Të dalim të presim Migjenin-Mitrush Kuteli

in Letërsi by

 

Po vjen midis nesh, poeti vetë mbi krahët e fjalës së tij.

T’i dalim përpara ta presim.

-Mirë se vjen vëlla!

Mitrush Kuteli

Një lajm i mirë për lëçitësin shqiptar: Komisjoni për shqyrtimin e librave, që vepëron pranë Ministrisë së Kulturës Popullore, dha pëlqimin e vet për qarkullimin e Vargjeve të lira të Migjenit.

Vargjet e lira! Një histori më vete kjo e Millosh Gjok Nikollës. Mburoi nga një shpirt i bardhë, sulmin e të cilit për drejtësi e liri nuk ja pat ndalur as dogmatika e theologjive, as statika e trajtave të fjetura dhe as balta e sëmurë që i përbënte trupin e tij.Bota shqiptare i njihte këto vjersha, sepse ishin shtypur edhe rishtypur në revistat e kohës. Po bota desh më shumë. Desh një përmbledhje të plotë.

Paradoksale kjo botë shqiptare! Asohere nuk kish blojtur édhe (édhe as sot!) edicionin prej 500 copë të Valles së Yjve të Lasgush Poradecit, dhe kërkonte një përmbledhje tjatër vjershash.

Edhe Migjeni iu përul këtij vullneti: Vuri në shtyp Vargjet e lira. Asohere s’kish dalë në botë editori shqipëtar. Sidoqoftë, për Migjenin, jo. Duhej pra që vetë autori të jepte paratë e shtypjes. Edhe këtë e bëri poeti. Ish asohere mësonjës në Pukë. Pra nëpunës, me rrogë të ultë që e merrte, si pas mënyrave të ahershme, në dy-tre muaj një herë. Së këndejmi këputi paradhënien e dërguar me dorë miku shtypëshkronjës. Të hollat e tija: kursimet e bukës e të ilaçeve që i duheshin aqe fort një trupi të sëmurë!

Kjo ngjiste më 1936.

Lëftohej asohere në Spanjë, për të provuar armët e reja; bërtitej në Piazza Vemezia, sa dridhej gjithë bota; kurse shtypit shqiptar (ku jini gazetaxhinj ku jini?) i binte zalija dyke lëvduar Aleaten e madhe dhe shpirtimadhërinë e Konti Ciano…Në Shqipëri kishte ardhur asohere në Shqipëri qeverija e Mehdi Frashërit. Ministër i Brendëshmë ish Et’hem Totua. Frynte një fllad liberalizmi dhe lirije. Rriheshin në shtyp mendime të mëdha. Kish rilindur lirija e fjalës dhe e shkrimit. Ndër këto rrethana i vuri Migjeni në shtyp Vargjet e tija. Vetë caktoi formatin e librës, vetë zgjodhi kartën, vetë i bëri korrekturat. Ay në Shkodër, libra në Tiranë-po edhe kësilloj puna mbarohej. Ish i nxituar fort me nxjerrjen e kësaj libre, sepse ndjesija e tij, e hollë parashihte ré të zeza. Mbase munt të parashihte edhe Torre Pellice-n e Italisë, ku duhej të shuhej në Gushtin e vitit nëntë qint e tridhjet e tetë. Të lutem fort nxitoju të më dalë libra, i pat dërguar fjalë shtypëshkronjës. Ja, po të çoj edhe një pjesë të çmimit. Paratë e siringave këto të Milloshit që duhej të bëheshin kartë e shtypur për të përhapur fjalën e tija.Dhe përpara se të mbarohej libra (i mungonte kolla e fundit dhe kopertina!) ra nga fuqija qeveria e Mehdi Frashërit edhe vazhduan ngjarjet e Gjirokastrës. Iku lirija e shtypit si ik rrezja e djellit, kur i del përpara reja e zezë.

Dhe kësilloj nuk u dëgjua kënga e fundit e Mjellmës shqipëtare.

Vargjet e lira, të pambaruara, hynë në burgun e qilareve, ku marimangat edhe këmbë-shumjet iu bënë miq e shokë.Vetë Millosh Gjok Nikolla u nis për nj’atë rrugë të gjatë ku kemi për të vajtur-shpejt a von-ne të gjithë.Kjo pat ngjarë, më 26 të Gushtit 1938, në Torre Pellice, ku kish vajtur për një rreze djelli e për një fije erë më të pastër për nj’ato mushkërit e tija të lodhura fort. Nuk kish asohere as njëzet e shtatë vjet…Po ç’janë vjetët përpara talentit? Ç’janë vjetët përpara zjarrit që rreh së brendëshmi? Ç’janë vjetët përpara një shpirt të math?

Asgjë!

Dhe pikërisht kjo asgjë nuk e ndaloi Migjenin të jetë poet me gjith se ish i ri fort.Poet sepse e njomi pendën jo në trajtat konvencionale të një arti konvencional, po në nj’atë mellanin e dhembjes së vërtetë, të dhembjes të të gjithëve, për të mjerë e të mjeruarit, me një gjenerozitet e sulm të pa shoq. Kësaj dhembje për të cilën kërkonte jo mëshirë, po liri, Migjeni i gjeti edhe trajtën buçitëse të vargut të lirë.Sikur se një esencë e lartë fort s’ka se qysh të mbahet për gjithmonë nënë tokë, ashtu edhe fjala e Migjenit nuk u ndal të dalë nga t’errtit e qilareve. U kopjua e u shumua me dorë-si bëhej edhe me vjershat e Fan. S. Nolit-edhe u përhap kudo.

Dhe tani në këtë fillim parvere ku rin bari mbi varrin e Torre Pellice-s, po derdhet, e lirë, fjala e të vdekurit në botën shqiptare.

…dhe pranvera erdhi…

Nëpër ftyra t’ona rrëshqiti një gëzim dhe ndër zëmra t’ona ngrehi një folé e një jetë e bukur,

e një jetë e ré me dëshira të shumta po buzqeshë në lulëzim.…

dhe dallndyshja erdhi…

Po vjen midis nesh, poeti vetë mbi krahët e fjalës së tij.

T’i dalim përpara ta presim.

-Mirë se vjen vëlla!

15 Mars, 1944

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top