DETEKTIVËT E EGËR: Bota magjike e Bolanjos. Portreti i “një qeni romantik”/KRISTIAN BRITO

in Letërsi by

KRISTIAN BRITO

Të flasësh për Bolanjon do të thotë të flasësh për letërsinë, për botën, për idetë. I konsideruar nga shumë kritikë si një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë hispanoamerikane të kohëve të fundit, gjatë karrierës së tij të shkurtër por të madhe, Bolanjo ka arritur të shkëlqejë si një zë i ri. Bolanjoja paraqiti mundësi zhvillimi të pakufizuara letrare – është quajtur si Kortazari kilian –  por fatkeqësisht, në vitin 2003, vdekja ia preu jetën në mes, si pasojë e një patologjie hepatike të lindur.
I lindur në Santiago të Kilit më 1953, Bolanjoja bëri një jetë mjaft endacake. Qysh në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare shkon në Meksikë ku filloi të punonte si gazetar dhe ku u bë trockist. Në vitin 1973 kthehet përsëri në Kili dhe përjeton grushtin e shtetit. Mori pjesë në rezistencë dhe përfundoi në burg. Me ndihmën e disa detektivëve, miq të adoleshencës, të cilët e njohën në burg, mundi që pas tetë ditëve të lirohej nga burgu. Ikën në San Salvador, ku njohu poetin Roke Dalton dhe vrasësit e tij. Në vitin 1977 vendoset në Spanjë, ku u detyrua (si edhe në Francë më vonë e në shumë vende të tjera) të bënte punë nga më të ndryshmet: pjatalarës, kamerier, roje nate, pastrues rrugësh, hamall anijesh, vjelës rrushi, etj. Derisa në vitet ’80 arriti ta siguronte jetën duke fituar konkurse të ndryshme letrare.
Në fund të viteve ’90 fati kaloi në anën e tij: “Detektivët e egër” (Anagrama, 1999) arriti të marrë çmimet “Herralde” dhe “Rómulo Gallegos”, ky i fundit konsiderohet si çmimi “Nobel” i Amerikës Latine, çmim që e kanë fituar shkrimtarë të sërës letrare si Garsia Markes apo Vargas Josa.
Sot vepra e tij është përkthyer në një numër të madh gjuhësh dhe trashëgimia e tij letrare është sinonim studimi dhe përkushtimi.
Në këtë parashtrim do të përpiqem të analizoj në mënyrë të përgjithshme “Detektivët e egër”, duke u ndalur në disa pika të ndërtimit narrativ dhe në disa plane që na jep dhe na sugjeron fabula e romanit dhe vetë figura e autorit.


Tipa tregimtarësh
Te “Detektivët e egër” tema kryesore është kërkimi i një poezie të re të poetes Cesarea Tinahero. Por, veç kësaj, autori futet në ndjekje të lirisë dhe të dashurisë.
Nisur nga përcaktimi që i bën tregimit teoricieni francez i letërsisë dhe poetikës Zherar Zhenet (Gérard Gennete) se: “tregimi shënon shtjellimin narrativ, bisedën gojore apo të shkruar, që përfshin rrëfimin e një ngjarjeje ose të një sërë ngjarjesh”, mund të themi se te “Detektivët e egër” ekziston një kërkim i dyfishtë: nga njëra anë gjejmë poetët Ulises Lima dhe Artur Belano pas gjurmëve të Cesarea Tinaheros dhe veprës së saj, ndërsa nga ana tjetër gjejmë një tregimtar anonim e të paemër në kërkim të këtyre dy poetëve të rinj. Kërkimi i Cesarea Tinaheros vendoset vetëm në Meksikë dhe nuk e kapërcen periudhën kohore të pak muajve, nga fundi i nëntorit i vitit 1975 deri në shkurt të vitit 1976, ndërsa kërkimi i Limës dhe i Belanos përfshin njëzet vjet dhe zhvillohet gati në dhjetë vende të ndryshme të botës.
Rrëfyesi i parë që del dhe tregon në mënyrë intradiehetike personifikohet nga i riu Huan Garsia Madero, i cili shkruan pjesën e parë – “Meksikanë të humbur në Meksikë (1975)” – dhe pjesën e tretë – “Shkretëtirat e Sonorës (1976)” – të romanit në formë ditari. Tek pjesa e dytë e romanit – “Detektivët e egër (1976 – 1996)” – kemi një mënyrë rrëfimi ekstradiehetike që u ngarkohet 38 personave të tjerë për ta treguar, në pesëmbëdhjetë qytete dhe tetë vende të ndryshme, të cilët janë thjesht dëshmitarë. Për sa i përket rrëfyesit të paemëruar, anonim, mund të bëjmë hamendësime të ndryshme lidhur me çfarë personifikon ai. Unë them se mund të jetë një gazetar apo detektiv, i cili heton historinë e Belanos dhe të Limës, pa kursyer mjetet për të ditur se cili qe fati që patën këta të dy. Objektiviteti dhe specifika, të parashtruara dhe të paraqitura në rrëfimin e Garsia Maderos, ballafaqohen me mënyrën ekstradiehetike, të shpërndarë te shumë rrëfyes që i gjejmë te pjesa e dytë.
Në pjesën e parë të veprës takohemi me personazhin Huan Garsia Madero, meksikanin 17 vjeçar, i klasës së mesme për nga pasuria, i cili tregon historinë e vet. Ai e ka filluar jetën duke iu përkushtuar poezisë dhe dashurisë. Veç kësaj, ky rrëfimtar na tregon edhe historinë e poetëve real visceralistë, historinë e familjes Fonti dhe atë të prostitutës Laura e të kodoshit të saj, Albertit. Huan Garsia në pjesën e tretë të romanit (vazhdim i ditarit të tij), në shoqëri me Laurën, Belanon dhe Limën vazhdojnë kërkimin e tyre përmes një udhëtimi në shkretëtirat e Sonorës dhe, më në fund, e gjejnë Cesarea Tinaheron. Rrëfimi i Garsia Maderos ecën përmes një realiteti të përshkruar në mënyrë të përsosur, i zotëruar nga një rastësi e qëndrueshme, që vazhdon me zbulimin e poezisë dhe mbaron me përleshjen fatale.
Plani i dytë narrativ – “Detektivët e egër (1976 – 1996)” – është ndërtuar me një seri anekdotash, dëshmish, refleksionesh, takimesh, ngjarjesh historike, personash, udhëtimesh, qytetesh, etj. Në këtë plan dallohet anonimi, i cili vepron si marrës dhe përhapës i bisedave të personazheve të ndryshme, edhe kur Artur Belanoja shfaqet duke e kryer këtë funksion, veçanërisht kur bëhet fjalë për kilianin Andres Ramires në barin Briri i Artë në Barcelonë: “Jeta ime ishte e destinuar të dështonte, Belano, ashtu siç ke dëgjuar. Kam dalë nga Kili një ditë të largët të vitit 1975, më saktë në 5 mars,
në orën tetë të darkës, i fshehur në hambarët e anijes Napoli, domethënë si një laro çfarëdo dhe pa ditur hiç se cili do të ishte destinacioni im përfundimtar” (fq. 383).
Tregimi paraqitet prolepsis dhe analepsis në kërkim të Belanos dhe Limës, duke përftuar rrëfime të pavarura, duke vazhduar një praktikë tashmë të nisur me kreun e fundit të romanit të tij “Letërsia naziste në Amerikë” (Seix Barral, 1996), i cili pak më vonë do ta vazhdojë historinë me romanin tjetër “Yll i largët” (Anagrama, 1996), dhe nga i cili më pas do të nxjerrë një prej rrëfimeve te “Hajmalia” (Anagrama, 1999). Kjo është një karakteristikë e veçantë e stilit të tij narrativ: hypertext që dallon veprat e Roberto Bolanjos.
Pra, kështu mund të arrijmë në përfundimin se romani është kompozuar nga një varg i gjatë rrëfimesh (relativisht) të shkurtra, të vendosura njëri mbi tjetrin, si tjegullat ose në formë dialogu, që mund të kthehen shumë lehtë në një libër të pavarur.
Është e domosdoshme të ndalemi te rrëfimi i Garsia Maderos që shërben si bazament i dy shtyllave të romanit (pjesës së parë dhe të dytë) dhe në qendër (pjesa e dytë), përmes një sërë dëshmitarësh, midis të cilëve është ndërhyrja e Amadeo Salvatierrës, i cili luan një rol tepër të rëndësishëm, sepse është një personazh që Bolanjoja e përdor për të shprehur vizionin e tij për botën dhe mendimet e tij rreth marrëdhënieve ekzistuese të poezisë me ekzistencën personale, marrëdhëniet midis poezisë dhe vetë jetës. Romani ngërthen disa karakteristika që të lejojnë të krijosh lidhje me konceptin e romanit gjithëpërfshirës, ku pjesa e dytë – “Detektivët e egër (1976 – 1996)” – përfshin këtë koncept me karakteristika si zërat e shumëfishtë të rrëfyesve dhe ndryshueshmërinë në kohë, me praninë e përhershme të analepsis-it dhe prolepsis-it. Kësaj pjese, dhe duke vazhduar me hypertext-in e Bolanjos, i referohen seria e tregimeve të përmbledhura te “Telefonatat” (Anagrama, 1997), “Kurvat vrasëse” (Anagrama, 2001), përfshi edhe romanin e tij “Natë kiliane” (Anagrama, 2000).
Në vija të trasha, deri këtu pamë karakteristikat e zërave të ndryshëm tregues që duken në roman dhe vazhdimin e tyre në veprat e tjera të autorit. Tani do të ndalemi në një mundësi tjetër të interpretimit të romanit, siç është tragjedia që na paraqitet në të.
Gjasa tragjike e një epoke
Te “Detektivët e egër”, kërkimi i Cesarea Tinaheros na lejon të shquajmë vagëllimthi kritikën refleksive të Roberto Bolanjos mbi letërsinë. Personazhet Lima dhe Belano ndjekin një nga origjinat e mundshme të poezisë moderne meksikane, atë
që është përfaqësuar me real-visceralizmin, që ndonëse është një sajesë e autorit, ka bazën e vet në poetikën avangardiste meksikane të shekullit XX. Në këtë vështrim figura e Huan Garsia Maderos është vitale, jo vetëm sepse jeton dhe zbulon botën letrare, që është e pranishme në Meksiko në mes të viteve ’70, por edhe sepse është ai që shoqëron Belanon dhe Limën në kërkimin e tyre të Cesarea Tinaheros dhe, veç kësaj, është ai i cili përfundimisht shtie në dorë veprën e pabotuar të poeteshës mitike. Pastaj mësojmë se kërkimi i Belanos dhe i Limës ironikisht përfundon me vdekjen e Tinaheros, gjë që na bën të shohim se hamendësimi i origjinës dhe vazhdimi i trashëgimisë së saj do të mbetet në duart e Huan Garsia Maderos, më i riu ndër ta dhe më i fundit i përfshirë në ndërmarrjen e tyre. Personazhet Belano dhe Lima janë dy subjektet më të spikatura brenda një gjenerate hispanoamerikane që ishte e re kur tashmë kishin ndodhur ngjarje të mëdha në botën e letrave, siç ishte kristalizimi i tipareve letrare avangardiste në veprat e poetëve si Vajeho, Borhes dhe Paz, dhe të prozatorëve si Kortazar, Karpentier, Fuentes dhe Oneti. Në këtë kuptim, Bolanjoja thotë në roman për personazhet të tij: “Belano dhe Lima nuk ishin revolucionarë. Nuk ishin shkrimtarë. Nganjëherë shkruanin poezi, por nuk besoj se qenë poetë. Ishin “shitës droge”, një pohim që të bën të dyshosh shumë, por që shfaq gjithnjë opinionin polemik dhe enigmatik të Bolanjos mbi letërsinë dhe veprën e tij.
Bijtë hispanoamerikanë të viteve pesëdhjetë, sipas vështrimit të Bolanjos, dallohen të gjithë nga fati tragjik i utopive të tradhtuara: “Ishim ende tepër të vegjël kur po përgatiteshin projektet e transformimit rrënjësor të botës, dhe, kur arritëm moshën për të marrë pjesë në botë, kuptuam se duhej të fshiheshim midis gërmadhave dhe kufomave”. E mëparshmja, në një masë të madhe, reflekton projektin letrar të fshehur pas “Detektivëve të egër” dhe mesazhin e opinionin që Bolanjoja ka për realitetin përmes të cilit iu desh të kalonte brezi i tij.
Te “Detektivët e egër”, pyetjet mbi origjinën na drejtojnë në terrenet e tragjedisë, dhe në këtë kuptim, gjetja e Cesarea Tinaheros i vendos personazhet në prag të makthit që përfaqësohet nga vrasja, mërgimi, pakuptimi, tekembramja: nga vetasgjësimi. Megjithatë, fundi i romanit të lë një fill shprese, besimi në imagjinatë, kur Garsia Madero, përpara një katërkëndëshi me vija të ndërprera, pyet veten: “Çfarë ka pas dritares?”. Me veprën aq të kërkuar të Cesarea Tinaheros në dorë, i riu Garsia Madero e ka jetën ende përpara, për të lexuar dhe gjetur përgjigjet. Për fat të keq, me vdekjen e Bolanjos, këto dhe shumë pyetje e përgjigje të tjera, mbetën të varrosura përgjithmonë.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top