Zelda Fitzgerald: Shkrimtarja, puna e së cilës u bë objekt plagjiature prej burrit të saj, F. Scott Fitzgerald/Cati Gaya

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi by

Në fakt, Z. Fitzgerald duket se beson që plagjiatura fillon në shtëpi-Zelda Fitzgerald

     Cati Gaya

   Përktheu: Arlinda Guma

Zbuloni historinë e Zelda Fitzgerald-it, “muza” dhe shkrimtarja, puna e së cilës u vodh nga burri i saj i famshëm.

Shumica e njohin thjesht si “gruaja e romancierit të famshëm F. Scott Fitzgerald”, por Zelda Fitzgerald ishte unike në të drejtën e saj. Ikonë e viteve 1920 dhe një nga figurat më të rëndësishme të së ashtuquajturës Epoka Jazz, ajo ishte një nga “flapper”-et e para amerikane.
Flapper”-et ishin brezi i grave të reja që kundërshtuan normat dhe treguan një shpërfillje të dukshme për atë që konsiderohej “sjellje e pranueshme” në atë kohë. Ato nuk vishnin korse, mbanin funde deri tek gjunjët (një skandal në ato kohë), i prisnin flokët të shkurtra drejt, dëgjonin jazz dhe pinin në publik. Pavarësisht kësaj, mbi gjithçka, Zelda ishte artiste. Ajo ishte valltare, piktore dhe, ç’është më e rëndësishmja; shkrimtare. Çfarë shumë njerëz nuk dinë – ndoshta sepse historia ka shkuar shumë larg për ta fshehur të vërtetën – është fakti se F. Scott Fitzgerald-i i detyrohet shumë Zelda-s për suksesin e tij si shkrimtar. Jo vetëm sepse ai e shfrytëzoi atë si muzën e tij, por edhe sepse vodhi në mënyrë të paskrupullt idetë dhe shkrimet e saj.
Zbuloni historinë e saj:

Përgjithmonë rebele

Gjatë fillimit të shekullit të 20-të, në Amerikën e Jugut pritej që gratë të ishin të urta dhe të bindura. Megjithatë Zelda Sayre, e lindur në Montgomery, Alabama, në vitin 1900, nuk ishte fare kështu. Në vend të kësaj, ajo ishte aktive, rebele dhe provokuese. Ajo vallëzonte, pinte, tymoste duhan dhe kërkonte në mënyrë aktive të sfidonte traditën.
Thuhet se ajo lahej e veshur me rroba banje me ngjyrë mishi për të nxitur thashethemet se ishte lakuriq në publik. Një artikull në lidhje me një nga performancat e saj të kërcimit komentonte se Zelda ishte e interesuar vetëm për “djem dhe not”. S’është për t’u habitur që një i ri si F. Scott Fitzgerald-i, i cili më vonë do të njihej si një nga shkrimtarët më të shkëlqyer të Amerikës, u dashurua marrëzisht me të, në vitin 1918 kur ai ishte vendosur në Alabama gjatë karrierës së tij ushtarake. Ai ishte 22 vjeç. Ajo 18.

Një çift si në filma

Zelda dhe Scott-i që në fillim u intriguan nga njëri-tjetri, të dy tërheqës, inteligjentë, kuriozë për artet dhe zotërues të talentit të lindur. Gjatë viteve fillestare të marrëdhënies së tyre Scott-i po punonte për librin “Kjo anë e parajsës“, të cilin do përfundonte ta rishkruante vetëm që të mund të bazonte një nga personazhet e tij tek Zelda. Ndërsa marrëdhënia përparonte, po kështu edhe roli i Zelda-s në shkrimin e Scott-it: Zelda e lejoi atë të lexonte ditarët e saj, nga të cilët shkrimtari kopjoi fragmente të tërë për t’i përfshirë në librat e tij, pa pranuar autorësinë e saj.
Kur u botua “Kjo anë e parajsës”, suksesi i saj ishte jashtëzakonisht i madh dhe e katapultoi çiftin në qarqet elitare shoqërore. Scott-i e quajti Zelda-n “flapper-en e parë të Amerikës” dhe ajo u bë ikonë. Më vonë, kur Zelda, në jerm, pas lindjes së vajzës së saj të parë, tha: “Shpresoj që ajo të jetë e bukur dhe budallaqe, një budallaqe e vogël dhe e bukur”, Scott-i i shkroi këto fjalë duke i vënë në gojën e personazhit të tij, Daisy-t, në librin e tij “The Great Gatsby” – “Gatsby i madh”.


Vitet e para të martesës së tyre u shenjuan nga tepritë: konkretisht; shumë dëfrime dhe shumë alkool. Lindja e vajzës së tyre nuk u dha fund atyre. Në vend të kësaj, ata punësuan shërbëtorë dhe dado në mënyrë që të kishin mundësi që të vazhdonin ta ruanin stilin e tyre të jetesës të paqëndrueshme.

Muzë për shkrimtarin

Dëfrimet i çuan ata të dy në një periudhë të shenjuar nga tradhtitë, mungesë parash dhe debate, të shkaktuara shpesh nga xhelozia e Scott-it. Kur Scott-i vendosi të botonte “The Beautiful and Damned” dhe “The New York Tribune, ai i kërkoi Zelda-s që të shkruante një përmbledhje të librit në gazetë. Në artikullin e saj të ashpër, Zelda detajoi për herë të parë se çfarë kishte ndodhur që kur ishin bërë për herë të parë lajm:
Më duket se në një faqe njoha një pjesë të një ditari tim të vjetër, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme menjëherë pas martesës sime, dhe, madje edhe copa letrash, të cilat, megjithëse u redaktuan në mënyrë të konsiderueshme, më duken të paqarta e të njohura. Në fakt, Z. Fitzgerald (besoj se kështu e shqipton ai emrin e tij) duket se beson që plagjiatura fillon në shtëpi.”


Megjithëse komentet e saj ishin të qarta, ato shkaktuan shumë debate. Kur Zelda filloi të merrte kërkesa për të shkruar libra dhe artikuj, Scott-i inatosej gjithmonë e më shumë. Fakti që “muza” e tij po shfrytëzonte mundësitë e saj për të trajtuar tema që ai donte t’i përdorte në romanet e tij bëri që marrëdhënia e tyre të përkeqësohej vazhdimisht.
Kur çifti u transferua në Paris, Scott-i ishte aq i zhytur në përpjekjen për të shkruar “The Great Gatsby” (“Gatsby i madh”) saqë Zelda filloi të takohej dhe të dashurohej me pilotin francez Edouard Jozan. Kur ajo i kërkoi burrit të saj divorcin për të filluar një jetë të re me dashurinë e saj, Scott-i jo vetëm që refuzoi, por e mbylli në shtëpi derisa ajo e tërhoqi kërkesën për divorc. Si rrjedhojë, Zelda tentoi të kryente vetëvrasje për herë të parë.

Rënia e “flapper”- es së parë të botës

Debatet dhe tensionet u përkeqësuan edhe më shumë, ashtu siç u përkeqësua shëndeti mendor i Zelda-s. Në vitet 1920, sjellja e Zelda-s bëhej gjithmonë e më e çrregullt  dhe burri i saj, i cili ishte alkoolist, inatosej gjithmonë e më shumë me të. Zelda vendosi të merrej me vallëzim dhe megjithëse arriti të bënte përparime të mëdha në karrierën e saj, mosmiratimi i Scott-it e shkurajoi aq shumë saqë ajo e refuzoi ofertën që mori për t’u regjistruar në shkollën prestigjioze, në Baletin e Operës të San Carlo-s.
Festat e saj, dikur magjepsëse, tani ishin shkatërruese dhe dekadente. Më në fund, në vitin 1930, Zelda u shtrua në një spital psikiatrik në Francë, ku u diagnostikua me skizofreni. Kur ajo u paralajmërua se shëndeti i babait të saj po përkeqësohej, çifti u kthye në qytetin e saj të lindjes Montgomery, ku Scott-i e braktisi dhe shkoi në Hollywood vetëm. Pas vdekjes së babait, shëndeti i saj u përkeqësua edhe më shumë dhe ajo hynte dhe dilte shpesh nga spitalet psikiatrikë.


Megjithatë, këto rrethana nuk ia zbehën entuziazmin për krijimtari. Në vitin 1932, ndërsa ishte në spital, ajo shkroi një roman të plotë gjysmë-autobiografik të quajtur “Save Me the Walsz” (“Ruaje për mua valsin”) dhe ia dërgoi botuesit të Scott-it. Kur Scott-i e lexoi, ai u tërbua dhe i dërgoi asaj letra të shumta duke e qortuar për atë që kishte shkruar.
Reagimi i tij kishte të bënte me faktin se ai kishte planifikuar të përdorte të njëjtin material për librin e tij “E butë është nata“, të cilin nuk do ta përfundonte për dy vjet të tjerë. Në mënyrë që të kishte material të mjaftueshëm për romanin e tij, Scott-i e detyroi Zelda-n ta redaktonte atë që donte të përdorte nga libri i saj. Ky version i redaktuar rëndë u botua pa sukses. Ironikisht, burri i saj u bashkua me kritikat e këqija, duke e quajtur Zelda-n “një shkrimtare të nivelit të tretë” dhe e etiketoi veprën e saj “plagjiaturë”, duke e akuzuar gruan për atë që ai vetë kishte bërë për pjesën më të madhe të martesës së tyre. “Save Me the Walsz” është e vetmja vepër që ajo publikoi gjatë jetës së saj. Zelda ishte shumë e zhgënjyer nga mënyra sesi u prit, gjë që do ta zhyste edhe më shumë.

Trashëgimia e një brezi grash

Vite pas vdekjes së Scott-it, Zelda, edhe një herë në spital, filloi të shkruante një roman tjetër, pavarësisht nga ajo që kaloi me “Save Me the Walsz“. Titulli i romanit të saj të ri ishte “Gjërat e Çezarit”, megjithatë, nuk mundi ta përfundonte. Ajo vdiq kur një zjarr shpërtheu në një dhomë ku ajo ishte mbyllur ndërsa ishte në pritje të terapisë me elektroshok.

Christina Ricci në rolin e Zelda Fitzgerald-it në filmin “Z: fillimi i gjithçkasë.”

Ndërsa jeta e Zelda-s pati një fund aq tragjik, ajo do të përfundonte duke lënë një trashëgimi të madhe. Megjithëse burri i saj, Scott Fitzgerald-i, është ende i njohur si një nga shkrimtarët më të shkëlqyer në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkëlqimi i vetë Zelda-s po zbulohet dhe njihet vazhdimisht falë botimit të biografive të ndryshme për të.
Në biografinë e saj, shkrimtarja Deborah Pike thotë se Zelda ishte një kontribuese e rëndësishme në historinë e artit. Si puna e saj, ashtu edhe vështirësitë me të cilat u përball, ndihmojnë për të nxjerrë në pah perspektivën femërore në artin e kohës. Ashtu si puna e saj e botuar, edhe ajo e pabotuar, paraqesin mendimet e saj për modernizmin, sëmundjen mendore dhe plagjiaturën.
Zelda e Nancy Milford-it,”Një Biografi“, u bë libri më i shitur që e vuri në qendër të vëmendjes Zelda-n, ikonën feministe që i mbijetoi një burri kontrollues, që nuk pranoi ta ndante me të suksesin e tij.

Piktura “Fifth Avenue”, vepër e Zelda Fitzgerald-it.

Falë këtyre shkrimtarëve që kanë amplifikuar zërin e një gruaje pas vitesh heshtjeje, njerëzit në të gjithë botën po e zbulojnë Zelda Fitzgerald-in, jo më si “gruaja e Scott Fitzgerald-it”, por si një grua inteligjente, rebele, e talentuar, e fortë dhe unike, siç ajo ishte.

Përkthimi: © Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top