SHKULJA E KOKAVE-Henri Michaux

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Henri Michaux

Kërkonin vetëm ta kapnin nga flokët. Nuk donin t’i shkaktonin dhembje. Ia shkulën kokën me një të rënë. Me siguri s’qe lidhur fort. Përndryshe s’do shkulej aq lehtë. Sigurisht që diçka mungonte.
Kur nuk është më mbi supe, koka hap telashe. Duhet t’ia japësh dikujt. Por duhet ta lash, sepse ia njollos dorën atij që e merr. Duhet ta lash. Sepse ai që e ka marrë, me duart tashmë të qullura me gjak, nis të ketë dyshime dhe të vështrojë si dikush që pret shpjegime.
– Po ja, e gjetëm në kopsht… E gjetëm mes të tjerash… Zgjodhëm këtë sepse na u duk më e freskët. Nëse zotëria pëlqen ndonjë tjetër… mund të shkojmë të shohim. Hë për hë le të mbajë këtë.
Dhe ikin të ndjekur nga një vështrim që nuk thotë as po as jo, nga një vështrim i ngulmët. Sikur të shkojmë të shohim pranë pellgut. Në pellgje ç’nuk gjen. Ndoshta ndonjë i mbytur do na mbaronte punë.
Në pellgje mendohet se do gjesh atë që doje. Kthehesh shpejt e kthehesh duarthatë.
Ku të gjesh koka krejt të gatshme për t’u dhënë? Ku t’i gjesh pa hapur shumë telashe?
– Unë kam një kushëri të parë. Ama, thuajse një kokë kemi të dy. Kurrë s’ka për ta besuar kush që e gjeta rastësisht.
– Unë… kam një mik, Pjerin. Por është shumë i fortë dhe s’mund t’ia shkulësh kollaj.
– Ç’na the! Tjetrit ia shkulëm me një të rënë.
Dhe kështu, të kapluar nga ajo ide, mbërrijnë te Pjeri. Hedhin përtokë një shami dore. Pjeri përkulet. Gjasme si për ta ngritur, duke qeshur, e tërheqin prapa nga flokët. Mbaroi dhe kjo punë, koka u shkul.
Gruaja e Pjerit hyn, e tërbuar… “Pijaneci, ja, prapë e paska derdhur verën. Nuk është i zoti as ta pijë. E derdh përtokë. Pastaj s’ngrihet dot më…”
Dhe ajo ikën për të marrë ndonjë gjë që të pastrojë vendin. Ata e kapin për flokësh edhe gruan. Trupi rrëzohet përpara. Koka u mbetet në duar. Një kokë e tërbuar që varet në flokë të gjatë.
Ia beh një qen i madh, që leh me sa ka në kokë. I futin një shkelm dhe koka bie.
Tani kanë tri koka. Tre, është numër për së mbari. Le që të lë edhe të zgjedhësh. Nuk janë aspak koka të njëjta, jo, një burrë, një grua, një qen.
Dhe ata nisen sërish drejt atij që ka tashmë një kokë; dhe e gjejnë duke pritur.
I vënë mbi gjunj tufën e kokave. Ai vë majtas kokën e burrit, pranë kokës së parë, ndërsa kokën e qenit e të gruas me flokë të gjatë, në anën tjetër. Pastaj pret.
Dhe i vështron ngultas, me një vështrim që nuk thotë as po as jo.
– Po ja, këto i gjetëm te një miku ynë. Ishin atje, në shtëpi… Çdokush do kish mundur t’i merrte. S’kish të tjera aty. Morëm ato që ishin. Herë tjetër do jetë më mirë. Çështje fati. Për fat të mirë, koka ka sa të duash. Sidoqoftë, tani shkoi vonë. Ku t’i gjesh në errësirë! Duhet kohë për t’i pastruar, sidomos ato që mund të jenë me baltë. Në fund të fundit, do përpiqemi… Por, ne të dy, sidoqoftë nuk mbushim dot karro të tëra. U pa kjo punë… Do shkojmë… Ndoshta do kenë rënë disa gjatë kësaj kohe. Të shohim…
Dhe ata ikin, të ndjekur nga një vështrim që nuk thotë as po as jo, të ndjekur nga një vështrim i ngulmët.
– Eh, unë, ti e di. Jo! Merre! Merr kokën time. Kthehu me të, nuk ka për ta njohur. Ai as që u hedh sytë. Ti do t’i thuash…: “Merreni. Kur dola, e hasa aty sipër. Më duket se është një kokë. Jua solla. Dhe do jetë e mjaftueshme për sot, apo jo?…”
– Por, ti je i vetmi mik që më ka mbetur.
– Hajde, hajde, pa të qara. Merre. Hë, tërhiqe, tërhiqe fort, më fort ore, hë pra.
– Jo, s’bëhet, ti e sheh. Ky është ndëshkimi ynë. Hajde, provo timen, tërhiqe, tërhiqe.
Por kokat nuk shkulen. Koka të mira vrasësish.
Nuk dinë më ç’të bëjnë, venë e vijnë, nisen sërish, rinisen, të ndjekur nga vështrimi që pret, nga një vështrim i ngulmët.
Më në fund humbasin nëpër natë dhe ky është një lehtësim i madh; për ta, për ndërgjegjen e tyre. Nesër kanë për t’u nisur kuturu, nga t’i çojnë këmbët. Do përpiqen të ndërtojnë një jetë. Është shumë e vështirë. Por do përpiqen. Do përpiqen të mos mendojnë më për asgjë të tillë, por të jetojnë si më parë, si gjithë njerëzia…

Përktheu:  Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top