Te varri i lirisë-Fatos Arapi

in Letërsi/Tharm by

Ajo që më bën përshtypje në jetëshkrimin e poetit Fatos Arapi, është fakti që ai nuk ka marrë asnjë çmim zyrtar nga Republika e Shqipërisë. E nëse kjo mungesë vinte për shkak të biografisë së tij, askush nuk pengonte askënd që ta vinte në vend këtë padrejtësi pas rënies së diktaturës. Por shteti ynë as atëherë nuk e bëri këtë. Siç duket dikush ka qenë mjaft i interesuar ta mbajë përherë të spastruar majën e Olimpit.

Ju ftoj të lexoni këtë poezi të tij. Kur e kam lexuar për herë të parë, pa emrin e autorit poshtë, kam  menduar se do të ishte shkruar prej një poeti të pas 90-ës, dhe u surprizova mjaft (dhe bukur) kur mësova se ishte e Fatos Arapit, lindur në vitin “e largët” 1929.

Një poezi tronditëse, aspak skematike dhe në kuptimin e plotë të fjalës MODERNE.

Ja që viti i lindjes nuk ka asnjë lidhje me lirinë e brendshme të individit (në këtë rast; poetit).

Këto ditë mediat sociale po gëlojnë me poezitë e tij, dhe me cilësime si; “Më i madhi”, “Më i miri,” “Më shkëlqyeri” (shqiptarët i pëlqejnë shumë cilësimet përjashtuese), por unë do t’iu thosha këtyre njerëzve: – Kujtohuni për shkrimtarët e poetët sa janë gjallë, duajini dhe kujdesuni për ta, sepse pas vdekjes i gjithë ky lum dashurie atyre nuk u hyn në punë!…

Arlinda Guma

Te varri i lirisë-Fatos Arapi

Fryn erë me shi, motra ime
U shuan qirinjtë e varreve pranë
Erë me shi
Qiririn tënd të ndezur
Mbroj me grushtet e mia
Takohemi vetëm në këtë ditë
U bëmë lot qiriri motra ime
Dridhemi si kjo flakëz e drojtur
Ti më flet: aty poshtë ka njerëz
Është një plak këtu pranë
Kërkon thikën të qërojë mollën
E do, nuk e gjen, ky poet, miku im
Ka lënë gjurmën e vargut pa shkruar
“Një kafe pa ty në Tiranë”
I ka humbur unaza një nuseje
E kërkon me frikë nusëria
Errësirë aty poshtë
Terri njeh vetëm gjuhën e dritës
Me qiririn tënd ndër duar
Kaloj varr më varr dhe ndez
Qirinjtë e shuar 
Pak dritë prej shpirtit
Një fëmijë aty pranë
Kërkon lodrën që i ka humbur
Motra ime

 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top