Louis-Ferdinand Céline
Vërtet je çmendur, Ferdinand? – më pyet ajo një të enjte.
– Vërtet, – i them.
– Këtu do të kurojnë?
– Nuk ka ilaç për frikën, Lola.
– Kaq i frikësuar qenke?!
– Shumë më tepër se kaq, Lola, aq i frikësuar, kupton, saqë nëse vdes, më vonë, nuk dua në asnjë mënyrë të më djegin! Dua të më lënë në tokë, të kalbem në varrezë, qetësisht, atje, gati për të jetuar ndoshta përsëri… Ku i dihet! Ndërsa po të më bëjnë shkrumb e hi, Lola, kupton, merr fund, merr fund njëherë e mirë… Skeleti, sidoqoftë, ka ende pamjen e njeriut… Është gjithmonë më i gatshëm për të jetuar sërish sesa hiri… Me hirin merr fund! … Si thua?… E pra, lufta…
– Ti qenke burracak, Ferdinand! Një mi i neveritshëm…
– Po, një burracak që ç’ke me të, Lola, e refuzoj luftën me gjithë ç’ka brenda… Nuk qahem… Nuk dorëzohem… Nuk ankohem… E refuzoj me tërësej, luftën dhe ç’i përmban pragu luftës, nuk dua të kem të bëj fare as me të, as me njerëzit e saj. Edhe sikur të jenë nëntëqind e nëntëdhjetepesë milionë dhe unë një i vetëm, e kanë ata gabim, ndërsa unë kam të drejtë, sepse jam i vetmi që e di se çfarë dua: nuk dua të vdes më.
– Por është e pamundur të refuzosh luftën, Ferdinand! Vetëm të marrët dhe frikacakët e refuzojnë luftën kur atdheu është në rrezik…
– Rrofshin të marrët dhe frikacakët, atëherë! Ose më mirë akoma: mbijetofshin të marrët dhe frikacakët! Të kujtohet ndonjë emër, për shembull, Lola, një emër i vetëm prej atyre ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Njëqind Vjetëve?… Ke kërkuar ndonjëherë të njohësh ndonjë nga ata emra?… Asnjëherë, apo jo?… Ke kërkuar ndonjëherë? Për ty ata janë po aq anonimë, po aq indiferentë dhe po aq të panjohur sa atomi i fundit i kësaj mbajtëseje fletësh që kemi para syve, sa sklepat e tua të mëngjesit… Duhet ta kuptosh që ata vdiqën për asgjë, Lola! Krejtësisht për asgjë, ata budallenj! Ja ku ta them unë! U mor vesh kjo punë! Vetëm jeta është e rëndësishme. Kjo luftë që tani na duket si e jashtëzakonshme, vë bast se pas dhjetë mijë vjetësh do jetë harruar plotësisht… Vetëm ndonjë duzinë studiuesish do vazhdojnë të grinden aty-këtu, për datat e kasaphanave kryesore që e ilustruan… Ja, kjo është gjithçka që, deri më sot, njerëzit kanë arritur të gjejnë si të paharrueshme për njëri-tjetrin, në disa shekuj, disa vjet e madje disa orë largësi… Unë nuk besoj tek e ardhmja, Lola…
Përktheu: Alket Cani