Mosdija, mosdashja dhe mjerimi i një shkrim-porosie/Granit Zela

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Për Kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, pas shkrim-porosisë së tij për përkthyesit…

 Granit Zela

Kam lexuar, me shumë shqetësim, në Shtator të këtij viti, një shkrim-porosi të titulluar:“Për përkthyesit…”, ku disa opinione, sugjerime e mendime të Kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, zotit Petrit Ymeri, lidhur me vënien në pah të disa praktikave të mira, vlerësimin material, dhe më tutje; për të drejtat e përkthyesit, janë amatore, të nxituara dhe pa njohjen e duhur, e si rrjedhim, të gabuara.

Së pari, zoti Ymeri nënvizon se “në Shqipëri ka pasur dhe ka, vlerësim shumë të madh, deri në nderim, për përkthyesit.” Nuk është e qartë se çfarë nënkupton ai me këtë, pasi nuk jep asnjë shembull konkret, por vetëm liston emra punëtorësh të palodhur të gjuhës shqipe. Një ndër këta përkthyes të nderuar, që zoti Ymeri përmend, përkthyesi Shpëtim Çuçka, në shkrimin e tij të Qershorit të këtij viti, me titull:“Mjerimi i kulturës dhe përkthimi”, shkruan se mund të thuhet me siguri të plotë që përkthimi është ndër veprimtaritë intelektuale më të shpërfillura. “Në diskutimet për përkthimin mbizotërojnë fjalët e përgjithshme, përmendet më të rrallë, si për ilustrim, ndonjë dukuri e gabuar, e veçantë, e cila nuk përbën një të metë dalluese vetëm për përkthimet tona, renditen thatë ca emra mjeshtrash të së kaluarës, përcjellë me ndonjë epitet tejet të ngrënë.” Në fakt shkrimi i përkthyesit Çuçka është tejet i saktë, madje profetik, sepse epitet më të ngrënë se ky që përdor Zoti Ymeri nuk ka, dhe shkrim-porosia e tij ka si synim të shtjellojë disa dukuri të gabuara dhe të veçanta që ai i paskësh pikasur në diskutimet që janë bërë kohët e fundit për përkthimin, diskutime që ai synon t’i sjellë në rrugën e duhur, duke iluminuar publikun, i cili kishte gjasa “të çoroditej”, sikur ai të mos e ndërmerrte këtë hap parandalues.

Së dyti, në shkrim-porosi thuhet se “për sa i përket vlerësimit material, mund të them pa asnjë ngurrim, që nuk është ai i merituari, krahasimisht me punën e madhe që bëhet. Por për fat të keq, na takon të gjithëve të përballojmë pasojat e një tregu të vogël e të varfër.” Dhe menjëherë pas këtij konstatimi, pjesërisht të vërtetë, Zoti Ymeri jep lajmin e bujshëm: “Duhet thënë që vitet e fundit është përmirësuar niveli i pagesave për përkthimin.” Sipas Zotit Ymeri, “Një mbështetje relativisht e mirë për veprimtarinë botuese, rrjedhimisht edhe të përkthyesve, kanë qenë dhe janë bashkëpunimet me institucionet e shumta europiane që mbështesin përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të veprave dhe autorëve të huaj. Kjo gjë natyrisht ka përmirësuar nivelin e pagesave të honorarëve të përkthimit.” Por edhe në këtë rast, Zoti Ymeri nuk e mbështet e as e ilustron atë që shkruan. Unë si lexues duhet të marr me mend se sa është numri i institucioneve të shumta evropiane që mbështesin përkthimin, sa është niveli i pagesave të përkthimit në këtë rast. Krahasimi i pagesave që këto instuticione bëjnë përkthimin me pagesat që bëjnë shtëpitë botuese shqiptare ndoshta do të nxirrte në pah gjendjen reale të nivelit të pagesave të përkthimit letrar në Shqipëri.

Nëse zoti Ymeri e ka fjalën për projektin e përkthimit letrar, të mbështetur nga Programi Evropa Krijuese, ky program mbështeti përkthimin e dhjetë veprave letrare evropiane në shqip, çka do të thotë se dhjetë përkthyes morën një vlerësim material të merituar. Por gjëja më absurde në këtë rast është që një projekt përkthimi e menaxhon Shoqata e Botuesve dhe vetë zoti Ymeri, ngaqë nuk ka Shoqatë të Përthyesve, dhe në takime të tilla botuesit e nisin të flasin për problematikat dhe satusin e përkthyesit dhe e bitisin duke folur për problematikat e botuesve dhe statusin e botuesve. Dhe nuk janë përkthyesit ata që e paraqesin projektin por botuesit, a thua se përkthyesit janë qenie inferiore të padenja për të folur për këto gjëra.

Zoti Ymeri mund të kishte përmendur pagesën e merituar që përkthyesit shqiptarë marrin nga Rrjeti Traduki, dhe të nënvizonte faktin se në fillim kontratat lidheshin me shtëpitë botuese dhe një pjesë e pagesës së përkthyesit përvetësohej në mënyrë të paligjshme dhe të padenjë nga ato, duke ua dhënë vetëm pjesërisht honorarin përkthyesve.  Në vitin 2014, Ministria e Kulturës nënshkroi zyrtarisht një marrëveshje me Rrjetin TRADUKI dhe po këtë vit hapi Fondin për Përkthimin Letrar (FPL) dhe sikurse e bëri praktikë TRADUKI më pas, mbështetja financiare u bë duke i bërë kontratat direkt me përkthyesit.

Së treti, Zoti Ymeri, sqaron një pohim tjetër “të gabuar”, duke shkruar se vënia e emrit të përkthyesit në ballinën e librit nuk kërkohet nga Creative Europe, por vetëm biografia në fund të librit të përkthyer dhe se: “Çështja e evidentimit të emrit të Përkthyesit në kopertinë, është e një rëndësie shumë relative. ….shumë e rrallë dhe, për mendimin tonë, e ekzagjeruar!” Ajo që biznesmeni në fjalë nuk do të kuptojë në këtë rast, është se përfshirja e biografisë së përkthyesit në fund të librit të përkthyer dhe vënia e emrit të tij në ballinën e librit hyn tek ato që quhen “praktika të mira” në fushën e përkthimit dhe synojnë rritjen e rëndësisë dhe forcimin e pozitës së përkthyesit. TRADUKI ngul këmbë që emri i përkthyesit të jetë në faqe të parë. Është fakt që një praktikë po bëhet gjithnjë e më e dendur, shembull i saj në Shqipëri është shtëpia Botuese “PEGI”. Bota editoriale evropiane nuk e sheh kurrsesi marrëdhënien Shtëpi Botuese – Përkthyes si “një punë që propozohet dhe pranohet ose jo, me disa kushte të caktuara, dhe e cila përfundohet në Kontratë Porosie përkthimi, ku ajo që negociohet janë vetëm tarifa e pagesës dhe koha e dorëzimit, siç e shpreh me arrogancë zoti Ymeri. Kur lexon se si e sheh këtë marrëdhënie biznesmeni Ymeri, më shumë të krijohet përshtypja se ai është pronari i ndonjë firme ndërtimi se sa pronari i ndonjë shtëpie botuese, se kryetari i një shoqate botuesisht jo se jo.

Së katërti, zoti Ymeri, jep mendime që janë amatore, të nxituara dhe pa njohjen e duhur, e si rrjedhim, të gabuara, kur flet për “të drejtat e përkthyesit”, siç i vë në thonjëza në krye të shkrimit ai, duke sqaruar opinionin publik dhe përkthyesit se:“Nuk ekziston askund e drejta e përkthyesit mbi përkthimin e bërë.” Madje zoti Ymeri të çudit, kur për ta provuar këtë thotë se ekzistoka një kontratë e njohur ndërkombëtarisht: “Deed of Translation Assigment” , e cila i bllokoka në mënyrë totale pretendimet e përkthyesit (nëse ka).”

E vërteta është krejt e kundërt! Qasja evropiane sot është ajo e përmirësimit të gjendjes ekonomike, shoqërore dhe ligjore të përkthyesit dhe për krijimin e një gjendjeje më të mirë të përkthimit në Evropë, duke theksuar se ai është aktivitet dhe proces krijues. Kjo qasje thekson mbrojtjen e të drejtës së autorit të përkthyesve (literary translators’ copyright), e cila po kërkohet të përfshijë edhe veprat e artit në format digjitale. Në nivel kombëtar, kjo do të thotë krijimi i hapësirave ligjore për të drejtën e autorit të përkthimit, të parashikuar në kontratën e përkthimit. Në aspektin e të drejtës së autorësisë mbi përkthimin, ndryshimet ligjore janë bërë në përputhje me Konventën e Bernës Për Mbrojtjen e Veprave Letrare dhe Artistike, (1886), e cila është marrëveshje ndërkombëtare në fushën e të drejtave të autorit, Koventë e nënshkruar nga 164 vende, ndër to edhe Shqipëria. Kjo Konventë dhe rrjedhimisht të gjithë vendet nënshkruese njohin të drejtën e autorësisë së Veprave të prejardhura” ku përfshihet edhe përkthimi. Pra e drejta e autorësisë mbi përkthimin ekziston, ajo është e shprehur qartë, e nënshkruar nga 164 vende.

Pra në konventën e Bernës është pranuar e drejta e përkthyesit për të pasur titullin e autorit për punët përkthimore të kryera prej tij në paragrafin 2 të nenit 2, ku përcaktohet e drejta morale e juridike e përkthyesit si autor, duke e mbrojtur si vepra origjinale, pa paragjykuar të drejtat e autorit të veprës origjinale, përkthimet.

Marrëveshja e Konventës së Bernës, është amenduar disa herë, Berlin, 1908, Romë, 1928, Bruksel 1948, Stokholm 1967 dhe Paris 1971. Firmëtarët e Konventës përbëjnë Unionin e Bernës për Të Drejtën e Autorit. Të gjithë amendimet u janë referuar Rekomandimeve mbi Mbrojtjen Ligjore të Përkthyesve e Përkthimeve dhe Praktikat për përmirësimin e Statusit të përkthyesit, të datës 22 Nëntor, 1976, të UNESCO-s.

E drejta e autorësisë së përkthimit ishte e rekomanduar për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian dhe u reflektua në Ligjin për të Drejtat e Autorit, kjo e drejtë mbrohet ne nenin 9.  Aty thuhet shprehimisht se:

Veprat e prejardhura janë krijime intelektuale, që realizohen duke u bazuar në një ose disa vepra që kanë ekzistuar më parë, si përkthimet, përshtatjet, aranzhimet muzikore, ilustrimet, dokumentarët, riprodhimet artistike, faqet e internetit me të dhëna statike ose ndërvepruese, si dhe ndryshime të tjera të krijimeve/veprave letrare, shkencore ose artistike origjinale, që mund të transformohen, të rimodelohen ose të përshtaten, dhe të cilat mbrohen si krijime/vepra origjinale në mënyrë të pavarur nga të drejtat e autorit të krijimit origjinal.” 

Në përputhje me detyrime të tilla, praktika e TRADUKIT sot është që të rekomandojë që emri i përkhtyesit të vihet në faqe të parë. TRADUKI përfaqëson të drejtat e përkthimit për pesë vitet e para pas botimit. Më pas të drejtat i kalojnë automatikisht përkthyesit.

Kjo sepse “përkthimet letrare kanë një status të dyfishtë autorësie: nga njëra anë është e dreja e autorësisë së autorit origjinal, dhe nga ana tjetër është e drejta e përkthyesit, i cili është autor i  një përkthimi të veçantë, i dallueshëm nga të gjithë përkthimet e tjera të mundshme të të njëjtit tekst. (European Council of Literary Translator’s Association).

Kjo do të thotë se përkthimi letrar nuk është thjesht një punë me pagesë (siç konsiderohej para vitit 1886 dhe aktulisht sot prej zotit Ymeri), por një krijim origjinal që mban vulën e përkthyesit.

Koventa e Bernës ka efekt ligjor, por dhe Rekomandimi i UNESCO-s miratuar në Nairobi (UNESCO Nairobi Recommendation) siguron një kudër të fuqishëm ligjor dhe moral për organizatat kombëtare që mbrojnë të drejtat e përkthyesve. Ajo u siguron shteteve standarte konkrete në lidhje me pozitën ligjore, pagesën, kontratat, gjendjen financiare dhe shoqërore, kushtet e trajnimit dhe të punës së përkthyesve, mbështetur në parimin themelor që përkthyesit duhet të gëzojnë të njëjtën mbrojtje që gëzojnë shkrimtarët.

Së fundi, duhet theksuar se marrëdhënia mes botuesit dhe përkthyesit duhet të jetë marrëdhënie vlerësimi, besimi, besnikërie, profesionalizmi, miratimi dhe mbështetjeje të ndërsjelltë, “win-win”, ku në fund fitojnë të gjitha palët, para së gjithash lexuesi. Po zoti Ymeri thotë se ai ka një “Deed of Translation Assignment” , një kontratë që u njihka ndërkombtarisht dhe ai vepron sipas asaj kontrate dhe jo sipas kësaj Konvente ndërkombëtare dhe Ligjit për të Drejtat e Autorit. Se ku e nga e ka marrë zoti Ymeri këtë “Deed” vetëm ai e di se nuk e thotë.

Zoti Ymeri, në fund u jep përkthyesve edhe Porosinë e Madhe që të mos merren  me “të drejtat e përkthyesit”,  sepse sipas tij ato nuk ekzistojnë. Edhe unë si përkthyes po i lejoj vetes t’ia jap një porosi zotit Ymeri: Në Panairin e Librit në Nëntor të deklarohet se sa është vlera financiare e çmimit që merr përkthyesi më i mirë, çmim që jepet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Përkthyesi i romanit fitues Man Booker International Prize merr gjysmën e çmimit prej 50.000 paundësh, shumë të cilën e ndan me shkrimtarin, me autorin e veprës origjinale. Pra, përkthyesi vlerësohet po aq sa shkrimtari dhe ngjitet në skenë bashkë me të për të marrë çmimin, çka sipas kutit të zotit Ymeri, me siguri është e ekzagjeruar! Po ju si Shoqatë zoti Ymeri, sa e vlerësoni përkthyesin në aspektin financiar me çmimin e përvitshëm që jepet në Panairin e Librit, me një teneqe për ta varur dhe një çertifikatë për të fshirë djersët? Këto “vlerësimet e mëdha deri në nderim”, duke mos e shpërblyer financiarisht përkthyesin janë thjesht mashtrim i madh deri në përbuzje dhe përçmim. Kaq.

————-

Deklaratën e kryetarit të Shoqatës së Botuesve e gjeni këtu:

Për përkthyesit…Kam lexuar para shumë ditësh disa opinione dhe sugjerime e mendime lidhur me vlerësimin dhe vënien në…

Posted by Shoqata e Botuesve Shqiptarë on Friday, September 20, 2019

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top