Si këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare/Ernest Marku

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje, shkrimtarëve dhe joshkrimtarëve, mbi mënyrën sesi këndvështrohen personazhet femërorë në letërsinë botërore dhe në atë shqiptare.
Përgjigjia e parë erdhi prej Ernest Markut.

Arlinda Guma: Mendoni se në letërsinë botërore, përfshi edhe në atë shqiptare, personazhet femërorë duke u këndvështruar së shumti nga shkrimtarët burra, kanë një boshllëk të vazhdueshëm? Të cilin mund ta plotësonin këndvështrime të reja, më çliruese, të grave shkrimtare? (Edhe pse ndonjëherë më duket sikur edhe vetë disa shkrimtare gra i kanë këndvështruar këto personazhe sipas modeleve të vështrimeve burrërore të kolegëve të tyre.) Si e shihni ju këtë?

Ernest Marku: Letërsia botnore asht e gjanë dhe e larmishme ndaj më lejoni me ia nisë prej letërsisë shqipe. Në nji ese timen, ku flisja për zhvillimin historik të letërsisë shqipe; tuj përshkru letërsinë e realizmit socialist dhe raportin e saj me letërsinë pararendëse, letërsinë e sirtareve, letërsinë e viktimave të diktaturës, si dhe letërsinë e burgjeve; vuna re se kisha përmendë 102 autorë, nga të cilët vetëm tri ishin autore-gra. Qëllimi i asaj eseje ishte raporti i letërsisë me lirinë dhe padashje, kisha nxjerrë në pah nji plagë tjetër të shoqnisë shqiptare dhe të historisë saj të letërsisë. Musine Kokalari, që kisha permendë në atë ese, asht ndoshta shkrimtarja e parë shqiptare, nëse nuk do ta quejmë të tillë Elena Gjikën, alias Dora D’istria. Në letërsinë e saj, për aq sa i ka shpëtu kohës dhe që ne kemi pasë fatin m’e lexu; në qendër të kësaj letërsie, asht njeriu, raporti i tij me lirinë, por edhe nostalgjia për traditën, vlerësimi për të bukurën apo veneracioni për dijen e kulturën dhe; ka fare pak vend për femrën si qenie sociale, si botë emocionale, apo si kategori mendimi. Nga ana tjetër, romanet e Diana Çulit, të botuara në vite ’80, na shpalosin shumë ma tepër nga bota femërore; por edhe në to ndihen ca tabu të pakapëcyeshme, qoftë prej autocensurës apo censurës së diktaturës, qoftë prej formimit shoqëror dhe faktit se ishte e bija e nji ushtaraku. Edhe te romani “engjëj të armatosur”, botuar në vitin 2005, vihen re tendencat për mos me zhbirilu thellë në labirinthet e shpirtit femëror; Dorothea, por edhe Rozalija, janë gjithnji e kujdesuna për atë që mendon bota maskiliste, shpirti i tyre vuen për me provu pafajsinë; ndëkohë që pafajsia ka lindë bashkë me to. Shkrimtarja e tretë që përmendja në atë ese, Vera Bekteshi, e ka të ngërthyer letërsinë e saj me intrigat e Bllokut, tragjiken e burgut dhe të internimit andaj, femërorja aty asht gjithnji në luftë me të papritunat e jetës, krah për krah me të dashurin e zemrës ose jo. Edhe kjo vjen nga nji familje ushtaraku. Përsa i përket ndikimit në letërsinë e këtyre të dyjave, nuk e ndaj dot kush ndikonte na shumë, shoqëria tradicionale si jo fort e hapur ndaj botës së grave, apo ndikimi nga letërsia e burrave dhe simos nga ajo e Ismail Kadaresë.
Në vitet ‘90, pas ramies së diktaturës, letërsia femërore përjetoi nji hop cilësor, sidomos në poezi, ku Mimoza Ahmeti shkëlqeu me provokimet e saj. Edhe Rita Petro pak më vonë, por mbi të gjitha Luljeta Lleshanaku. Në poezinë e saj ka ndjenjë, ka mendim; ka joshje pa pasë nevojë që të ketë provokim. Sa për të përmendur disa emra të rij shpresëdhanës, do të kujtoja Enkeleda Ristanin, Manjola Brahajn, Rozafa Shpuzën, Liza Brozin etj.; gjithnji brenda kuadrit të feminitetit dhe origjinalitetit të trajtimit të tij. Nuk mund të them të njajten gja edhe për prozën. Nëse sot mund të kem lexuar poezi të pafundme nga qindra poete, në libra të botuar apo në rrjete sociale; përsa i përket prozës, njohja ime nuk i kalon gishtat e dorës dhe nuk ka shumë prozatore që të më kenë lanë gjurmë të thella. Elvira Dones qe e para, ndonëse ajo përpiqet ta fshehë femilitetin, ajo asht në garë me letërsinë e burrave. Të njajtën gja mund të them edhe për Ani Vilms. Librat e Brunilda Zllamit, as të ngrohin as të ftohin, ndonëse pretendojnë për me kenë romantikë. Ndoshta prozën e parë thellësisht femërore, e ndeshim te Flutura Akçka. Në letërsinë e saj gjejmë mendim, trishtim apo shpresa femërore të natyrshme; besoj të pandikuara nga letërsia e kolegëve burra, ndonëse fryma kadarejane nuk asht plotësisht e margjinalizume. Të njajtën gja mund të themi edhe Ornela Vorpsin, Lea Ypin e ndonji tjetër. Laura Olldashi ka nji prozë poetike tejet origjinale e të ndjerë; shpirti femnor, gati-gati këlthet në librat e saj. Edhe te “Bob Legjenda”, romani ma i njohun i jueji; ma shumë se sa feminiteti, ndihet feminizmi; ndonëse në rastin tuej, arma e zgjedhun asht sarkazma therëse e grave mendjehapuna. Albina Idrizi, nji shkrimtare nga Gjilani, kur përshkruen skenat e nxehta të mishit, nuk më duket edhe aq femërore. Padyshim që romani i saj “Për një mëngjes ndryshe”, asht nji letërsi e mirfilltë femërore; por, nuk e di pse, kur përshkruhen hiret e femrës së përndezun nga dashnia, më duket sikur asht nji sy mashkulli ai që po sheh dhe po përshkruan; ndonëse nuk mungojnë edhe elementët që përshfaqin emocionet femërore, si ndjesia lëshimit të flokëve gjithandej bustit të pambuluar, siç shprehet ajo: “duke më gudulisur timthat e gjinjve”. Tradita e shkrimit nuk asht e lehtë që të anashkalohet dhe, kur kjo traditë asht thellësisht burrnore, mund të pritet edhe nji dukuri si kjo.
Në fakt, letërsia shqipe, personazhin femnor, e ka pasë qysh në fillimet e saj, të përfaqësuem denjësisht prej Dijes, heroinës së Haki Stërmillit te “Sikur të isha djalë”. Dija dashuron, vuen, shpreson, andrron, provon, dështon; bota e saj jepet e plotë, ndonëse bie në sy fakti se fabula asht e ndërtueme mbi bazën e informacioneve policeske. Nga ana tjetër, shoqnia shqiptare e ka tejkalu tashma, femrën e ndryme brenda mureve t’shpisë, apo ato të avllisë. Trajtimi që bahet grues prej Kanunit të Lekë Dukagjinit, duket i kujdesshëm, vlerësues dhe garantues por… Ktu ka nji “por” të madh. Por… askush nuk e pyet femrën se çfarë mendon ajo, madje as për gjanat që kanë të bajnë me jetën e saj. Askush nuk pyet se si e do ajo kujdesin, çfarë vlerëson ajo dhe mbi të gjitha, çfarë dëshiron ajo. Në fakt, ky defekt nuk buron prej kanunit, por prej nji kulture të ashpër e thellësisht maskiliste; kurse kanuni, duke pasë si institucione e mekanizma për vendosjen e autoritetit të tij, vetëm ato që buronin prej nji pleqnie burrash; nuk mund të bante ma shumë. Nëse më duhet të gjej ndonjë autor apo vepër letrare, që ta ketë shkruar nji burrë, dhe që ta ketë femrën në qendër të saj, me të gjitha nuancat e veçoritë që burojnë prej të qenit e tillë; e para vepër që më shkon në mendje, asht “Djella” e Martin Camajt. Kjo për mue asht nji vepër kult për femrën. Asht nji fanar që na ndriçon rrugën, drejt nji të ardhmeje të adhurueshme; pikërisht, nëpërmjet rinjohjes së femrës. “Nata e Sofije Kondilit” e Koço Kostës, asht nji roman që i jep mjaft hapsinë botës së femrës, mendimeve e përjetimeve të saj, ndoshta ma mirë e ma thellë, edhe se vetë autoret e kësaj gjinie. Petro Marko, Jakov Xoxa, Nasi Lera apo edhe Dritëro Agolli te “Trëndafili në gotë”, janë përpjekë me ua dhanë edhe dimensionin femëror veprave të tyne.
Duke dalë te letërsia botnore, shkrimtarinë femërore e ndeshim herët. Duke mos përmendë Safon e Antikitetit, Jane Austen asht nji za jo i parandsishëm i letrave artistike. Tek “Ema” e saj, ma shumë se botën femrore të vrejtun në thellësi, kemi gra që bisedojnë, intrigojnë apo aludojnë me njana-tjetrën, me nji kujdes etik e shpesh edhe hipokrit; ku elementin femëror, ma shumë duhet ta marrësh me mend, se sa të shfaqet në faqet e romanit. Te Charlotte Brontë dhe te “Xhejn Er” i saj, mundesh m’e e gjetë shtegun për m’u zhytë ma thellë, në libirintet e shpirtit femëror. Përl Bak, Doris Lesing apo Tony Morrison, nuk dijnë ta ndajnë në veprat e tyne femëroren nga njerzorja, ndaj ato lëzin në ujëra gati unisex. Të njajtën gja mund të themi edhe për Sylvia Plath-in, por “Këmbana e qelqtë” e saj, rrezikon me t’u thy në duer, jo vetëm në ujnat e uniseksit, por edhe të mungesës tërësore të tij. Te Agatha Kristi nuk kam pse ndaloj fare në kët ese, kurse te Izabell Allende ka diçka që të tërhjek, ndonëse ajo nuk ka se çka me i ba vanitetit të veprave të saj. Svetlana Aleksieviç, Irene Nemirovsky, Anna Kim e ndonji tjetër, zhyten në problemet e botës, duke harruar pothuajse fare të na tregojnë se kush janë. Elfriede Jelinek, tek “Epshi” i saj, arrin m’e përshi elementin femëror tek problemi botëror, herë me brutalitet e herë me romancë. Tek Alice Munro dhe, ma shumë te Annie Ernaux, kemi një tentativë për me na përshfaqë elementë të spikatun të femërores dhe sidomos, ato e marrin guximin nga largësia e kohës, nëpërmjet kujtimeve të hershme. Virginia Woolf asht luftëtare dhe ka forcë mendimi, kurse Marguerite Duras ia mrrin me kenë mjaft e kandshme në rrëfimet e saj; por ajo që e shpalos ma kjartë botën femërore, me të gjitha ngjyrat e saj të paturpshme, asht Elena Ferrante te “Mikesha Gjeniale”. Ndoshta atë e ka ndihmuar botimi i atij libri me pseudonim, por kryesorja asht se mua më la nji shije të hidhun ai lexim. Jo gjithmonë e vërteta asht e bukur, pse edhe joshja ka nevojë për magjiken e magjikja për misterin. Në kët kontekst, Ferrante asht shkatërrimtare. Margaret Atwood, asht ndoshta shkrimtarja ma e denjë për t’u rreshtu me klasikët botnorë, por te “Kujtimet e shërbëtores” ajo krijon nji realitet imagjinar, në të cilin keqkupton botën mashkullore. Nëse do të zgjidhja nji shkrimtare femër, ma të ndikuarën nga letërsia e burrave, mendja më shkon te Ludmilla Ulickaja.
Letërsia Botnore, klasikët e saj ma të mëdhej, nuk do të ishin të tillë nëse nuk do ta kishin trajtuar denjësisht dhe thellësisht femëroren në veprat e tyne. Nuk po tentoj me fillu para Sheakspeare-it, edhe për faktin se “Sonete”-t e tij të mrekullueshme, përveç risive letrare që sjell ai botim, të japin nji mirakandje shpirtnore dhe të përmbushin me ndjenjën e së bukurës dhe atë të dashnisë. Balzaku asht mjeshtër i rrëfimit, Dikensi asht diçka ma i ngrohtë, Zola di ta zbutë ashpërsinë jetës me elementin femnor; Goethe e shpreh ma bukur se askush ndikimin e gruas te nji djalosh; por zbërthimin e shpirtit të gruas, deri në detajet ma të imta, do ta gjejmë fillimisht te Marcel Prust. “Kur dashuronte Suani”, asht nji titull që të mashtron, pasi Suani pëshkruhet me nji ftohtësi vrastare, kurse partneret e tij jepen me të gjitha penelatat e natyrës së tyre të brishtë. Hesse, Kafka, Buxati e ndonjë tjetër, janë më të thellë në njohjen dhe psikoanalizën e tyne, kurse Kamy e Sarter janë ma të ftohtë, çuditërisht, në ekzistencialimin e tyne mesdhetar. Unë mendoj që në letërsinë e burrave, asht e vështirë që gjesh nji vepër ma femnore se “Vajza e Postës” e autorit të “Një njëzetekatër orë nga jeta e një gruaje” dhe “Amoku”, Stefan Zweig. Remarku ma pak, e diçka ma shumë Hemingueji e Fizgeraldi, e bajnë femrën bashkudhëtare në dekadencën e tyre letrare. Joyce, Dostojevski, Beketi e ndonjë tjetër si ata, veprat e të cilëve zhvillohen në kafkë e jo në zgrof të gjoksit, janë të prirun drejt uniseksit dhe mungesës së tij. Markezi me “Dashuri në kohë të kolerës”, asht ndoshta përfaqësuesi ma tipik i dy kontinenteve amerikanë, që grish drejt këtyne temave, së bashku me Austuriasin, Fuentesin, Drajzerin, Folkner-in, Roth-n, Rulfion, Llosan, Bolanon, Coelhon, Fantenë e Bukovskin kontravers. Tolstoi me “Sonata e Krojcerit” dhe “Ana Karenina” na lanë dy kryevepra nërpërmjet të cilave hyjmë me guxim në botën e grave. Gorki, Çehovi, Shollohovi, Nabokovi, Pasternaku e Gogoli, ia kanë dalë që të lanë gjurmë në kët drejtim; por unë du m’e mbyllë kët analizë me Turgenievin, jo si autor i “Eter dhe bij”, por si gjeniun te “Ujrat pranverore”; pasi më tërheq romantikja në raport me femrën. Pikërisht për kët arsye, më pëlqen edhe Kuprin te “Byzylyku bojëshege”, shumë ma tepër se te “Gropa”. Për ta mbyllë, shkrimtarët ma me ndikim në letërsinë e femrave, me shumë gjasa, duhet të jenë Prusti, Zweigu dhe Tolstoi.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top