e ditës me shokun apo shoqen. E bëjnë shëtitjet në muzg te liqeni me biçikletat e  marra hua. Nuk e bëjnë poetike gjethet e rëna të vjeshtës apo pallavrat e shiut që përplaset në dritare, jo, ato e bëjnë të ftohtë e të lagësht. Tiranën e bëjnë poetike njerëzit, njerëzit që çdo ditë u duhet të luftojnë për të mbijetuar në këtë qytet të ftohtë, të trishtë, e sërish, plot jetë.

MBI POEZINË E MOIKOM ZEQOS/Alket Çani

in Letërsi/Tirana Review by

Ai është si miza efemere e Stendhal-it që, duke qenë se lind në mëngjes dhe vdes në mbrëmje, beson se përjetësia zgjat vetëm një ditë.

Alket Çani

Moikomi e ka kthyer në një sfidë vetjake atë çka, në poezi, trajtohet kryesisht brenda një forme mbizotërimi të traditës; të çdo tradite në poezinë shqipe. Ai, në një moment të caktuar – me gjasë në kapërcyell të viteve 90 të shekullit të kaluar -, me sa duket vendosi të mos i bindej më autoritetit të traditës. Ai deshi t’i largohet çdo mënyre shprehjeje të gatshme dhe çdo procedeje poetike të bërë tashmë klishe. Gjë që do të thotë të mos i atribuosh më gjuhës atë vlerë që i është dhënë deri në një çast të dhënë nga njerëzit dhe librat. Nga njëfarë këndvështrimi, ai ka dashur ta vërë veten mbi njërën prej pjatave të peshores së poezisë shqipe, pjata tjetër e së cilës është e ngarkuar me gjithë poezinë që është bërë përpara tij. Le të na lejohet të supozojmë se i vetëm mbi këtë pjatë ai e ndien veten aq të rëndë sa të balancojë peshën e pjatës tjetër, i ngarkuar me gjërat e veta (mendime, përfytyrime, ritme, figura) në kundërvënie me ngarkesën e gjërave të të tjerëve, të tejbartura shekull pas shekulli e dekadë pas dekade nga shtjellime shkollore, zyrtare, rastësore apo të inercisë.

Çka ka bërë Moikomi duket se është, veçanërisht, një zgjedhje me vetëdije të plotë. Ai ka zgjedhur që në poezinë e tij të vërë në përdorim thesarin e dijeve dhe energjisë intelektuale që ka zbuluar te vetja e që ka grumbulluar në vite dhe të krijon përshtypjen se e bën këtë në mënyrë të pandërprerë. Këtu gjendet ndoshta pika fokale, çelësi i pozicionit të tij në poezinë shqipe.

Që të marrësh këtë pozicion, duhet të kesh medoemos një besim të jashtëzakonshëm në fuqitë e tua mendore, që shfaqen në stilin vetjak ose mungesën e tij, në shpërfilljen e çdo prozodie, në tejkalimin e çdo caku të masës, në arritjen e një ndezullie të imagjinatës eklektike që shkon deri në inkandeshencë, deri në krijimin, më në fund, të një universi vetjak kimerik.

Moikomi beson në fuqinë e imagjinatës, të cilën e mbështet mbi kërshërinë e tij të pareshtur. Ai njihet, ndër poetët tanë, si njëri nga kureshtarët më të mëdhenj.  Nuk ka fushë të jetës e të dijes që të mos përbëjë për të objekt vëzhgimi. Kjo kërshëri, që e ka zanafillën që në rininë e tij, ka zotëruar më pas krejt jetën e tij intelektuale. Nga kjo kërshëri për të ditur gjithçka, ai ka fituar një lloj ekstaze të mendimit, që shfaqet në poezinë e tij përmes erudicionit, metaforave të pazakonta e të guximshme, kapërcimeve semantike të pagjasa, imazheve onirike, shprehjes gjuhësore diakronike e pluridisiplinare.

Universi kimerik i krijuar nga Moikomi, që nis dhe përfundon tek Uni i poetit, në dallim nga gjithësi të tjera të përftueshme, nuk përcaktohet nga masa dhe numri, nuk është i përkthyeshëm në shifra. Moikomi beson me Protagorën se njeriu është masa e çdo gjëje. Duke qenë i tillë, ky univers është njëkohësisht i pamatshëm. Duke qenë i pamatshëm, ai rrezikon në mënyrë të pashmagshme të pësojë goditje zhvlerësuese e, madje, asgjësuese. Nga kjo pikëpamje, tipari i tij thelbësor është të qenit efemer. Duke qenë i tillë, ai është njëkohësisht i përjetshëm. Ai është si miza efemere e Stendhal-it që, duke qenë se lind në mëngjes dhe vdes në mbrëmje, beson se përjetësia zgjat vetëm një ditë.

Poezia e Moikomit mund të duket ndoshta më pak e çmuar sesa shembulli – që ai na jep – i një Uni poetik të pamatë e të pakufishëm.

Paris, Maj, 2019.

1 130 131 132 133 134 190
Go to Top