Kur “Nderet e Kombit”grinden-Granit Zela

in Letërsi by

Granit Zela

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ndodhi një skandal që nuk ishte parë e as dëgjuar ndonjëherë; Akademiku Tehift Bullari pati një përplasje fizike me Akademik Culluf Mahmutin, përplasje që ndodhi gjatë Konferencës Shkencore me temë “Gjuha shqipe, mëmë e gjithë gjuhëve të njerëzimit”. Akademikët pjesëmarrës në konferencë, dëshmitarë okularë, ishin të ndarë në lidhje me ecurinë e ngjarjeve para, gjatë dhe pas dyluftimit fizik të dy akademikëve.

Çfarë kishte ndodhur para rrahjes?

Sikundër pritej, pas këndimit të Himnit të Flamurit, tekstin e të cilit një pjesë e akademikëve e kishin harruar për shkak të sëmundjes së moshës siç është amnezia, kumtesën e parë e lexoi për dy orë e pesëdhjetë minuta Akademik Kasëm Kakërdhia. Ai bëri thirrje për krijimin e Frontit Çlirimtar të Gjuhës shqipe nga dyndja pushtuese e huazimeve si turqishtja, greqishtja, italishtja, anglishtja, frëngjishtja. Akademik Kakërdhia mendonte se brenda këtij fronti të përgjithshëm duhej ngritur  Shtabi i Përgjithshëm i Frontit Çlirimtar nga Sllavishtja, prej nga vinte sipas tij rreziku më i madh. Të gjitha këta shtete, sidomos shtetet fqinj, pasi të fusnin fjalët e tyre në gjuhën shqipe, do të kërkonin aneksimin e gjuhës tonë, duke nxjerrë si pretekst numrin e madh të fjalëve të gjuhës së tyre, arriti në zbulimin e tij shkencor akademik Kakërdhia.

Ai pati përkrahjen e kolegut të tij Akademik Lik Bilja, i cili në kumtesën e tij në konferencë tha se ai vit duhej shpallur me vendim qeverie Viti i Gjetjes së Gjegjëseve në Gjuhën Shqipe të Huazimeve (VGJGJGJSH), të cilat po e ndotnin trupin e pastër të gjuhës së ëmbël shqipe, duke e kthyer nga gjuhë qumështore në një dhallë të thartuar që s’kishe dëshirë ta vije në buzë. Këtë që tha, ai e mbështeti me argumentime për katër orë e dyzet minuta, kohë gjatë të cilës akademikët e tjerë nuk lëvizën nga vendi pasi gjithçka që kolegu Bilja thoshte ishte me interes për studimet që do të kryheshin në dekadat që do të vinin.

Akademik Tofik Kukureci në kumtesën e vet pesëorëshe deklaroi se gjendja ishte më dramatike nga sa mendohej.

– Shokë!-bërtiti ai.

– Mos kujtoni se gjuhët e tjera flenë….

– Ata kanë nxjerrë terma që nuk është aq e lehtë t’ua gjesh gjegjësen në shqip. Kanë sajuar fjalë të tilla si:“hardware” dhe “software”, që ku-ku o nëne, si t’i shqipërosh mor aman!

– Jemi të detyruar ta pranojmë sikletin përballë termave: internet, intranet, modem, monitor, portal, printer, server, spam, telnet, terminal…. E pra, kemi një gjuhë perëndie, siç na kanë mësuar Rilindasit, por këto terma janë djalli vetë! –  klithi ai përvajshëm.

Akademike Klara Klarineta kishte bërë be në kokë të çupës se kolegu Kukureci kishte qarë në konferencë.

– E kisha afër, – do të thoshte më vonë ajo, – dhe – për kokë të çupës, se për kokë të çupës unë nuk bëj be kollaj se atë kam, ai e nxirrte lotin kokërr.

– M’u desh të shkoj e ta ngushëlloj, ti gjendesha pranë në atë ditë të zezë për gjuhën tonë, dhe ai pasi mbështeti kokën në gjoksin tim të bollshëm, mbyturazi thoshte se nuk e kishte hallin vetëm tek ato terma që kishin hyrë si djalli në tempull, por ishin edhe fjalë si “imeil” dhe shumë fjalë të tjera, që sa herë i dëgjonte i dukej sikur do t’i binte infarkt. M’u desh ta marr në shtëpi që ta ngushëlloj të shkretin, psherëtinte e merakosur Akademike Klara Klarineta, beqare e stazhinouar me shumë histori elegante dashuriçkash me anëtarët e Akademisë së nderuar.

– A e shikoni more zotërinj! – e nisën kumtesën e tyre shtatë-orëshe Akademik Qamid Lafshpreri, dhe akademiket e nderuara Bedriana Lëpirsja, Xhire Pata dhe Kalldume Trumisri, bashkëautore të kumtesës nëntë-orëshe e cila për arsye kohe nuk u lexua e gjitha.

Ky grup autorësh jo vetëm që mbështeste fuqimishëm standardin e gjuhës shqipe, por i bënte thirrje popullit të ngrihej dhe ta mbronte edhe me jetë atë. Propozimit të Akademik Kasem Kakërdhia për ngritjen e Frontit Çlirimtar të Gjuhës Shqipe dhe Shtabit të Përgjithshëm të  Frontit Çlirimtar nga Sllavishtja, si dhe propozimit të Akademik Lik Bilja për shpalljen e VGJGJGJSH-së, ata i bashkëngjitën edhe propozimin për ngritjen e Ministrisë së Mbrotjes së Standartit të Gjuhës Shqipe, propozim të cilin e kishin nënshkruar deri në kohën që ata mbajtën kumtesën afro pesë mijë akademikë anembanë globit, kudo ku kishte shqiptarë a bir shqiptari me emër të huaj, por me gjak shqiptari ama dhe ata shprehën besimin se do të gjenin mbështetje nga qeveria.

Ky propozim mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve, duartrokitje që vazhduan për gati një orë, por që u ndërprenë nga ndërhyrja e Akademik Culluf Mahmuti, i cili doli në tribunë dhe kërkoi fjalën për të lexuar diskursin e tij, për të shprehur mendime të ndryshme nga ato të kolegëve dhe për të rrahur mendimet me ta. Mirëpo nuk e lanë mbështetësit e standardit.

– A e shikoni se çfarë gjëme po na ndodh, ndërkohë që ka nga ata akademikë që vazhdojnë me kauzën përçarëse të dialekteve dhe shqyerjen e gjuhës sonë përballë vërshimit të fjalëve të huaja. Kumtuesit Lëpirsja, Pata dhe Trumisri, thanë njëzëri se kauza e tyre ishte kundërkombëtare dhe mbështetej nga agjentura serbe-greke-anglo-amerikane dhe ato nëpër botë të interesuara që të mos ketë gjuhë shqipe mbi këtë dhé.

Në fund, kumtesën e shoqëruan me recitime patriotike për gjuhën shqipe, shoqëruar nga ansambli i këngëve dhe valleve të Akademisë së Shkencave.  Ndërsa Akademik Culluf Mahmuti shkumëzonte nga inati që nuk ia kishin dhënë fjalën për të mbrojtur tezën e tij se fjalët e huaja nuk ishin fjalë armike sikur donin t’i paraqisnin kolegët e tjerë, por prurje të natyrshme në një gjuhë ku nuk bënte përjashtim as gjuha shqipe.

Ishte Akademike Muzafete Bëlldumja ajo që hoqi vallen pa u lodhur dhe në fund të saj mbajti edhe kumtesën e saj:“Gjuha shqipe, çelësi i shpjegimit të gjuhëve të botës.”  Ndërsa Akademike Bëlldumja parashtronte argumentet se me anë të gjuhës shqipe shpjegoheshin jo vetëm të gjitha gjuhët e botës, por edhe gjuhë të vdekura, gjithë ato gjuhë që edhe pse nuk kishin lënë pas as nam e as nishan, ato mund të shpjegoheshin mirë e bukur, dlirë e ëmbël nga gjuha jonë.

Më tej ajo lexoi një listë të gjatë të njerëzve të shquar në historinë e botës që kishin origjinë shqiptare ndër të cilët Napoleon Bonoparti, Gjergj Kastriot Uashingtoni, Robert De Niro, Stan Dragoti, Zhan Kold Van Damme, Arnold Zhvarceneger, Sofia Loren dhe nuk diskutohet edhe Ana Oxa.  Një pjesë e madhe e yjeve të Hollivudit janë me origjinë shqiptare, por nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk kanë informacionin e duhur për këtë, tha ajo. Është në nderin e kësaj Akademie që ky informacion të gjendet, të shyrtohet dhe të vihet në dispozicion edhe të familjeve përkatëse.

Por të dashur kolegë, mbylli fjalimin e saj disa-orësh Akademike Bëlldumja, më lejoni të përmend këtu një shqiptar që si i thonë fjalës “ha bukë veç”, shpikësin e ilaçit të mrekullueshëm të viagrës. Kishte babën shqiptar, dhe dihet vetëm një bir shqiptari mund t’i përqendronte hulumtimet e veta shkencore në fushën e fuqisë mashkullore. Vetëm një  bir shqiptari si ai mund t’ia bënte këtë dhuratë njerëzimit. Këto fjalë entuziaste të Akademikes shkaktuan shpërthimin e një furie duartrokitjesh një-orëshe dhe kohë më pas kur zhurma për skandalin do të ishte fashitur, një nga të pranishmit do të komentonte se ajo duartrokitje kishte qenë shumë e gjatë, ishte si të thuash duartrokitja e shekullit në atë Akademi dhe ngjante se nuk do të mbaronte kurrë nëse nuk do të kishim ndërhyrjen e organeve të rendit.

Pas këtyre diskutimeve, erdhëm si të thuash në kulmin e punimeve të Konferencës, kur në ring, më falni në tribunë, do të dilnin njëri-pas tjetrit Akademik Tehift Bullari dhe kolegu i tij jo edhe aq i dashur për të Akademik Culluf Mahmuti.

Akademik Bullari, në kumtesën e tij, ndërsa fliste dhe jepte argumente që gjuha jonë e dashur shqipe është çelësi i të gjithave gjuhëve në botë, e thoshte këtë duke parë gjithë nënçmim nga kolegu i tij, thua se donte ta acaronte me çdo kusht.

Akademiku solli disa shembuj nga gjuhësia, duke argumentuar për shembull prejardhjen e fjalës “pastërma.” – Fjala e shqipes shenjon mish të kripur e të tharë, i cili mund të përdoret për një kohë të gjatë në kushte natyrale pa u prishur, – theksoi ai gjithë krenari. – Fjala përdoret në të gjitha gjuhët ballkanike dhe të gjithë etimologët zyrtarë kanë pranuar pa motivim se fjala është huazim prej turqishtes [pastirma]. Porse hesapet nuk mund të bëhen pa hanxhiun! Gjuha shqipe jep qartë etimologjinë e fjalës duke qenë në harmoni me kuptimin që emërton fjala. Përsa pastërmaja është mish që [ther]ret për t’u mbajt {[ma]jt} për me u ngrënë më [pas], mjafton të bashkojmë fjalët në kllapat katrore dhe kemi: [ther]+[pas]+[ma] = [pas]+[ter]+[ma] = PAS’TER’MA. [Kalimi ther: ter (th:t) është si te Theodhor: Teodor dhe kalimi mba: ma është refleks i gegnishtes, e cila grupin e dy buzoreve [mb] e redukton në një [m] si edhe te mirmbrama => mirmrama]. Fjala PAS këtu ka kuptimet: më pas, më vonë, për në kohën që nuk ka ardhur, për kohën që S’kemi PArë = S’PA = PA’S = PAS. Që pastërmaja është mish që THER e PAS M(b)A = pas-ther-ma = pastërma, kjo nuk do shumë mend!

Fjala jep edhe një pozim të dytë duke treguar se mishi për pastërmanë është i tharë, ndaj PASTERMA pozon edhe PAS THAR MA = PAS THARjes e MbA = PAS THAR MA = PAS-TER-MA => PASTËRMA.

Shqipja për foljen thaj, buçiti Akademik Bullari,  ka dhe formën TER: “po TER rrobat në ballkon”. A nuk e varin ende sot në fshatra pastërmanë (rripat e mishit) në tela apo shufra druri (njësoj si nderen rrobat për t’u tharë) në tavan për t’u TERur e tharë? Meqë fjala Pastërma mund të ketë në përbërje ose foljen [therr] ose atë [thar, ter] dhe meqë të dyja janë fjalë autentike të shqipes, nuk po i motivojmë këtu dhe etimologjinë e tyre do e shfaqim kur të arrijmë përkatësisht te këto dy fjalë.

Pra, mund të deklarojmë bindshëm tha Akademik Bullari se se fjala PASTËRMA është autentike shqipe dhe këtë e provon motivimi etimologjik që sollëm, prandaj ajo i rikthehet fondit leksikor të gjuhës shqipe për të mos u shkulur më prej aty, deri sa dikush tjetër të sjellë një etimologji të motivuar më bindshëm se sa kjo që jep shqipja.

Ndërsa kolegu i tij kundërshtar Akademik Mahmuti nënqeshte gjatë gjithë kohës që ai bënte shpjegimin e etimologjisë së fjalës “Pastërma”, kolegët e tjerë të Akademisë po i grinte uria dhe po u shkonte goja lëng. Ky shpjegim shkencor, në atë vakt dreke ishte një lloj torture për ta dhe ja, kur akademik Bullari nisi të shpjegonte etimologjinë e fjalës “kukurec” si provë se gjuhë të ndryshme ishn bija të gjuhës shqipe, shumicës së akademikëve nisën t’u kërcasin zorrët në bark se ishin të pangrënë qysh prek kohës kur kishte filluar punimet konferenca.

Fjala “kukurec” realisht është një kokolepsje e mëlçive me zorrë nga bagëti të imta dhe pa dyshim motivi i takon asaj, – sokëlliu Akademik Bulluari, me një vështrim triumfues të hedhur nga kolegu kundërshtar Mahmuti, i cili kishte mbetur pa fjalë dhe mezi po priste që ai të mbaronte që të kalonte në kundërsulm.

Por Akademik Bullari nuk dorëzohej lehtë.

Ai nisi t’u shpjegonte kolegëve të Akademisë se edhe fjala “Byrek” kjo fjalë e shqipes që shenjon një gatesë me petë të brumëta e të holla e që përsipër mund t’u hidhet djathë, gjizë, mish të grirë, vezë, spinaq, presh etj., dhe që mbulohen me të tjera petë të brumëta e mandej tepsia futet në furrë e piqet, edhe pse e kanë të gjitha gjuhët ballkanike është një fjalë që i përket shqipes.

– Mirë more që është me prejardhje nga shqipja, po ne, kolegëve të tu, pse na torturon me këto shpjegime në vakt dreke – turfulloi gjithë padurim Akademike Klara Klarineta, e cila mezi po përmbante veten të ngrihej dhe të sulej drejt mensës së Akademisë.

Mirëpo ajo mbeti e shtangur nga kolegu i saj, i cili ndërsa shpjegonte etimologjinë e fjalës, po shihte nga ajo me një vështrim pataksës, a thua se donte ta hante gjallë, mu aty, tamam si byrek gjatë punimve të konferencës.

Byreku është është gjellë e mbyllur brenda petëve, briti Akademiku sikur po fliste përçart.  Kur jemi në një byrektore ne pyesim:”Me se është ky byreku këtu?”, – pasi nuk dimë se çka ka brenda. Kjo na bën të logjikojmë se kemi rotacionin r:l, kemi:

BYREK = BYLEK

= mBYL-EK

= mBYLL-KE

= KE mBYLL

= K E mBYLL

= [Që E mBYLL] me petë.

Dhe: që e mbyll = k e (m)byll = ke-byl = byl-ke = byl-ek = byr’ek, byrek!

– Kësisoj, fjala byrek motivohet qartësisht e bindshëm brenda shqipes, – përfundoi ai shpjegimin e tij, ndërsa kolegët i kapi një uri e hatashme që vinte në rrezik mbarëvajtjen e konferencës.

Por ishin Akademiket Mamica Tytaqi, Man Thana, Filomena Patkoi dhe Dervish Zorra, që ndërhynë duke e falënderuar Akademik Bullarin për kontributin e tij shkencor, dhe ia dhanë fjalën kolegut të vet kundërshtar, mu si një lloj hakmarrje për atë torturë që u kishte bërë duke u përmendur pastërma, byrek e kukurec gjatë punimeve të konferencës, kur ai e dinte që këto ushqime ishin pikat e tyre e dobëta dhe ata ishin betuar që të mbanin dietë e të mos i vinin në gojë, por ja ishte kolegu i tyre që i shtynte të bënin krejt të kundërtën.

Dhe hakmarrja e tyre që si të thuash e servirur në pjatë të ftohtë.

Akademik Cullluf Mahmuti e filloi kumtesën e tij me një batare fjalësh të huaja, sa ishte një pikë e kumtesës kur akademikët menduan se duhej një përkthyes.

Akademik Mahmuti fliste për nevojën e Akademikëve që duhej të kishin performancë efikase në studimet etimologjike dhe jo një studiues me oscilacione si kolegu Bullari.

– Të tregojmë risponsilitet shkencor, – porosiste ai sepse gjuha është fraxhile.

Parafolësi, sipas tij kishte treguar defekte gjenerale duke interferuar në logjikën e evoluimit të gjuhës, duke bërë interpretime parciale, duke zbuluar inventive artificiale, si dhe duke bërë një eskalim të amatorizmit që eksplodonte në teori gjuhësore vulnerabël!

Këto studime linguistike, sipas Akademik Mahmutit, kishin importancë dhe ishin sinjifikative,  por  Akademik Bullarin, i cili nuk duroi më dhe u ngrit duke rendur drejt tij me një lum të sharash që nuk kishin asnjë fjalë të huaj, por buronin drejtëpërdrejt nga gjuha e popullit.

Akademikët  Karafile Manushaqja dhe Teklif Pallteku mbajtën shënimet e rastit dhe në fund të sharjes me libër shtëpie mes dy akademikëve kumtuan se mallkimet:

“Më març të keqen”! “Të gjettë qameti”!” Më març të ligat”!” “T’u thaftë gjuha”! ” Të bëfsha gropën”! “ Vafsh prapa diellit”! “E gjeç nga mos e pandehsh “! “U shqiptuan nga gojët akademike, por nuk ishin të sigurtë se cila gojë i kishte shqiptuar. Ata mendonin se Akademik Mahmuti dihet që përdorte fjalë të huaja kur fliste shqip dhe fjalë shqip kur fliste gjuhë të huaj si metodë për të treguar se gjuhët janë të barabarta dhe jo tirane të nëjra-tjetrës, ndaj këto mallkime ishin të Akademik Bullarit.

Akademik  Kristofor Qyrja dhe Legen Gjymi mbështesnin hapur me interpretimet e tyre subjektive që i bënin ngjarjes kolegun Bullari. Ata u shprehën se ishte e drejta e tij legjitime të përdorte fjalë të huaja në kumtesën e tij.

Sipas tyre kishte ndodhur skandali kështu:

Akademik Tehift Bullari kishte dalë para mikrofonit dhe pasi kishte thënë se ishte i lumtur ta startonte diskursin e tij duke bërë një inkursion historik në gjuhën shqipe, e cila ka progresuar në shekuj, ndryshe nga studimet që ekspozojnë për të handikap të madh.

Kishte qenë kjo fjalë e mbushur me fjalë të huaja, apo siç thoshte Akademik Tehift Bullari: me “miell të marrë hua”, koha kur Akademik Bullari ishte turrur drejt kolegut. Kjo, sepse ai qëllimisht po përdorte një fjalë të huaj në çdo dy fjalë, vetëm e vetëm për ta acaruar atë, ku dihej që ai kishte alergji nga fjalët e huaja dhe shqipëronte çdo gjë.

Por anëtarët e Akademisë nuk shprehën asgjë në lidhje me përleshjen fizike mes dy akademikëve për të thënë se kush fitoi dhe kush humbi.

Analiza e tyre përqendrohej tek pasuria e fjalorit që patën kur sulmuan njëri-tjetrit. Mbështetësit e Akademik Bullarit theksonin epësinë e tij leksikore kundrejt kolegut për shkak se ai kishte përdorur mallkime të tilla si: “Të zëntë veremi inshallah! Të shplaftë panukla! Të daltë kanceri në grykë! Dhe të hëngërt mortja!”

Akademik Mahmuti, i gjendur siç duket i papërgatitur përballë kolegut, vetëm shkumëzonte nga inati, duke uruar që fjalët që ai po shqiptonte, zanoret dhe bashtingëlloret e kobshme që po nxirrte nga goja, t’i mbesnin në fyt, të ktheheshin në gurëza që t’ia bllokonin fytin dhe ai të kthehej në statujë memece mu në podiumin e sallës së konferencës.

Meqë në Konferencat e Akademisë së Shkencave, secili akademik përpiqej të fuste në kumtesa leksik nga zona e origjinës, dihej që ata nga veriu i mbanin gegnisht, si për të dëshmuar  epërsinë e gegnishtes kundrejt standardit dhe pas rrahjes ata mbështetën Akademik Bullarin, por me rezerva të mëdha për sharjen që ai i kishte drejtuar kolegut “Në të s’ëmës!” pasi mendonin se në gegnisht tingëllonte ma bukur: “Në t’samës t’kjoftë!” Po ta kishte sharë:“Në t’samës t’kjoftë!” ata do ta mbështesnin plotësisht dhe pa rezerva kolegun Bullari, por ai nuk e kishte përdorur atë shprehje, por një tjetër që ngjante si një glasë zogu “Në të s’ëmës”, shprehje që nuk tremb as kalamajt, kishin shtuar ata me ironi.

Por Akademikët nga Vlora nuk mendonin kështu.

Sipas tyre asnjëri prej kolegëve ndërluftues nuk kishte përdorur shprehjet e bukura vlonjate “Ta çaj gojën”, “Të thyej në mes” Të tërheq zvarrë” “Të bëj peshk”, dhe kjo se të dy akademikët kishin mërdhif e kishin “varu teneqen.”

Si Akademik Bullari, edhe Akademik Mahmuti, sipas tyre ishin thjesht “hajdara” që silleshin si katunarë prestigjiozë, që kur ua dëgjon kumtesat ta çajnë tallamandrën. Por duhet thënë dhe stërthënë, punimet e kësaj koference që u shpërfytyrua në atë skandal që u pasqyrua gjerësisht në media me pamjet e akademik Bullarit që ngjante se i ishte thyer kërbishtja dhe ato të Akademik Mahmutit që siç duket kishte humbur një gisht nga kafshimi i kolegut, nuk mendohej kurrë se do të merrnin një rrjedhë të tillë.

Punimet e konferencës kishin nisur pa ndonjë grindje për t’u shënuar përpos një acarimi që pati Akademike Muzafete Bëlldumja me kamerierin para fillimit të punimeve, pasi ai po ia vononte sipas saj qëllimisht porosinë ngaqë donte ta ngacmonte.

– E di që e bën qëllimisht – turfullonte Akademike Bëlldumja, por nuk është i rangut tim, ia kamë thënë në sy këtë, të jetë për pronarin e kafenesë hajde de, edhe mund të bëj lëshime, por një kamerier të fus në shtrat një akademike sikur nuk shkon – ankohej me zë të lartë ajo me sytë nga porosia që dukej sikur nuk do t’i vinte kurrë.

Por nuk kishte farë tension në sallë dhe akujt nuk i shkonte mendja se do të kishte shfaqje dhune.

Ajo javë ishte gjithë tension dhe Akademia ngjante si një ndërtesë jetime se askush nuk pranonte të shkonte më aty. Na rrezikohet jeta, ankoheshin akademikët të kënaqur që tani do të rrinin në shtëpi dhe ishin të detyruar të dilnin jashtë vetëm ditën e marrjes së rrogës. Për disa muaj situata vazhdoi e tillë, e nderë, me deklarata dhe kundër-deklarata që jepnin akademikët nga shtëpia, derisa u desh ndërhyrja e Presidentit të Republikës që të ftoheshin gjakrat dhe të arrihej uniteti në Akademi.

Presidenti kishte menduar që t’u jepte titullin “Nderi i Kombit” dhe ec e mos e beso po deshe, por ja ku dolën nga ngujimi të gjithë akademikët me veshjet e tyre me serioze të nxjerra nga gardëroba dhe nxituan drejt Presidencës.

Tek porta e Presidencës ata lexuan  me vëmendje dhe u prekën nga afishja ku shkruhej me germa të mëdha: “CEREMONIA E DHËNIES SË TITUTJVE “NDERI I KOMBIT ANËTARËVE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE” dhe thonë se më shumë u prek Akademike Muzafete Bëlldumja, e cila ishte shprehur se nuk ishte bërë fare pishman që kishte pasur një jetë prej beqaresh vetëm e vetës se i ishte përkushtuar shkencës. Ia ka vlejtur, kishte thënë gjithë emocione ajo ndërsa kishte nxituar që të hynte në sallën ku do të bëhej ceremonia me qëllim që të vinte ndonjë vend afër vendit ku do të ulej Presidenti i Republikës.

Të gjithë anëtarët e Akademisë, me peshën e modestisë mbi kurriz u ulën në sallë duke pritur Presidentin dhe ja ku kumboi zëri i ëmbël i punonjëses së protokollit, këngëtares së njohur dhe prezantueses së emisionit “Përse burrat çmenden pas kuçkave” Ledi Shala.

– Zonja dhe zotërinj, Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, – briti solemn zëri i zonjës Shala dhe Presidenti hyri në sallë i lumtur që merrte pjesë në atë ceremoni “fisnike”, siç e cilësoi ai në fjalën e mbajtur, e cila dihej se po transmetohej në të gjitha stacionet televizive kombëtare.

Gjithçka ngjante si ëndërr ndërsa zonja Shala lexonte me zërin e saj kumbues:

Akademik Tehift Bullari, Nderi i Kombit!

Akademike Klara Klarineta, Nderi i Kombit!

Akademik Kasem Kakërdhia, Nderi i Kombit!

Akademik Lik Bilja, Nderi i Kombit!

Akademik Tofik Kukureci, Nderi i Kombit!

Akademik Qamid Lafshpreri, Nderi i Kombit!

Akademike Bedriana Lëpirsja, Nderi i Kombit!

Akademike  Xhire Pata, Nderi i Kombit!

Akademike Kalldume Trumisri, Nderi i Kombit!

Akademike Muzafete Bëlldumja, Nderi i Kombit!

Dhe Akademikët e nderuar shkonin dhe merrnin njëri pas tjetrit titujt të ndihmuar nga Sektori i Protokollit, i cili me profesionalizëm e shoqëroi Akademik Qamid Lafshprerin tek banjot e presidencës, pasi akademiku i nderuar vuante nga prostata dhe pati këtë kërkesë mu atëherë kur u thirr emri i tij për të tërhequr titullin “Nderi i Kombit”.  Të gjithë buzqeshën me mirëkuptim sepse i kishte mbushur atë vit njëqind vjetët në këtë botë dhe Akademia kishte organizuar një ditëlindje të posaçme jubilare në fund të së cilës qe botuar edhe një libër me urimet që ishin bërë gjatë festimeve.

Askush nuk ia mori për ters edhe fjalën e shkurtër Akademikut të nderuar, kur pasi tërhoqi titullin ai falënderoi Partinë e Punës, gjë që shkaktoi ilaritet të pafajshëm në sallë pasi kishte probleme shëndetësore me kujtesën dhe nuk e dinte që komunizmi na kishte lënë shëndenë dhe tani në atdheun tonë lulëzonte demokracia dhe nderohej Akademia.

Presidenti, si i zoti i shtëpisë pati nderin që edhe ta mbyllte ceremoninë, duke hedhur poshtë  studimet tendencioze të disa studiuesve antishqiptarë, që kishin ngritur hipotezën se shqiptarët nuk kishin Akademi të Shkencave. Kjo hipotezë duhet rrëzuar me neveri turfulloi para kamerave Presidenti, se ne jo vetëm që kemi Akademi të Shkencave, por sonte i kemi midis nesh për t’u akorduar titullin më të lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin “Faleminderit që ekzistoni” çka tregon se duke pasur një Akademi të Shkencave, ne renditemi përkrah të gjitha vendeve të botës që e kanë një të tillë dhe kjo është një arritje e madhe.

Në fund Presidenti i ftoi të pranishmit që të rrëmbenin gotat dhe ta kremtonin këtë rast të veçantë me pijen tradicionale të rakisë, të siguruar enkas për këtë event, fjalë që si duket akademikët e interpretuan si urdhër të Komandantit të Përgjithshëm dhe sa hap e mbyll sytë iu sulën gotave dhe shisheve për të treguar se ishin në lartësinë e nderit dhe detyrës së caktuar nga Komandanti.

Në këtë zallamahi të lumtur askujt nuk i shkoi mendja se në atë çast, pasi kishte marrë vesh se Presidenti i Republikës nuk ia kishte dhënë titullin “Nderi i Kombit”, me arsyetimin se ai ishte i lidhur me agjenturat e huaja që ia donin të keqen Shqipërisë, Akademik Culluf Mahmuti vrau veten në gjendje depresioni me çiften e gruas, zonjës Sanije (apo zonjushë Sana, siç i pëlqente ta thirrnin), e cila zakonisht fundjavave merrte çiften e dilte për gjah në zabelin ngjitur me shokët.  Pasi iu doli pija, të nesërmen, të gjithë panë të varur tek porta e Akademisë një afishe. Kalimtarët hidhnin sytë nga ajo të trishtuar për ikjen nga kjo botë të akademikut, por largoheshin të habitur kur lexonin se ai ishte një lajmërim për hapjen e një vendi të lirë për një akademik.

Eh, komentonin mendueshëm kalimtarët, ndërsa diskutonin nëse ishte e vërtetë që Akademik Mahmuti kishte lënë amanet botimin e një tregimi për Akademinë e Shkencave, në fillim të të cilit shkruhej se çdo ngjashmëri me Akademinë tonë të Shkencave ishte thjesht një rastësi dhe për çdo ngjashmëri të mundshme përgjegjësi mbante Akademia. Ndoshta, prandaj dhe kolegët në shenjë hakmarrje kanë varur këtë lajmërimin, – thoshin të pasigurtë ata, ndërsa merrnin drejt banesës së të ndjerit për ngushëllim, ndërsa ngjarja e trishte kishte qitur në harresë, si skandalin e përleshjes fizike të të ndjerit me kolegun e vet, ashtu edhe lavdinë e titujve “Nderi i Kombit”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top