Author

Admin - page 130

Admin has 1815 articles published.

Tetori Gjerman-Eldorado-Premiera në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës

in Teatër by

Tetori Gjerman sjell ELDORADO-Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës

25.10.2019 ora 19.00 Premiera në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës
29.10.2019 ora 19.00 ArTurbina, Tiranë
30.10.2019 ora 18.00 ArTurbina, Tiranë
31.10.2019 ora 19.00 Teatri “Migjeni” Shkodër”

Regjia: Stefan Çapaliku
Skenograf: Sadik Spahija
Koreograf: Gjergj Prevazi
Interpretojnë: Suela Bako, Ervin Doko, Andja Xhunga, Bes Bitraku, Ina Morinaj, Ledian Gjeçi.

Antoni, tregtar i madh pasurish të patundshme, falimenton prej spekulimeve. Financimi i banesës së kushtueshme është krejt i pasigurt, por përtej kësaj, gruaja e tij, një pianiste e palumtur me talentin e saj, i rrëfen se është shtatzënë. Vjehrrën e kamur e bind të investojë në një pronë në një qytet të largët, të sapopushtuar nga një fuqi perëndimore. Kur në qytetin e huaj shpërthen një revoltë kundër pushtuesve dhe humbet përfundimisht shpresa për fitim, vjehrra këmbëngulëse kërkon mbrapsht kapitalin e saj dhe këtu nis tatëpjeta e Antonit. Skena qesharake deri në dhimbje të lumturisë në martesë dhe të gjendur në kolaps, i lenë vendin ndërtimeve të larta dhe bombave që bien në Berlin ose Bagdad. Në sfond mbetet prania këmbëngulëse e luftërave të largëta dhe gjysmë të harruara të Perëndimit, të cilat mbeten të fiksuara në ekrane vetëm si pamje periferike. Eldorado pyet se si mund të jetojmë kur në emër të fesë ose demokracisë perëndimore ushtrohet një dhunë e papërshkrueshme.

Marius von Mayenburg, i lindur më 1972 në Mynih, është një dramaturg i njohur bashkëkohor gjerman, veprat e të cilit njihen për frymën e tyre anti-borgjeze dhe kanë një ndikim të madh në teatrin europian.

Hyrja e lirë
Gjuha: shqip

Tetori Gjerman-Instituti Gëte

Fundi i palavdishëm i Magelanit

in Meqë ra fjala by

U vra para se të përfundonte udhëtimin e tij përreth tokës. Ia dolën 18 burra të mbetur nga ekuipazhi

6 Shtator, 1522.

Një anije e vogël, e bllokuar nga valët dhe vështirësitë e detit të gjerë, ankorohet në portin e Seviljes. 18 burra ndodheshin në hambaret e Victoria-s. Kur udhëtimi filloi, ishin 45. Megjithatë, kishte kishte arritur të pamundurën. U bë anija e parë që përfundoi me sukses udhëtimin rreth tokës.

Më 20 Shtator, 1519, familja mbretërore spanjolle sponsorizoi një mision ambicioz dhe të rrezikshëm. Do të dërgonte pesë anije të një ndërtimi të ngjashëm për të bërë xhiron e botës. Njëra prej tyre ishte Victoria. Anijet ishin relativisht të vogla dhe në pamje të parë nuk dukeshin të afta për të kryer detyrën që u ishte besuar. Peshonin më pak se 150 tonë, gjatësia e tyre ishte 20-23 metra dhe gjerësia nuk kalonte 7 metra. Në këtë hapësirë të kufizuar duhej të jetonin 45 deri në 60 njerëz. Në total, ekuipazhi i të pesë anijeve ishte 245 burra. Victoria kishte 45. Kapiten i anijes më të madhe, Trinidad, dhe në krye të misionit, ishte Magelani. Kushtet ishin të vështira. Vetëm kapiteni kishte dhomën e tij, të tjerët flinin në kuvertë, të ekspozuar ndaj erës dhe shiut. Për më tepër, ushqimi ishte i kufizuar. Ushqimi i tyre ishte i varfër dhe përbëhej kryesisht nga bishtajore, arra, bukë dhe verë. Bashkëjetesa e anëtarëve të ekuipazhit ishte gjithashtu e tensionuar. Ndërsa javët rridhnin, polemikat, grindjet dhe konfliktet intensifikoheshin. Vështirësitë nuk vonuan shumë të shfaqeshin. Brenda një kohe të shkurtër, më shumë se pesëdhjetë burra vdiqën nga sëmundjet dhe uria. Është karakteristike që në kohë dëshpërimi të madh, shumë kishin arritur deri në atë pikë sa të hanin lëkurët e armaturave, krimba, minj dhe madje edhe tallashin nga druri, për të mos vdekur. Më 31 Mars, 1520, pesë anijet, megjithë humbjet, arritën në Patagoni, Argjentinë, ku vendosën të kalojnë dimrin. Atje, tashmë në tokë, grindjet që ishin kultivuar gjatë gjithë këtyre muajve dolën në sipërfaqe. Disa nga kapitenët dolën kundër Magelanit. Me mashtrime, arritën të merrnin nën kontroll tre nga pesë anijet, përfshirë “Victoria”, ndërsa vranë “dorën e djathtë” të detarit të madh, kur u përpoq të negociojë me ta. Përfundimisht, Magelani arriti ta rimarrë Victoria-n. Sidoqoftë, nuk mund të shpëtonte dy të tjerat. Anija e dytë u fundos, ndërsa tjetra u kthye për në Spanjë. Kështu, udhëtimi vazhdoi me tre anije. Në pranverën e vitit 1521, një tjetër ngjarje tragjike do të shënjonte ekspeditën. Karvani kishte zbarkuar në Filipine dhe kishte rënë në kontakt me vendasit. Në fakt, Magelani dëshironte të pajtonte dy fise indigjene armiqësore. Gjatë përpjekjes së tij, vendasit e vranë në ishullin Maktan. Në të njëjtën kohë, burrat e misionit u detyruan të digjnin Concesion-in, pasi ekuipazhi nuk ishte më i mjaftueshëm për të mirëmbajtur tre anije. Menduan se ishte më mirë të ndahej midis Victoria-s dhe Trinidad-id. Kështu, në Prill, 1521 misioni mbeti pa kapiten dhe anijet e mbetura ishin vetëm dy. Vendin e Magelanit e zuri Juan Sebastian Elkano. Kapiteni i ri arriti të drejtonte dy anijet deri në Moluccas të Indonezisë. Aty duhej të merrte një vendim të vështirë. Gjykoi se në ”Trinitad” po depërtonte uji nga shumë pika dhe ishte e rrezikshme të vazhdonte. Kështu e lidhi anijen në një port lokal për t’u riparuar dhe i vari të gjitha shpresat te Victoria. Si përfundim detari ambicioz pati sukses. Më 6 Shtator 1522, Victoria lundroi përsëri, pas tre viteve mungesë, në ujërat spanjolle. Nga 251 burra që kishin marrë pjesë në mision, vetëm 18 u kthyen me Victoria-n. Pritja e saj ishte solemne. Mbi të gjitha, arritja që kishte shënuar ishte jashtëzakonisht e madhe. Victoria u bë anija e parë që përfundoi me sukses xhiron e tokës, duke hedhur themelet e bashkimit tregtar dhe kulturor të Europës, Azisë dhe Amerikës. Falë udhëtimit të “Victoria”-s, u konfirmua lakimi i tokës, se Amerika ishte një kontinent i veçantë, dhe më e rëndësishmja, u mund të hartëzohej bota e atëhershme me shumë saktësi. Në thelb, “Victoria” shënoi fillimin e globalizmit, duke hartografuar rrugët detare dhe i solli për herë të parë njeriut perëndimor një pamje të saktë të planetit në të cilin jeton.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Thika-Jean Follain

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Thika-Jean Follain

Një thikë e vjetër tradhtari
përdorur në melodramë
u gjet nga një dorë me dorashkë
që po shkulte hithrat.
E madhe dhe e fortë qe heshtja
si në fëmijëri
fushat me mollë
lulet e fshatit
ledhet e ngushtë
krijonin një mbrëmje të gjatë
ngjyra e absolutes
njomte peizazhet
një polen zambaku
kishte rënë
mbi tehun e thikës.

Përktheu: Alket Cani

Mosdija, mosdashja dhe mjerimi i një shkrim-porosie/Granit Zela

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Për Kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, pas shkrim-porosisë së tij për përkthyesit…

 Granit Zela

Kam lexuar, me shumë shqetësim, në Shtator të këtij viti, një shkrim-porosi të titulluar:“Për përkthyesit…”, ku disa opinione, sugjerime e mendime të Kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, zotit Petrit Ymeri, lidhur me vënien në pah të disa praktikave të mira, vlerësimin material, dhe më tutje; për të drejtat e përkthyesit, janë amatore, të nxituara dhe pa njohjen e duhur, e si rrjedhim, të gabuara.

Së pari, zoti Ymeri nënvizon se “në Shqipëri ka pasur dhe ka, vlerësim shumë të madh, deri në nderim, për përkthyesit.” Nuk është e qartë se çfarë nënkupton ai me këtë, pasi nuk jep asnjë shembull konkret, por vetëm liston emra punëtorësh të palodhur të gjuhës shqipe. Një ndër këta përkthyes të nderuar, që zoti Ymeri përmend, përkthyesi Shpëtim Çuçka, në shkrimin e tij të Qershorit të këtij viti, me titull:“Mjerimi i kulturës dhe përkthimi”, shkruan se mund të thuhet me siguri të plotë që përkthimi është ndër veprimtaritë intelektuale më të shpërfillura. “Në diskutimet për përkthimin mbizotërojnë fjalët e përgjithshme, përmendet më të rrallë, si për ilustrim, ndonjë dukuri e gabuar, e veçantë, e cila nuk përbën një të metë dalluese vetëm për përkthimet tona, renditen thatë ca emra mjeshtrash të së kaluarës, përcjellë me ndonjë epitet tejet të ngrënë.” Në fakt shkrimi i përkthyesit Çuçka është tejet i saktë, madje profetik, sepse epitet më të ngrënë se ky që përdor Zoti Ymeri nuk ka, dhe shkrim-porosia e tij ka si synim të shtjellojë disa dukuri të gabuara dhe të veçanta që ai i paskësh pikasur në diskutimet që janë bërë kohët e fundit për përkthimin, diskutime që ai synon t’i sjellë në rrugën e duhur, duke iluminuar publikun, i cili kishte gjasa “të çoroditej”, sikur ai të mos e ndërmerrte këtë hap parandalues.

Së dyti, në shkrim-porosi thuhet se “për sa i përket vlerësimit material, mund të them pa asnjë ngurrim, që nuk është ai i merituari, krahasimisht me punën e madhe që bëhet. Por për fat të keq, na takon të gjithëve të përballojmë pasojat e një tregu të vogël e të varfër.” Dhe menjëherë pas këtij konstatimi, pjesërisht të vërtetë, Zoti Ymeri jep lajmin e bujshëm: “Duhet thënë që vitet e fundit është përmirësuar niveli i pagesave për përkthimin.” Sipas Zotit Ymeri, “Një mbështetje relativisht e mirë për veprimtarinë botuese, rrjedhimisht edhe të përkthyesve, kanë qenë dhe janë bashkëpunimet me institucionet e shumta europiane që mbështesin përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të veprave dhe autorëve të huaj. Kjo gjë natyrisht ka përmirësuar nivelin e pagesave të honorarëve të përkthimit.” Por edhe në këtë rast, Zoti Ymeri nuk e mbështet e as e ilustron atë që shkruan. Unë si lexues duhet të marr me mend se sa është numri i institucioneve të shumta evropiane që mbështesin përkthimin, sa është niveli i pagesave të përkthimit në këtë rast. Krahasimi i pagesave që këto instuticione bëjnë përkthimin me pagesat që bëjnë shtëpitë botuese shqiptare ndoshta do të nxirrte në pah gjendjen reale të nivelit të pagesave të përkthimit letrar në Shqipëri.

Nëse zoti Ymeri e ka fjalën për projektin e përkthimit letrar, të mbështetur nga Programi Evropa Krijuese, ky program mbështeti përkthimin e dhjetë veprave letrare evropiane në shqip, çka do të thotë se dhjetë përkthyes morën një vlerësim material të merituar. Por gjëja më absurde në këtë rast është që një projekt përkthimi e menaxhon Shoqata e Botuesve dhe vetë zoti Ymeri, ngaqë nuk ka Shoqatë të Përthyesve, dhe në takime të tilla botuesit e nisin të flasin për problematikat dhe satusin e përkthyesit dhe e bitisin duke folur për problematikat e botuesve dhe statusin e botuesve. Dhe nuk janë përkthyesit ata që e paraqesin projektin por botuesit, a thua se përkthyesit janë qenie inferiore të padenja për të folur për këto gjëra.

Zoti Ymeri mund të kishte përmendur pagesën e merituar që përkthyesit shqiptarë marrin nga Rrjeti Traduki, dhe të nënvizonte faktin se në fillim kontratat lidheshin me shtëpitë botuese dhe një pjesë e pagesës së përkthyesit përvetësohej në mënyrë të paligjshme dhe të padenjë nga ato, duke ua dhënë vetëm pjesërisht honorarin përkthyesve.  Në vitin 2014, Ministria e Kulturës nënshkroi zyrtarisht një marrëveshje me Rrjetin TRADUKI dhe po këtë vit hapi Fondin për Përkthimin Letrar (FPL) dhe sikurse e bëri praktikë TRADUKI më pas, mbështetja financiare u bë duke i bërë kontratat direkt me përkthyesit.

Së treti, Zoti Ymeri, sqaron një pohim tjetër “të gabuar”, duke shkruar se vënia e emrit të përkthyesit në ballinën e librit nuk kërkohet nga Creative Europe, por vetëm biografia në fund të librit të përkthyer dhe se: “Çështja e evidentimit të emrit të Përkthyesit në kopertinë, është e një rëndësie shumë relative. ….shumë e rrallë dhe, për mendimin tonë, e ekzagjeruar!” Ajo që biznesmeni në fjalë nuk do të kuptojë në këtë rast, është se përfshirja e biografisë së përkthyesit në fund të librit të përkthyer dhe vënia e emrit të tij në ballinën e librit hyn tek ato që quhen “praktika të mira” në fushën e përkthimit dhe synojnë rritjen e rëndësisë dhe forcimin e pozitës së përkthyesit. TRADUKI ngul këmbë që emri i përkthyesit të jetë në faqe të parë. Është fakt që një praktikë po bëhet gjithnjë e më e dendur, shembull i saj në Shqipëri është shtëpia Botuese “PEGI”. Bota editoriale evropiane nuk e sheh kurrsesi marrëdhënien Shtëpi Botuese – Përkthyes si “një punë që propozohet dhe pranohet ose jo, me disa kushte të caktuara, dhe e cila përfundohet në Kontratë Porosie përkthimi, ku ajo që negociohet janë vetëm tarifa e pagesës dhe koha e dorëzimit, siç e shpreh me arrogancë zoti Ymeri. Kur lexon se si e sheh këtë marrëdhënie biznesmeni Ymeri, më shumë të krijohet përshtypja se ai është pronari i ndonjë firme ndërtimi se sa pronari i ndonjë shtëpie botuese, se kryetari i një shoqate botuesisht jo se jo.

Së katërti, zoti Ymeri, jep mendime që janë amatore, të nxituara dhe pa njohjen e duhur, e si rrjedhim, të gabuara, kur flet për “të drejtat e përkthyesit”, siç i vë në thonjëza në krye të shkrimit ai, duke sqaruar opinionin publik dhe përkthyesit se:“Nuk ekziston askund e drejta e përkthyesit mbi përkthimin e bërë.” Madje zoti Ymeri të çudit, kur për ta provuar këtë thotë se ekzistoka një kontratë e njohur ndërkombëtarisht: “Deed of Translation Assigment” , e cila i bllokoka në mënyrë totale pretendimet e përkthyesit (nëse ka).”

E vërteta është krejt e kundërt! Qasja evropiane sot është ajo e përmirësimit të gjendjes ekonomike, shoqërore dhe ligjore të përkthyesit dhe për krijimin e një gjendjeje më të mirë të përkthimit në Evropë, duke theksuar se ai është aktivitet dhe proces krijues. Kjo qasje thekson mbrojtjen e të drejtës së autorit të përkthyesve (literary translators’ copyright), e cila po kërkohet të përfshijë edhe veprat e artit në format digjitale. Në nivel kombëtar, kjo do të thotë krijimi i hapësirave ligjore për të drejtën e autorit të përkthimit, të parashikuar në kontratën e përkthimit. Në aspektin e të drejtës së autorësisë mbi përkthimin, ndryshimet ligjore janë bërë në përputhje me Konventën e Bernës Për Mbrojtjen e Veprave Letrare dhe Artistike, (1886), e cila është marrëveshje ndërkombëtare në fushën e të drejtave të autorit, Koventë e nënshkruar nga 164 vende, ndër to edhe Shqipëria. Kjo Konventë dhe rrjedhimisht të gjithë vendet nënshkruese njohin të drejtën e autorësisë së Veprave të prejardhura” ku përfshihet edhe përkthimi. Pra e drejta e autorësisë mbi përkthimin ekziston, ajo është e shprehur qartë, e nënshkruar nga 164 vende.

Pra në konventën e Bernës është pranuar e drejta e përkthyesit për të pasur titullin e autorit për punët përkthimore të kryera prej tij në paragrafin 2 të nenit 2, ku përcaktohet e drejta morale e juridike e përkthyesit si autor, duke e mbrojtur si vepra origjinale, pa paragjykuar të drejtat e autorit të veprës origjinale, përkthimet.

Marrëveshja e Konventës së Bernës, është amenduar disa herë, Berlin, 1908, Romë, 1928, Bruksel 1948, Stokholm 1967 dhe Paris 1971. Firmëtarët e Konventës përbëjnë Unionin e Bernës për Të Drejtën e Autorit. Të gjithë amendimet u janë referuar Rekomandimeve mbi Mbrojtjen Ligjore të Përkthyesve e Përkthimeve dhe Praktikat për përmirësimin e Statusit të përkthyesit, të datës 22 Nëntor, 1976, të UNESCO-s.

E drejta e autorësisë së përkthimit ishte e rekomanduar për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian dhe u reflektua në Ligjin për të Drejtat e Autorit, kjo e drejtë mbrohet ne nenin 9.  Aty thuhet shprehimisht se:

Veprat e prejardhura janë krijime intelektuale, që realizohen duke u bazuar në një ose disa vepra që kanë ekzistuar më parë, si përkthimet, përshtatjet, aranzhimet muzikore, ilustrimet, dokumentarët, riprodhimet artistike, faqet e internetit me të dhëna statike ose ndërvepruese, si dhe ndryshime të tjera të krijimeve/veprave letrare, shkencore ose artistike origjinale, që mund të transformohen, të rimodelohen ose të përshtaten, dhe të cilat mbrohen si krijime/vepra origjinale në mënyrë të pavarur nga të drejtat e autorit të krijimit origjinal.” 

Në përputhje me detyrime të tilla, praktika e TRADUKIT sot është që të rekomandojë që emri i përkhtyesit të vihet në faqe të parë. TRADUKI përfaqëson të drejtat e përkthimit për pesë vitet e para pas botimit. Më pas të drejtat i kalojnë automatikisht përkthyesit.

Kjo sepse “përkthimet letrare kanë një status të dyfishtë autorësie: nga njëra anë është e dreja e autorësisë së autorit origjinal, dhe nga ana tjetër është e drejta e përkthyesit, i cili është autor i  një përkthimi të veçantë, i dallueshëm nga të gjithë përkthimet e tjera të mundshme të të njëjtit tekst. (European Council of Literary Translator’s Association).

Kjo do të thotë se përkthimi letrar nuk është thjesht një punë me pagesë (siç konsiderohej para vitit 1886 dhe aktulisht sot prej zotit Ymeri), por një krijim origjinal që mban vulën e përkthyesit.

Koventa e Bernës ka efekt ligjor, por dhe Rekomandimi i UNESCO-s miratuar në Nairobi (UNESCO Nairobi Recommendation) siguron një kudër të fuqishëm ligjor dhe moral për organizatat kombëtare që mbrojnë të drejtat e përkthyesve. Ajo u siguron shteteve standarte konkrete në lidhje me pozitën ligjore, pagesën, kontratat, gjendjen financiare dhe shoqërore, kushtet e trajnimit dhe të punës së përkthyesve, mbështetur në parimin themelor që përkthyesit duhet të gëzojnë të njëjtën mbrojtje që gëzojnë shkrimtarët.

Së fundi, duhet theksuar se marrëdhënia mes botuesit dhe përkthyesit duhet të jetë marrëdhënie vlerësimi, besimi, besnikërie, profesionalizmi, miratimi dhe mbështetjeje të ndërsjelltë, “win-win”, ku në fund fitojnë të gjitha palët, para së gjithash lexuesi. Po zoti Ymeri thotë se ai ka një “Deed of Translation Assignment” , një kontratë që u njihka ndërkombtarisht dhe ai vepron sipas asaj kontrate dhe jo sipas kësaj Konvente ndërkombëtare dhe Ligjit për të Drejtat e Autorit. Se ku e nga e ka marrë zoti Ymeri këtë “Deed” vetëm ai e di se nuk e thotë.

Zoti Ymeri, në fund u jep përkthyesve edhe Porosinë e Madhe që të mos merren  me “të drejtat e përkthyesit”,  sepse sipas tij ato nuk ekzistojnë. Edhe unë si përkthyes po i lejoj vetes t’ia jap një porosi zotit Ymeri: Në Panairin e Librit në Nëntor të deklarohet se sa është vlera financiare e çmimit që merr përkthyesi më i mirë, çmim që jepet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Përkthyesi i romanit fitues Man Booker International Prize merr gjysmën e çmimit prej 50.000 paundësh, shumë të cilën e ndan me shkrimtarin, me autorin e veprës origjinale. Pra, përkthyesi vlerësohet po aq sa shkrimtari dhe ngjitet në skenë bashkë me të për të marrë çmimin, çka sipas kutit të zotit Ymeri, me siguri është e ekzagjeruar! Po ju si Shoqatë zoti Ymeri, sa e vlerësoni përkthyesin në aspektin financiar me çmimin e përvitshëm që jepet në Panairin e Librit, me një teneqe për ta varur dhe një çertifikatë për të fshirë djersët? Këto “vlerësimet e mëdha deri në nderim”, duke mos e shpërblyer financiarisht përkthyesin janë thjesht mashtrim i madh deri në përbuzje dhe përçmim. Kaq.

————-

Deklaratën e kryetarit të Shoqatës së Botuesve e gjeni këtu:

Për përkthyesit…Kam lexuar para shumë ditësh disa opinione dhe sugjerime e mendime lidhur me vlerësimin dhe vënien në…

Posted by Shoqata e Botuesve Shqiptarë on Friday, September 20, 2019

 

LËVDATË PËR OPINIONIN E KEQ NDAJ VETES- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

LËVDATË PËR OPINIONIN E KEQ NDAJ VETES- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

Qifti nuk ka asgjë për t’u qortuar.
Skrupujt janë të huaj për panterën.
Piranatë s’kanë asnjë dyshim për aktet që bëjnë.
Gjarpri me zile e pranon veten pa rezerva.

Askush nuk ka parë një çakall të penduar.
Karkaleci, krokodili, krimbi dhe zekthi
rrojnë mirë ashtu siç rrojnë dhe janë shumë të kënaqur.

Zemra e një balene peshon njëqind kilogramë,
por nga një pikëpamje tjetër është fort e lehtë.

Po ç’ka më kafshërore
se ndërgjegjia e qetë
mbi planetin e tretë të Diellit?

 Përktheu: Alket Çani

Një poezi nga Samuel Beckett

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një poezi nga Samuel Beckett

 

Kraharori im

është kopshti yt;

 

dhe farat

që ke mbjellë

në këtë zemër

 

me shumë dhimbje

do kthehen në lule

me bukuri përrallore.

 

Përktheu: Redi Sheqeri

 

Milan Šimečka (1930-1990)

in Letërsi by

Milan Šimečka (1930-1990)

Milan Šimečka (1930-1990) është shkrimtar i njohur sllovak. Pas pushtimit sovjetik në vitin 1968 ai u kthye në një disident dhe autor aktiv artikujsh politikë, të cilët u botuan në Gjermani (1970) dhe më pas në gjuhën angleze me titullin “Rivendosja e rendit: normalizimi i Çekosllovakisë, 1969-1976”. I botuar në anglisht në vitin 1984, libri bën një analizë të “normalizimit” të imponuar në Çekosllovaki pas shtypjes së Pranverës së Pragës (1968) dhe rivendosjen faktike të politikës dhe kontrollit kulturor sovjetik. Botimi jashtë vendit shihej si akt subversiv nga autoritet dhe ai iu nënshtrua paraburgimit. Në gjyq u dënua me dhjetë vjet burg dhe u burgos në 6 Maj, 1981, në burgun Ruzyne të Pragës. I njohur tashmë në nivel ndërkombëtar, ai u lirua në 27 Maj, 1982, pasi qëndroi trembëdhjetë muaj në qeli.

“Letra nga burgu” e botuar në fillim në Bratisllavë (1989), shihet si një nga librat më të mirë të kësaj gjinie, ku shpërfaqet mendimtari dhe njeriu. Ndryshe nga kushtet e skajshme të qelisë, proza e tij karakterizohet nga butësia, dashuria e palëkundur për të shoqen dhe fëmijët, dhe solidariteti për bashkëvuajtësitë. Letrat nuk mendohej se do të botoheshin ndonjëherë dhe sot na kujtojnë barrën e rëndë të vetmisë, pasojat e izolimit dhe përgjimit. Ai ishte dëshmitar i rënies së komunizmit, por vdiq papritur në vitin 1990, në moshën 60 vjeçare. Në atë kohë shërbente si këshilltar i presidenti Vaclav Havel, disidentit dhe mikut të tij.

Letra nga burgu

 Mbi natyrën e realitetit

Mund të të siguroj se nuk i kam diskutuar kurrë këto gjëra me askënd tjetër, por përkundrazi kam dëgjuar me ëndje se si i parashtronin të tjerët me stil dhe entuziazëm. Dhe ishte një kohë kur duhej ta fshihja pëlqimin tim për përsitajet elegante të Platonit mbi ekzistencën e një mbretërie të ideve të kulluara si një paraformësim të botës sonë. Më tërhoqi shumë si një koncept tejet poetik, i cili gjithashtu ushtronte një lloj trysnie psikologjike tek unë. E kush nuk është ndier si banor i shpellës gjatë përpjekjes për të depërtuar në misteret e realitetit? Platoni largon ankthin që ndiejmë si banorë të shpellës me anë të bindjes së tij qetësuese se çdo gjë është e bukur, se dielli i së vërtetës po ndriçon jashtë, dhe gjithë çfarë nevojitet të bëjmë është të ecim drejt tij. Në fund të fundit, ne kemi një lloj ideje të vakët për llojin e trysnisë që ideja e Zotit ushtron tek njerëzit, sepse u largon barrën e dyshimit. Zoti përfshin të gjithë misterin dhe pasigurinë dhe në mënyrë ideale tejkalon të gjitha kontradiktat. Ai u heq sipërfaqen absurde shumë gjërave. Ai na ndihmon për ta kuptuar kohën, pasi Ai ka qenë gjithmonë dhe gjithmonë do të jetë. Ai krijoi gjithçka, dhe pse në këtë mënyrë dhe jo në një tjetër, nuk është shqetësimi ynë. Epo, dhe pse nuk u dashka që Zoti ta krijojë botën duke përdorur atë kombinim të veçantë të elementëve kimikë të tabelës së Mendelejevit, të cilët ne i njohim mirë? Zoti ishte  i detyruar të besonte para së gjithash në mundësitë e materies, përderisa ai e krijoi atë. Nëse nuk do të kishte vlerë, nuk do ta kishte krijuar.

Jam i bindur që njerëzit gjithmonë i kanë krijuar bindjet dhe konceptet e tyre nën një lloj të tillë forme të trysnisë psikologjike. Dhe për këtë arsye, idetë moniste kanë të njëjtën vlerë. Është një koncept dhe i njëjti për realitetin. Nga ky këndvështrim, tani vetëm mund të shprehim keqardhjen për gjithë energjinë që është harxhuar në debatet mes interpretimeve kryesore moniste të botës. Materializmi dhe idealizmi janë përpjekur gjithmonë të tërheqin kundërshtarët në fushën e lojës ku skuadra pritëse ka përparësi. Vetëm në terma filozofikë, duke lënë mënjanë interpretimet ideologjike, është e pamundur madje të shpjegohet pse kjo mosmarrëveshje ishte kaq e ashpër. Mosmarrëveshja mes nominalistëve dhe realistëve kishte të paktën një logjikë të brendshme, ndërsa mosmarrëveshjet mes idealizmit dhe materializmit ishin më së shumti pasojë e luftës për pushtet dhe antagonizma shoqërorë. Në të vërtetë, gjithçka që na mbetet nga kjo mosmarrëveshje është një trekëndësh i ngatërruar. Kryeneçësia dhe militantizmi i vjetër mbijetojnë vetëm në ideologjinë e sferës sovjetike.

Përktheu: Granit Zela

KUTIA POSTARE-Agota Kristof

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

 Agota Kristof

Kutinë postare e kontrolloj dy herë në ditë. Në orën 11 të paradites dhe në 5 të pasdites. Postieri përgjithësisht kalon më herët, paradite midis orës 9 dhe 11, nuk është shumë i rregullt, ndërsa pasdite rreth orës 4. Shkoj ta kontrolloj sa më vonë të jetë e mundur, për të qenë i sigurt që ai ka kaluar, kalim pa të cilin kutia e zbrazët do më jepte një shpresë të rreme, do thosha me vete: “Ndoshta s’ka ardhur akoma”, dhe do detyrohesha të zbrisja sërish më vonë.

Keni hapur ndonjëherë një kuti postare të zbrazët?

Sigurisht. Kjo i ndodh gjithkujt. Por juve as që ju bëhet vonë, për ju është njëlloj, si të jetë e zbrazët si të jetë e mbushur; ndonjë letër nga vjehrra, ndonjë ftesë për ekspozitë, ndonjë kartolinë e miqve nga pushimet.

Unë nuk kam vjehrrë, nuk mund të kem përderisa s’kam grua.

Nuk kam as prindër, vëllezër e motra.

Sidoqoftë, këtë nuk mund ta di.

Kam lindur në një jetimore. Jo se kam lindur në jetimore, kuptohet, por aty gjendesha kur kuptova se ekzistoja në këtë botë.

Në fillim, kjo gjë më dukej e natyrshme, pandehja se jeta kjo ishte, një grup fëmijësh, ca më të vegjël e ca më të mëdhenj, ca më pak e ca më shumë të këqinj, dhe disa të rritur që ishin aty për të na mbrojtur nga më të mëdhenjtë. Nuk e dija që tjetërkund kishte fëmijë të tjerë, me baba, me nënë, me motra, me vëllezër, një familje siç e quajnë.

Më vonë, ata fëmijë të një bote tjetër që kishin prindër, vëllezër e motra, i takova.

Atëherë, zura ta përfytyroja veten me prindër, detyrimisht që kisha patur, fëmijët nuk i sjell lejleku, si dhe me vëllezër e motra, ose, së paku me një vëlla e një motër.

E vara shpresën te kutia postare.

Prisja një mrekulli, një letër të llojit: “Zhak, më në fund të gjeta. Jam vëllai yt, Fransua.”

Ç’është e vërteta, më tepër do preferoja:

“Zhak, më në fund të gjeta. Jam motra jote, Anë-Maria.”

Por as Fransuaja, as Anë-Maria nuk po më gjenin.

Dhe as unë nuk po i gjeja.

Do kënaqesha shumë edhe nga një letër e nënës ose babait. I përfytyroj ende gjallë, meqenëse vetë jam ende i ri. Sikur të më shkruanin, për shembull, kështu:

Nëna:

“I dashur Zhak, mora vesh që je në gjendje të mirë. Të përgëzoj që ke arritur aty ku je. Unë, ashtu si në kohën kur të linda, vazhdoj të jetoj në mjerim e varfëri. Por jam e kënaqur kur kujtoj që ti je për bukuri. Që nuk munda të të mbaj e të të rrit ashtu siç do kisha dashur, është për faj të tët ati që më braktisi, megjithë dëshirën e madhe që kisha për të të shtrënguar në gjirin tim përgjithmonë.

Tani që u plaka, ti ndoshta mund të më dërgosh ndonjë lek, meqë ndodhem në këtë mjerim e që askush s’më jep më punë për shkak të moshës. Nëna jote që të do e që të mendon gjithnjë.”

Babai:

“Bir i dashur. Gjithmonë kam dashur të kem një djalë dhe jam krenar për ty që ia ke dalë kaq mirë. Nuk di si ia ke bërë për t’ia dalë, sepse unë dështova në gjithçka, ndonëse punova tërë jetën si skllav.

Kur jot ëmë më tha që të kishte në gji, unë ika me anije, jetova nëpër porte e pijetore, i gërryer nga mendimi që kisha diku një grua dhe një fëmijë por që s’kisha mundësi t’ju kisha pranë vetes, për shkak të atyre pak parave që fitoja e që i harxhoja duke pirë për të mbytur dhimbjen që kisha brenda vetes kur mendoja për ju të dy. Tani, kështu të dobësuar nga alkooli dhe hallet, nuk duan më të më marrin në anije. Bëj ç’punë të dalë në ndonjë port, por pako gjë ngaqë jam plak. Atëherë, nëse mund të më dërgosh ndonjë lek, do ta mirëpres. Babai yt që të do në jetë të jetëve.”

Ky ishte lloji i letrave që prisja dhe me sa gëzim do t’i kisha ndihmuar, me ç’lumturi do t’i përgjigjesha thirrjes së tyre.

Por s’kishte asgjë, asgjë të tillë në kutinë postare, asgjë, deri sot në mëngjes.

Sot mora një letër. Ajo vinte nga njëri prej sipërmarrësve më të mëdhenj të qytetit. Një emër shumë i njohur. Mendova mos ishte fjala për ndonjë letër zyrtare, për ndonjë ofertë pune. Meqenëse jam dekorator. Por letra fillonte kështu:

“Biri im,

Ti ishe një gabim i rinisë sime.

Por unë nuk i lashë pa marrë përsipër përgjegjësitë e mia. Nënës sate i krijova të gjitha kushtet e duhura të jetesës; ajo mund të të rriste pa punuar, por ajo thjesht përfitoi nga paratë e mia, duke të lënë ty në jetimore, për të vazhduar jetën e saj të çrregullt. (Mora vesh që kish vdekur para dhjetë vjetësh.)

Unë, për shkak se kam qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes publike, nuk munda të merrem me ty drejtpërdrejt, sepse kisha ndërkohë një familje me kurorë.

Por do doja që ta dije se nuk të kam harruar kurrë dhe se, tërthorazi, jam kujdesur gjithmonë për ty. (Shpenzimet e studimeve, bursa për artet e bukura të vinin prej meje.)

Duhet ta pranoj, ama, që edhe ti ia ke dalë shumë mirë dhe për këtë të përgëzoj. Duhet të më kesh ngjarë mua, sepse edhe unë jam nisur nga hiçi.

Për fat të keq, nuk pata djem të tjerë. Vetëm vajza dhe dhëndurët më qëlluan të paaftë.

Tani jam në perëndim të jetës dhe s’pyes më se ç’do thonë bota. Kam vendosur të të besoj drejtimin e aferave të mia, sepse ndihem i lodhur dhe dua të pushoj.

Prandaj të lutem të vish të më takosh në zyrë, në adresën e shënuar në krye të kësaj letre, në datën 2 maj, ora 15.

Yt atë.”

Më poshtë nënshkrimi i tij.

Kjo ishte letra që mora nga im atë pas tridhjetë vjet pritje.

Dhe, për më tepër, është i sigurt që do t’i vete në zyrë më 2 maj, ora 15, i mbushur me gëzim.

Data 2 maj është pas dhjetë ditësh.

Sonte ndodhem në një aeroport, duke pritur avionin për në Indi.

Po përse në Indi?

Mund të kish qenë kudo tjetër, mjaft që im “atë” të mos më gjejë dot.

Përktheu: Alket Çani

Vetvrasja e trumcakut-Homazh për Migjenin/Zija Vukaj

in Letërsi/Tirana Review by

Kapërcim logjik nga vetvrasja te “kanga” e trumcakut

Zija Vukaj 

Në skicën “Vetvrasja e trumcakut’ ndeshemi për herë të parë në letërsinë shqiptare me surrealizmin. Brenda hapësirave të vogla të këtij etydi autori ka marrë pozicionin e krijesës dhe të Krijuesit. Drama e trumcakut është tragjedi. Tragjedi moderne ekzistenciale. Procedimi artistik është sa surreal, aq edhe i guximshëm. Vetë autorit i duket e parakohshme për nivelin e lexuesit shqiptar, sepse fut fenomenin e kapërcimit logjik, që me sa duket është togfjalëshi më i saktë dhe i përshtatshëm për të shpjeguar fjalën surrealizëm, i pabindur mirë nëse do të kuptohet dhe ndërgjegjja e tij prej krijuesi tejpamës zbret në nivelin e shpjegimit të tekstit të vet: (Çka janë këto kapërcime logjike? Ka me bërtitë ndokush.)  Mos pyesni si e tek u gjet trumcaku n’at vend dhe si e tek u gjet njeriu në këtë pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… t’bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A e shifni? Një fjalë magjike! Hokus- pokus! Sa bukur! Dhe unë thashë: të lindet trumcaku në një vend, ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një kafshe prehistorike.” Këto dy nivele krijimi: Zoti krijoi Migjenin dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një pikë e çdo të kozmosit, ky krijoi trumcakun dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një antibotë, që nuk ofron asgjë, madje as aq sa i duhet një trumcaku për të jetuar; që të dyja arbitrare (sipas autorit), realizuar nga Zoti i madh dhe zoti i vogël, shprehin edhe kredon filozofike, thelbin dhe vijën ndarëse mes dy degëve të ekzistencializmit dhe unisonin e autorit me bashkëkohësit e vet evropianë, përfaqësues të ekzistencializmit ateist, që krijuan realitete artistike, si ai i “Procesit”, “Metamorfozës” “Murtajës” dhe personazhe si Jozef K, Merso, Gregor Zamza etj., të zhytur në qerthullin fatal e pa rrugëdalje të jetës. Fatalitet ose ironi e fatit, që paralajmërohet edhe nga mbititulli “Rrota e jetës”. Antimaterien artistike autori e ka vizatuar me dy penelata, që janë të mjaftueshme për të dhënë të plota dimensionet e ferrit social (natyra që nuk mund të quhet natyrë): qimet e derrit dhe brinat e një kafshe prehistorike, sepse kjo prehistoria është torturuese për autorin futurist në të gjitha kuptimet, kurse trumcaku jepet që në fillim i humanizuar, pra një qenie sociale (bëhet melankolik). Në këtë habitat infernal, të denjë për vegimin dantesk, luhet drama e individit që nuk ka asnjë shpëtim dhe robinsonada e tij është e paralajmëruar të dështojë pa nisur. Loja simbolike është tepër e thjeshtë, gati pa nëntekst, sepse gjithkush e di se cili është trumcaku dhe vendi apo fati i tij (thuajse autobiografi), por edhe këtu kemi Migjenin çmitizues. Pse trumcaku? Një zog pa simbolikë, pa romancë, pa lavdinë e shqiponjës apo të albatrosit, pa zymtësinë e korbit apo kotësinë e sorrës, pa muzikën e bilbilit apo të laureshës, pa misterin dhe bukurinë e pëllumbit, pa krekosjen e gjelit. Pa ngjyra të ndezura. Pa asgjë mitike. E zakonshmja dhe e përditshmja vetë, por më konkretja, më e besueshmja, individi mesatar. Mimetizmi, si dukuri biologjike, bëhet aleati i autorit. Ambienti të jep ngjyrën e vet të murrme, aspak romantike. Por trumcaku është gjëja më e vërtetë, ajo që të bind më shumë, tipikja, e përgjithshmja, e zakonshmja, modestja. Kësisoj është drama e vërtetë sociale. Ndërsa vetëvrasja, përveç revoltës, ka ndër të tjera dy aspekte: së pari, është një vetëvrasje që kufizon me heroizmin, me respektin e individit ndaj vetes. Reagim ekstrem dhe fatal. Si e tillë kthehet në tragjedi: cicrroi një herë, cicrroi dy herë, cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimbave të tij. Mos vallë cicrrimat e tij janë akoma çastet dilematike para vetvrasjes; apo piskamat dhe klithjet alarmuese që vajtojnë dhe akuzojnë këtë realitet dhe që duhen transmetuar diku. Mbase edhe një lloj egoizmi për të mos ikur pa u vënë re dhe njëlloj përmallimi për jetën e humbur. Klithma e fundit, e gjatë, me jehona kozmike, që del nga shpirti i autorit, kumbon thekshëm në çdo shpirt, si një testament tragjik. Aspekti i dytë, prapë çmitizues, ka të bëjë me kundrimin e kësaj vdekjeje si diçka cinike. Më së shumti një hara-kiri. Një bjerrje e heroizmit, që jepet nga pamja e erës që luan me puplat e trumcakut të ngulur në heshtën- qime derri, që sillet si gjeli metalik sipër oxhaqeve tona. Ja sa vlen heroizmi. Këtu, duket sikur na thotë autori, s’ke si të rrosh dhe s’ke si të bësh as edhe një veprim të denjë edhe po sakrifikove jetën. Në finalen e këtij teksti Migjeni duket sikur ndihet i shqetësuar nga ashpërsia me të cilën ia përplas lexuesit këtë absurd dramatik deri në grotesk dhe në mënyrë empatike tenton ta zbusë impaktin që krijon realiteti artistik, por edhe procedimi i tij surreal. Pra gjakon ta fusë edhe lexuesin e nivelit mesatar në zonën e double coding-ut të tekstit, për ta “miqësuar” me kapërcimin logjik: “Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike aspak damsjellse?” Dhe siç duket, këto kapërcime logjike janë logjika e vetme dhe më efikase për të kumtuar përmasat e vërteta të skenës dhe të personazhit. Ç’mund t’i themi këtij teksti? Fillim i një vepre të gjatë e të madhe? Thjesht, skicë?Kapriçio? Pikturë?Apo shpalosje sintetike e një pjese të kredos filozofike të autorit?Sepse motivi i trumcakut është rimarrë në një tjetër kohë, me gjykime më të zgjeruara dhe alternative e mbase edhe më të thelluara, te dorëshkrimi “Kanga e trumcakut”. Megjithëse dorëshkrimit i mungon faqja e parë, nuk është e vështirë të merret me mend ajo çfarë mund të jetë trajtuar në tekstin e munguar. Këtu kemi evoluimin e personazhit, që nuk e merr vetëvrasjen si të vetmen alternativë. Në rastin e vetvrasjes konflikti është me botën që e rrethon, me natyrën që s’është natyrë dhe jeta është e pamundur. Por tek “Kanga e trumcakut” jepet apo sprovohet alternativa e jetës. Dhe konflikti më së shumti është me veten. Në tekstin e munguar autori duket se e ka quajtur trumcakun e vetvrarë pa fat, sepse në fillim të dorëshkrimit të mbetur autori shprehet: “… i lodhun dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndron mbi degë. Me urrejtje shikon natyrën që s’e krijoi ma artistikisht. Me përbuzje vërente bilbilin. “Në ballafaqimin me fatin apo fatalitetin e vet, (pse trumcaku asht trumcak e nuk mund ta thotë kangën e bilbilit), trumcaku i “kangës” është shndërruar në një filozof jete. Por në një filozof dinak e pragmatist, cinik e faqezi. Sokrati i vuajtur është bërë gati një derr i kënaqur: “…trumcaku filozof e mundi trumcakun harbut.” Në këtë zhvendosje ontologjike, nga vetvrasja tekanga, Migjeni ruan kohezionin e një gjykimi në zhvillim, duke na shfaqur metamorfozën e individit të kushtëzuar nga nevoja për mbijetesë, përballjen e fatalitetit duke bjerrë me vetëdije idealizmin e tij dhe vlera të tjera, pra duke “kënduar” këngën banale të jetës së vet dhe duke iu nënshtruar paktit me djallin. Por këtu vjen paradoksi: për t’ia arritur kësaj duhet edhe një milion vjet. Një e ardhme e largët. Ndërkohë që ne e mendojmë të ardhmen si shpresë drejt përsosjes së individit, ajo na projektohet si stërmundim i gjatë drejt shpërbërjes së modelit nëpërmes një evolucioni që ecën së prapthi. Pra, nëse duam të jetojmë në natyrën që s’është natyrë, të mos vetëvritemi dhe të mos ua kemi zili njerëzve që na rrethojnë, duhet të mësohemi të këndojmë këngën e shpërfytyrimit.

ËSHTË DIKUSH TJETËR- Alfred Mehmeti

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ËSHTË DIKUSH TJETËR- Alfred Mehmeti

 

Është dikush tjetër që udhëton

në udhëtimin tonë.

 

Në rrugën e tij… jetët tona janë hapa,

në kohën e tij… jetët tona janë sekonda,

e shumta-e shumta… minuta,

minuta gëzimi, habije, lotësh e dhembjeje.

 

Skeletet tona janë gurë,

gurë që tejzgjaten në ujdhesën e kohës,

gurë ku dikush tjetër vendos shputat,

nga njëri breg për të kaluar në bregun tjetër. 

1 128 129 130 131 132 182
Go to Top