Author

Admin - page 130

Admin has 1899 articles published.

Autostopisti i Galilesë- Richard Brautigan

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Autostopisti i Galilesë- Richard Brautigan

 

Baudelaire-i po ngiste

një Model A

mes për mes Galilesë.

Ai mori një

autostopist të quajtur

Jezu që po

rrinte mes

një tufe peshqish,

që i ushqente

me copa buke.

« Ku po shkon ? »

pyeti

Jezui, pasi ndenji

në sediljen

e përparme.

« Anywhere, anywhere

out of this world ! »

thirri

Baudelaire-i.

« Po vij me ju

deri në

Golgota »,

tha Jezui.

Kam një

vend të rezervuar

për karnavalin

atje dhe nuk

duhet të jem

me vonesë.

 

Përzgjodhi dhe pëktheu: Alket Çani

Fragment nga libri “Tri ese”-George Orwell

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

George Orwell

Trekëmbëshi gjendej në një oborr të vogël, i ndarë nga oborri kryesor i burgut dhe i mbushur me barishte të harlisura. Ai ishte një ndërtesë prej tullash si tre anët e birucave, i mbuluar me dërrasa dhe mbi të gjendeshin dy trarë dhe trau horizontal me litarin e varur. Xhelati, një i dënuar me flokë të thinjur me uniformën e bardhë të burgut, po priste pranë makinerisë së tij. Kur ne hymë, ai na përshëndeti me një përkulje prej servili. Me një fjalë nga Francis të dy gardianët, duke e shtrënguar të burgosurin më pranë se kurrë, gjysmë e paraprinë dhe gjysmë e shtynë te platforma dhe e ndihmuan me forcë të ngjiste shkallët. Pastaj xhelati u ngjit sipër dhe hodhi lakun në qafën e të burgosurit.

Ne qëndruam në pritje, pesë metra më tutje. Gardianët krijuan një rreth të ashpër përreth trekëmbëshit. Dhe pastaj, kur litari u shtrëngua, i burgosuri filloi të qajë te zoti i tij. Ishte një e qarë e ngjirur, e përsëritur, “Ram! Ram! Ram! Ram!” jo e nxituar dhe me frikë si një lutje apo një pëshpërimë për ndihmë por pothuajse si një kambanë e qëndrueshme dhe ritmike. Qeni u përgjigj me një angullimë. Xhelati, ende duke qëndruar mbi trekëmbësh, nxori një qese të vogël pambuku si një qese mielli dhe e hodhi atë mbi fytyrën e të burgosurit. Por tingulli, i mbytur nga rroba, vijoi të këmbëngulë, sërish: “Ram! Ram! Ram! Ram! Ram!”

Xhelati zbriti poshtë dhe qëndroi gati, duke mbajtur levën me dorë. U duk sikur kaluan minuta të tëra. Uturima e vazhdueshme dhe e mbytur e të burgosurit vijoi dhe vijoi, “Ram! Ram! Ram!” pa rënë në asnjë moment. Mbikëqyrësi, me kokën e tij të varur në gjoks, po trokiste çakllin në këmbët e tij me shkop; ndoshta ai po numëronte të qarat, duke i lejuar të burgosurit një numër të caktuar prej tyre, – pesëdhjetë, ndoshta, ose njëqind. Që të gjithë aty kishin ndërruar ngjyrë. Indianët ishin bërë të hirtë si kafe e keqe, dhe një apo dy bajoneta po dridheshin. Ne pamë te njeriu i lidhur dhe i mbuluar në trekëmbësh dhe dëgjuam lutjet e tij – secila lutje ishte një çast tjetër jete; i njëjti mendim ishte në mendjet tona: oh, vrite atë shpejt, jepi fund, ndaloje këtë zhurmë rrëqethëse!

Papritur mbikëqyrësi e ndau mendjen. Duke ngritur kokën me vrik, ai bëri një lëvizje të shpejtë me shkopin e tij, “Chalo!” – bërtiti ai pothuajse me trimëri.

U dëgjua një zhurmë trokëllime dhe pastaj heshtje vdekjeje. I burgosuri ishte zhdukur dhe litari po tundej vetë. Unë lëshova qenin dhe ai vrapoi menjëherë për nga pas platformës së trekëmbëshit; por kur mbërriti, aty ai ndaloi, lehu dhe u tërhoq në një cep të oborrit, ku qëndroi mes barishteve, duke parë me drojë nga ne. Ne shkuam pas platformës për të inspektuar trupin e të burgosurit. Ai po luhatej që nga gishtat e këmbëve që ishin lëshuar për poshtë dhe shumë ngadalë, duke u rrotulluar, i vdekur si një gur.

Mbikëqyrësi zgjati shkopin e tij dhe preku trupin e kaftë te pjesa e zhveshur; ai lëvizi lehtë. “Ai është shumë mirë” – tha mbikëqyrësi. Ai u tërhoq mbrapsht, doli nga platforma, dhe zgjeroi mushkëritë në një frymë të thellë çliruese. Pamja hijerëndë  u largua nga ai thuajse menjëherë. Pa orën e xhepit. “Ora tetë e tetë minuta. Kjo ishte e gjitha për këtë mëngjes, falë Zotit.”

Gardianët zbërthyen bajonetat dhe marshuan tutje. Qeni qau dhe i vetëdijshëm se ishte sjellë keq, i ndoqi pas. Ne dolëm nga oborri i trekëmbëshit, kaluam qelitë e të dënuarve dhe hymë tek oborri qendror i burgut. Të dënuarit, nën kontrollin e gardianëve të armatosur me lathis[i], po hanin mëngjes. Ata ishin ulur galiç në radhë të gjata, secili duke mbajtur një tas hekuri, ndërsa dy gardianë me bucela marshonin përreth, duke u hedhur oriz; ajo dukej një skenë shumë familjare, e gëzueshme, pas një varjeje. Një çlirim i madh ra mbi ne tani që puna ishte kryer. Dikush ndjeu dëshirën për të kënduar, për të shpërthyer në vrap, për të qeshur. Menjëherë, të gjithë filluan të bisedojnë me gjallëri. Djali euroaziatik që po ecte krah meje bëri me shenjë drejt rrugës nga ne patëm ardhur, me një buzëqeshje prej të dituri: “A e dini, zotëri, se miku ynë (e kishte fjalën për të vdekurin), kur ai dëgjoi se lutja e tij për mëshirë ishte refuzuar, bëri shurrën në dyshemenë e qelisë së tij? Nga Frika. – Ju lutem merrni një cigare nga unë, zotëri. Si ju duket kutia ime e argjendtë, zotëri? E bleva për dy rupi dhe tetë anas te kinkaleria. Stil klasi europian”.

Shumë njerëz qeshën – se me çfarë, askush nuk dukej se e dinte.

Francis po ecte pranë mbikëqyrësit, duke folur si llafazan: “Mirë, zotëri, gjithçka kaloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka mbaroi – fund! dhe kaq. Nuk ndodh gjithmonë kështu – oh, jo!  Di raste kur doktori detyrohej të shkonte poshtë trekëmbëshit për të tërhequr të burgosurin nga këmbët që të sigurohej se kishte vdekur. Shumë e pakëndshme!”

“Po dridhesh eh? Kjo është keq” – tha mbikëqyrësi.

“Ah, zotëri, është më keq kur ata bëhen kundërshtues! Një burrë, mbaj mend, u kap pas hekurave të qelisë kur shkuam ta marrim. Ti vështirë se do t’i japësh meritë, zotëri, por u deshën gjashtë gardianë për ta shkëputur atë nga hekurat, tre duke e tërhequr nga secila këmbë. Ne arsyetuam me të. ‘Shok i dashur – thamë ne, – mendo për të gjithë dhimbjen dhe telashin që po na shkakton ne!’ Por jo, ai nuk dëgjonte! Ah, ai ishte shumë telashexhi!”

E kapa veten duke qeshur me zë shumë të lartë. Çdokush po qeshte. Edhe mbikëqyrësi u zgërdhesh në një mënyrë të tolerueshme. “Bëni mirë të vini jashtë dhe të pini një gotë” – tha ai plot gjenialitet. “Kam marrë një shishe uiski në makinë. Na shkon mirë një gotë”.

Ne kaluam derën e madhe me dy kanate të burgut dhe dolëm në rrugë. “Duke e tërhequr nga këmbët!” – bërtiti magjistrati burmez papritur dhe pastaj shpërtheu në të qeshura me ofshamë. Ne të gjithë filluam të qeshim sërish. Në atë çast, anekdota e Francis dukej jashtëzakonisht për të qeshur. Ne të gjithë pimë një gotë së bashku, vendës dhe europianë, miqësisht. I vdekuri ishte pesëdhjetë metra më larg.

[i] Një shkop bambuje që përdoret si armë policore në Azi.

Përktheu: Gjergj Erebara

Elegji për nënën-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Elegji për nënën-Frederik Rreshpja

 

Një avion ikën tutje përmes mjegullave

Si fatkeq i përzënë nga selia e zotave.

Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!

Ka mbirë bari nga sytë e tu,

Ka mbirë bari nga zëri yt.

 

Nga kodrat po vjen nata duke u lutur për ty.

Është koha kur hijet bien mbi gjunjë.

E ti rri aty nën tokë

Te mermeri i rrëzuar i perëndive.

 

Tani që ti nuk je, dafina nuk gjelbëron më

Vetëm zëri im i djalërisë jehon mbi gjethet e verdha

E dafina vemdos kurora mbi lavdinë e muzgut.

Ishte një botë e tërë kur ishe ti

Por erdhi kjo vetmi e madhe që fshin gjithçka.

Tani vetëm diku në horizont

Bëjnë kryq vetëtimat e nxjerrin thikat.

 

Ah, ku ke rënë kështu, ku je tretur!

Nënë, nënë! Do të vinë dëborërat,

Do të bien mbi barin që ka mbirë nga zëri yt…

 

Sistemet arsimore që vrasin mendimin kritik/Arbjona Çibuku

in A(rt)ktivizëm by

Institucionet arsimore sipas Illiç-it dhe arsimi në Shqipëri

Arbjona Çibuku

Ivan Iliç tek “Shoqëria pa shkolla”, shkruan mbi mënyrën se si nxënësit dhe studentët edukohen në lidhje me arsimin, që konstaton tek të nxënit dhe tek të mësuarit. Shumë studentë, veçanërisht ata që janë të varfër, e dinë intuitivisht se çfarë ofrojnë shkollat për ta. Shkollat na “shkollojnë”, por produkti final që ne marrim është konfuzioni.

Iliç-i më tej shpjegon se sapo këto gjëra bëhen të paqarta, supozohet një logjikë e re; sa më shumë trajtim të ketë, aq më të mira janë rezultatet; me pak fjalë përshkallëzimi çon në sukses. Kështu, nxënësi “shkollohet” për të ngatërruar në kokën e tij dy proceset që unë përmenda më sipër, pra të nxënit dhe të mësuarit. Sakaq studenti do të ngatërrojë edhe konceptin e të diplomuarit me kompetencën dhe aftësinë për të thënë ose bërë diçka të re, diçka ndryshe! Kjo mund të vihet re qartë edhe në sistemin arsimor që ne kemi në Shqipëri. Sa të vështirë e kanë nxënësit që në fillore – kjo më pas ndikon edhe tek studenti në universitet -, që të dalin nga perdja e errët e vendosur nga sistemi arsimor dhe të jenë kritik ndaj asaj që formacioni ekonomiko-shoqëror i ushqen. Kjo shihet qartë edhe tek sistemi i vlerësimit që kanë shkollat dhe universitetet tona, që detyrojnë studentët që të memorizojnë artikuj dhe libra përmendësh, të cilat nuk e nxisin aspak mendimin kritik dhe aq më pak logjikën.

Si pasojë studentët ulen 3 ditë para sezonit, memorizojnë përmendësh materialet dhe pas provimit ajo çka ata kanë mësuar është një hiç. Kjo mënyrë e të projektuarit të sistemit arsimor çon drejt shuarjes së mendimit kritik të studentit dhe e bën këtë të fundit vetëm një kërkues të notës. Imagjinata e tij është “e shkolluar” për të pranuar shërbimin në vend të vlerës.

Shkollimi, pra prodhim-riprodhimi i njohurive, tregtimi i tyre, çka përkthehet në shkollë, e tërheq shoqërinë në grackën e të menduarit se dija është homogjene, e pastër, e respektueshme, e prodhuar nga kokat “e mençura” njerëzore dhe e grumbulluar në atë mënyrë që të shërbejë për “progresin e shoqërisë”.

Kësisoj kjo mënyrë e të projektuarit të shkollës, e bën këtë të fundit të detyrueshme. Kështu njerëzit, ashtu sikurse edhe Iliç-i shkruan në librin e tij, rriten me idenë e të menduarit se individi i vetëmësuar duhet të diskriminohet, që mësimi dhe rritja e aftësive njohëse kërkojnë një proces të konsumit të shërbimeve të paraqitura në një formë industriale, të planifikuar dhe “profesionale”. Sakaq, dija kthehet në një gjë që mund të matet, posedimi i së cilës është një masë e produktivitetit të individit brenda shoqërisë konsumeriste të globalizuar.

Sakaq, ajo që Iliç-i thotë së i takon institucioneve, është se shoqëritë moderne duket se krijojnë gjithnjë e më shumë burokraci – dhe një pjesë e madhe e mënyrës se si ne jetojmë jetët tona bëhet e institucionalizuar. “Ky proces minon njerëzit – zvogëlon besimin e tyre në vetvete, zhduk dalëngadalë aftësitë krijuese dhe venit aftësinë e tyre për të zgjidhur problemet. Ai e vret njeriun si një parazit apo tumor që e shkatërron atë nga brenda”, shkruan autori.

Si përfundim mësimi kthehet në produkt, dhe si çdo mall ai nis të tregtohet, e për pasojë bëhet i pakët. Mes të tjerash Iliç-i, duke i bërë jehonë fjalëve të Karl Marksit, vë në dukje mënyrën në të cilën një mungesë e tillë errësohet nga format e ndryshme që merr arsimi. Tendenca e shoqërive moderne, është që njerëzit të fokusohen rreth posedimit të objekteve materiale, duke iu qasur kësisoj mësimit, pra shkollimit si një produkt që shitet dhe rrjedhimisht blihet. Si rrjedhojë e të gjitha këtyre, ajo që ne kërkojmë nga shkolla, pra dija, kthehet në një mall dhe aspak një aspekt i të qenurit në këtë botë.

Parabola e Budës me shtëpinë që digjet- Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Parabola e Budës me shtëpinë që digjet- Bertolt Brecht

 

Gautama Buda predikonte

Mbi doktrinën e rrotës së lakmisë, pas së cilës gjendemi të lidhur, dhe këshillonte

Që të zbrazemi prej çdo dëshirimi dhe asisoj

Të pastër prej dëshirave të hyjmë në asgjësendin që e quante Nirvana.

E një ditë njëri nga nxënësit e tij pyeti:

“Si është ky asgjësend, o Mësues? Të gjithë ne do të

Zbrazemi prej dëshirave, siç na këshillon ti, por tregona

Mos vallë ky asgjësend ku më vonë do të hyjmë

Ngjan me momentin kur bëhesh një me gjithë krijesën,

Kur shtrihesh mbi ujë, me trupin e papeshë, në mbrëmje,

Kur thuajse pa asnjë mendim, shtrihesh me përtesë mbi ujë,

Apo kur kotesh në shtrat, pa e vënë re se po i rrudhos mbulojat,

Ndërkohë që fle – pra vallë ky asgjësend

Është i këtij lloji, lumturisht, një asgjësend i kënaqshëm apo

Mos ndoshta asgjësendi yt është më asgjë se kaq, i ftohtë, pa ndjenja dhe

I zbrazët?”

Për kohë të gjatë Buda heshti, pastaj foli me shpërfillje:

“Për pyetjen tënde s’ka përgjigje.”

Por në mbrëmje, kur patën shkuar të gjithë

Buda ende i ulur nën pemën e bukës iu foli të tjerëve,

Atyre që nuk e kishin pyetur, dhe u rrëfeu këtë parabolë:

“Para do kohësh pashë një shtëpi. Po digjej. Flaka

Ia lëpinte kulmin. Shkova pranë dhe vura re

Se kishte ende njerëz brenda. Hyra në derë dhe vikata

Për t’u thënë se çatia kish marrë flakë, duke i nxitur

Të dilnin menjëherë. Por këta njerëz

Nuk dukej ta kishin shumë me nxitim. Njëri prej tyre,

Tashmë qepallëpërzhitur prej flakëve të zjarrit

Më pyeti se si ishte gjendja jashtë, se a kishte

Ndonjë shtëpi tjetër për ta, e të tilla gjëra. Pa u përgjigjur

Dola sërish jashtë. Këta njerëz, mendova

Duhet të përcëllohen gjersa të vdesin që të mos bëjnë më pyetje.

Me të vërtetë miq,

Për ata që dyshemeja nuk i djeg aq shumë sa që menjëherë

Ta lënë atë e të jenë të gatshëm ta këmbejnë me çfarëdoqoftë më mirë se sa të rrinë, për ata njerëz

Nuk kam asgjë për të thënë.” Kështu foli Gautama Buda.

Por edhe ne, që nuk merremi më me artin e nënshtrimit

Por me atë të mos-nënshtrimit, dhe që japim

Propozime tjetërsoj, me natyrë tokësore, dhe që lusim njerëzit

T’i rrëzojnë torturuesit e tyre njerëzorë, edhe ne besojmë se atyre

Që përballë skuadronëve bombardues në rritje të kapitalit, vazhdojnë të pyesin shumë gjatë

Se si propozojmë që të bëhet kjo, e se si parashikohet ajo

Dhe çka do të ndodhë me kursimet e tyre, dhe me pantallonat e ditës së diel pas një

Revolucioni

Nuk kemi se ç’t’u themi.

1949

Përktheu: Arbër Zaimi

SHPRESA IME-Ko Un

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SHPRESA IME-Ko Un

 

Kur vendi im të bashkohet

Do kem diçka për të bërë medoemos

Ajo çka do bëj

Do jetë mbi të gjitha të mos jem patriot

Deri në atë çast

Do jem një patriot i vajtueshëm

Edhe sikur të bëhesha prostitutë plakë

Edhe sikur të bëhesha lypsar

Dhe do zgjidhja madje si shok

Dordolecin e fushave të shkreta

 

Përktheu: Alket Çani

Nga Kafka tek Kafka II/Maurice Blanchot

in Letërsi by

Kështjella

Maurice Blanchot

Libri nuk është ndërtuar nga një narrativë e drejtpërdrejtë, por nga përplasja e kësaj narrative me të gjithë librat e të njëjtit tip, botuar në kohë të ndryshme, me origjinë, shënjime kuptimore dhe stile të pangjashëm, që kanë pushtuar qysh më parë atë atmosferë letrare, ku atij i duhet të zerë vend. Me fjalë të tjera, Gjeometri nuk mat vise imagjinare dhe të virgjëra, por hapësirën e pamatë të letërsisë; askush nuk e ndalon të imitojë – dhe prej këtej edhe të pasqyrojë – të gjithë heronjtë që i kanë paraprirë në këtë hapësirë, në atë lloj mënyre sa Kështjella nuk është më vepra unike e një shkrimtari vetmitar, por si një lloj palimpseti ku mund të lexohen, të puqen, të gërshëtohen, ndonjëherë fare qartë, të gjitha versionet e një aventure mijëravjeçare, pra tërësia dhe rezumeja e një Biblioteke Universale, ku K shihet herë si heroi i një romani zakonesh (i dështuar, që kërkon ta arrijë suksesin me femrat), herë si heroi i një romani aventurash (hero me zemër të madhe, mbrojtës i dobësive përballë tiranisë së një kaste të privilegjuarish), herë si heroi i një tregimi shtojzovallesh dhe, më saktë, si heroi i një lloj cikli i ri të trimërive të mbretit Arthur, duke pritur të gjejë rolin e tij të vërtetë, i cili është të përsëritë Odisea, të jetë vazhdues i Uliksit, pra të vërë në provë epopenë e epopeve dhe, së bashku me të, rendin homerik, domethënë të vërtetën olimpike. Këtë pikësynim Marthe Robert nuk ia mvesh fatalitetit të leximit që e dënon çdo njeri të kulturuar ta shohë çdo gjë përmes prizmit dekompozues të kulturës, por vetë Kafka-s, edhe ai njeri shumë i kulturuar. Një njeriu që, siç thotë ajo, ishte joshur nga sekseset e grekëve në një çast kritik të jetës: i konvertuar në sionist dhe i gatshëm të nisej në Palestinë, i vuri si detyrë vetes të kuptonte dhe të klasifikonte arkivat monstruoze të kulturës perëndimore, nga e cila s’mund t’i përjashtonte veprat e veta.

Përktheu: Balil Gjini

Mbresa-Klodi Leka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mbresa-Klodi Leka

 

I.

Jetoj këto kohë ëndrrën e madhe 

të jem zotëria Lekë. Ja, këtë mëngjes 

ha drekë, oriz dhe peshk, e si diell i ankoruar në ajër të kaltër, puth me gjuhë mes njerëzish tê dashurën. 

Gjithçka është okej, re dhe verë,

gjersa më tej

vegoj një grua me flokët kaçurrelë, 

shoshka, fustan i lehtë, 

ku rigjej, si heshtë në thembër e ngulur thellë, 

rrënjët, rrënjët, dhe atë vështrimin e saj të ëndërrt,

që kur toka lëkundet nuk u jep këmbëve.

 

II.

Kur këmbë robi nuk mbet në kafehane,

veç djalit të ahengut hipur mbi kitarën, që ngiste çdo natë për trembëdhjetë mijë lekë

pijen e paguar, sytë tek punë e vet,

në lounge u shfaq pjatalaresja Drane

e si grua në jerm, e dehur prej hëne, belbëzoi: 

Kabull ma bëj,

jepja një kënge. 

E bëj ne ma jep ti një gjysmë puthje.

Puthje ne faqe. 

Dhe mbi rrënojat e asaj darke 

fugoi si flutur rreth llambës

Drane pjatalarësja pesëdhjetë vjeçare.

 

Të jesh do të thotë të jesh: Zhan-Paul Sartre mbi ekzistencializmin dhe lirinë

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Qenia është. Qenia është në vetvete. Qenia është ajo që është

Tarun Mittal

Lindur në Paris më 21 Qershor, 1905, puna e hershme e Sartrit u përqendrua në temat e ekzistencializmit, siç u ilustrua nga romani i tij i parë: “Nausea” dhe më vonë eseja Ekzistencializëm dhe Humanizëm. Pasi kaloi nëntë muaj si i burgosur i luftës në vitin 1940, Jean-Paul Sartre filloi të hulumtojë kuptimin e lirisë dhe të vullnetit të lirë dhe në vitin 1940, ai shënoi veprën e tij kryesore filozofike – “Qenia dhe asgjëja”: një ese fenomenologjike mbi ontologjinë. Sot ne shikojmë disa nga aspektet kryesore të soditjeve të tij filozofike.

Ankthi i lirisë

 “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë, sepse pasi të hidhet në botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën”.

Jean-Paul Sartre besonte se njerëzit jetojnë në ankth të vazhdueshëm, jo ​​vetëm sepse jeta është e mjerueshme, por sepse ne jemi ‘të dënuar që të jemi të lirë’. Ndërsa rrethanat e lindjes dhe të rritjes sonë janë përtej kontrollit tonë, ai arsyeton që pasi të bëhemi të vetëdijshëm (dhe të gjithë e bëjmë përfundimisht), duhet të bëjmë zgjedhje – zgjedhje që përcaktojnë vetë ‘thelbin’ tonë. Teoria e Sartrit për ekzistencializmin shpreh se “ekzistenca i paraprin esencës”,  kjo është vetëm duke ekzistuar dhe duke vepruar në një mënyrë të caktuar, a i japim kuptim jetës sonë. Sipas tij, nuk ka një plan fiks për mënyrën sesi duhet të jetë një qenie njerëzore dhe asnjë Zot që të na japë një qëllim. Prandaj, qëllimi për të përcaktuar veten tonë, dhe nga shtrirja e njerëzimit, bie mbi supet tona. Kjo mungesë e një qëllimi të paracaktuar së bashku me një ekzistencë “absurde” që na paraqet zgjedhje të pafundme është ajo që Sartri i atribuon “ankthit të lirisë”. Duke mos pasur asgjë që të na kufizojë, ne kemi zgjedhjen të ndërmarrim veprime për t’u bërë ata që duam të jemi dhe të drejtojmë jetën që duam të jetojmë. Sipas Sartrit, çdo zgjedhje që ne bëjmë na përkufizon, ndërsa në të njëjtën kohë na zbulon se çfarë mendojmë ne, se si duhet të jetë një qenie njerëzore. Dhe kjo ngarkesë e pabesueshme e përgjegjësisë që njeriu i lirë duhet të durojë është ajo që e lë atë në ankth të vazhdueshëm.

Të jetosh në besim të keq

 “Gjithçka është bërë e qartë, përveç se si duhet të jetosh”.

Jean-Paul Sartre hodhi poshtë idenë e të jetuarit pa ndjekur lirinë. Fenomeni i njerëzve që pranojnë se gjërat duhet të jenë në një mënyrë të caktuar, dhe më pas refuzimi për të pranuar ose ndjekur opsione alternative, ishte ajo që ai e cilësoi si “të jetuarit në besim të keq”. Sipas Sartrit, njerëzit që bindin veten se duhet të bëjnë një lloj pune të caktuar ose të jetojnë në një qytet të caktuar, po jetojnë në besim të keq. Në veprën e  tij “Qenie dhe Asgjë”, ligjërimi i njohur i Sartrit mbi ontologjinë fenomenologjike, ai shpjegon konceptin e besimit të keq përmes shembullit të një kamarieri, i cili është aq i zhytur në punën e tij sa që e konsideron veten më parë si kamerier dhe jo si qenie të lirë njerëzore. Ky kamerier është aq i bindur që puna e tij e tanishme është gjithçka që mund të bëjë, dhe se është gjithçka që ai ka për qëllim të bëjë, aq sa ai kurrë nuk e konsideron mundësinë e të bërit gjë tjetër në jetë. Sartri besonte se ne jemi përgjegjës për gjithçka që ne jemi në të vërtetë, dhe duke mos eksploruar mundësitë e shumta që jeta na paraqet, ne  jemi përgjegjës për kufizimin e lirisë sonë. “Ne kemi mbetur vetëm pa ndonjë justifikim,” tha ai.

Zemërim kundër makinës

 Si një besimtar i flaktë në shkollën marksiste të mendimit, Jean-Paul Sartre e cilësoi paranë si faktori që kufizon lirinë e një personi. Nevoja për pará, arsyetoi ai, është justifikimi që njerëzit i japin vetes kur mbyllin idenë e eksplorimit të zgjedhjeve jokonvencionale të jetës. Pranimi i heshtur i parave nga shoqëria e zemëroi Sartrin dhe kapitalizmi ishte sistemi politik që ai fajësoi për fenomenin. Ai e krahasoi kapitalizmin me një makinë që bllokon njerëzit në një cikël të punës në një profesion që nuk i pëlqen, në mënyrë që të mund të blejnë gjëra që nuk u duhen.  Kjo domosdoshmëri e të mirave materiale, argumentoi ai, nuk ekzistonte në realitet, por përkundrazi ishte një konstruksion i krijuar nga njeriu që i shtyu njerëzit të mohojnë lirinë e tyre dhe ta konsiderojnë të jetuarit në mënyra të tjera si marrëzia. Sartri ishte një zë kundërshtues i kapitalizmit dhe mori pjesë në disa protesta pariziane në vitin 1968 kundër sistemit. Si një marksist, ai admiroi shumë Fidel Kastron dhe Che Guevarën, të dy ishin kundër kapitalizmit dhe po krijonin një shtet komunist në vendet e tyre përkatëse.

“Ne nuk e dimë se çfarë duam dhe ende jemi përgjegjës për atë që jemi – ky është fakti.”

Në fund të fundit, Sartri ishte një humanist që donte që ne të çliroheshim nga prangat tona të vetë-fiksuara dhe të arrinim potencialin tonë masiv. Ai donte që ne të pranonim lirinë tonë, të mos kufizohemi nga përkufizimi popullor i realitetit dhe të jetojmë jetën ashtu siç kemi dashur ta jetojmë. Dhe, përkundër njerëzve që zbulojnë disa të meta në mënyrën se si ai prezantoi idealet e tij, vetë idealet e tij ia vlen të merren parasysh.

Përktheu: Arbjona Çibuku

Qëllon që çik jetën-Gabriel García Márquez

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Qëllon që çik jetën-Gabriel García Márquez

 

Qëllon që çik jetën e dikujt,

dashurohesh

dhe kupton se gjëja më e rëndësishme është që ta prekësh,

ta jetosh,

të ndash me të melankolitë dhe parehatitë,

të arrish të njohësh veten

në shikimin e tjetrit,

të ndjesh se nuk mund të bësh më pa të…

e ç’rëndësi ka nëse për ta patur të gjithë këtë,

të duhet të presësh pesëdhjetë e tre vite, shtatë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë,

netët përfshirë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

1 128 129 130 131 132 190
Go to Top