Faqja e parë e romanit “Vegjetariania'” të shkrimtares Han Kang, botuar për herë të parë në vitin 2007

in Letërsi/Përkthim by

Han Kang


Përpara se gruaja ime të bëhej vegjetariane, gjithmonë e kam menduar si një grua tërësisht të rëndomtë në çdo drejtim.Të jem i sinqertë, nuk më tërhoqi fare as herën e parë që e takova. Shtat mesatar, flokë as të gjatë as të shkurtër, stil alla rrumbullak, me lëkurë si prej të sëmure, verdhacuke, mollëza disi të spikatura; pamja e saj e ndrojtur, anemike, më tha gjithçka që duhej të dija për të. Teksa ajo i afrohej tavolinës ku po e prisja, nuk munda të mos i vija re këpucët e saj – këpucë thjesht të zeza, më të rëndomtat që mund të imagjinohen. Dhe ajo ecja e saj – as e shpejtë, as e ngadaltë, as me hapa të mëdhenj as me të vegjël.

Megjithatë, edhe nëse nuk kisha ndonjë tërheqje të veçantë, po as ndonjë mangësi apo disavantazh të veçantë, nuk kishte asnjë arsye që ne të dy të mos martoheshim. Personaliteti pasiv i kësaj gruaje në të cilin s’mund të dalloja as origjinalitet po as ndonjë joshje, apo ndonjë gjë veçanërisht të rafinuar, më përshtatej kokë e këmbë. Për ta fituar atë, nuk më nevojitej të pretendoja për prirje intelektuale, as të shqetësohesha që ajo mund të më krahasonte me burrat që pozonin në katalogët e modës, dhe për më tepër, ajo nuk nervozohej nëse ndonjëherë vonohesha në ndonjë nga takimet tona. Me të isha i sigurt se nuk kisha pse shqetësohesha për barkun që kishte filluar të më shfaqej që në mes të të 20-ave, për këmbët dhe krahët e hollë që me vendosmëri refuzonin të fryheshin, me gjithë përpjekjet e mia të vazhdueshme, kompleksin e inferioritetit që kisha rreth madhësisë së penisit tim.

Kam pasur gjithmonë prirjen e rrugës së mesme në jetë. Në shkollën 8-vjeçare dhe atë të mesme, zgjodha të rrija e të shoqërohesha me ata që ishin dy ose tre vjet më të vegjël se unë, me të cilët mund të veproja si lider, në vend që të rrezikoja me ata të moshës time. Po ashtu edhe universitetin e zgjodha bazuar në shansin e marrjes së një burse të mjaftueshme për nevojat e mia. Dhe në fund, zgjodha të punoja në një kompani të vogël, në një punë ku do të merrja një pagë të arsyeshme në këmbim të kryerjes me përkushtim të detyrave të mia, për shkakun e vetëm se vetëm ata mund t’i vlerësonin aftësitë e mia të zakonshme. Kështu, ishte krejt e natyrshme që të martohesha me gruan më të rëndomtë në botë. Sa për gratë e bukura, inteligjente, ato me sensualitet të dukshëm, apo bijat e familjeve të pasura, ehh, ato do të shërbenin vetëm për të shqetësuar ekzistencën time të rregulluar me kaq kujdes.

Dhe në përputhje me pritshmëritë e mia, ajo u bë një grua krejt e zakonshme, e cila i bënte gjërat pa ndonjë mendjelehtësi të pakëndshme…

Përktheu nga anglishtja: Meli Ajazi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top