Author

Admin - page 61

Admin has 1899 articles published.

BAHÇJA E MOSMIRËNJOHJES-Kostas Kariotakis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

BAHÇJA E MOSMIRËNJOHJES-Kostas Kariotakis

 

Do kultivoj më të bukurën lule.

Në zemrat e njerëzve do mbjell Mosmirënjohjen.

Të favorshme kushtet, i përshtashëm vendi.

Era po i shqyen pemët.

Në atmosferën e sëmurë, ngrihen gjarpërinjtë.

Mendjet… punishte falsifikimi. Vepra përbindëshish primitivë kanë epruvetat.

Dhe brenda në pyll me monstra, kërko të jetosh.

Unë do kultivoj Mosmirënjohjen.

Në fund të pranverës, bahçja ime, do jetë plot me monstra të mrekullueshëm të llojit.

Mbrëmjeve nën dritën e hënës, do ec i vetmuar, në rrugët e lakuara, duke numëruar ato lule.

Do afrohem symbyllur, në të kadifejtën e errët të kurorës së tyre, do ndiej pafytyrësinë armiqësore të deformimit dhe do nuhas aromën e tyre.

Orët do kalojnë, yjet do kthehen dhe aura do marrë frymë, por unë duke u plakur, do kujtoj…

Do kujtoj grushtet shtrënguar, buzëqeshjet mashtruese dhe indiferencën tradhtare.

Do jem i tëri një kujtim i hidhur, një statujë ku rreth e rrotull, do rriten bimë tropikale, do dendësohen, do ngatërrohen mes tyre, do fitojnë Tokën dhe Ajrin.

Pak nga pak klonet e tyre do më mbysin në grykë, do më trazohen nëpër flokë, do më mbështjellin me reagimin njerëzor.

Diku, pas shtytjes së tyre do fundosem në baltë.

Dhe bahçja ime do jetë Bahçja e Mosmirënjohjes.

 

Përktheu: Nilda Baxha

Nga dita e një violinisti/Florian Vlashi

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

Ndoshta mënyra më e mirë për të ndenjur në Durrës paska qenë ikja prej tij…

 

Florian Vlashi

07:20. Zgjohem nga një rreze dielli që më bie në sy, e cila hyn fshehurazi ndërmjet dy perdeve me partiturat e Mozartit, pikërisht aty ku është Rrëmbimi nga Saraji. Hap dritaren. Dëgjohet një “korale” zogjsh. Dal në kopsht dhe e para gjë që ndiej është era e luleve të limonit. Këpus disa kokrra. Nga degët më bien në fytyrë stërkalat e shiut të natës, “Si një arpezh harpe në një Prelud të Debussy-së”.

Në kuzhinë përgatis lëngun e frutave, ndërsa televizori flet për fitoren e Rafa Nadalit mbi Djokoviçin. E adhuroj këtë njeri për forcën mendore që ka për të përballuar kalvarin e mundimshëm drejt suksesit. Nuk i harroj fjalët e tij në një intervistë ku thoshte se suksesi nuk është fitorja, por gjithë përpjekja që ke bërë për të fituar.
Pi lëngun në këmbë tek dritarja, duke parë oqeanin. Kur vë bukën për ta thekur, lajmet flasin mbi luftën dhe problemet e urisë që mund të sjellë ajo. Ndërkohë vjen Redi që dëgjon me vëmendje lajmet.
– Unë s’ta kam thënë, por kam menduar të bëj furnizimin me ushqime për një periudhë të gjatë, – thotë. – Kam bërë listën. Edhe vendin e kemi gati tek kantina.
– Aty kemi vena sa për gjithë vitin, – i them. – Vena është mënyra më e mirë për të shtyrë një periudhë lufte.
– Tallu ti, tallu. Por dje, kur erdhi kopshtari, biseduam për të mbjellë disa pemë frutore më shumë dhe për të krijuar një bahçe për zarzavate mbrapa shtëpisë.

Dalim. Zbresim në breg për kafen e mëngjesit, në Santa Cruz. “Preludi” ku shkojmë zakonisht është mbyllur dhe ulemi tek “Noa”. Qetësi. Vetëm dëgjohet deti, muzika më e bukur…

Hap mesazhet e telefonit. Kompozitori Paulino Pereiro na fton të shtunën për drekë në shtëpinë e tij në Villalba, një shtëpi guri në pyll. Pse u pëlqejnë kaq shumë kompozitorëve shtëpitë në pyll? Grieg, Mahler, Sibelius…. Ndoshta prej zogjve. Nuk jam ornitolog, por do më pëlqente të njihja emrat e zogjve të kopshtit tim. Edhe ata janë banorë të shtëpisë, madje muzikantë shumë më të mirë se ne.
Mikja jone Laura Garcés, drejtoresha e bibliotekës, më dërgon një tekst që më prek:“I dashur Florian, ju dua shumë dhe kënaqem pamasë në shoqërinë tuaj, ku është gjithmonë, absolutisht gjithmonë, prania intime e Gjergjit, i cili na shoqëron në një mënyrë të gëzueshme, gati sikur na luan syrin duke qeshur, gjë që ma bën jetën më të bukur. Miqësia, dashuria, na ofrojnë nga këto realitete magjike me një natyrshmëri absolute.
Një përqafim të mrekullueshëm për ju, mbushur me praninë e tij.
Laura”

Babin e takoj tek të gjithë ata që e kanë njohur.
Pastaj flasim për pushimet dhe udhëtimin e verës që po përgatisim. Na pëlqen të njohim Jugun e Shqipërisë, që kemi 30 vite pa e parë, ngaqë, kur shkojmë në verë jemi të zënë me koncerte. Pastaj duam të vazhdojmë më poshtë, në Greqi; disa ditë në Athinë, në Muzeun Arkeologjik dhe në atë të Akropolit, e më pas, ndoshta në një ishull të humbur peshkatarësh…
Pi ngadalë kafen, duke e mbajtur filxhanin gjithë kohës afër buzës, si gjyshja ime Vitoria. Përballë, në mes të detit është Kështjella Santa Cruz e shekullit XVI. Djathtas duket Fari. Kjo kështjellë fillimisht u ndërtua për mbrojtjen e qytetit. Më vonë, u bë rezidenca e shkrimtares së madhe spanjolle Emilia Pardo Bazán. Sot është qëndër universitare për ruajtjen e mjedisit. Simbolikë e bukur ky shndërrim i kështjellës në një Simfoni me tri kohë mbi të njejtën temë, mbrojtjen e vendit… Aty shkoja shpesh me Danielin e vogël për të fshehur lodrat gjatë zbaticës në shpellat rreth shkëmbit. Kur ktheheshim të nesërmen për t´i parë, batica i kish lëvizur dhe dukej sikur ato kishin bërë aventurat e tyre gjatë natës. Deti ka qenë gjithmonë ruajtësi i sekreteve tona.

Nisem me veturë për në punë. Marr disa herë në telefon mamin; është në Durrës që prej dy javësh. Nuk më përgjigjet dhe bëhem merak. “Radio-Clásica” jep Simfoninë 94 të Haydn-it: “La Sorpresa”. Rruga kalon buzë detit dhe në krah të parkut të madh të Bastiagueiros që e kam djathtas. Janë 124 mije metra katrorë blerim mbi det. Kujtoj Durresin… E kujtoj aq shpesh. Ndoshta mënyra më e mirë për të ndenjur në Durrës paska qenë ikja prej tij.

Hyj në “Palacio de la Opera”. Në studio filloj studimin me nota të gjata, “yoga e violinistit”, dhe më pas Flesch “Biblia e teknikës”. Studioj shkallë dhe, në ato pak minuta, si në një film me xhiro të shpejta më kalojnë para syve këshillat e mësuesve të mi të violinës që nga fëminia. Ç’mrekulli ky trill i kujtesës.

11:00. Ulem në pultin e orkestrës (Orquesta Sinfónica de Galicia). Kolegia në krah këtë javë është violinistja ruse Yana Antonian. Them këtë javë sepse në çdo program ndërrojmë vendet në orkestër. Quhet “rotación”. Është mënyra më e mirë për t’u ndjerë pjesë e grupit dhe për të luajtur me kolegë të ndryshëm. E pyes Yanen për familjen e saj në Rusi dhe në Ukrainë. Më përgjigjet pak shkurt dhe me druajtje. E shikoj që e vuan situatën dhe ndihet keq me kolegët e saj. Ajo doli edhe nga grupi i violinave që kemi në whatsapp kur filluam të flisnim për absurditetin e “kulturës së anulimit”.
Luajmë Mendelssohnn, oratorion “Elias”. Sa të drejtë ka i madhi Zubin Mehta që thotë se ne muzikantët jemi njerëz me fat sepse e nisim ditën brenda një kryevepre të krijuar nga gjenitë. I jashtëzakonshëm dirigjenti hollandez Antony Hermus me të cilin punojmë këtë javë. Ka nje pasion dhe entuziazëm gati fëminor për të frymëzuar e rrezikuar njëherësh. Kërkon ekstremet e interpretimit. Përmend shpesh Harnoncourt-in që thoshte se mrekullia më e madhe ndodh vetëm në buzë të greminës. Ndërsa Gustavo Dudamel na kërkonte që gjatë lojës “të përqafonim gjithë bukurinë e botës”. Sa shkollë e madhe është të punosh çdo javë me dirigjentë e solistë të ndryshëm; kaq shumë estetika, këndvështrime, tradita… Dhe deri tani janë mbi 3000 koncerte.
Në pushim shkoj të takoj Claudia Walker-in, flautisten e parë. Më mbeti peng që nuk e kisha uruar për “Daphnis et Chloé” të Ravel-it javën e kaluar. Ke qenë Flauti i Artë, i them. Preket. Vlerësimi i një kolegu e miku vlen më shumë se dhjetëra shkrime kritike në shtyp.
Më ka shkruar mami… “E kisha harruar celularin ne shtepi… isha me shoqet tek Vollga…” Oh, sa mirë! Ja një zgjidhje e bukur e një “akordi dizonant”. Rrugës për në shtëpi flas me mamin. E pyes si fjeti, a i piu ilaçet, sa e kishte tensionin, a e bëri ecjen me shoqet… Ajo i përgjigjet me durim obsesionit tim sepse e di mirë se distancat e shumëfishojnë merakun.

14:00. Blej bukën tek “Panaderia Santa Cruz” dhe hyj në shtëpi. Vjen erë e mirë. Redi ka përgatitur në furrë “Pollo de corral”, pulë fshati me patate. Zbres në kantinë për të marrë një shishe ven. Ky moment është nga kënaqësitë e mia më intime. Seç ka diçka mistike hyrja në kantinë. Marr një shishe nga Toscana, është e familjes Frescobaldi, familje që ka 700 vjet që i dedikohet vinikulturës. Nga kjo familje është edhe kompozitori i barokut italian Girolamo Frescobaldi. Muzikën e tij e luajtëm të shoqëruar me këtë ven gjatë koncerteve të Bienales së Durrësit. “Muzika & Vena, një harmoni e përkryer”. Nga gjërat më të bukura që ka vena është pikërisht kjo, nostalgjia.
Gjatë drekës Martini na tregon detyrat që ka në Konservator në lëndën e Teknologjive të reja: duhet të shoqërojë me muzikë një seri fotografish. Ka zgjedhur temën “Muzikantët e rrugës”. Redi, megjithëse e ka pushim të mërkurën, është e mbytur duke korrigjuar provimet e nxënësve. Janë rreth 150. Si për t´i mbijetuar këtij mundimi, tregon momente humori; një herë një nxënës pat shkruar “Violina është një instrument me katër… lidhëse”; një tjetër “Çështë Suite? Një dhomë luksoze hoteli” apo “Kush është Stradivari? Një dyqan i firmës Zara.” Qeshim kur i kujtojmë. Përveç Bules, mamaja e Redit. Ajo nuk qesh. Rri mendueshëm në dramën e vet… Kur mbaron drekën, ajo shkon për t´i dhënë të hajë maces që vjen tek oborri jonë. Një mace bardhë e zi pa emër. Para disa kohësh u bë me 4 këlyshë të bukur, por, i humbën. Ajo tani i kërkon me një zë të çuditshëm, vajtues e si të pashpresë. Melankolia e maces bardhë e zi bën të ndryshojë edhe kënga e zogjve…
Shtrihem pak. Nga Portugalia më kanë dërguar fotografitë e koncertit që bëra javën e kaluar, “Violina në Art”. Muzika e violinave të pikturave ka qenë një ëndërr e vjetër imja. Ato piktura, si “magdalenat e Proust-it”, më kujtojnë albumet që shfletoja i vogël tek biblioteka e shtëpisë. Marr në dorë librin e Hermann Hesse-s,“Siddhartha” dhe lexoj. Ka ditë që më hipnotizon…

17:00. Studioj me Martinin. Bach – “Arti i Fugës”. I tregoj tim biri se aty është përkryerja e një prej formave thelbësore të muzikës, Fuga, që ka brenda një logjikë të pastër matematikore. Luajmë bashkë. E shikoj që e ka marrë lehtë, sepse i duket e thjeshtë dhe ndaloj. – Shiko Martin, – i them me ton, – çdo notë këtu ka peshë si gurë mbi pentagram. Bahu shkruante një vepër çdo javë, por për Artin e Fugës u vonua … 5 vjet. Dhe vdiq pa e mbaruar. E la pikërisht aty kur vendosi katër notat e fundit në pentagram (Si b, La, Do, Si) të cilat korrespondojnë me katër gërmat e alfabetit gjerman: B-A-C-H.

Në orën 6 jam në “Conservatorio de Betanzos”. Dy nxënëset e mia kanë prova me piano për koncertin e fundvitit. Carmen dhe Candela luajnë bukur, por janë nervoze. Është koncerti i tyre i parë. U them: “Mos e mendoni koncertin si një gjë për të treguar se sa të zonjat jeni. Jo! Mendojeni si një moment kënaqësie për veten e të tjerët. Puna është bërë. Tani kënaquni. Sigurisht ka që luajnë më mirë se ju, po ashtu edhe më keq se ju, por si ju… nuk ka. Sepse ju jeni unike. Na tregoni pra, me ato pak nota, një histori të bukur, një histori që s´ia keni treguar kujt.” Entuziasmohen sa u shkëlqejnë sytë.

Pas provave mendoj për Martinin. Pendohem që i fola me ton. Por më vijnë në ndihmë fjalët e një shkrimtareje të njohur se talenti është diçka e shenjtë dhe është një tradhti e pafalshme të mos të punosh për të.
Danieli më telefonon nga Berlini, më tregon për koncertet me DSO (Deutsches Symphonie Orchester Berlin) e për planet që ka në verë për të njohur Andaluzinë e per t´u takuar më pas me ne. M´ka marrë malli për Danielin.

Para se të vazhdoj studimin, ulem për një kafe tek “La Cantera”. I hedh një sy Facebook-ut. Mes një lumi lumturie fejsbukiane më kap syri një lajm që më bën të ndaloj: violinisti shqiptar mjaft i suksesshëm në Gjermani, Rudens Turku, është lidhur me shtëpinë botuese Henle-Verlag dhe i dhurojnë Universitetit të Arteve në Tiranë 2000 partitura. Rudensin e kam pasur nxënës në Durrës, madje kemi luajtur bashkë në koncertin që dhashë për 200 vjetorin e Mozartit në 5 Dhjetor, 1991 tek Opera, koncerti i fundit para se të largohesha nga Shqipëria. Me babain e tij, Mustafa Turkun, të gjithë ne muzikantët e Durrësit jemi në një borxh të madh që kurrë nuk do t’ia shlyejmë. Fagu, profesor i vjolës, për rreth dy dekadash, kopjoi me dorë me mijëra partitura për nxënësit e shkollës së muzikës e për orkestrën e Teatrit A. Moisiu. Më kujtohet kur vinte të nesërmen në shkollë, me sytë e skuqur se kishte kopjuar partitura gjithë natën. Sot ato faqe muzike janë zverdhur nëpër dosje dhe ndoshta i ka mbuluar pluhuri. Por ne duhet t´i vëmë në korrnizë. Janë Kodikë pentagramesh me kaligrafi yjesh… Dhe tani i biri i dhuron univeristetit shqiptar 2000 partitura. Humanae nobilitatem.

20:00. Pas pak është prova e përgjithshme e koncertit. Provat me kore janë gjithmonë në mbrëmje sepse kori nuk është profesionist. Thuajse të gjithë koret në Spanjë nuk janë profesionistë. As edhe kori “Orfeon Donostiarra”, një nga më të mirët në botë. Këtu ka një dashuri të shenjtë për koret. Ndoshta harmonizimi i zërave njerëzorë është një formë e përkryer qytetërimi.
Dhe zhytem përsëri në muzikën e Mendelssohnn-it. Çfarë gjeniu; 13 vjeç kish shkruar kuartetet, koncertin për piano, 16 vjeç “Ëndërr e një nate vere”, 20 vjeç zbulon dhe dirigjon për herë te parë në publik “Pasionin sipas Mateut” të Bach-ut… Një kulturë sublime dhe një edukim i hekurt nga familja e tij që i përkiste elitës intelektuale berlineze. Goethe e quante talent më të madh se Mozartin. Dhe jetoi vetëm… 38 vite. Eh, edhe Mozarti 35, Bellini 33, Schubert 31, Pergolesi 26, ndersa “Mozarti spanjoll”, Arriaga, vetëm 19 vjeç… Zëri i sopranos që kam në krah, bashkë me 80 zërat e korit, më mbulojnë me atë substancë të mjegullt, nga e cila janë formuar ëndrrat.

Kthehem vonë për në shtëpi. Në veturë nuk e ndez radion. Nuk dua të degjoj asgjë. Tani detin e kam majtas. I errët. I heshtur. Plot mister. Nuk e shoh, por e ndiej praninë e tij. Askush nuk është vetëm kur ka detin në krah.
Përgatisim një sallate mikse dhe vëmë serialin “Mozart in the jungle”, që më duket pak i lehtë e “digjestiv”, si pjata që kemi përpara. “E ke pasur ditën të ngarkuar sot”, më thotë Redi. “Nesër në mëngjes vish tutat dhe, pas kafes, bëjmë ecjen të gjatë nga bregu. Mirë?”
Në shtrat hap përsëri librin e Hermann Hesse-s,“Siddhathra”. Lexoj ngadalë… Marr lapsin dhe bëj nënvizimin e fundit:
Shumica e njerëzve janë si gjethet që bien nga pemët, fluturojnë në ajër, lëkunden dhe më në fund bien në tokë. Por ka nga ata që janë si yjet: ata ndjekin një rrugë të caktuar ku nuk i arrin asnjë erë, sepse ata kanë të tjera ligje e synime brenda vetes.”
Fik abazhurin.

Florian Vlashi

La Coruña. 

E mërkurë, 01.06.2022.

Buzëkuqjes para pasqyrës-Sueton Zhugri

in Uncategorized by

Buzëkuqjes para pasqyrës-Sueton Zhugri

 

Kam blerë një qen që qan përvajshëm
Imiton shiun dhe thonjtë lëpin
Kam blerë një qen si të blija një pasqyrë
Atje shoh shpirtin tim tek përvidhet
Me sytë e mi mavi…

Nuk di nëse
unë e gjeta atë
apo ai më bleu mua…

Kam blerë një qen
(!)
një qen që lëpihet si unë
buzëve të tua menjëherë pas buzëkuqit
Kam blerë një qen…
dhe kur dhashë paratë…
: nuk e dija
sa do më
kushtonte qimja.

Shënime personale mbi romanin “The Testament” të shkrimtares Margaret Attwood/Merita Paparisto

in Letërsi/Tirana Review by

Merita Paparisto

Gjithmonë pyes veten çfarë e bën një roman që të quhet roman i mirë, apo shumë i mirë… që të qëndrojë veçmas, të dallohet në turmën e romaneve që gëlojnë nëpër librari dhe gjithmonë kam disa përgjigje, ndërsa njëra prej tyre ështê e pandryshueshme: “ koha është ajo që provon dhe veçon letërsinë e mirë nga ajo mediokre.” Por derisa koha ta bëjë këtë gjë, periudhë që shkon pas ekzistencës sonë personale, ne sigurisht që lexojmë dhe përpiqemi të zgjedhim, të vlerësojmë, të veçojmë, duke përdorur intuitën tonë dhe edukimin e shtresëzuar nga leximet e shumta.
Kështu, romanin “ The Testament” të shkrintares Margaret Attwood ( besoj që do jetë i përkthyer në shqip patjetër) e mora në dorë ditën e shtunë, javën e kaluar dhe nuk munda ta lëshoja prej duarsh deri ditën e sotme. Sot ështe e martë. Romani ka rreth 415 faqe. E ndërprisja leximin vetëm për të kryer detyra që duhet patjetër t’i kryeja, ato që mund të prisnin i anashkaloja, për t’u ulur nê kendin tim, me librin në dore. Mendoj që ky është një tregues i rëndësishëm, madje tepër i rëndesishëm për cilësinë e librit. Dhe ndoshta dikush mund të thotë: “Oh, po sigurisht, Attwood është një nga shkrimtaret më të famshme dhe më të njohura të kohës sonë, kështu që nuk po na thua një gjë të re”. Sigurisht që po them një gjë të re, për sa kohë që unë e lexoj rishtas “The Testament” dhe gjëja e re është që e pandikuar nga titujt e çmimet e autores, apo fama e saj, i rreshtohem armatës së fansave të saj, armatës së atyre njerëzve që e pëlqejnë shumë letêrsinë e saj.
Romani është triller, dystopian. Edhe më parë kur kam shkruar përshtypje për librat që lexoj, kam thënë se romanet së pari i shoh si ndërtesa, pra, i shoh nga jashtë. Shoh si jane formuar muret, si është ndarë në kate, brendia e banesës, me fjalë të tjera, arkitektura e saj. Dhe jo rralle kam lexuar romane me arkitekturë të hallakatur, të palidhur mirë, që hidhen nga njëri kat në tjetrin pa na lënë të kuptojmë sesi ndodh dhe këto i klasifikoj menjëherë si mungesë talenti apo si mungesë eksperience në të shkruar. Po ashtu kam lexuar romane me një arkitekturë të qartë dhe solide, me nje stil konsistent dhe me një fasadë mahnitëse, nga e cila nuk mund t’i heqësh sytë. I tillë është romani në fjalë nga ndërtimi i tij.
Me pas vijnë personazhet ngjarjet, vendet. Sa të besueshëm janë parë ata nga një mendje kërkuese, sa të lidhur me njëri- tjetrin. Dhe e përsëris, romani në fjalë shkëlqen në artin e formimit.
Margaret Atwood më futi për katër ditë me radhë në labirintet e një bote dystopiane të panjohur dhe sa më shumë mësoja, aq më shumë kërkoja të dija. Një realitet joreal në formën e përshkruar nga autorja, por që për brezin tim, që ka jetuar totalitarizmin, sjell reminishenca të së kaluarës.
Nuk do tregoj brendinë e romanit për të mos e zbehur kënaqësinë e leximit të atyre që nuk e kanë lexuar dhe dëshirojnë ta lexojnë, por do shtoj që pikat e ndërgjegjes sime, të prekura nga romani ishin dy:
– Natyra komplekse njerëzore, mundësia e pafund për trushplarje e shoqërisë njerëzore dhe drejtimi i saj si një kope për njëfarë kohe sigurisht. Ndryshimi i marrëdhënieve midis qenieve njerëzore dhe raportet midis tyre, nën shtypjen psikologjike të trushparjes dhe shtrëngimit të lirive.
– Manipulimet, kalbëzimi, dekompozimi i shoqërive që qeverisen nga qeveri totalitare dhe mënyrat sesi i mbulojnë dhe kamuflojnë.
E vërteta është, siç e thashë më sipër, që, edhe pse romani është dystopian, pra, shoqëria dhe mjedisi ku ndodhen ngjarjet janë imagjinarë, mua më sillte reminishenca nga e kaluara e vendit tim, kur qeverisej nga diktatura. Dhe nuk dua të idealizoj këtu qeveritë e ashtuquajtura liberale, apo demokratike, apo me emërtime të tjera, por çdo e metë në qeverisjet e lartpërmendura është e dukshme në sytë e atyre që duan ta shohin. Pra, totalitarizmi është diçka krejt tjeter.
Romani ka një rrymë “të nëndheshme” feminizmi. Unë nuk jam feministe dhe nuk kam ndonjë simpati për feminizmin si rrymë, por e trajtuar në roman në mënyrën siç e trajton Attwood-i është si një dritë e kuqe, e ndezur për vemendje dhe për të mos harruar kurrë se ku të çojnë ekstremizmat totalitare të çdo krahu dhe të çdo lloji.
Lexim të këndshëm çdokujt që do vendosë ta lexojë.

USHTARËT E SHIUT-Neviana Shehi

in Letërsi/Tharm by

USHTARËT E SHIUT-Neviana Shehi

 

Ushtarët e shiut vazhdojnë ende të luftojnë
si dikur me të njëjtat armë

Rëniet i shoqërojnë me bubullima
dhe diellin e shndërrojnë në mjegull
ende s’kanë mbërritur triumfet e para
e sërish bien mbi tokë duke vallëzuar

Gëzohen kur rrëzojnë ndonjë gjethe të verdhë
ose kur mbushin pellgjet
me çatitë flasin me një gjuhë
që i ngjan alfabetit mors
duke krijuar me të një muzikë të ëmbël
për veshët tanë

Dhe janë shumë serioz në të gjitha rëniet e tyre

Në fund të çdo vjeshte
e ndjejnë me hundë ardhjen e dimrit
dhe bëhen më të papërmbajtshëm se kurrë

Sigurisht e ndjejnë se janë në sezonin e tyre
dhe s’pranojnë të flasin as me erërat
është një periudhë që s’bën mirë
të gjendesh poshtë tyre
se duhet t’iu hapësh udhë

Furia e ujërave qe fshihen në çdo pikë
është kaq e madhe dhe e paparashikueshme

Legjendat e lumenjve flasin për histori të frikshme
por prapëseprapë unë e adhuroj shiun dhe ushtarët e tij

Në gjoksin tim varet gjithmonë një medaljon i kristaltë
me portretet e tyre

Asnjë teori estetike nuk ka për të na mësuar sesi krijohet poezia-Janis Ricos

in Letërsi by

Janis Ricos

Ndërsa gjuha e shkencës është analitike, gjuha e poezisë është sintetike, shprehëse. Në këtë rast universiteti më i madh është gjuha e popullit. Krahasoni mënyrën sesi flet një shkencëtar me mënyrën sesi flet një njeri popullor. Fjala e shkencëtarit ka një palëvizshmëri, si diç e ndenjur,veçanërisht tek folja, që është elementi më i lëvizshëm i çdo gjuhe dhe ndryshimi i kohëve të foljes përcakton ndryshimin e kohës. Një shkencëtar thotë: “Sot në mëngjes u ngrita herët, hapa dritarem, pashë qiellin, qe ditë e bukur, dola në rrugë, arrita në zyrë, takova kolegët. Të gjitha foljet janë në të njëjtën kohë të palëvizzhme. Kurse një bujk do të thotë: “U ngrita që pa gdhirë, hapa dritaren, bo bo ç”ditë që ishte, bekuar nga Zoti, pa shih dhe fqinja, hë zonja Lenë, ç’bën, fjeti mirë fëmija? Ç’të të them, nuk ka mbyllur sy gjithë natën., etj, etj.  Këtu folja lëviz, kohët këmbehen me njëra- tjetrën në mënyrë të tillë që të tregojnë ndryshimet emocionale, vallëzimin e brendshëm.  Këto janë mësime të çmuara për poezinë. Nga gjuha e popullit mund të mësosh përdorimin e drejtë të foljes, emrit, mbiemrit: sa mbiemra të njëpasnjëshëm mund të përdorësh, në ç’rast, në ç’raport me emrin.  Vlera e një poezie nuk qëndron tek ajo çka thotë, por tek ajo çka është.  Ju që jeni të rinj dhe që punoni në mënyrë krijuese me poezinë dhe gjuhën do të zbuloni vazhdimisht se ç’bukuri të pafundme dhe ç’të fshehta mban një fjalë. Çdo fjalë ka kujtesën, dramën e vet, ndaj artin e poezisë dhe estetikën i nxëmë vetiu, duke shktruar. Asnjë teori estetike nuk ka për të na mesuar sesi krijohet poezia, as sociologjia, as filozofia, as shkenca e estetikës, vetëm duke shkruar mësojmë. Shumë pak gjëra mund të mësojmë nga studimi i Croce-s, Taine-it, Alain-it. Vetëm duke punuar mësojmë sesi duhet të punojmë. Teknika dhe arti i poezisë burojnë nga puna. Puna nuk na jep vetëm mënyrën sesi duhet të punojmë, por edhe na zbulon njëherësh, pra, zbulojmë veten nëpërmjet saj. Dhe duke zbuluar veten, zbulojmë botën. Vetënjohja është dija më e madhe e  njeriut dhe pikërisht kjo e konkretizon individin.  Njohja vjen përherë si fryt i përvojës jetësore, ndaj dhe arti është i lidhur në mënyrë të pandashme me trupin.  Ky ishte edhe ideali i qytetërimit të lashtë grek: uniteti i trupit me shpirtin. Kurse krishtërimi i ndau dhe trupin, nga mesi e poshtë, e flaku tutje.

Përkthyer nga: Romeo Çollaku

HËNË E NGRIRË-Mario Benedetti

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

HËNË E NGRIRË-Mario Benedetti

 

Me këtë vetmi
të pabesë
të shurdhët
me këtë vetmi
me rënga të shenjta
me ulërima të largëta
me heshtje të përbindshme
me kujtime të ngrira
me net për të tjerët
me sy të shqyer
me këtë vetmi
të zbrazët
që s’të lypset fare
mundet nganjëherë
ta kuptosh dashurinë.

 

Përktheu: Bajram Karabolli

FAMA-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FAMA- Jorge Luis Borges

 

Të kem parë shkëlqimin dhe rënien e Buenos Ajresit.
Të kem kujtuar një oborr me dhé të rrahur dhe një pjergull, një treme dhe një sternë.
Të kem trashëguar gjuhën angleze, të kem hulumtuar gjuhën saksone.
Të kem predikuar dashurinë për gjermanishten dhe nostalgjinë e latinishtes.
Të kem biseduar në Palermo me një vrasës plak.
Të kem bekuar jaseminin, lojën e shahut, tigrat dhe hekzametrin.
Të kem lexuar Macedonio Fernandezin me zërin që ai kishte.
Të kem njohur pasiguritë e famshme që përbëjnë metafizikën.
Të kem kremtuar armët dhe të kem dashur arsyeshëm paqen.
Të mos kem lakmuar asnjë ishull.
Të mos jem larguar nga biblioteka ime.
Të jem Alonso Quijano pa guxuar të bëhem Don Kishot.
T’u kem mësuar atë që nuk di atyre që, pa dyshim, dinë më shumë se unë.
Të kem falëndëruar hënën dhe Paul Verlainein për dhuratat e tyre.
Të kem modeluar ndonjë njëmbëdhjetërrokësh.
Të kem rrëfyer sërishmi histori të lashta.
Të kem renditur në dialektin e kohës sonë pesë ose gjashtë metaforat.
Të kem refuzuar atë që korrupton.
Të jem qytetar i Gjenevës, i Montevideos, i Austinit dhe (si të gjithë) i Romës.
Të jem admirues i zjarrtë i Conradit.
Të jem çka nuk mund ta përkufizojë asgjë: argjentinas.
Të jem i verbër.
Janë gjëra krejt të zakonshme, dhe të gjitha këto
më kanë dhënë një famë që nuk arrij dot ta kuptoj.

 

Përktheu: Alket Çani

NDOSHTA ËSHTË EDHE KËSHTU-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Janis Ricos

Me kalimin e viteve, miqtë dhe të njohurit largohen nga njëri – tjetri. Njerëzit bëhen më të komunikueshëm por më pak njerëzorë. Humbasin veçoritë e tyre, asetet e veçanta që i karakerizojnë dhe defektet e tyre pothuajse i nivelojnë. Miqësitë vyshken. Më e çuditshmja… sjellja e tyre me të tjerët. Kohët e fundit tek njerëzit vihet re se edhe veshjet, madje edhe krehjet e tyre ngjajnë së tepërmi. Duket sikur kanë braktisur të veçantat dhe ndryshimet e tyre.

Ndërkohë që ndjen se janë kaq të ndryshëm, madje, këto të fundit duket sikur janë shtuar. Të gjithë veç, të ndarë në shtresa formaliteti dhe ftohtësie të butë.

Ashtu sikurse edhe shtëpitë. Ato një, dy, tre-katëshet e bukura me stolitë e tyre, oxhakët, me lulet e bahçeve, burimet, secila me shijet dhe paraqitjen e tyre, çuditë dhe pakujdesitë e tyre, i dhanë rëndësi monotonisë dhe pafytyrësisë së çimentos, duke fshehur Akropolin, Shën Jorgjin në Likavito, duke shkulur pemët, manat, pishat, kujtimet e fëmijërisë sonë, balonat, telat ku nënat tona ndernin rrobat, yjet, këmbëzbathurit që luanin futboll, bisedat  e mbrëmjes nga dritarja në dritare, nga njëra avlli në tjetrën, aromën e barbarozit dhe vasilikosë, dhjozmës me mbi vete qiellin detar vendas me Hënën, me një copë djathë dhe pjepër të freskët.

Ah, ikën, ikën endacakët, profesionet, zanatet, ustallinjtë e kosit dhe qumështit, të ombrellave dhe jorganëve, të karrikeve e të zarzvateve, druvarët me karrocat dhe kuajt e tyre që transportonin domate e tranguj, pjeshkë e dardhë, trëndafilë që aromatisnin rrugët dhe sokakët, pulat dhe këndesët që kakaritin për të panjohurën e padiskutueshme. As që kishim atëherë nevojë për orët me zile të zgjoheshim, pasi nga njëra anë kishim yjet, nga ana tjetër këndesët që kishin marrë përsipër kohën dhe parashikimin e motit me saktësi, por dhe me përgjegjësi të mençur disi.

Dhe njerëzit u mbyllën ne familje, dhe familjet brenda këtyre kutive të shkurtra, në krah të njëra- tjerës, as njihen, as shihen, as përshëndeten. Në vend të pemëve kanë antenat e televizorit, vetëm pasqyrat e gjata të ashensorëve mbajne ca kujtime erotike të mbrëmjes që shkoi.

Dhe jo të thuash se njerëzit nuk bisedojnë sot. Njerëzit fjalë dhe asgjë, shumë fjalë por nuk bisedojnë, nuk thonë asgjë të tyren, intime, personale, të veçantë. Vetëm fjalë, të huaja, mekanike, gazetareske të interesimit të përgjithshëm, tituj të mëdhenj gazete, sepse…. në të vërtetë shfletojnë shumë gazeta… duke lexuar vetëm shkronjat e mëdha apo titujt e lajmeve ku flitet për krime apo vetëvrasje. Dëgjojnë njëkohësisht lajmet e orës 9.00 dhe 12.00 në televizor (me ngjyra tashmë). Njerëz mjaft të informuar, shumë të pranishëm (këtu dhe sot), por… tërësisht mungon vetja e tyre, e kaluara e tyre, e ardhmja e tyre dhe natyrisht e tashmja e tyre, larg prej të tjerëve…

Përktheu: Nilda Baxha

Fragment nga romani “Mercier dhe Camier”-Samuel Beckett

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Samuel Beckett

[Takimi ishte lënë për në orën nëntë.]
Kamieja mbërriti i pari në takim. Domethënë se kur ai mbërriti, Mersieja nuk ishte aty. Në fakt, Mersieja kish ardhur dhjetë minuta më parë. Ishte pra Mersieja, dhe jo Kamieja, që kish mbërritur i pari në takim. Pasi kish pritur pesë minuta, duke shqyrtuar me imtësi rrugët e ndryshme që mund të kish marrë miku i tij për të ardhur, Mersieja u nis të bënte një xhiro që zgjati një çerek ore. Kamieja, duke parë që Mersieja nuk po vinte, u nis pas pesë minutash të bënte një xhiro të vogël. Mbërritur në vendin e takimit çerek ore më vonë, e kërkoi më kot me sy Mersienë. Dhe kjo kuptohet vetiu. Sepse Mersieja, pasi kish pritur pesë minuta të tjera në vendin e takimit, ishte rinisur për të shpirë këmbët, sa për të përdorur një shprehje që e kish për zemër. Kamieja pra, mbas pesë minutash pritjeje të topitur, iku përsëri, duke thënë me vete, Ndoshta do ta ndesh në ndonjë nga rrugët këtu rrotull. Shi në atë çast Mersieja, që po kthehej nga shëtitja e tij e vogël, e cila kësaj here s’i kish kaluar dhjetë minutat, pa si po largohej një siluetë që nëpër mjegullën e mëngjesit ngjasonte vagët me atë të Kamiesë e që në të vërtetë ashtu ishte. Fatkeqësisht silueta u zhduk, si e gëlltitur nga kalldrëmi, dhe Mersieja u ndal në vendtakim. Por mbas pesë minutash që tashmë po bëheshin ndërkohë të rregullta, e la vendtakimin ngaqë kishte nevojë për të lëvizur. Gëzimi i tyre ishte për një çast i jashtëzakonshëm, gëzimi i Mersiesë dhe ai i Kamiesë, kur mbas përkatësisht pesë dhe dhjetë minutash zvarritjeje shqetësuese, duke ia behur njëkohësisht në shesh, u gjendën ballë për ballë, për të parën herë që prej natës së kaluar. Ora ishte nëntë e pesëdhjetë.

Përktheu: Alket Çani

1 59 60 61 62 63 190
Go to Top