Unë jam ai hebreu i vogël që shkroi Biblën-Vështrim mbi një tekst të Leonard Cohen-it/Arbër Zaimi

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

   Arbër Zaimi

Në këngën “The future, kolonë zanore e filmit “Natural Born Killers”, poeti këngëtar, Leonard Cohen, e vë veten në rolin e fat-thënësit anonim (unë jam ai hebreu i vogël që shkroi Biblën – thotë).

Rapsodi sheh në të ardhmen, larg apo afër, doemos një kataklizmë. Parasheh (ashtu si Yeats tek “The second coming”) një kohë paqëndrueshmërie ekstreme (things are going to slide in all directions), një kohë kur vetë dija, logjika, biseda, mësimi, masa e matja do të bëhen të pamundshme sajë një relativizmi absolutist (Won’t be nothing you can measure any more). E ardhmja, thotë ai, është vrasje. Ec e thuaj se nuk është ashtu, me këtë njerëzim të stërarmatosur, me krizat ekonomike e garat gjeopolitike për dominim.

Në këtë zymtësi, “hebreu i vogël” Cohen nxjerr prej palcës së popullit të vet thelbin e mbijetesës, mekanizmin e vetëm që garanton mbijetesën: dashurinë (love is the only engine of survival).

Jo thjesht dashurinë si element përkushtimi e pronësimi për përmbushje romantike individuale apo tradicionale familjare, por një dashuri më të gjerë, anonime, që merr formën e solidaritetit. Dashuria për një komunitet të përfytyruar (siç e quan K. Anderson). Kjo dashuri ndërtoi institucionet e veta, që siguruan mbijetesën e pagjasë të hebrejve gjatë mijëvjeçarëve, përkundër përndjekjeve të shumta.

Psh. në të ashtuquajturin “Pale of Settlement”, në lindje të Evropës Qendrore, prej Baltikut e deri në Det të Zi, ku carët rusë ua caktuan vendin hebrejve gjatë shek. XVIII dhe XIX, lindën sisteme të solidaritetit, të cilat rrodhën prej tzedakah (sadaká-ja islame) dhe prodhuan rrënjët e mbrojtjes shoqërore moderne, që më vonë ndikoi dhe sistemin e institucionalizuar nga Bismarck-u në Gjermaninë e bashkuar, që u bë model me ndikim të gjerë. Ky institucionalizim i solidaritetit, i dashurisë komunitare, është i domosdoshëm për mbijetesë në kohë të vështira, ose kur parashihen të tilla.

E tillë dashuri e kohëve të vështira, është ajo që përshkruhet edhe në popullin tonë (ishim mirë kur ishim keq). Psh. në Kosovë e dëgjon shpesh një farë nostalgjie për dashurinë dhe solidaritetin e paraluftës.

Në kohët kur përhapet besimi dhe bindja se vështirësi nuk ka më (se na ka dhënë fjalën dikush), atëherë lulëzon individualizmi, egoizmi e egocentrizmi, thashethemi, xhelozia e shpifja kundër tjetrit, përbuzja e braktisja e tjetrit, dhe njëfarë fragmentimi i shoqërisë në përbindësha etikë.

Popujt që nuk u zënë besë premtimeve se e ardhmja do të jetë e sigurt dhe nuk do të ketë kurrë kataklizma e vështirësi, janë ata që nuk heqin kurrë dorë prej dashurisë për njëri-tjetrin dhe përkushtimit e përkujdesjes për komunitetin e tyre. Nuk heqin dorë prej të vetmit mjet të mbijetesës. Këtë përpiqet të na thotë “the little jew who wrote the Bible”, Leonard Cohen, tek kënga “The future”, teksa njerëzimi është duke vozitur veturën e tij nëpër terr me shpejtësi moskokëçarëse e pasion të droguar, si në një poemë të Ginsberg-ut, si në paragrafët speedologjikë të Paul Virilio-s, apo si te vetë filmi i famshëm i Oliver Stone-it, nga ku êshtë marrë fotoja që shoqëron këtë shkrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top