VJENA DHE HIJA E NJË GRUAJE-Roberto Bolanjo

in Letërsi/Tharm by

Roberto Bolanjo

Udhëtoj në linjën ajrore të  ish-pilotit Nikki Lauda, natën e kaloj në një hotel ku kanë fjetur Max Brod dhe Franz Kafka dhe takoj shkrimtaren meksikane Karmen Bujosa (Carmen Bullosa). E gjitha kjo në një qytet të bukur dhe të kulturuar, me shëtitore në brigjet e Danubit.

Nuk di të them se ç’gjë qe më e rëndësishme në Vjenë: Vjena apo Karmen Bujosa. Të gjithë e dinë se Vjena është një qytet shumë i bukur dhe i kulturuar; kryeqyteti i një vendi që flirton (dhe mundet që ky flirt të ketë arritur fazën e “futjes së duarve”) me neofashizmin. Gjithsesi, në Spanjë pak mund ta dinë se kush është Karmen Bujosa. Njoftimet e para që pata për të tregonin për një grua shumë të bukur, për të cilën poetëve lirikë meksikanë u fluturonte mendja. Vetë Karmeni, e cila asokohe ende nuk shkruante romane, ishte një poete lirike meksikane. Nuk dija ç’të thosha për këtë gjë. Më dukej diçka e tepruar që, pothuaj, tërë poetët meksikanë të qenë dashuruar marrëzisht me një poete. Si përfundim, të gjithë ata që qenë braktisur prej Karmenit (apo qenë shmangur vetë) qenë bërë miq me njëri-tjetrin ose mundet që të ishin miq edhe më përpara, në fakt, kishin themeluar një shoqëri apo klub letrar, dhe një ditë në javë apo në muaj, mblidheshin në baret e Meksikos apo të Kojoakanit, ku nxirrnin dufin e së shkuarës aq të përgjëruar.

Përherë nga persona të tjerë, gjithashtu, mora vesh se edhe Karmeni, në përgjigje të kësaj, flakë për flakë, kishte themeluar një shoqatë, klub apo organizatë, me gra shkrimtare që, me të njëjtën fshehtësi, bënte po atë që bënte kundërpartia mashkullore.

Një ditë, në një libër historie të letërsisë meksikane pashë një foto të saj. Pa dyshim që ishte një grua shumë e bukur, zeshkane, e gjatë, me sy të mëdhenj dhe flokë që i zbrisnin deri te beli. M’u duk tejet tërheqëse, por po ashtu mendova se duhej të shkruante si mjaft pasues të një realizmi magjik, bërë për konsum lugetërish. Po kur lexova diçka të saj, mendimi im ndryshoi: Karmen Bujosa nuk kishte të bënte fare me këta pasues dhe as me pasuesit e pasuesve. Lexova vetëm disa faqe dhe më pëlqyen. Dhe kështu, derisa mora një ftesë për të shkuar në Vjenë, ku do të ndodhesha në të njëjtin lexim me të.

Një nga gjërat e mira kur shkon në Vjenë është se mund të udhëtosh në një avion të Lauda Air, linja ajrore e pilotit mitik të Formula 1, ku stjuardesat vishen sikur të qenkëshin mekanike të xhirove me shpejtësi të madhe. Përveç kësaj, ushqimi është i mirë. Për fat të mirë apo të keq, ka mundësi që avioni të drejtohet nga vetë Niki Lauda. Dhe pas një çasti, më pak se ç’mund të vonohesh për të të përsëritur tri herë lutjen “Ati ynë”, ndodhesh në Vjenë dhe me një taksi, nëse ke fat, mund të strehohesh në Hotel Graben, një godinë e vogël në Rrugën Dorotheergasse, pranë katedrales së Shën Stefanit, domethënë, mu në qendër të qytetit. Megjithëse gjëja më e rëndësishme e Hotel Grabenit nuk është ndodhja e tij, por ajo se aty kanë bujtur Max Brod dhe Franc Kafka, kur shkonin në Vjenë.

Në hyrje të hotelit ka një pllakë të madhe bronzi që e vërteton këtë që thashë. Unë mbërrita aty natën dhe nuk e vura re pllakën, por kur recepsionisti më pyeti se cilën dhomë doja që të më jepte, atë të Brodit apo atë të Kafkës (nuk vendosja dot se cilën), unë kuptova se më rekomandonte leximin e të dy shkrimtarëve nga Praga, gjë që, duke pasur parasysh situatën politike të vendit, m’u duk shumë e rëndësishme. Pasi e mblodha veten, mora guximin dhe e pyeta nëse kishte ardhur zonja apo zonjusha Karmen Bujosa, që recepsionisti e shqiptoi Bolosa dhe që më bëri të mendoj se, edhe pse Karmen Bujosa është meksikane dhe unë kilian, që të dy kemi të njëjtën origjinë, spanjolle. Përgjigjia e tij më la të zhgënjyer. Frau Bolosa nuk ndodhej në hotel, nuk kishte rezervuar vend dhe nuk dinte asgjë për të.

Kësisoj, dola jashtë dhe erdha rrotull e u futa në Rrugën Graben (isha kureshtar pse hoteli im quhej Graben, ndërkohë që nuk ndodhej në Rrugën Graben), pastaj dola te sheshi i Katedrales Stephansdom, te Figarohaus, te Franziskanerkirche, te Shubertring dhe te Stadtpark, vende që miku im Mario Santiago i kishte bredhur natën dhe në mënyrë klandestine. Pastaj u ktheva në hotel dhe kalova një natë të çuditshme, sikur në dhomën time të qenkësh edhe dikush tjetër, Kafka apo Brodi, apo ndonjë nga mijëra bujtësit e Grabenit që tashmë janë të vdekur.

Në mëngjes u njoha me Leopold Federmair-in, një prozator i ri austriak, me të cilin i ramë anembanë qytetit, duke kaluar në kafet ku shkonte Bernhardi, kur ishte në Vjenë, njëra nga këto kafe ishte shumë afër hotelit tim, nuk më kujtohet në Lobkowitzplatz apo në Augustinerstrasse, dhe pastaj te Kafe Hawelka, përballë hotelit tim, ku pronarja e kafes, një plakushe si ato të përrallave mesjetare, na ofroi kuleç falas që më pas na i shiti, pastaj vazhduam rrugën dhe vizituam kafe të tjera, derisa erdhi ora e leximit tim dhe e çastit kur do të njihesha apo jo me Karmen Bujosan, e cila ishte zhdukur.

Kur mbërritëm në sallë, me vonesë, sepse Federmair-i humbi dy herë, ajo ishte atje. E njoha me ta parë, edhe pse në të vërtetë ishte shumë më e bukur se në foto. Dukej e druajtur, por ishte inteligjente dhe simpatike. Pas një feste në një restorant, ku, si provë e qartë e humorit, njëherazi të çiltër dhe dinak, të vjenezëve, e mbërthyer në një mur ruhej një predhë topi e lëshuar nga turqit, ne mbetëm vetëm. Atëherë, më tha se Katedralja e Shën Stefanit, në fshehtësi i qe kushtuar djallit dhe pastaj më tregoi për jetën e saj. Folëm për Huan Paskoen (Juan Pascoe), i cili kishte qenë redaktori i saj i parë në Meksikë, por, gjithashtu, edhe imi; për Veronika Volkovin (Verónica Volkow), stërmbesë e Trockit;  për Mario Santiagon, i cili kishte qenë disa herë në shtëpinë e saj; për fëmijët tanë.

Pasi e shoqërova deri te hoteli i saj, u ktheva përsëri në Graben dhe atë natë më vizitoi ose ëndërrova sikur më vizitonte Kafka, ose Brodi; njërin prej tyre e pashë në dhomën time dhe tjetrin në dhomën ngjitur, duke mbyllur apo duke hapur valixhet dhe duke fishkëllyer një melodi të ëmbël, që të nesërmen në mëngjes nisa ta fishkëlleja edhe unë.

Ekskursioni tjetër yni ishte në Danub, deri tek i cili mbërritëm me metro. Karmeni ishte edhe më e bukur se natën e kaluar. Nisëm të ecnim në drejtim të Hungarisë dhe gjatë rrugës pamë një çift skiatorësh, një grua të ulur që shikonte lumin, një grua në këmbë duke qarë në heshtje dhe disa rosa shumë të rralla, disa të zeza dhe disa ngjyrë lajthie; secila nga rosat e zeza çiftëzohej me një rosë ngjyrë lajthie, duke bërë që Karmeni të mendonte se të kundërtat tërheqin njëra-tjetrën, përveç nëse rosat e zeza të ishin prindër dhe rosat ngjyrë lajthie të ishin pjellë e tyre.

Dhe pastaj gjithçka shkoi sa më mirë qe e mundur. Kafka dhe Brodi u larguan nga hoteli, Helmut Niederle, një vjenez i mrekullueshëm, më tregoi historinë e këpucarit të famshëm nga Vjena, të cilin e kam futur në një libër. Darkuam në ambasadën meksikane, ku ambasadorja simpatike, me kërkimin e Boujosas, siç mendoj unë, më trajtoi sikur të isha meksikan. Kur, pa dashje, ofendova një nazist, nuk guxova të hyja në Katedralen e Shën Stefanit, takova Labarkën, një romancier i shkëlqyer kilian, dhe dy vajza latino-amerikane, të cilat çdo vit bënin një festival beatnik në Vjenë, dhe sidomos eca dhe bisedova deri në rraskapitje me Karmen Boujosan, shkrimtaren më të mirë të Meksikës.

 Përktheu Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top