107 vjet më parë, më 13 tetor 1911, në Rrugicën e Fretënve, në Shkodër, lindi Migjeni
Zija Vukaj
Në traditën tonë është bërë rregull të mendojmë dhe të shkruajmë për vlerat dhe personalitetet vetëm në raste përvjetorësh. Kësisoj mendimet dhe shkrimet tona dalin të sforcuara, pllakateske, moralizuese, të lustruara me dashuri të çastit dhe me një lloj panegjerizmi të sheqerosur deri në kufijtë e neverisë. Madje, në rastin e një përvjetori apo të një përkujtimoreje gërmojmë për të gjetur detaje, imtësi dhe vogëlsi nga jeta e autorëve, duke i mbajtur këto të dhëna si xhevahire të çmuara, ndërkohë që në kontekstin e përgjithshëm të vlerave të veprave dhe të autorëve nuk kanë as edhe një peshë. Mendoj se kur flasim për Migjenin, nuk duhet të merremi më as me akronimin, as me markën e biçikletës si tij, as me gërmimin në fshatin e stërgjyshërve të tij dhe me gjëra të tjera që nuk kanë asnjëfarë vlere për argumentin që duam të trajtojmë. Duhet të kemi parasysh individin gjenial të botës sonë kulturore që tejkaloi epokat. Duhet të na burojnë së brendshmi ca pyetje, si përshembull: Kur do të ketë pasur kohë ky i ri të mendojë? Si projektohen copëzat e traktateve futuriste në veprën e tij? Si u njoh me rrymat më moderne të kohës? Si i doli koha të kulturohej aq shumë në mungesë të një shkollimi universitar? Ku ra në kontakt me Niçen, Shopenhauerin, Spenserin, Rembonë, Malarmenë, Verlenin etj? E ka njohur vërtet Majakovskin? Pse i ngjan së prapthi Aljoshës së “Vëllezërve Karamazov”? Cila ka qenë koha fzike e jetës së tij? Pse nuk na rezulton e zakonshme dinamika e ditëve të tij të kufizuara me dinamikën e ditëve të jetës sonë? etj., por së fundi, pse nuk ka asnjë ndjekës ky djalosh i ri gjenial në poezinë tonë?
Ai erdhi në letërsinë shqiptare në një kohë ku shoqëria dhe realiteti shqiptar ishte sëmurë kaq shumë, sa nuk kishte më nevojë për makijazhe, por për bisturinë e kirurgut. Dhe ky poet i vërtetë, që ngjan një luks i çuditshëm për botën tonë të atëhershme kulturore, madje edhe të sotme, ndau dy epokat: traditën e mbështetur në mitizimin, me modernen, që atij vetë i erdhi si revelatë hyjnore. Dhe këtu qëndron një pjesë e futurizmit të tij, në mos thelbi, që të kujton vargjet e Majakovskit, kur thoshte: “Poetë/ akoma nuk ju janë neveritur kaçubet e jargavanëve/ netët me hënë dhe skenat idilike”
Dhe kemi poetin e mjerimit, por edhe të rinisë. Poetin e dashurisë dhe të mbinjeriut. Mbi të gjitha, vështrimi i tij është kozmik. “Mbramë/qiella dhe yjt e vramë/ një ngjarje të trishtueshme panë…” Krimi që ndodh në tokë, pra, ka avokat dhe gjykatës vetëm qiellin. Dhimbjen e sheh kozmosi, por jo bashkëqytetarët. Dhe ja ç’balada ofron qyteti… Balada, legjenda, si ajo e misrit, apoteoza, ditirambe, bukuri që vret, sezone mizash e idhuj pa krena. Një realitet i mbushur me vrima interesante. Me sokratë të hibridizuar në derra. Dhe trumcaku bëhet melankolik, sepse ka lindur aty ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemëve brinat e një kafshe prehistorike. Vargu i tij është imazh. E ç’të jetë tjetër vargu poetik, në mos imazh? “Në çarçafë/ në fytyrë/ dhe në ndërgjegje danga. Ja imazhi që jepet nga fjala kyçe dangë. Oksimorat e tij blasfemuese janë të pashembullta në poetikën tonë dhe leksiku i tij poetik është i gjithi prozodi.Tamam si në poetikën e Rembosë, ku mjetet e gjuhës kanë një lloj pavarësie. Shpesh Migjeni është keqkuptuar për një soj heterodoksie jo vetëm në guximin e tij poetik, por edhe në formën që ka zgjedhur. Dhe kjo shpjegohet, jo vetëm me gjenialitetin dhe qartësinë e tij artistike, por edhe me të qenit një rini e përjetshme.
Më poshtë po jap përjetimet e mia për një nga prozat e tij. “Në sezonën e mizave”- një spleen migjenian
Çaste limontie, ku mendja dhe vullneti duken të topitura nën ngathtësinë dhe kotësinë e një jete të zbrazur dhe pa kuptim, të një kohe që është ndalur dhe nuk ka lëvizur qysh nga vitet e fëmijërisë, vihen në lëvizje nga fluturimi i një mize në dhomën e personazhit Hylli, tashmë i rritur e i shkolluar. Miza, kjo gjë e tepërt në planin hyjnuer, epifanizohet për të gërvishur në trurin e personazhit shtresën e harresës që ka krijuar distanca kohore me vitet e largëta të fëmijërisë dhe për të zbuluar mbresat që kanë fjetur aty. Dëshira për t’u kthyer mbrapsht në kohë, që pasqyrohet nga tundimi për të kapur mizën, si akti i rivendosjes së një lufte të ndërprerë prej kohësh, si dhe vetëdija e turpit për t’u sjellë si fëmijë, hapin siparin e sezonit të mizave në të tretën e fillores,kur mësuesi kishte shpallur zyrtarisht dhe moralisht para fëmijëve betejën ndaj mizave. “… kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza që do të ishin pjellë nga ajo një, deri në verë. E kur një nga nxansit pyeti a duhet me mbytë mizën femën a mashkull, mësuesit nuk di si iu ngatrrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë, duhej mbytë.” Ky dialog grotesk, ku Migjeni nuk harron “të përkëdhelë” paksa me ironinë e tij edhe hutimin dhe mediokritetin e mësuesit, është i mjaftueshëm për të paralajmëruar situatën absurde të luftës me mullinjtë e erës, që vjen më pas, realizuar me një antifrazë elegante mbushur me terminologji lufte. “Asaj pranvere, mbas fjalëve të mësuesit, gërsitshin tryezat, muret, arkat , karrigat nga shuplakat e nxanësve, të cilët me shtytjen e mësuesit u kishin shpallë luftë mizave. Ne nesre në shkollë secili tregonte sa sa anmiq ka mbytë, në ç’mënyrë, me ç’armë.” E kështu, bie perdja e skenës së largët dhe autori na rikthen në të tashmen në dhomën e Hyllit, ku gjallojnë dy personazhe. Miza dhe Hylli, asnjëri më i rëndësishëm apo i parëndësishëm se tjetri. Kjo është e qartë edhe për Hyllin, sepse ai heq dorë nga “mendimi vëllavrasës”, por edhe skena e jetës së tij, që i ngjan një pellgu me ujë të ndenjur, do të varfërohej edhe më shumë, sepse do të humbiste protagonistin, që kthehet në objekt soditjeje, meditimi, kujtimesh, pikëpyetjesh, neverie e deri në filozofime nën frymën pesimiste të ndikimeve të Shopenhauerit: (…) “…një mizë- dallëndyshe, lajmëtare e verës, sepse ai e ka bjerrë lajmin e ardhjes së pranverës (punë andrrash).”… Por miza nuk mbeti në naltësinë e vet të zakonshme, por filloi të zbresë ngadalë ndër sferat ma t’ulëta të dhomës.” (…) “Prej kah ka ardhë kjo mizë?… Domethanë se miza qenka nga shtëpia e kojshijes së bukur. Filloi Hylli me simpati ta shikojë mizën.” (…) “Miza, plehi, kojshia e bukur në një mbasdreke pranverore tingëlluen në një rapsodi- në rapsodinë e jetës sonë qytetare në një mbasdreke maji… Miza si miza, përzihet në punët e hueja dhe don ta bajë të vetën. Po ku janë xhanëm kompetentët? Njerëzit që marrin rroga për miza, ku janë? Deputetët, çka bajnë?” (…) “Hylli u frigsue mos t’i mbytet në kafe… I shkoi një rrënqethme neverie nëpër gurmaz.”(…) “…gëzimi asht vetëm pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë.”
Duke përdorur mizën si simbol kotësie, ngjan sikur gjithë skica është një transmodelim i shprehjes idiomatike “me vra miza”, përmes ngjyresës së të cilës jepet zbraztësia e jetës së një brezi të tërë, që nuk ia gjen kuptimin ekzistencës së vet dhe jeta e njeriut në këtë formë është vetëm një sezon i pështirë, ku koha ka ngrirë në një boshllëk absurd, nga ku nuk shihet asnjë perspektivë. Ideja e brezit që po jeton “nën flamujt e melankolisë” jepet nga futja në fund të skicës e personazhit të dytë, kolegut universitar të Hyllit. Kjo zgjidhje kompozicionale përbën një veçori stilistike të Migjenit, sepse e kemi parë edhe tek “Ngjarje pa lëvizje”, “Husarët në Adriatik”, “Programi i një reviste” etj. Por këtu ata të dy i ngjajnë Vladimirit dhe Estragonit, të dramës së famshme të Beketit “Duke pritur Godonë “…Kur qe në derë të dhomës, ia beh dikur shok lufte me mizat e sot kolegu universitar.
-Çka po ban, Hyll? Po xen miza- a? (Që mund të përkthehet: Po vazhdon të jetosh kot- a?)
-Asgja… Veç po mendoj se sa kot po jetojmë,- u përgjigj Hylli si gjithmonë.”
Sepse kolegu universitar, më së shumti dhe në thelb është shok i tij në luftë me mizat. Ai vetëm sa pyet kot, por nuk befasohet. Pothuajse është i përgatitur ta gjejë Hyllin duke vrarë miza, sepse me siguri edhe ai nga një “luftë” e tillë po vjen. Nga një luftë me kotësinë dhe me mungesën e perspektivës, e humbur prej një brezi dhe një shoqërie të tërë dhe e shndërruar tashmë në një letargji kombëtare. Brenda dhe jashtë dhomës, i njëjti realitet ku nuk ndodh asgjë dhe përmasat e individit njerëzor janë bërë sa të mizës. Ku janë “t’birt e shekullit të ri” me hovin e tyre të ngritur peshë? Cilat janë lufëtrat e reja ku ata do të ndeshen? Kush flijohet këtu, përpos vullnetit të pritshëm niçean për ngallënjimin e një shekulli të ri, që tashmë paraqitet i asgjësuar? Ngjan sikur edhe optimizmi i poetit ka marrë fund përballë këtij realiteti absurd, ku hiqet dorë edhe nga vrasja e një mize, sepse ajo përbën tashmë një “vëllavrasje”, aty ku melankolia ka ngritur flamujt e fitores. Por ne e dimë natyrën misionare të Migjenit dhe burimet alternative thuajse opozicionale të formimit të tij filozofik- nga optimizmi shpërthyes i frymëzuar nga trajtat e mbinjeriut të Niçes, deri tek pesimizmi i pashërueshëm hipokondrik i Shopenhauerit. Dhe autori i përdor në misionin e tij poetik dhe intelektual të dyja këto burime alternative, jo për të pasqyruar gjendje personale, por për të trokitur në shpirtin e shqiptarëve, për t’i shkundur ndërgjegjet e brezit të vet, i kushtëzuar nga njohjet e realitetit dhe dinamikat e jetës. Ky lloj spleen-i bëhet një alarm dhe për ta kuptuar e përjetuar si të tillë duhet dhënë në ato përmasa alarmuese që e gjejmë edhe tek poezia “Nën flamujt e melankolisë”. Ndërkohë që Migjeni shkëlqen në prozat e tij poetike, në këtë poezi kemi të kundërtën, poezinë prozaike: pa muzikalitet, pa kadencë poetike, me një ritëm mjeran, që është pasqyrë e ritmit të një jete që të lemeris me inercinë dhe prozaizmin e vet. Një pellg ekzistencial, mbi cipën e sipërfaqes së të cilit nuk ka asnjë dallgëzim sado të vogël:
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Edhe nëse përpjekjet “për të qitë në dritë një xhind” (hija tashmë e zbehtë e mbinjeriut) apo ëndrrat për të dalë nga qerthulli nuk janë shuar, ato tashmë janë të vyshkura, të keqorientuara dhe gati qesharake.
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Në të dyja rastet, si te proza, ku i jepet kuptim fluturimit të mizës, sepse ajo është alegoria e lëvizjeve dhe e përpjekjeve të njeriut të kohës drejt ndryshimit dhe për të lexuar realitetin nuk ke nevojë të dalësh nga hapësira e dhomës, ashtu edhe te poezia prozaike, aty ku spleen-i ka fituar betejën dhe ka ngritur flamujt, autori na ka dhënë tablonë e një gjendjeje tragjikomike, të padurueshme, mbytëse dhe absurde, të padenjë për individin. Një gjendje larg çdo ideali njerëzor. Një dramë kolektive në Waste Land-in shqiptar. Kush pritet të vijë? Çfarë presim të na sjellë? Deri kur duhet të presim që të shkundemi nga letargjia dhe përpjekjet tona të mos prodhojnë gjëra qesharake? Këto nuk janë pyetje që autori i bën direkt, por nuk ka lexues, tek i cili të mos provokohet mendimi për të projektuar përgjigjet e tyre.