Author

Admin - page 40

Admin has 1899 articles published.

EPITAF-Visar Zhiti

in Letërsi/Tharm by

EPITAF-Visar Zhiti

 

Ti po vdes

dhe brohoret
asgjë nuk po thua ti, populli im !



3- NË LIRINË TJETËR, JASHTË…


* * *

Kisha shkruar dikur: ku e gjeni ju kohën
për t’u urryer, kur jeta nuk mjafton
për dashurinë?

Dhe dua të shtoj tani: a mjafton vdekja
për të qetësuar dhimbjet e mëdha
e mallkimet që marrim në jetë?

Po vdekje s’ka, është jetë ndryshe. Dhe
unë kisha mërmëritur: Që loti yt të rrjedhë
në faqen time… Ndërsa dielli si një temjan
tundet për të larguar djallin,
që futet nëpër të plasurat
e ditës së njeriut…


* * *

Një dhimbje e madhe zbret nga lart
rrëshqet nëpër kryqin që bashkon
Qiellin me Tokën.

Një dhimbje… si ajo në trupin
e së Shenjtës Mari,
kur po lindëte Jezusin.

Dhe unë jam përballë kësaj dhimbjeje
si një tjetër kryq i gjallë,
teksa muzgu pëshpërit: Bir!

Vetëm kur je në kryq
mund t’i shohësh të tjerët nga lart.
Falënderoj gruan që tha:
dhe në kryq duhet të jesh i bukur!

…si ti, Bir im, Ati im!…


* * *

Si mund ta gdhendësh dritën?
Me ç’daltë apo me thonjtë e shpirtit
si një i burgosur?

Dua ta gdhend dritën,
dhe pas vdekjes,
por ajo më rrjedh ndër duar si uji,
si koha, si dëshirat e pendimet,
si gjaku…

Mos u mundo, është e kotë,
lëre dritën të të gdhendë ty
duke i lënë gjërat e tepërta në terr,
zëre se t’i ka hequr.

Mbetsh ai që do e që duhesh! Amen!


Romë, 26.06.2016

LAMTUMIRË-Du Mu

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

LAMTUMIRË-Du Mu

 

(803-852)

Dashuria që kishte dikur
E ka braktisur.
Po pimë për herën e fundit
Kupën e krisur.
Dhe buzën në gaz nuk e vë
As me pahir,
Gjithçka përreth tani na lë
Një lamtumirë.
Por në shandan, deri në ag,
Qirinjtë sot
Do qajnë me lotët që ajo
S’i derdhi dot.

Përktheu: Alket Çani

Në det-Spartak Lalaj

in Letërsi/Tharm by

Spartak Lalaj

Mundësia më e madhe, duke u nisur nga të gjitha provat që shkencëtarët kanë sot, është se fundi i universit do të jetë një proces i ngadaltë dhe i gjatë, i njohur me termin “Ngrirja e madhe”. Në këtë skenar, universi do të zgjerohet pafundësisht dhe pas njëqind triliardë vitesh do të arrijë maksimumin e entropisë me një temperaturë afër zeros absolute. Një temperaturë e tillë do ta bëjë të pamundur jetën në univers. Atomet do të shpërbëhen në energji të dobët dhe në kozmos do të mbeten vetëm vrimat e zeza, të shpërndara në distanca të mëdha nga njëra-tjetra. Më pas, nga një fenonem i quajtur “Rrezatimi i Hawking”, vrimat e zeza do të humbasin energji. Në këtë skenar i gjithë universi do të përfundojë si një hapësirë kolosale, boshe, e ftohtë, pa ngjarje të asnjë lloji, pa kohë dhe pa kuptim.”
Televizori fliste për fundin e universit. Iliri i shtrirë në divan pa të ëmën që po lante pjatat në kuzhinë me vëmëndjen të përqendruar në lavaman. Zhurma e ujit dhe e pjatave nuk e linte atë të dëgjonte për fundin e universit. Një gropë e errët i ishte krijuar në kraharor Ilirit. Një katror i zi abstrakt i qëndronte anash si hije. Pa përsëri ekranin e televizorit. Universi po bëhej gjithnjë e më i errët. “Ndoshta kjo është asgjëja,” – mendoi. Iu kujtua një bisedë jo e zakonshme që kishte patur me shokun e bankës, Armandon.
– Nuk më tremb e as nuk më çudit vdekja, ajo çfarë më çudit është asgjëja, – i kishte thënë ai.
– Si asgjëja?
– Po ja, ta zëmë se nuk ekziston asgjë. As atome, as njerëz, as planete, asgjë. Si mund të ekzistojë asgjëja? Ku qëndron kjo asgjë?
Telefoni u drodh mbi tavolinë. Mesazh nga Armandoja.
“Ne do nisemi për në plazh. Nëse bëhesh, eja te gjimnazi për dhjetë minuta.”
Veshi një palë pantallona të shkurtra plazhi poshtë xhinseve dhe si i rregulloi mirë e mirë flokët në pasqyrë, u bë gati të dilte.
– Ku po shkon? – e pyeti e ëma.
– Ja, një kafe me çunat dhe erdha.
– Lëri kafetë po shtrohu në mësime. Erdhën provimet dhe pak ditë.
Jashtë ishte nxehtë, ndonëse qe akoma maj. Qyetit i kishte rënë heshtja dhe mërzia e vapës. I vetmi vend i gjallë ishte gjimnazi. Nga porta e tij po dilnin grupe nxënësish. Kishin filluar konsultimet për maturantët. Iliri pa nga porta e shkollës Amantën, Landin dhe Sonin, që po dilnin me libra në duar.
– Çkemi Ilir! Pse nuk erdhe në konsultime sot? – e pyeti ajo.
– Nuk më doli gjumi në kohë, – gënjeu Iliri.
– Gjumash, nesër mos mungo! – tha ajo me një buzëqeshje që zbriti drejt e në zemrën e tij.
– Ushtrimet e matematikës nuk ishin aspak të lehta, – i tha Landi.
Soni rrinte i heshtur dhe hetonte në një mënyrë që Ilirit iu duk e pështirë.
– Drekën e mirë atëherë, – tha ajo dhe u bashkua me një grup shoqesh që po prisnin pak më tutje. Soni e ndoqi nga pas dhe diç i tha me të qeshur; edhe ajo qeshi, i tha me përkëdheli “idiot” dhe ndërkohë që largohej i dhuroi një puthje me dorë.
Mësuesi i sociologjisë, Frani, i cili në atë çast po dilte nga porta e hekurt dhe e rëndë e shkollës, ndaloi kur pa djemtë dhe diç desh t’u thoshte.
– Hë djema? Po përgatiteni?
Franit iu përvijua një buzëqeshje e lehtë ironie sikur ai kuptonte diçka të thjeshtë e që megjithatë ata nuk e shihnin dot.
“Tani është fundi djema, duhet t’i jepni forca, pas pak ditësh ju nisin provimet. Do ta lini mundin e katër viteve në këmbim të pak ditëve rehati? E di që nuk e keni qejf moralin, por ta dini, – këtu ai ngriti gishtin e dorës nga qielli, – veç të këqija vijnë nga neglizhenca. Në vitin e fundit, të gjithë e dinë që e keni neglizhuar pak shkollën. Jeni dhënë më tepër seç duhet në argëtime. Keni qënë më të mirët në shkollë, mos harroni se ka pritshmëri ndaj jush.
Të tre djemtë rrinin me kokën ulur. Ilirit diku thellë, i bluante mendja një kundërshtim, por ai nuk qe në gjendje t’i jepte formën e duhur, e nuk kishte as forcën për ta shprehur, për më tepër në drejtim të një mësuesi. E megjithatë, a nuk kishte qënë pikërisht mësues Frani që shumë orë mësimi i kishte braktisur për të mbaruar kushedi çfarë punësh të veta, duke i lënë pushim? A nuk ishte pikërisht mësues Frani ai, që i përballur përpara drejtoreshës me këtë fakt, kishte ngritur zërin në mes të klasës, i indinjuar ndaj kësaj shpifjeje, duke u kërkuar nxënësve t’i thoshin qoftë vetëm një rast (me çfarë patosi e kishtë thënë këtë “qoftë vetëm një rast”) që ai të kishte braktisur mësimin e sociologjisë dhe i kishte lënë ata pushim? Askush nuk kishte patur guximin të fliste. Jo se mungesa e mësuesit e mërziste Ilirin, ishte kënaqur në ato orë pushimi, por mësues Frani nuk ishte njeriu i duhur për të folur për ngelizhencë.
– Mirë, mirë, bëni si të doni, fundja jeta juaja është, do t’i kujtoni fjalët e mia por atëherë kam frikë se do jetë shumë vonë.
Frani u largua.
– Kur të bën dhe ky moral, – tha Soni gjithë mllef, – burrë legen!
– Edhe këtë kishim mangut, – tha Landi.
Armandoja erdhi me makinë para derës së gjimnazit dhe i ra borisë. Djemtë u futën brenda në makinë dhe u nisën me shpejtësi, duke lënë pas një re pluhuri.

* * *
Brenda në makinë kishte nisur të bëhej ftohtë prej kondicionerit. Soni shpjegonte veprimet e tij të ditës.
– Po kot, nuk po më shtyhej në shtëpi, s’kishte as filma, asgjë, thashë të paktën të shkoj në konsultime. Me shkruajti dhe Amanta që të shkoja, ndaj… nuk kisha sesi të thosha jo.
Iliri shihte nga rruga. Nuk donte që ta shfaqte turbullimin. “Ajo i dhuroi atij për ditëlindje një parfum,” – mendonte i përhumbur.
– A jeni lidhur bashkë? – pyeti Armandoja.
– Të lidhur jo, por aty afër.
Landi vuri buzën në gaz hidhur. Askush nuk foli për ca çaste që Ilirit iu dukën shumë të gjata.
– Besoj Ilir nuk e ke problem? – pyeti Soni duke kthyer kokën nga sedilja e parë.
– Mos u shqetëso për mua, ka qenë thjesht një pëlqim, si shumë pëlqime të tjera. Nuk është problem, të kam thënë edhe më parë.
– Shumë mirë, – tha Soni.
Ilirit iu mblodh një lëmsh në grykë, sikur të kishte gëlltitur rërë të nxehtë. E kishte të vështirë të kuptonte sesi Amanta mund të ndiente për Sonin.
– Rritja një çik volumin muzikës, – tha Soni me një ton dukshëm të kënaqur.
Armandoja i ngriti zërin muzikës. Po luhej kënga “Iris’ e Biaxho Antonaçit.
“Quanta vita c’è?
Quanta vita insieme a te?”

* * *
Deti blu dukej mes pishave të larta si diçka magjike. Plazhi ishte bosh. Ajo hapësirë e madhe pa njerëz i krijoi Ilirit një ndjesi të plotë lirie. Ndjeu një dëshirë të madhe për të vrapuar në mes të rërës deri në breg. Kudo dëgjoheshin vetëm gjinkalla dhe ajri ishte i tejmbushur me aromën e pishave dhe detit. Parkuan pranë një lokali të hapur dhe u futën brenda. Anash lokalit, një djalë i ri po hapte me kazmë një kanal. Përveç disa burrave që në një pjesë të errët ishin shtruar mirë me kriklla, nuk kishte klientë të tjerë brenda. Kamarieri me sklepa në sy u afrua të merrte porosinë.
– Kafe!
– Kafe!
– Tre kafe!
– Katër kafe! – qeshi Landi.
Kamarierit nuk iu duk dhe aq për të qeshur. Ai u largua me pamjen e njeriut që e kanë zgjuar nga gjumi për një punë të mërzitshme. Burrat në fund të lokalit ia dhanë një të qeshure të tmerrshme. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe bënë “Gëzuar”. Nga biseda e gjallë që po zhvillohej mes tyre u dëgjuan shpejt e shpejt fjalët PD, pastaj PS.
– Bashkë kemi një bast ne, – i tha Soni Armandos.
– Nuk e kam harruar, por PD-ja do t’i fitojë zgjedhjet këtë vit.
– Vetëm bëj gati lekët për peshkun që kemi lënë, kaq di të them. PS-ja e ka të sigurt.
Landi ndezi një cigare. Shkrepësen ia kaloi Sonit, i cili gjithashtu ndezi një cigare. Kamarieri solli porosinë. I la me kujdes filxhanët e gotat dhe u largua gati i fyer. Dielli binte në gotat e pastra të ujit dhe lëshonte në tavolinë rrëzëllima të kristalta. Me çdo pije nga gota, rrëzillimat bëheshin më të vakëta, derisa me gotën bosh firuan fare.
– Katër teta të kem të marr në provime dhe e fitoj Inxhinierinë e Ndërtimit, – tha Landi, që kohët e fundit, si shumë maturantë, vetëm për të tilla llogari fliste.
“Rroftë Partia Socialiste!” – tha një burrë tjetër i dehur. Të qeshurat dhe të tallurat ishin të tmerrshme. Kazma e punëtorit u përplas fort në tokë duke lëshuar një zhurmë të mbytur.
– Nga mjekësia hoqe dorë? – e pyeti Armandoja.
– Nuk e kap dot, duhen të gjitha dhjeta dhe të gjitha dhjeta nuk i mar dot, – tha Landi.
Soni ndezi një kunjë shkrepseje dhe ia hodhi Landit.
– Sa kalama që je!
Soni ndezi një tjetër dhe ia hodhi Ilirit. Iliri i priste me pëllmbë të dorës, pa thënë ndonjë fjalë. Të dy shkëmbenin shikime plot nënkuptim.
– Sa shumë e vrisni mendjen, – tha Soni – Jetojeni jetën! Se mos do kujtoni nga gjimnazi se sa shumë keni mësuar matematikë.
Kazma u përplas në tokë me më forcë dhe zhurma ishte më e mprehtë. Punëtori e la kazmën dhe futi duart në baltë e pas një përpjekjeje të mundimshme nxori një gur të madh nga kanali, pastaj mori përsëri kazmën dhe vazhdoi të godiste me sa kishte fuqi. Djemtë e panë për ca minuta mundimin e tij. Ballin e kishte të mbushur me bulëza djerse. E gjithë lëkura e tij ishte e nxirë prej diellit. Nuk duhej të ishte më shumë se 22 vjeç.
– Pashë një film të bukur mbrëmë, – tha Landi, – ishte me një mësues fiskulture që humbet punën, pastaj gruan dhe për pak ditë e gjen veten pa pará, pa asgjë, në shtëpinë e tij krejtësisht të boshatisur.
– Dhe pastaj vrau veten, – ndërhyri Soni.
– Jo, arriti të bëhej një lojtar profesionist në futbollin amerikan.
– Në filma ça nuk ndodh, – tha Soni.
– E kam parë këtë film, The Invincible e ka titullin! – tha Iliri.
– Po, ai film është, – tha Landi.
– Më pëlqen sidomos ajo skena në fund, kur ai vrapon drejt touch down-it. Me çfarë nervi vrapon, – tha Iliri.
– Vrapi i jetës, me pak fjalë, – tha Landi.
Soni i shihte nga një piedestal, sikur mendonte “pse, paskeni nevojë për filma frymëzues ju?”
– Ishte film bazuar në histori të vërtetë, – tha Landi.
– Po, bazuar te jeta e Vince Papale.
– Po kështu do thonë ata se ndryshe nuk u shitet filmi, – tha Soni.
U dëgjuan përsëri të qeshurat e forta nga burrat në fund te lokalit dhe tokjet e gotave të birrës dhe kësaj here u dëgjua “Rroftë Partia Demokratike”. “Këtu e dhjeve”, mori si përgjigje. “Kudo është dhjerë”, ia ktheu dollingritësi dhe e piu me fund.
Një copë herë djemtë nuk folën. Kafetë po i pinin ngadalë, në heshtje.
– Ç’u mërzitëm, s’ke ça bën dhe në plazh, – tha Soni.
– Çohemi e hamë? – tha Armandoja – Vdiqa për bukë. Kioska aty është hapur.
– Çohemi, – tha Soni.
Lekët i lanë në tavolinë dhe u drejtuan për te kioska. Punëtori me kazmë rrinte këmbëkryq dhe po pinte në heshtje një cigare. Ai i ndoqi me sy djemtë kur u larguan nga lokali dhe tundi kokën.
Në kioskë, në një hapësirë të ngushtë, qëndronte një burrë tullac. I ulur në stol kauçuku po shihte në një televizor shumë të vogël një dokumentar për kafshët. Luani po shqyente një zebër. Sapo pa që i erdhën klientë, u ngrit në këmbë me një gadishmëri gati ushtarake.
– Si kaloni djema? Çfarë dëshironi?
– Katër sanduiçë.
– Ja tani!
U ulën në karriget plastike që ishin jashtë kioskës. Frynte një puhi e lehtë, e freskët. Landi dhe Armandoja i hynë një muhabeti të thellë rreth ekzistencës së alienëve. Soni diç lexonte në celular dhe shtypte tastet shumë shpejt. Iliri i ndiqte me vëmëndje gishtat e shpejtë në tastierë. Ishte i bindur që mes tyre tashmë kishte nisur një lidhje.
– Pyetja sot nuk duhet të jetë a ekzistojnë apo jo alienët, por a kanë ardhur ndonjëherë në Tokë?
– Nëse janë aq inteligjentë sa ç’i mendojmë ne, duhet të kenë ardhur, – tha Armandoja.
– Mos harro, është i madh universi, – tha Landi.
– Dakord, nëse nuk kanë gjetur një mënyrë për ta tejkaluar shpejtësinë e dritës, atëherë i bie që të mos kenë ardhur kurrë, – lëshoi pe Armandoja.
– Epo shpejtësia e dritës nuk tejkalohet. Kaq e kemi mësuar nga Ajnshtajni në fizikë, – tha Landi.
Burri tullac erdhi dhe solli porosinë. Në fillim vuri me kujdes shishen e verdhë me mustardë dhe një tjetër të kuqe me keçap. Pjatat me sanduiçë i vuri mbi tavolinë me një kujdes aq të madh saqë dukej sikur kishte bërë një betim me veten që asgjë të mos shkonte keq. Si e mbaroi këtë punë u hodhi një shikim djemve.
– Në shkollë jeni?
– Po, – u përgjigj Landi, – maturantë.
– Mësoni?
– Po, nuk jemi keq.
– Mësoni djema, mësoni! Mos na shihni ne. Për ne shkoi ashtu siç shkoi. Shkolla është gjithçka. Me shkollë i arrin të gjitha. Gjithçka tjetër është e pavlefshme.
Burri tullac pa nga horizonti dhe psherëtiu. Dukej gati i bindur se ishte pikërisht mungesa e shkollës që e pengonte atë për t’ia nisur një fluturimi në horizonte të kaltra.
– Ju bëftë mirë, – tha në fund dhe u drejtua përsëri në kioskën e tij.
– Dakord, mund të mos kenë ardhur, po si e shpjegon atëherë Rusveltin? – tha Armandoja.
– Nuk e di, këtu më ngec logjika. Se zakonisht qeveria amerikane me CIA-n i fshehin këto gjëra, jo t’i shpikin apo t’i ekspozojnë vetë.
– Ça është kjo e Rusveltit? – pyeti Soni, sa për t’u bërë dhe ai pjesë e bisedës.
– Vendi ku është rrëzuar ai disku i UFO-ve.
– Për UFO-t po flisni prapë? – pyeti ai gati me tallje.
Iliri e kuptoi Sonin. Ai tani kishte një vajzë në krah. Tema e UFO-ve duhej t’i dukej si një lojë fëmijësh.
– U rrite ti? Gjete dashurinë dhe s’mendon më për misteret e kozmosit? – ia ktheu Landi.
Për habinë e Ilirit Soni nuk iu përgjigj.
“Çfarë rëndësie ka në ekzistojnë apo jo alienët, kozmosi do të përfundojë në një natë të pafundme” – mendoi Iliri, por nuk guxoi ta thoshte këtë mendim me zë të lartë.
Sonit i vinin mesazhe njëri pas tjetrit. Ai vetëm buzëqeshte, linte sanduiçin dhe shkruante shpejt në tastierën e telefonit. Iliri e ndiqte me vëmëndje shprehinë e fytyrës së Sonit. Soni i vetëdijshëm se Iliri po e shihte, buzëqeshte me vetëkënaqësi. Amanta mbante fijet e kësaj bote bashkë. Tani këto fije po shkëputeshin, atomet po shpërbëheshin.
Të tjerët përtypen në hështje saunduiçët e tyre. Biseda nëse kishin ardhur alienët në tokë apo jo u ndërpre. Landi fshiu mustardën nga buzët dhe ndezi një cigare. Iliri mori paketën dhe nisi ta rrotullonte në tavolinë. Armandoja ishte zhytur në të thella duke parë vijën e horizontit. Ndoshta mendonte atë asgjënë e tij. Soni qëndronte vazhdimisht në telefon. Sanduiçin thuajse nuk e kishte prekur fare. Herë pas here lëshonte një buzëqeshje. Pastaj e mbylli telefonin me krenari dhe iu fut sanduiçit sikur të thoshte “koha e bukës tani”. Pritën sa mbaroi së ngrëni sanduiçin, mblodhën lekët dhe Landi shkoi të bënte pagesën. Nga larg dukej sesi pronari i kioskës po e falënderonte Landin me të njëjtën mënyrë të panatyrshme e të çuditshme siç edhe shërbente, sikur t’i ishte bërë një nder i madh ushtarak pikërisht në kioskën e tij.
Më pas djemtë iu afruan bregut. Prekën ujin me këmbë. Ishte brisk i ftohtë.
– Nuk bëhet fjalë që të lahem në këtë ujë, – tha Armandoja.
– Jam larë në ujë më të ftohtë se ky! – tha Landi duke hequr bluzën.
Iliri nuk fliste. I dhimbte ndarja. Do të ndahej nga gjithçka, nga shtëpia, nga lagjia, nga dashuritë e vogla që i kishte patur gjithnjë para syve e që nuk i kishte çmuar sa duhej, afshin e tokës dhe të lulishtes, mëngjeset e pafajshme, pëlqimet dhe lojrat me vajzat e bukura, nga shokët me të cilët kishte vrapuar në aq shumë aventura. I dukej se deri në atë çast kishte jetuar mrekullinë, vetë parajsën. Iu kujtua sesi përqafoheshin ditën e fundit të shkollës të gjithë maturantët, si shkruanin në bluzat e njëri-tjetrit dedikime, sa shumë shkrepje fotosh. Ndoshta dhe ata, ashtu si ai, e kuptonin se ngrohtësia që e kishin marrë të mirëqenë deri në atë çast, do t’ia linte vendin një ftohtësie të madhe, krejt të akullt. Iliri kishte ankth për të ardhmen, por i dukej sikur e ardhmja nuk do të vinte kurrë, sikur ai po i afrohej pafundësisht një pike e gjithmonë i duhej të kalonte një pafundësi pikash të tjera për të mbërritur tek çasti i kthesës. E ndiente se ndarja ishte shumë e thellë e nuk mund të mendonte dot për asgjë tjetër veç saj. Ishte një ndarje e një lloji të veçantë. Ai do t’i takonte të gjithë përsëri, e megjithatë gjithçka do të ishte ndryshe. Dokumentari mbi fatin e gjithësisë i kujtoi dhe njëherë faktin që ai ishte i vdekshëm, se vetë gjithësia ishte e vdekshme. Katrori i zi abstrakt sa vinte e zmadhohej. Tani deti i ftohtë shtrihej përballë tij.
– Ilir, mos bëj kështu, – u dëgjua zëri i Sonit, – ta lë ty Amantën po të duash.
Iliri ndjeu një shkulm të errët emocionesh. Pa e bërë të gjatë i dha dy grushte të shpejta. Njëri e zuri në muskulin e krahut, tjetri në brinjë. Pa e kuptuar sesi, i erdhi një grusht m’u poshtë zemrës dhe një tjetër rrëshqanthi anash kokës. Në një çast të vetëm shkëmbyen grushte të shpejta me njëri-tjetrin. Pastaj krejt papritur trupat e tyre u ndanë. Armandoja mbante Sonin, ndërsa Landi tërhiqte Ilirin.
– Hiqe, hiqe prej këtu, – i bërtiste Armandoja Landit.
Landi e shtrëngoi fort për beli Ilirin dhe eci me të përgjatë bregut. Iliri ndjeu papritur një këputje të trupit. Duart i dhimbnin, mezi mbushej me frymë. Ktheu kokën dhe pa Sonin që diç i thoshte Armandos. Nga lëvizja e duarve dukej sikur thoshte “më sulmoi vetë i pari”.
Si u larguan ca, Landi e lëshoi.
– U qetësove tani?
– I poshtri, ka gjithë kohës që më provokon!
– Do flas unë me të, – tha Landi.
Edhe Landi mezi mbushej me frymë.
– E fitoi Amantën, ç’ka që provokon tani?
– Atë nuk e dimë ne.
– Si nuk e ditkemi? Ajo i dhuroi edhe parfum për ditëlindje.
– Atë parfum ia ka dhuruar e motra.
– Si?
– Po, ia ka dhuruar e motra. Ai nuk ka asgjë me Amantën. Po shtiret.
– Po ti nga e di?
– E zbulova pa dashje, – u detyrua ta pranonte pastaj.
– Pse nuk ma kë thënë më parë, kur ti e dije?…
– Më kishte lëshuar be të mos thosha asgjë.
– Po pse e bën atëherë? Thjesht për të më provokuar?
– Shiko, të të them diçka. Të gjithë kemi frikë se çfarë do bëhet me ne, si do dalim me provime, çfarë shkolle do fitojmë. Gjithçka është e paqartë. Soni ndjen se do të dalë keq, ka frikë edhe se mos ngel pa shkollë fare, mos ngel në këtë qytet të qelbur. Tani hiqet në syrin tonë sikur ka diçka me Amantën.
Ecën një copë kohe pa folur. Iliri ndjeu një pikëllim të madh. Ndarja përfundimtare me Amantën ishte afër dhe vdekja nuk shmangej, por megjithatë qe lehtësim për të të mësonte se Amanta nuk pëlqente Sonin.
– Ecim nga rruga, po më bën me dhimbje koke dielli, – tha Landi. – Çfarë do bësh me Amantën, ke hequr dorë përfundimisht?
– Jam i bindur se ajo thjesht luan për hir të lojës, nga mërzia, për t’u ndier e dëshiruar. Nuk ka më kuptim. Nuk kthehem dot pas.
U larguan nga bregu i detit, kaluan përmes pishave duke i ruajtur shputat e këmbëve nga halat e thata në rërë dhe dolën në rrugën kryesore të plazhit. Në rrugë nuk kishte fare lëvizje. Asfalti ishte i freskët. Fëshfërima e pemëve krijoi menjëherë një ndjesi paqeje. Iliri ndjeu heshtjen t’i depertonte në të gjitha poret e trupit e megjithatë kjo nuk ia fashiti atë katrorin e zi abstrakt mu në mes të jetës.
Si kaluan një kthesë të fortë në këmbë, panë një makinë të fikur në rrugë. Makina u ndez, bëri të nisej por u fik përsëri.
– Sa i mbaruar qenka shoferi, – komentoi Landi.
Kur afruan më shumë drejt makinës, panë një djalë të vogël në timon dhe atë që dukej si babai i tij, me një shikim të egër të hedhur në kokën e të birit.
– Sa herë të kam thënë, nëse e lëshon krejt gazin do të fiket makina po nuk e pate marshin në nafolje. Tutkun! – tha ai dhe i dha një shpullë pas qafe. Djali i skuqur flakë në fytyrë pa me ca sy të përvuajtur nga Iliri dhe Landi.
– Ndize prapë, ndize prapë të thashë!
– I shkreti, – tha Landi.
Makina bëri dhe njëherë përpjekje për të ecur por u fik përsëri. Landi kthente kokën herë pas here dhe qeshte.
– E ka humbur krejt ai djali, nuk bëhet më për sot. Si Adela ne orën e kimisë. E mban mend? Nuk do e harroj atë orë. Hahahah!
Landi kujtoi dhe njëherë atë orë të paharrueshme kur mësuesja e kimisë i grisi librin Adelës, nxënëse e dhjetës, vetëm për shkak të një gabimi që ajo bëri në dërrasë të zezë. Për muaj me radhë e imitonin mësuesen në egërsinë e saj që shpërtheu papritur në mes të klasës. Iliri po e dëgjonte gati me pahir. Po mendonte se kishte bërë gabim të madh që u kishte treguar për dashurinë e tij për Amantën. Të tregohesh i hapur në ndjenja në gjimnaz është njësoj sikur të dalësh lakuriq përpara një goditësi me shkop. “Do të të them një sekret”, kështu nis çdo rrëfim i pafajshëm gjimnazor.
– Duhet të dalim mirë në këto provime, – tha Landi. – Kam frikë se do bllokohem e do dal keq, gjithmonë kështu më ndodh në ditë të rëndësishme.
Landi pa pemët, detin dhe mori frymë thellë.
– A mendon ndonjëherë për vdekjen? – pyeti papritur.
Ilir u habit nga kjo pyetje. E ndjeu veten më afër Landit se kurrë.
– Po, pse edhe ti?
– Po, sidomos këto kohë. Po dëgjoja këngën “Iris” në makinë dhe… nuk e di pse më vinte të mendoja për fundin, për vdekjen, – tha Landi, – ti si mendon, çfarë ka pas vdekjes?
– Nuk e di. Kam frikë se asgjë. Kam shumë frikë se është thjesht një gjumë i përjetshëm.
– Unë them se ka diçka, – tha Landi.
Në një mënyrë të mistershme, kjo i dha forcë Ilirit, nëse Landi besonte se vdekja nuk ishte fundi, atëherë duhej të kishte diçka në këtë mes.
– Pse si e shpjegon ti? Çfarë ka patur para se të lindnim? A nuk është e mundur që ne të kemi qënë dikush tjetër në jetë, vetëm se tani nuk e mbajmë mend? Kështu do të jetë edhe në të ardhmen, do rikthehemi në jetë si dikush tjetër, por nuk do mbajmë mend jetën që po bëjmë tani, veçse ama do të jemi të vetëdijshëm që jemi në jetë, siç jemi ne tani të vetëdijshëm se jetojmë.
– Unë pashë një dokumentar për fundin e universit. Thuhej se pas miliarda vitesh i gjithë universi do të shndërrohej në vrima të zeza, se dhe vetë atomet do të shpërbëhen, – tha Iliri.
– E si u shpërbëkan atomet? Kjo nuk ka kuptim. Ne do të jetojmë edhe shumë jetë të tjera, thjesht nuk do t’i mbajmë mend.
– Pse, thua kaq e thjeshtë të jetë?
– Kështu është, nuk ka sesi të jetë ndryshe, – tha Landi duke shpejtuar hapin, – është logjike, – shtoi ai dhe u lëshua përpara më një vrap gjithë gëzim. Iliri e ndoqi pas. Vrapoi me sa fuqi kishte. Merrte frymë rëndë dhe u jepte këmbëve shpejt. Për atë çast fare të vogël e besoi vërtet se do të rikthehej përjetësisht në Tokë, pa kujtesë, në një cikël të pafundmë duke jetuar jetë të ndryshme. Vrapoi sikur donte ta kapte atë çast e ta kthente në përjetësi.

***
Kur u kthyen gjetën Armandon dhe Sonin që rrinin në breg të detit. Armandoja po i thoshte diçka Sonit me nxitim, siç dukej po i jepte këshillat e fundit për të mos nxitur konflikt tjetër. Shikimet e tyre u ndeshën për pak çaste. Iliri gati sa nuk ndjeu keqardhje për Sonin. U afruan dhe askush nuk foli. Soni shihte majat e thonjve të këmbës, Iliri detin.
– Çfarë do bëjmë? Do lahemi apo do ikim? – pyeti Armandoja.
– Unë do lahem, – tha Landi.
– Edhe unë, – tha Iliri duke hequr bluzën.
Iliri iu largua pak bregut, mori vrull dhe u dha me vrap. Nga zhurma e ujit pas tij kuptoi se e ndoqi dhe Landi. Vrapoi ashtu derisa uji i shkoi në brez, më pas zhyti të gjithë trupin. Notoi zhytur aq sa mundi të mbante frymën dhe pastaj bëri not pash të shpejtë. I dukej se vetëm duke lëvizur shpejt mund ta mbante të ftohtin larg, mund ta largonte atë zgavër të madhe që ndiente brenda vetes. Katrori i zi abstrakt ishte ende aty. Notoi larg pastaj pushoi me not shpine. Uji i mbuloi veshët. Tani dëgjonte vetëm ca tinguj të mistershëm, të një bote tjetër. Mbylli sytë. Kërkoi të gjente atë gëzim fëmijëror sa herë që bashkohej me detin, por gjithçka i largohej me shpejtësi. U kthye përsëri me not pash, mori frymë thellë dhe u zhyt në ujë. Sa më thellë shkonte aq më ftohtë kishte e aq më shumë një forcë e kundërshtonte, sikur t’i thoshte “ti nuk e ke vendin këtu, shko lart në sipërfaqe”. U habit si asnjëherë tjetër kur pa ca leshterikë në fund të detit, tek lëkundeshin nën një ritëm të fshehtë. Një univers i tërë plot me shkretëtira të vdekura. Ndjeu befas një dëshirë të zhytej më thellë, t’u shkonte afër leshterikëve dhe rërës që ngjante si një shkretëtirë e pafundme. Trupi po i ftohej i gjithi. Katrori i zi abstrakt u zmadhua dhe mbuloi gjithçka. Mendja i shkoi te meteorët që udhëtojnë në hapësirë për miliona vite. Një udhëtim aq kolosal, aq i pakuptimtë. Një ditë të bukur njëri prej tyre mund të godiste Tokën e t’i japë fund çdo ëndrre njerëzore. I vinte të qante pa ngushëllim.
Notoi me sa forcë kishte. Befas pa nga lart trupin e tij, të cilin e kishte braktisur. U ngjit me shpejtësi të madhe më lart, pa detin, mjegullën e reve, planetin Tokë, vetë Diellin. Lëvizi krahët më fort dhe notoi në hapësirë derisa pa miliona diej të rrotulloheshin në galaktikë, më pas pa miliona galaktika që lundronin gjithë madhështi në hapësirë. Gjithçka dukej e largët dhe e pakuptimtë. Amanta, që në zymtësinë dhe lagështinë e mureve të gjimnazit kishte qenë ngrohtësia e tij e vetme, tashmë ishte e pafuqishme, edhe ajo kishte fatin e pluhurit. Gjithçka thithej nga një vrimë e zezë, nuk shpëtonte as drita. Atomet po shpërbëheshin. “Një hapësirë kolosale, boshe, e ftohtë, pa ngjarje të asnjë lloji, pa kohë dhe pa kuptim”. Qau si fëmijë brenda ujit.
Dëgjoi një zë të largët, si nga një dimension tjetër, derisa mori trajtën normale kur nxori kokën nga uji.
– Ilir, hajde dalim se ngrimë. Të janë nxirë dhe buzët, – i tha Landi.
Iliri pa përreth, krejt i mpirë, sikur të kërkonte dikë të humbur. Nuk e ndiente peshën e vetes. Trupin e kishte akull të ftohtë. Gati pa dëshirën e tij, notoi drejt bregut, si i shtyrë nga një dorë e padukshme që këmbëngulte drejt jetës.
Gjithësia ishte shpërbërë dhe krijuar nga e para. Në çdo pore të trupit ndjeu se adoleshenca kishte vdekur.

Photo © ► @sebastien.nagy

JETË-Visar Zhiti

in Letërsi/Tharm by

JETË-Visar Zhiti

Të kam dashur…

Shiun tim,
kthesën e rrugës që të largon nga shtëpia,
puthjen e parë,
t’i kisha dhënë ty.

Thashë, të kam dashur!

Bregun e detit, abazhurin mbi fjalorët,
rebelimet e mia
t’i kisha dhënë ty.

Të kam dashur, kaq shumë të kam dashur!
Spektaklet e reve blu të syve të mi që vazhdojnë dhe
në sytë e tu,
të gjitha, t’i kisha dhënë, ty.

Gjithmonë të kam dashur si herën e parë.

Të gjitha kthimet në shtëpi ty t’i dhashë,
shtrëngatat me stërkala yjesh ty t’i dhashë,
dhe gëzimet e trishtimit qytetar ty t’i dhashë,
dhe gjysmën e mollës që bashkë e ndamë, ty ta dhashë.

Dhe ti të gjitha i harrove
si një libër me vjersha
kur zbresim nga treni.

25.XI.’83

I saj dyzimi-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

I saj dyzimi-Sueton Zhugri

 

Le ti hedhim një sy dyshemesë.
E sheh
mbi gjakun e natës atje
pasqyrohen yjet,
sfera të ndritshme ngazëllimi
kur ne u
njohëm, dhe kjo ishte lumturia
Me copa trupi të shkëputura
arnuar
në një Arushë të Madhe
dashurie bipolare gjithë çataj..

Dhe qielli thërret se ndjen mungesë

Dhe hëna përlyhet me mall të kuq

Dhe gjaku i natës pret
Kafshën e errësirës me plagën nga
e cila rrodhi i saj
dyzimi…

 

18.4.2023

Poezia e Martin Camajt u bë proteza apo paterica vendimtare jetike e dytë për poezinë shqipe, që ajo të ecte, me këmbët e dala, thyer nga komunizmi/Joni Shanaj

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Joni Shanaj

Emrin e Martin Camajt mund ta kem dëgjuar me siguri mjaftueshëm për të m’u ngulitur fort në kokë në “Refleksionet II” (ose III), në Akademinë e Arteve, viti 1991, nga Ardian Klosi; njeriu që i dedikoi jo pak prej vetes përhapjes së veprës së Camajt në Shqipëri. Sikur vetëm për kaq Klosi do të mbetet i paharruar.
Për mua dhe mendoj se me siguri edhe për të gjithë ne që vitet e para të 90-ës na kapën në moshë formimi 14-17 vjeç dhe kishim ndonjë lidhje me shpirtin, njohja me poezinë e Martin Camajt na erdhi si e dërguar nga një fuqi enigmatike në kohën më të duhur.
Më duket sikur e gjithë energjia e akumuluar e poezisë së tij, jashtë syrit dhe mendjes së lexuesit post 90′ në Shqipëri, depërtoi në brendësitë tona si forcë madhore nxitëse, frymëzuese, ndikuese nëndheshëm. Poezia e Martin Camajt u bë proteza apo paterica vendimtare jetike e dytë për poezinë shqipe, që ajo të ecte me këmbët e dala, thyer nga komunizmi. Paterica tjetë, që ndoshta lëkundej edhe nga mosbesimi ynë, ishte krijuar nga brezi i brendshëm i poetëve të vargut të thyer, ku Fatos Arapi mund të ketë qenë i pari në radhë, ndjekur nga të tjerë, të cilët i kam përmendur këto ditë. Fjala është për poetë që e kishin tejkaluar traditën e bejteve, hedhur guximshëm, si nxënës të Migjenit, drejt vargut të lirë në Shqipëri.
Por, ishte përhapja dhe leximi me kënaqësinë e zbulimit të një të ndaluare, të panjohure, shtyse, që vetvetiu tërhoqi interesin për poezinë e Camajt në një kohë ngjarjesh aq të vrullshme, sa më duket se vetëm forma mjaftoi që të depërtonte mistershëm brenda, pa patur rëndësi në zhurmën e kohës se sa u kuptua përmbajtja.
Kur mendoj se çfarë ndodhi fare pak me vonë me poezinë e brezit tim, e shoh vendimtare, në atë rrëmujë vitesh, hyrjen subversive të Martin Camajt në vendin që i takonte në ndërdije dhe më pas si gur themeli në thellësinë e poezisë që po vinte.
Nuk e di a është thënë ndonjëherë hapur rëndësia që pati Martin Camaj për brezin tonë, mes atyre që më pas ose iu dedikuan poezisë në plan të parë, ose të tjerëve që gjetën mënyrën për ta konvertuar poetikën në forma të tjera jete.
Di se asnjë poezi në nisjet e kulmeve të poezisë shqipe, që ishin vitet 90′, nuk do ishte shkruar siç u shkrua, pa Martin Camajn në Tiranë. Është gjithashtu koha kur hyrja e tij në skenë kishte edhe një ndihmës “të vogël” në botimet e para në shqip; quhej Nietzsche.
Klosi, njohësi më i afërt i Camajt mes tiranasve, në një shkrim/intervistë te “Perpjekja” e vitit 1996, shkruan:
Martin Camaj nuk mbijetoi si shkrimtar në Perëndim, por si gjuhëtar dhe studiues. Komunikimi i tij me lexuesin ose me botuesit dhe rrethet letrare ishte një katastrofë. Librat luksozë që i kishte nxjerrë me shpenzimet e veta, më tepër i fali sesa i shiti. Në arkivat e “Vatrës“ në Boston kam ndeshur në vitin 1992 edhe dhjetëra arka me libra të pashitur e të pashpërndarë të Camajt.”
Pak më tej Klosi thotë: “do ta ketë mërzitur shumë injoranca e emigrantëve shqiptarë që asnjë poezi nuk e kuptonin dhe nuk e blinin...”
Dua të veçoj se paradoksalisht, pikërisht ky vetmitar i madh që quhej Martin Camaj, etalon ekzemplar monumental i vetmisë së përjetshme të poetit shqiptar, pikërisht, poezia e këtij njeriu, shkrimtarit më të vetmuar, pa lexues në të gjallë, pikërisht kjo poezi, më pas u kthye në farën dhe lëndën më të fuqishme të poezisë së frymës së të ardhmes.
Më kujtohet një koment, i bërë i famshëm në underground, i muzikantit gjenial Brian Eno, për albumin e parë legjendar të bendit më me influencë në rrokun alternativ në botë, “Velvet Underground“. Dihet që albumi i parë i tyre ishte aq i çuditshëm dhe i veçantë sa shiti vetëm 10 mijë kopje në planet. Shifër tërësisht e pakonsiderueshme komercialisht në botën e muzikës. “Albumi i parë i “Velvet Underground” shiti vetëm 10 mijë kopje”, thotë Eno, “por ama të 10 mijë njerëzit që blenë albumin, krijuan më pas një bend”. Brian Eno një nga ata.
Kush e lexoi Camajn në atë kohë, në një formë apo tjetër është shndërrruar edhe vetë poet.
Botimet më të mira të Camajt do të mbeten ato të përgatitura nga Ardian Klosi, botuar në vitin 1996, nga një shtëpi botuese e quajtur me emrin pikant, “Apollonia”, me kopertinë nga disa piktura të Gjelosh Gjokajt.
Më poshtë një nga kopertinat ku gjenden disa vêllime poetike të tij. Po shkëpus një dorë poezish nga “NËMA”, që është vëllimi i parë që kam lexuar prej Camajt në ato vite dhe ndonjë nga “Palimpsest”, vëllimi më i rëndësishem, pas Milosaos së De Radës, për poezinë unike të këtyre anëve dhe të kësaj gjuhe të madhe.
Martin Camaj magjistar:

Lëkura e pjeprit-Klara Koli

in Letërsi/Tharm by

Lëkura e pjeprit-Klara Koli

 

Një gropëz pendese po t’i hapej
mes kraharorit atij,
do bëhesha ajo merimanga
që hiqet zvarrë në rrobat e tij,
deri kur një njeri nga ishulli i të marrëve
të merrte megafonin e të thoshte,
dashuria ta bëri lëkurën e zemrës
si të pjeprit, po ti nuk pyete asnjëherë,
gërmove për të gjetur një galeri,
një galeri që e gjete brenda atyre syve
kur pluhuri të mbyti, po nuk u dorëzove.
Kjo qenka vuajtje, the duke qarë,
ta zbulosh dritën e atyre syve
për një mijë net, dhe të njëmijta këto net,
t’i presësh e vetme në errësirë.

Psikopati Amerikan/Spartak Lalaj

in Kinema by

Spartak Lalaj

Ka një ftohtësi kriminale kapitalizmi. Jeta e kthyer në numra ndrydh diçka të madhe te njeriu. Ndoshta ndaj i jam kthyer disa herë filmit “Psikopati Amerikan” pa e ditur mirë përse, i tërhequr nga humori i zi, nga personazhi i errët i Patrik Bejtmanit, që shkakton të qeshura, ndonëse është vrasës serial.
Patrik Bejtmani është këshillues financiar në një nga kompanitë e mëdha të Wall Street-it në vitet 80 ku bumi ekonomik dhe tepria materiale i japin formës jetës, shërbejnë si matës suksesi dhe si themel i identitetit të njeriut.
Patriku i kushton shumë rëndësi vetes, domethënë aparencës, trupit të tij, stërvitjes, kremrave për lëkurën, apartamentit, shijeve muzikore, veshjeve, vendeve ku rezervon, bisedave të zgjedhura, të spërkatura me moralitet dhe mesazhe të forta për shoqërinë. Ai është një perfeksionist në këto detaje. Vetëm se Patrik Bejtmani, siç e shpreh edhe vetë që në fillim të rrëfimit, nuk është gjë tjetër veçse një fiksion; një ide abstrakte që të tjerët kanë për të, pasi ai vetë thotë “thjesht nuk jam aty”.
Gjithçka që ai bën, përfshirë edhe punën, është një mënyrë e sofistikuar për të maskuar veten, për t’u dukur si një anëtar normal i shoqërisë. Brenda vetes, ai nuk ka identitet, është njeri bosh, një njeri totalisht i çmendur, që kohën e lirë e kalon duke vrarë ta pastrehë dhe prostituta.
Bota ku e gjen veten Patriku nuk është më pak e marrë se dhuna e tij. Në disa raste ai ua pranon njerëzve që është një vrasës serial, por fjalët e tij keqdëgjohen dhe interpretohen si profesion më vete dhe pyetjet që merr lidhen me vështirësitë e punës. Në kompaninë ku ai punon, jo të gjithë e dinë se kush është, madje një personazh tjetër, i quajtur Pol Alan, e ngatërron krejtësisht identitetin e tij me atë të një kolegu tjetër që bënte pikërisht të njëjtën punë si Patriku, që vishet njësoj dhe që qethet tek i njëjti berber. Dikush e ngatërron me një koleg tjetër dhe gjithmonë e pyet se si është gruaja me shëndet, ndonëse Patriku është i pamartuar dhe ka një të dashur që ia njeh shoqëria.
Ndryshe nga shumë filma të tjerë, ku antagonisti zakonisht është një njeri tjetër me qëllime të kundërta me personazhin kryesor, tek Patriku mund të thuhet se antagonisti është më abstrakt, herë merr formën e një kartëvizite më të bukur nga kartvizita e tij, herë merr formën e një restoranti prestigjoz me emrin Dorsia ku ai nuk mund të bëjë dot rezervim, e herë merr formën e kolegut të tij më të suksesshëm, Pol Alanit, që duket sikur jeton në një sferë tjetër, që është i mirëlidhur në shoqëri, ka një kartëvizitë origjinale, bën rezervime në restorantin Dorsia dhe dukshëm është një shkallë më lart në Piramidën shoqërore se Patriku. Patriku, i lidhur aq shumë me identitetin e tij të jashtëm, percepton si kërcënim këdo që ka një apartament më të mirë, me pamje më të bukur, një kartëvizitë më të mirë, një kostum më të mirë, që futet lehtësisht në vende prestigjioze ku ai vetë nuk shkel dot. Çdo njeri më i suksesshëm se ai vetë është kërcënim për të sepse është kërcënim për identitetin e tij. Patriku e di që është një psikopat që po përpiqet të jetë pjesë e shoqërisë, e di që identiteti i tij është një konstrukt material, e përbuz të gjithë hipokrizinë e shoqërisë dhe të rrethit të tij shoqëror, e megjithatë i ka ngulur thonjtë në këtë identitet dhe nuk pranon që askush apo asgjë ta kërcënojë imazhin e jashtëm që ai ka ndërtuar.
Patriku vendos ta vrasë Pol Alanin dhe e kryen vrasjen në një mënyrë brutale, me sëpatë. Ndërkohë që i ngul sëpatën në kokë, Patriku bërtet: “Tani bëje rezervimin tek Dorsia, more bastard budalla!” Në historinë e vrasjeve në botën e fiksionit, për shkak të zilisë, vrasja e Pol Alanit është ndër më qesharaket. Ndonëse motivi i zilisë dhe xhelozisë është krejt i zakonshëm në fiksion dhe histori, vrasja është mbuluar zakonisht me justifikime më të larta, është veshur me narrativa të mëdha, shpesh duke përdor dhe fatet e kombeve dhe të njerëzimit mbarë. Ndërsa te ky film vrasja del e zhveshur nga çdo narrativë, brutaliteti i vrasjes dështon të japë një pështjellim moral ndaj aktit, madje shkakton të qeshura, pasi del hapur vogëlsia e kriminelit dhe arsyet e vërteta të krimit. Sa krime të ngjashme ka kryer njeriu!
Historia e filmit merr kthesë pas kësaj vrasjeje. Nis një hetim për të investiguar zhdukjen e Pol Alanit. Ndër të dyshuarit kryesor, si njeriu i fundit që e ka takuar atë, është Patrik Bejtmani.
Ndërkohë Patriku vazhdon me vrasjen e prostitutave në apartamentin e tij. Ndërsa bën seks me to, ai filmon veten dhe merr poza, sikur të ishte para një audience që e admiron burrërinë e tij, trupin me muskuj si në katalogje. Si pjesë e maskës, ai iu flet prostitutave për muzikën si një kritik arti tepër i ndjeshëm. Fjalët e tij për Uitni Hjustonin e prekin audiencën, gati e bindin se ka një anë tjetër të Patrikut, një anë njerëzore, artistike. Mirëpo pas fjalëve për dashurinë ndaj vetes, Patriku i masakron dy prostitutat.
Me detektivin që nuk i ndahet dhe me presionin e brendshëm për të mos jetuar në një hipokrizi identitare, Patriku vendos të rrëfejë se është një psikopat dhe vrasës. Në një çast ekstaze, pasi ka gjuajtur me armë në rrugë, Patriku telefonon avokatin e tij dhe i rrëfehet se ka vrarë shumë njerëz, se madje ka vrarë edhe Pol Alanin, të cilin e njeh dhe avokati. I çliruar nga ky rrëfim ai pret arrestimin e tij. Por për habi asksush nuk e beson që ai është një vrasës serial. As avokati i tij nuk e beson. “More bastard budallla, pse nuk e beson që e kam vrarë Pol Alanin?” – e pyet Bejtmani. “Sepse unë kam ngrënë drekë me Pol Alanin dy herë në Londër para dhjetë ditësh,” – i përgjigjet avokati, që mendon se Bejtmani, të cilin ai e ngatërron me njëfarë Dejvis, po e çon shumë larg shakanë. Askush në shoqërinë përreth nuk e beson se ai është vrasës serial. Secili është i zhytur, ashtu si Bejtmani, në garën e aparencës dhe statusit, si duket, si flet, çfarë do të blejë dhe se ku do të rezervojë e nuk vë re, ose hiqet sikur nuk vë re çfarë ndodh përreth. Fytyrat e tyre nuk tregojnë naivitet, por llogari të ftohta. Përderisa avokati e ngatërron Patrikun me dikë tjetër me emrin Dejvis, është krejt e logjikshme që ai mund të ketë ngatërruar dhe Pol Alanin me dikë tjetër. Patriku gjen një alibi qesharake dhe hiqet nga lista e të dyshuarve kryesorë.
Në këtë narcizëm kolektiv nuk mund të ketë zgjidhje për problemet e njeriut, madje as që mendohet seriozisht për to. Gjithçka, që nga apartamenti, orenditë e shtëpisë, shijet muzikore, restoranti, klubet, femrat, përfshirë këtu dhe dijen apo oratoritë morale, nuk janë veçse objekte për të vendosur superioritetin kundrejt tjetrit, gjithçka bërtet: “Unë jam më i mirë se ti”. Identiteti i njeriut është i lidhur me identitetin e të tjerëve dhe identiteti i të tjerëve është i lidhur me objektet që ata kanë. Qenia nuk ka bosht të pavarur nga tjetri, por përkufizohet në raport me objektet e tjetrit.
Narcizmi, ambicia, instiktet predatore të njeriut deri te vrasja, për sa kohë janë ekonomikisht të përfitueshme, për sa kohë lëvizin mekanizmin kapitalist, për sa kohë janë në marrëdhënie me paranë, janë të justifikueshme dhe morale.
Përgjatë gjithë rrëfimit, ndërkohë që Patriku përshkron ciklin e një vrasësi serial, pengesa e vetme që ai ka për të përmbushur veten si një vrasës serial, janë copëzat e moralit që vijnë nga një botë tjetër, e që përdoren nga të gjithë për të ruajtur aparancat. Kjo hipokrizi që Bejtmani detyrohet të ruajë i shkakton dhimbje. Kur më në fund ai pranon se kush është, pra, më në fund e vë në vend identitetin e tij prej njeriu të çmendur të etur për gjak, ai mëson se nuk ndëshkohet, se nuk ka “Krim dhe Ndëshkrim” për të. Konfuzioni i identiteteve përreth tij, i bën atij të kuptojë që është i sigurt, ai mund të jetojë me këto impulse të errëta, mund të jetojë duke vrarë të pastrehë dhe prostituta, mund të jetojë me një apati totale për veprimet që kryen, pasi bota ku ai jeton nuk është veçse një konfuzion i madh, që në thelb ka apatinë. Askush nuk e njeh më tjetrin. Gjithkush është pjesë e burgut që krijojnë pasqyrat e të tjerëve.
Bejtmani e përfundon rrëfimin e tij makabër duke thënë se ai nuk mësoi asgjë nga këto ngjarje. Pavarësisht se e tejkaloi barrierën morale dhe më në fund e pranoi veten si një njeri krejtëisht jashtë kontrollit, si një vrasës serial, nga kjo ai nuk mësoi asgjë gjë më të thellë për veten, nuk ka asnjë epifani për të. “Ky rrëfim nuk ka asnjë kuptim” – janë fjalët e fundit të filmit.
Filmi dukshëm është një satirë e hidhur për këtë botë aparencash, statusi social, për këtë garë burrash, ku gjithkush e identifikon veten në mënyë materialiste, një garë për të bërë jetë katalogjesh.
Kjo diagnozë e hidhur e një kanceri shoqëror, a thotë diçka të re për natyrën njerëzore? A mund të shërbejë si një mësim për shoqëritë, si një kambanë, si një paralajmërim, si një ilaç? Përgjatë historisë së civilizimit, a e ka shmangur dot njeriu lojën e statusit, aparanceve dhe pushtetit? Përgjigjia është jo, dhe nga ky rrëfim nuk mësohet asgjë e re për njeriun nga perspektiva historike, veç ndoshta në raport me banalitetin. Kurrë pushteti nuk ka qënë kaq banal dhe pa shije sa në kapitalizëm. Të gjitha krimet kapitaliste, për çfarë kryhen, në çfarë përkthehen? Në blerje shtëpish, në orendi apartamentesh, në pushime, në vila, në veshje të shtrenjta, në ritualin e restorantit, në lojën e varfër të prestigjit dhe VIP-ave, pra, në banalitet, tepri dhe zhbërje identitetesh. Nga këto iluzione krijohet një elitë gjakatare, e bindur se është më e mirë se pjesa tjetër, por e pamundur të identifikohet pa varfërinë. Mungesa e objekteve te i varfri u jep kuptim jetëve të tyre. Ata, nga maja e banalitetit thërrasin njerëzit poshtë dhe thonë: “Na admironi o njerëz leckamanë që ne ju përbuzim dhe ju urrejmë kaq shumë, se pa varfërinë tuaj ne kot jetojmë.”
Nga ana tjetër lind pyetja e errët: Pa këto iluzione mjerane dhe banale, a do të kishte njeriu histori? Nëse historia është “autobiografia e një të çmenduri” siç shkruan Herzeni, a është e destinuar të mbetet e tillë? Që nga koha kur ky film u shfaq për herë të parë dhe deri tani, i jemi larguar apo afruar Patrik Bejtmanit?
Bota e rrjeteve sociale ku secili mburret me çfarë ha, çfarë vesh, ku i bën pushimet, çfarë partneri ka zgjedhur, sa jetë të bukur përrallore që ka, pra, një dëshirë e tmerrshme narciste për vëmendje banale, rrëfen se i jemi afruar Patrik Bejtmanit dhe kjo gjë na pëlqen. Patrik Bejtmani do të ishte sot një star i rrjeteve sociale, me miliona ndjekës.
Ndërkohë që Bejtmani mban monologun e tij të errët në fund të filmit, në televizor po flet presidenti Regan. Ky kompozim shërben si urë ndërlidhëse midis psikopatisë së Bejtmanit dhe psikopatisë së Piramidës së Pushtetit, që ashtu si Bejtmani, luan lojën e hipokrizisë në ekran, që ashtu si Bejtmani flet me fjali klishe mbi rrugën e duhur për të zgjidhur problemet e mëdha të njeriut, e që ashtu si Bejtmani, në thelb nuk do t’ia dijë për asnjë problem veç interesave banale vetjake, që ashtu si Bejtmani e ka pranuar veten për atë që është dhe vepron lirisht, pa barriera të brendshme morale.
Personazhi i Bejtmanit na thotë se stili i jetës që sugjerojnë imazhet e botës moderne nuk e përmbush njeriun, se ai është një karrem ekonomik dhe politik, se e lënë njeriun bosh dhe në këtë boshllëk, në këtë dhimbje vakumi, i shkëputur krejtësisht nga vetja, në këtë uri të pashueshme objektesh, i vetmi çlirim është dhuna me të gjitha format e saj, loja e ftohtë e numrave me pjesën tjetër të Piramidës, deri te vrasja.
Fjalët e fundit të Bejtmanit janë profetike. Rrëfimi nuk ka asnjë domethënie, pasi trenin narcist ku ka hipur shoqëria moderne nuk e ndal asnjë leksion morali dhe asnjë vetëdije intelektuali. Askush nuk e di nëse ky tren do të ndalojë dhe se si do të jetë njeriu që do zbresë nga ky udhëtim banal dhe sipërfaqësor. Ajo që dimë është se për momentin psikopati është i lirë të vrasë.

Poezi nga Huang Tingjian

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezi nga Huang Tingjian

 

1045-1105

Ku të ketë shkuar, vallë, kjo pranvera?

Qetësi. Trishtim. Po si ta kërkosh, ku?

Nëse dini gjë ku është fshehur pranvera,

I thoni të kthehet e të rrijë këtu.

S’ka lajm nga pranvera. Mos e patë gjë?

Bengu mund ta dijë ku ta gjejmë pranverën.

Po kush ta përkthejë atë që thotë zogu?

Mbi pemë këndon e fluturon me erën.

 

Përktheu: Alket Çani

Fituesi-Spartak Lalaj

in Letërsi/Tharm by

Spartak Lalaj

Dymbëdhjetë… – u dëgjua zëri i spikerit.
Ndiente një aromë të shpifur kërme. E kishte ndier që në mëngjes kur u zgjua nga gjumi. Aq e kudogjendur ishte era e shpifur, saqë për një çast ai bindi veten se gjithmonë e kishte ndier atë erë, veçse sot i kishte kushtuar vëmendje, kushedi pse. Nuk hëngri as mëngjes nga neveria.
– Pesëdhjetë e tre.
“Me siguri do ketë ngordhur një qen diku afër” – e qetësoi mendimi. Mirëpo edhe kur doli jashtë, edhe kur u largua nga lagjia, ndiente po të njëjtën erë të shpifur kërme.
– Gjashtëmbëdhjetë – u dëgjua zëri omnipotent, por monoton i spikerit.
Për një çast u hutua. Nuk i dëgjoi mirë numrat e fundit.
– Çfarë numrash dolën tani?
– Dymdhjet, pestetre, gjashtëmdhjet, – iu përgjigj tjetri me shpejtësinë e një llogaritari, pa e ngritur kokën nga biletat e tij. – I ke? – pyeti ai befas duke e parë në sy, sikur kjo mundësi ta shqetësonte tej mase.
Duar të nxituara qarkonin numrat nëpër bileta. Bënte një vapë e tmerrshme, nga ajo vapë që të fton në një kotje të mirë dreke. Daku, kështu e thërrisnin të gjithë, pa numrat nëpër bileta, por nuk i kishte as dymbëdhjetën e as gjashtëmbëdhjetën, por kishte trembëdhjetën. “Sa afër”, mendoi dhe ngriti shikimin te goglat që, si ca krijesa të mbyllura në kafaz kërcenin për të dalë jashtë pa e ditur që do ecnin nëpër një rrugë të caktuar dhe do të ktheheshin përsëri në kafaz për lojën e radhës, e kështu pafundësisht. Daku pa dhe njëherë numrin trembëdhjetë në biletë. “Ranë dy dhjetëshe radhazi, nuk bien tre, sipas statistikave që kam…”, dhe i hodhi një shikim të trishtuar numrit trembëdhjetë, sikur po shihte një fëmijë të braktisur që është i destinuar të qëndrojë vetëm. Psherëtiu. Bileta që mbante numrin trembëdhjetë ishte më e plotësuara nga gjithë të tjerat, veçse tek kolona e dhjetësheve kishte vetëm numrin trembëdhjetë dhe sapo kishin dy dalë dy numra nga dhjetëshet.
– Trembëdhjetë, – tha spikeri me zërin e tij të pandryshueshëm dhe monoton.
Daku e qarkoi numrin trembëdhjetë dhe përbrënda ndjeu një çlirim, shpresë, gati gëzim, sikur sapo të kishte marrë një ogur të mirë nga vetë fati. Lëvizi pak në karrige dhe u përqendrua i tëri. Për disa çaste e harroi fare erën e kërmës.
– Edhe sa numra kanë mbetur? – pyeti dikush.
– Edhe katër, – tha një burrë ngjitur dhe njomi gishtin me pështymë duke shfletuar tufën e biletave për të verifikuar në i kishte parë apo jo mirë të gjithë numrat.
– Gjashtëdhjetë e një, – tha spikeri duke i shqiptuar numrat me një theks të përkryer.
Daku qarkoi numrin gjashtëdhjetë e një. Një tjetër shenjë. Një tjetër shpresë. Shqisat iu mprehën sikur të ishte gati që të sulmonte një kafshë në pyll.
– Edhe dy numra i duhen Dakut, – i pëshpëriti dikush shokut ngjitur. Kur situata bëhej kritike për një lojtar, të tjerët pëshpëritnin, sikur të kishin frikë se mos e trembnin fatin e mirë, apo se duke thënë diçka të papërshtatshme, fati, me kapriçot dhe ironitë e tij të pafundme, ndërronte mendje dhe ikte diku tjetër. Jo pak raste kishte plasur grushti pse dikush e kishte devijuar fatin e mirë.
Kishte që nuk e ngrinin kokën fare nga bileta. Thjesht lëviznin buzët dhe mërmëritnin ca numra, diçka llogaritnin me vete, me ca formula të tymta, të shpikura aty për aty. Nuk ishte i qartë përfundimi i atyre llogarive, por një gjë ishte e sigurt, asgjë nuk ndryshonte. Do dilnin njëra pas tjetrës tri gogla dhe gjithçka merrte fund, me apo pa llogari. E megjithatë ata llogaritnin.
– Tridhjetëetre, – tha spikeri me zërin monoton, që i dha më shumë tension situatës.
Daku qarkoi numrin tridhjetëetre në biletë. I kishte mbetur dhe një numër për të qarkuar. Ndjeu se mund të fitonte. Nga kafazi do të dilnin dhe dy gogla të tjera.
– Edhe një numër dhe Daku fiton, – pëshpëriti dikush.
– Prapë? – pyeti tjetri duke i hedhur një shikim admirues Dakut, sikur po thoshte “çfarë lojtari që është”.
– I duhet pesëdhjeta, – tha i pari.
Daku kishte fituar plot tre milionë lekë dy javë më parë. Shuma ishte e konsiderueshme për një bingo të një qyteti të vogël. Fitorja e tij bëri jo pak bujë. Bingoja sa ishte hapur dhe pas fitores së tij njerëzit vërshuan brenda, bastexhinj të regjur dhe rishtarë. Në fillim u përhapën thashethemet se Pjetri, pronari i bingos, një burrë në të pesëdhjetat, i përfolur shumë pasi ishte i vetmi burrë në qytet që lyente kokën për të fshehur thinjat (gjë që fitoi admirimin e fshehtë të grave të qytetit), nuk do ia jepte shumën e fituar Dakut. Mirëpo, jo vetëm që Pjetri ia dha lekët një më një, por e bëri këtë në prani të gazetarit të qytetit, i cili e filmoi këtë çast. Dakut iu bë dhe një intervistë, ku u pyet si ndihej nga fitorja dhe sa rehat e gjente veten në bingon ku ai e fitoi këtë shumë. Bashkë me reklamën e bingos shfaqej dhe intervista në televizionin e qytetit.
– Kam luajtur në shumë vende, – deklaronte ai, – por këtu jam ndier shumë komod, vërtet një bingo e mirë. Provoni fatin, edhe ju mund të fitoni ashtu si dhe unë.
Fytyrën e tij tashmë e njihte i gjithë qyteti. Madje e përshëndetnin në rrugë dhe lëshonin tek ai gjithë tensionin emocional të të shikuarit në përditshmëri dikë që ka dalë në televizor. Daku shpresoi se nga kjo famë e shkurtër, nga dalja e vazhdueshme në televizor me reklamën, gruaja do t’i kthehej në shtëpi. Ishte kundrejt çdo logjike sepse ajo sapo e kishte divorcuar, por diçka brenda vetes i thoshte se ndoshta… se diçka do të ndodhte, se një zhvillim i mirë e priste, se jeta, ja ashtu, do të merrte disi për mbarë.
– Katërmbëdhjetë, – lexoi spikeri më monoton se kurrë.
Dakut i shkuan djersë të ftohta. Vërtet që kishte fituar tre milionë lekë, por shumë njerëz nuk e dinin se ai kishte borxh shtatëmbëdhjetë dhe se nga tre milionshi i javës së shkuar nuk kishte mbetur më asnjë kacidhe. Lau disa borxhe të vogla dhe të tjerat i “investoi” përsëri, me shpresë se fati do ta prekte dhe njëherë, do t’ia vinte në vijë disa gjëra, do lante borxhe të tjera. E pastaj gruaja do t’i kthehej.
Kurrë nuk i kishte kushtuar rëndësi në jetën e përditshme gruas. Ajo thjesht ishte diçka e pandashme me shtëpinë dhe objektet e saj, për të cilën kujdesej me një devotshmëri të madhe. Veçse objektet u zhdukën një nga një, Daku i shiti thuajse të gjitha. Me heqjen e çdo objekti e ndiente gruan çuditërisht larg. Ai habitej nga kjo ftohtësi dhe nga lotët e saj prej budallaqeje. Si nuk vlerësonte mundin e tij, punën e tij të përditshme? Ai ishte një bixhozxhi profesionist.
Mirëpo kur iu largua dhe gruaja, diçka brenda vetes i dhembi, i theri rëndë. Për disa ditë mendoi seriozisht në duhej t’i bënte pritë diku dhe ta vriste, të vendoste nderin në vend. Por kjo nuk zgjati shumë. Ashtu si me çdo nismë tjetër, energjitë i thaheshin vetvetiu tek bingoja e qytetit. Iu krijua bindja e habitshme se do të fitonte shumë pará tani në bixhoz. Deri tani kishte humbur, tani kishte ardhur koha e revanshit, të dilte të paktën “jek e jek”. Gruaja do t’i kthehej me siguri.
– Gjashtëdhjetë e nëntë, – lexoi spikeri me zërin monoton – Bingo. Bileta me numër…
U dëgjuan të shara të tmerrshme, shfrime, përplasje karrigesh, tavolinash. Nga ajo heshtje, për shkak të tendosjes së çeliktë të nervave, gjithçka u shndërrua në një minianarki. Lëvizje, biseda, shikime biletash, tundje duarsh, ngritje gishti lart, ndërkohë që këmbët i çonin te sporteli për të blerë biletat e radhës.
Daku thjesht buzëqeshi hidhur dhe lëvizi me vështirësi, sikur graviteti të ishte shumëfishuar papritur. Njerëzit i rrahën shpatullat në shenjë solidarizimi. Disa madje dhe e përgëzonin për “lojën e fortë”. “Nuk ishte e thënë”, – përsëritej fatalisht në kor. Daku nuk dëgjonte gjë tjetër veçse erën e kërmës. “Sa qen kanë ngodhur në këtë qytet?” – pyeti veten gjithë neveri. Kishte dëgjuar se Bashkia vriste qentë natën dhe ishte i bindur se i kishin lënë të vrarë nëpër kosha plehrash, ndaj dhe qyteti kundërmonte si kërmë i tëri.
Vendosi të kthehej në shtëpi, nuk kishte më me çfarë të luante. Jashtë bënte një vapë sfilitëse. Rrugët ishin thuajse të boshatisura. Një ngadalësi ndrydhëse, si prej ëndrre, bllokonte gjymtyrët e të gjithëve. Koha vetë dukej sikur lëngonte dhe mezi ecte përpara. Rrugëve shihje qen të shtrirë, të këputur në gjumë. Disa prej tyre kishin një kapëse të verdhë në vesh. Dyqanxhinjtë qëndronin të skuqur në dyert e dyqaneve, duke u freskuar me ndonjë gazetë. Diku dëgjohej zëri i një spikeri në televizor, i cili po jepte lajmet e ditës, që Dakut i vinin të paqarta. Kuptohej vetëm se flitej për planet e qeverisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit dymijë. Kudo nëpër lajme dhe gazeta përsëritej fakti se njeriu kishte hyrë në mijëvjeçarin e ri.
“Gjashtë, dymijë, dymijë e gjashtë, gjatëdhjetë e dy mijë”, – llogariti Daku me vete mekanikisht. Zakon i vjetër ky për t’i kushtuar vëmëndje numrave që dëgjonte rastësisht në rrugë. Mistershëm i mendonte se ishin numra me fat. Shpesh bënte lojra të vogla me veten. Nëse kjo makina e shkel hijen e pemës, atëherë sot do më ecë ters, përndryshe do më ecë mbarë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kthehej në një bast për të, si një çast i vogël për t’u përballur me fatin dhe për t’i mësuar natyrën e tij kapriçoze.
E gjeti veten përballë skedinave. Zakoni e dërgoi brenda, sa për një përshëndetje, ndonëse nuk ishte xhepbosh. Përgjithësisht bastexhinjtë e skedinave e përbuznin lojën e bingos, pasi hiqnin elementin njerëzor, elementin e inteligjencës. Në parashikimin e ndeshjeve kishte llogari, kishte mendim mbrapa. Në lojën e bingos ishe në mëshirë të Pjetrit.
Brenda gjeti të përhershmit, që praktikisht jetonin në skedina nga mëngjesi deri në darkë. Rrinin të gjithë mendueshëm mbi gazeta. Disa prej tyre madje vinin gjyslyke dhe ishin aq të përqendruar duke mërmëritur numra, saqë po të mos e dije se çfarë po lexonin, fare lehtë mund t’i merrje për ca profesorë të nderuar matematike.
E përshëndetën Dakun dhe e ftuan që të ulej me ta, pa ia ndarë sytë telekstit në televizor. Njëri prej tyre kishte buzëqeshjen e trishtë të njeriut që sapo ka pësuar një nga ironitë e fatit.
– Më la Fenerbaçja për tetëqind, – tha ai me pamjen e njeriut që pret ngushëllim për vdekjen e një familjari.
– Eh, – u dëgjua një psherëtimë indiferente.
– Sa doli? – pyeti Daku.
– Humbi, një me dy. Golin e parë e bëri Fenerbaçja dhe e humbi në pesëmbëdhjetë minutshin e fundit.
– Ta kam thënë unë, por smë dëgjove, Fenerbaçja nuk parashikohet, është ekip i qelbur. Po ulu Daku, pse nuk ulesh?
– Jo, do lëviz, – tha Daku. – Nuk jam mirë. Jam si me dhimbje koke. Pastaj dhe qyteti seç mbaka një erë sot.
Nuk mori përgjigje menjëherë. Sytë ishin te teleteksti. Daku pa në një cep të dhomës dy djem të rinj që po shihnin gara me qen dhe po qeshnin me njëri-tjetrin gjithë çiltërsi. Sa e natyrshme ngjante e gjitha, sa e thjeshtë, gati e ngjashme me jetën. Kjo e habiti Dakun më shumë nga të gjitha, se ngjante me jetën, gjithçka ngjante si jetë, si e pashmangshme, sikur nuk mund të ishte ndryshe, madje as era e kërmës.
– Erë the? – ngriti supet një nga të përhershmit. – Shih mos të ka vrarë Bashkia ndonjë qen andej nga lagjia mbrëmë.
– Çfarë kafshësh, – komentoi një tjetër i përhershëm.
– Mirë ua bëjnë. A e di çfarë të kafshuare më ka bërë një zagar një natë?
– Ç’deshe natën jashtë ti?
– Ç’desha thotë? Po takoja dashnoren.
Të përhershmit ia dhanë një të qeshure të madhe, nga ato me lot. Edhe Daku e vuri buzën në gaz dhe ashtu, duke i përshëndetur, u largua për në shtëpi.
U shtri menjëherë për të fjetur. Televizorin e kishte harruar ndezur që nga një natë më parë. Po transmetohej një film me karate.
Ndërsa po zhytej dalëngadalë në gjumë, dëgjoi gurgullimën e vogël të një rrëkeje uji, më pas iu shfaq vetë rrëkeja, që rridhte e qetë për diku, duke reflektuar arin e diellit në fytyrën e tij prej fëmije. Ishte ai vetë, fare i vogël, duke parë rrëkenë nga afër dhe sasinë e ujit që ikte e ikte pa ndalim.
Kur u zgjua nga gjumi ishte përsëri drekë. Daku u ngrit i djersitur, gjithë nerva, i gatshëm të ankohej ndaj vetë rrjedhës së kohës. Era e kërmës tashmë ishte bërë e padurueshme. Doli jashtë, i vendosur ta gjente burimin e asaj ere. I tmerruar pa dikë të varur në shtyllë, që lëkundej si lavjerrës sa majtas-djathtas. Iu afrua ngadalë duke vënë dorën në sy. Nuk gabohej, ishte vërtet një njeri i varur në shtyllë, që lëkundej si në një kolovarëse. Pa rrotull për të kërkuar ndihmë. Me tmerr vuri re një tjetër të varur në një shtyllë tjetër, pastaj një tjetër. Të gjitha shtyllat e bulevardit ishin me të varur. Vrapoi në bulevard pa e ditur as vetë përse. Hapat nuk i bënin zhurmë, sikur të ishte hije. Ndali dhe thirri me të madhe, por nuk kishte më zë.
Nga pas dëgjoi hapa. Ishte një plak i veshur me të bardha që ecte gjithë energji me një shkop në dorë. Plaku ngriti gishtin nga qielli dhe tha:
– Era e kërmës është era e trupit tënd, është e njëjta erë që e bën qenin të kuisë në shtëpitë e njerëzve që do të vdesin.
Daku desh të thoshte diçka, por nuk mundi. Ndjeu një shtrëngim të fortë në fyt. Një litar po e tërhiqte për lart në shtyllë. Luftoi me të gjithë forcën e tij për ta shkëputur, por ishte e pamundur. Një lloj filmi me metrazh të shkurtër u luajt përpara tij. Ishte i përbërë nga imazhe të shkëputura, të mbushura me ndjesi, një fushë me bar dhe aroma dehëse e vesës, minifundi i një vajze në pranverë, një lëndinë me luledele, tymi i duhanit, përzier me ngjyrat e teletekstit. Në fund rrëkeja e ujit, që rridhte aq qetë, aq tejdukshëm dhe sytë e tij prej fëmije që habiteshin me këtë udhëtim të ujit.

Kur zjarrfiksi e shembi derën, ai, bashkë me fqinjët e gjetën Dakun në kuzhinë, të varur. Një burrë që kishte prirje filozofike, tha më pas, kur u fut në dhomëpritje dhe gjeti Dakun të vetëvarur, pikërisht në atë çast po jepej intervista e tij në televizor për fitoren e tre milionë lekëve. Të pranishmit e tjerë nuk e kishin fiksuar atë çast, madje njëri ishte i bindur se televizori kishte qënë i fikur, por historia ngjiti në imagjinatën e njerëzve dhe u tregua mes bastexhinjve si një ngjarje me kuptim të thellë; mbi natyrën dhe ironinë e fatit, për vite me radhë.

1 38 39 40 41 42 190
Go to Top