Poezi nga Mariklena Niço
1
Do jetë ftohtë
dhe s’do mbështillemi dot me asnjë
përqafim
mbase do të na jepet si pilulë
një herë në javë, koha e lirë.
S’do lejohen vetmitë
as dashuritë e mëdha
se ato ziejnë bërsi
të athëta gjersa
pikojnë
mjaltë
po aparatet
që do na lidhen
për duarsh
do t’i venë
kufij
temperaturës
peshës
ëmbëlsisë
edhe melankolisë sonë.
Një lodër a lojë do t’i prijë
regjimit tonë ditor, do t’i nënshtrohemi
mbase, një diete të tjerrë mirë
s’do ketë më diçka të papritur
edhe shiu do të bjerë me kalendarin e shiut
edhe katastrofat me kalendarin e tyre.
2
Mbase s’do jetë edhe aq ftohtë
po të gjejmë përqafimin e humbur
po të biem në gjunjë para dhimbjes
së huaj e plagët t’i lajmë me përshpirtje
po të bëjmë me aq jetë të përgjakura
një urë a një muze në kujtesë
dimrin ta ngrohim me këngë.
Nga një flakëz a një poemë
akulli një ditë mbase thyhet.
Mbase edhe aq ftohtë s’do jetë
po t’i besojmë prapë pemës
po të ngjajmë nga peshku
po aq sa nga fajkoi
po t’i nxjerrim jashtë
me thërrime buke
milingonat që na bënë fole brenda
po ta gjejmë folenë e frikës
si atë të milingonave
po të jetojmë njësoj
vetmitë e mëdha
si dashuritë
e mëdha.

Një poezi nga Mariklena Niço
Një poezi nga Mariklena Niço atë pikë shikoj, atë pikë në mes të paqartësisënë mes të