Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Julia Gjika.
Vijon më poshtë.
Pse shkruaj?-Julia Gjika
Në vjeshtë, qiejt ngarkohen me re të dendura gri dhe shkarkojnë shira, rrebeshe, stuhira. Në pranverë dhe në verë, flladi i lehtë largon retë e bardha dhe kaltërsia përhapet në qiejt e paanë dhe i dërgon tokës gëzimin.
Shpirti i krijuesit ngarkohet herë me gëzimet që përjeton gjatë jetës, herë me dhimbjet që janë bashkëudhetare. Pushtohet nga emocionet, imazhet që kthehen në mendime të pjekura dhe muza e tij e fton të zgjedhë fjalën, për t’i shprehur të gjithë emocionet. Kështu ai është në stinën më të bukur dhe më të vështirë; të shkarkimeve.
Pse shkruaj unë, ti, ai, ajo?
Do të kujtoj një thenie të Tolstoit: “S’ka kënaqësi më të madhe se kënaqësia e krijimit. Qofshin vepra, lapsa, çizme, bukë apo fëmijë, pa krijim s’ka kënaqësi të mirêfilltë, por s’mund të ketë krijim pa ankth, vuajtje, brejtje dhe turp.”
Nëna ime lindi tetë fëmijë, pesê vajza dhe tre djem. Unë isha fëmija e dytë, vajze e parë. Një ditë, motra, fëmijë e katërt, e pyeti nënën: “Kur ke qenë e lumtur ti mama në jetën tënde?”
Ajo duke qeshur, me syte që i shndritën, u përgjigj: “Kur ju kam lindur juve.”
Nêna kishte të drejtë të ishte krenare për sjelljen në jetë të tetë jetëve, të ishte kaq e lumtur sa veç kësaj nuk radhiti ndonjë lumturi më të madhe se kjo. Kjo lumturi kish ardhur përmes dhimbjesh, nëna kish provuar kënaqësinë e krijimit dhe kjo ish e gjitha për të.
Unë shkruaj ato që më thotë shpirti, që i shikon syri dhe që i dëgjon veshi, janë emocionet që përjeton ato që na futin thellë në mendime. Ç’êshtë ajo fuqi shpirtërore që edhe kur mendoj se jam dorëzuar, më bën të ngrihem në mes të natës, të mbyllem në vetmi dhe të vazhdoj? Unë shkruaj në poezinë “KUSH JE TI”:
Nuk u bëra e shquar,
nuk i shtova hartës botërore asnjë vijë lumi,
nuk u bëra asgjë, nuk e trondita botën,
as kur linda fëmijë,
nuk u bëra shembull për asnjeri.
Ngjitur pas lëkurës më rri,
më përmend humbjet, e tejngopur,
kush je ti?”
Nëse në këto vargje, lexuesi, qoftë edhe vetëm një, gjen veten, kjo më bën të shkruaj, është kjo fuqi e brendshme që më bën të vazhdoj.
Rinia më bëri të shkruaj, por ndryshimi që ndodhi duke u larguar nga Atdheu, pra, emigracioni, mê bëri të rikthehem tek shkrimi, poezia. Emigracioni që ndodhi për ne pas viteve 1990, nuk ishte si ai në shekujt e kaluar, që emigrantët nga krahina të ndryshme vinin, rrinin disa vjet, grumbullonin pará sa të mundnin dhe ktheheshin në vendlindje. Ky yni ishte shpërngulës, ne ikëm dhe rallë, shumë rallë, ata si ne mund të jenë kthyer. Kjo shpërngulje mbushi shpirtrat tanë me dhimbje, mall të patreguar dhe shumë krijues thurin poezinë dhe prozën, sepse shpirti ynë ka shumë për të thënë, për këtë shkruaj edhe unë.