Author

Admin - page 29

Admin has 1916 articles published.

Me poeten Mariklena Niço për poezinë “Pupëza e pranverës”

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi poetes Mariklena Niço të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të do të ndërtohej një analizë në formën e një bisede.
Ajo zgjodhi dy prej tyre: poezinë “Pupëza e pranverës” shkruar nga Hamit Aliaj dhe tregimin “Sikur qentë të mund të deheshin, zonjë!” shkruar nga Arlinda Guma.
Por si fillim analizuam poezinë “Pupëza e pranverës”, tregimi do të mbetet për një kohë tjetër të mëvonshme.
Poetja Mariklena Niço madje edhe e lexoi poezinë, të cilën ju mund ta dëgjoni këtu:

           Mariklena Niço 

Arlinda Guma: Pse zgjodhët pikërisht këtë poezi? Çfarë ju ngacmoi tek ajo?

Mariklena Niço: Mbase poezia më zgjodhi, mund të kem qenë unë në kërkim të heshtur të kumteve të saj, me atë gjysmëfjalën që i mungon botës më ka zgjedhur, për këtë jam e qartë.
Kjo poezi ndihet e lehtë si një pendë pupëze, lirike si malli për një këngë dashurie të munguar, këngë që vjen, jeton edhe tani që e lexojmë, tani që ne flasim për të, sado e panjohur, e pakënduar gjer në fund. Sa më e pazë përshkruhet aq më e gjallë ndihet.

Arlinda Guma: E kishit dëgjuar më parë emrin e poetit? (Unë jo, derisa publikova këtë poezi.)

Mariklena Niço: Jo, nuk e kisha dëgjuar por jam mësuar të lexoj poezinë, jo gjithmonë të përzgjedh prej emrit të autorit. Ndodh që emri i autorit mund të bëhet pengesë për të lexuar veprën ose pasaportë e mbivlerësuar ndër të tjera të panjohura por, gjithsesi, çështja e emrit është jashtëletrare. Poezia e mirë mundet të jetojë më vete, emri i autorit e ndjek nga pas, nuk i paraprin.

Arlinda Guma: Sa shumë poezi janë shkruar në historinë e letërsisë për fjalët e mbetura të pathëna! Madje duket sikur njeriu e krijoi letërsinë pikërisht për këtë. A do të kishim vallë poezi nëse do të arrinim t’i thoshim të gjitha?

Mariklena Niço: Më vjen të them: Poezia – gjysmëfjala që i mungon botës. Kumte të lashta, gjuhë të harruara, atë që pak (ose aspak) ndryshon në rrjedhë të kohës, kërkon poezia, përndryshe, si do t’i fliste shpirtit po të ish më lëndore, po të na i thoshte të gjitha.
Edhe në këtë poezi, nuk i dihet ç’flet më shumë, ajo që tashmë ka ndodhur apo pjesa e panjohur, ajo që s’thuhet dot, pjesa e pambaruar, e pajetuar gjer në thellësi të saj.
Flet prania apo mungesa, nuk dihet.

Çfarë kumtesh të lashta i kishin mbetur përgjysmë njeriut
që ia la amanet pupëzës shtegëtare
e ajo ende s’i thotë dot

E pathëna dhe e pandodhura përsëritet pup – pup, si pupëza e pranverës dhe ëndja, dëshirimi, kërkesa e brendshme a lutja që të përfundohet, të zhvillohet, të jetohet gjer në fund e pastaj të thuhet, është e madhe, siç është fryma ringjallëse e pranverës.

Arlimda Guma: Poeti vizaton një peizazh idilik dhe melankolik me këtë poezi. Nëpërmjet simbolikës ai sjell në tablo një vajzë-pupëz, të cilës, edhe asaj i ka mbetur diçka e pathënë. Dhe pastaj kemi një përshkallëzim tjetër filizofik, po botës çfarë i ka mbetur pa thënë?

Mariklena Niço:

I njomë isha, si shelg që bëhej
pipëz fëmijësh në prill
Kur një vajze iu mor goja para
meje:
Pup – pup – pup

Pipëz – pupëz është pranëvënie që më sjell praninë mashkullore përballë asaj femërore.

Me një pipëz shelgu në duar
Mot për mot pres ta dëgjoj
nëpër prille

(Kjo pipëz shelgu është djali i dikurshëm, ai që tani ndihet murg i mugët.)

Pupëza e pyjeve është vajza e dikurshme, ajo që iu mor goja, i vetmi zog pa këngë.

Shtresa tjetër kuptimore që më çon në kohë më të hershme se kujtesa e zërit poetik që rrëfehet, është ajo e një kujtese të lashtë njerëzore ose harrese (përderisa poeti dëshmon se diçka i ka mbetur botës pa thënë), ajo që poezia punon si një zemberek i përsosur për ta sjellë në të sotmen, që njerëzit të mos harrojnë, të mos zhvishen nga natyra, të mos i largohen asaj që nuk ndryshon kurrë, po përtërihet e gjallon sa herë thellohemi në thelbin e qenies, në lidhjet me të fshehtën dhe të panjohurën edhe me ato ndodhi që na janë shfaqur dikur në jetë dhe vazhdojnë të jetojnë në ne pikërisht sepse kanë mbetur të pambaruara, të pathëna, si zëri i vajzës së dikurshme që na e sjell sot zëri i pupëzës.

Arlinda Guma: Poeti duket një njohës i mirë i natyrës. Dhe kjo më kujton një thënie të Dritëro Agollit se njeriu i letrave duhet të ketë kulturë të gjerë në shumë fusha. Si e mendoni ju këtë?

Mariklena Niço: Më duket se pikërisht poezia është ajo që e bën poetin të kërkojë dhe të njohë atë që i duhet në fusha të ndryshme. Ajo është mjeti i zbulimit, qëllimi i zbulimit dhe zbulesa vetë.
Kultura e gjerë nuk e sjell si rrjedhojë të saj poezinë, sado që është e domosdoshme.
Njohuritë e thella në rastin e artistit më duket sikur bëhen përmes lidhjeve të fshehta të nënvetëdijes me përjetimin real në kohë dhe hapësirë, kur artisti është në periudhën krijuese.
Në kohë të tjera, kur nuk krijon por hesht, më duket se poeti i ngjan më shumë një mbledhësi ose një udhëtari të vëmendshëm, me shqisa të mprehta.

Arlinda Guma: Në një korrespondencë të poetes Wislawa Szymborska me lexuesit për njē revistë letrare, midis të tjerash ajo i përgjigjej një lexuesi kështu: “Si redaksi kemi rënë dakord që të mos t’i marrim në konsideratë poezitë për pranverën.” Por ja ku kemi një poezi “me pranverë” ku nuk ka aspak patetizëm, do të thosha unë. Po ju çfarë do të thoshit?

Mariklena Niço: Mbase na mungon konteksti i saktë për ta kuptuar këtë vendim. Mbase e ka patur fjalën për poezitë himnizuese që i kushtohen ardhjes së pranverës, e mbaj mend shkrimin, thotë që tema e pranverës nuk ekziston më, pranvera vazhdon të lulëzojë në jetë por ato janë dy çështje të ndara.
Mendoj që temat s’i takojnë poetit po studiuesit, por edhe që poezinë e mirë nuk e bën tema, për gjithçka mund të shkruhet, edhe për asgjënë.
Ndodh shpesh dhe rëndom të lexohet si patetizëm diçka që s’është e tillë dhe të vlerësohet si shkrim i mirë një patetizëm i mirëfilltë.
Kjo poezi është e thellë, të flet edhe pasi ke mbaruar leximin, nuk ka asgjë patetike në të.

Arlinda Guna: Shpesh poetët dhe shkrimtarët që vërtet vlejnë në Shqipëri nuk promovohen nga establishmenti letrar. Dhe jo vetëm kaq, ata as nuk përmenden fare, sikur të mos ekzistonin. E mendoni edhe ju kështu?

Mariklena Niço: Është folur dhe flitet shumë për këtë, nuk dua të bëj përsëritje por jam e sigurt që shkrimet i gjejnë vetë lexuesit e tyre dhe krijimi është vetë shpërblimi për çdo krijues të vërtetë. Numri i lexuesve nuk matet me numrin e duartrokitësve, por edhe duartrokitja më e merituar nuk është arsye thelbësore për të cilën një krijues bën art, të çfarëdolloj forme.
Dhe kënga që shpërthen vetiu
shpërblim është ajo vetë. (Gëte, i përkthyer nga L. Poradeci)
Punishtja ime është zemra ime, kështu ka shkruar Poradeci.
Mbase duhet një kohë më e gjatë që të kurohen verbëria dhe shurdhëria ndaj krijimeve të mira (ndërsa zilia e smira nuk shërohen kurrë) në sistemet vlerësuese që veprojnë sot, emri i autorit udhëheq veprën dhe jo anasjelltas.
Përsëri mendoj se për letërsinë e mirë edhe mungesa e vlerësimit, edhe vlerësimi i tepruar janë gjëra të përkohshme, sado që kjo përkohësi mund të zgjatë edhe sa një jetë njeriu.

Arlinda Guma: Si ju duket kjo rubrikë e re në defekt-teknik? Mendoni se do të ndihmonte sadopak sot në këto kohëra të tmerrshme ku njerëzit lexojnë vetëm titujt apo rreshtat e parë të një shkrimi?

Mariklena Niço: Duket sikur pamja (dukja, forma) ka marrë më shumë pushtet se fjala, (brendia, përmbajtja). Teknologjia sikur e ka copëtuar leximin në pjesë të shkurtra duke e pakësuar ashtu si edhe ju e përshkruani: në rreshtat e parë të një shkrimi, por ende ka njerëz që u qëndrojnë rrjedhave. Është detyrë e njeriut vetedukimi, nuk mund të ankohemi gjithmonë se shoqëria po jep shëmbëlltyra penguese asthu si edhe jo të gjitha pengesat mund të kalohen nga të gjithë, disa kërkojnë një forcë vullneti të pangjashme.
Dallimi mes atyre që e ndërtojnë veten e tyre në jetë, pa imitime e shëmbëlltyra por përmes shkatërrimit të vazhdueshëm të formave të gatshme, të mësuara, është, le të themi; si të nisesh në një udhëtim me aparat fotografik varur në qafë apo të nisesh vetëm me sy, si të kthehesh me një mijë fotografi në kujtesë të aparatit dhe me asnjë në kujtesën tënde ose të kthehesh duarbosh por i ndryshuar së brendshmi.
Bashkëbisedimet, përzgjedhjet e shkrimeve, shqipërimet e mira padyshim ndihmojnë, duhet të jenë dhe uroj të shtohen në të ardhmen.

Arlinda Guma: Ju falënderoj që u bëtë pjesë e saj!

Mariklena Niço: Ju falënderoj shumë edhe unë!

Poezia:

Pupëza e pranverës-Hamit Aliaj


Pup-pup-pup, pupëza e pranverës
I vetmi zog pa këngë
Veç me gjysmë fjalë belbane.

Çfarë kumtesh të lashta i kishin mbetur përgjysëm njeriut
Që ia la amanet pupëzës shtegtare
E ajo ende s’i thotë dot?

I njomë isha, si shelg që bëhej pipëz fëmijësh në prill
Kur një vajze iu mor goja para meje:
Pup-pup-pup

Buzë të bukura që këndonin këngë që s’të lënë me vdekë
Buzë që recitonin poetët e dashurisë,
M’u dhanë dridhshëm në vitet e harrimit
Por pupëza mungonte në to.

Po errem edhe unë si murg i mugët
Fjalë e pathënë, mbetur në fyt zogjsh

Me një pipëz shelgu në duar
Mot për mot e pres ta dëgjoj nëpër prille
Pupëzën e pyjeve në katundin tim skaj qiellit.

Me atë gjysmëfjalën që i mungon botës.

Shiu-Charles Bukowski

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Shiu-Charles Bukowski

një orkestër simfonike
ekzekutohet një stuhi,
po luhet një uverturë e Wagner-it
e njerëzit lënë vendet e tyre nën pemë
e vrapojnë brenda në tendë
gratë qeshin, burrat shtiren të qetë,
cigaret e lagura hidhen tej,
vazhdon të luhet Wagner-i,
e pastaj ata janë të gjithë nën tendë
madje edhe zogjtë lënë pemët
dhe hyjnë brenda
e më pas vjen Rapsodia hungareze #2 e Lizst-it,
dhe ende bie shi,
por, pa shiko,
një burrë rri ulur i vetëm në shi
duke dëgjuar
i bie në sy audiencës
ata kthehen dhe e shohin
orkestra vazhdon punën e saj
burri rri ulur natën në shi,
duke dëgjuar
ka diçka që nuk shkon me të,
apo jo?
ai erdhi për të dëgjuar muzikën.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Me Besjana Lushajn për tregimin “Në kërkim të lexuesit” të shkrimtarit gjerman Hienrich Böll

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi Besjana Lushajt të përzgjidhte një prej shkrimeve të publikuara në këtë revistë dhe mbi të do të ndërtohej një recensë në formë bisede.
Dhe ajo zgjodhi tregimin “Në kërkim të lexuesit”, të shkrimtarit gjerman Hienrich Böll. Mendimet e saj janë mbresëlënëse. Ajo madje edhe e lexoi tregimin, të cilin ju mund ta dëgjoni këtu:

 

       Besjana Lushaj 

Arlinda Guma: Përse zgjodhët këtë tregim?

Besjana Lushaj: Sepse që në titull më bëri të vë buzën në gaz. Böll-in e kam ndër shkrimtarët e mi të preferuar dhe një nga arsyet është kjo; sepse më bën të vë buzën në gaz.

Arlinda Guma: Përveç ndjeshmërisë së lartë, Heinrich Bõll më ka tërhequr gjithmonë edhe për ironinë në stilin e rrëfimit. Është një lloj ironie që nuk bërtet, një lloj ironie disi e maskuar, e hollë, elegante. Ajo dallohet (e s’dallohet) ngado në romanet e tij, por mbi të gjitha në tregime, atje ku duket edhe talenti i vërtetë i një prozatori. Si e mendoni ju këtë? A është kjo ajo që ju ngacmon te ky shkrimtar?

Besjana Lushaj: Tregimi më ngacmoi që në titull, ku hasa një ironi të hollë që të përgatit qysh në fillim për një lexim, në mos ngacmues, argëtues. Titulli është njëkohësisht i drejtpërdrejtë dhe shpotitës. Böll-i e njofton lexuesin qysh në titull se bëhet fjalë për një kërkim të shenjtë për çdo autor, në fund të fundit po kërkohet vetë lexuesi. Lexuesi është grali i shenjtë për çdo shkrimtar, e shkrimtarë dhe autorë anëkënd botës e kërkojnë gralin e tyre të shenjtë në rrugë krejt të ndryshme. Për të shkuar te lexuesi disa marrin rrugë të mundimshme kalorsiake e të tjerë i qasen kërkimit si kalorës të dalë nga Monty Python-i, der diku argëtues por gjithsesi qesharakë dhe pa thelb.
Böll-i tregimtar dhe Böll-i romancier janë në të njëjtën lartësi, gjë e cila nuk haset dhe aq shpesh sa mendohet. Janë më të rrallë ata shkrimtarë që arrijnë të shkruajnë mirë edhe romanin edhe tregimin. Për t’ia arritur kësaj duhet të jësh një shkrimtar i plotësuar, dhe Heinrich Böll- i ishte një i tillë.

Arlinda Guma: Për të vazhduar me ironinë, autori qysh ne fillim të tregimit rrëfen
se miku i tij “guxon dhe e quan veten autor” vetëm sepse ka disa njohuri të caktuara në drejtshkrim. Edhe unë njoh plot të tillë. (Por njoh dhe nga ata që nuk kanë as njohuri në drejtshkrim.)

Besjana Lushaj: Böll-i e kishte luksin ta ironizonte mikun e tij sepse ai e kishte jetuar jetën në plotësi para se t’i përkushtohej seriozisht shkrimit. Shpotia vjen në formën e një sugjerimi se ndoshta shkrimi i një libri të dytë do të mbulonte dështimin e të parit dhe se ndoshta një libër i tretë do ta mbulonte dështimin e të dytit e kështu me radhë, derisa autori, me vullnetin e tij të hekurt dhe me njohuritë e mira në drejtshkrim, do të kishte një “lucky punch”. Veçse Böll-i e di që letërsia e mirë nuk bëhet vetëm me vullnet të hekurt, disiplinë dhe drejtshkrim. Prandaj dhe ai shpotit.

Arlinda Guma: Fabula e këtij tregimi është mjaft interesante, mbi të gjitha për lexuesit-shkrimtarë apo për lexuesit-aspirantë-shkrimtarë. Në të vërtetë këtë tregim e kam përkthyer në kushte mjaft të vështira sepse nuk e kisha librin. M’u desh të fotografoja faqet dhe nga ato foto edhe e përktheva. (Gazetarët e portaleve as nuk do ta përfytyronin diçka të tillë!) Në këtë mënyrë kam përkthyer edhe disa tregime të tjera të tij. Sepse jam admiruese e teknikës së tij. (Dhe nuk di sa ia kam dalë ta përcjell aq të gjallë sa e përjetova kur e lexova.)

Besjana Lushaj: Böll-i ishte bir i maksimës gjermane ‘ ‘kurz und knackig‘ ‘ . Teknika e të shkruarit i mundësoi atij që histori dhe subjekte të gjata t’i trajtonte shkurt, pa i varfëruar ato.

Arlinda Guma: Besoj se për të ndërtuar personazhin e shkrimtarit, Hienrich Böll
duhet të ketë patur material të mjaftueshëm rrotull tij…

Besjana Lushaj: Personazhi vjen shumë i gjallë për të qenë plotësisht i stisur prej autorit. Periudha e pasluftës është një periudhë e ndryshimeve të mëdha në Gjermani, përfshirë dhe botën e letërsisë. Shkrimtarët gjermanë të pasluftës ishin shumë larg gjuhës elegante të përdorur nga shkrimtarët e mëdhenj vendas, si p.sh Thomas Mann-i, duke ndërprerë kështu një traditë të gjatë në letërsinë gjermane. Për Böll-in dhe bashkëkohësit e tij gjuha dhe stili ishin shumë të rëndësishme. Gjuha e vrazhdë dhe shpërfillja e elegancës në të shkruar ishte ajo çka e veçoi këtë brez. Vrazhdësia në gjuhë, e integruar me shumë zgjuarsi nga Böll-i, nuk e prek në vetvete finesën e tij. Ai me shumë zgjuarsi arrin t’i kundërvihet normës.

Arlinda Guma: Nuk duket një personazh tërësisht grotesk. Diku autori duket sikur
e mbledh dorën dhe e bën lexuesin të ndiejë edhe empati për shkrimtarin…

Besjana Lushaj: Përkundrazi, ai vjen si një personazh që është qëndisur me një lloj dashamirësie dhe respekti nga autori. Boll-i ironizon dhe shpotit, por nuk përçmon. Në këtë rast më shumë se vetë Witt-in, ai ironizon krejt atë çka më pas u bë bota e letrave dhe e politikës në Gjermaninë e pasluftës.

Arlinda Guma: Një nga elementet më groteskë të tregimit, i cili përngjet me realitetin aktual letrar në Shqipëri, është edhe shpërndarja e librave për recensa… Numri i madh i librave të dhuruar për recensa dhe numri i vogël i librave të shitur…

Besjana Lushaj: Recensat në Shqipëri i përngjajnë më shumë qokave, vizitave për
Bajram dhe ftesave për dasëm. “Duhet t’u shkojmë sepse na kanë ardhur”, duhet ta bëjmë recensën sepse na e ka bërë. Jep dhe merr, tregu i shkëmbimit të favoreve. Recensat në fakt shërbejnë më shumë për t’i mbajtur lexuesit larg nga leximi i autorëve shqiptarë. Suksesi i radhës i botës intelektule shqiptare është kthimi përmbys i konceptit të recensës. Një ilustrim i shkurtër i disa biçim recensave që kam hasur në rrjet: “Kritiku i shquar Centri Fuga shkruan mbi librin më të fundit të autores së shquar Xixë Llonja”: “Me këtë libër Xixë Llonja arrin dhe një herë tjetër të hedhë një gur kilometrik në letërsinë shqiptare. Personazhi kryesor i librit Val Keqi, pinjoll i një familjeje të përsekutuar të ish-bllokut niset në kërkim të vetes duke hipur mbi gomone. “ Recensa vazhdon duke shpjeguar që sfidat e Valë Keqit janë sfidat e çdo shqiptari dhe se askush nuk ka arritur t‘i përmbledhë kaq mirë vështirësitë dhe dramat shqiptare në një libër të vetëm sa zonja Xixë Llonja. Duhet të mos harrojmë të përmendim se Centri Fuga dhe Xixë Llonja janë kolegë në të njëjtin departament, aderojnë në të njëjtën parti, marrin të njëjtat projekte dhe kandidojnë që të dy për një vend në parlament. Ah, po… janë dhe në të gjitha juritë ku ndahen dhe shklyhen çmime letrare. Pra mund të konkludojmë se me numrin e recensave, të letrës dhe bojës së harxhuar për t’i shkruar ato, do të arrinim ta ndërtonim disa herë Korridorin Tetë të pallavrave.

Arlinda Guma: Dhe pastaj vjen ky fragment: “Ndërkohë ai kishte kaluar në letërsinë historike si “Krijuesi i Standardeve-Witt” dhe një libër që ishte botuar e që fliste për të, ishte shitur më shumë sesa vetë librat e tij.” Këtu kemi “fenomenin” Wit. Jeta letrare e këtij autori varet nga shitjet e librave të tij. Ndërkohë sot jetojmë në kohët e populizmit letrar saqë çdo libër “i shit-shëm” ngre një pikëpyetje të madhe për vetë cilësinë e tij. Në të vërtetë librat e mirë janë jo-komercialë, por nga ana tjetër shkrimtari shkruan për t’u lexuar. Një kontradiktë e vazhdueshme kjo, apo jo?

Besjana Lushaj: Populizmi letrar në vetvete mpleks bashkë logjikën e tregut me një industri (kështu e quajnë një pjesë të paktën) e cila po iu nënshtrua e gjitha ligjeve të tregut, bjerret në vlera dhe kthehet veçse në një operator të tregut. Trajtimi i librit veçse si mall, e kthen atë veçse në një objekt fitimi.

Arlinda Guma: Ky tregim na paraqet një botë jo dhe aq idilike sa ç’mund ta përfytyrojë lexuesi punën e një shkrimtari. Po të mendosh kohën kur autori ka jetuar e shkruar, krahasuar me gjendjen edhe më katastrofike të shkrimtarit në Shqipëri do të dilnim në ca përfundime të hidhura.

Besjana Lushaj: Përfytyrimi se shkrimtarët jetojnë dhe veprojnë në një botë idilike, larg halleve dhe problemeve të përditshmërisë rron akoma në imagjinatën e lexuesit të pavëmendshëm dhe të painvestuar. Për një pjesë leximi i letërsisë është veçse argëtim, shkëputje nga realiteti duke i kaluar faqet e librit me një shpejtësi të caktuar. Dikur si nxënëse më bënte përshtypje se si shkrimtarë si London, Heminguej, Tolstoi, Dostojevski apo Migjeni, kishin jetuar jetë të trazuara, e kjo i dha fund bindjes sime naive se shkrimtarët i kalojnë ditët e tyre veçse duke shkruar në një dhomë plot me dorëshkrime ku asgjë dhe askush nuk ua prish rehatinë. Me kohën kuptova se krijmtaria dhe rehatia nuk shkojnë mirë bashkë. Ndoshta prandaj dhe nuk arrij t’i kuptoj ankesat e vazhdueshme të shkrimtarëve të rinj të cilët pretendojnë që qysh herët në jetën e tyre si autorë të kenë mundësinë të jetojnë vetëm nga shitjet e librave. Por kjo paaftësi imja për të kuptuar ka të bëjë më shumë me mua se me ata. Böll-i vetë jetoi në kohë të vështira për njerëzimin dhe në kohë të arta për krijmtarinë letrare. Mendja e tij e bukur bëri bashkë turpin, dramën, ndëshkimn dhe shpresën për t’i dhënë jetë një kolane e cila u bë panorama më e plotë e Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Vepra e tij i rezistoi kohës sepse është autentike dhe e pakohë.

Arlinda Guma: Hienrich Böll ka qenë një shkrimtar kundër të gjithë establishmenteve; atyre letrare dhe politike. (Ai madje është quajtur ndërgjegjia e kombit.) Në Shqipëri mungojnë dukshëm shkrimtarë të tillë. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Besjana Lushaj: Böll-i nuk ra asnjëherë dakord me përcaktimin e tij si “ndërgjegjia e kombit” sepse ai besonte se askush nuk mund të bëhet ndërgjegjia e një kombi. Sipas tij çdo gjerman do të duhej të kishte ndërgjegjen e vet, e kështu dhe Gjermania do të kishte një ndërgjegje dhe memorie historike. Ai ishte kundër kultit të individit, duke filluar që nga ai i tij. Heinrich Böll-i ishte i majtë me prirje anarkiste dhe ai e jetoi gjithë jetën e tij si një shkrimtar i angazhuar dhe si aktivist politik deri në ditën e fundit. Ai pagoi një çmim të lartë për bindjet e tij pasi vazhdimisht u përball me sulme të ashpra nga shtypi gjerman konservator i kohës. Ata nuk e kursyen edhe pasi ai mori çmimin Nobel në vitin 1972. Por dhe Böll-i nuk njihej se kursente njeri. Ai ishte dhe mbeti deri në fund një polemizues i përhershëm.
Për t’u rikthyer në Shqiperi ku panorama paraqitet krejt tjetër. Këtu shkrimtarë të njohur dhe të panjohur janë të gjithë të gatshëm të vetësakrifikohen si “ndërgjegjia e kombit“. E kam të pamunduar të imagjinoj se një shkrimtar kandidat për një titull të tillë do të dilte para njerëzve dhe të shprehej: “Bashkëkombas të nderuar, unë tërhiqem nga gara për vendin e Ndërgjegjes së Kombit sepse unë nuk kam ndërgjegje për vete. Gjithsesi faleminderit që më kandiduat.” Sado që përpiqem të imagjinoj diçka të tillë, e kam të pamundur, por gjithsesi kjo ka të bëjë prapë me pamundësinë time.

Arlinda Guma: A u ndjetë e shkurajuar kur e mbaruat së lexuari këtë tregim? (Meqënëse edhe ju e aspironi shkrimin dhe botimin.)

Besjana Lushaj: Po, një shkurajim që e ndiej sa herë lexoj një libër të mirë. Dikur dhe unë, ashtu si shkrimtarët premtues sot, ia lija fajin lodhjes, angazhimeve me studime dhe punë, kapitalizmit apo motit. Por me kalimin e kohës kuptova se nuk shkruaj pasi jam e pavendosur dhe e pasigurt.
Siç thoshte Heinrich Böll-i:
“Librin e kam të gjithin në kokë, vetëm duhet të ulem që ta shkruaj. “

Arlinda Guma: Ju falënderoj që morët pjesë në këtë rubrikë!

Besjana Lushaj: Faleminderit për ftesën dhe vlerësimin. Ishte kënaqësi!

Tregimin e lexoni këtu:

http://defekt-teknik.com/ne-kerkim-te-lexuesit-heinrich-boll/

Pupëza e pranverës-Hamit Aliaj

in Letërsi/Tharm by

Pupëza e pranverës-Hamit Aliaj

Pup-pup-pup, pupëza e pranverës
I vetmi zog pa këngë
Veç me gjysmë fjalë belbane.

Çfarë kumtesh të lashta i kishin mbetur përgjysëm njeriut
Që ia la amanet pupëzës shtegtare
E ajo ende s’i thotë dot?

I njomë isha, si shelg që bëhej pipëz fëmijësh në prill
Kur një vajze iu mor goja para meje:
Pup-pup-pup

Buzë të bukura që këndonin këngë që s’të lënë me vdekë
Buzë që recitonin poetët e dashurisë,
M’u dhanë dridhshëm në vitet e harrimit
Por pupëza mungonte në to.

Po errem edhe unë si murg i mugët
Fjalë e pathënë, mbetur në fyt zogjsh

Me një pipëz shelgu në duar
Mot për mot e pres ta dëgjoj nëpër prille
Pupëzën e pyjeve në katundin tim skaj qiellit.

Me atë gjysmëfjalën që i mungon botës.

Natë e thikëve të gjata-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Natë e thikëve të gjata-Sueton Zhugri

Si esencë e trupit mbetet hija.
Absolutja e zërave zbutet gjer në përgjakje.
Të ikur duhet të ishim përtej kësaj pike.
Si kartagjenas që u shkulën dhe flokët para shfarosjes.
Si bija të bardha që mbinë humnerave
pa rënë dorës së turkut.

A vjen krimi si natyrë e gjërave,
zinxhir ushqimor i dhëmbëve të përsëritjes?

Së paku fundin ta mbushnim
me sy e etje
si gojët e peshqve mbledhin mushkërive
mbytjen e stëresë.

Pastaj le të vinte bërthama e atomit
Le të vinin thikat e gjata.

21.7.2017

FREDERIKU SI M’U SHFAQ/Visar Zhit

in Si e kam njohur Frederik Rreshpjen by

Një kartolinë dhe një kartelë


        Visar Zhiti

Gjithmonë çohem herët
në mëngjes,
por botën
e gjej zgjuar…

Gjithë ditën kam mërmëritur me vete këto vargje të Frederik Rreshpjes, jo vetëm pse ai sot do ishte 84 vjeç, por e kam bërë dhe herë të tjera, i dija këto vargje që kur isha student në qytetin e tij, në Shkodër dhe ai ishte poet i njohur. Pata fatin të bëheshim miq…
Desha të thosha sot diçka për atë, shkruajta gjatë paradites dhe befas më humbën fjalët të gjitha dhe u trishtova.
Kur erdhi mbrëmja, sërish kujtova datëlindjen e tij dhe vargjet e mëngjesit i mërmërita të ndryshuar:

Gjithmonë fle vonë në mbrëmje,
por bota s’është asnjëherë
në gjumë.

Shoh dritat në rrugë dhe plot dritare të ndezura. Ç’kisha humbur, nuk e ribëja dot më. Deshi, pa humbi, po mërmërisja. Dhe kjo s’është vetëm për fjalët. Megjithatë unë kisha shkruar për Frederikun. Ai ishte një humbje e dhimbshme, me thyerje, e shndërruar në poezi…
Në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” kam rrëfime nate për atë, ai vjen fantazmë, po risjell njërin:

KARTOLINA NË FERR

​- Po kjo kartolinë armiqësore dërguar poetit armik Frederik Rreshpja? – Hetuesi tundte një kartolinë, e vetmja gjë me ngjyra aty, që nga ajo dhomë shkretane, në korridorin e gjatë dhe të errët e deri te biruca jote. Por ajo ulërimë e papërcaktuar nga vinte ashtu? Ti mbaje vesh për ta gjetur dhe shqetësimi shtohej. Zjarrmia e ulërima nga s’avitej, qasej, derisa e kuptoje se ishte tjetër, jo ajo te birucat e anës sate, as e asaj, e treta nga këtej, por ishte brenda te ti. Të erdhi radha të ulërish. Ndërsa hetuesi mbante në dorë një copë nga ulërima, me ngjyra, e ruajtur mirë, me fanatizëm, një kartolinë me të cilën një Vit të Ri të shkuar, kur kishte të tillë, të largët, apo që s’kishin ardhur ende, uroja një njeri.​
​- A mund ta shoh? – thashë.
​- Patjetër, është e drejta jote, – ma zgjati kartolinën hetuesi, duke kujtuar se desha të shihja vërtetësinë e saj, teksa nga buzët e tij derdhej ngazëllimi që të jep prova e pakundërshtueshme, aq e çmuar dhe po aq e panevojshme, por boll që i shton andrallat të hetuarit.
Në të vërtetë unë desha ta shihja për të përftuar një çast timin, të përjetoja të shkruarit, fjalët, vajtjen në postë dikur, ngjyrat e kartolinës, etj.
​- Yti është shkrimi? – u bë i vëmendshëm hetuesi.
​- Patjetër, – buzëqesha, – por s’ia kisha dërguar organeve të Sigurimit. Ç’do kjo këtu?
​- Atë e dimë ne! Mos harro, ta kam thënë, jo vetëm unë, por edhe polici më i rëndomtë, pyetjet i bëjmë ne dhe jo ti, aq më keq kur ato janë edhe provokuese. Kemi konfiskuar 32 fletore nga ato të tuat. I mori një koleg yni gjatë kontrollit në shtëpinë tënde në Lushnjë, një kalendar, 4 blloqe, ditarë, poezi, prozë. Dhe 5 fletore të tjera të kapura atje ku punoje, në fshatin Vilë. Në rregull?
​(- Obobo! – thashë me vete.)
​- Jemi duke i studiuar. Nuk të kemi arrestuar gabim.
​- Por këto që përmendët, i keni marrë pasi më arrestuat, – kundërshtova i pafuqishëm. – Pra, provat tani po i kërkoni, tani. Nuk është e drejtë, – rënkova.
​- Po i shtojmë provat, i pandehur, – bërtiti. – Dhe drejtësinë e vendosim ne! I kemi dhënë dhe për ekspertizë tjetër dorëshkrimet e tua, ditarët. Do të ta them edhe se kujt. Një profesorit tënd në Shkodër, ka qenë edhe imi, gjuhëtar i njohur. Shef katedre…
​Ndjeva hidhësirë në gjuhë. Dhe zhgënjim. Po ai pse m’i thoshte emrat? Që dhe unë ta kisha të lehtë të thosha emra? T’u kundërvihesha. Nëse ishin profesorë të mi, unë nuk jam student i tyre…
​- E ç’do të bëhet…? – mërmërita i hutuar.
​- Me profesorin, me ty, me ditarët? – më hetoi hetuesi buzagaz. – I ruajmë ne më mirë… të gjitha. As kur të lirohesh nga burgu, nuk do t’i kesh.
​- Është vendosur “burgu” për mua?
​- Po. Nga ti varet masa e dënimit. Sikur një ditë të dalësh më parë, s’është pak. Na ndihmo, të të ndihmojmë. Po nuk kuptove, ka edhe metoda të tjera. Më kupton?… Vazhdojmë. E lexove kartolinën tënde? – dhe ma mori vrik me merakun se mos unë e zhdukja provën, e haja p.sh., si në një roman të realizmit socialist. – Të ta lexoj unë?… Të kujtohet?
​- Po.
​- E di që Frederik Rreshpen do të ta sjellim dëshmitar që nga burgu politik, ku është? Të ka marrë malli për miqtë e tu? Vazhdo mbroji. – Hetuesi u bë i rreptë. Shpejt e shpejt hapi një dosje tjetër nga ato që kishte shpërndarë mbi tryezë, në fakt s’kishte nevojë për aq shumë, por që të ndihesha sa më i sulmuar. – Këtu kam ekspertizën që i ka bërë objektit-kartolinë shkrimtari Th. F. Ndër të tjera, ai thotë se qysh nuk u gëzuaka shkrimtari te ne?! Pse, nuk e gëzon shkrimtarin në socializëm rendimenti i lartë i grurit, shtimi i qumështit të lopëve në kooperativat bujqësore? “Të uroj romane mermeri”, shkruan ti dhe ekspertizuesi e zbërthen: Mermeri është nëpër varre dhe i ftohtë. Pra, ke bërë urim që ndjell vdekje.
​- Është edhe te varret e dëshmorëve, – e ndërpreva. – Ata janë gjallë përjetësisht. Edhe te statujat e udhëheqësit e…
​Hetuesi ndali. Picërroi sytë. Mbase mendoi modifikimet në akuzë, por edhe unë përgjigjet e tilla t’i lija për në gjyq. Hetuesi vendosi të më shpartallonte aty për aty, edhe fizikisht, po u desh.
​- Pse nuk gëzohet shkrimtari te ne? – të pyes. Përgjigju dhe mos dredho! – m’u vërsul tërë hakërrima. – Të duruam shumë! I poshtër! Maskara! Dredharak! Qelbësirë! Pse nuk gëzohet, pse? – Po bërtiste aq shumë, sa po tmerrohesha, për fjalën “gëzim” po përdoreshin të kundërtat e saj, sharje, nëpërkëmbje, pranga. – I biri tët eti! Ti… – më shkundulloi. S’doja të dëgjoja, kur më shante babanë. Të paktën të shpëtoja pa ma sharë nënën këtë radhë. – Fol, f-o-o-o-l! Çohu në këmbë! Jo, ulu. Çohu! Ulu, ulu! Poshtë e më poshtë ti! Shpjego, pse nuk gëzohet shkrimtari te ne. Çohu, – më kapi nga jaka e mbetur. E shqeu edhe atë. – Ulu! – Dihaste, kërcëllinte dhëmbët e veta e të miat kur më rrotullonte nofullën e ënjtur. Ulu-çohu! Ulu-çohu! Uuuuuuçççççç!
​- P-o-o, si? Shpjegohu! Dalja e një libri nuk e gëzuaka shkrimtarin?!
​- Po fillon tortura për librin tjetër, prandaj, – përçarta.
​- Jo, ende s’i kemi filluar torturat, por do t’i fillojmë, po vazhdove kështu, me sofizma…

* * *

Dhe i lashë kujtimet e tjera, portretin, mitomaninë, aq të bukur për në skrivani, po aq e rrezikshme larg saj, që armiq i shtoi Fredit, thyerjet dhe zhgënjimet dhe humbjet, takimet në liri që i ngjanin lirisë, mashtrimeve të saj, etj, etj. Frederik Rreshpja i braktisur, edhe nga vetja.
Do të ishte një i ri nga qyteti i tij, Shkodra, shkrimtari Shpetim Kelmendi, biri i një bashkëvuajtësi burgjeve, që do t’i gjendej pranë si strehë dhe bukë dhe shpirt…
Por po hap një libër tjetër, një sprovë imja e gjatë, për një detyrim kujtesës kolektive:
​
KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR


Ja, dhe kartela e pakët për poetin
Frederik Rreshpja,
(1940 – 2006)

Kur mua më çuan në Spaç, ai u lirua, kështu që s’u ripamë dot në burg. Kishim qenë shumë miq: unë sudent në Shkodër dhe ai poet i njohur. Atëhere më dukej si i pakallur ende në burg dhe jashtë tij si i padalë ende nga burgu.

Dukagjinas i lindur në Shkodër në vitin 1940. Bëri dhe gjimnazin po në Shkodër dhe me korrrespondencë ndoqi studimet universitare pedagogjike në Tiranë, teksa punonte në Gjendjen Civile në Dajç të Bregut të Bunës e më vonë në Shkodër si përgjegjës kulture në Kombinatin e Drurit.
Në vitin 1967 del përmbledhja e tij poetike “Rapsodi shqiptare” dhe më pas disa libra për fëmijë. Romani i parë “Zëri i largët i kasolles” 1972 si dhe drama e parë “Ëndrra e tokës”. Përsëri poezi, “Në këtë qytet”, 1973. Në vitin 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi “për shkak të qëndrimeve të autorit”. Arrestohet dhe dënohet me 4 vjet burg, që në Shqipëri shihej si dënim jo i rëndë. Pasi del, e ridënojnë me nene të tjera ordinere.
Në vitin postdiktatorial 1991, Frederiku bëhet kryeredaktor i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste në Shkodër si dhe kandidat për deputet i po kësaj partie. Vjen në Tiranë në vitin 1992 dhe bëhet themelues e pronar i shtypshkronjës “Europa” si dhe drejtor i revistës po me këtë emër. Shtyp dhe trakte kundër qeverisë. Falimenton me gjithçka, përveçse me poezinë. Bie në një varfëri të skajshme, teksa shkruan vargjet më të bukura në jetë, me një trishtim brilant, me një hënë që vezullon si plagë.
Takoheshim sërish, kur burgu na e kishte thyer të dikurshmen. Në 1994 nxjerr librin “Erdhi ora të vdes përsëri”.

​ Unë kam qenë trishtimi i botës.
…erdhi ora të vdes përsëri.

Më pas boton “Lirika”, 1996, “Vetmi” në 2004. Poezi antologjike. Dhe ashtu vdes në vetmi në shkurt të vitit 2006. Prehet në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.
Poezia e tij duket si e shkruar pas vdekjes, me një bukuri mortore, farfuritëse, me metafora dëshpëruese qe të këpusin shpirtin edhe duke mos shkruar asgjë për burgun e tij. Fjala kumbon si në një pus me qiell, ku lëkundet e pasqyruar një copëz eliptike stine: ​

​ ...e kam kuptuar se kisha lindur
i mallkuar me art…
​
Ai ka shumë vetmi dhe asgjë më shumë se veten. Duken flatrat e thyera prej allçie të engjëllit mbi shpinën e kërrusur të një demoni të mirë, që sikur pyet me shpoti: Erdhi ora të ngjallem përsëri?

Librashitësi-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Tharm by

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Kapakë historish të zverdhuna
stivon përditë n’thembër t’bulevardit,
e njajtë me drojen e Akilit
i ruhet zhumhurit të hapave që u shkojnë përbri.
Titujt janë rrokë ndërvedi
teksa n’epilog feks nji çmim i korrigjuem përçudshëm.
Librashitësi përkulet mbi ta
e njashtu i ulun kacuk
ledhaton ngeshëm personazhet
që rreken me u rinjallë
sa herë era shpalos fletët e dekorueme
prej trillime tejash tekanjoze.
Në t’errun
ngarkon kaliboç historitë e bjerruna
bashkë me brengën e personazheve që as sot
s’mujtën me u arratisë prej kutisë me mbishkrimin “fragile”…

Duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim-Izet Sarajlić

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim-Izet Sarajlić

Ecejakem nëpër qytetin e rinisë sonë
duke kërkuar një rrugë që të mbajë emrin tim.

Rrugët e gjera e të zhurmshme –
ua lë titanëve të historisë.

Çfarë bëja unë ndërkohë që historia çante përpara?
Thjesht të doja ty.

Po kërkoj një rrugë të vogël, modeste, të përditshme,
përmes së cilës, krejt të padukshëm,
ne të endemi pas vdekjes.

Së pari nuk duhet të jetë shumë e gjelbër,
madje as të ketë zogjtë e saj.

E rëndësishme është që në të
çdo burrë apo qen që arratiset të mund të gjejë strehë.

Do të ishte mirë sikur të ishte e shtruar,
por në fund të fundit, kjo nuk është më e rëndësishmja.

Më e rëndësishmja është
se në rrugën që mban emrin tim
askujt, askurrë, nuk do t’i bëjnë keq.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duartrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!

             Arlinda Guma

Para disa vitesh, në ditën botërore të librit, isha e ftuar nga një prej universiteteve të vendit në një takim me studentë. Midis gjërave që më bënë përshtypje në atë takim ishte fakti që pedagogia që drejtonte takimin, herë pas here u tërhiqte vëmendjen studentëve për mënyren sesi duhej të rrinin. Meqënëse kjo gjë u përsërit shpesh, iu drejtova pedagoges me ton miqësor se unë i urreja protokollet, se për mua ai ishte një takim joformal dhe se studentët mund të rrinin si të donin, madje mund të uleshin edhe mbi tavolina nëse ashtu do të ndiheshin më rehat, se këto fjalë po i thoshte një autore që i kishte thyer të gjitha rregullat e mundshme; një autore që nuk i ishte përmbajtur asnjë rregulli klasik për shkrimin e një romani, ndaj dhe takimin me ata studentë e mendonte të tillë.
– Jo, jo, nuk mund të ulen mbi tavolina, – m’u përgjigj pedagogia me njëfarë alarmi dhe unë pastaj heshta. – Mbase do më tërheqë vemendjen edhe mua që “nuk po rri mirë”, – thashë me vete duke nënqeshur lehtë dhe u mbështeta drejt në karrige, me qëndrimin e një studenteje shembullore që mëson përmendësh dhe që zysha e do shumë.
M’u kujtua ky episod këto kohë kur lexova për rezultatin e testit të Pisa-s për nxënësit shqiptarë; që ata kanë zero kreativitet, zero mendim kritik, e shumë zero të tjera.
Por gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte habia e madhe që shkaktoi ky lajm te i madh e i vogël. Një habi madje edhe prej vetë individëve të cilët punojnë brenda këtij sistemi.
Po si mund të zhvillojnë mendim kritik nxënësit shqiptarë, kur mësuesit e tyre duatrokasin me gif-te gjithë pathos kryeministrin e vendit?
Diku ata do të jenë duke marrë shembull… Dhe ku ka shembull më të mirë se ai i mësuesve të tyre?
E përmenda episodin me studentët pak më lart për të nxjerrë në pah ngurtësinë e shkollës shqiptare, formalitetin dhe sipërfaqësinë e saj.
Por shkolla shqiptare është e tillë sepse e tillë është e gjithë shoqëria shqiptare dhe sipër të gjitha këtyre dukurive, si qershia mbi tortë, qëndron represioni i politikës.
Mësuesit shqiptarë duhet të ruajnë vendin e punës me anë të komenteve ekzaltuese që duhet t’i shkruajnë kryeministrit të vendit te faqja e tij në facebook dhe me anë të share-ve. Kryeministri nuk ka asnjë gabim, ai nuk ka asnjë defekt, ai është drita që ndriçon, dielli që verbon, e të tjera e të tjera. Them se më të virtytshmëve u vjen turp për atë që janë të detyruar të bëjnë, ndaj shpesh mjaftohen vetëm me gif-te.
Nga këto komente, nxënësit shqiptarë marrin shembull sesi duhet të sillen në jetë. Sesi duhet të manovrojnë. Se testi i Pisa-s të merr të keqen po e pate mirë me qeverinë dhe kryeministrin.
E në gjithë këtë atmosferë entuziazmi të simuluar, si mund ta zhvillojnë ata mendimin kritik?
Pse nxënësit shqiptarë janë të shkëlqyer në teknologji? Pra, atyre nuk u mungon intelekti, inteligjenca natyrale, por nuk kanë askënd që t’i orientojë, që t’ua drejtojë këtë inteligjencë në hullite e kultivimit. Nuk kanë askënd që t’ua bëjë lëndën më të gjallë dhe interesante, duke dalë nga klisheja e vjetër e autoritetit të mësuesit.
Në ditët pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, kur nëpër televizione ishin të ftuar gjithfarë “akademikësh” që flisnin edhe këta gjithë pathos për të ndjerin, më bëri përshtypje një pedagoge, besoj e letrave, pa dyshim. Asaj iu drejtua një pyetje mbi romanin “Dimri i madh” e konkretisht për figurën e Enver Hoxhës, dhe ajo filloi të fliste “rrjedhshëm” dhe me një pathos të frikshëm për skalitjen e kësaj figure në roman. E ekzaltuar, ajo e justifikonte shkrimtarin, nuk gjente asgjë që t’i vriste syrin në synimin e autorit ndaj personazhit të Hoxhës, në një kohë kur vetë Ismail Kadare në një intervistë për një media të huaj ka thënë qartë se romani “Dimri i madh” ishte haraçi që ai duhej t’i paguante diktatorit në mënyrë që ky i fundit ta linte të lirë për të shkruar vepra të tjera. E kur këtë gjë e ka deklaruar vetë shkrimtari, pse pedagogia, në mënyrë fare të panevojshme, e justifikonte për një gjë që ai e kishte pranuar hapur se ishte kompromis? 
Ja pra, kjo është shkolla shqiptare! Kjo është pedagogia që duhet t’u stimulojë studentëve mendimin kritik! Kjo është ajo mendësia tipike primitive se kur vdes një njeri publik ne duhet t’ia retushojmë defektet dhe duhet ta kandisim në një njeri pa asnjë nuancë në personalitet, në një njeri të mirë; të mirë deri në mërzi, madje edhe kundra dëshirës së tij.
Kur vdes një njeri publik, një shoqëri e guximshme, e drejte dhe emancipuar, i nxjerr në pah edhe vlerat por edhe dritëhijet. Në mënyrë që fëmijët në librat e tyre mësimorë të mos edukohen me pallavra e shembuj të rremë, por të guxojnë ta shohin të vërtetën në sy dhe të mësojnë se asnjë njeri nuk është bardh e zi. Se shpesh personalitetet e famshme të fushave të ndryshme të shoqërisë kanë edhe ata kontroversialitetin e tyre, anët e tyre të errëta, deri edhe mëkatet e tyre.
Por shoqëria shqiptare refuzon t’i shohë këto dhe e gjithë kjo pasqyrohet në shkollë, në mendësinë inferiore të vetë mësuesve dhe pedagogëve.
Shkolla shqiptare nuk ka liri, ashtu siç nuk ka liri vetë shoqëria shqiptare. Ajo është vetëcensuruese ashtu siç është vetëcensuruese shoqëria shqiptare. Dhe mendimi kritik e krijues mbi të gjitha kërkon liri. Kërkon edhe lexime skrupuloze nga vetë mësuesit. Përgjithësisht autorët që analizojnë këta mësues në gjimnaz janë të rëndomtë. (Madje, para disa viteve, në provimet e lirimit të lëndës së letërsisë, ishte përfshirë dhe një autor banal si Albatrosi.)
Këta mësues dhe pedagogë po i plakin para kohe këta të rinj, dhe këta qeveritarë po i mbysin këta mësues dhe pedagogë me militantizmin, like-t dhe share-t, që ua kërkojnë si haraç në këmbim të vendit të punës. Dhe ata mësues që janë të gatshëm për like, share e komente stratosferike, shpesh janë të paaftë për mësimdhënie dhe me një nivel intelektual të cunguar. Është një rreth i tërë vicioz, i cili, si rrejedhojë, prodhon produktin që konstatoi Pisa. Shoqëria shqiptare është e pamësuar me mendimin kritik, ajo e sheh shtrembër individin që rebelohet, individin që kritikon. Nëse publikon një shkrim kritik për qeverinë, njëqind kushërinj e të njohur që kanë zënë një vend të rehatshëm në administratën shtetërore do të të shohin sikur u ke vrarë babain shpirtëror, sikur u ke ekzekutuar idhullin!
Si krijuese e revistës defekt-teknik prej gjashtë vitesh, sa herë që hyj te statistikat e leximeve, më bën përshtypje fakti që shpesh, vizitorë të ndryshëm hyjnë te faqja e saj për të marrë esé të gatshme për X autor. E kam përmendur shumë herë, por mësuesit dhe pedagogët shqiptarë shqetësohen për faktin sesi rrinë studentët në karrige dhe aspak për faktin se ata kërkojnë esé të gatshme.
Nëse ndonjëherë do zhvilloja një takim tjetër me studentë, e para gjë që do t’u thosha do të ishte që të mos u binden verbërisht autoritetit të pedagogëve dhe në rastet kur mendojnë se ata nuk kanë të drejtë, ta shprehin hapur këtë kundërshtim. Të shprehen hapur kundër çfarëdolloj autoriteti! Mbi të gjitha ndaj atij qeverisës! Sepse pikërisht këtu fillon ai mendimi kritik! Shoqëritë zhvillohen nga rrahja e ideve dhe jo nga rrahja e shuplakave!
Në fund do ta mbyll me një tjetër episod, disi më optimist, prej takimit tim me studentët e atij universiteti.
Ndërkohë që unë u përgjigjesha pyetjeve të studentëve, shihja njërin prej tyre në tavolinën e fundit që vazhdimisht shkruante. Natyrisht mendova se ai nuk duhej të ishte aty për takimin. Dhe kur mbaruam e ai u afrua dhe më kërkoi një autograf, e pyeta se çfarë po shkruante.
– Jam student ekonomiku, – më tha me çiltërsi.
Qesha.
– Epo, nuk do kuptosh shumë nga ky libër, nuk para kam lexues ekonomistë, – i thashë.
– Jo, – ma ktheu ai me vetëbesim të lartë, – po lexoj Frojdin, më pëlqen Hygoi…
I shkrova autografin dhe i zgjata librin.
– Ka shpresë, – thashë me vete.
(E gjithë çështja është nëse këta autorë i kanë lexuar vërtet edhe mesuesit dhe pedagogët e tyre. Dhe nëse po, me ç’mend i kanë lexuar? Shpresoj jo me pathosin dhe me ekzaltimin qesharak të pedagoges që fliste në televizor.)
Të rinjtë shqiptarë nuk kanë asgjë që t’i bëjë të ndihen inferiorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre europianë. Atyre thjesht u mungon dikush që t’i orientojë, që t’i motivojë, që t’i frymëzojë teksa u flet për fuqinë e një ideje.

11 Korrik, 2024

©Arlinda Guma

________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Maskat-Ezra Pound

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Maskat-Ezra Pound

Këto përrallat për maskimet e vjetra, a nuk janë
Mite të çuditshme të shpirtrave që u gjendën mes tyre
Njerëz të paditur që flisnin një gjuhë të ashpër
Një shpirt që nuk do ta harronin nga të gjithë të tjerët
Hapësirë e yjëzuar akrash e një ngastre të mëparshme
Aty ku ai vërtitej në rrugën e tij të pakufishme mes reve,
Ose, mishëruar me vëllezërit e tij të mëdhenj, këndonte
A do të flasin krijuesit e baladës për Camelot-in?

Këngëtarë të vjetër, gjysmë të harruar nga meloditë e tyre,
Piktorë të vjetër, ngjyrë-verbët, kthehen edhe një herë,
Poetë të vjetër, të pashkathët në germat e zemrës së erës,
Magjistarë të vjetër që u mungon mrekullia e tyre:

Të gjithë ata që me trishtimin e çuditshëm në sy
Meditojnë në heshtje se cili është misteri i universit.

 
Përktheu: Arlinda Guma

1 … 27 28 29 30 31 … 192
Go to Top