Author

Admin - page 55

Admin has 1827 articles published.

LIBRA UJORË-Neviana Shehi

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

LIBRA UJORË-Neviana Shehi
 

 

Dallga e detit dhe dallga e gurit
matin lartësitë e njëra tjetrës
pastaj hapin dyert e detit
me bubullima të rënda
 
Në brigje ka ende zjarre grekësh të lashtë
dhe anije të drunjta
libra ujorë përplot histori
dhe flokë nimfash të mbytura
 
Ndonjëherë nga një nimfë e tillë
del prej thellësive të vdekjes së saj
që ta vizatojë mëngjesin me flokët e gjata
 
Të tjerat grinden me turistët e zhurmshëm
që zbresin valë – valë nga linjat e largëta të Pireut
dhe jo më kot ky është një vend
ku historitë kanë shtretërit e tyre
dhe s’duhen shqetësuar për asnjë shkak
 
Në kohë stuhish të ashpra
kam parë trupa luftëtarësh të vdekur
që mbajnë njeri tjetrin për krahësh
dhe shkojnë për t’u falur
para statujës së Posedonit
 
Në shënimet e lashta
thuhet se një rit i tillë ua bën atyre
më të lehta dhimbjet
por mund të jetë edhe një çast reflektues
për kujtesën e harruar
të martirëve të thellësive
 
Sidoqoftë
çdo ditë dallga e detit dhe dallga e gurit
ndeshen fort me njëra tjetrën
për të krijuar një mit.

Në kopshtin e tij ka një pjeshkë-Hienrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Hienrich Böll

Rrethana të veçanta më detyruan të nxirrja një sekret, të cilin doja ta ruaja deri në fund të jetës. Unë i përkas një klubi apo më mirë, një shoqërie sekrete, megjithëse isha betuar që të mos i bashkohesha kurrë një instituti të tillë. Është shumë e sikletshme, por problemet e brezit të ri, po aq sa serioziteti i tmerrshëm me të cilin fqinji im ruan pjeshkën e tij, me nxitën që ta bëj këtë rrëfim, të cilin po e bëj duke u skuqur. Unë jam një ribbeckian – dhe i bindur ndaj rregullave të klubit tonë marr penë, bojë, letër, hap fletoren time të vjetër të shkollës dhe filloj të shkruaj: Zoti Ribbeck i Havelland-it/Në kopshtin e tij ka një pjeshkë… Të bën të ndihesh mirë të shkruash me dorë për një ndryshim, të kalit durimin, më detyron që ta lexoj ngadalë poezinë e me kujdes dhe kjo gjë, në këmbim më detyron të buzëqesh dhe sigurisht që nuk të bën dëm të qeshësh ndonjëherë.
Kështu që unë e kopjoj me ngadalë baladën dhe i mëshoj vulës prej gome në letër, të cilën ne – anëtarët e shoqërisë së ribbeckianëve – jemi të detyruar që ta mbajmë në dorë. “Bashkoju klubit tonë! Detyrimi yt i vetëm është që ta kopjosh poezinë bashkangjitur dhjetë herë dhe t’ua dërgosh atë pronarëve të pemëve frutore. Pastaj ti mund ta quash veten një ribbeckian, një veçori që ne kemi besim se ti do ta vlerësosh.”
Unë shkruaj adresën e fqinjëve në zarf, ngjis një pullë dhe shkoj te kutia e postës. Kështu ndodh, edhe pse kutia e postës është ngjitur me gardhin e këtij fqinji kaq ngjitur me mua dhe ndërsa ngre kapakun e verdhë të kutisë së postës, unë arrij ta shoh – fqinjin tim – duke ndenjur atje në shkallë, me gishtin tregues ngritur, duke prekur lehtë pjeshkët e tij një e nga një. Nuk ka dyshim për këtë, ai po i numëron ato.
Mëngjesin tjetër ne jemi krah për krah, fqinji im dhe unë, duke pritur postierin, atë engjëll aq të keqpaguar, të cilit as këmbët e sheshta nuk ia pakësojnë sharmin.
Fytyra e fqinjit tim duket edhe më e verdhë se zakonisht, buzët i dridhen dhe sytë e përskuqur lehtë tregojnë se ka kaluar një natë pa gjumë.
– Nuk thuhet me fjalë, – më thotë ai, – se si kanë rënë standardet morale. – Sot të rinjtë nuk janë gjë tjetër veçse hajdutë dhe grabitës. Ku do të përfundojë e gjithë kjo?
– Në katastrofê.
– Pikërisht. E shoh që je dakord.
– Sigurisht. Është e pashmangshme. Ne po lëvizim në mënyrë të pashmangshme drejt humnerës. Gjithë kjo shthurje, gjithë këto dëfrime.
– Nuk ka respekt për pronën e të tjerëve! Tjetri duhet të… por policia refuzon të ndërhyjë. Thjesht imagjino. Dje mbrëma unë i kisha ende të njëqind e tridhjetë e pesë kokrrat në pemën time – dhe këtë mëngjes – a e gjen dot sa kam?
– Njëqind e tridhjetë e dy?
– Je optimist. Njëqind e tridhjetë. Pesë pjeshkë të pjekura. Thjesht imagjinoje. Rrënqethem vetëm kur e mendoj.
– Thasë dhe hi, – nuk kemi alternativë. Morali është diçka e së shkuarës. Arrij t’i përfytyroj kohët që po vijnë…
Por afrimi i postierit më ndihmon që të mos ta mbaroj fjalinë. Letra që hodha në kutinë e postës dje e kishte kryer ciklin e saj dhe tani nëpërmjet mbledhësit, ndarësit dhe postierit, ndodhej në duart e fqinjit tim.
Për mua nuk kishte postë. E kush do mê shkruante mua, që nuk jam një ribbeckian aktiv por thjesht pasiv? Unë nuk nuk kam në pronësi një pemë frutore, madje, as edhe ndonjë shkurre dhe i vetmi njeri që ma di emrin është shitësi i ushqimores në cep, i cili, kundra dëshirës më jep falas dhe me sy të pikëlluar sheh bukën gri, margarinën dhe duhanin e prerë imët që zhduket në çantën time të pazarit dhe që me kokëfortësi më refuzon dhënien e ciagareve të rregullta dhe të verës së kuqe. Por ka ardhur çasti që të vëzhgoj shprehjen që ka marrë fqinji im: ai e ka hapur letrën, ka vënë syzet dhe me një rrudhje vetullash fillon të lexojë; ai lexon, lexon dhe unë jam i habitur me gjatësinë e asaj balade. Më kot pres për ndonjë buzëqeshje në fytyrën e tij; asgjë, nuk ka asgjë në të. Pa dyshim që një person, i cili nuk reagon ndaj letërsisë, po aq nuk reagon edhe ndaj humorit. Ai heq syzet, meqë ka qenë duke lexuar ca gjëra të parëndësishme, e palos letrën, e hap sërish dhe ma zgjat mua që nga gardhi, duke thënë:
– Dëgjo, mos je ti…. ë… çfarë qe ajo?
– Shkrimtar, – them unë.
– Sigurisht, hidhi një sy kësaj, çfare paske bërë këtu?
Pamja e papritur e shkrimit tim të dorës më shokon.
Ndishta, mendoj unë, ai është një person të cilin mund ta arrish vetëm në mënyrë akustike, indiferent ndaj sharmit vizual.
Dhe unë filloj të lexoj me zë të larteë “Zoti Ribbeck i  Havelland-it/ Në kopshtin e tij ka një pjeshkë…
– Oh, e di se çfarê do të thotë!
– A e pe pullën në fund? Êshtë një pullë atje: “Bashkoju klubit tonë!”
– E di, e di, – thotë ai me padurim dhe fytyra e tij e zbehtë merr një hije më të errët. – por nuk ka kuptim që të më dërgosh mua diçka të tillë pasi kam vetëm një pjeshkë. Është diçka për dardhët, apo jo? Menyra sesi njerëzit humbin kohën.
Ai tund kokën dhe lëviz sa andej-këtej në pozicionin e tij të vëzhgimit në pjesën e prapme, atje ku ai mund t’i ruajë pjeshkët.
E shoh, mendova unë, ndërsa palosa letrën dhe tani po pyes veten nëse duhet të aplikoj për një ndryshim në statusin e klubit tonë. Sigurisht që balada do ta humbte muzikalitetin, sepse nuk ka dhe aq shumë fruta një rrokëshe.

Përktheu: Arlinda Guma

ENIGMA-Henri Michaux

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ENIGMA-Henri Michaux

 

Ata e dinin ç’do të thotë të rrish në pritje. Kam njohur njërin, edhe të tjerë e kanë njohur, që priste. Ishte futur në një vrimë dhe priste.
Nëse ti kërkoje një vrimë që do të hynte në punë për ndonjë gjë, do ia vlente më mirë, më beso, të kërkoje tjetërkund një tjetër vrimë, ose të uleshe aty pranë tij, e të tymosje çibukët e gjatë të durimit.
Sepse ai nuk luante vendit.
I hidhnin gurë dhe ai i hante.
Në fillim dukej i habitur, pastaj i hante. Ashtu rrinte edhe kur flinte, edhe kur ishte zgjuar, më shumë se jeta e një të paragjykuari, më shumë se një kedër, më shumë se psalmet që këndojnë kedrët e rrëzuar; ai priste kështu, gjithmonë duke u pakësuar derisa të mbetej vetëm gishti i vetvetes.

*

Isha mimika.
Isha fytyra e një njeriu, por te qeni zija vendin e bishtit, domethënë zvarritesha, teksa një karrocë që po kalonte rrafsh me tokën, më rrëzoi përdhe.
Kur ra mbrëmja, një burrë, ngaqë iu duk si cigare, e mori mimikën dhe u frikësua.

*

Isha një fetus.
Nëna më zgjonte kur qëllonte që mendonte për zotin Riez.
Ndonjëherë, në të njëjtën kohë zgjoheshin edhe fetuse të tjerë, fetuse nënash të rrahura apo që pinin alkool apo që rrëfeheshin.
Kështu pra, një mbrëmje, ishim shtatëdhjetë fetuse që bënim muhabet nga njëri bark në tjetrin, nuk di në çfarë mënyre, në largësi.
Më vonë nuk e takuam kurrë njëri-tjetrin.

*

Me ca tul buke krijova një kafshë të vogël, një si lloj miusheje. Me t’i mbaruar putrën e tretë, miushja nisi të vrapojë… U arratis duke përfituar nga nata.

 

Përktheu: Alket Çani

Pse shkruaj?-Neviana Shehi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Neviana Shehi.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Neviana Shehi

      PSE SHKRUAJ!

E kam pyetur veten: pse shkruan?
Shumë herë më kanë pyetur: pse shkruan? Është e pashmangshme edhe pyetja: po pse në historinë e njerezimit gjithmonë pati individë të veçantë që shkruanin e që u njohën e njihen si poetë, shkrimtarë, dramaturgë, filozofë e shumë profile tjera që nuk iu ndanë penës së tyre. Ata që shkruajnë nuk do të jenë në gjendje të tregojnë saktësisht se pse shkruajnë, sepse secili ka përkufizimin e vet.
Poezia është diçka shpirtërore, është emocion, shije estetike, është shprehje në shërbim të të bukurës, në shërbim të të vërtetës. Nëse është përvojë shpirtërore, atëherë gjithsesi do t’i gjejë ata shpirtra që presin ta ndiejnë dhe të përjetojnë pikërisht të njëjtin emocion.
Të shkruash, do të thotë t’i dorëzohesh çastit të vetmisë, çastit kur shpërthen dhimbja, pikëllimi, pse jo, edhe gëzimi. Mbase poezia nuk pretendon të shpjegojë, por të ndjehet, duke qenë një gjuhë e shpirtit. Kurse gjuhën e shpirtit e njohin vetëm ata që janë të ndjeshëm dhe të përgatitur për t’ia hapur portën e shpirtit bukurisë, dhimbjes, pikëllimit, dashurisë e gëzimit.
Vetë natyra është poezi, duke bërë magji me ngjyra. Është magjike kur e shikon qiellin të mbushur me yje dhe diku më afër Hënën, e cila në heshtje sikur na lexon vargje shpirti. Poezi është lindja dhe perëndimi i diellit, poezi është deti, poezi janë lindjet e foshnjave, por edhe vdekjet. Nëse natyra shkruan poezi përmes pamjes, atëherë njeriu bën të njëjtën veprim, por përmes fjalës.
Poezia është shprehja e shpirtit, ndaj dhe shkruaj sepse mendoj se vetëm shpirtërorja lehtëson shpirtin përballë sfidave të shumta që tentojnë ta helmojnë. Shkruaj, sepse dua që sado pak t’i lumturoj shpirtërat e pikëlluar, të mërzitur, t’ua kthej shpresën atyre që e kanë humbur.
Fjala e bukur është gjuha e zemrës sonë dhe nëse shkruajmë me zemër, atëherë misioni ynë human arrin te përmasa e së vërtetës.
Të shkruash, do të thotë të bësh magji: të arrish të depërtosh te vuajtja, te vetmia, te dhimbja, të humbja, te loti…
Dëshira për të shkruar më kishte lindur që herët. Ndoshta ma kishte imponuar vetë jeta, për të cilën mendoja se ishte përplot me enigma. Pastaj (sërish jeta) kjo dëshirë sikur u zbeh, sepse isha në kërkim të vetes.
Dhe, një ditë ndjeva se diçka më mungonte. Në fakt, më mungonte fjala e bukur, më mungonte vetja… Atëherë u binda se kishte ardhur koha t’i kthehem emocionit, përkatësisht shpirtërores, për ta bërë dhimbjen më te butë e pikëllimin më të lehtë.
Nuk kam ndonjë përkufizim të prerë se pse shkruaj, por e di se diçka përbrenda meje më cyt të shkruaj dhe se shkrimi është bërë fati im nga i cili nuk shmangem dot…

Një burrë familjar-Victor Sawdon Pritchet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Victor Sawdon Pritchett

Mbasdite vonë, kur ajo kishte hequr dorë nga shpresa se ai do të vinte, madje kishte ndërruar edhe fustanin rozë dhe ishte rehatuar me xhinset dhe bluzën e hirtë dhe kishte filluar punën tek stoli i saj, ra zilja e derës. Uilliami më në fund erdhi. Ishte në natyrën e lidhjes së tyre të dashurisë që vizitat e tij të ishin të papritura. Ai kishte grua dhe fëmijë. Por ajo e mirëkuptonte situatën, madje ndiente edhe një lloj kënaqësie kurioze tek fantazonte në mungesë të tij, fantazi që këto kohët e fundit kishte zgjatur disa javë. Berenika uu afrua derës ngadalë, duke u shtriqur e shkundur dhe ndërsa rrëshqiste shulin, foli me zë të lartë; “Çdo gjë është në rregull baba, mos lëviz se po e hap unë derën,”edhe pse në apartament ajo ishte vetëm.

Uilliami ia kishte kërkuar ta bënte këtë, pasi ajo ishte një grua që jetonte vetëm. E thirrura do t’u tregonte të panjohurve se aty ishte një burrë për ta mbrojtur. Por zëri i Berenikës ishte tallës, pasi ajo e konsideronte idenë e tij, dominante, kontrolluese dhe sidomos qesharake. Dhe të mendosh që ajo ishte rritur nga *Kuakërsat dhe për ta ishte mëkat të gënjeje. Ndonjëherë, kur ia hapte derën, i thoshte: “Mirë se erdhe Zoti Kork”, si për t’i kujtuar atij që ishte burrë i martuar. Gjithsesi, ai kishte një lloj bukurie, që hijeshohej dhe shkëlqente më së shumë prej fajit dhe kjo ishte ajo që e bënte lidhjen e tyre të dashurisë edhe më pikante.

Po kur hapi derën, nuk ishte Uilliami. Bashkë me gogësimën, edhe ironia e shpresat i mbetën në grykë. Një grua shumë e shëndoshë, shumë më e gjatë se ajo, kishte zënë derën në gjithë gjatësinë e gjerësinë e saj. Ishte si një tullumbace gjigante e veshur me një bluzë pambuku rozë, të gjatë dhe të hapur në kraharor dhe me një fund jeshil. Një fytyrë dhe një trup i fryrë deri në pikën që të linte pa gojë. Gruaja që ngjante si një bebe gjigante, kishte sy të mëdhenj blu dhe dukej sikur ishte në gjumë me sy hapur.
“Po?” foli Berenika me zë pyetës.

Gruaja u zgjua dhe i vështroi me dyshim këmbët e Bernikës, të cilat ishin zhbathur, pasi asaj i pëlqente të ecte zbathur nëpër shtëpi, i tha:
“Ky është vendbanimi i Zonjushës Fostër?”
Bernika u ndje e fyer nga fjala “vendbanim.”
“Po, kjo është shtëpia e Zonjës Fostër,” tha ajo, “Unë jam ajo.”
“Ah,” tha gruaja me një zë të sheqerosur po jo si prej bebeje. “Ma dhanë adresën tuaj në universitetin ku jepni mësim. Besoj se ju jepni mësim në universitet apo jo? Kam ardhur për atë riparimin.”
“Riparimin? Unë bëj bizhuteri. Nuk bëj riparime.” tha Berenika.
“Në universitet më thanë se ju po riparoni flautin e burrit tim. Unë jam Zonja Kork.”

Zemra e Berenikës ndaloi. Kyçi i dorës iu dobësua dhe dora u var e pafuqishme tek doreza e derës, e cila u ul poshtë nga pesha. Një rrymë ajri e akullt e goditi në trup dhe fytyrë dhe menjëherë më pas një nxehtësi flakëruese e kaploi të tërën. Koka papritur filloi t’i buçiste nga një kakofoni zërash: “O Zot! Sa e frikshme.” “Uilliam, nuk besoj se ti i ke thënë gjë kësaj?” “Po tani çfarë do të bësh Berenik?” Dhe fjala “Bësh, bësh” filloi ti oshëtinte në kokë.

“Kork?” pyeti Berenika. “Flautin?”
“Florensa Kork,” tha gruaja me vendosmëri dhe në çast, ëmbëlsia dhe përgjumja iu zhduk.
“Ah, po. Me vjen keq. Zonja Kork, sigurisht që ju duhet të jeni. Oh, po hyr brenda. Më vjen shumë keq, nuk mbaj mend të jemi takuar më parë. Sa mirë që u njohëm! Ah, flauti i Zotit Kork, i Uilliamit! Flauti i tij. Po, po më kujtohet. Si jeni? Si është ai? Ka muaj që nuk ka ardhur në universitet. A e keni parë kohët e fundit? Ç’budallallëk, sigurisht që e keni parë. Bukur kaluat pushimet? A ju pëlqeu fëmijëve? Unë do t’jua kisha postuar flautin, vetëm se nuk e dija adresën tuaj. Po hyni, hyni ju lutem.”

“Brenda?” pyeti Zonja Kork dhe marshoi drejt dhomës ku po punonte Berenika. Këtu nën ndriçimin e drejtpërdrejtë të llambës së punës, Florensë Kork dukej edhe më e madhe, madje dukej shtatzënë. Jo vetëm ngjante sikur e pushtoi të gjithë dhomën, po nga qëndrimi i saj, dukej sikur po fiksonte në mendje çdo objekt të saj – stolin, gotat e penelave, dizenjot e mëdha të ngjitura në mur, rrotullat e letrës, divanin e mbuluar me gazeta, revista e letra të tjera dhe materiale qepjeje, fustanin rozë që Berenika e kishte hedhur mbi një karrige. Ngjante sikur po i përpinte të gjitha, sikur i thithte të gjitha bashkë me ajrin.

Këtu Berenika e rifitoi frymën, ashtu këmbëzbathur mes çrregullimit, për të cilin ishte jashtëzakonisht krenare për pamjen që me të vërtetë përfaqësonte jo vetëm talentin e saj, por edhe pavarësinë dhe të drejtën e saj si vajzë për të pasur një jetë të sajën.
“Është kënaqësi e madhe që ju takoj,” i tha ajo. “Zoti Kork na ka folur shpesh për ju në universitet. Ne jemi si një familje aty. Uluni ju lutem. Po e heq këtë fustanin, të cilin sapo e palosja kur ra zilja e derës.”

Por Zonja Kork nuk u ul. Papritmas ajo u hodh drejt stolit, kur pa aty flautin e burrit të saj, të mbështetur pas murit. E mori dhe e tundi sipër kokës, sikur të ishte një armë.
“Pikërisht,” tha Berenika, ndërkohë që mendonte: ‘Oh zot, kjo qenka e dehur!’ “këtë mëngjes isha duke punuar me të. Nuk kisha parë kurrë më parë një flaut të tillë me butona kaq të bukur argjendi. E kuptova menjëherë që është shumë e vjetër. Gjerman apo jo, i trashëguar prej babait të Zotit Kork. Besoj që me të ka pas luajtur në një orkestër të famshme, në… ku ishte, Bayreuth apo Berlin? Nuk mund të gjesh një instrument si ky në Angli. Jo me të tillë butona argjendi kaq delikatë sa ky. Por me sa duket ka rënë diku apo është goditur, se ka një dëmtim fare të vogël. Zoti Kork më tha se edhe ai vetë një herë kishte pas luajtur në një orkestër, në Kovent Garden mos gaboj.”
Ndërkohë vuri re se Zonja. Kork po e vringëllonte flautin në ajër.

“Një goditje?!” klithi Zonja. Kork me një zë të fuqishëm mishtor. “Po ndoshta ndodhi kur ia flakërita atij në kokë” Pastaj e uli krahun dhe qëndroi duke u tundur në këmbë, ndërsa iu kthye Berenikës dhe i tha: “Ku është ai?”
“Kush?” pyeti Berenika me frikë.
“Burri im!” klithi Zonja Kork. “Mos u mundo të më bësh lajka e furça me gjithë këto marrëzira. Paska luajtur edhe në orkestër pale! Me kësi mbroçkullash ta paska mbushur trurin? E di mirë unë se ç’bëni bashkë. Ai vjen këtu çdo të enjte dhe sot është këtu që prej orës 2:30. E di. E kam mbajtur në vëzhgim këtë vend.” Dhe iu turr me vrik derës së mbyllur të dhomës së gjumit.
“Çfarë ka aty?” ulëriti duke ecur drejt saj.
“Zonja Krok”, tha Bernika me aq qetësi sa mundi. “Unë s’di asgjë për burrin tuaj. Nuk e di as se për çfarë po flisni.” Dhe qëndroi para derës së dhomës. “Ju lutem mjaft bërrtitët. Kjo është dhoma e babait tim.” Dhe e tronditur nga akuza e Zonjës Kork shtoi, “Ai është një burrë i moshuar dhe nuk ndiehet mirë. Tani është duke fjetur.”
“Aty brenda?” pyeti Zonja Kork.
“Po, aty brenda.”
“Po në dhomat e tjera? Kush jeton lart?”
“Nuk ka dhoma të tjera në këtë apartament.” tha Berenika. “Unë jetoj këtu vetëm me babanë tim. Ndërsa në katin e sipërm, jetojnë disa banorë të rinj që sapo kanë hyrë.”

Berenika u befasua prej fjalëve që i dilnin nga goja, pasi ajo ishte një grua e re që thoshte gjithmonë vetëm të vërtetën. Po jo vetëm u befasua, po edhe u emocionua prej kësaj gënjeshtre kaq të madhe. I dukej sikur edhe ajri shndriste ndërsa ajo fliste.

Zonjën Kork nuk po e mbanin më këmbët dhe u lëshua në karrigen ku Berenika kishte vendosur fustanin.
“Kujdes fustanin, nëse më lejoni,” i tha Berenika dhe e tërhoqi fustanin.
“Nëse nuk e bëni këtu,” tha Zonja Kork me një zë më të qetë dhe me lot në sy, “e bëni diku tjetër.”
“Unë nuk di asgjë për burrin tuaj, zonjë.” i tha Berenika. “E shoh vetëm në universitet si profesorët e tjerë. Nuk di asgjë për të. Tani, nëse ma jepni flautin, do ta paketoj dhe do t’jua jap, por më duhet t’ju kërkoj të ikni.”
“Ti nuk më mashtron dot mua. Unë di gjithçka. Ti mendon se meqë je e re mund të bësh çfarë të duash?” mërmëriti me zemërim Zonja Kork dhe filloi të rrëmonte në çantën e saj.

Për Berenikën, një nga arsyet e tërheqjes ndaj Uilliamit ishte edhe fakti që takimet e tyre ishin të paplanifikuara, spontane. Lidhja e tyre dashurore ishte si një lojë. Mbi të gjitha asaj i pëlqente surpriza. Për të loja vazhdonte edhe kur ai s’ishte aty. I pëlqente të imagjinonte se çfarë po bënte ai dhe familja e tij. I përfytyronte së bashku, si në një fotografi familjare, të përhershme por absurde. Të ulur në diell, ndoshta në kopshtin e shtëpisë së tyre periferike, para një automobili, ndërsa Uilliamin me fytyrë zeshkane, i zënë në gravitetin e tij, pranë tyre, por jo ngjitur, një apo dy hapa prapa.

“A është e bukur gruaja jote?” e kishte pyetur një herë Uilliamin në shtrat. Atij, me mënyrën e tij serioze dhe të ngadaltë, iu desh pak kohë të përgjigjej, derisa më në fund i tha: “Shumë e bukur”.
Kjo e kishte bërë Berenikën të ndihej jashtëzakonisht e bukur. E përfytyronte gruan e tij me flokë të zinj korb, me sy të zinj të errët dhe dëshironte shumë ta takonte. Sa më shumë e imagjinonte, aq më shumë magjepsej, aq më shumë përfytyronte se shiheshin sy më sy me dashuri dhe mbushej me ndjenja e emocione të paqarta femërore, sepse si një grua që jetonte vetëm ajo ndiente besnikëri të fortë ndaj gjinisë së saj.

Gjatë verës së shkuar, kur Uilliami dhe familja e tij ishin me pushime, ajo i kishte imagjinuar sërish. Teksa ishin ulur sëbashku me dhjetëra familje të tjera në aeroplanin që po i çonte jashtë vendit. Ditë pas dite e natë pas nate qielli i Londrës gumëzhinte nga skandalet rreth martesave, po jo nga martesa e tyre. Ata ishin 9144 m mbi qytet dhe periferi, në detin e kaltër e plazhet e tij, ku ajo i shihte duke vrapuar bashkë me fëmijët e tyre në rërë e në breg të detit, Williamin të skuqur prej përgjegjësive, ndërsa gruan e tij duke u rehatuar e duke u nxirë në diell.

Berenika dilte shpesh me miqtë e saj të shumtë, shumica e të cilëve ishin të martuar. Asaj i shijonin shumë, si vështrimet ngacmuese të fytyrave të lodhura të burrave, ashtu edhe vështrimet vigjilente të grave të tyre vitale. Mes të martuarve kuptoi personalitetin e saj vetmitar. I shihte e dëgjonte dashuritë dhe grindjet e tyre. Luante me fëmijët e tyre, të cilët vraponin me gëzim drejt saj, sapo e shihnin. Kuptoi që s’mund ti duronte djemtë e rinj që i afroheshin, duke folur me entuziazëm gjithë kohës për veten e tyre, të ndezur e të nxituar prej egoizmit rinor, në përpjekje për t’i dhënë fund vetmisë së saj. Mes familjeve, ajo e ndiente veten të huaj po të nevojshme, një sekret të domosdoshëm. Kur Uilliami i tha se gruaja e tij ishte e bukur, u ndje aq e bukur, sa edhe kockat iu dukën se iu kthyen në ujë.

Por kjo Florenca e vërtetë, që qëndronte para saj dhe që në këtë çast po gërmonte në çantën e saj, kjo tullumbace gjigante, që në fillim iu duk si një bebe e përgjumur, po që më pas me klithmat e akuzuat e frikshme, bëri që çdo imagjinatë për të zhdukej. Kjo Florenca e vërtetë dukej e pabesueshme dhe joreale. Tani ideja e saj edhe për vetë Uilliamin ndryshoi. Pamja e tij simpatike u bë e zakonshme dhe dyshuese; serioziteti i tij u shndërrua në dinakëri, mburrja e gruas iu duk e llogaritur. Ai ishte më i shkurtër se e shoqja dhe fytyra e tij tani i ngjante me atë të një qeni të rrahur dhe ajo filloi t’i imagjinonte në çift: Florencën duke tërhequr zvarrë këmbët e trasha, ndërsa ai që e ndiqte nga pas si langua. Berenika u inatos që kjo grua e kishte detyruar t’i thoshte një gënjeshtër, çuditërisht në mënyrë të pavëtëdijshme, po që e bënte të ndihej edhe më shumë të shëmtuar sepse, nëse Florenca ishte lloji i femrës që ai e konsideronte të bukur, atëherë ajo, Berenika, duhej të ishte e shëmtuar. Dhe jo vetëm e shëmtuar por edhe patetike e pa dinjitet.

Berenika e vëzhgoi me kujdes, ndërsa gruaja nxirrte një letër nga çanta.
“Atëherë çfarë është ky gjerdani?” pyeti Zonja Kork, duke shpërthyer përsëri.
“Çfarë gjerdani?” pyeti Berenika.
“Lexoje. Ti vetë e ke shkruar.”
Berenika buzëqeshi e surprizuar. E kuptoi që s’kishte më nevojë të mbrohej. Ajo mburrej me faktin që ishte e ngurtë e sqimatare. Kurrë në jetën e saj nuk i kishte shkruar ndonjë letër një të dashuri. Për të ishte si t’i jepte diçka nga vetja, ishte një lloj paturpësie. Dhe sigurisht që e konsideronte shumë të gabuar të lexonte letrën e dikujt tjetër. Por zonja Kork ia zgjati me dhunë letrën. Berenika e mori me dy gishta, i hodhi një vështrim të shpejtë dhe ia ktheu pa e parë emrin e letër-shkruesit.

“Ky nuk është shkrimi im,” i tha. Shkrimi ishte me shkronja të mëdha të rrumbullakosura e të shtrira njëlloj. I saji ishte i vogël dhe si këmbët e pulës “Kush është Bani (lepurushi)? Kush është Rozi?” Zonja Kork ia rrëmbeu letrën dhe filloi ta lexojë me një zë të zhurmshëm që i bënte fjalët qesharake “Mezi po e pres gjerdanin. Thuaji asaj vajzës të nxitojë. Sille herën tjetër. Dhe i dashur, mos harro të sjellësh flautin!!! Rozi.”” Çfarë do të thuash, kush është Bani? pyeti Zonja Kork. “Ti e di shumë mire, që Bani është burri im.”

Berenika u kthye dhe i tregoi me gisht një postër të vogël të ngjitur në mur. Ishte një fotografi e një gjerdani dhe tre karficave që ajo i kishte paraqitur në një ekspozitë mode shumë e njohur për bizhuteritë moderne. Në fund të posterit, e shtypur në mënyrë elegante, ishin fjalët “Krijuar nga Berenika”. Bernika i lexoi fjalët me zë të lartë, duke i recituar sikur ato të ishin një varg poezie. “Emri im është Berenika,” tha ajo.

Ishte e çuditshme të thoshe të vërtetën. Papritmas iu duk se ndërsa recitonte fjalët, Uilliami me të vërtetë s’kishte qenë kurrë në apartamentin e saj; se ai kurrë nuk kishte qenë i dashuri i saj dhe se kurrë nuk i kishte rënë atij flauti të mallkuar; dhe se, në të vërtetë, ai ishte burri më i mërzitshm i universitetit dhe se një hendek e ndante atë nga kjo grua kaq xheloze dhe e shëmtuar.

Ndërsa studionte posterin, fytyrën e Zonjës Kork, që ishte akoma shumë mosbesuese, e mbuloi dëshpërimi.“E gjeta në xhepin e tij,” tha ajo e pafuqishme.
“Ne të gjithë gabojmë, Zonja Kork,” tha Berenika ftohtë që përtej hendekut. Dhe si fitimtare shtoi me bujari: “Më lejoni ta shoh përsëri letrën”.
Zonja Kork ia dha letrën dhe Berenika e lexoi. Tek fjala “flaut” i mbiu në kokë një dyshim. Dora filloi t’i dridhej dhe ia ktheu letrën menjëherë Florencës.
“Kush jua dha adresën time? Dua të them, në uiversitet?” e pyeti me një ton akuzues. “Ekziston një rregull që nuk duhet të jepen as adresat e as numrat e telefonit.”
“Vajza,” tha Zonja Kork duke u mbrojtur.
“Cila vajzë? Ajo e informacionit?”
“Jo, ajo solli dikë tjetër.”
“Kush ishte ky?” pyeti Bernika.
“Nuk e di. Po emri më duket se i fillonte me “W”,” tha Zonja Kork.
“Wheeler?” pyeti Bernika, “Është një zotëri me emrin Wheeler tek ne”.
“Jo, nuk ishte burrë. Ishte një grua e re. Me ‘W’- Glowitz.”
“Kjo fillon me “G”, tha Berenika.
“Jo, jo” tha Zonja Kork edhe më shumë konfuze, po tani dhe si e frikësuar nga Berenika.”Glowitz ishte mbiemri.”
“Glowitz?” tha Bernika me zë mosbesues. “Rozi Glowitz? Po ajo nuk është e re.”
“Nuk e vura re mirë,” tha Zonja Kork. “Po pse Rozi quhej ajo?”

Berenika papritmas u ndje sëmurë. Ndjeu marramendje dhe të ftohtë. Hendeku mes saj dhe Zonjës Kork u mbyll. “Po,” tha Berenika dhe u ul në divan, duke larguar letrat dhe gazetat nga vetja. “a ia treguat asaj letrën?”.
“Jo,” i tha Zonja Kork, dinjitoze sërish për mjë çast. “Ajo më tha se ju po e riparonit flautin.”

Berenika do të donte t’i thoshte “Të lutem, ik.Ty të kanë mashtruar dhe ti po akuzon personin e gabuar. Unë mendoja se burri yt quhej Uilliam. Ai kurrë nuk tha që preferonte të quhej Bani. Të gjithë në universitet e thërrasim Uilliam. Dhe këtë letër e ka shkruar Rozi Glowitz,” po s’pati kurajë t’ia thoshte, pasi ajo fjalia “Sill flautin,” e goditi rëndë. Tani ndihej në anën e kësaj gruaje të zemëruar dhe do të dëshironte që edhe ajo të mund të bërtiste e të shpërthente me zemërim. Do të donte ta kapte atë flautin që ndodhej në prehrin e zonjës dhe ta përplaste me forcë në mur, ta bënte copë e thërrime.

“Ju kërkoj falje, Zonjusha Fostër,” i tha zonja Kork me një zë të ngjirur. Tashmë sytë i qenë zbrazur nga lotët dhe fytyra i ishte tharë. “Të besoj. Kam qenë shumë shqetësuar dhe më iku mendja. Shpresoj të më kuptoni.”

Berenika nuk i kushtonte asnjë vëmendje bukurisë së saj. Por nga sjellja e dy a tre të dashuruarve të mëparshëm, kishte marrë idenë se ishte shumë simpatike. Uilliami më i pamunduri, kishte qenë edhe më i çuditshmi. Ai kurrë s’thoshte ndonjë gjë apo të bënte thashetheme në shtrat, por sapo mbaronin punë, do ngrihej nga shtrati duke ia ngulur sytë kopshtit, gjë që e bënte të dukej si një i moshuar që po kthehej në jetë dhe, pa thënë pothuajse asnjë fjalë, fillonte vishej dhe kthehej e ia ngulte sërish sytë kopshtit, ndërsa koka i dilte nga këmisha apo po fuste një këmbë në pantallona, një mënyrë që e bënte atë të mendonte se ai e kishte harruar plotësisht. Pastaj shkonte në dhomën e ndenjies, merrte flautin dhe dilte e ulej në një ndenjëse dekorative prej hekuri të lyer me ngjyrë të bardhë, nën një pemë në kopsht. Dukej komikisht formal, i ulur aty, prandaj ajo një herë vizatoi një karikaturë mizore të tij, me buzën e poshtme të madhe të tërhequr poshtë dhe brenda saj pipa e flautit. Sytë ia vizatoi ulur mbi nota, po aq lart e të holla dhe aq të trishtuara e lakmitare, sa dukeshin po aq të dredhura si fjollat e tymit nëpër pemë. Ajo herë qeshte me të, herë buzëqeshte, herë mallëngjehej dhe herë zemërohej e mëdyshej. Por në përgjithësi ndihej e kënaqur e krenare, ndoshta sepse edhe fqinjët lart ankoheshin prej muzikës së tij.

Tani që ajo dhe kjo grua kaba ishin në të njëjtën llogore, pati tundimin, ta pyeste: “A nuk janë të çuditshëm burrat? Po këtë gjë bënte edhe në shtëpi? Nxitonte të dilte në kopsht dhe me guximin e teveqelit luante muzikë me këtë flautin idiot?” Po sakaq u ndje e poshtëruar: “Të mendosh që ai shkonte edhe tek Rozi Glowitzi dhe ndoshta edhe tek gjysma e kopshteve të Londrës për ta bërë këtë gjë.”

Por sigurisht që ajo s’mund ta thoshte këtë gjë, ndaj vështroi të gjorën Zonjën Kork me një lloj simpatie triumfuese. Ajo do të dëshironte t’ia thyente qafën Rozi Glowitzit dhe në këtë çast të ndodhte ndonjë mrekulli, për shembull t’i vinte ndër mend ndonjë gënjeshtër qetësuese që ta bënte sërish të lumtur Zonjën Kork, edhe pse gruaja po e bënte gjithçka akoma më keq duke kërkuar vazhdimisht falje. Florenca po thoshte: “Më vjen vërtet shumë keq” dhe vazhdoi :“Por kur pashë punën tuaj në dyqan, desha t’ju takoja. Kjo është arsyeja pse në të vërtetë kam ardhur. Burri im më ka folur shpesh për këtë.”

“Epo, të paktën edhe kjo mund të thotë një gënjeshtër,” mendoi Berenika duke menduar që do jepte gjithçka që mundte, çdo gjë, vetëm që ajo të largohej. Pa drejt sirtarit të stolit ku ulej për të punuar, i cili qe i mbushur me rruaza, copa kristali dhe guri të lëmuar, dhe ndjeu dëshirën të mbushte duart dhe t’i derdhte të gjitha në duart e Zonjës Kork.
“Punoni vetëm në argjend?” pyeti Zonja Kork duke fshirë lehtas cepat e syve.
“Shumicën e rasteve po,” u përgjigj Berenika. “Edhe tani isha duke punuar diçka.”
Dhe duke thënë këtë, para se të mund ta ndalonte veten, një gënjeshtër e madhe, qetësuese doli prej gojës.
” Në fakt është një dhuratë. Ne të gjithë u mblodhëm në universitet dhe vendosëm t’i bëjmë një dhuratë Rozi Glowitzit. Ajo po martohet sërish. Besoj që për atë bëhet fjalë edhe në letër. Zoti Kork po merret me organizimin e gjërave. Ai është shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm.”

E dëgjoi me kuriozitet veten duke menduar se vërtet gënjeshtrat e tjera të saj kishin qenë shndritëse dhe magjepsëse, por kjo, kjo kishte bukurinë dhe ngazëllimin e një të vërtete të sapozbuluar.
“Do të thuash që Bani po mbledh paratë?” tha Zonja Kork.
“Po,” tha Berenika.
Një e qeshur e madhe doli nga goja e Florenca Korkut. “Shpenzuesi i madh!” gërthiti, “Mbledh paratë e të tjerëve. Po ai nuk ka shpenzuar për familjen asnjë qindarkë në këto 30 vjet. Dhe të gjithë ju po i dhuroni këtë gjerdan gruas me të cilën fola, e cila po martohet për herë të dytë. Pra, dopjo dhurata!”
Zonja Kork psherëtiu dhe tundi kokën.
“Ju jeni budallenj,” vazhdoi ajo. “Disa gra ia hedhin paq, nuk e di se si. Por jo me Lepurushin (banin) tim.”
E tha këtë me krenari dhe sikur kuptimi i fjalës të qe paralajmërues. “Ai nuk flet shumë, se është i thellë. Ai është lepurushi im.”

“Do të donit një filxhan çaj?” e pyeti Berenika me mirësjellje, duke shpresuar se ajo do të thoshte jo dhe do të ikte.
“Mendoj se po,” iu përgjigj Zonja Kork me zë të qetë. “Jam shumë e lumtur që erdha t’ju takoj. Po babai juaj?” shtoi duke i hedhur sytë derës së mbyllur. “Besoj që edhe ai mund të dojë një filxhan çaj.”
Tani Zonja Kork dukej sikur ishte zgjuar ndërsa Berenika ndihej e trullosur, si e dehur dhe e përgjumur. “Po të shkoj ta pyes,” i tha.
Hyri në kuzhinë, mori paksa veten dhe u kthye duke u përpjekur të qeshte. “Babai duket se ka dalë për shëtitjen e tij të zakonshme të pasdites. Shkon në një vend të qetë këtu pranë,” i tha. “Me siguri duhet të na ketë dëgjuar duke folur dhe në këto raste, ai gjithmonë del pa rënë në sy për një shëtitje të shkurtër.”

Ato filluan të flisnin dhe Zonja Kork tha: “Është fantastike që Zonja Glowitz po martohet përsëri.” Heshti paksa dhe shtoi “Por nuk mund ta kuptoj pse shkruan “Sill flautin”?
“Besoj,” tha Berenika me mirësjellje, “sepse ai luajti me flaut në festën e universitetit.”
“Po, por në një martesë është krejt ndryshe, është shumë më e vështirë. Ju nuk mund ta mendoni, po për lepurushin tim është një punë e mundimshme, është stresuese.” tha Zonja Kork
Ato e pinë çajin dhe Zonja Kork u ngrit të ikte. Berenika ndjeu një puthje të madhe në fytyrë dhe dëgjoi Zonjën Kork t’i thoshte: “E dashur, mos u bëj xheloze për zonjën Glowitz, Do të të vijë radha edhe ty” dhe iku.
Bernika i vuri llozin derës dhe shkoi në dhomën e gjumit e u shtri në krevat.

Sa të tmerrshëm janë njerëzit e martuar, mendoi. Sa teatralë! I hallakatin të gjithë dhe gjithçka, gjithmonë duke gënjyer veten dhe duke detyruar edhe të tjerët të gënjejnë për ta. U ngrit dhe e pa me zemërim e hidhërim stolin e zbrazët poshtë pemës në kopsht, pastaj, ia plasi të qeshurës dhe ashtu duke qeshur shkoi të lahej, në mënyrë që t’i lante gjithë gënjeshtrat prej trupit të saj. Më vonë, i telefonoi çiftit Breustër, të cilët e ftuan të shkonte tek ta për vizitë.
Ajo i donte Breustërit. Ata kishin një ego të fryrë dhe e perceptonin veten si tepër argëtues dhe të mrekullueshëm, ndaj sikur e ndienin për detyrë që t’i bezdisnin njerëzit përreth me diskutimet e tyre të kota. Por atë pasdite vonë, vetëm ajo foli. Foli e foli pa menduar e pa ndalim. Fëmijët ia ngulnin sytë me çudi.
“A nuk mendon edhe ti se ajo po bëhet e çuditshme. Duhet patjetër të martohet,” do t’i thoshte më vonë Zonja Breustër bashkëshortit të saj. “Do të doja që të mos i lëshonte flokët ashtu si lloshe, sepse do të dukej shumë më simpatike nëse i mbedh lart.”

____________

* Kuakër janë të krishterë që i përkasin grupit të Protestanëve, të njohur zyrtarisht si Shoqëria Fetare e Miqve.
Anëtarët e kësaj baashkësie besojnë se çdo qenie njerëzore e ka aftësinë ta përjetojë ‘dritën’ së brendshmi, apo e thënë me fjalë të tjera, Zoti është brenda secilit prej nesh.
Pra, Kuakërsat, duke e kërkuar të vërtetën brenda nesh, i kushtojnë një rëndësi të madhe ndërgjegjes, si bazë e moralit.
Ata theksojnë përvojën e drejtpërdrejtë me Zotin dhe nuk besojnë as në priftërinj, as në ritual e ceremony, përkundrazi i konsiderojnë si pengesa të panevojshme mes besimtarit dhe Zotit.

Botuar në The New Yorker (23 Nëntor, 1977)

Përktheu: Meli Ajazi

THURIMA-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

THURIMA-Jorge Luis Borges

 

Në oborrin e dytë
bie nga çezma, rregullisht, një pikë,
fatale si vdekja e Cezarit.
Edhe njëra edhe tjetra i përkasin thurimës
që përfshin rrethin pa parim e pa qëllim,
spirancën e Fenikisë,
të parin ujk dhe të parin qengj,
datën e vdekjes sime
dhe teoremën e humbur të Fermatit.
Këtë thurimë hekuri,
stoikët e menduan të bërë prej një zjarri
që vdes e ringjallet, si Feniksi.
Është pema e madhe e shkaqeve
dhe pasojave që degëzohen;
mbi gjethet e saj gjenden Roma dhe Kaldeja
dhe ajo që shohin fytyrat e Janusit.
Universi është njëri nga emrat e saj.
Askush nuk e ka parë ndonjëherë
dhe askush nuk mund të shohë gjë tjetër.

 

Përktheu: Alket Çani

KRYEMINISTRI-TERESA DALAMA

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Përkthim/Tharm by

TERESA DALAMA

Kryeministri, në gjumë, hidhet përpjetë nga një ëndërr e tmerrshme. Ende në ankth shikon fytyrën në pasqyrë. Është mesnatë, po gjumi i iku dhe nuk e ndjell dot më.
Gdhihet një ditë e turbullt, njësoj si shpirti i tij. Del në kopsht për t’u siguruar se gjithçka është në rregull. Ndërsa sëllin, kujton imazhet tronditëse të ëndrrës: në qelqnajat e mëdha të dritareve të dhomës së gjumit, njerëz që zvarriteshin, duke u ngjitur drejt çatisë. E ha mëngjesin pa oreks dhe e kalon ditën tërë shqetësim: ato skena, edhe pse të vagëlluara, nuk i hiqen dot nga koka.
Kur shkon në zyrë, e informojnë për incidentet e fundit, dje dhe në vazhdim: «Z. Kryeministër, njerëzit kanë braktisur vendet e punës. Kompanitë janë në krizë. Mijëra njerëz kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit dhe policia ka përdorur forcën për t’i shpërndarë. Për pasojë, ka tridhjetë të vdekur dhe njëqind të plagosur: të gjithë janë protestues». Kryeministri bën një telefonatë dhe udhëzon kreun e Ministrisë së Sigurisë Kombëtare që të mos përsëriten më turbullira: «U duhet dhënë fund protestave në rrugë; na prishin imazhin e mirë. Shërbimi policor dhe ai i inteligjencës duhet të jenë më të rreptë dhe më efikas.» Kryeministri ishte i bindur se koordinimi i këtyre dy organeve do të rivendoste rendin.
Netët në vijim fle më qetë, por kjo qetësi është tejet e përkohshme. Kalon vetëm një javë dhe, përsëri, i njëjti makth në gjumë. Tani njerëzit që ngjiten përpjetë qelqnajës janë shumë më tepër. Ka edhe gra edhe fëmijë. Zgjohet duke u dridhur. Thërret shefin e sigurisë dhe i thotë se kishte armiq që përpiqeshin të pushtonin rezidencën e tij. Kontrollojnë çdo qoshe të vilës dhe gjithë anekset dhe lulishten përqark, por nuk gjejnë asgjë të dyshimtë.
Atë ditë, mbledh Këshillin e të Trembëdhjetëve dhe trajton çështjen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Urdhëron që organet më të larta ekonomike dhe politike të marrin masa urgjente që, marrëdhëniet me vendet e ndryshme, të konsolidoheshin me marrëveshje të reja bashkëpunimi. Pastaj, Kryeministri kërkon informacion mbi zhvillimet e fundit në vend.
– Z. Kryeministër, situata kërkon që përqendrimeve të dhunshme, aty-këtu, u duhet dhënë fund; jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për atë të aleatëve tanë, – thotë Ministri i Sigurisë.
– Mos i përkëdhelni. Veproni me dorë të fortë. Mos lejoni aspak trazira që rrezikojnë paqen që e kemi arritur me aq shumë përpjekje, – përfundon Kryeministri.
Atë natë, për të fjetur top, merr një pilulë gjumi dhe bie hop në shtrat, pa e çarë kokën për shqetësimin e ëndrrës së tij. Por, shumë shpejt, zgjohet nga një makth i çuditshëm: diçka dukej sikur notonte në mjedisin e dhomës dhe e bënte ajrin të rëndë. Thërret mjekun dhe i tregon për atë ndjesi të rrallë. Mjeku, pa i kushtuar shumë rëndësi kësaj ndjesie, i jep një qetësues për t’i larguar shqetësimin.
Gjatë ditëve në vijim, vendi gëzon qetësi absolute. Revoltat e studentëve ishin mposhtur, protestat me braktisje të punës ishin luftuar me një ligj të posaçëm kundër dembelëve dhe keqbërësve, si pasojë e të cilit po zbrazeshin rrugët dhe po mbusheshin burgjet. Tashmë vendit i duhej një numër më i madh burgjesh. «Ruajtja e qetësisë në rrugë është gjëja më e rëndësishme», i sugjeron Kryeministri Këshillit të Trembëdhjetëve. Kësisoj, për të ruajtur rendin vijnë ndihmë edhe forca ushtarake. Kjo masë dha rezultate të mira, megjithëse, në gjithë vendin, la dhjetë mijë të vdekur, triëdhjetë mijë të plagosur dhe shumë të tjerë të humbur. Me urdhër të Kryeministrit, Këshilli mblidhet përsëri. «Megjithatë, kurrsesi nuk duhet të kthehemi mbrapsht», thonë të gjithë, njëzëri.
Atë natë Kryeministri fle paqësisht, pa asnjë makth. Të nesërmen i raportojnë se përsëri kishte pasur trazira dhe se kishte pesë mijë protestues të vdekur, gjatë përplasjes me forcat qeveritare.
Vjen nata dhe Kryeministri bie për gjumë. Përsëri shikon në ëndërr njerëz që ngjiten në qelqnajën e dritares. Por kësaj radhe gjëja është shumë më e tmerrshme: E gjithë vila e tij, përfshirë lulishten, ishte pushtuar nga njerëz të veshur me të zeza. Ishin aq afër sa dukeshin si një trup i vetëm që zvarritej nëpër dysheme dhe mure, drejt tavanit të dhomës së gjumit. I mbytur në djersë të ftohta, zgjohet i llahtarisur, duke bërtitur. Thërret shefin sigurisë. Kontrollojnë me kujdes, gjithë godinën dhe vendin, tej e këtej, por, pas disa orësh kërkimi intensiv, nuk gjejnë asgjë të dyshimtë. Kur mjeku, me shumë kujdes, i thotë se vuante nga ankthi, Kryeministri urdhëron që, në gjithë vendin, të bëhej një anketim për të kontrolluar popullaritetin e tij. Pas kësaj, sondazhet mësojnë se gjysma e popullsisë ishte e pakënaqur me politikën e qeverisë. Shërbimet e Inteligjencës i raportojnë: «Z. Kryeministër, gjysma e popullsisë është e devotshme për ju». «Atëherë, le të shtojmë burgjet për gjysmën tjetër. Unë nuk dua kundërshtarë», urdhëron Kryeministri.
Kur mëson se burgjet qenë kthyer në fuçi baruti, se trazirat në to po bëheshin më të shpeshta dhe se rojet nuk ishin në gjendje të ruanin rendin, Kryeministri, përsëri, në gjumë tmerrohet nga makthi. Turma të mëdha njerëzish ngjiten ngadalë, duke e lëpirë atë. Përsëri thërret shërbimin, por tashmë nuk i vjen askush. Atëherë, përpiqet të ndezë dritat, por dritat nuk ndizen. Shikon se jashtë, po grumbullohet një turmë e madhe me njerëz. Fytyrat e tyre janë të tmerrshme: të shqyera dhe të mbuluara në gjak. Nga era e padurueshme që depërton përmes të çarave të dyerve dhe dritareve Kryeministri nuk merr dot frymë. Më në fund, vë re se ata ishin të vdekur. O Zot, gjithandej të vdekur! Edhe pse errësirë, ai mund të shohë se, kudo në lulishte, po mbinin trupa të vdekur. Ngado kufoma që përpiqen të gëlltisin vilën. Kryeministrit i mbahet fryma, por tmerri e pengon të hapë dritaren. Me shumë mundim, përpiqet të hedhë disa hapa drejt derës, por me të arritur atje, shikon se doreza e derës fillon të lëvizë. Dera po hapet ngadalë… Një ulërimë rrëqethëse i del nga fyti. Pastaj, mbi tërë vilën kryeministrore, bie një heshtje varri.
Në tetë të mëngjesit, Kryeministrin e gjejnë të shtrirë në dysheme, pranë shtratit, me sytë të shqyer.
Shërbimi i Sigurisë me përforcime rrethon zonën e vilës së Kryeministrit, por asgjë të dyshimtë nuk gjejnë, përveç asaj se tërë banesa kutërbonte nga një erë e qelbur mbytëse.
Atë ditë, Shërbimet e Informacionit japin lajmin e shkurtër: «Sot në mëngjes, në vendbanimin e tij, Kryeministri u gjend i vdekur, në rrethana të çuditshme. Po hetohet mbi implikimet e mundshme të një komande ekstremiste që mund të ketë hyrë në rezidencë gjatë natës.»

Përktheu:: Bajram Karabolli

Gati për qitje-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Gati për qitje-Sueton Zhugri

 

Fjalët janë monedha.
Shit dhe bli, bli e shit.
Bien tingëlluese plot jehonë
Brenda vrimës së truve
Si brenda një këmbane në dukje lutjeje
Me format e një vazoje kursimi
Të ruajtura, të mpira, pothuaj të vdekura
Mishi i butë fshik mishin e butë të germave
E gjitha nën një mirazh metalik pse
Ato papritmas mund të marrin
Shëmbëlltyrën e plumbave
Rreshtuar karikatorit të fytit
Gati për qitje

Fragment nga romani “Udhëtim në skaj të natës”-Louis-Ferdinand Céline

in Letërsi/Përkthim by

Louis-Ferdinand Céline

Vërtet je çmendur, Ferdinand? – më pyet ajo një të enjte.
– Vërtet, – i them.
– Këtu do të kurojnë?
– Nuk ka ilaç për frikën, Lola.
– Kaq i frikësuar qenke?!
– Shumë më tepër se kaq, Lola, aq i frikësuar, kupton, saqë nëse vdes, më vonë, nuk dua në asnjë mënyrë të më djegin! Dua të më lënë në tokë, të kalbem në varrezë, qetësisht, atje, gati për të jetuar ndoshta përsëri… Ku i dihet! Ndërsa po të më bëjnë shkrumb e hi, Lola, kupton, merr fund, merr fund njëherë e mirë… Skeleti, sidoqoftë, ka ende pamjen e njeriut… Është gjithmonë më i gatshëm për të jetuar sërish sesa hiri… Me hirin merr fund! … Si thua?… E pra, lufta…
– Ti qenke burracak, Ferdinand! Një mi i neveritshëm…
– Po, një burracak që ç’ke me të, Lola, e refuzoj luftën me gjithë ç’ka brenda… Nuk qahem… Nuk dorëzohem… Nuk ankohem… E refuzoj me tërësej, luftën dhe ç’i përmban pragu luftës, nuk dua të kem të bëj fare as me të, as me njerëzit e saj. Edhe sikur të jenë nëntëqind e nëntëdhjetepesë milionë dhe unë një i vetëm, e kanë ata gabim, ndërsa unë kam të drejtë, sepse jam i vetmi që e di se çfarë dua: nuk dua të vdes më.
– Por është e pamundur të refuzosh luftën, Ferdinand! Vetëm të marrët dhe frikacakët e refuzojnë luftën kur atdheu është në rrezik…
– Rrofshin të marrët dhe frikacakët, atëherë! Ose më mirë akoma: mbijetofshin të marrët dhe frikacakët! Të kujtohet ndonjë emër, për shembull, Lola, një emër i vetëm prej atyre ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Njëqind Vjetëve?… Ke kërkuar ndonjëherë të njohësh ndonjë nga ata emra?… Asnjëherë, apo jo?… Ke kërkuar ndonjëherë? Për ty ata janë po aq anonimë, po aq indiferentë dhe po aq të panjohur sa atomi i fundit i kësaj mbajtëseje fletësh që kemi para syve, sa sklepat e tua të mëngjesit… Duhet ta kuptosh që ata vdiqën për asgjë, Lola! Krejtësisht për asgjë, ata budallenj! Ja ku ta them unë! U mor vesh kjo punë! Vetëm jeta është e rëndësishme. Kjo luftë që tani na duket si e jashtëzakonshme, vë bast se pas dhjetë mijë vjetësh do jetë harruar plotësisht… Vetëm ndonjë duzinë studiuesish do vazhdojnë të grinden aty-këtu, për datat e kasaphanave kryesore që e ilustruan… Ja, kjo është gjithçka që, deri më sot, njerëzit kanë arritur të gjejnë si të paharrueshme për njëri-tjetrin, në disa shekuj, disa vjet e madje disa orë largësi… Unë nuk besoj tek e ardhmja, Lola…

Përktheu: Alket Cani

MAJI-Thodhoris Cigeris

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MAJI-Thodhoris Cigeris

 

Të jetosh çdo pranverë,

sikur të jetë e fundit,

çdo aromë e ardhur

nga kopshti Eden,

të nuhasësh gonxhet

e frutave verore

si ushqimi i mirëgatuar

i nënës tënde.

Të ecësh në kopshtet e lulëzuar

dhe të thuash: – Kjo është jeta.

Kaq bukuri dhe Ti, në mes të saj…

 

Përktheu: Nilda Baxha

1 53 54 55 56 57 183
Go to Top