Author

Admin - page 91

Admin has 1814 articles published.

“Bob Legjenda”-Një roman i ri nga Arlinda Guma

in Letërsi by

Një pasthënie e shkurtër nga autorja

 

Arlinda Guma

“Bobi është një shkrimtar i ri, i cili ka frikë të përballet me sentimentet. Dhe të gjithë diellin që ka brenda vetes, ia rrezaton botës si një fëmijë i prapë, që me copëza pasqyrash në duar, verbon kalimtarët nëpër rrugica.

Ai urren romanet rozë dhe druhet se mos shkruan edhe me jetën e tij një të tillë. Dhe kjo i sjell një seri keqkuptimesh me vajzat.

Shqetësimet e tij intelektuale, si të tilla, janë tejet të stërholluara, por gjuha me të cilën ai ia përcjell lexuesit, është e thjeshtë, e gjallë, gazmore, origjinale, e drejtpërdrejtë, autoironike.

Bobi sapo ka dalë nga një marrëdhënie dashurie traumatike, dhe siç rrëfen me vetëshpoti, ngjan me një aeroport të sertë, të bombarduar, që nuk lejon të kalojnë metale që tringëllijnë. Por ndërsa ai kujdeset që të mos lërë të kalojnë “xhinglat metalike”, një vajzë që ngjan sikur është arratisur nga Fronti i Rezistencës, mu nën hundën e tij, është duke i kaluar tanket…

Zakonisht kur shkrimtari fillon të mbrujtë një personazh, ai do ta marrë atë për dore dhe do t’i mësojë të ecë. Me Bobin nuk ndodhi kështu; ai e fitoi herët pavarësinë ndaj meje: qysh sa lindi u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte vetë.

Ai nuk është pjesë e mjedisit të korruptuar letrar, ku kridhen pa ndonjë skrupull kolegët e tij shkrimtarë, kështu që, i huaj për atë ambient, Bobi gjen strehë te përjetësia, me të cilën ka një raport plot ilaritet… Përjetësia do t’i japë më në fund, atë që nuk do t’i hyjë më në punë për asgjë…

Duket sikur mendimet e tij të drejpërdrejta do t’i bënin “grupet e interesit” të dilnin vazhdimisht në protesta, por ky është edhe impulsi që ruan gjallërinë e rrëfimit (në vetën e parë) të këtij personazhi, i cili ndonjëherë mund të të nervozojë dhe ndonjëherë tjetër mund të të bëjë ta duash shumë.

Teksa e mbrujtja, shihja sesi tiparet e mprehta të personalitetit të tij rebeloheshin ndaj formave dhe latimeve që provoja t’u jepja. Dhe ndërsa romani zhvillohej, e përfytyroja sikur të ishte ngjitur në një skenë teatri, në një monolog gjithë nerv, duke rrëfyer veten dhe duke verbuar me copëza pasqyrash, si një fëmijë i prapë, edhe spektatorët në sallë…”

_______

Romanin e gjeni në Libraritë: “Adrion”, “Albania”, “Dita”, “Shtëpia e Librit”, “Tiranabook” pranë Sheshit “Wilson”, “Art’s” pranë Stacionit të Trenit, në Librari “Dyrrahu”, Durrës, në Librari “Dukagjini”, Kosovë dhe në Librari “Riletra”, Kosovë.

Botuar nga Shtëpia e Librit

Kopertina realizuar nga Vlash Papa

__________

Arlinda Guma është autore e romaneve:”Bulevardi i Yjeve”, 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”, 2016, “Bob Legjenda”, 2021. Autore e faqes defekt-teknik.com.

Rruga-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Rruga-Edvin Thomollari

 

Që të bëhesh trim
duhet ta bësh ketë rrugë natën…
Një shkop, një gur, një zemër,
një rrugë sa një gjysmëqiell…
dy konizma ku mund të bësh kryqin tri herë.
Hajmalitë nuk lejohen,
vetëm një shkop, një gur, një zemër…
Trinia e shenjtë dhe kujtimet e njerëzve të gjallë,
Pali, që nuk e hoqi kapelen me yll kur i thanë “nicht partisan”.
Shën Pali, që nuk hoqi dorë nga ungjilli,
ylli dhe ungjilli, tani janë në gur.
Një shkop, një gur, një zemër, një yll dhe një ungjill…
Hajmalitë nuk lejohen,
lejohet vetëm të ëndërrosh se po afrohen dritat e qytetit…
Një shkop, një gur, një zemer, një yll, një ungjill dhe dritat e qytetit…
Por, duhet ta bësh këtë rrugë natën…

DIMËR

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DIMËR

 

Në kopsht
një shekull
gjethesh të rëna

Basho

~

Në dhomë
shkela krehërin e së ndjerës grua –
ç’thëllim

Buson

~

Pak njerëz –
një gjethe bie këtu
një tjetër atje

Issa

~

Dielli shndrit
mbi gurët
e shkorretit të tharë

Buson

~

Bishti i kalit
ngeci te ferrat
e shkorretit të tharë

Buson

~

Shkulësi i rrepave
tregon udhën
me një rrepë

Issa

~

Gjethet bien
mbi gjethe –
shiu mbi shi

Gyodai

~

Fryn shtrëngata –
fytyra e lagur
​e dikujt

Basho

~

Një sandale kashte
në fund të pellgut të vjetër –
bie breshër

Buson

~

Bredh fillikate
mbi shkorret
hëna e dimrit

Roseki

~

Kaloj i vetëm
nën dritën e ftohtë të hënës
urën që dridhet

Taigi

~

Në britmën e fazanit të argjendtë
që s’e zë gjumi
ngrin hëna

Kikaku

~

Më e ftohtë se dëbora
hëna e dimrit
mbi flokët e thinjur

Joso

~

Asnjë gur
për të gjuajtur qenin –
hënë dimërore

Taigi

~

Buda i shkorretit –
në majë të hundës
i varet një krongjill

Issa

~

Mbi kalë unë –
nën kalë hija ime
që zharget e ngrirë

Basho

~

Të njëjtat male
pa edhe im atë
në shkretinë e dimrit

Issa

~

Vetmi dimërore –
kisha një pyetje
për Budën

Shiki

~

Natë dimri –
pa ndonjë shkak
dëgjoj fqinjin

Kikaku

~

Në tasin tim prej hekuri
në vend të një dyshke,
breshri

Santoka

~

Ç’mrekulli
të pshurrësh më këmbë
nën një stuhi breshri

Issa

~

Maçoku endacak
pëgër
në kopshtin e bardhë

Shiki

~

Dimër i shkretuar –
një baldosë
e varur nën pullaz

Soseki

~

Ikën
pa çati as varr
pulëbardha e dimrit

Shuson

~

Mesnatë me brymë –
për të fjetur i mora hua mëngën
dordolecit

Basho

~

Ngre kokën
dhe shoh formën time të zgjatur –
ftohmë e hidhur

Raizan

~

Zhurmë miu
që skërmit një pjatë –
sa ftohtë!

Buson

~

Edhe korbi
duket i bukur
këtë mëngjes dëbore

Basho

~

Përmes dëborës
dritat e shtëpive
që ma mbyllën portën në fytyrë

Buson

~

Kjo vrimë e përkryer
që bëj duke pshurrur
në borën para portës

Issa

~

Dhe tani
le të sodisim dëborën
gjersa të na këputë lodhja

Basho

~

Viti po ikën –
ia fsheha tim ati
flokët e thinjur

Etsujin

~

Zgjodhi e përktheu: Alket Çani

Flet Faik Konica-Fan Noli

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Fan Noli

Në një silan të Vienës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor”, po bisedonim me Faik Konicën mbi Partinë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.
Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë e pyeta Faikun, a duhet të kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë të dy Partive, një konservatore dhe tjetra liberale, të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit.
“Jo”, – tha Faiku, – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një Parti Konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. Për shembull: inglizi është konservator se dëshiron të konservojë Perandorinë Inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e Bejlerëve, Patriakalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?
Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi:
“Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tigani dhe gjerësa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri, na hëngri greku e serbi dhe italiani.
Servitori, i cili na përgjonte na solli menjëherë kupën e gjashtë:
“Jo or jo, – konkludoi Faiku, – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy partira, por vetëm një, njëzë dhe njëçikë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe rindërtuar nga themelet”.
Kur ua tregoj miqëve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar se tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator edhe pak a shumë si reaksionar. Por kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjitha ideologjitë reaksionare dhe jo përcipë a shkel e shko, por kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marksin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për të me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë, nga i cili kishte mësuar dhe gjëra mohuese, nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruanje pak, menjëherë çfaqej revolucionari i vjetër.

1945

Pa titull-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Pa titull-Sueton Zhugri

***

Është kafka eshtra që ndodhet më pranë qiellit
Dhe fijet e flokëve kur si flatra zgjaten më lart se krahët
Nga aty vijnë urdhëra në blu
apostrofet e pambaruara të ekzistencës
kur gishtërinjtë e rrezeve nga kozmosi
ngjeshin lëkurët
me fotone yjësish të vdekura

…. e duart tona zbaviten kur njohin sende
dhe fytyrat e dashuruara
me çiltërsinë e një fëmije
ledhatohen
e ndjenjat përçojnë kaltërsive
të bardhën e reve dhe të eshtrave.

Është një tjetër poezi-Aksinia Mihaylova

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Është një tjetër poezi-Aksinia Mihaylova

 

Vallë pse jetojmë në lartësi të ndryshme
vjeshta vjen më herët në vendin tim
ndërkohë që ti udhëton nga një qytet në tjetrin
lexon poezi dhe bën komente mbi Cendrasin
duke u përpjekur të shpjegosh se përse
«nëse dashuron duhet të nisesh»

ndërsa unë përziej në tenxhere marmalatën e kumbullave
me lugën e drunjtë e të gjatë të gjyshes sime
shoh kopshtin, është i njëjtë në fund shtatori
vështroj jetën, gjithnjë më e gjerë se ne
dhe atëherë kuptoj që nuk ka një sinonim për të.

Pulat në oborr zihen mes tyre
për një krimb të sapo dalë nga toka,
një natë më parë fqinji ka sjellë një koshere
dhe përpiqet të fusë në të mbretëreshën e re
por është e pamundur që dy mbretëresha
të jetojnë nën të njëjtën strehë

ndërsa unë nxjerr një bletë që s’dihet pse ka humbur
e po mbytet
në poçin tim të tretë të marmalatës.

 

Përktheu: Luan Rama

NATA E KËRSHËNDELLAVE-EDUARDO GALEANO

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

EDUARDO GALEANO

Montevideo, 1940 – 2015

 

Fernando Silva drejton spitalin e fëmijëve në Managua. Në prag të Kërshëndellave qëndroi në spital deri vonë. Ndërkohë që Fernandoja vendosi të shkonte në shtëpi po dëgjoheshin të shtënat e fishekzjarrëve dhe qielli po ndriçohej me xixëllimat e tyre. Në shtëpi e prisnin për të festuar së bashku.
Pasi bëri kontrollin e fundit nëpër pavijone dhe pa se gjithçka ishte në rregull, duke ecur korridorit ndjeu hapa që e ndiqnin pas. Qenë hapa që dukej sikur ecnin mbi pupla. U kthye dhe pa se një prej fëmijëve të sëmurë vinte pas tij. Në gjysmëhije e njohu. Ishte një fëmijë që ishte i vetëm, pa njeri, pa të afërm. Frenandoja i dalloi në fytyrë shenjat e vdekjes, ndërsa sytë e tij dukej sikur i lypnin ndjesë e ndoshta kërkonin diçka, leje apo…
Fernadoja iu afrua dhe fëmija i preku dorën:
– Thuaji… – mërmëriti fëmija. – Thuaji ndonjërit se unë jam këtu…

Përktheu: Bajram Karabolli

Përdor frymën tënde-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Përdor frymën tënde-Sueton Zhugri

 

Përdore frymën tënde mbi qelqin e syzeve,
mandej fshije me kujdes deri sa bota të zbulohet e kthjellët.
Përdore frymën tënde për qelqet e dritareve dhe të yjeve atje lart
deri sa mrekullitë të shumohen e të zbresin mbi ne të vdekshmit.

Përdore për të zbutur cicërimat e zogjve
që të zgjojnë aq herët në agim.
Përdore për vrapin e mëngjesit në smogun e trafikut,
për zënkat e zyrës me kolegun e rrjedhur,
përdore…
të tërën,
për gjithçka e mbi gjithçka,
por të lutem
ruaj nje hukamë të vetme,
vetëm një të fundit
për qelqin e syve të mi
verbuar nga mungesa jote.

06.06.2015

DASHURI KIBERNETIKE-DIEGO MUÑOZ VALENZUELA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DIEGO MUÑOZ VALENZUELA

    Kili, 1956

U njohën nëpërmjet rrjetit. Ai ishte belbacak dhe kishte një pamje të tmerrshme prej neandertali: kokë të madhe, ballë të shëmtuar, sy tejet të ndarë, të rrumbullt dhe të kuq, dhëmbë lepuri që të mundonin sytë, një gojë si shpellë e hapur, trup të shtrembër dhe plëndës të dalë. Ajo kishte trupin e një kukulle të shkarraveshur, domethënë, ishte sakate nga qafa deri te këmbët, ama mesazhet në kompjuter i përcillte me një zë të ëmbël e të bukur, të qetë dhe të qartë, që nuk kishte të bënte aspak me atë vetë. Qe një dashuri me këmbim të parë të mesazheve: flisnin për harmoninë e universit dhe për vuajtjet e tokësorëve, për nevojën e perandorisë së bukurisë dhe për ambiciet e poshtra të shkaktarëve të luftërave, për shpirtmadhësinë e mundimshme të shpirtit human që bie ndesh me shpirtvogëlsinë e pak njerëzve. Lexonin me mosbesim replikat, ku hasnin një vështrim ekuivalent të botës, jo të njëllojtë, të ngjashëm, por të pasur nga historia dhe perceptimet e ndryshme. Gjatë muajve u shmangën të flisnin për vetveten dhe akoma më pak për mundësinë e një takimi në një vend real dhe jo virtual. Një ditë, ai i dërgoi foton e digjitalizuar të një bukuroshi. Ajo ia ktheu me postimin e një imazhi të një balerine. Ai i shkroi vargje të zjarrta dashurie, të cilat ajo i lexoi me kënaqësi të madhe. Ajo i dërgoi këngë me zërin e saj dhe ai, kur i dëgjoi ato melodi të mrekullueshme, tejet i emocionuar, qau. Ai, me qejf, i tregonte hollësi nga jeta e vet e trazuar shoqërore, duke u tallur, gjithë zgjuarsi, me mediokrit. Asnjeri nga të dy nuk propozoi kurrë për t’u takuar diku, në këtë botë reale. Ishte një dashuri e vërtetë, jo virtuale, si gjithë dashuritë që na ndodhin zakonisht në këtë botë, që e quajmë reale.

Përktheu: Bajram Karabolli

ROB-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

ROB-Petraq Risto

 

Jam rob – përçartje statuje
I heshtur si lulja pa rrënjë (Pa aromë luleje)
Habitur si lumi pa shtrat (Mbytur në anarshinë e ujrave)
Rob i pafat.

Jam rob i tëri prej qelqi, i thyeshëm si fjala “merak”
Brenda meje fjalët rrjedhin pa zjarr e pa gjak.
Përballë shoh miun në çark…

Jam rob: lodër e kurdisur, rend për në humnerë
(Lule me fytin e prerë…)
Rob me lëkurë balte, shpirtzbathur, pa këpucë
Mbështetur në kode nate, frikaç si një hardhucë.

Të lodhur ne të gjallët
Jetuam dy sisteme, të dy-qesharakë…
Kur ishim skllevër: Liria na shfaqej në ëndrra
Kur fituam Lirinë: mendimeve na rëndojnë pranga
Të pafuqishëm: shigjeta pa harqe
Ankora pa anije: zemrat.

Rob, çohu, a s’e dëgjon si ju përqesh çanga!?…

 

Newark, 2019

– Shkëputur nga vëllimi i ri “Ankimi i Luciferrit” (ShBA, 2020)

1 89 90 91 92 93 182
Go to Top