“Roma” i Cuaron-it, një film i vlerësuar me “Oscar” për t’u parë tani!

in Feminizëm/Kinema by

Nuk është rastësi që Cleo flet kaq pak, jo për shkak se ajo nuk ka asgjë për të thënë, por sepse kështu shkojnë gjërat kur nuk je protagonistja e vërtetë e jetës tënde, edhe pse në realitet je protagonistja e filmit.

    Alice Oliveri

  Përktheu: Arlinda Guma

  Marrë nga: The Vision

Një çështje e përjetshme që përfshin të gjitha artet, është ajo që ka të bëjë me marrëdhënien midis formës dhe përmbajtjes. Për këtë temë të madhe të ndikimit të ndërsjelltë midis dy elementëve dhe të manifestimit të saj, janë pyetur filozofë dhe kritikë të kalibrit të György Lukacs, i cili në vitin 1911 shkroi një esé rreth saj me titull: “Shpirti dhe forma”, në të cilën ai hetonte pikërisht kompleksitetin e kësaj lidhjeje të pazgjidhshme midis dy pjesëve. Ne nuk jemi të gjithë të mirë në të shkruar dhe në të menduar si Lukacs, por kur shohim një film sot, veçanërisht nëse është një film që po gëzon sukses të madh dhe bën të flitet shumë për veten, shpesh ndodh që në mënyrën tonë të të analizuarit të tij, ta gjejmë veten në mënyrë të pavullnetshme, pikërisht në dhënien e konsideratave të llojit “imazhe të bukura, atmosferë dhe interpretues të mirë, por tema nuk është aq interesante”.

Ka regjisorë, të cilët qëllimisht zgjedhin t’ia besojnë prodhimin e tyre artistik hulumtimit formal, duke zhvilluar subjekte që na lënë në mëdyshje për thjeshtësinë e tyre apo edhe banalitetin, vogëlsitë, parashikueshmëritë.

Në filmin e fundit të Alfonso Cuaron-it: “Roma”, pavarësisht nga sasia e madhe e kritikave pozitive dhe entuziaste-përkthyer pastaj në çmime të panumërt, dhjetë nominime dhe tre çmime Oscar-ka nga ata që qortojne pikërisht këtë mospërputhje mes estetikës filmike dhe përmbajtjes narrative, duke identifikuar njëfarë pakujdesie në thellimin e disa temave qendrore të filmit, në favor të një trajtese vizualisht të kuruar deri ne detajet me të vogla. Filmit me metrazh të gjatë të regjisorit meksikan i janë kushtuar shumë analiza, disa prej të cilave nganjëherë vetëm për të minuar ndonjë hap në lidhje me pakënaqësitë me veprën, i cili hyn në analizën e shumë temave të ndryshme; marrëdhënia midis pakicave etnike dhe klasës sunduese, marrëdhëniet familjare që shkatërrohen nga largësitë dhe përçarjet e thella, ngjarje historike të një rëndësie të caktuar, të cilat bëhen sfond i ngjarjeve personale.

Aspekti që ndikon vijën e rrëfimit të “Roma”-s, mund të ndihet pikërisht prej kushtimit final, është natyra e tij autobiografike, konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga vetë Cuaron-i, i cili ka rrëfyer historinë e tij personale të djalit të bardhë të klasës së mesme meksikane, përjetuar në kontakt të ngushtë me një indigjene, staf i shtëpisë; Libo, të cilës i kushtohet filmi.

Pika e fillimit për të kuptuar domethënien e këtij filmi, i cili përveç suksesit të dekretuar nga multikandidaturat, gjithashtu paraqet edhe një rast të pazakontë për sa i përket filmit të parë të vërtetë të autorit në drejtim të kritikës dhe nominimit, prodhuar nga Netflix, duke e qartësuar kështu këtë synim emocionalisht purgativ të regjisorit. Por shpesh ndodh që një film të shikohet pa lexuar asgjë si prezantim dhe ndoshta kjo është formula më e zakonshme e ndërveprimit.  Dhe, edhe pse ka të dhëna të shpërndara në të gjithë filmin, nga te cilat mund të derivohet se Cuaron-i ka vendosur të tregojë një pjesë të jetës së tij, duke u nisur nga familja e tij meksikane protagoniste jo-autoktone, “Roma” mund të shihet qetësisht dhe të mendohet se kjo është një histori krejtësisht e krijuar. Dhe pikërisht nga ky lloj interpretimi, që sipas mendimit tim duhet të nisemi të kuptojmë të dyja kontradiktat e filmit, veçanërisht ato të theksuarat nga shtypi dhe të identifikuarat nga kritika, si dhe pikat qendrore të historisë dhe kuptimit të saj, të cilat nuk perceptohen menjëherë.

Ёshtë një gjë që ndodh gjithmonë me prodhimet filmike të këtij lloji, ajo e të kërkuarit qëllime dhe mesazhe që ndoshta regjisori nuk i ka menduar fare, deri sa dhe t’i atribohen filmit në fjalë misione politike dhe ideologjike që ndoshta nuk kanë asnjë korrelacion me atë që në vend të tyre regjisori mendonte se donte të komunikonte. Ashtu siç është po aq e thjeshtë dhe e rëndomtë të ngresh gjykime të turbullta, të cilat bazohen më tepër në një ndjesi se nëse një film është i ngadalshëm, ose  bardhë e zi-si në rastin pikërisht të “Roma”-s – automatikisht bëhet i mërzitshëm, elitist, i vështirë për t’u kuptuar, ose edhe më keq akoma, me pretendime, ekzoterik dhe i rëndë.

Maskimi i një pjese të vogël të përmbajtjes me tepricën e  formës, sigurisht nuk është një praktikë e pazakontë në botën e kinemasë dhe arteve në përgjithësi, por në rastin e filmit të Cuaron-it nuk është aq shumë sa që në mes të këtyre dy pjesëve të shkaktohet epërsia e njërës ndaj tjetrës, por më tepër se lidhja që ekziston mes tyre, duke u përfaqësuar në mënyrë të drejtë, të papeshë dhe të nuancuar, mund të marrë tipare shumë të ndryshme bazuar në atë se kush është duke e parë dhe gjykuar. Mund të mos gjendet asgjë atje, po aq sa mund të gjenden shumë gjëra. Historia e Cleo-s, heroinës së filmit, në fakt është shprehur dobët, diçka që ka bërë që disa kritikë të fajësonin Cuaron-in për disa pakujdesi në përcaktimin e karakterit të personazhit të tij femëror. Sipas mendimit tim, megjithatë, është kjo largësi kalimtare, kjo mungesë e dukshme e fjalëve, kjo mënyrë e të vepruarit në menyre aq delikate dhe të nënshtruar të Cleo-s, që i jep kuptim këtij personazhi.

Cleo është shërbëtorja e një shtëpie në lagjen borgjeze të Mexico City-t, ku jeton familja për të cilën ajo punon, e përbërë tërësisht nga të bardhë, të pasur, shpesh të njëanshëm dhe të pandjeshëm ndaj saj, pavarësisht lidhjes së thellë ndërmjet saj si dado dhe fëmijëve. Në jetën e Cleo-s nuk ndodh shumë jashtë punës së saj; ajo e të qenit një litar shpëtimi për një nucleo familjare në përplasje të dukshme me një humbje të afërt; burri që largohet nga shtëpia me një grua tjetër, gruaja që mbetet e vetme dhe përpiqet të mbledhë copat me të cilat rigjen veten. Në të gjitha këto, i vetmi kontakt me jashtë realizohet përmes takimit të një të dashuri, kushëri i shokut dhe kolegut të saj, i cili pasi e lë shtatzënë zhduket në mënyrën më të keqe të mundshme. Në këtë mënyrë Cleo e gjen veten të detyruar të bëjë prindin jo vetem për fëmijët e një gruaje të dëshpëruar, por edhe për një fëmijë që është bijë e një fatkeqësie.

Në një recensë të Slavoj Žižek-ut, shkrimtari slloven përqendrohet në elementet më politike të “Roma”-s, duke analizuar marrëdhëniet e pabalancuara midis padronëve dhe Cleo-s, e duke nxjerrë prej filmit një interpretim mjaft interesant. Shërbëtorja në fakti është mishërim i një dinamike të nënshtrimit ndërmjet klasave, në të cilën ajo që nuk është dominuese sakrifikon subjektivitetin e saj, ashtu si Cleo, përmes një prarimi të rremë te barazisë, e cila na bën të besojmë se marrëdhënia midis vajzës dhe familjes është e barabartë vetëm sepse ka dashuri. Por nuk është kështu, dhe është e qartë; kur Cleo aborton, kur ajo është e sëmurë dhe vuan, kur ne jemi gati për të parë vullnetin dhe mendimet e saj të shprehen, ja mbërrijnë borgjezët duke imponuar fokusin, duke i kërkuar asaj të kryejë disa detyra dhe të vazhdoje të punoje për ta, duke simuluar një atmosferë të njohur dhe të dashur, që nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë edhe më delikate për të nënshtruar protagonisten.

E vërtetë, Žižek-u ka të drejtë kur vë në dukje këtë mosmarrëveshje midis mirësisë dhe përkushtimit të Cleo-s, e cila këmbehet me një dashuri sipërfaqësore dhe manipuluese, dhe realiteti i gjërave të atyre që nuk urdhërojnë në jetë, të cilët ekzekutojnë urdhrat, të cilët në pak fjalë i përkasin një klase më të ulët shoqërore, është i bërë në thelb nga heshtja. Kështu që nuk është rastësi që Cleo flet kaq pak, jo për shkak se ajo nuk ka asgjë për të thënë, por sepse kështu shkojnë gjërat kur nuk je protagonistja e vërtetë e jetës tënde, edhe pse në realitet je protagonistja e filmit.

Vajza meksikane flet në një mënyrë tjetër dhe në një temë tjetër, e cila e shoqëron atë në pabarazinë shoqërore që ndërvepron midis personazheve; në temën e vetmisë femërore. Distanca emocionale midis familjes për të cilën  kujdeset Cleo dhe guvernantes, amplifikohet dhe zgjeron distancën midis botës rreth saj dhe barrës së madhe gjinore. Cleo nuk dëshiron të jetë nënë dhe ndihet fajtore për këtë mendim, sidomos kur vajza e saj lind e vdekur dhe trishtimi i zë vendin lehtësimit. Unë mendoj se ndjenja e të qënit vetëm në çaste të dhimbshme dhe të vështira si shtatzania dhe lindja, është një temë që i bashkon të gjitha gratë në botë; edhe pse të gjithë njerëzit fqinjë përreth mund të jene të pranishëm, të ndjeshëm, ka një moment ku ti e di që do të jesh vetëm përballë asaj dhimbjeje, edhe në qoftë se është një çast që të jep një gëzim të madh apo një dënim të madh, si në rastin e Cleo-s dhe në atë të të gjitha atyre grave që nuk duan të bëhen nëna.

Kjo detyrë i takon gjinisë femërore, por jo gjithmone është domosdoshmërisht një bekim. Frika e të gjendurit e braktisur në një çast si shtatzania, pasqyron frikën e të gjendurit vetem me një familje për të mbajtur; historia e Cleo-s është paralel me atë të gruas për të cilën ajo punon, Sofisë. Të dyja e gjejnë veten në një situatë, e cila nuk nuk parashikon asgjë veç auto-zgjidhjes, të dyja e dinë se janë thellësisht të vetmuara përballë realitetit. Si në rastin kur një burrë ia mbath, ashtu edhe në rastin kur një i dashur zhduket sapo bëhet i vetëdijshëm për shtatzaninë, “Roma” arrin të pëshfaqë një ndjenjë ankthi dhe pandryshueshmërie që është pjesë e të qënit grua. Ёshtë ajo ndjenjë e pafuqisë dhe frustrimit, kur i dashuri yt nuk e kupton pse shqetësohesh aq shumë për menstruacionet, është njeriu i ftohtë dhe i plogët që të thotë të mos e marrësh për keq nëse ai të trajton thjesht si një objekt për t’u parë, është frika shqetësuese të dish se herët a vonë, nëse nuk bëhesh nënë, dikush-përfshirë edhe veten tënde-mund të mendojë madje se jeta jote nuk ka kuptim. Është salla e ftohte e lindjes ku Cleo e gjen veten duke menduar për një fëmijë të vdekur, e lodhur dhe e shkatërruar nga një përvojë që nuk do ta kishte dashur. Dhe kur në fund ne e shohim atë të shpëtojë bijtë e Sofisë, në një sekuencë të gjatë dhe të heshtur, në të cilën përmbajtja kundërshton formën-qetësia e sekuencës, vënë ne kontrast me tragjedinë e momentit-ne ndoshta mund të kuptojmë dramën e vërtetë të kësaj grua në heshtjen e patrazuar të saj. Ndoshta është mungesa e emocioneve në jetën e Cleo-së që e bën atë kaq të vetmuar.

Të gjitha këto gjëra, natyrisht, mund të jenë vetëm pjellë e imagjinatës dhe mënyrës sime (apo të dikujt tjetër) subjektive të të perceptuarit të një filmi. Ndoshta qëllimi i Cuaron-it ishte vetëm ai i të treguarit një histori personale, për të vënë në skene një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Por është pikërisht kjo mënyrë kaq e rrallë, mbështetur nga neutralitetiti i bardhë e zisë, për të të treguar historinë e Cleo-s, vetëm kjo atmosferë e pacaktuar, e vështirë për t’u ndjekur, nënkuptuese dhe pak e qartë, që bën te mundur interpretime të shumta. Kjo nuk është një histori lineare dhe didaktike, e cila nuk i jep hapësirë ​​interpretimeve të ndryshme, ajo është më shumë paraqitja e një historie që mund të marrë forma të ndryshme në mendjen e atyre që duan ta perceptojnë, pavarësisht cilësisë së gjykimit. Unë i kuptoj ata që thonë se kjo është një kryevepër, një vepër arti e padiskutueshme, ashtu siç kuptoj ata që nuk mund të gjejnë asgjë, ose ata të cilët e kane kritikuar filmin pikërisht për tiparin e tij kryesor, atë të heshtjes. Sipas mendimit tim, përkundrazi, Cleo, në të gjithë filmin nuk hesht, edhe pse nuk flet, pikërisht sepse në lakonizmin e saj mund të identifikohen me më shumë fuqi të gjitha dramat e jetës së saj, nga vetmia sociale si individ i një klase që i nënshtrohet vetmisë personale si një grua e braktisur. Roma e Cuaron-it, pra, nuk është një film ku forma është imponuar në një përmbajtje sipërfaqësore apo të paqartë; të dyja pjeset janë të ndërthurura dhe ndikojnë në një mënyrë shumë më lineare dhe komplekse se ç’duket. Dhe është kjo arsyeja pse ato tre çmime Oscar i meriton të gjithë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top