Fundi i palavdishëm i Magelanit

in Meqë ra fjala by

U vra para se të përfundonte udhëtimin e tij përreth tokës. Ia dolën 18 burra të mbetur nga ekuipazhi

6 Shtator, 1522.

Një anije e vogël, e bllokuar nga valët dhe vështirësitë e detit të gjerë, ankorohet në portin e Seviljes. 18 burra ndodheshin në hambaret e Victoria-s. Kur udhëtimi filloi, ishin 45. Megjithatë, kishte kishte arritur të pamundurën. U bë anija e parë që përfundoi me sukses udhëtimin rreth tokës.

Më 20 Shtator, 1519, familja mbretërore spanjolle sponsorizoi një mision ambicioz dhe të rrezikshëm. Do të dërgonte pesë anije të një ndërtimi të ngjashëm për të bërë xhiron e botës. Njëra prej tyre ishte Victoria. Anijet ishin relativisht të vogla dhe në pamje të parë nuk dukeshin të afta për të kryer detyrën që u ishte besuar. Peshonin më pak se 150 tonë, gjatësia e tyre ishte 20-23 metra dhe gjerësia nuk kalonte 7 metra. Në këtë hapësirë të kufizuar duhej të jetonin 45 deri në 60 njerëz. Në total, ekuipazhi i të pesë anijeve ishte 245 burra. Victoria kishte 45. Kapiten i anijes më të madhe, Trinidad, dhe në krye të misionit, ishte Magelani. Kushtet ishin të vështira. Vetëm kapiteni kishte dhomën e tij, të tjerët flinin në kuvertë, të ekspozuar ndaj erës dhe shiut. Për më tepër, ushqimi ishte i kufizuar. Ushqimi i tyre ishte i varfër dhe përbëhej kryesisht nga bishtajore, arra, bukë dhe verë. Bashkëjetesa e anëtarëve të ekuipazhit ishte gjithashtu e tensionuar. Ndërsa javët rridhnin, polemikat, grindjet dhe konfliktet intensifikoheshin. Vështirësitë nuk vonuan shumë të shfaqeshin. Brenda një kohe të shkurtër, më shumë se pesëdhjetë burra vdiqën nga sëmundjet dhe uria. Është karakteristike që në kohë dëshpërimi të madh, shumë kishin arritur deri në atë pikë sa të hanin lëkurët e armaturave, krimba, minj dhe madje edhe tallashin nga druri, për të mos vdekur. Më 31 Mars, 1520, pesë anijet, megjithë humbjet, arritën në Patagoni, Argjentinë, ku vendosën të kalojnë dimrin. Atje, tashmë në tokë, grindjet që ishin kultivuar gjatë gjithë këtyre muajve dolën në sipërfaqe. Disa nga kapitenët dolën kundër Magelanit. Me mashtrime, arritën të merrnin nën kontroll tre nga pesë anijet, përfshirë “Victoria”, ndërsa vranë “dorën e djathtë” të detarit të madh, kur u përpoq të negociojë me ta. Përfundimisht, Magelani arriti ta rimarrë Victoria-n. Sidoqoftë, nuk mund të shpëtonte dy të tjerat. Anija e dytë u fundos, ndërsa tjetra u kthye për në Spanjë. Kështu, udhëtimi vazhdoi me tre anije. Në pranverën e vitit 1521, një tjetër ngjarje tragjike do të shënjonte ekspeditën. Karvani kishte zbarkuar në Filipine dhe kishte rënë në kontakt me vendasit. Në fakt, Magelani dëshironte të pajtonte dy fise indigjene armiqësore. Gjatë përpjekjes së tij, vendasit e vranë në ishullin Maktan. Në të njëjtën kohë, burrat e misionit u detyruan të digjnin Concesion-in, pasi ekuipazhi nuk ishte më i mjaftueshëm për të mirëmbajtur tre anije. Menduan se ishte më mirë të ndahej midis Victoria-s dhe Trinidad-id. Kështu, në Prill, 1521 misioni mbeti pa kapiten dhe anijet e mbetura ishin vetëm dy. Vendin e Magelanit e zuri Juan Sebastian Elkano. Kapiteni i ri arriti të drejtonte dy anijet deri në Moluccas të Indonezisë. Aty duhej të merrte një vendim të vështirë. Gjykoi se në ”Trinitad” po depërtonte uji nga shumë pika dhe ishte e rrezikshme të vazhdonte. Kështu e lidhi anijen në një port lokal për t’u riparuar dhe i vari të gjitha shpresat te Victoria. Si përfundim detari ambicioz pati sukses. Më 6 Shtator 1522, Victoria lundroi përsëri, pas tre viteve mungesë, në ujërat spanjolle. Nga 251 burra që kishin marrë pjesë në mision, vetëm 18 u kthyen me Victoria-n. Pritja e saj ishte solemne. Mbi të gjitha, arritja që kishte shënuar ishte jashtëzakonisht e madhe. Victoria u bë anija e parë që përfundoi me sukses xhiron e tokës, duke hedhur themelet e bashkimit tregtar dhe kulturor të Europës, Azisë dhe Amerikës. Falë udhëtimit të “Victoria”-s, u konfirmua lakimi i tokës, se Amerika ishte një kontinent i veçantë, dhe më e rëndësishmja, u mund të hartëzohej bota e atëhershme me shumë saktësi. Në thelb, “Victoria” shënoi fillimin e globalizmit, duke hartografuar rrugët detare dhe i solli për herë të parë njeriut perëndimor një pamje të saktë të planetit në të cilin jeton.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Meqë ra fjala

Go to Top