NJË RRËFIMTAR NË BOTËN E VET/Roberto Bolanjo

in Letërsi by

 Roberto Bolanjo

Shpesh kuzhina ime letrare është një dhomë e zbrazët, ku nuk ka as dritare. Sigurisht mua do të më pëlqente që ajo të kishte diçka: një llambë, disa libra, një aromë të lehtë guximi; ama e vërteta është se nuk ka asgjë.

Megjithatë, nganjëherë, kur jam viktimë e sulmeve të pafrenueshme të optimizmit (që nga ana tjetër përfundojnë në hare të frikshme), kuzhina ime letrare kthehet në një kështjellë mesjetare (me kuzhinë) a në një apartament në Nju Jork (me kuzhinë dhe pamje të privilegjuar) ose në një kasolle në shpatet e Kordiliereve (pa kuzhinë, por me një vatër zjarri). Në ato çaste, i përqendruar, përgjithësisht bëj atë që bën çdo njeri: humbas ekuilibrin dhe mendoj se jam i pavdekshëm. Nuk dua të them i pavdekshëm, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, sepse këtë mund ta mendoj vetëm një budalla dhe në atë pikë nuk arrij, por i pavdekshëm letrarisht, si qentë, fëmijët apo qytetarët e mirë, të cilët ende s´janë të sëmurë. Për fat të mirë apo të keq, çdo sulm optimizmi ka një fillim dhe një fund. Nëse nuk do të kishte fund, sulmi i optimizmit do të kthehej në synim politik. Ose në mesazh religjioz. Dhe prej aty, deri te varrosja e librave (nuk dua të them “djegia”, sepse do të ishte e tepërt) na ndan veç një hap. E vërteta është se, të paktën në rastin tim, sulmet e optimizmit mbarojnë dhe me to mbaron edhe kuzhina letrare, ajo davaritet në ajër dhe mbetem vetëm unë, që sapo e kam marrë veten, por edhe një aromë tejet e lehtë kusish të pista, pjatash të latërzhyera, salcash të prishura.

Nganjëherë, them me vete se kuzhina letrare është një çështje shijeje, domethënë është një fushë ku kujtesa dhe etika (ose morali, nëse më lejohet të përdor këtë fjalë) luajnë një lojë, rregullat e së cilës nuk i njoh. Talenti dhe epërsia, të përhumbur, kundrojnë këtë lojë, pa marrë pjesë në të. Vetëm guximi dhe trimëria futen në lojë, por edhe ato në çaste të llogaritura, të përpikta, madje vlen të thuhet se edhe ato nuk e tejkalojnë masën në pjesëmarrje. Vuajtja, dhimbja, vdekja, këto po, marrin pjesë, veç me kushtin që të luajnë duke qeshur. Le ta quajmë si një detaj të pashmangshëm kortezie.

Biblioteka letrare është shumë më e rëndësishme se kuzhina letrare. Një bibliotekë është shumë më komode se një kuzhinë. Nëse një bibliotekë ngjan me një kishë, një kuzhinë çdo ditë ngjan më shumë me një morg. Gil de Biedma[1] ka thënë: «Të lexosh është më e natyrshme se të shkruash». Mbase e teproj dhe le të thonë ç’të duan oftalmologët, por unë do të shtoja se është edhe shumë më e shëndetshme. Në të vërtetë, letërsia është një luftë e gjatë, nga tepria në tepri, deri në teprinë e fundit.

Nëse do të më duhej të zgjidhja një kuzhinë letrare për të ndenjur atje gjatë një jave, do të zgjidhja atë të një shkrimtareje, veç jo të një shkrimtareje kiliane. Do të jetoja me shumë kënaqësi në kuzhinën letrare të Silvina Okampos, në atë të Alejandra Pisarnikut, në atë të shkrimtares dhe poetes meksikane Karmen Bulosa (Carmen Boullosa), apo në atë të Simone de Bovuar. Midis arsyeve të shumta, edhe për atë se janë kuzhina shumë të pastra.

Ka plot net që e shoh në ëndërr kuzhinën time letrare: është tejet e madhe, sa tre stadiume futbolli, me çati të harkuara dhe tryeza të pambarimta, ku janë mbledhur gjithë qeniet e gjalla të tokës, ato që janë duke dhënë shpirt dhe ato që për pak kohë do të shuhen; një kuzhinë e ndriçuar në formë heterodokse, në disa zona me prozhektorë antiajrorë dhe në disa të tjera me pishtarë, dhe, sigurisht, nuk mungojnë edhe zona të errëta, ku mezi shquhen vetëm hije luhatëse apo kërcënuese, po ashtu ca ekrane ku, me bisht të syrit, mund të shikosh filma pa zë apo ekspozita fotosh; dhe në ëndërr apo në makth unë kaloj nëpër kuzhinën time letrare ku, nganjëherë, ndez një zjarr dhe pjek një vezë apo thek një fetë buke. Pastaj zgjohem me një ndjesi të jashtëzakonshme lodhjeje.

Dhe, së fundi, një gjë mbetet e qartë: të mos kopjosh askënd. Të paktën, të mos të të varin në sheshin publik. Megjithëse plagjiatorët, sot e kësaj dite, nuk i var kush. Përkundrazi, marrin bursa, çmime, detyra publike, dhe, në më të mirin e rasteve, bëhen best-sellers dhe liderë mendimi. Ç’fund i çuditshëm dhe i shëmtuar: lider mendimi. Që do të thotë bari kopeje ose udhëheqës shpirtëror i skllevërve, poet kombëtar ose babai i kombit, nëna e atdheut ose xhaxhai politik i atdheut.

Në kuzhinën time letrare ideale banon një luftëtar, të cilin disa zëra (zëra që s’kanë as trup e as hije) e thërrasin shkrimtar. Ky luftëtar përherë është duke luftuar dhe e di se në fund, sido që të vijë puna, do të mposhtet. Megjithatë, vrapon nëpër kuzhinën letrare, që është prej çimentoje, dhe përballet me kundërshtarin e vet, pa i dhënë dhe pa i kërkuar mëshirë.

________

Shënim: Në këtë rrëfim të veçantë, me një humor tejet gazmor, shkrimtari kilian tregon të fshehtat e krijimeve të tij. Me një ton të shpenguar, të cilin e shohim gjithashtu te romani i tij “Nokturne kiliane”.

________

ROBERTO BOLANJO

RobertoBolanjo (1953 – 2003) – Shkrimtar dhe poet kilian. Iku nga vendlindja që kur ishte ende djalosh i ri duke u endur nëpër Amerikën Latine. U vendos për disa vite në Meksikë dhe më vonë emigroi në Spanjë (Katalunja), ku jetonte e ëma. Aty bëri punët më të rëndomta, vjelës rrushi gjatë verës, roje nate nëpër kampingje, shitës nëpër lagje, etj., derisa iu kushtua përfundimisht letërsisë. Bolanjo është autor që pranohet si një nga risitë më të mëdha të letërsisë dhe si një nga talentet që fati e mori shumë shpejt. Romani i tij “Detektivët e egër” ka marrë çmimin Heralde (1988) dhe atë RomuloGallego (1999). Pas vdekjes, Bolanjo u bë një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjuhës spanjolle. Është futur në 15 vendet e para të listës me 81 shkrimtarë dhe kritikë latinoamerikanë e spanjollë me njëqind librat më të mirë të tyre në gjuhën kastejano për 25 vitet e fundit.

[1]Gil de Biedma (1929 – 1990) – poet spanjoll.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top