Vetvrasja e trumcakut-Homazh për Migjenin/Zija Vukaj

in Letërsi/Tirana Review by

Kapërcim logjik nga vetvrasja te “kanga” e trumcakut

Zija Vukaj 

Në skicën “Vetvrasja e trumcakut’ ndeshemi për herë të parë në letërsinë shqiptare me surrealizmin. Brenda hapësirave të vogla të këtij etydi autori ka marrë pozicionin e krijesës dhe të Krijuesit. Drama e trumcakut është tragjedi. Tragjedi moderne ekzistenciale. Procedimi artistik është sa surreal, aq edhe i guximshëm. Vetë autorit i duket e parakohshme për nivelin e lexuesit shqiptar, sepse fut fenomenin e kapërcimit logjik, që me sa duket është togfjalëshi më i saktë dhe i përshtatshëm për të shpjeguar fjalën surrealizëm, i pabindur mirë nëse do të kuptohet dhe ndërgjegjja e tij prej krijuesi tejpamës zbret në nivelin e shpjegimit të tekstit të vet: (Çka janë këto kapërcime logjike? Ka me bërtitë ndokush.)  Mos pyesni si e tek u gjet trumcaku n’at vend dhe si e tek u gjet njeriu në këtë pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… t’bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A e shifni? Një fjalë magjike! Hokus- pokus! Sa bukur! Dhe unë thashë: të lindet trumcaku në një vend, ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve – brinat e një kafshe prehistorike.” Këto dy nivele krijimi: Zoti krijoi Migjenin dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një pikë e çdo të kozmosit, ky krijoi trumcakun dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një antibotë, që nuk ofron asgjë, madje as aq sa i duhet një trumcaku për të jetuar; që të dyja arbitrare (sipas autorit), realizuar nga Zoti i madh dhe zoti i vogël, shprehin edhe kredon filozofike, thelbin dhe vijën ndarëse mes dy degëve të ekzistencializmit dhe unisonin e autorit me bashkëkohësit e vet evropianë, përfaqësues të ekzistencializmit ateist, që krijuan realitete artistike, si ai i “Procesit”, “Metamorfozës” “Murtajës” dhe personazhe si Jozef K, Merso, Gregor Zamza etj., të zhytur në qerthullin fatal e pa rrugëdalje të jetës. Fatalitet ose ironi e fatit, që paralajmërohet edhe nga mbititulli “Rrota e jetës”. Antimaterien artistike autori e ka vizatuar me dy penelata, që janë të mjaftueshme për të dhënë të plota dimensionet e ferrit social (natyra që nuk mund të quhet natyrë): qimet e derrit dhe brinat e një kafshe prehistorike, sepse kjo prehistoria është torturuese për autorin futurist në të gjitha kuptimet, kurse trumcaku jepet që në fillim i humanizuar, pra një qenie sociale (bëhet melankolik). Në këtë habitat infernal, të denjë për vegimin dantesk, luhet drama e individit që nuk ka asnjë shpëtim dhe robinsonada e tij është e paralajmëruar të dështojë pa nisur. Loja simbolike është tepër e thjeshtë, gati pa nëntekst, sepse gjithkush e di se cili është trumcaku dhe vendi apo fati i tij (thuajse autobiografi), por edhe këtu kemi Migjenin çmitizues. Pse trumcaku? Një zog pa simbolikë, pa romancë, pa lavdinë e shqiponjës apo të albatrosit, pa zymtësinë e korbit apo kotësinë e sorrës, pa muzikën e bilbilit apo të laureshës, pa misterin dhe bukurinë e pëllumbit, pa krekosjen e gjelit. Pa ngjyra të ndezura. Pa asgjë mitike. E zakonshmja dhe e përditshmja vetë, por më konkretja, më e besueshmja, individi mesatar. Mimetizmi, si dukuri biologjike, bëhet aleati i autorit. Ambienti të jep ngjyrën e vet të murrme, aspak romantike. Por trumcaku është gjëja më e vërtetë, ajo që të bind më shumë, tipikja, e përgjithshmja, e zakonshmja, modestja. Kësisoj është drama e vërtetë sociale. Ndërsa vetëvrasja, përveç revoltës, ka ndër të tjera dy aspekte: së pari, është një vetëvrasje që kufizon me heroizmin, me respektin e individit ndaj vetes. Reagim ekstrem dhe fatal. Si e tillë kthehet në tragjedi: cicrroi një herë, cicrroi dy herë, cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimbave të tij. Mos vallë cicrrimat e tij janë akoma çastet dilematike para vetvrasjes; apo piskamat dhe klithjet alarmuese që vajtojnë dhe akuzojnë këtë realitet dhe që duhen transmetuar diku. Mbase edhe një lloj egoizmi për të mos ikur pa u vënë re dhe njëlloj përmallimi për jetën e humbur. Klithma e fundit, e gjatë, me jehona kozmike, që del nga shpirti i autorit, kumbon thekshëm në çdo shpirt, si një testament tragjik. Aspekti i dytë, prapë çmitizues, ka të bëjë me kundrimin e kësaj vdekjeje si diçka cinike. Më së shumti një hara-kiri. Një bjerrje e heroizmit, që jepet nga pamja e erës që luan me puplat e trumcakut të ngulur në heshtën- qime derri, që sillet si gjeli metalik sipër oxhaqeve tona. Ja sa vlen heroizmi. Këtu, duket sikur na thotë autori, s’ke si të rrosh dhe s’ke si të bësh as edhe një veprim të denjë edhe po sakrifikove jetën. Në finalen e këtij teksti Migjeni duket sikur ndihet i shqetësuar nga ashpërsia me të cilën ia përplas lexuesit këtë absurd dramatik deri në grotesk dhe në mënyrë empatike tenton ta zbusë impaktin që krijon realiteti artistik, por edhe procedimi i tij surreal. Pra gjakon ta fusë edhe lexuesin e nivelit mesatar në zonën e double coding-ut të tekstit, për ta “miqësuar” me kapërcimin logjik: “Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike aspak damsjellse?” Dhe siç duket, këto kapërcime logjike janë logjika e vetme dhe më efikase për të kumtuar përmasat e vërteta të skenës dhe të personazhit. Ç’mund t’i themi këtij teksti? Fillim i një vepre të gjatë e të madhe? Thjesht, skicë?Kapriçio? Pikturë?Apo shpalosje sintetike e një pjese të kredos filozofike të autorit?Sepse motivi i trumcakut është rimarrë në një tjetër kohë, me gjykime më të zgjeruara dhe alternative e mbase edhe më të thelluara, te dorëshkrimi “Kanga e trumcakut”. Megjithëse dorëshkrimit i mungon faqja e parë, nuk është e vështirë të merret me mend ajo çfarë mund të jetë trajtuar në tekstin e munguar. Këtu kemi evoluimin e personazhit, që nuk e merr vetëvrasjen si të vetmen alternativë. Në rastin e vetvrasjes konflikti është me botën që e rrethon, me natyrën që s’është natyrë dhe jeta është e pamundur. Por tek “Kanga e trumcakut” jepet apo sprovohet alternativa e jetës. Dhe konflikti më së shumti është me veten. Në tekstin e munguar autori duket se e ka quajtur trumcakun e vetvrarë pa fat, sepse në fillim të dorëshkrimit të mbetur autori shprehet: “… i lodhun dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndron mbi degë. Me urrejtje shikon natyrën që s’e krijoi ma artistikisht. Me përbuzje vërente bilbilin. “Në ballafaqimin me fatin apo fatalitetin e vet, (pse trumcaku asht trumcak e nuk mund ta thotë kangën e bilbilit), trumcaku i “kangës” është shndërruar në një filozof jete. Por në një filozof dinak e pragmatist, cinik e faqezi. Sokrati i vuajtur është bërë gati një derr i kënaqur: “…trumcaku filozof e mundi trumcakun harbut.” Në këtë zhvendosje ontologjike, nga vetvrasja tekanga, Migjeni ruan kohezionin e një gjykimi në zhvillim, duke na shfaqur metamorfozën e individit të kushtëzuar nga nevoja për mbijetesë, përballjen e fatalitetit duke bjerrë me vetëdije idealizmin e tij dhe vlera të tjera, pra duke “kënduar” këngën banale të jetës së vet dhe duke iu nënshtruar paktit me djallin. Por këtu vjen paradoksi: për t’ia arritur kësaj duhet edhe një milion vjet. Një e ardhme e largët. Ndërkohë që ne e mendojmë të ardhmen si shpresë drejt përsosjes së individit, ajo na projektohet si stërmundim i gjatë drejt shpërbërjes së modelit nëpërmes një evolucioni që ecën së prapthi. Pra, nëse duam të jetojmë në natyrën që s’është natyrë, të mos vetëvritemi dhe të mos ua kemi zili njerëzve që na rrethojnë, duhet të mësohemi të këndojmë këngën e shpërfytyrimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top